ATV

Blog

  • Kryetari i Fenerbahçes, Sadettin Saran, lirohet nën kontroll gjyqësor pas akuzave për drogë

    Kryetari i Fenerbahçes, Sadettin Saran, lirohet nën kontroll gjyqësor pas akuzave për drogë

    Kryetari i Fenerbahçes, Sadettin Saran, u lirua më 25 dhjetor nën kontrolle gjyqësor, pas ndalimit që iu bë pasi në test droge rezultoi pozitiv.

    Rasti është pjesë e një hetimi të gjerë që ka tronditur Turqinë javët e fundit, ku janë ndaluar prezantues televizivë, gazetarë, këngëtarë, aktorë dhe influencerë, nën akuza për prodhim dhe trafikim të narkotikëve.

    Saran u mor fillimisht në pyetje më 20 dhjetor dhe iu nënshtrua testeve toksikologjike. Ai u ndalua më 24 dhjetor, pasi ekspertët mjeko-ligjorë gjetën gjurmë kokainë në mostrat e flokëve të tij, ndërsa testet e gjakut, urinës dhe thonjve rezultuan negative.

    Deklarata e tij para autoriteteve më 25 dhjetor zgjati rreth dy orë. Nën kontrolle gjyqësor, Saran është i detyruar të paraqitet dy herë në javë pranë autoriteteve.

    Anëtari i bordit të Fenerbahçes, Ertan Torunoğulları, së bashku me tifozë, shprehën solidaritet për Saranin para Gjykatës Çağlayan në Stamboll, ndërsa bordi ekzekutiv i klubit zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme për të rishikuar situatën.

    Klubi publikoi një deklaratë duke shprehur mbështetje të plotë për Saranin dhe duke garantuar tifozët se aktivitetet e Fenerbahçes do të vazhdojnë pa ndërprerje. /ATVLIVE.TV

  • Raporti i Ukrainës: Rusia ka humbur mbi 1 milion ushtarë që prej shkurtit 2022

    Raporti i Ukrainës: Rusia ka humbur mbi 1 milion ushtarë që prej shkurtit 2022

    Sipas raportit të përditshëm të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, të publikuar më sot bëhet e ditur se Rusia ka humbur rreth 1,201,230 ushtarë (të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur) që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë më 24 shkurt 2022.

    Kjo shifër përfshin 860 humbje vetëm gjatë 24 orëve të fundit.

    Raporti thekson gjithashtu humbje të mëdha në pajisje ushtarake ruse: 11,456 tanke, 23,801 automjete të blinduara luftarake, 71,274 automjete dhe cisterna karburanti, 35,435 sisteme artilerie, 1,579 sisteme raketore të lëshimit të shumëfishtë (MLRS), 1,263 sisteme mbrojtjeje ajrore, 434 avionë, 347 helikopterë, 94,797 dronë (UAV), 4,107 raketa kruiz, 28 anije dhe varka luftarake, si dhe 2 nëndetëse.

    Ndërkaq, më herët presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij për Krishtlindje theksoi unitetin kombëtar në kohë lufte.

    Sipas Zelenskyt, Ukraina kërkon paqe ndërsa Rusia vijon të kërkojë luftë.

    “Prej kohësh të lashta, ukrainasit kanë besuar se natën e Krishtlindjes qielli hapet. Dhe nëse u tregoni dëshirën tuaj, ajo patjetër do të realizohet. Sot, ne të gjithë kemi një ëndërr të përbashkët. Dhe shprehim një dëshirë të përbashkët për të gjithë,” u shpreh Zelensky.

  • Kurti i përgjigjet kritikave për shtesat 100-euroshe: Çdo herë i kemi ndarë para Vitit të Ri

    Kurti i përgjigjet kritikave për shtesat 100-euroshe: Çdo herë i kemi ndarë para Vitit të Ri

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kritikave për vendimin e Qeverisë në detyrë për të ndarë shtesa prej 100 eurosh për pensionistët dhe fëmijët në prag të zgjedhjeve, duke theksuar se kjo praktikë është e zakonshme dhe nuk përbën asgjë të re prej që ka ardhur në ekzekutiv.

    Ai ka thënë se çdo herë para festave i gëzojnë të moshuarit dhe fëmijët.

    “A kanë qenë ato shtesa edhe vitin e kaluar? A kanë qenë edhe para vitit të kaluar? Çdo herë para Vitit të Ri, kur kemi dimër e kemi festa, ne i gëzojmë të moshuarit dhe fëmijët. Nuk ka asgjë të re në këtë aspekt. E re është qeverisja jonë, e cila do të vazhdojë edhe mandatin e tretë”, ka deklaruar Kurti gjatë një vizite në stadiumin e futbollit në Shtime të enjten.

    Vendimi për të ndarë këto shtesa ka shkaktuar kritika, ku ish-opozita e ka cilësuar këtë lëvizje si “blerje votash”, pasi paratë po shpërndahen vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

    Të mërkurën (dje), Kurti njoftoi se pensionistët dhe fëmijët do t’i marrin 100 euro, të cilat do të ekzekutohen më 29 dhjetor – një ditë pasi të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

  • Ngjarja që po bën bujë: Ish-gruaja e Achraf Hakimit kërkon falje pas divorcit

    Ngjarja që po bën bujë: Ish-gruaja e Achraf Hakimit kërkon falje pas divorcit

    Ish-gruaja e mbrojtësit të PSG-së, Achraf Hakimi, Hiba Abouk, thuhet se ka kërkuar falje dhe shpreh pendesë për vendimin që mori për divorcin.

    Burimet pranë çiftit bëjnë të ditur se Abouk pretendon se ishte keqinformuar nga miqtë dhe veproi nën ndikimin e emocioneve dhe tani po i lutet Hakimit të rikthehen sërish bashkë.

    Kjo situatë ka marrë një kthesë interesante për shkak të kohës së ngjarjes, falja thuhet se ka ardhur menjëherë pas rinovimit të kontratës së Hakimit me PSG-në, e cila i ka rritur pagën në 14 milionë euro në vit.

    Sipas disa burimeve, këto të ardhura vijojnë të përfundojnë në llogarinë e nënës së mbrojtësit, duke shtuar më shumë debat mbi motivet e faljes dhe situatën personale të çiftit. /ATVLIVE.TV

  • Gareth Bale ndërton futbollistin e tij perfekt – Një kombinim i yjeve të futbollit botëror

    Gareth Bale ndërton futbollistin e tij perfekt – Një kombinim i yjeve të futbollit botëror

    Gareth Bale ka zbuluar se si do të dukej futbollisti i tij perfekt, duke marrë cilësitë më të mira nga disa prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror.

    Sipas Bale, këmbën e djathtë e do nga Toni Kroos, një nga mesfushorët më preciz dhe të qetë në histori, ndërsa këmbën e majtë do ta kishte nga vetë Bale, duke përfshirë forcën dhe saktësinë e tij karakteristike në gjuajtje.

    Në mesfushë, ai do të kishte zemrën e madhe të Casemiros, që simbolizon energjinë, përkushtimin dhe aftësinë për të mbuluar gjithë fushën, dhe instinktin e golit të Cristiano Ronaldos, i njohur për aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të gjetur rrjetën në momentet vendimtare.

    Në mbrojtje, Bale zgjedh qetësinë dhe forcën e Sergio Ramos, një lider i vërtetë dhe mbrojtës që nuk e humb kurrë guximin në situata të vështira, ndërsa shpejtësinë do ta merrte nga Kylian Mbappé, duke e bërë futbollistin e tij perfekt të pakapshëm në kundërsulme.

    Dhe për momentet vendimtare, ato që ndryshojnë ndeshjet dhe vendosin tituj, Bale nuk e ndryshon vetveten – futbollisti i tij perfekt do të kishte guximin, talentin dhe klasin e Gareth Bale për të shkëlqyer kur skuadra ka më shumë nevojë. /ATVLIVE.TV

  • Nathan Ake në radarin e gjigantit katalunas Barcelona

    Nathan Ake në radarin e gjigantit katalunas Barcelona

    Gjiganti katalunas Barcelona mund të përforcohet me mbrojtës të ri gjatë afatit kalimtar të janarit.

    Sipas mediumit spanjoll Fichajes Nathan Ake është futur në radarin e blaugranasve,dhe shihet si një alternativë e duhur në repartin ku Barca ka pasur problem gjatë këtij sezoni.

    Përndryshe Ake nuk po gjen hapësira të mjaftueshme tek Manchester City,duke marrë parasysh edhe konkurrencën e madhe.

    Në anën tjetër tek Barcelona holandezi mund të luajë si mbrjotës krahu dhe si qendërmbrojtës,ku pikërisht në këtë rol po ka porbleme ku lojtarë si Araújo, Christensen dhe Koundé nuk kanë treguar paraqitje të mira.

    Kujtojmë që Nathan Ake deri më tani ka bërë vetëm 15 paraqitje për Man City-in nëtë gjitha garat,teksa ka kontratë me Citizens deri në qershor të vitit 2027.

  • Xherdan Shaqiri zhgënjimi më i madh!

    Xherdan Shaqiri zhgënjimi më i madh!

    Mediumi zviceran “Blick” ka publikuar rezultatet e sondazhit të tij mbi lojtarët dhe trajnerët më të mirë të Superligës së Zvicrës për gjysmën e parë të sezonit. Mbi 1,700 vota u hodhën deri më 24 dhjetor, duke përfshirë kategori si: lojtari më i mirë, portieri më i mirë, trajneri më i mirë, lojtari i ri më i mirë dhe zhgënjimi më i madh.

    Zhgënjimi më i madh:

    Xherdan Shaqiri (34) u konsiderua zhgënjimi më i madh. Edhe pse me gjashtë gola dhe tetë asistime, ai ka pasur probleme me lëndime dhe ka humbur tre penallti, ndërsa FC Basel ka pasur vështirësi këtë sezon. Shaqiri mori rreth 18% të votave në këtë kategori, i ndjekur nga Moritz Broschinski dhe dy yjet e Young Boys, Gregory Wüthrich dhe Loris Benito.

    Portieri më i mirë:

    Lawrence Ati Zigi (29), i St. Gallen, u shpall portieri më i mirë nga tifozët, edhe pse nuk është në dhjetëshen e portierëve me më shumë gola të paprekur. Ai renditet i treti për pritjet e gjuajtjeve, duke lënë pas Marwin Hitzin, i cili mori vetëm një të tretën e votave të Zigit.

    Lojtari më i mirë:

    Mesfushori i FC Luzern, Matteo di Giusto (25), u zgjodh lojtari i gjysmës së parë të sezonit me 28% të votave. Ai ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë gjashtë asistime, duke qenë golashënuesi i dytë dhe asistuesi më i mirë i ligës.

    Trajneri më i mirë:

    Mauro Lustrinell (49) i Thun u shpall trajneri më i mirë sipas tifozëve. Pas tij, shumë më pas, renditet Enrico Maassen i St. Gallen, i cili shpesh kritikohet për stilin e lojës, por renditet i dyti sipas votave.

    Lojtari i ri më i mirë:

    Alessandro Vogt (20), sulmues i FC St. Gallen dhe përfaqësues i U21, u votua si lojtari i ri më i mirë. Ai ka luajtur 19 ndeshje këtë sezon (18 si titullar), ka shënuar tetë gola dhe ka dhënë tre asistime, duke siguruar rreth 10% të votave. /ATVLIVE.TV

  • Detaje të reja mbi kontratën e Endrick

    Detaje të reja mbi kontratën e Endrick

    Detaje të reja mbi klauzolat e kompleksuara në kontratën e Endrick me Real Madridin janë zbuluar nga Diario AS.

    Reali arriti një marrëveshje prej 35 milionë eurosh me Palmeiras, me deri në 25 milionë euro të tjera në formë bonuseve të bazuara në performancë, të cilat u aktivizuan pasi sulmuesi mbushi 18 vjeç në vitin 2024. Duke përfshirë tarifën fikse, komisionet dhe pagën, klubi madrilen ka investuar tashmë afro 70 milionë euro te talenti brazilian.

    Një pjesë e konsiderueshme e bonuseve lidhet drejtpërdrejt me performancën individuale të lojtarit: deri në vitin 2030, Real Madridi paguan 35 mijë euro për çdo gol, asist ose penallti të fituar nga Endrick, me një kufi maksimal prej 12.5 milionë eurosh. Çdo paraqitje si titullar prej të paktën 45 minutash i kushton klubit 75 mijë euro, ndërsa ekzistojnë edhe shpërblime shtesë të lidhura me sukseset ekipore.

    Nga ana tjetër, Palmeiras përfiton deri në 1 milion euro për fitimin e titullit në La Liga dhe deri në 2 milion euro për paraqitjet në Ligën e Kampionëve, në varësi të rolit dhe aktivizimit të Endrick.

    Me 19 vjeçarin që këtë sezon ka qëndruar shpesh në stol nën drejtimin e Xabi Alonsos dhe ka pasur vështirësi për të gjetur vazhdimësi, Real Madridi ka vendosur ta huazojë te Lyon, me qëllim mbrojtjen e investimit të bërë te talenti i ri. /ATVLIVE.TV

  • Dafina Zeqiri nderohet me “Hyjneshën në Fron” nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

    Dafina Zeqiri nderohet me “Hyjneshën në Fron” nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

    Dafina Zeqiri është nderuar me “Hyjneshën në Fron” nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Përmes një postimi në Facebook, i pari i kryeqytetit ka thënë se artistja përfaqëson jo vetëm kryeqytetin, por të gjithë shqiptarët.

    “Dafina Zeqiri është më shumë se një artiste e suksesshme. Ajo është za i fortë i brezit të saj, që përmes muzikës flet për liri personale, fuqizim të grave dhe guxim për të qenë vetvetja. Dafina e ka përdorur talentin e saj jo veç për hite, por edhe per mesazh per kauze. Ka fol për respektin, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, duke tregua se suksesi pa qëndrim nuk ka vlerë dhe se arti mundet me ndryshu jeten e njerzve”.

    “Sot, me shumë kënaqësi, i dhuruam Hyjneshën në Fron një artisteje që përfaqëson jo vetëm kryeqytetin, por krejt shqiptarët. Dafina eshte origjinale dhe me energjinë e saj, ajo vazhdon me frymëzu mijëra të tjerë që të besojnë në veten e tyre dhe të ndjekin ëndrrat pa compromise”, ka shkruar Rama.

    Ndarja e këtij vlerësimi vjen në sinkron me koncertet e Dafina Zeqirit, të cilat do të mbahen më 25 dhe 26 qershor në Prishtinë.

    Artistja po vjen me një koncert madhështor të titulluar “Supernova”.

     

  • Arrestohet zjarrfikësi shqiptar, përdorte lokalin për të shitur drogë

    Arrestohet zjarrfikësi shqiptar, përdorte lokalin për të shitur drogë

    Një zjarrfikës në qytetin e Pogradecit është arrestuar nga policia pasi përdorte lokalin që kishte në administrim, për të shitur drogë.

    Në pranga ra 54-vjeçari, Luan Sulstarova, ndërsa në lokal u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis dhe një shumë parash që i posedonte i arrestuari.

    “Nga kontrolli në lokalin që administronte ky shtetas, në lagjen nr.1, Pogradec, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, një shumë parash e cila dyshohet të jetë siguruar nga ky aktivitet dhe 2 aparate celularë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”, tha policia, raporton A2.

    Menjëherë pas arrestimit, me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të shërbimit zjarrfikës, Arben Cara, Sulstarova u pezullua nga puna. Mësohet se deri në përfundim të hetimeve dhe zbardhjes së plotë të rrethanave, zjarrfikësi do të jetë i pezulluar nga detyra.