ATV

Blog

  • Jude Bellingham prezanton të dashurën e re

    Jude Bellingham prezanton të dashurën e re

    Ylli i Real Madridit dhe i Kombëtares së Anglisë, Jude Bellingham, ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe tifozëve pasi ka prezantuar publikisht të dashurën e tij.

    Futbollisti 21-vjeçar ndau momente nga jeta e tij private në rrjetet sociale, duke konfirmuar kështu lidhjen, e cila u prit me interes të madh nga ndjekësit e tij. Edhe pse Bellingham ka preferuar të jetë i rezervuar për detajet, thjeshtë e ka uruar vajzën për ditëlindjen me shkrimin: “Urime ditëlindjen dashuria ime.”

    Jude Bellingham po kalon një periudhë të shkëlqyer si në aspektin profesional ashtu edhe në atë personal, duke qenë një nga lojtarët kyç të Real Madridit këtë sezon dhe një nga yjet më të ndjekur të futbollit evropian. /ATVLIVE.TV

  • Përurohet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, Kurti bashkë me Pecin e Durmishin e prejnë shiritin

    Përurohet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, Kurti bashkë me Pecin e Durmishin e prejnë shiritin

    Është përuruar ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër.

    Në ceremoni mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe kryetari i ri i Mitrovicës Jugore, Faton Peci.

    Kurti gjatë përurimit të hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë, tha se në çdo takim me ndërkombëtarët e përsërit qëndrimin se ura duhet të jetë e hapur.

    “Në çdo takim e përsërisim qëndrimin tonë se ura duhet të jetë e hapur. Kemi 77 ura mbi lumin Ibër, disa prej tyre në Mal të Zi dhe Serbi. Në urën kryesore ka persona që nuk duhet të jenë pjesëtarë të KFOR-it dhe kjo bëhet me dialog dhe bisedë të hapur. Dëshirojmë të kemi shkëmbim tregtar dhe lëvizje të lirë. Urat mbi Ibër janë të Mitrovicës dhe të mitrovicasve”, tha Kurti.

    Ndërtimi i urës së reja mbi lumin Ibër, krahas asaj qendrore që e ndan Mitrovicën në jugun me shumicë shqiptare dhe në veriun e banuar kryesisht me serbë, është bërë pas një memorandumi të nënshkruar mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe dy komunave, asaj të Mitrovicës së Jugut dhe të Veriut.

  • Venezuela reagon pas urdhrit të Trump për bllokimin e anijeve, e quan kërcënim luftënxitës

    Venezuela reagon pas urdhrit të Trump për bllokimin e anijeve, e quan kërcënim luftënxitës

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar një bllokadë “totale dhe të plotë” të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela, një veprim që qeveria e Karakasit e ka dënuar si “kërcënime luftënxitëse”, raporton BBC.

    Trump shkroi se qeveria e Presidentit venezuelas, Nicolás Maduro, ishte përcaktuar si një organizatë terroriste e huaj (FTO), e cila ishte gjithashtu e përfshirë në “kontrabandë droge dhe trafikim qeniesh njerëzore”.

    Ky vendim vjen pasi SHBA-të sekuestruan një cisternë nafte pranë brigjeve të Venezuelës javën e kaluar – një veprim i konsideruar i rëndësishëm duke pasur parasysh varësinë e Venezuelës nga nafta.

    SHBA-të gjithashtu kanë kryer sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge dhe kanë shtuar ndjeshëm praninë e tyre detare në rajon. Nga ana e saj, Venezuela ka akuzuar Uashingtonin se synon të vjedhë burimet e saj.

    Në postimin e tij në Truth Social, Trump shkroi se Venezuela është “plotësisht e rrethuar nga Armada më e madhe e mbledhur ndonjëherë në historinë e Amerikës së Jugut” dhe se ajo “vetëm do të bëhej më e madhe” duke shtuar se “nuk do të ishte si asgjë që ata kanë parë ndonjëherë më parë”.

    Ai gjithashtu akuzoi qeverinë e Maduros për përdorimin e naftës së “vjedhur” për të “financuar veten, terrorizmin e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore, vrasjen dhe rrëmbimin”.

    Presidenti ka akuzuar vazhdimisht Venezuelën për kontrabandë droge dhe që nga shtatori ushtria amerikane ka vrarë të paktën 90 persona me sulmet ndaj anijeve që dyshohet se transportonin fentanil dhe droga të tjera ilegale drejt SHBA-së. Megjithatë, nuk është dhënë asnjë provë publike që këto anije të kishin drogë, qofshin fentanil apo kokainë.

    Trump sugjeroi se etiketimi i qeverisë së Maduros si FTO tani po zgjerohet për të gjithë qeverinë e tij, pas vendimit të mëparshëm që lidhej vetëm me Maduro. Muajin e kaluar, SHBA-të kanë përcaktuar grupin venezuelas Cartel de los Soles si FTO, duke e konsideruar kështu edhe vetë Maduron si terrorist, çka ai mohon.

    Postimi i Trump nuk ofroi detaje për mënyrën se si do të zbatohet bllokada e cisternave të naftës të sanksionuara. Pas sekuestrimit të cisternës javën e kaluar, SHBA-të kanë vendosur sanksione edhe ndaj gjashtë anijeve të tjera që thuhet se transportonin naftë venezuelase, si dhe ndaj disa të afërmve të Presidentit Maduro dhe bizneseve të lidhura me regjimin e tij.

    Ekonomia e Venezuelës mbështetet shumë në eksportet e naftës, edhe pse prodhimi aktual i naftës është relativisht i ulët, duke pasur parasysh se vendi zotëron rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë.

    Shtëpia e Bardhë tha se cisterna e sekuestruar, e quajtur Skipper, ishte përfshirë në “transportim të paligjshëm të naftës” dhe do të dërgohej në një port amerikan. Qeveria e Venezuelës e kritikoi këtë veprim, me Maduron duke deklaruar se SHBA-të “rrëmbyen ekuipazhin” dhe “vodhën” anijen.

    Prania ushtarake e SHBA-ve në Detin e Karaibeve është rritur javët dhe muajt e fundit, duke përfshirë mijëra trupa dhe transportuesin më të madh të avionëve në botë, USS Gerald Ford, i pozicionuar në distancë goditjeje nga Venezuela.

    Kongresmeni demokrat nga Teksasi, Joaquin Castro, e quajti “bllokadën detare të Trump padyshim një akt lufte” dhe tha se ligjvënësit amerikanë do të votojnë një rezolutë që i kërkon presidentit të ndalojë armiqësitë me Venezuelën.

    SHBA-të, nën udhëheqjen e Trump dhe ish-Presidentit Joe Biden, kanë kundërshtuar qeverinë e Maduros për vite me radhë, duke vendosur sanksione të rrepta dhe duke kërkuar largimin e tij. Qeveria e Maduros ka qenë objekt kritikash ndërkombëtare për shkelje të të drejtave të njeriut dhe zgjedhjet e manipulura sipas opozitës dhe disa vendeve, përfshirë SHBA-në.

    Të martën, shefi i të drejtave të njeriut i OKB-së, Volker Türk, paralajmëroi se “shtrëngimi i hapësirës qytetare është intensifikuar, duke mbytur liritë e njerëzve”.

  • Arijon Ibrahimovic poston fotografi me flamurin e Kosovës

    Arijon Ibrahimovic poston fotografi me flamurin e Kosovës

    Futbollisti shqiptar, Arijon Ibrahimovic, ka prezantuar këpucët e tij të reja, ku bie në sy edhe flamuri i Kosovës.

    Por, a mund të jetë kjo një shenjë se talenti 20-vjeçar ka vendosur t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës?

    Kujtojmë se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka shprehur interesim për Ibrahimovicin, i cili ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar se për cilën kombëtare do të luajë.

    Deri më tani, mesfushori ka përfaqësuar Gjermaninë në grupmoshat e reja, deri te ekipi U21, ndërsa luan për ekipin e Heidenheim në Superligën gjermane, ku këtë edicion në 16 ndeshje regjistron 3 asistime. /ATVLIVE.TV

  • Putini paralajmëron zgjerimin e ofensivës në Ukrainë në rast të dështimit të bisedimeve të paqes

    Putini paralajmëron zgjerimin e ofensivës në Ukrainë në rast të dështimit të bisedimeve të paqes

    Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar të mërkurën se Moska do të përpiqet të zgjerojë përparimet e saj në Ukrainë nëse Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë refuzojnë kërkesat e Kremlinit gjatë bisedimeve të paqes.

    Ai po ashtu ka bërë të ditur se do të kërkojë zgjerimin e një “zone sigurie neutrale” në rajon.

    Putini ka theksuar se Rusia do të arrijë qëllimet e saj në Ukrainë me mjete diplomatike ose ushtarake.

    Së pari, qëllimet e operacionit ushtarak special padyshim do të arrihen. Ne do të preferonim ta bënim këtë dhe t’i adresonim shkaqet rrënjësore të konfliktit përmes diplomacisë, – ka deklaruar Putini.

    Ai ka shtuar: Nëse pala kundërshtare dhe patronët e saj të huaj refuzojnë të angazhohen në diskutime thelbësore, Rusia do të arrijë çlirimin e tokave të saj historike me mjete ushtarake. Detyra e krijimit dhe zgjerimit të një zone sigurie tampon do të trajtohet gjithashtu vazhdimisht.

    Aktualisht, Rusia kontrollon Krimenë, rreth 90% të rajonit të Donbasit dhe 75% të Khersonit dhe Zaporizhzhisë. Përveç këtyre, Rusia mban disa territore në rajonet ngjitur të Kharkiv, Sumy, Dnipropetrovsk dhe Mykolaiv. Komentet e Putinit sinjalizuan se Moska synon përfitime të mëtejshme në disa fronte.

    Ndërkohë, ministri rus i Mbrojtjes, Andrei Belousov, ka pranuar se forcat ukrainase po përpiqeshin të rimerrnin qytetin verilindor të Kupiansk, por sipas tij përpjekja nuk po korr sukses. Ukraina ka deklaruar të mërkurën se kishte marrë 90% të qytetit, të cilin Rusia tha se e kishte pushtuar në nëntor.

    Putini gjithashtu akuzoi udhëheqësit evropianë se po nxisin histeri dhe po indoktrinojnë njerëzit me frikën e një lufte me Rusinë.

    “E kam deklaruar vazhdimisht: kjo është një gënjeshtër, një absurditet, një absurditet i pastër në lidhje me ndonjë kërcënim imagjinar rus ndaj vendeve evropiane. Por kjo po bëhet mjaft qëllimisht”, ka thënë ai.

  • Osmani: Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit pres një qasje më konstruktive mes partive

    Osmani: Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit pres një qasje më konstruktive mes partive

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka lavdëruar homologun e saj amerikan, Donald Trump, për mbështetjen e tij ndaj paqes në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonin më të gjerë të Evropës.

    Osmani, duke folur në një intervistë për Bloomberg TV të mërkurën, tha se praninë e trupave amerikane në Kosovë e sheh si “kërcënimin dhe parandalimin më të madh ndaj një përshkallëzimi në rajon.” Ushtarët amerikanë janë pjesë e forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO, e cila ndodhet në Kosovë që nga përfundimi i luftës me Serbinë fqinjë në vitin 1999.

    Progresi ekonomik i Kosovës është ngadalësuar nga muaj të bllokadës politike, të cilën Osmani tha se shpreson të zgjidhet me votimin e parakohshëm më 28 dhjetor.

    “Vendi po hyn në zgjedhje të dyta të parakohshme këtë vit pasi fituesi i zgjedhjeve, Albin Kurti, nuk arriti të formojë një koalicion shumicë, pasi partitë refuzuan stilin e tij të lidershipit, që ka irrituar aleatët evropianë dhe amerikanë.”, tha ajo.

    Osmani tha se beson se politikanët në vendin e saj do të kenë një “qasje më konstruktive” për të punuar së bashku tani.

    “Jam shumë, shumë e shpresuar,” tha ajo, duke shtuar se “na duhen institucione në mënyrë që të mund të ecim përpara me projekte të mëdha me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

  • AC Milan dhe Niclas Füllkrug pranë arritjes së një marrëveshjeje për transferim

    AC Milan dhe Niclas Füllkrug pranë arritjes së një marrëveshjeje për transferim

    Sulmuesi gjerman Niclas Füllkrug është shumë afër kalimit tek gjiganti italian Milan.

    Drejtuesit rossonerë po punojnë që të arrijnë një marrëveshje me klubin anglez Ëest Ham United për një huazim,me mundësi blerje në verë e cila mund të kushtojë rreth 13 deri 15 milionë euro.

    Përndryshe Füllkrug pritet të mbërrijë në Milano gjatë vitit të ri,por do t’i bashkohet Milanit vetëm pasi skuadra të rikthehet nga Arabia Saudite,ku më parë do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore për të kompletuar transferimin në formë huazimi.

    Kujtojmë që Niclas Füllkrug ka zhvilluar vetëm 9 ndeshje në të gjitha garat për Ëest Ham United,por nuk arriti të realizonte asnjë gol të vetëm.

  • Historike për volejbollin kosovar: FVK pajiset me sistemin modern Video Challenge

    Historike për volejbollin kosovar: FVK pajiset me sistemin modern Video Challenge

    Federata e Volejbollit e Kosovës ka shënuar një hap të madh përpara në modernizimin e garave vendore, duke u pajisur zyrtarisht me sistemin bashkëkohor Video Challenge. Ky zhvillim përbën një moment historik për sportin e volejbollit në Kosovë dhe një risi të rëndësishme në rajon.

    Me këtë investim, FVK bëhet federata e parë në rajon që implementon teknologjinë Video Challenge në garat elite, duke vendosur standarde të reja në organizimin dhe drejtimin e ndeshjeve. Ky sistem u mundëson ekipeve dhe gjyqtarëve rishikimin e aksioneve vendimtare, çka ndikon drejtpërdrejt në rritjen e saktësisë së vendimeve, transparencës dhe drejtësisë sportive.

    Përdorimi i Video Challenge pritet të ketë ndikim të menjëhershëm në cilësinë e ndeshjeve, duke ulur gabimet njerëzore dhe duke rritur besueshmërinë e garave në nivelin më të lartë.

    Ky projekt është realizuar falë mbështetjes financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe SportiT, e cila ka kontribuar në avancimin e infrastrukturës teknologjike të sportit kosovar.

    Sipas njoftimit të FVK-së, sistemi Video Challenge do të përdoret në ndeshjet më të rëndësishme dhe të nivelit të lartë që zhvillohen në Kosovë, duke e afruar volejbollin vendor me standardet ndërkombëtare.

    Me këtë hap strategjik, Federata e Volejbollit e Kosovës konfirmon përkushtimin e saj ndaj inovacionit, zhvillimit dhe rritjes së vazhdueshme të cilësisë së volejbollit kosovar, duke hapur një kapitull të ri për këtë sport në vend.

  • Ish-trajneri i Liverpoolit, Brendan Rodgers, nis aventurën te Al-Qadsiah

    Ish-trajneri i Liverpoolit, Brendan Rodgers, nis aventurën te Al-Qadsiah

    Brendan Rodgers është prezantuar zyrtarisht te klubi i tij i ri në Arabinë Saudite. Trajneri skocez ka marrë drejtimin e skuadrës Al-Qadsiah, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.

    Ish-trajneri i Liverpoolit ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me klubin saudit, ku objektivi kryesor do të jetë sigurimi i një vendi në treshen e parë të kampionatit.

    Rodgers vjen në këtë detyrë pas aventurës së tij të fundit te Celtic, nga ku u shkarkua për shkak të rezultateve jo të kënaqshme në kampionatin skocez. /ATVLIVE.TV

  • Justin Bieber këndon hitin e Eminem, por interneti “e tall” performancën e tij

    Justin Bieber këndon hitin e Eminem, por interneti “e tall” performancën e tij

    Justin Bieber ka marrë vëmendje të madhe në internet pas një performancë ku ai interpretoi një pjesë të ikonës rap Eminem, duke përfshirë vargjet e tij në “Forgot About Dre” gjatë një transmetimi live. Klipi viral tregon yllin kanadez duke u përpjekur me stilin e famshëm të Eminem, për të eksploruar një zhanër tjetër muzikor dhe për të nderuar legjendat e hip‑hopit.

    Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të përziera. Disa fansa e kanë përshëndetur performancën si një nismë interesante dhe një bashkim i dy gjeneratave në muzikë, duke vlerësuar guximin e Bieber për të provuar diçka të re. Megjithatë, ka edhe komentues që dalin ironikë dhe kritikë, duke e cilësuar performancën si “qesharake” ose jo bindëse, dhe duke u tallur me përpjekjet e tij në një zhanër që tradicionalisht i përket Eminem.

    Madje reagimet kanë ndarë edhe opinionet e adhuruesve , disa e shohin këtë si një lëvizje pozitive dhe argëtuese nga Bieber, ndërsa të tjerë mendojnë se ai nuk i kap dot ritmet dhe stilin agresiv të Eminem, duke bërë që klipi të shpërndahet mjaftueshëm në platforma si X (Twitter), TikTok dhe YouTube