ATV

Blog

  • Shaqir Totaj betohet për mandatin e dytë si Kryetar i Prizrenit

    Shaqir Totaj betohet për mandatin e dytë si Kryetar i Prizrenit

    Në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Kryetari Shaqir Totaj u betua për mandatin e tij të dytë, duke premtuar se do t’i përmbushë detyrat dhe do të ushtrojë kompetencat e tij me nder, besnikëri dhe paanshmëri, me qëllim krijimin e kushteve për një jetë më të qetë dhe më cilësore për të gjithë qytetarët e komunës.

    Në fjalën e tij, Totaj falënderoi qytetarët për besimin dhe mbështetjen e dhënë, duke theksuar se angazhimi i tij do të jetë për të gjithë pa dallim, raporton Telegrafi.

    “Zotohem se së bashku do ta bëjmë Prizrenin edhe më funksional, edhe më të bukur, ashtu siç e meriton, përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me qytetarin”, tha ai.

    Në të njëjtën seancë, u betuan edhe asambleistët e rinj, të cilëve Kryetari Totaj u uroi suksese në mandatin e tyre, duke theksuar nevojën për bashkëpunim në proceset që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve në të gjithë komunën.

  • ​Pse çmimi i argjendit ka arritur një nivel rekord?

    ​Pse çmimi i argjendit ka arritur një nivel rekord?

    Çmimi i argjendit ka arritur një nivel rekord përpara një uljeje të pritur të normës së interesit nga Rezerva Federale e SHBA-së dhe ndërsa kërkesa nga industria e teknologjisë për metalin e çmuar mbetet e lartë.

    Argjendi kaloi 60 dollarë (45.10 £) për ons në tregun spot, ku metali i çmuar blihet dhe shitet për dorëzim të menjëhershëm, për herë të parë të martën.

    Ari, i cili arriti nivele rekord më parë këtë vit ndërsa shqetësimet u rritën në lidhje me ndikimin e tarifave të SHBA-së dhe perspektivën ekonomike globale, gjithashtu shënoi fitime këtë javë.

    Investitorët kanë tendencë të zhvendosin paratë në metale të çmuara si ari dhe argjendi ndërsa normat e interesit bien dhe dollari amerikan dobësohet.

    Banka qendrore e SHBA-së pritet gjerësisht të ulë normën e saj kryesore të interesit me një të katërtën e një pike përqindjeje të mërkurën, transmeton BBC.

    Kur ulen normat e interesit, tregtarët zakonisht blejnë asete si argjendi sepse përfitimet e mbajtjes së parave të gatshme në bankë ose blerja e obligacioneve afatshkurtra bien, tha Yeow Hee Chua nga Universiteti Teknologjik Nanyang.

    “Kjo natyrshëm e zhvendos kërkesën drejt aseteve të konsideruara si depozita me vlerë, përfshirë argjendin,” tha ai.

    Kalimi në të ashtuquajturat asete “strehë të sigurta” ishte gjithashtu një arsye kryesore që ari arriti nivele të reja rekord në muajt e fundit, pasi kaloi 4,000 dollarë për ons për herë të parë.

    Rritja e argjendit mund të shihet gjithashtu si një “efekt përhapës” nga rritja e vlerës së arit, ndërsa investitorët kërkojnë alternativa më të lira, tha analisti bankar i OCBC, Christopher Wong.

    Ari ka fituar më shumë se 50% këtë vit, pjesërisht për shkak të blerjeve të mëdha nga bankat qendrore. Çmimi i platinit dhe paladiumit është rritur gjithashtu këtë vit.

    Kërkesa tejkalon furnizimin

    Ekspertët thonë se vlera e argjendit u rrit gjithashtu, pasi kërkesa e fortë nga industria e teknologjisë tejkaloi furnizimet.

    Kjo ka ndihmuar në më shumë se dyfishimin e vlerës së argjendit këtë vit, pasi ai i tejkaloi metalet e tjera të çmuara, përfshirë arin.

    “Argjendi nuk është vetëm një aset investimi, por edhe një burim fizik”, dhe më shumë prodhues po gjejnë nevojë për materialin, tha Kosmas Marinakis nga Universiteti i Menaxhimit të Singaporit.

    Metali i çmuar, i cili përçon energjinë elektrike më mirë se ari ose bakri, përdoret për të prodhuar mallra si automjete elektrike (EV) dhe panele diellore.

    Ekspertët parashikojnë se rritja e shitjeve të EV-ve do të rrisë më tej kërkesën për argjend, ndërsa bateritë e përparuara për makinat do të kërkojnë edhe më shumë nga ky metal.

    Por është e vështirë të rriten shpejt furnizimet me argjend, pasi shumica e prodhimit global është një nënprodukt nga minierat që kryesisht nxjerrin metale të tjera si plumbi, bakri ose ari.

    Çmimi i argjendit po rritet gjithashtu nga shqetësimet se SHBA-të mund të vendosin tarifa mbi të si pjesë e politikave tregtare të Presidentit Donald Trump.

    Frika nga tarifat e mundshme ka çuar gjithashtu në grumbullimin e argjendit në SHBA, duke rezultuar në mungesa në vende të tjera të botës.

    SHBA-të importojnë rreth dy të tretat e argjendit të tyre, i cili përdoret për prodhim, si dhe për bizhuteri dhe investime.

    Prodhuesit kanë qenë në garë për të siguruar furnizime për t’u siguruar që operacionet e tyre të mos ndërpriten nga mungesat, gjë që ka ndihmuar në rritjen e çmimeve në tregjet globale, tha Prof Marinakis.

    Ai shtoi se pret që çmimi i argjendit të mbetet i lartë në muajt e ardhshëm.

  • Ndalohet i dyshuari në Podujevë për kontrabandë të kafshëve nga Serbia

    Ndalohet i dyshuari në Podujevë për kontrabandë të kafshëve nga Serbia

    Një rast i kontrabandës me kafshë është zbuluar dje nga Policia e Kosovës në fshatin Dumnicë të Podujevës.

    Sipas Policisë së Kosovës, një person i dyshuar po kalonte kufirin në mënyrë të paautorizuar duke transportuar 21 krerë dele me një qerre.

    Në raport thuhet se, në momentin kur patrulla policore e ka vërejtur, i dyshuari ka tentuar të largohet duke marrë rrugë malore, por kafshët janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedurat e mëtejshme.

    “Fsh. Dumnicë, Podujevë 09.12.2025 – 16:00. Është raportuar se një i dyshuar ishte duke kontrabanduar disa kafshë. Në momentin që i dyshuari ka parë policinë ka tentuar të ikë nëpër rrugë malore. Në qerre ishin 21 krerë kafshë (dele) të cilat janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Më tej thuhet se personi i përfshirë është paraqitur më pas në polici, ku pas inicimit të rastit është liruar me vendim të prokurorit. Procedura ndaj tij do të vazhdojë sipas procedurës së rregullt.

  • Hamza: Një prej vendimeve të para do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve të të gjitha kategorive

    Hamza: Një prej vendimeve të para do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve të të gjitha kategorive

    Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, ka bërë një premtim për qytetarët. Ai i ka siguruar ata, që me ardhjen e tij në pushtet do të rriten pagat dhe pensionet, rritje të cilën e ka quajtur kualitative.

    Hamza ka treguar edhe se çka është e nevojshme për qytetarët në këtë aspekt.

    “Qytetarët duan parashikueshmëri, çdo përkrahje e qytetarëve është e mirëseardhur, është e mirë por ata duan parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri. Kjo nënkupton t’i duhet t’i rrisësh pagat, dhe pagat të jenë në kontinuitet, pensionet të jenë në kontinuitet, jo me iu dhënë një ndihmë të njëhershme dhe qytetari të mos e di kur i vjen tjetra dhe a ndodh tjetra. Përtej kësaj, kjo duhet të bëhet në kohë dhe me ligj, në procedurë ligjore, në kohë dhe me qenë të përhershme”, ka thënë Hamza në ATV.

    Ai ka treguar se për cilët kategori të pensioneve do të ketë rritje.

    “Prandaj, prej vendimeve të para ka me qenë rritja e pagave, rritja e pensioneve të të gjitha kategorive, edhe pensioneve bazike edhe atyre kontributdhënëse, edhe kategoritë e dala nga lufta, personat paraplegjikë, tetraplegjikë, viktimat e dhunës seksuale”, ka thënë Hamza.Ai ka thënë se për t’u arritur kjo duhet të rritet buxheti, për të cilin ka treguar se mund të zgjidhet.

    Hamza është kandidat i PDK-së për kryeministër për herë të dytë, pasi ai kishte kandiduar edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit. Nga rezultati i dalë prej atyre zgjedhjeve, nuk u arrit të formohet një qeveri.Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të sjellin rezultat të mirë për formimin e institucioneve, e më pas ai që do të fitojë këto zgjedhje dhe do të formojë qeverinë, pritet t’i realizoj premtimet e dhëna para dhe gjatë fushatës.

  • Publikoi foto me armë në rrjete sociale, Policia ia bastis shtëpinë një burri në Novobërdë

    Publikoi foto me armë në rrjete sociale, Policia ia bastis shtëpinë një burri në Novobërdë

    Policia e Kosovës ka kryer bastisje në shtëpinë e një burri në Novëbërdë, pasi i njëjti kishte publikuar foto me armë në rrjete sociale.

    Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore, shkruan Reporteri.net.

    “ARMËMBAJTJE PA LEJE – Fsh. Llabjan, Novobërdë 08.12.2025 – 18:20. Në konsultim me prokurorin është bastisur shtëpia e të dyshuarit mashkull kosovar për shkak se i njëjti kishte publikuar në rrjete sociale foto me armë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore. Me vendim të prokurorit rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh.

  • Koreja e Jugut me notë proteste pas inkursionit nga Kina dhe Rusia

    Koreja e Jugut me notë proteste pas inkursionit nga Kina dhe Rusia

    Koreja e Jugut tha se ka dorëzuar notë proteste te përfaqësuesit e Kinës dhe Rusisë më 10 dhjetor, një ditë pasi Seuli tha se aeroplanët ushtarakë të këtyre shteteve hynë në zonën e tij të mbrojtjes ajrore.

    Seuli tha se ankesa iu dorëzua atasheve të mbrojtjes të dy shteteve që gjenden në kryeqytetin e Koresë së Jugut, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Ushtria jonë do të vazhdojë të përgjigjet në mënyrë aktive ndaj aktiviteteve të aeroplanëve të shteteve fqinje brenda KADIZ-it, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha Lee Kwang-suk, drejtor i përgjithshëm i Byrosë të Politikave Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes të Seulit, duke iu referuar Zonës së Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Koresë.

    Koreja e Jugut tha të martën se kishte dislokuar “aeroplanë luftarakë për të ndërmarrë masa taktike në përgatitje të çdo situate” në përgjigje të inkursionit kinez dhe rus në KADIZ.

    Aeroplanët u detektuan para se të hynin në KADIZ, që përshkruhet si një zonë e gjerë ku shtetet monitorojnë avionët e tyre për arsye sigurie, por që nuk përbën hapësirën e tyre ajrore.

    Pekini më vonë konfirmoi se kishte organizuar stërvitje me ushtrinë e Rusisë në përputhje “me planet vjetore të bashkëpunimit”.

    Ndërkaq, Moska i përshkroi si stërvitje rutinë, duke shtuar se ato zgjatën tetë orë dhe disa aeroplanë të huaj luftarakë ndoqën aeroplanët rusë dhe kinezë.

    Që nga viti 2019, Kina dhe Rusia vazhdimisht kanë fluturuar aeroplanët e tyre ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut pa njoftim paraprak, duke thënë se po kryenin stërvitje të përbashkëta.

    Nëntorin e vitit të kaluar, Seuli ngriti në ajër aeroplanët pasi pesë aeroplanë ushtarakë kinezë dhe gjashtë rusë fluturuan përmes zonës së tij të mbrojtjes ajrore.

    Incidente të ngjashme kishin ndodhur edhe në qershor dhe dhjetor të vitit 2023 si dhe në maj dhe nëntor të vitit 2022./REL

  • Pak muaj pas akuzave publike, pajtohen Dafina dhe Labi

    Pak muaj pas akuzave publike, pajtohen Dafina dhe Labi

    Kush tha që në showbiz hatërmbetjet zgjasin përgjithmonë? Nëse Prilli na la me shijen e hidhur të një miqësie të krisur, Dhjetori na serviri pajtimin që nuk e prisnim!

    Mbrëmjen e djeshme, në festën gjigante të 25-vjetorit të karrierës së Labinot Gashit, mes shumë VIP-ave ra në sy prezenca e dikujt që, vetëm pak muaj më parë, ishte në qendër të një polemike publike me moderatorin: Dafina Zeqiri.

    Për t’ju freskuar kujtesën: Ishte prilli i këtij viti kur Labi, hapur dhe pa doreza, shprehu zhgënjimin e tij duke e etiketuar Dafinën si “mosmirënjohëse” pasi nuk u ftua në ditëlindjen e saj, pavarësisht mbështetjes shumëvjeçare. Reagimi i Dafinës asokohe?

    Disa “thumba” të mprehtë në Instagram për njerëzit që rishkruajnë historinë për interesa vetjake.
    Por, mbrëmë u vërtetua shprehja “kohë e vjetër, shëro plagë të reja”.

    Dafina jo vetëm që ishte aty për të festuar me Labin, por i ka dedikuar edhe një Story publike që vulos paqen. Krahas një fotoje me grimieren Dafina Neziri nga festa, këngëtarja shkruan:

    “Gëzuar 25 vjet punë e përkushtim @labinotsgash. Le të vazhdojnë vitet me frymëzim e arritje të reja.”

    Nga akuzat për mosmirënjohje tek urimi për frymëzim – duket se Labi dhe Dafina kanë vendosur ta lënë pas të shkuarën dhe të trokasin gotat për suksesin. Në fund të fundit, showbizi i ka këto!

  • Motra e Dua Lipës debuton në filmin britanik ‘A Gangster’s Life’ si kriminele

    Motra e Dua Lipës debuton në filmin britanik ‘A Gangster’s Life’ si kriminele

    Aktorja dhe modelja 24-vjeçare, e cila është motra e yllit të pop-it, Dua Lipa, do të luajë së bashku me Jonny Weldon nga filmi One Day dhe Tony Cook nga Dune: Part Two në filmin emocionues britanik kriminal A Gangster’s Life.

    Për debutimin e saj në ekranin e madh në janar, Rina do të interpretojë Scarlett, një personazh që jeton në një botë të rrezikshme plot me mafiozë të çmendur, vrasje dhe tradhti, raporton FemaleFirst.

    Rina do të ndjekë hapat e motrës së saj të famshme, këngëtares dhe aktorës Dua Lipa, në A Gangster’s Life, ku drejtori dhe kameramani i shpërblyer, Zak Fenning, do të bëjë debutimin e tij regjisorial.

    Filmi i ardhshëm i bën homazhe klasikëve të mëdhenj të filmave gangsterë, duke përfshirë Lock, Stock and Two Smoking Barrels dhe The Gentlemen të Guy Ritchie.

    Në film do të jenë gjithashtu Tomi May, Christina Gkioka, Bradley Turner dhe Sasha Latoya, ndërsa premierë digjitale në Mbretërinë e Bashkuar pritet më 19 janar, nga Miracle Media.

    Filmi tregon historinë e mashtruesve të nivelit të ulët, Ant (Cook) dhe Dick (Weldon), të cilët përplasen me mafiozin mizor londinez, Emery (May).

    Pas këtij përplasjeje që ndryshon jetën e tyre, dy mashtruesit rekrutohen me ngurrim në botën e errët dhe të rrezikshme kriminale të Emery-t.

    Personazhi i Rina-s, Scarlett, është një nga anëtarët e pa mëshirshëm të skuadrës së Emery-t, që përdorin Ant dhe Dick si pjata në aktivitetet e tyre kriminale.

    Megjithatë, dyshja detyrohet të ikë në Greqi kur një nga anëtarët e mafies humbet jetën.

    Familja Lipa nuk është e panjohur për rolet filmike, pasi Dua më parë ka luajtur si Mermaid Barbie në Barbie të Greta Gerwig në 2023.

    Vitin e kaluar, Dua u transformua në personazhin e rrezikshëm të spiunazhit, LaGrange, në filmin Argylle të Matthew Vaughn, i cili gjithashtu solli në ekran Henry Cavill, Bryce Dallas Howard, Sam Rockwell dhe Bryan Cranston.

    Filmi A Gangster’s Life do të jetë në formë digjitale më 19 janar nga Miracle Media.

  • “Kërkonte bashkëpunime, s’ia kthenin mesazhet”, flet halla e Shpatit Kasapti

    “Kërkonte bashkëpunime, s’ia kthenin mesazhet”, flet halla e Shpatit Kasapti

    E ftuar në televizionin Alsat, halla e këngëtarit të ndjerë, Shpat Kasapi, ka folur për herë të parë pas humbjes së tij.

    Ajo ndau me publikun kujtimet e saj për karrierën e shkëlqyer muzikore të nipit, për pasionin dhe suksesin që ai arriti në skenën shqiptare.

    Ajo shprehu me dhimbje të thellë, se Shpati kishte kërkuar bashkëpunim dhe mbështetje nga kolegët e tij kohët e fundit të karrierës, por kjo nuk kishte ndodhur.

    “Ajo që më dhemb më shumë është se Shpati kërkoi, kërkoi bashkëpunime e ndoshta as mesazhet nuk ia kanë lexuar! Pse nuk i duam kurrë kur kemi njëri-tjetrin? Kjo është e dhimbshme”, shprehet mes tjerash halla e Shpatit.

    Kjo deklaratë prekëse shënoi një moment emocional në intervistë, duke ngritur pikëpyetje rreth marrëdhënieve brenda komunitetit artistik.

    Ajo zgjodhi të mos përmendte emra, por theksoi mungesën e mbështetjes, një temë që duket se i ka lënë një plagë të thellë familjes Kasapi.

     

    View this post on Instagram

     

    A post shared by CLASS MAGAZINE (@revistaclass_)

  • Vuçiq: Do t’i propozoj Von der Leyenit që i gjithë Ballkani Perëndimor të hyjë së bashku në BE

    Vuçiq: Do t’i propozoj Von der Leyenit që i gjithë Ballkani Perëndimor të hyjë së bashku në BE

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se nesër do të ketë një takim të rëndësishëm me drejtuesit e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, në Bruksel, dhe ka shtuar se do t’u propozojë që i gjithë Ballkani Perëndimor të pranohet së bashku në BE.

    “Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në tërësi në BE është ideja më e mirë. Nëse dikush mbetet jashtë, çfarë do të bëni me ato vende? Dhe e di që të gjithë flasin për harmonizimin, por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për të ardhmen e rajonit, por për të ardhmen e Evropës. Që të na pranojnë të gjithëve së bashku, pa përjashtim, të gjithë do të ndihen më mirë, si shqiptarët ashtu edhe boshnjakët… Dëgjoj vetëm reagime pozitive për këtë ide dhe këtë do t’ia them Antonio Costas dhe Ursula von der Leyen”, ka thënë Vuçiqi në Forumin Beltalks – Bisedimet Ekonomike të Beogradit.

    Vuçiqi ka thënë se Serbia “tashmë ka bërë shumë gjëra”, por se “duhet të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së”.

    Ai ka thënë se nesër ka një “takim të madh dhe të rëndësishëm” me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po organizon një darkë ku presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe ai do të jenë mysafirët e saj.