ATV

Blog

  • FSK realizon Forumin e Nënoficerëve

    FSK realizon Forumin e Nënoficerëve

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka realizuar “Forumin e Nënoficerëve të FSK-së”, me qëllim fuqizimin e bashkëpunimit profesional dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet nënoficerëve dhe oficerëve të rinj.

    Hapjen zyrtare të forumit e bëri Komandanti i KDS-së Jeton Dreshaj, i cili theksoi rëndësinë e rolit të nënoficerëve në ndërtimin e një force profesionale duke qenë shtylla kryesore për realizimin e detyrave dhe misionit të FSK-së.

    Forumi u udhëhoq nga Bedri Zuka, i cili ritheksoi përkushtimin e tij dhe të nënoficerëve në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në të gjitha nivelet. Gjithashtu gjatë këtij forumi u potencua rëndësia e ndikimit të bashkëpunimit me Gardën e IOWA-s në zhvillimin dhe edukimin profesional të nënoficerëve të FSK-së.

    Në këtë forum pjesëmarrës ishin nënoficerë të FSK-së nga të gjitha nivelet ku patën mundësi të diskutonin tema të ndryshme mbi zhvillimin e korit të nënoficerëve, ndërtimin e besimit dhe fleksibilitetit në udhëheqje, marrëdhëniet në mes të nënoficerëve dhe oficerëve etj. Pjesë e këtij forumi ishin edhe përfaqësues nga Ambasada e SHBA-së, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Garda Kombëtare e AJOV-ës, NALT, ASG Ballkan etj.

    FSK është e përkushtuar në ngritjen dhe zhvillimin e mëtejmë të korit të nënoficerëve si shtylla kryesore e forcës për kryerjen me sukses misionit kushtetues dhe ligjor.

     

  • Ardon Jashari flet për periudhën e vështirë te Milani: Të gjithë më bënë të ndihesha i rëndësishëm

    Ardon Jashari flet për periudhën e vështirë te Milani: Të gjithë më bënë të ndihesha i rëndësishëm

    Mesfushori shqiptar Ardon Jashari ka rrëfyer për herë të parë me detaje periudhën e vështirë që kaloi te Milani, pas dëmtimit të pësuar menjëherë pas transferimit në San Siro. 23-vjeçari thekson se mbështetja nga klubi ishte vendimtare për rikthimin e tij.

    “Pas një vere me negociata të gjata, të dëmtohesha menjëherë nuk ishte ideale. Askush nuk do të ishte i lumtur në vendin tim”, ka thënë Jashari për Gazzetta dello Sport, duke shtuar: “Të gjithë te Milani më shkruanin dhe më bënin të ndihesha i rëndësishëm – shokët e ekipit, stafi, trajneri dhe drejtuesit”.

    Ai pranoi se ditët e para ishin të vështira mendërisht, por koha me familjen dhe procesi i rikuperimit e ndihmuan të qetësohej dhe të fokusohej te kthimi në fushë.

    Jashari vlerësoi lart edhe trajnerin Massimiliano Allegri: “Ai është gjithmonë pranë lojtarëve. Ka përvojë dhe mund të më ndihmojë shumë në rritjen time”.

    Fjalë të veçanta pati edhe për shokët e mesfushës, Luka Modriç dhe Adrien Rabiot. “Të luash me Modriçin është e jashtëzakonshme, mund të mësosh shumë prej tij. Edhe Rabiot ka pasur ndikim të madh që nga dita e parë”, u shpreh ai.

    Sonte, Milani i Jasharit përballet me Napolin në gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë, një tjetër mundësi për mesfushorin shqiptar që të dëshmojë vlerat e tij me fanellën kuqezi.

  • ZRrE-ja vendos ta zbatojë vendimin e Supremes për liberalizimin e tregut të energjisë

    ZRrE-ja vendos ta zbatojë vendimin e Supremes për liberalizimin e tregut të energjisë

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka votuar pro zbatimit të vendimit të Gjykatës Supreme, e cila mundësoi shfuqizimin e dy neneve të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike.

    Kështu u tha në mbledhjen e mbajtur sot.

    “Nga aktgjykimi i Gjykatës Supreme është kërkuar shfuqizimi i nenit 8 dhe neni 2, nga Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë”, u tha në propozimin e kësaj pike pak para votimit.

    Supremja kishte vendosur në vendimin e shpallur më 5 nëntor, të aprovonte kërkesën e ngritur nga Oda Ekonomike e Kosovës kundër ZRrE-së lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Shfuqizimi i dy neneve erdhi me arsyetimin se ato krijojnë pabarazi dhe pasiguri juridike për konsumatorët, veçanërisht bizneset, dhe nuk ishin në përputhje me ligjet përkatëse në fuqi.

    Gjithashtu me 5 vota për anëtarët e Bordit të ZrrE-së i kanë dhënë dritën jeshile propozimit për miratimin e Rregullës për Mekanizmin Mbështetës të energjisë së Ripërtërishme.

    Ata po ashtu kanë aprovuar kërkesën për marrje të autorizimit për vet konsum të energjisë elektrike për 43 biznese private.

  • Rama përfundon vizitën te Thaçi: E gjeta të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, folëm për Kosovën e për Shqipërinë

    Rama përfundon vizitën te Thaçi: E gjeta të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, folëm për Kosovën e për Shqipërinë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

    Ai tha se “komandantin” e gjeti në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt.

    Pos tjerash, Rama shtoi se me Thaçin folën për familjet, miqtë e përbashkët, Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pati çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia dërgoi këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin, sipas Ramës, me të qeshur Thaçi e quan “institut”.

    “Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë”, ka shkruar ai.

    Ai tha se nuk di çfarë të thotë për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Evropës demokratike.

    “Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë”.

    “Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pese vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”, ka shkruar Rama.

  • Osmani: Takimet intensive në Bruksel sollën rezultate konkrete për Kosovën

    Osmani: Takimet intensive në Bruksel sollën rezultate konkrete për Kosovën

    Një ditë pasi u bë publike se në fund të janarit do të hiqen masat e fundit ndëshkuese ndaj Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka falënderuar liderët e Bashkimit Evropian për përkrahjen e tyre.

    Të mërkurën në mbrëmje, Osmani bëri të ditur se në përfundim të Samitit BE–Ballkani Perëndimor është marrë vendimi që të gjitha masat e vendosura ndaj Kosovës të hiqen.

    Ajo sqaroi se një pjesë e tyre hiqet menjëherë, ndërsa pjesa tjetër do të hiqet në fund të janarit.

    Në një postim të publikuar në Facebook, presidentja theksoi se takimet intensive gjatë samitit sollën rezultate konkrete për vendin: “Takimet intensive gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel sollën rezultate konkrete për vendin tonë. Më në fund u mor vendimi që të hiqen masat e padrejta të vendosura ndaj Kosovës. Falënderoj përzemërsisht liderët e Bashkimit Evropian, si dhe të gjithë partnerët tanë, për vlerësimin e angazhimit të palodhur të Kosovës,” shkruan Osmani.

  • Futbollisti ekuadorian Mario Pineida qëllohet për vdekje pas një antentati kundër tij

    Futbollisti ekuadorian Mario Pineida qëllohet për vdekje pas një antentati kundër tij

    Një rast tragjik ka ndodhur të mërkurën në qytetin Guayaquil të Ekuadorit,ku futbollisti Mario Pineida është vrarë pas një antenTati të bërë ndaj tij.

    Pineida u sulmua nga dy persona me motoçikleta të cilët qëlluan futbollistin e Barcelona SC,ku nuk arriti t’i shpëtoj plagëve teksa u sulmua nëna e tij dhe një person tjetër.

    Përndryshe Ministria e Brendshme e Ekuadorit konfirmoi vdekjen e tij,dhe madje dërgoi një njësi policore për të hetuar shkaqet e vrasjes së Pineidas,ndërkohë klubi Barcelona SC në një postim në rrjetet sociale ka shprehur keqardhje lidhur me vrasjen e futbollistit të tyre.

    Kujtojmë që Mario Pineida ishte pjesë e Kombëtares së Ekuadorit në botërorin e vitit 2022 në Katar,teksa më herët ka luajtur edhe në Brazil tek Fluminense.

  • Qytetet më të bukura dhe magjike për festat e fundvitit

    Qytetet më të bukura dhe magjike për festat e fundvitit

    Festat e fundvitit sjellin një atmosferë të veçantë magjike, dhe disa qytete në botë shquhen për mënyrën e tyre të pabesueshme të zbukurimit dhe festimeve. Drita ngjyrash të ndezura, tregje festive, shfaqje muzikore dhe aktivitete të ndryshme e bëjnë çdo qytet të duket si një skenë e përsosur nga përrallat.

    1. Vjena, Austri
    Vjena është e njohur për tregjet e saj të Krishtlindjes që datojnë qindra vjet më parë. Sheshi i qytetit dhe rrugët kryesore janë të mbushura me llamba të bardha dhe dekorime festive, ndërsa këndet e kafeneve ofrojnë kakao të ngrohtë dhe ëmbëlsira tradicionale austriake.

    2. Nju Jork, SHBA
    Nju Jorku është simbol i festave luksoze, me pemën gjigande të Krishtlindjes në Rockefeller Center dhe dritat spektakolare të rrugës Fifth Avenue. Shfaqjet e vitrinave të dyqaneve janë një atraksion më vete për turistët dhe vendasit.

    3. Pragë, Çeki
    Praga në dimër duket si një qytet nga një përrallë. Tregjet e Krishtlindjes në Sheshin e Vjetër dhe dritat e qindra llambave krijojnë një atmosferë të ngrohtë dhe romantike, ndërsa muzika tradicionale dhe kafeja çeke e bëjnë përvojën edhe më të veçantë.

    4. Kopenhagen, Danimarkë
    Qyteti i vogël dhe mikpritës i Kopenhagenit shndërrohet në një vend magjik me tregjet e tij të Krishtlindjes, dekorime të ndritshme dhe parqet argëtuese të hapura për fëmijët. Atmosfera e qytetit e bën çdo vizitues të ndihet pjesë e një historie festive.

    5. Berlini, Gjermani
    Berlini ofron një kombinim unik të tregjeve të Krishtlindjes, shfaqjeve live dhe dritave të mahnitshme. Tregjet më të njohura janë në Alexanderplatz dhe Gendarmenmarkt, ku mund të shijoni produkte artizanale dhe specialitete gjermane.

    Këto qytete jo vetëm që ofrojnë dekorime mahnitëse, por edhe përvojën e veçantë të festave, duke të bërë të ndihesh pjesë e një bote magjike. Festat e fundvitit janë koha kur drita dhe gëzimi bashkohen për të krijuar kujtime të paharrueshme.

  • Zyrtare: Manchester City siguron gjysmëfinalen e Carabao Cup, përballje e fortë në horizont

    Zyrtare: Manchester City siguron gjysmëfinalen e Carabao Cup, përballje e fortë në horizont

    Manchester City ka zyrtarizuar kualifikimin në gjysmëfinale të Carabao Cup, duke vazhduar rrugëtimin e suksesshëm në këtë kompeticion dhe duke u rreshtuar sërish mes favoritëve për fitimin e trofeut.

    “Qytetarët” arritën në fazën gjysmëfinale pas një paraqitjeje bindëse në çerekfinale, ku triumfuan me rezultat 2–0 ndaj Brentford, duke treguar qetësi, kontroll loje dhe efikasitet në momentet vendimtare të ndeshjes. Kjo fitore i siguroi skuadrës së Pep Guardiolës një vend mes katër më të mirave të turneut.

    Në gjysmëfinale, Manchester City do të përballet me Newcastle United, në një duel që pritet të jetë tejet i fortë dhe emocionues. Përballja do të zhvillohet në formatin me dy ndeshje, vajtje-ardhje, ku të dyja skuadrat synojnë finalen dhe trofeun e Carabao Cup.

    Rruga e Cityt drejt gjysmëfinales ka qenë e qëndrueshme, me paraqitje solide dhe rotacion të mençur të skuadrës, duke dëshmuar thellësinë dhe cilësinë që ka ekipi edhe në kompeticionet kupë.

    Tashmë, me gjysmëfinalen të siguruar, Manchester City e ka të qartë objektivin: të hedhë hapin e radhës drejt finales dhe të luftojë për një tjetër trofe në epokën e Guardiolës. Pyetja që mbetet është nëse “Qytetarët” do të arrijnë ta kurorëzojnë këtë rrugëtim me triumf në fund.

  • Liderët e BE-së mblidhen për financimin e Ukrainës, teksa Moska e Kievi shkëmbejnë sulme

    Liderët e BE-së mblidhen për financimin e Ukrainës, teksa Moska e Kievi shkëmbejnë sulme

    Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur të enjten në një samit në Bruksel, për të vendosur për mënyrën e përdorimit të aseteve të ngrira ruse për plotësimin e nevojave ekonomike dhe ushtarake të Ukrainës në vitet e ardhshme.

    Ndërkohë, Kievi dhe Moska kanë shkëmbyer sulme me dronë gjatë natës.

    Samiti i BE-së vjen një ditë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i kritikoi ashpër udhëheqësit e bllokut, duke përdorur një fjalë që mund të përkthehet si “derra të rinj”, dhe përsëriti pohimet se Moska do t’i arrijë qëllimet e luftës së saj në Ukrainë me forcë, nëse një nismë e Shteteve të Bashkuara për paqe nuk prodhon ndonjë marrëveshje që plotëson kërkesat ruse.

    Forcat ruse nisën një sulm masiv me dronë ndaj qytetit qendror Çerkasi, duke plagosur gjashtë njerëz, thanë autoritetet. Ihor Taburets, kreu i administratës ushtarake rajonale, tha se forcat ruse goditën infrastrukturë kritike, duke lënë një pjesë të qytetit pa energji elektrike.

    Sulmet gjatë natës ndërprenë furnizimin me rrymë për më shumë se 180.000 banorë në rajonet Çerkasi, Mikolaiv, Zaporizhja, Sumi dhe Dnipropetrovsk, por energjia elektrike ishte rikthyer për shumicën e tyre, tha ministri në detyrë i Energjisë, Artem Nekrasov.

    Rusia ka goditur infrastrukturën energjetike dhe elektrike që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, dhe forcat e saj i kanë intensifikuar këto sulme këtë vjeshtë teksa nisjen e ftohjes së motit.

    Rusia e ka sulmuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës 4.500 herë gjatë vitit 2025, tha ai.

    Këto sulme po ndodhin në një kohë kur udhëheqësit e Bashkimit Evropian po përgatiten të vendosin nëse do ta miratojnë një kredi disa miliardë euroshe, e mbështetur nga asetet e ngrira ruse, për të siguruar financim për Kievin.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mbërriti në Bruksel për të marrë pjesë në takimin dhe u tha gazetarëve se, pa një rezultat pozitiv, “Ukraina do ta ketë një problem të madh”.

    Belgjika, ku mbahet pjesa më e madhe e parave, ka frikë se plani mund ta lërë atë të cenueshme ligjërisht, dhe edhe vende të tjera, përfshirë Italinë, kanë shprehur dyshime.

    “Tani kemi një zgjedhje të thjeshtë – ose paratë sot, ose gjaku nesër. Dhe, nuk po flas vetëm për Ukrainën, po flas për Evropën”, tha kryeministri polak Donald Tusk, teksa udhëheqësit e BE-së mbërritën në samitin në Bruksel.

    “Ky është vendim që duhet ta marrim ne, dhe vetëm ne”, shtoi ai.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se nuk do të largohej nga samiti pa një marrëveshje për mënyrën se si të financohet Ukraina gjatë dy vjetëve të ardhshme.

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e bëri një paralajmërim të ashpër më herët këtë javë.

    “Nëse nuk ia dalim mbanë për këtë, atëherë aftësia e Bashkimit Evropian për të vepruar do të dëmtohet rëndë për vite me radhë, nëse jo më gjatë, dhe do t’i tregojmë botës se jemi të paaftë të qëndrojmë të bashkuar dhe të veprojmë në një moment kaq vendimtar të historisë sonë”, tha ai.

    Në një fjalim gjatë një aktiviteti vjetor të Ministrisë së Mbrojtjes më 17 dhjetor, Putin u përpoq të fajësonte paraprakisht Evropën dhe Ukrainën për çdo dështim të përpjekjeve për paqe, duke thënë se Rusia do të marrë më shumë territor me forcë nëse Kievi dhe udhëheqësit evropianë, të cilët ai i përshkroi si “derra të rinj”, nuk kanë qasje të duhur ndaj propozimeve të SHBA-së.

    “Nëse pala kundërshtare dhe mbështetësit e saj të huaj refuzojnë të angazhohen në diskutime thelbësore, Rusia do ta arrijë çlirimin e tokave të saj historike me mjete ushtarake”, tha Putin, duke hedhur poshtë çdo propozim që kërkon nga Moska të bëjë lëshime territoriale.

    Moska kontrollon gati një të pestën e Ukrainës, dhe zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se nuk do të bëjnë kompromis për pesë rajonet ukrainase që Putin, pa asnjë bazë, pretendon se janë ruse.

  • Të paktën 4 të vdekur në sulmin e ri amerikan ndaj një motoskafi në Paqësor

    Të paktën 4 të vdekur në sulmin e ri amerikan ndaj një motoskafi në Paqësor

    Ushtria amerikane njoftoi të mërkurën se kishte nisur një sulm të ri ajror kundër një motoskafi në Paqësorin lindor, i cili sipas saj po transportonte drogë, duke vrarë katër persona në bord.

    Komanda e Përbashkët e SHBA-së përgjegjëse për Amerikën e Jugut (SOUTHCOM) tha nëpërmjet X se kishte “informacion” se anija po “transportonte drogë ” dhe shtoi se “gjithsej katër narko-terroristë meshkuj” u vranë — pa paraqitur asnjë provë për këto pretendime — dhe publikoi një video të deklasifikuar 15-sekondëshe të sulmit.

    Që nga fillimi i shtatorit, SHBA-të kanë bombarduar motoskafe që pretendojnë se transportonin drogë në Karaibe dhe Oqeanin Paqësor. Sipas deklaratave të administratës Donald Trump, të paktën 99 persona janë vrarë në këto sulme. Nuk është paraqitur kurrë asnjë provë se anijet e synuara ishin të përfshira në aktivitete kriminale.

    Ekspertët dhe OKB-ja kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e këtyre operacioneve.

    Administrata Trump akuzon konkretisht Presidentin Venezuelan Nicolas Maduro si kreun e një rrjeti trafikimi droge, një pretendim që personi në fjalë e mohon, duke akuzuar Uashingtonin se kërkon ta rrëzojë atë me qëllim që të sekuestrojë rezervat e naftës të vendit latino-amerikan, të cilat janë ndër më të mëdhatë në botë.

    “Venezuela është e rrethuar nga armata më e madhe e drogës e mbledhur ndonjëherë në historinë e Amerikës së Jugut”, tha Donald Trump pardje nëpërmjet Truth Social, duke shtuar se fuqia e saj do të vazhdojë të “rritet”.

    “Goditja që do të pësojnë do të jetë e pashembullt”, kërcënoi presidenti amerikan, i cili shpesh kohët e fundit ka ngritur mundësinë e operacioneve tokësore në tokën venezueliane.

    Në të njëjtën kohë, dje, SHBA-të njoftuan se do të vendosnin personelin e forcave ajrore në Ekuador, një qendër për trafikimin e kokainës së prodhuar në vende të tjera të rajonit, si pjesë e një operacioni “të përkohshëm”.