ATV

Blog

  • Messi kundër Yamalit, Argjentina – Spanja në “Finalissima”

    Messi kundër Yamalit, Argjentina – Spanja në “Finalissima”

    Dy institucionet më të mëdha të futbollit botëror, UEFA dhe FIFA, kanë zyrtarizuar datën e zhvillimit të ndeshjes “Finalissima”.

    Argjentina dhe Spanja do të përballen mes vete më 27 mars 2026. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Lusail” në Katar, i ndërtuar për Kupën e Botës 2022.

    Kampionët e botës, Argjentina e udhëhequr nga Lionel Messi, do të sfidojnë kampionët e Europës, Spanjën, ku në qendër të vëmendjes pritet të jetë talenti Lamine Yamal.

    “Finalissima” është një trofe i rikthyer së fundmi, ku përballen fituesi i Kupës së Botës dhe ai i Kampionatit Europian.

    Në edicionin e vitit 2022, Argjentina mposhti Italinë me rezultat bindës 3:0. Dy edicionet e mëparshme të kësaj gare ishin zhvilluar në vitet 1985 dhe 1993. /ATVLIVE.TV

  • Manchester City mendon për pasuesin e Guardiolës, Maresca në listën e ngushtë

    Manchester City mendon për pasuesin e Guardiolës, Maresca në listën e ngushtë

    Manchester City ka nisur të mendojë seriozisht për të ardhmen e stolit teknik, në rast se Pep Guardiola vendos të largohet verën e ardhshme. Sipas raportimit të The Athletic, emri i Enzo Marescas po shqyrtohet me shumë vëmendje nga drejtuesit e klubit si një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar spanjollin.

    Maresca, i cili ka një të kaluar të lidhur ngushtë me Manchester Cityn, njihet për filozofinë e tij të lojës që përputhet me atë të Guardiolës. Ai ka qenë pjesë e stafit të Cityt si asistent dhe ka fituar përvojë të çmuar si trajner kryesor, duke ndërtuar reputacion si një nga trajnerët më premtues të brezit të ri.

    Burime pranë klubit bëjnë të ditur se ende nuk ka një vendim përfundimtar për të ardhmen e Guardiolës, por City po përgatitet për çdo skenar, duke analizuar me kujdes profilet që mund të garantojnë vazhdimësi dhe stabilitet në projektin sportiv.

    Nëse Guardiola vendos të mbyllë kapitullin e tij të suksesshëm në “Etihad”, Enzo Maresca mund të jetë një emër kyç në planin e Manchester Cityt për të ruajtur identitetin dhe ambiciet fituese në vitet në vijim.

  • KQZ: 88% e votuesve të regjistruar nga diaspora për votim me postë kanë pranuar fletëvotimet

    KQZ: 88% e votuesve të regjistruar nga diaspora për votim me postë kanë pranuar fletëvotimet

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pothuajse ka përfunduar dërgimin e të gjitha pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i dërgimit është duke u realizuar nga KQZ-ja përmes operatorit ekonomik dhe po zhvillohet sipas planifikimit, ndërsa të dhënat e fundit tregojnë se shumica dërrmuese e pakove tashmë janë dërguar drejt adresave të votuesve jashtë vendit.

    Sipas tij, nga dita martë në mëngjes kur ka filluar shpërndarja e tyre dhe deri të mërkurën në mesnatë, janë shpërndarë 88% e pakove me fletëvotime.

    “Sipas raportit që kemi pranuar, deri më 17 dhjetor 2025 (ora 23:00), nga gjithsej 57,829 dërgesa, 88% e tyre apo 50,611, janë dorëzuar me sukses te votuesit. Nga numri i përgjithshëm i dërgesave, 48.870 (90%) janë dorëzuar te votuesit në shtete në Europë, ndërkaq, 2,141 dërgesa (51%) janë dorëzuar te votuesit në shete jashtë Europës”, tha Elezi.

    Elezi ka treguar se këto statistika do të ishin edhe më të larta, nëse do të dorëzoheshin me sukses edhe 1,941 pakot tjera, por që kjo s’ka ndodhur për shkak se votuesit nuk ndodheshin në shtëpi.

    “Në 1,941 raste, dërgesat nuk janë dorëzuarpër shkak se votuesit nuk kanë qenë në shtëpi në momentin e dorëzimit të pakos me fletëvotim. Sipas kontratës, është detyrë e operatorit ekonomik që dorëzimin e zarfit ta kryejë tek adresa e votuesit dhe mund të pranohet vetëm nga votuesit ose familjarët, të cilët e nënshkruajnë pranimin e dërgesës. Po ashtu, sipas kushteve të kontratës, në adresë të një votuesi, do të shkohet deri në 3 herë për t’ia dorëzuar pakon me fletëvotim”, tha Elezi.

    Sipas Elezit, procesi i dërgimit është duke vazhduar dhe për këtë, KQZ ka miratuar më herët afatet për përgatitjen, nisjen dhe dërgimin e pakove në adresë të votuesve të regjistruar.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar afatet për përgatitjen, nisjen dhe dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Këto afate janë pjesë përbërëse e kontratës së arritur me operatorin ekonomik. Sipas planifikimeve, arritja e fletëvotimeve për votuesit në Europë planifikohet të bëhet nga data 16 deri më 18 dhjetor, ndërkaq për votuesit që ndodhen në shtetet janë Europës nga 17 deri më 19 dhjetor”, tha Elezi.

    Siaps KQZ-së, me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

  • Studim alarmues: Çaji dhe kafeja në gota kartoni mund të lëshojnë mijëra mikroplastika

    Studim alarmues: Çaji dhe kafeja në gota kartoni mund të lëshojnë mijëra mikroplastika

    Hulumtimi i fundit ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e gotave njëpërdorimshe të kartonit, të cilat përdoren gjerësisht për konsumimin e çajit dhe kafesë në jetën urbane.

    Sipas një studimi të kryer nga Instituti Indian i Teknologjisë (IIT) në Kharagpur, konsumimi i pijeve të nxehta në këto gota mund të shoqërohet me rreziqe të padukshme për shëndetin, për shkak të çlirimit të mikroplastikave gjatë kontaktit me temperaturat e larta.

    Studimi, i udhëhequr nga Prof. Sudha Goel, ka zbuluar se gotat e kartonit nuk janë të përbëra vetëm nga letra, por zakonisht janë të veshura me një shtresë të hollë plastike, kryesisht polietilen ose kopolimere të ngjashme, të cilat shërbejnë për të parandaluar depërtimin e lëngut.

    Kur në këto gota derdhen pije me temperaturë 85–90 gradë Celsius, kjo shtresë plastike fillon të degradohet.

    Rezultatet e hulumtimit tregojnë se brenda vetëm 15 minutash, në 100 mililitra pije të nxehtë mund të çlirohen rreth 25 mijë grimca mikroplastike, të padukshme për syrin e njeriut. Nëse një person konsumon tri gota çaji apo kafeje në ditë në gota kartoni, ekspozimi ditor mund të arrijë deri në 75 mijë grimca mikroplastike.

    Hulumtimi u realizua përmes dy qasjeve eksperimentale. Në fazën e parë, studiuesit derdhën ujë ultra të pastër me temperaturë 85–90 gradë Celsius në gota kartoni tregtare dhe e lanë të qëndronte për 15 minuta. Më pas, lëngu u analizua për praninë e mikroplastikave dhe joneve që mund të kishin kaluar nga materiali i gotës.

    Në fazën e dytë, gotat u ekspozuan fillimisht ndaj ujit të vakët, me temperaturë 30–40 gradë Celsius, për të ndarë me kujdes shtresën plastike nga kartoni. Kjo shtresë u analizua para dhe pas ekspozimit ndaj ujit të nxehtë, duke treguar ndryshime të dukshme në vetitë e saj fizike, kimike dhe mekanike.

    Sipas ekspertëve, mikroplastikat nuk janë materiale inerte dhe mund të veprojnë si bartës të ndotësve toksikë, përfshirë metale të rënda si kadmiumi, kromi dhe paladiumi, përbërje organike hidrofobike, si dhe substanca që mund të ndërhyjnë në sistemin hormonal.

    Studime të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), Agjencia Evropiane e Kimikateve (ECHA) dhe revista shkencore si Environmental Science & Technology dhe Nature Food sugjerojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj mikroplastikave mund të lidhet me stres oksidativ, inflamacion kronik, çrregullime hormonale dhe rritje të rrezikut për sëmundje malinje, megjithëse kërkohen ende studime afatgjata te njerëzit.

    Për të reduktuar ekspozimin ndaj mikroplastikave, ekspertët rekomandojnë shmangien e konsumimit të pijeve të nxehta në gota kartoni njëpërdorimshe, përdorimin e gotave prej qelqi, porcelani ose çeliku inox, si dhe kufizimin e produkteve plastike në kontakt me ushqime dhe pije të nxehta.

    Ky ndryshim i vogël në përditshmëri, sipas tyre, jo vetëm që ndihmon në mbrojtjen e shëndetit, por kontribuon edhe në uljen e ndotjes mjedisore duke reduktuar mbetjet plastike njëpërdorimshe.

     

  • Nuk iu përfillën kërkesat për rroga, punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protestë

    Nuk iu përfillën kërkesat për rroga, punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protestë

    Sindikata e Re e Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste për javën e ardhshme.

    Kryetari i kësaj sindikate Nexhat Llumnica ka konfirmuar për Klan Kosova se ata do të kërkojnë rritje të pagave si dhe pagën e 13-të.

    Ai mes tjerash ka theksuar se nëse nuk iu merren parasysh kërkesat, do të mbajnë edhe grevë.

    “E nëse edhe kjo e radhës nuk përfillet nga KEK, do të ndërmarrim masa ligjore dhe do të vazhdojmë drejt grevës”, shtoi Llumnica.

    Protestë për kërkesa të njëjta, ata zhvilluan edhe rreth një javë më parë.

    Ditë më parë, KEK-u pas një takimi të mbajtur me përfaqësues të sindikatave, sa i përket kërkesës për pagën e 13-të dhe rritjen e pagave, u sqarua se gjatë këtij viti KEK ka zbatuar projektin e modernizimit të turbinave, një proces që ka zgjatur rreth 5 muaj. Si rezultat, ky projekt ka ndikuar drejtpërdrejt në të hyrat e korporatës.

    “Për rrjedhojë, gjendja aktuale financiare dhe korniza ligjore nuk e mundësojnë aprovimin e kësaj kërkese, pavarësisht gatishmërisë sonë për ta shqyrtuar atë me seriozitet”, është thënë mes tjerash në njoftim.

    “Gjatë takimit, nga përfaqësuesit sindikal është kërkuar që punonjësit të njoftohen në mënyrë më të detajuar lidhur me situatën reale financiare dhe operative të korporatës. Në këtë drejtim, u theksua se, përveç sigurimit shëndetësor dhe shujtës së dinjitetshme, së shpejti do të përfundojë edhe procesi i vlerësimit të rrezikshmërisë në punë — një proces me kosto të konsiderueshme, nga i cili do të përfitojnë të gjithë punonjësit sipas vlerësimit të vendit të punës”.

  • Komunat në veri tërhiqen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

    Komunat në veri tërhiqen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

    Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – janë tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

    Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

    Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.

    Ata paralajmëruan një “shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së trashëguar juridike dhe financiare, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve”.

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, duke arsyetuar kërkesën për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, tha se kjo kurrë nuk ka qenë dëshirë e popullsisë serbe në këtë komunë dhe se bëhej fjalë për një “vendim politik”.

    Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

    Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.

  • Netflix dhe FIFA prezantojnë një lojë të re futbolli për Kupën e Botës 2026

    Netflix dhe FIFA prezantojnë një lojë të re futbolli për Kupën e Botës 2026

    Loja e preferuar në botë po vjen në Netflix.

    Këtë verë, ndërsa bota mblidhet për të festuar Kupën e Botës FIFA 2026, tifozët mund të luajnë një lojë simulimi futbolli FIFA të riimagjinuar ekskluzivisht në “Netflix Games”.

    Loja, e zhvilluar dhe publikuar nga “Delphi Interactive”, u lejon anëtarëve të “Netflix” të përjetojnë emocionin dhe dramën e turneut në formën e saj më të pastër dhe më të gëzueshme, në një format që është i shpejtë për t’u mësuar, emocionues për t’u zotëruar dhe i ndërtuar për këdo që ta marrë pjesë.

    Plus, mund të luani vetëm ose me miqtë në internet: E tëra çfarë ju nevojitet është “Netflix” dhe telefoni juaj.

    “Ne duam ta kthejmë futbollin në rrënjët e tij me diçka që të gjithë mund ta luajnë vetëm me prekjen e një butoni”, tha Alain Tascan, President i “Netflix Games”.

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha: “FIFA është shumë e emocionuar që do të bashkëpunojë me ‘Netflix Games’ dhe ‘Delphi Interactive’ përpara Kupës së Botës FIFA 2026”.

    “Ky bashkëpunim i madh është një moment kyç në angazhimin e FIFA-s ndaj inovacionit në hapësirën e lojërave të futbollit, e cila aspiron të arrijë miliarda tifozë futbolli të të gjitha moshave kudo në botë dhe do të ripërcaktojë nocionin e pastër të lojërave simuluese”.

    “Loja jonë shënon vërtet fillimin e një epoke të re të futbollit dixhital”, theksoi ai.

    Miliona njerëz tashmë e shikojnë “Netflix” në televizorët e tyre, dhe tani mund të luajnë edhe lojëra atje.

    Loja e re FIFA do t’u bashkohet titujve të publikuar së fundmi si pjesë e një grupi lojërash që anëtarët e “Netflix”-it mund t’i gjejnë në televizorët e tyre, së bashku me shfaqjet dhe filmat e tyre të preferuar, duke përdorur telefonat e tyre si leva.

  • Google nxjerr në treg syzet e para me AI vitin tjetër

    Google nxjerr në treg syzet e para me AI vitin tjetër

    “Ne duam t’ju japim lirinë të zgjidhni kombinimin e duhur të peshës, stilit dhe përvojës” shkruan Google

    Google njoftoi se do të prezantojë syzet e saj të para të pajisura me inteligjencë artificiale (AI) në vitin 2026, sipas një postimi në blogun zyrtar të kompanisë.

    Gjatë ngjarjes I/O të Google në maj, kompania bëri të ditur partneritete me Gentle Monster dhe Warby Parker.

    “Për të qenë vërtet të dobishme, AI dhe XR duhet të integrohen pa probleme në jetën tuaj dhe të përputhen me stilin tuaj personal,” shkruan Google. “Ne duam t’ju japim lirinë të zgjidhni kombinimin e duhur të peshës, stilit dhe përvojës immersive sipas nevojave tuaja”.

    Google po punon mbi disa modele syzesh me AI. Një model është i dizajnuar për asistencë pa ekran, duke përdorur altoparlantë, mikrofonë dhe kamera të integruara për t’i lejuar përdoruesit të komunikojnë me Gemini dhe të bëjnë foto.

    Modeli tjetër ka një ekran brenda lenteve, i cili është i dukshëm vetëm për personin që mban syzet dhe mund të tregojë udhëzime hap pas hapi ose titra të mbyllur.

    Gjiganti i teknologjisë gjithashtu prezantoi Project Aura. Ato funksionojë si një pajisje e zgjeruar për punë ose argëtim, duke lejuar përdoruesin të transmetojë video si në një kufje më të avancuar.

    Megjithëse Meta ka qenë lider në zhvillimin e syzeve inteligjente, Google tani bashkohet me Apple dhe Snap si kompani që pritet të sfidojnë Meta-n me pajisjet e tyre vitin e ardhshëm.

    Syzet inteligjente të Meta-s kanë fituar popullaritet pjesërisht falë partneritetit me Ray-Ban dhe shiten në dyqane të ndryshme.

    Partneriteti i Google me Warby Parker duket se do të ndjekë një strategji të ngjashme, duke investuar deri tani 75 milionë dollarë për zhvillimin dhe komercializimin e produkteve të kompanisë së syzeve.

    Nëse Warby Parker arrin disa objektiva të caktuara, Google do të investojë edhe 75 milionë dollarë shtesë dhe do të marrë një pjesë të aksioneve të markës.

  • Një teknologji e re nga MIT mund t’i japë fund shpimeve në gisht për diabetikët

    Një teknologji e re nga MIT mund t’i japë fund shpimeve në gisht për diabetikët

    Teknologjia e re e zhvilluar nga MIT përdor dritë infra të kuqe për të matur glukozën në gjak pa gjilpëra, duke ofruar një alternativë pa dhimbje për diabetikët

    Menaxhimi i diabetit sjell mjaft stres, nga përdorimi i ilaçeve deri te rreziqet afatgjata për shëndetin. Kontrollet e rregullta të sheqerit në gjak e shtojnë edhe më shumë këtë barrë. Shumica e njerëzve matin glukozën përmes shpimeve në gisht ose duke mbajtur një sensor nën lëkurë. Për ata që nuk i durojnë gjilpërat, kjo mund të jetë pjesa më e vështirë e ditës.

    Studiuesit në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT) po punojnë për një alternativë të re. Ata kanë zhvilluar një pajisje që përdor dritë infra të kuqe për të matur nivelin e sheqerit në gjak pa e shpuar lëkurën. Teknologjia bazohet në spektroskopinë Raman, një metodë që analizon mënyrën se si drita shpërndahet kur godet molekulat në inde.

    Sistemi aktual ka përmasat e një kutie këpucësh. Përdoruesi vendos krahun mbi pajisje për rreth 30 sekonda, ndërsa një rreze e vogël drite kalon përmes një dritareje qelqi dhe bie mbi lëkurë. Drita që kthehet mbrapsht ka ndryshime shumë të vogla në gjatësinë e valës, të cilat tregojnë se cilat molekula janë të pranishme, përfshirë glukozën.

    Sistemet e mëparshme Raman përpunonin rreth 1 mijë breza spektralë, shpesh me shumë zhurmë në të dhëna. Ekipi i MIT zbuloi se për llogaritjen e glukozës mjaftojnë vetëm tre breza. Kjo e bën pajisjen më të vogël, më të shpejtë dhe më të përballueshme, si dhe përmirëson saktësinë.

    Në një studim katërorësh, një vullnetar konsumoi dy pije me glukozë, ndërsa matjet u kryen çdo pesë minuta. Rezultatet e pajisjes së re përputheshin me saktësinë e dy glukometërve komercialë që vullnetari mbante njëkohësisht. Ky rezultat i befasoi edhe vetë studiuesit, pasi teknologjia është ende në fazë të hershme zhvillimi.

    Pas përmirësimit të versionit fillestar, inxhinierët e MIT ndërtuan një prototip me madhësinë e një telefoni celular. Ky model po testohet aktualisht në studime klinike me persona të shëndetshëm dhe me prediabet. Një studim më i gjerë me pacientë diabetikë pritet të nisë vitin e ardhshëm.

    Qëllimi afatgjatë është edhe më ambicioz: miniaturizimi i pajisjes deri në përmasat e një ore dore. Studiuesit duan gjithashtu të sigurohen që matjet të jenë të sakta për të gjitha tonet e lëkurës. Nëse këto hapa rezultojnë të suksesshëm, një monitor glukoze në formë ore, pa gjilpëra, mund të bëhet realitet në të ardhmen e afërt.

  • Aurela Gaçe rrëfen momentin e vështirë: “Tre muaj nuk këndova, kisha ankth dhe nuk flija”

    Aurela Gaçe rrëfen momentin e vështirë: “Tre muaj nuk këndova, kisha ankth dhe nuk flija”

    Këngëtarja e njohur Aurela Gaçe ka treguar së fundmi për një periudhë të vështirë në karrierën e saj. Artistja rrëfeu se për tre muaj nuk këndoi për shkak të këshillës së mjekut, i cili paralajmëroi se kordat e saj vokale rrezikonin dëmtim të përhershëm.

    “Më ka ndodhur që kisha ankth, nuk flija as gjumë dhe dhimbja ishte e madhe,” tha Gaçe, duke shtuar se kjo ndërprerje e detyroi të rikthehej tek stërvitja intensive dhe kujdesi ndaj zërit, si një sportist ose balerinë.