ATV

Blog

  • Zbulohet fytyra e EsDeeKid: bien poshtë zërat se reperi misterioz është Timothée Chalamet

    Zbulohet fytyra e EsDeeKid: bien poshtë zërat se reperi misterioz është Timothée Chalamet

    Spekulimet rreth identitetit të reperit të maskuar britanik EsDeeKid kanë marrë një kthesë të fortë pas publikimit të një videoje në TikTok, ku ai shfaqet duke zbuluar fytyrën gjatë një performance live në Brooklyn. Pamjet kanë mjaftuar për të zbehur teorinë virale që e lidhte artistin nga Liverpool me aktorin e famshëm hollywoodian Timothée Chalamet.

    Videoja, e shpërndarë në TikTok, tregon momentin kur EsDeeKid performon pa maskën që e ka shoqëruar që nga fillimi i karrierës së tij.

    @the_road_toad

    Disappointed it’s not Timothee Chalamet #esdeekid #reveal #timotheechalamet #brooklyn #london

    ♬ original sound – Scrim Horan

    Komentet nën video variojnë nga shaka e habi, te pranimi se teoria ishte e ekzagjeruar e disa madje, duke u zhgënjyer nga fakti se nuk është aktori posht asaj maske. Disa përdorues pranuan se publiku ishte “mashtruar lehtë” nga spekulimet online, ndërsa të tjerë u fokusuan te pamja e reperit, duke e komplimentuar atë.

    Teoria që lidhte EsDeeKid me Chalamet u përhap fillimisht për shkak të disa ngjashmërive fizike, stilit të veshjes dhe faktit që aktori ka treguar më herët interes për rap-in dhe thekset britanike. Një koment i paqartë i Chalamet gjatë një interviste radiofonike, ku ai u shpreh se “gjithçka do të zbulohet me kohën”, vetëm sa i shtoi benzinë zjarrit.

    Megjithatë, pamjet nga Brooklyn duket se e kanë mbyllur këtë kapitull. Diferencat e qarta mes pamjes së EsDeeKid dhe aktorit kanë bërë që shumica e fansave të pranojnë se bëhej fjalë vetëm për një teori interneti.

    Pas këtij momenti, vëmendja po kthehet aty ku nisi gjithçka: te muzika e EsDeeKid. Me këngë të njohura si “Phantom” dhe “LV Sandals”, reperi po konsolidon gjithnjë e më shumë emrin e tij, tashmë jo vetëm si një figurë misterioze, por si një artist që po del hapur para publikut.

  • Tre shenjat më me fat gjatë vitit 2026

    Tre shenjat më me fat gjatë vitit 2026

    Sipas parashikimeve astrologjike për vitin 2026, tre shenja të horoskopit pritet të jenë në qendër të vëmendjes, duke përjetuar një vit të mbushur me arritje, kënaqësi dhe mundësi të rëndësishme. Falë kombinimit të vendosmërisë personale, guximit për të vepruar dhe ndikimeve astrale shumë të favorshme, këto shenja do të kenë arsye të forta për të festuar gjatë gjithë vitit të ardhshëm.

    Viti 2026 parashikohet si një periudhë ndryshimesh dhe zhvillimesh të mëdha për disa shenja, por Gaforrja, Luani dhe Peshorja dallohen si më me fatat, duke u përballur me sfida që do të shndërrohen në mundësi reale për rritje personale, profesionale dhe emocionale.

    Shenjat më me fat të vitit 2026 sipas horoskopit

    Gaforrja

    Për Gaforren, viti 2026 hapet me energji pozitive dhe një ndjenjë të fortë përparimi. Kjo shenjë do të ndiejë një shtysë të brendshme për të ndërtuar një jetë më të qëndrueshme dhe më të plotësuar në të gjitha drejtimet. Këmbëngulja dhe durimi, tipare që e karakterizojnë Gaforren, do të jenë çelësi i suksesit për përballimin e çdo sfide.

    Gjatë gjithë vitit, yjet do të mbështesin iniciativat e saj, duke e bërë çdo hap më të sigurt. Muaji gusht mund të sjellë disa situata që kërkojnë vendime të rëndësishme, por këto do të shërbejnë si pikënisje për ndryshime pozitive. Tetori shënon një moment transformimi, ndërsa fundi i vitit e gjen Gaforren më të sigurt në vetvete dhe me horizonte të reja përpara.

    Luani

    Viti 2026 për Luanin nis me disa pengesa dhe tensione, sidomos në muajt e parë, kur ndikimet planetare mund të krijojnë ndjesinë e presionit dhe pasigurisë. Kjo periudhë do ta detyrojë shenjën të reflektojë dhe të kërkojë mbështetje aty ku është e nevojshme.

    Nga prilli e tutje, situata ndryshon ndjeshëm. Luani rifiton forcën, pavarësinë dhe vetëbesimin, i ndihmuar nga një konfigurim astral shumë pozitiv. Kjo energji e re do ta shtyjë drejt veprimeve të guximshme dhe projekteve ambicioze. Vjeshta, veçanërisht muaji tetor, pritet të jetë shumë aktive, duke sjellë iniciativa të reja dhe mundësi suksesi si në karrierë, ashtu edhe në jetën personale.

    Peshorja

    Për Peshoren, 2026-ta do të jetë një vit vendosmërie dhe ekuilibri. Fillimi i vitit, deri në muajin mars, mund të shoqërohet me paqartësi dhe dilema, por nga prilli e më tej gjithçka merr një drejtim më të qartë dhe pozitiv.

    Peshorja do të tregojë aftësi të shkëlqyera organizative dhe fleksibilitet, duke menaxhuar me sukses angazhimet e shumta. Muaji maj shfaqet si një nga periudhat më të favorshme, duke sjellë fat dhe rezultate konkrete. Edhe pse korriku mund të sjellë dyshime lidhur me vendime të rëndësishme, shenja do të arrijë të ruajë ekuilibrin dhe të përdorë çdo sfidë si mundësi për rritje dhe forcim personal.

  • Mori pjesë në vrasjen e 34 shqiptarëve në Malishevë, aktakuzë për krime lufte ndaj Ramadan Morinës

    Mori pjesë në vrasjen e 34 shqiptarëve në Malishevë, aktakuzë për krime lufte ndaj Ramadan Morinës

    Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ramadan Morinës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, Morina, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

    “R.M., akuzohet edhe për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë”, thuhet në njoftim.

    I pandehuri thuhet se ndodhet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa rasti i është kaluar për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Nga viti 2000 deri më 2008, krimet e luftës janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa që prej vitit 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Më 2018, EULEX-i i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykata vendore.

    Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe me mijëra të tjerë janë zhdukur. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

  • Java e 12-të e Superligës: Sot dy ndeshje të forta në basketball

    Java e 12-të e Superligës: Sot dy ndeshje të forta në basketball

    Java e 12-të e Superligës së Kosovës në basketball filloi me fitoren e Pejës ndaj Sigal Prishtinës dhe Vëllaznimit ndaj Rahovecit.

    Ndërsa sot janë në orar edhe dy sfidat e tjera.

    Bashkimi – Golden Eagle Ylli do të takohen në Therandë, në një derbi rajonal, që është shumë i rëndësishëm. Prizrenasit pas shtatë fitoreve radhazi pësuan katër humbje, kurse therandasit kanë tri fitore e tetë humbje.

    Bora dhe Trepça do të përballen sërish në Mitrovicë. ‘Xehetarët’ fituan me rezultat 72:90 të martën në ndeshjen e mbetur të javës së pestë dhe kaluan në vendin e parë në tabelë me tetë fitore e tri humbje, kurse prishtinasit kanë pesë fitore e gjashtë humbje.

    Kujtojmë se të dyja ndeshjet fillojnë nga ora 18:45. /ATVLIVE.TV

  • Krishtlindja 25.12.2025: një detaj që ndodh vetëm një herë në 100 vjet

    Krishtlindja 25.12.2025: një detaj që ndodh vetëm një herë në 100 vjet

    A e dinit që Krishtlindja e këtij viti ka një veçanti të rrallë? Data 25.12.2025 krijon të njëjtin model numrash “25”, një përputhje interesante që ka ndodhur për herë të fundit në vitin 1925 dhe nuk do të përsëritet më deri në 2125.

    Ky sinkronizim i pazakontë kalendarik i jep Krishtlindjes së këtij viti një “magji” të vogël vizuale dhe simbolike, duke e bërë festën edhe më të veçantë. Në një kohë kur detajet unike tërheqin vëmendje dhe bëhen lehtësisht virale, kjo datë bashkon traditën shekullore të Krishtlindjes me një kuriozitet që ndodh vetëm një herë në 100 vjet.

    Një arsye më shumë për ta festuar ndryshe këtë 25 dhjetor.

  • Viti rekord i PSG-së kurorëzohet me trofeun e 57-të të klubit

    Viti rekord i PSG-së kurorëzohet me trofeun e 57-të të klubit

    Paris Saint-Germain ka hyrë edhe një herë në historinë e futbollit, duke fituar trofeun e 57-të të klubit pas triumfit në Kupën Ndërkontinentale, sukses që konfirmon statusin e parisienëve si një nga klubet më të suksesshme të futbollit modern.

    Në finalen e turneut, PSG u përball me Flamengon në një ndeshje spektakolare dhe të luftuar. Koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1, ndërsa fituesi u përcaktua vetëm pas ekzekutimit të penalltive, ku skuadra franceze u tregua më e saktë, duke triumfuar me rezultat 2-1 dhe duke shtuar një tjetër titull prestigjioz në kabinetin e saj.

    Ky sukses ka një rëndësi të veçantë historike, pasi përfaqëson trofeun e 57-të në historinë e Paris Saint-Germain, një shifër që dëshmon vazhdimësinë e suksesit të klubit ndër dekada dhe rritjen e jashtëzakonshme që nga viti 2011, kur PSG u ble nga Qatar Sports Investments.

    Që nga ajo periudhë, klubi parisien ka fituar plot 39 trofe, duke u shndërruar në një superfuqi të futbollit evropian dhe duke dominuar skenën vendore e ndërkombëtare.

    Triumfi në Kupën Ndërkontinentale kurorëzon gjithashtu një vit të jashtëzakonshëm për PSG-në. Viti 2025 rezultoi rekord për klubin, me parisienët që arritën shifrën historike prej 50 fitoresh brenda një viti kalendarik, një arritje e paprecedentë në historinë e klubit.

    Me trofeun e 57-të tashmë në duar, Paris Saint-Germain vazhdon të ndërtojë një trashëgimi të fuqishme fituesish, duke treguar ambicie të qarta për të zgjeruar edhe më tej koleksionin e trofeve në vitet që vijnë. /ATVLIVE.TV

  • Napoli dhe Milani përballen sonte në gjysmëfinalen e parë të Superkupës Italiane

    Napoli dhe Milani përballen sonte në gjysmëfinalen e parë të Superkupës Italiane

    Napoli dhe Milani do të përballen sonte në gjysmëfinalen e parë të Superkupës Italiane, duel që premton spektakël mes dy prej klubeve më të mëdha të futbollit italian.

    Takimi do të luhet nga ora 20:00, ndërsa vëmendja e tifozëve do të jetë e përqendruar te përplasja mes kampionit aktual të Italisë dhe njërit prej klubeve më trofeshëm në histori. Superkupa përfaqëson trofeun e parë të sezonit dhe një mundësi të artë për të dhënë sinjale force që në fillim të vitit futbollistik.

    Napoli hyn në këtë përballje me synimin për të vazhduar formën pozitive dhe për të konfirmuar statusin e tij si një nga skuadrat më të forta në Serie A. Me një stil loje ofensiv dhe individualitete cilësore, napolitanët kërkojnë ta nisin vitin me një trofe të rëndësishëm.

    Në anën tjetër, Milani e sheh Superkupën si një shans për rikthim te lavdia dhe për të rritur besimin e skuadrës. “Rossonerët” synojnë të shfrytëzojnë përvojën në ndeshje të mëdha dhe mentalitetin fitues për të dalë triumfues.

    Kujtojmë se Super Kupa Italiane do të zhvillohet në Riyad dhe sonte luajnë në stadiumin ‘King Saud University Stadium’, ndërkohë që fituesi i sfidës së sotme do të presë në finale fituesin e duelit të nesërm Bologna – Inter. /ATVLIVE.TV

  • Botafogo shkarkon Davide Ancelottin, mbyllet aventura e tij e parë si trajner kryesor

    Botafogo shkarkon Davide Ancelottin, mbyllet aventura e tij e parë si trajner kryesor

    Botafogo ka njoftuar zyrtarisht ndarjen nga trajneri Davide Ancelotti, duke i dhënë fund aventurës së tij të parë si trajner kryesor në futbollin profesionist.

    Vendimi është konfirmuar përmes një deklarate të klubit brazilian, ku bëhet e ditur se pas takimeve të mbajtura të mërkurën, më 17 dhjetor, Ancelotti nuk do të vazhdojë më në krye të ekipit të parë. Së bashku me të janë larguar edhe trajneri fizik Luca Guerra, si dhe asistentët Luis Tevenet dhe Andrew Mangan.

    “Botafogo njofton se Davide Ancelotti nuk është më trajneri kryesor i ekipit të parë,” thuhet në komunikatën zyrtare të klubit, i cili e ka falënderuar trajnerin italian për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë periudhës së tij në krye të skuadrës, duke i uruar suksese në të ardhmen. Klubi ka bërë të ditur gjithashtu se emri i stafit të ri teknik do të bëhet i ditur së shpejti.

    Ancelotti, 36 vjeç, djali i trajnerit legjendar Carlo Ancelotti dhe ish-ndihmës trajner te Real Madridi, Napoli dhe Evertoni, u emërua në krye të Botafogos në muajin korrik. Gjatë mandatit të tij, ai regjistroi 15 fitore, 10 barazime dhe tetë humbje.

    Nën drejtimin e tij, Botafogo e përfundoi kampionatin në pozitën e gjashtë dhe u eliminua në fazën e 1/8-ës së finales në Copa Libertadores, rezultate që nuk bindën drejtuesit e klubit për vazhdimin e bashkëpunimit. /ATVLIVE.TV

  • 11 arbitra shqiptarë në ndeshjet e UEFA Conference League

    11 arbitra shqiptarë në ndeshjet e UEFA Conference League

    11 arbitra shqiptarë do të ndajnë drejtësinë në ndeshjet e UEFA Conference League.

    Florian Lata për herë të parë gjykon në fazën e ligës. Së bashku me Ilir Tartarajn dhe Erind Burgun si asistentë, Enea Jorgjin arbitër të katërt, Kreshnik Barjamajn në VAR dhe Kreshnik Cjapin në AVAR do të vendosin drejtësi në Slovan Bratislava-Hacken.

    Për ndeshjen Dynamo Kyiv-Noah janë përzgjedhur Juxhin Xhaja, Arber Zalla, Rejdi Avdo, Olsion Yzeiraj dhe Albert Doda në AVAR. /ATVLIVE.TV

  • Drita përballë testit vendimtar në Madrid, sfidon Rayo Vallecanon për kualifikim

    Drita përballë testit vendimtar në Madrid, sfidon Rayo Vallecanon për kualifikim

    Skuadra gjilanase, Drita, luan sonte (e enjte) në Madrid një nga ndeshjet më vendimtare të këtij sezoni evropian, ku do të sfidojë Rayo Vallecanon në kuadër të xhiros së fundit të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.

    Përballja do të zhvillohet në stadiumin “Campo de Fútbol de Vallecas”, duke filluar nga ora 21:00.

    Me tetë pikë të grumbulluara, Drita renditet aktualisht në pozitën e 19-të dhe vazhdon të jetë në garë për kualifikim, ndërsa ekipi spanjoll mban vendin e shtatë me 10 pikë. Diferenca e ngushtë mes skuadrave e bën këtë ndeshje vendimtare për vazhdimin e rrugëtimit evropian.

    Gjilanasit kanë lënë përshtypje pozitive në këtë edicion të Ligës së Konferencës, duke shfaqur disiplinë taktike dhe guxim në përballjet ndërkombëtare. Rezultatet ndaj rivalëve të fortë kanë dëshmuar se Drita ka kapacitet të konkurrojë denjësisht në arenën evropiane. Mirëpo, gjatë konferencës së djeshme konfirmuan se për shkak të dëmtimeve mungojnë Rron Broja, Vesel Limaj dhe Faton
    Maloku, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është e gatshme për ndeshjen.

    Në anën tjetër, Rayo Vallecano vjen në këtë duel pas barazimit pa gola ndaj Real Betisit në La Liga, ndërsa aktualisht pozicionohet në vendin e 13-të të kampionatit spanjoll me 18 pikë.

    Drita udhëton drejt Spanjës me synimin për të nxjerrë një rezultat pozitiv, e vetëdijshme se një paraqitje e fortë mund të shënojë një kapitull historik për klubin dhe për futbollin kosovar në përgjithësi. /ATVLIVE.TV