ATV

Blog

  • Sarandë: Theret me thikë në ambientet e shkollës një 15-vjeçar

    Sarandë: Theret me thikë në ambientet e shkollës një 15-vjeçar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në një shkollë jopublike 9-vjeçare në Sarandë.

    Sipas njoftimit të Policisë, një i mitur 15-vjeçar është plagosur me thikë në ambientet e shkollës nga një nxënës tjetër, 13-vjeçar.

    “Sot, rreth orës 10:00, në ambientet e një shkolle jopublike 9-vjeçare në lagjen nr. 3, Sarandë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se një nxënës 13-vjeçar ka goditur me mjet prerës një të mitur, 15 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se vijon puna për shoqërimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, si dhe për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

  • Arsyeja pse skuqja e fytyrës rritet me kalimin e viteve tek personat me rosacea

    Arsyeja pse skuqja e fytyrës rritet me kalimin e viteve tek personat me rosacea

    Shkencëtarët ende nuk e dinë saktësisht pse shfaqet sëmundja e lëkurës e quajtur rosacea apo pse ajo përkeqësohet me kalimin e viteve, por kanë disa shpjegime të mundshme.

    “Nëse keni rosacea, është e zakonshme që simptomat të përkeqësohen në të 40-at ose 50-at”, ka thënë për New York Times, dermatologia Julie C. Harper nga Alabama.

    Skuqja e shpeshtë e fytyrës, puçrrat që duken si akne dhe enët e zgjeruara të gjakut janë shenja tipike të kësaj gjendjeje, e cila prek mbi 14 milionë njerëz vetëm në Shtetet e Bashkuara. Rosacea shfaqet më shpesh te gratë dhe te personat me lëkurë të çelët. Ajo mund të diagnostikohet në çdo moshë, por shumë njerëz nuk vërejnë simptoma deri pas moshës 30-vjeçare.

    “Nuk ka shërim për rosacean, por ajo mund të menaxhohet shumë, shumë mirë”, ka thënë Harper.

    Arsyet pse rosacea përkeqësohet me moshën

    Rosacea shpesh trashëgohet dhe lidhet me reagim të tepruar të sistemit imunitar ndaj faktorëve të jashtëm.

    “Këta faktorë përfshijnë diellin, ushqimet pikante, alkoolin, temperaturat e ulëta ose të larta, stresin, aktivitetin fizik dhe pijet e nxehta”, ka shpjeguar dermatologia Marie Leger.

    Përveç skuqjes së vazhdueshme dhe enëve të dukshme të gjakut, rosacea mund të shkaktojë thatësi, ndjesi djegieje dhe shtrëngimi të lëkurës. Ajo mund të prekë edhe sytë, duke shkaktuar kruarje ose ndjesi sikur keni rërë brenda, si dhe të trashë lëkurën e hundës, thotë dermatologia Dina Elrashidy nga Chicago.

    Simptomat zakonisht shfaqen dhe zhduken gjatë jetës, varësisht nga ekspozimi ndaj faktorëve nxitës.

    “Mund të ketë shpërthime që zgjasin javë, muaj apo edhe më gjatë nëse rosacea nuk trajtohet”, ka shpjeguar Leger.

    Nëse rosacea shfaqet herët, ajo shpesh përkeqësohet mes moshës 30 dhe 50 vjeç. Arsyeja nuk është plotësisht e qartë, por sipas Harper, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj faktorëve nxitës krijon inflamacion kronik.

    “Me kalimin e viteve, inflamacioni dobëson indet rreth enëve të gjakut, duke bërë që ato të zgjerohen dhe të mbeten të dukshme në mënyrë të përhershme”, ka shpjeguar ajo.

    Sipas Elrashidyt, plakja natyrale e lëkurës dhe dëmtimet nga dielli bëjnë që kolagjeni të hollohet dhe lëkura të bëhet më e thatë, gjë që e bën skuqjen edhe më të dukshme. Ndërkohë, Leger ka theksuar se shumë gra gjatë periudhës së paramenopauzës dhe menopauzës përjetojnë përkeqësim të simptomave, edhe pse lidhja direkte me hormonet ende nuk është vërtetuar shkencërisht.

    Si mund të menaxhohet rosacea?

    Menaxhimi i rosaceas zakonisht kërkon disa hapa njëkohësisht:

    Shmangni faktorët nxitës – Çdo person ka faktorë të ndryshëm që e përkeqësojnë rosacean. Identifikimi dhe shmangia e tyre, si alkooli apo ushqimet pikante, mund t’i reduktojë shpërthimet. Megjithatë, disa faktorë, si moti i ftohtë, janë të pashmangshëm. Për disa njerëz, edhe dielli apo era mund të jenë pjesë e stilit të jetës, nga të cilat nuk duan të heqin dorë.

    Përdorni produkte të buta për lëkurën – Pastruesit hidratues me përbërës si glicerina ose dimetikoni ndihmojnë në qetësimin e lëkurës. Produktet me squfur kanë efekt kundër inflamacionit dhe mund t’i ulin simptomat. Duhet shmangur përdorimi i skrabeve dhe produkteve me aromë, pasi ato mund të irritojnë lëkurën.

    Mbroni lëkurën nga dielli – Dielli është një nga shkaktarët kryesorë të rosaceas. Dermatologët këshillojnë përdorimin e kremit mbrojtës me SPF 30 ose më të lartë çdo ditë, dhe ripërdorimin e tij kur qëndroni jashtë. Kremrat me zink ose titan janë zakonisht më të butë dhe tolerohen më mirë nga lëkura e ndjeshme.

    Përdorni trajtime mjekësore – Disa kremra me recetë ngushtojnë enët e gjakut dhe ulin skuqjen e përhershme. Të tjerë ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe puçrrave. Në disa raste, mjekët përshkruajnë edhe antibiotikë në doza të ulëta, të cilët mund të merren gjatë shpërthimeve ose për disa muaj rresht.

    Trajtimi me laser – Laseri ndihmon në tkurrjen e enëve të gjakut dhe uljen e skuqjes. Zakonisht nevojiten një deri në tre seanca, dhe trajtimi përsëritet një ose dy herë në vit për mirëmbajtje.

    “Nuk është asnjëherë herët apo vonë për t’u konsultuar me dermatologun”, ka thënë Harper. Sipas Leger, të kesh një plan të qartë trajtimi “i ndihmon pacientët të ndihen më në kontroll të lëkurës së tyre”.

  • Osmani takon Costan: Nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e plotë e masave

    Osmani takon Costan: Nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e plotë e masave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se në Bruksel u mirëprit nga Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa.

    Osmani ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë Bashkimi Evropian dhe se nuk ka arsye që të pengohet ose shtyhet heqja e plotë e masave.

    “Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian. Në takim potencova se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura. Në anën tjetër, shpresojmë që sa më parë, të kemi përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare që edhe Kosova, bazuar në merita, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Osmani në Facebook.

  • Tahiri fton qytetarët të bashkohen rreth vizionit të Bedri Hamzës për fitoren e Kosovës

    Tahiri fton qytetarët të bashkohen rreth vizionit të Bedri Hamzës për fitoren e Kosovës

    Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka ftuar qytetarët që të bashkohen rreth vizionit të Kryeministrit të ardhshëm, Bedri Hamza, për ta çuar Kosovën përpara drejt fitores.

    Tahiri theksoi se hapja e fushatës zgjedhore nga Prizreni, qyteti i Lidhjes dhe i bashkimit, nuk është e rastësishme, por një mesazh i qartë për unitet politik dhe shoqëror në funksion të stabilitetit dhe zhvillimit të vendit.

    “Sonte, nga Prizreni, qyteti i Lidhjes, e në çdo anë të Kosovës, ftoj qytetarët të bashkohen rreth vizionit të Bedri Hamzës për një Kosovë më të fortë, më stabile dhe me perspektivë për të gjithë,” ka deklaruar Tahiri.

    Ai shtoi se zgjedhjet e 28 dhjetorit janë vendimtare për drejtimin e Kosovës dhe se PDK, me Bedri Hamzën në krye, ofron një alternativë të qartë për zhvillim ekonomik, paga më të larta dhe mirëqenie për qytetarët.

    “Kjo është një thirrje për unitet, stabilitet dhe një të ardhme më të mirë për secilin qytetar. Më 28 dhjetor, zgjedhja është e qartë: Bashkë. Përpara. #PDK130,” përfundoi Tahiri.

    Abelard Tahiri garon me numër 110 në listën e PDK-së.

  • Haaland në rolin e Babagjyshit, dhurata dhe befasi për fëmijët e Mançesterit

    Haaland në rolin e Babagjyshit, dhurata dhe befasi për fëmijët e Mançesterit

    Futbollisti i Manchester Cityt, Erling Haaland, u maskua si Babagjyshi i Vitit të Ri dhe vizitoi disa shtëpi në Mançester, duke befasuar fëmijët.

    Fillimisht, Haaland shpërndante dhurata dhe më pas zbulonte identitetin e tij – një moment që la fëmijët pa fjalë. Megjithatë, në disa shtëpi surpriza dështoi, pasi ata e zbuluan menjëherë se kush fshihej pas kostumit. /ATVLIVE.TV

  • Gjyqtari Elldin Uglari në “Play-off” të FIBA EuroCup Women

    Gjyqtari Elldin Uglari në “Play-off” të FIBA EuroCup Women

    Gjyqtari nga Kosova, Elldin Uglari do të gjykojë një ndeshje shumë të rëndësishme evropiane.

    Uglari është nominuar për ndeshjen kthyese të “Play-off”-it në FIBA EuroCup Women, ÇBK Mersin – Club Sportiv Rapid.

    Kjo ndeshje do të zhvillohet më 18 dhjetor (nesër) në Mersin, Turqi.

    Takimi i parë kishte përfunduar 78:82, në të mirë të skuadrës turke.

    Uglari ka gjykuar edhe shumë ndeshje evropiane këtë verë dhe viteve të kaluara.

    Kjo është një dëshmi e besimit të FIBA-s për gjyqtarët e Kosovës. /ATVLIVE.TV

  • Georgina Rodriguez thotë se unaza e propozimit 3 milionëshe ishte “minimumi që mund të bënte” Ronaldo për të

    Georgina Rodriguez thotë se unaza e propozimit 3 milionëshe ishte “minimumi që mund të bënte” Ronaldo për të

    Cristiano Ronaldo i propozoi partneres Geogrina Rodriguez me një unazë prej 30 karatësh dhe vlera 3 milionë dollarë gjatë muajit gusht, pas një lidhjeje nëntëvjeçare.

    Modelja argjentino-spanjolle, 31 vjeçe, së shpejti do të martohet me futbollistin portugez, 40 vjeç, pas propozimit të tij mbresëlënës me këtë diamant të madh.

    Në një intervistë për ELLE Spain, Georgina në formë shakaje tha se një unazë e tillë ishte “minimumi që mund të bënte” pasi kishte pritur kaq gjatë për të marrë propozimin.

    “Është e mrekullueshme. Minimumi që mund të më ofronte pas dhjetë vjetësh pritjeje (qesh). E vërteta është se, kur më propozoi, ishte gjëja e fundit që më shkonte ndërmend. Më duhej shumë kohë për të përpunuar gurin e madh që më dhuroi. U habita aq shumë sa e lashë në dhomën time dhe nuk e hapën në dritën e diellit deri ditën tjetër (qesh)”, pohoi modelja.

    Çifti janë në lidhje që nga viti 2016.

    Ronaldo ka pesë fëmijë, dy prej të cilëve i ka me Georginën, Alana-n dhe Bella Esmeralda-n./telegrafi

  • Kriza në mbrojtjen e Real Madridit, mungon edhe Raul Asencio

    Kriza në mbrojtjen e Real Madridit, mungon edhe Raul Asencio

    Real Madridi po përballet me një krizë të madhe në mbrojtje. Mbrojtësi Raul Asencio do të mungojë në ndeshjen e Kupës së Mbretit ndaj Talavera de la Reinas.

    Mungesa e tij nuk është për shkak të një lëndimi, por për shkak të etheve që e lënë jashtë për këtë përballje.

    Ndeshja do të zhvillohet sonte, në orën 21:00. /ATVLIVE.TV

  • Ambasadori britanik i shkon në zyre Kurtit, shpreson për zgjedhje të qeta e formim të shpejtë të institucioneve

    Ambasadori britanik i shkon në zyre Kurtit, shpreson për zgjedhje të qeta e formim të shpejtë të institucioneve

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka njoftuar se ka zhvilluar sot takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

    Hargreaves ka zbuluar se me Kurtin kanë diskutuar për zgjedhjet, teksa ka shtuar se shpreson për një proces zgjedhor të qetë që do të mundësoj formimin e shpejtë të institucioneve në vitin 2026, shkruan Reporteri.net.

    Ata kanë folur edhe për dialogun, ku Hargreaves ka theksuar nevojën që Qeveria e re të rifillojë përparimin në këtë proces.

    “Sot u takova me Kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Diskutuam për fushatën zgjedhore dhe shpresat për një proces zgjedhor të qetë që mundëson formimin e shpejtë të institucioneve në vitin e ri. Kjo është thelbësore për përparimin urgjentisht të nevojshëm në fusha si buxheti kombëtar. Gjithashtu diskutuam nevojën që qeveria e ardhshme të rifillojë përparimin në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe integrimin evropian, si dhe masat aktive për të lehtësuar integrimin e mëtejshëm të komuniteteve jo-shumicë të Kosovës. Shpresoj që me qeverinë e ardhshme të mund ta thellojmë partneritetin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës”, ka shkruar Hargreaves.

  • Komisioni Evropian e konfirmon se ka hequr 50% të masave ndëshkuese ndaj Kosovës

    Komisioni Evropian e konfirmon se ka hequr 50% të masave ndëshkuese ndaj Kosovës

    Komisioni Evropian ka konfirmuar se do të lirohen rreth 50% e ndihmës financiare për Kosovën, në vlerë prej afërsisht 216 milionë euro.

    Sipas KE-së, ky vendim është marrë pas transferimit të qetë dhe të rregullt të pushtetit në katër komunat e veriut, pas zgjedhjeve të fundit lokale të mbajtura në dhjetor 2025.

    “Pas transferimit të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të fundit lokale të mbajtura në dhjetor 2025, ne do të lirojmë më tej rreth 50% të ndihmës financiare, në vlerë prej afërsisht 216 milionë euro. Kjo do të mundësojë: nënshkrimin e kontratave për 4 projekte (që gjithsej përfaqësojnë 34.6 milionë euro kontribut të BE-së) dhe nisjen e zbatimit të tyre; si dhe përfundimin e programimit të të gjitha fondeve të mbetura IPA III të dedikuara për Kosovën (181 milionë euro; miratimi i planifikuar i vendimit të financimit nga Komisioni në pranverën e vitit 2026, i cili do të mundësonte që projektet e para të nisin në gjysmën e dytë të vitit 2026)”, thuhet në konfirmimin e KE-së.

    Komisioni Evropian rikujton se kur Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, ato ishin përshkruar si të përkohshme, ndërsa kushtet për heqjen e tyre ishin të qarta.