ATV

Blog

  • Disa zona të Prishtinës mund të mbesin pa ujë shkaku i punimeve në rrjet

    Disa zona të Prishtinës mund të mbesin pa ujë shkaku i punimeve në rrjet

    KRU “Prishtina” njofton konsumatorët se gjatë ditës së sotme ekipet e mirëmbajtjes do të kryejnë punime teknike në disa lokacione të rëndësishme të rrjetit të ujësjellësit.

    Punimet do të zhvillohen në: Rrugën Bahri Kuqi, Hyzri Talla, Bislim Makolli, Faik Ukë Hoxha, Vahit Mustafa, Shyt Marevci, si dhe në Lagjen Taslixhe.

    Gjatë kohës së intervenimeve, qytetarët në këto zona mund të përjetojnë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë ose ulje të presionit të tij.

    KRU “Prishtina” kërkon mirëkuptimin e konsumatorëve dhe siguron se punimet kryhen me qëllim të përmirësimit të shërbimeve dhe garantimit të furnizimit të qëndrueshëm me ujë.

  • Osmani ngushëllon për vdekjen e boksierit Nazif Gashi

    Osmani ngushëllon për vdekjen e boksierit Nazif Gashi

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjarët e boksierit, Nazif Gashit për vdekjen e tij.

    Osmani ka thënë se Nazif Gashi ka qenë një prej emrave më të shquar në historinë e sportit të Kosovës dhe pjesëtar i gjeneratës së artë të boksit prishtinas.

    Derisa, ajo ka shtuar se kujtimi për Nazif Gashin do të mbetet i paharruar dhe inspirues për brezat që vijnë.

    “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Nazif Gashit, njërit prej emrave më të shquar në historinë e sportit të Kosovës dhe pjesëtar i gjeneratës së artë të boksit prishtinas. Si boksier i klubit “Prishtina”, u bë simbol i guximit, disiplinës dhe përkushtimit. Fitoret dhe paraqitjet e tij na bënë krenar dhe e shndërruan Prishtinën në njërin prej klubeve më të suksesshme të kohës. Kujtimi për Nazif Gashin do të mbetet i paharruar dhe inspirues për brezat që vijnë. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, Federatës së Boksit të Kosovës dhe gjithë komunitetit sportiv! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Nazif Gashin!”, ka ngushëlluar presidentja.

  • Dështon seanca fillestare për rastin e rezervave shtetërore, Rozeta Hajdari nuk u paraqit në gjykatë

    Dështon seanca fillestare për rastin e rezervave shtetërore, Rozeta Hajdari nuk u paraqit në gjykatë

    Në mungesë të kushteve ligjore, u anulua seanca e shqyrtimit fillestar për rezervat shtetërore.

    Në seancë mungoi kryefjala e këtij rasti, ministrja në detyrë i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, shkruan IndeksOnline.

    Sipas trupit gjykues, ftesa është dërguar përmes postës, por nuk ka konfirmim nga ana e saj se është pranuar, edhe pse gjykata konsideron se procedura është kryer sipas rregullit.

    Në sallë ishte prezent avokati i saj, Florent Latifaj, i cili e përfaqëson ministren në detyrë.

    Irfan Lipovica ka qenë i pranishëm në seancë.

    I akuzuari Hafiz Gara ka munguar fizikisht, por në gjykatë ka prezantuar përfaqësuesja e tij, Nazim Mehmeti.

    Edhe i akuzuari tjetër, Rivdan Muharremi po ashtu mungoi.

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën më 11 nëntor ndaj Hajdarit, Lipovicës, Garës dhe Muharremit.

    Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare”

    Ridvan Muharremi akuzohet për “ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Seanca e radhës do të mbahet më 13 janar, në orën 09:30.

  • Liderët fetarë në Kosovë nënshkruajnë deklaratë kundër dhunës me bazë gjinore

    Liderët fetarë në Kosovë nënshkruajnë deklaratë kundër dhunës me bazë gjinore

    Në përmbyllje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Ambasada britanike në Prishtinë ka mbledhur së bashku udhëheqësit kryesorë fetarë të Kosovës për të nënshkruar Deklaratë të Përbashkët për Dhunën me Bazë Gjinore dhe Dinjitetin Njerëzor – një akt i vlerësuar si historik.

    Sipas njoftimit të ambasadës britanike, nën drejtimin e ambasadorit Jonathan Hargreaves, përfaqësues nga Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, komuniteti hebre dhe Kisha Protestante Ungjillore u bashkuan në të njëjtën tavolinë për të sinjalizuar një qëndrim të qartë dhe të unifikuar: dhuna nuk ka vend në fe, familje apo shoqëri.

    Mbretëria e Bashkuar, e cila pozicionohet si kampione globale në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, theksoi se promovimi i barazisë dhe dinjitetit njerëzor është shtylla e paqes dhe prosperitetit.

    Ambasadori Hargreaves nënvizoi se në Kosovë këto vlera luajnë rol kyç në forcimin e kohezionit shoqëror dhe stabilitetit.

    Gjatë 16 ditëve të aktivizmit, siç thotë njoftimi, ambasada vendosi të punojë ngushtë me liderët fetarë, duke theksuar ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në formimin e normave dhe vlerave brenda komuniteteve.

    “Deklarata e nënshkruar përfaqëson një zotim të shkruar dhe një premtim publik për mbrojtjen e më të cenueshmëve dhe sfidimin e praktikave të dëmshme. Ajo dërgon një mesazh shprese se komunitetet fetare në Kosovë janë të bashkuara në thënien ‘mjaft’ ndaj dhunës me bazë gjinore”, thuhet në njoftim.

  • Shtatë raste të dhunës në familje raportohen brenda 24 orëve në Polici

    Shtatë raste të dhunës në familje raportohen brenda 24 orëve në Polici

    Shtatë raste të dhunës në familje raportohen në Polici vetëm brenda 24 orëve, si dhe një raport shtesë për rastin e dhunës po ashtu në familje që ka ndodhur dy ditë më parë në Fushë Kosovë.

    Në secilin nga rastet, viktimat janë gra që janë sulmuar nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët, vëllai e djali.

    Rastet në raportin e Policisë së Kosovës:

    ·         Prishtinë 09.12.2025 – 11:00. Është raportuar se viktima femër kosovare, është shqetësuar  nga ish-bashkëshorti i saj. Sipas ankueses  i dyshuari ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Palët janë intervistuar, të njëjtit pas intervistimit janë liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.

    ·         Podujevë 08.12.2025 – 20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ai përmes telefonit kishte kanosur bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

    ·         Prishtinë  09.12.2025 – 18:00. Është raportuar se bashkëshorti i viktimës ka shkaktuar dhunë në familje. I dyshuari është intervistuar, ishte nën ndikim të alkoolit dhe me vendim të prokurorit mbahet në ndalim policor deri në këndellje.

    Raport shtesë:

    Fushë Kosovë 08.12.2025 – 17:24. Më 09.12.2025 lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    ·         Gjakovë  08.12.2025 – 22:29. Është raportuar se viktima femër kosovare, ka pësuar dhunë nga ish-burri i  saj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    ·         Malishevë 09.12.2025 – 13:00. Është raportuar se viktima femër kosovare, është sulmuar fizikisht nga ish-nusja e djalit të saj. Është intervistuar e dyshuara e cila më pas me vendim të prokurorit është liruar. Rasti vazhdon të trajtohet  në procedurë të rregullt.

    Mitrovicë 09.12.2025 – 15:00. Është raportuar se ankuesja femër kosovare, pas një mosmarrëveshje të çastit, vëllai i saj e ka sulmuar atë fizikisht. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Leposaviq  09.12.2025 – 13:00. Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar nga djali i saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Trajnerja e njohur Andreja Ojstersek vjen në Kosovë për të udhëhequr kampin për të rinj

    Trajnerja e njohur Andreja Ojstersek vjen në Kosovë për të udhëhequr kampin për të rinj

    Federata e Pingpongut e Kosovës është duke përgatitur një kamp të veçantë, i cili do të zhvillohet nga datat 11-14 dhjetor nën drejtimin e Andreja Ojstersek, trajneres së njohur ndërkombëtarisht posaçërisht për punën e bërë me lojtarin e famshëm Darko Jorgic.

    Gjatë këtij kampi ajo do të shoqërohet nga Drejtori i Përfaqësueses Petrit Drenica dhe stafi i përzgjedhur.

    Ky kamp do të sjellë së bashku lojtarë të talentuar të moshave të reja nga Kosova dhe Shqipëria, duke ofruar një mundësi unike për të përmirësuar teknikën, strategjitë dhe përvojën në pingpong.

    Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të mësojnë nga një trajnere me përvojë të gjerë në garat ndërkombëtare dhe të aplikojnë teknikat e saj praktike gjatë seancave stërvitore.

    FPPK synon që përmes këtij kampi të nxisë rritjen e cilësisë dhe rezultateve dhe të fuqizojë komunitetin e sportistëve të rinj, duke krijuar mundësi të reja në të mirën e tyre.

    I gjithë ky organizim thuhet se u arrit në saje të bashkëpunimit të mirë në mes të kryetarit të FPPK – së Jeton Oruçi dhe Federatës Sllovene.

  • Zhduket një 16-vjeçare në Hajvali, policia nis hetimet

    Zhduket një 16-vjeçare në Hajvali, policia nis hetimet

    Një 16-vjeçare është zhdukur në Hajvali të Prishtinës mëngjesin e së hënës.

    Rastin e zhdukjes e ka raportuar në polici nëna e saj.

    “Ankuesja femër kosovare, raporton se vajza e saj 16-vjeçare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj”, thuhet në raportin policor.

    Ky rast është duke u hetuar nga organet e rendit.

  • Ndërron jetë Nazif Gashi, legjenda e boksit kosovar

    Ndërron jetë Nazif Gashi, legjenda e boksit kosovar

    Ka vdekur Nazif Gashi, njëri prej emrave më të mëdhenj të historisë së sportit të Kosovës.

    Gashi, 74-vjeçar, ka pasur një karrierë të pasur si boksier. Ai ishte pjesë e gjeneratës së artë të Prishtinës, e cila për shumë vjet dominoi në shtetin e dikurshëm federativ.

    Për vdekjen e Gashit kanë njoftuar familjarë të tij.

    Në vitet shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të shekullit të kaluar, Gashi dhe boksierët e tjerë të Prishtinës kishin bërë krenarë gjithë Kosovën me paraqitjet e tyre.

  • 62 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    62 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

    Sipas raportit, në këtë periudhë është shënuar një aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 19 aksidente me të lënduar dhe 42 të tjera me dëme materiale.

    Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 1833 gjoba trafiku.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 18 persona, prej të cilëve 10 i ka dërguar në mbajtje.

  • Presidenti Begaj vazhdon vizitën në Kosovë

    Presidenti Begaj vazhdon vizitën në Kosovë

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, sot, për të dytën ditë me radhë po vazhdon vizitën dyditore në Kosovë.

    Presidenti Begaj, dëtën e parë të vizitës së tij në Kosovë, është pritur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi e shumë personalitete të tjera.

    Sipas agjendës, presidenti Begaj do të marrë pjesë në përvjetorin e 50 të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 9 dhe 10 dhjetor 2025, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë zyrtare Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Me këtë rast, Policia e Kosovës po angazhohet me kapacitetet e saj për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë gjithë kohës së vizitës.

    Për të siguruar mbarëvajtjen e lëvizjes sipas itinerarit zyrtar dhe zhvillimin e aktiviteteve të parashikuara në agjendë, Policia e Kosovës do të realizojë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në intervale të shkurtra kohore, në disa segmente rrugore.