ATV

Blog

  • Aksident fatal, ndërron jetë futbollisti Ethan McLeod

    Aksident fatal, ndërron jetë futbollisti Ethan McLeod

    Futbolli anglez është në zi pas humbjes tragjike të Ethan McLeod, ish-lojtar i akademisë së Wolverhampton Wanderers dhe pjesë e Macclesfield FC. 21-vjeçari humbi jetën në një aksident të rëndë trafiku në autostradën M1, pranë Northamptonit, teksa po kthehej në shtëpi pas ndeshjes së fituar 2-1 ndaj Bedford Town.

    Lajmi u konfirmua nga Macclesfield FC përmes një deklarate prekëse, ku klubi e përshkroi McLeod si një futbollist me potencial të madh, shumë të respektuar nga bashkëlojtarët dhe stafi.

    “Dhimbja që po përjetojmë është e pamasë dhe kjo humbje ka prekur thellë gjithë familjen e klubit”, thuhet në reagim.

    McLeod kishte kaluar një dekadë në akademinë e Wolves, ndërsa gjatë karrierës së tij kishte mbajtur fanellën e Alvechurch FC si i huazuar, si dhe kishte luajtur për Rushall Olympic dhe Stourbridge, përpara se këtë verë të bashkohej me Macclesfield FC në National League North.

    Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit fatal, ndërsa reagime ngushëllimi kanë ardhur nga e gjithë bota e futbollit për familjen, miqtë dhe klubin e tij. /ATVLIVE.TV

  • Alcaraz largohet nga Ferrero, trajneri që e bëri numrin një të botës

    Alcaraz largohet nga Ferrero, trajneri që e bëri numrin një të botës

    Carlos Alcaraz ka konfirmuar një ndarje të papritur nga trajneri i tij, Juan Carlos Ferrero, duke i dhënë fund një bashkëpunimi të gjatë dhe jashtëzakonisht të suksesshëm.

    Numri një i botës e bëri të ditur lajmin të mërkurën përmes Instagramit, duke pranuar se ishte “shumë e vështirë” të njoftonte ndarjen nga Ferrero, ish-numri 1 i botës dhe kampion i French Open 2003.

    Alcaraz dhe Ferrero nisën bashkëpunimin në vitin 2019, kur tenisti spanjoll ishte ende adoleshent dhe shihej si një nga talentet më premtuese të së ardhmes. Nën drejtimin dhe mentorimin e Ferreros, Alcaraz u zhvillua me shpejtësi, duke u shndërruar në një nga lojtarët më dominues të brezit të tij dhe një nga figurat më të mëdha të tenisit modern.

    Gjatë kësaj periudhe, Alcaraz fitoi gjashtë tituj Grand Slam – nga dy në French Open, Wimbledon dhe US Open – si dhe qëndroi mbi 50 javë në krye të renditjes ATP. Në shtator të vitit 2022, ai hyri në histori duke u bërë numri 1 më i ri i ATP-së. /ATVLIVE.TV

  • Zyrtare: Superkupa e Kosovës Drita–Prishtina luhet më 25 janar në Antalia

    Zyrtare: Superkupa e Kosovës Drita–Prishtina luhet më 25 janar në Antalia

    Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur zyrtarisht datën dhe vendin e zhvillimit të Superkupës së Kosovës, ku do të përballen dy prej skuadrave më të trofeshme të futbollit kosovar, FC Drita dhe FC Prishtina.

    Sipas njoftimit të FFK-së, finalja e Superkupës do të zhvillohet të dielën, më 25 janar 2026, me fillim nga ora 14:30 sipas kohës lokale të Turqisë, përkatësisht në ora 12:30 sipas kohës në Kosovë. Takimi do të luhet në stadiumin modern “Mardan Palace” në Antalia.

    Në këtë përballje prestigjioze do të ballafaqohen FC Drita, kampione në fuqi e Kosovës, dhe FC Prishtina, fituese e Kupës së Kosovës për edicionin 2024/25, në një duel që pritet të zgjojë interes të madh te tifozët.

    Vendimi për zhvillimin e Superkupës në Antalia është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, duke marrë parasysh faktin se të dyja ekipet do të jenë të angazhuara në fazën përgatitore dimërore në Turqi, nga 15 deri më 30 janar 2026. Kjo zgjedhje është bërë në përputhje me agjendën e klubeve, me qëllim lehtësimin e përgatitjeve dhe organizimit të ndeshjes.

    Kjo do të jetë hera e katërt që finalja e Superkupës së Kosovës zhvillohet në Antalia, pasi më herët kjo arenë ka pritur përballjet Drita–Prishtina, Llapi–Ballkani dhe Prishtina–Ballkani, duke u shndërruar tashmë në një destinacion tradicional për këtë kompeticion.

  • Nick Reiner akuzohet për vrasjen e prindërve të tij, Rob dhe Michele Reiner

    Nick Reiner akuzohet për vrasjen e prindërve të tij, Rob dhe Michele Reiner

    Nick Reiner, 32‑vjeçari, është zyrtarisht i akuzuar për vrasjen e prindërve të tij, regjisorit të famshëm të Hollivudit Rob Reiner dhe bashkëshortes së tij Michele Singer Reiner. Autoritetet në Los Angeles ngritën dy akuza për vrasje të shkallës së parë , pasi trupat e çiftit u gjetën të pajetë në shtëpinë e tyre në Brentwood me plagë të shkaktuara nga një sulm me thikë. Nick u arrestua disa orë pas zbulimit të trupave dhe momentalisht mbahet në paraburgim pa mundësi lirimi, ndërsa prokuroria po shqyrton edhe mundësinë e dënimit me vdekje ose burgim të përjetshëm pa lirime.

    Raportimet e mediave të huaja zbulojnë se një ditë para vdekjes, Nick dhe prindërit e tij ishin bashkë në një festë në shtëpinë e komedianit Conan O’Brien, ku thuhet se ai shfaqi sjellje të çrregullt dhe pati një përplasje me të atin. Nuk ka ende një motiv zyrtar të konfirmuar, por hetuesit po shqyrtojnë edhe sfondin e tij personal, duke përfshirë histori të mëparshme të vështirësive me varësinë nga droga dhe tensionet familjare që janë përmendur në media.

    Ngjarja ka tronditur SHBA-në dhe botën, jo vetëm për natyrën e saj, por edhe për statusin e Rob Reiner si regjisori i filmave klasikë dhe për rolin e gruas së tij si fotografe e producentë. Vajza e tyre, Romy Reiner, ishte ajo që gjeti trupat dhe lajmëroi autoritetet, duke shtuar emocione të forta tek publiku ndërkombëtar.

  • E ardhmja e Fernandes në dyshim?

    E ardhmja e Fernandes në dyshim?

    Ylli i Manchester United, Bruno Fernandes, ka bërë deklarata sensacionale lidhur me të ardhmen e tij, duke lënë të kuptohet se do të ishte i hapur për një transferim në Spanjë, Itali dhe Portugali.

    Portugezi theksoi se prioriteti i tij mbetet Manchester United, por vetëm nëse klubi e bën të ndihet i vlerësuar. Fernandes pranoi se ishte i lënduar kur klubi donte ta shiste më herët, pas një oferte të madhe nga skuadra e Arabisë Saudite, Al-Hilal, verën e kaluar, të cilën ai e refuzoi për shkak të dashurisë ndaj klubit.

    Në një intervistë për Canal 11, ai tha:

    “Dua të qëndroj te Manchester United për aq kohë sa ndihem i dëshiruar.”

    “Do të doja ta provoja kampionatin spanjoll dhe të luftoja për tituj të mëdhenj në Itali. Kam shumë lidhje me Italinë. Vajza ime ka lindur atje.”

    “Kam menduar për një rikthim në Portugali, opsioni i parë do të ishte Sporting. Dua të jem i lumtur, siç isha me Sportingun, por nuk dua të prish imazhin që kam lënë.”

    “Nuk dua të shkoj thjesht për të qenë atje, dua të shtoj diçka.”

    “Madje edhe të provoj futbollin e distriktit në moshë më të shtyrë. Aty luan për dashuri dhe ndihesh ndryshe. Kam miq në atë futboll.”

    31-vjeçari ka qenë një element kyç i skuadrës së Manchester United, duke shënuar 103 gola dhe dhënë 93 asistime në 307 paraqitje në të gjitha garat. Në këtë sezon, ai ka nisur si titullar në të gjitha 16 ndeshjet e Premier League, me pesë gola dhe shtatë asistime.

    Megjithatë, pas deklaratave të fundit, e ardhmja e tij në klub mbetet në diskutim dhe hierarkia e Manchester United mund të shqyrtojë një shitje verën e ardhshme. Duke pasur parasysh cilësinë dhe përvojën e tij, pritet të ketë interes të madh për shërbimet e Fernandes në tregun e transferimeve. /ATVLIVE.TV

  • Supremja shpall të paligjshme nenet që obligojnë pensionistët të lajmërohen në Departmentin e Pensioneve

    Supremja shpall të paligjshme nenet që obligojnë pensionistët të lajmërohen në Departmentin e Pensioneve

    Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës pas një padie të ushtruar nga E.SH, ka vendosur që të shfuqizojë nenet që obligojnë pensionistët të lajmërohen në Qendër të Pensioneve për të vërtetuar që janë gjallë.

    Në vendimin e Supremes thuhet se është punë e Ministrisë që të përdorë të gjithë mekanizmat që ka në dispozicion për të identifikuar nëse një pensionist ka vdekur dhe se kjo nuk është punë që duhet qytetari ta kryejë vetë.

    Postimi i plotë:

    – Gjykata Supreme e ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditësit E.Sh., e paraqitur kundër të paditurës Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) – Departamenti i Pensioneve.

    Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 4 paragraf 2, i Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve.

    Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 5 paragraf 1, 2, 3 dhe 4 i këtij Udhëzimi.

    Paditësi E.Sh., ka parashtruar padi kundër të paditurës, MFPT, për shfuqizimin e aktit nënligjor normativ – Udhëzimin Administrativ nr. 05/2015 (MPMS) Për Procedurat e Lajmërimit, Suspendimit nga Pagesa dhe Kthimin e Mjeteve në rastet e Keqpërdorimit të Pensioneve.

    Pas shqyrtimit të rastit, Gjykata Supreme konstatoi se paragrafët ku parashihen pasoja për pensionistët, siç është ndalimi i pensionit, nuk është në harmoni me ligjin dhe si të tillë janë të paligjshëm.

    Nëse pensionisti nuk lajmërohet siç është përcaktuar, Ministria obligohet që të monitorojë burimet ekzistuese të informatave me qëllim të identifikimit të pensionistëve që kanë vdekur. Pra, përgjegjësia e parë për verifikimin e statusit të jetës së pensionistit është e vetë organit publik dhe jo e qytetarit. Kjo dispozitë krijon detyrimin që Ministria të shfrytëzojë çdo mekanizëm administrativ dhe çdo burim zyrtar të informatave përpara se të ndërmarrë masa kufizuese ndaj pensionistit. Ligji ka paraparë një mekanizëm që mbështetet në verifikim aktiv nga ana e Ministrisë dhe jo në barrë disproporcionale ndaj pensionistit.

    Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton se aktet nënligjore vlejnë vetëm sa kohë janë në pajtim me ligjin, ndërsa një rregullim i tillë nënligjor, i cili prek në mënyrë materiale të drejtat e qytetarëve, siç trajtohet pensioni, mund të bëhet vetëm me ligj dhe jo me akt nënligjor.

    Kompetenca e Ministrisë, kufizohet vetëm në rregullimin e mënyrës teknike të suspendimit nga pagesa, dhe assesi në krijimin e detyrimeve, afateve apo pasojave materiale që nuk i parasheh ligji.

    Ligji Nr. 04/L-131 Për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, nuk përmban asnjë element që do t’i jepte Ministrisë kompetencë të krijojë afate materiale, të vendosë humbje të pensioneve ose të ndryshojë statusin e përfituesit në rast mos-lajmërimi.

    Suspendimi i pagesës së pensionit duhet të jetë masa e fundit, dhe jo e para. Për këtë arsye, Gjykata Supreme konstaton se dispozitat e UA nr. 05/2015, të cilat e trajtojnë mos-lajmërimin si shkak të domosdoshëm për suspendim dhe e shoqërojnë me pasoja materiale të pakthyeshme, janë të kundërligjshme.

  • 50 milionë euro për rijetësimin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë

    50 milionë euro për rijetësimin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë

    Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar nisjen e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në Prishtinë, që synon rijetësimin e plotë të Pallatit të
    Rinisë dhe kthimin e tij në një qendër moderne për sport, art dhe rini, në prag të Lojërave Mesdhetare.

    Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 milionë euro për rinovimin total të objektit, përfshirë edhe sallën e djegur, si pjesë e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

    Postimi i Hajrullah Çekut:

    “50 milionë euro për Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Rinovim total, përfshirë sallën e djegur, në përgatitje për Lojërat Mesdhetare, dhe në shërbim të sportistëve, artistëve e të rinjve tanë.

    Në bazë të marrëveshjes sonë me Bankën Evropiane për Investime, janë angazhuar studiot projektuese që do të hartojnë projektin e rijetësimit të Pallatit, për t’i hapur rrugë më pas edhe nisjes së punimeve.

    Ekspertiza profesionale vendore dhe ndërkombëtare është bërë bashkë për të krijuar një model për modernizimin dhe funksionalizimin e plotë të kësaj ndërtese ikonike të kryeqytetit.”

  • FIFA shpall shpërblimet rekord për Botërorin 2026

    FIFA shpall shpërblimet rekord për Botërorin 2026

    Na ndajnë vetëm 7 muaj nga fillimi i Kampionatit Botëror, që këtë herë do të mbahet për herë të parë në tre shtete: SHBA, Meksikë dhe Kanada.

    Para finales së Kupës Ndërkontinentale FIFA në Doha, Këshilli i FIFA-s mori vendime të rëndësishme për zhvillimin e futbollit të të rinjve dhe çështjet e qeverisjes. Me entuziazmin në rritje pas shortit përfundimtar të zhvilluar më 5 dhjetor 2025 në Uashington DC, Këshilli miratoi një kontribut financiar rekord prej 727 milionë dollarësh amerikanë që do të shpërndahet si rezultat i Kupës së Botës FIFA 2026.

    Pjesa më e madhe – 655 milionë dollarë amerikanë, që shënon një rritje prej 50% krahasuar me edicionin e mëparshëm – do të shpërndahet mes 48 ekipeve pjesëmarrëse, sipas kësaj strukture:

    • Kampionët: 50 milionë dollarë

    • Nënkampionët: 33 milionë dollarë

    • Vendi i 3-të: 29 milionë dollarë

    • Vendi i 4-t: 27 milionë dollarë

    • Vendet 5–8: 19 milionë dollarë

    • Vendet 9–16: 15 milionë dollarë

    • Vendet 17–32: 11 milionë dollarë

    • Vendet 33–48: 9 milionë dollarë

    Kujtojmë se Botërori 2026 nis më 11 qershor dhe do të përfundojë më 19 korrik. /ATVLIVE.TV

  • Ekstradohet nga Zvicra për në Kosovë i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

    Ekstradohet nga Zvicra për në Kosovë i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

    Nga Zvicra është ekstraduar një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës e i cili ngarkohet me veprën penale “Kanosje”.

    “Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 17.12.2025 ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Zvicra për në Republikën e Kosovës. I dyshuari ishte arrestuar nga autoritete Zvicerane pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Kanosje”.   Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të R. Kosovës dhe atyre Zvicerane. I dyshuari pas ekstradimit u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë në rajonin e Prizrenit për vazhdim të procedurave të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Më tej thuhet se “Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”.

  • Arrestohen tre persona në flagrancë, tentuan të eksploatonin zhavor përreth Drinit të Bardhë

    Arrestohen tre persona në flagrancë, tentuan të eksploatonin zhavor përreth Drinit të Bardhë

    Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë më 4 qershor kishte zhvilluar një aksion kundër degradimit të mjedisit, ku ishin arrestuar 19 persona dhe ishin sekuestruar 40 mjete.

    Prokuroria thotë se ka pasur tentativë tjetër për dëmtimin e mjedisit. Tre persona janë arrestuar në flagrancë në orët e vona duke tentuar të eksploatonin zhavorr përreth lumit Drini i Bardhë.

    “Megjithatë, më 17.12.2025 vetëm disa muaj pas këtij aksioni, ka pasuar një tentativë tjetër për dëmtimin e mjedisit. Lidhur me këtë rast, tre persona janë arrestuar në flagrancë, në orët e vona të natës, pasi tentuan të eksploatonin zhavorr përreth lumit “Drini i Bardhë”. Lidhur me këtë rast është sekuestruar një (1) kamion dhe një (1) eskavator.

    Personat e arrestuar, gjenden në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338, dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”