ATV

Blog

  • KMDLNJ-ja kërkon hetim ndaj ZRrE-së: Faturat e rrymës përbëjnë abuzim të rëndë ekonomik

    KMDLNJ-ja kërkon hetim ndaj ZRrE-së: Faturat e rrymës përbëjnë abuzim të rëndë ekonomik

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) i ka cilësuar si abuzim të rëndë ekonomik ndaj qytetarëve të Kosovës faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor, ndërsa kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetojë punën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

    KMDLNJ-ja ka thënë se ka pranuar një numër të madh ankesash nga qytetarët, të cilët raportojnë se faturat e dhjetorit janë mbi 70 për qind më të larta krahasuar me muajin paraprak. Në reagim thuhet se një rritje e tillë është e pabesueshme, e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme, sidomos duke marrë parasysh se temperaturat mes dy muajve nuk kanë pasur dallime të ndjeshme, çka përjashton rritjen e konsumit si arsye.

    “KMDLNJ-ja vlerëson se kjo situatë përbën abuzim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe rëndon në mënyrë disproporcionale mbi buxhetin e familjeve kosovare, duke thelluar varfërinë dhe pasigurinë sociale”, thuhet në reagim.

    Organizata ka akuzuar ZRRE-në se, që nga themelimi i saj, ka vepruar vazhdimisht në dëm të qytetarëve dhe paguesve të rregullt të energjisë elektrike, duke fryrë faturat në kundërshtim me ligjin. Sipas KMDLNJ-së, këtë e dëshmon edhe një vendim gjyqësor që ka konstatuar diskriminim të qytetarëve në baza etnike dhe politike, pa pasuar kompensim për dëmet e shkaktuara.

    Po ashtu, KMDLNJ-ja vlerëson se mbështetja institucionale që Qeveria e Kosovës i ka dhënë ZRRE-së e bën atë bashkëpërgjegjëse për situatën aktuale, duke e identifikuar si pjesë të procesit të varfërimit të qytetarëve.

    Në reagim shprehet shqetësim edhe për blerjen e energjisë elektrike me çmime të larta, kryesisht nga tregtarë serbë dhe grekë, si dhe për dyshime të bazuara për korrupsion që, sipas KMDLNJ-së, përfshijnë ambasadorin Martin Berishaj dhe ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    “Këto praktika ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët fundorë. Licencimi i operatorëve për tregti me energji elektrike në baza nepotiste dhe politike nxit dyshime serioze për korrupsion institucional të mirëplanifikuar”, thuhet në reagim, duke veçuar si alarmante dhënien e monopolit të tenderëve për shitblerje të energjisë një shtetasi serb, Vuk Hamoviq.

    KMDLNJ-ja ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë punën e ZRRE-së që nga fillimi i veprimtarisë së saj, dhënien e licencave monopolizuese, proceset e licencimit me baza nepotiste e politike, vendosjet politike në pozita kyçe si dhe të gjitha kontratat për blerje dhe shitje të energjisë elektrike.

    Po ashtu, organizata ka paralajmëruar se një rritje e re e çmimit të energjisë elektrike, e paraparë të shqyrtohet nga ZRRE-ja në mars 2026, do ta përkeqësonte edhe më tej gjendjen ekonomike të familjeve kosovare, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve dhe shërbimeve. KMDLNJ-ja ka ftuar qytetarët që të kundërshtojnë çdo rritje të çmimit të rrymës, pavarësisht se cila qeveri është në pushtet.

  • Reshjet e borës, Durmishi thotë se të gjithë operatorët janë aktivizuar për mirëmbajtjen e rrugëve

    Reshjet e borës, Durmishi thotë se të gjithë operatorët janë aktivizuar për mirëmbajtjen e rrugëve

    Me fillimin e reshjeve të borës, operatorët e mirëmbajtjes rrugore janë aktivizuar për kriposjen dhe pastrimin e rrugëve në të gjithë vendin, ka njoftuar ushtruesi i detyrës së Ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    “Me fillimin e reshjeve të borës, janë aktivizuar operatorët e mirëmbajtjes për kriposjen dhe pastrimin e rrugëve dhe janë vënë në gjendje gatishmërie,” ka deklaruar Durmishi.

    Ai ka theksuar se institucionet janë të përgatitura për sezonin dimëror dhe se synimi është që qarkullimi të mos pengohet nga kushtet atmosferike.

    “Siç kemi theksuar, jemi të përgatitur që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme gjatë sezonit dimëror,” ka shtuar ai.

    Megjithatë, ushtruesi i detyrës së ministrit ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, për shkak të kushteve të vështira në rrugë.

    “Kujdesi i shtuar në komunikacion mbetet i domosdoshëm,” ka përfunduar Durmishi./Telegrafi/

  • Juventus synon të nënshkruajë me Sandro Tonalin

    Juventus synon të nënshkruajë me Sandro Tonalin

    Gjiganti italian Juventus po synon që të bëjë përforcime në repartin e mesfushës.

    E përditshmja italiane Gazetta Dello Sport bën të ditur se “Zonja e Vjetër” është duke konsideruar që të transferojë mesfushorin Sandro Tonali,dhe pritet që të jap një ofertë në drejtim të klubit anglez Newcastle United.

    Përndryshe tek Newcastle United janë të bindur se Tonali nuk do të largohet,por reprezentusi i Italisë ka përmednur një mundësi të një rikthimi në Serie A nëse vije një ofertë nga një gjigant i njohur.

    Ndërkohë mbetet të shihet sesi do të rrjedhin gjërat në vijim se nëse Juventus do të mund të realizoj transferimin e Tonalit,marrë parasysh edhe koston e transferimit të yllit italian dhe kjo varet se nëse bianconerët kualifikohen në Ligën e Kampionëve.

    Kujtojmë që Sandro Tonali ka bërë 24 paraqitje për Neëcastle United në të gjitha garat,duke dhuruar vetëm 4 asistime.

  • Pesë shtetet ku Krishtlindja është e ndaluar

    Pesë shtetet ku Krishtlindja është e ndaluar

    Derisa në shumicën e vendeve të botës 25 dhjetori është ditë feste, në disa të tjera është një ditë e zakonshme.

    Ka disa shtete ku Krishtlindja nuk festohet si festë zyrtare, dhe arsyet për këtë lidhen shpesh me kulturën ose fenë.

    Pesë shtetet ku nuk festohet Krishtlindja:

    Koreja e Veriut

    Nuk ka vend për festa fetare si Krishtlindja në Korenë e Veriut. Ideologjia totalitare e shtetit nuk toleron fenë sepse e sheh si konkurrencë ndaj pushtetit shtetëror dhe kultit të personalitetit që është ndërtuar rreth dinastisë Kim prej vitesh, raportoi Index.

    Çdo formë e festimit të Krishtlindjes mund të rezultojë në burgim ose ndëshkime të tjera.

    Në vend të festave fetare, kalendari shtetëror është i mbushur me data kur festohet lidershipi dhe historia e regjimit. Ngjarja më e rëndësishme dimërore është përvjetori i lindjes së Kim Jong-il.

    Arabia Saudite

    Si vendlindje e islamit, Arabia Saudite ka një qëndrim të qartë për Krishtlindjen: nuk është në pajtueshmëri me doktrinën islame. Për vite, dekorimet publike, bredhat e Krishtlindjes, apo çdo festim i dukshëm është i ndaluar rreptësisht, dhe festimet janë të kufizuara në hapësira private.

    Në vitet e fundit, ka pasur disa ndryshime të vogla, më shumë për shkak të përpjekjes për hapje ndaj turizmit. Në disa hotele luksoze dhe qendra tregtare dekorime modeste “sezonale” mund të shihen – por pa simbole fetare.

    Brunei

    Brunei zbaton një version të rreptë të Sheriatit që vendos për hapësirën publike. Edhe pse ata që nuk janë myslimanë lejohen ta festojnë Krishtlindjen në privatësi, gjithçka që mund të duket si “promovim i një feje tjetër” mes myslimanëve konsiderohet e ndaluar.

    Bredhi, dritat apo vetëm një kapele babadimri mund të rezultojë me gjobë. Madje autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët që të përmbahen nga urimet për Krishtlindje në publik.

    Somalia

    Somalia, një shtet me shumicë myslimane dhe situatë komplekse të sigurisë, shkon një hap më tutje: Krishtlindja është komplet e ndaluar.

    Arsyet janë për shkak të identitetit fetar dhe për siguri – autoritetet besojnë se festimi në publik mund të nxisë tensione dhe reagime nga grupet ekstremiste.

    Shteti ndalon dekorimet në publik, tubimet apo edhe frazat “Urime Krishtlindja”. Fokusi është te festat islame.

    Taxhikistani

    Taxhikistani nuk e ka ndaluar zyrtarisht Krishtlindjen, por autoritetet vazhdimisht i dekurajojnë njerëzit kundër festimit. Është pjesë e një politike më të gjerë për kufizimin e kulturave të huaja dhe ndikimit fetar, ndërsa synon forcimin e identitetit kombëtar.

    Autoritetet këshillojnë shkollat dhe bizneset kundër dekorimeve apo festimeve, dhe shitja e bredhave apo dekorimeve është e ndaluar.

    Ky shtet fuqishëm promovon festimet tradicionale si Nevruzi (Viti i Ri Persian).

  • OBSh: Një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Evropë lidhen me alkoolin

    OBSh: Një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Evropë lidhen me alkoolin

    Sipas një raporti të Organizata Botërore e Shëndetësisë, rreth një e treta e vdekjeve nga lëndimet në Evropë lidhen drejtpërdrejt me konsumin e alkoolit.

    OBSH e cilëson këtë një problem serioz të shëndetit publik, pasi alkooli dëmton gjykimin dhe koordinimin, duke rritur rrezikun për aksidente, dhunë dhe dëmtime të tjera.

    Të dhënat tregojnë se ndikimi i alkoolit është i përhapur në të gjitha vendet europiane dhe prek të gjitha grupmoshat. Megjithatë, të rinjtë dhe burrat rezultojnë të prekur në mënyrë disproporcionale nga vdekjet dhe lëndimet e lidhura me alkoolin.

    Masat parandaluese të rekomanduara nga OBSH

    OBSH nënvizon nevojën për ndërhyrje të forta dhe të qëndrueshme, mes tyre:

    Kufizime më të rrepta për disponueshmërinë dhe shitjen e alkoolit;

    Fushata informuese dhe ndërgjegjësuese për rreziqet e konsumit;

    Ndërhyrje të synuara për grupet me rrezik të lartë;

    Forcim të kontrollit rrugor dhe zbatimit të ligjit kundër drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit.

    Kosto sociale dhe ekonomike

    Raporti vë në dukje edhe kostot e larta sociale dhe ekonomike të keqpërdorimit të alkoolit. Lëndimet e lidhura me të rëndojnë sistemet shëndetësore, shërbimet e emergjencës, zbatimin e ligjit dhe shërbimet sociale.

    Në përfundim, OBSH bën thirrje për politika të koordinuara në nivel kombëtar dhe rajonal, me qëllim uljen e dëmeve dhe parandalimin e humbjes së jetëve të shmangshme nga incidentet e lidhura me alkoolin.

  • Gucati shpreh ngushëllime për vdekjen e babait të Calit: Dhimbja bëhet edhe më e rëndë që djali i tij s’u lejua ta vizitojë në momentet e fundit të jetës

    Gucati shpreh ngushëllime për vdekjen e babait të Calit: Dhimbja bëhet edhe më e rëndë që djali i tij s’u lejua ta vizitojë në momentet e fundit të jetës

    Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar për vdekjen e babait të Salih Mustafës, Jahja Musatafa.

    Ai theksoi se dhimbja është e madhe, pasi Cali nuk u lejua ta vizitojë.

    “Lajmi për vdekjen e Bacës Jahja Mustafa na preku thellë. Dhimbja bëhet edhe më e rëndë kur mendojmë se djali i tij, shoku dhe bashkëluftëtari ynë, po mbahet padrejtësisht nga Gjykata Speciale dhe nuk iu lejua mundësia ta vizitonte babain në momentet e fundit të jetës.

    Ngushëllime të thella për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur Bacën Jahja.

    Pusho në paqe, Bace!”, ka shkruar Gucati.

     

     

  • Gjendja e Edon Zhegrovës përmirësohet, mund të luajë kundër Pisas

    Gjendja e Edon Zhegrovës përmirësohet, mund të luajë kundër Pisas

    Edon Zhegrova ka munguar së fundmi në stërvitjet e Juventusit për shkak të gripit, i shoqëruar nga një temperaturë e lehtë. Megjithatë, mediat italiane raportojnë se gjendja e yllit kosovar po përmirësohet.

    Kjo tregon se ish-futbollisti i Lille mund të jetë i gatshëm dhe në dispozicion të trajnerit Luciano Spalletti për ndeshjen e së shtunës, më 27 dhjetor, kur Juventus do të luajë ndaj Pisas në transfertë, duke filluar nga ora 20:45.

    Vendimi përfundimtar rreth pjesëmarrjes së Zhegrovës do të merret sot, por shenjat janë pozitive që ai mund të aktivizohet. Konkurrenti i tij për një vend titullari, Conceicao, mbetet i dëmtuar, gjë që i hap rrugë anësorit të djathtë kosovar për më shumë minuta në fushë, madje edhe nga minuta e parë.

    Që nga transferimi në Torino gjatë verës, Zhegrova ka luajtur pak, fillimisht nën drejtimin e Igor Tudor dhe më pas me Spallettin. Trajnerët theksojnë se kjo nuk lidhet me mungesë kualiteti, por me aspektin fizik, ku lojtari nuk është ende 100% gati.

    Përndryshe Zhegrova është përfshirë vetëm në 10 ndeshje këtë sezon në Itali, me 174 minuta të luajtura ku ende nuk ka arritur të lë gjurmë. /ATVLIVE.TV

  • Dehidratimi në dimër mund të ketë pasoja serioze: Ja sa ujë duhet të pini çdo ditë

    Dehidratimi në dimër mund të ketë pasoja serioze: Ja sa ujë duhet të pini çdo ditë

    Ekspertët paralajmërojnë se ndjenja e etjes bie deri në 40% në dimër – pasojat shfaqen në lodhje, imunitet dhe veshka

    Jadira Santiago Banuelos, ligjëruese klinike dhe mjeke e mjekësisë familjare në Purdue University, thekson se gjatë muajve të dimrit dehidratimi shpesh nënvlerësohet, edhe pse mund të çojë në lodhje të shtuar, përqendrim të dobët dhe probleme serioze shëndetësore, përfshirë dëmtime të veshkave.

    Siç raporton Euronews, ruajtja e hidratimit të duhur në dimër është po aq e rëndësishme sa në verë, madje, në disa raste, edhe më e rëndësishme.

    Sipas Banuelos, hidratimi luan rol kyç në gjithçka, nga shëndeti i lëkurës deri te imuniteti, veçanërisht kur temperaturat bien. “Kur jemi të hidratuar mirë nga brenda, edhe lëkura jonë është më e hidratuar, gjë që ndihmon në luftimin e thatësisë,” shpjegon ajo. “Uji ndihmon gjithashtu në lubrifikimin e nyjave, çka është veçanërisht e rëndësishme gjatë aktiviteteve fizike dimërore, si pastrimi i borës.” Hidratimi ndihmon edhe në forcimin e sistemit imunitar gjatë sezonit të ftohjeve dhe gripit, sepse ruan shtresën mbrojtëse të mukozave, duke e bërë më të vështirë depërtimin e viruseve dhe baktereve.

    Pse dehidratimi në dimër shpesh neglizhohet
    Shumë njerëz nuk e lidhin dimrin me rrezikun e dehidratimit dhe, si pasojë, nuk e monitorojnë sasinë e ujit që pinë. Për më tepër, ndjenja natyrale e etjes dobësohet ndjeshëm. Banuelos shpjegon se receptorët e etjes mund të bien deri në rreth 40 për qind, çka do të thotë se një person mund të jetë tashmë i dehidratuar në momentin kur ndjen etje. Ajri i thatë i dimrit tërheq lagështinë nga lëkura, njerëzit urinojnë më shpesh dhe djersitja vazhdon, edhe pse është më pak e dukshme. “Ne ende djersitemi, por në të ftohtë djersa avullon më shpejt, ndaj nuk e vërejmë”, shton ajo, transmeton Telegrafi.

    Rreziqet shëndetësore të dehidratimit
    Dehidratimi mund të shkaktojë një sërë simptomash, në varësi të ashpërsisë: marramendje, lëkurë të thatë, buzë të çara, dobësi, lodhje dhe të ashtuquajturën “mjegull mendore”. Nëse zgjat në kohë, pasojat mund të jenë më serioze, duke rritur rrezikun për probleme me veshkat, përfshirë gurët në veshka dhe, në raste ekstreme, dështimin e tyre.

    Sa ujë duhet të pini realisht?
    Rekomandimi i përhapur për tetë gota ujë në ditë nuk i përshtatet të gjithëve. Sipas Banuelos, burrave zakonisht u nevojiten rreth 13 gota ujë në ditë (afërsisht tre litra), ndërsa grave rreth nëntë gota (rreth dy litra). Këto nevoja rriten gjatë shtatzënisë dhe gjidhënies, kur gratë mund të kenë nevojë për sasi të ngjashme me ato të burrave.

    Këshilla praktike për t’u hidratuar më mirë në dimër
    Përveç ujit, hidratimi mund të mbështetet edhe nga çajrat pa sheqer, supat e ngrohta dhe ushqimet e pasura me ujë si perimet dhe frutat. Vendosja e një shisheje uji pranë jush gjatë ditës, pirja e ujit edhe kur nuk ndjeni etje dhe përdorimi i ajrimit ose lagështuesve të ajrit në ambiente të mbyllura mund të ndihmojnë ndjeshëm. Gjithashtu, kufizoni pijet që dehidratojnë, si alkooli dhe kafeina e tepërt.

    Në përmbledhje, dimri nuk është justifikim për të harruar ujin. Përkundrazi, hidratimi i rregullt është një nga mënyrat më të thjeshta dhe më efektive për të ruajtur energjinë, imunitetin dhe shëndetin e përgjithshëm gjatë muajve të ftohtë. /Telegrafi/

     

  • Premier League feston Boxing Day me ndeshjen Manchester United – Newcastle

    Premier League feston Boxing Day me ndeshjen Manchester United – Newcastle

    Premier League nuk ndalet as gjatë festave dhe si traditë rikthehet me “Boxing Day”. Edhe pse këtë vit me një ndeshje të vetme më 26 dhjetor, ajo mes Manchester United dhe Newcastle në Old Trafford mbetet shumë e rëndësishme.

    Djajtë e Kuq do të përballen me mungesa të ndjeshme për shkak dëmtimesh, ku veçohet Bruno Fernandes. Trajneri Ruben Amorim theksoi rëndësinë e mesfushorit portugez dhe ndikimin e tij në lojën e ekipit.

    “Bruno Fernandes është një lojtar që nuk mund të zëvendësohet, por i thashë ekipit të shohim anën pozitive. Tani disa lojtarë duhet të përmirësohen – jo vetëm në krijimin e lojës, por edhe në çdo goditje standarde. Ai organizon gjithçka, dhe kjo është një mundësi për të tjerët që të kuptojnë se nuk mund të mbështetemi vetëm te një lojtar. Humbja e tij do të ndikojë gjithçka, sepse ai kupton çdo detaj në fushë dhe tregon pozicionimin e duhur për të tjerët.” tha Amorim.

    Nga ana tjetër, Newcastle vjen në Old Trafford me një formë të qëndrueshme këtë sezon, duke kërkuar pikët për të qëndruar lart në tabelë. Edhe trajneri Eddie Howe nuk mund të llogarisë në mbrojtësit Botman, Burn, Livramento dhe Trippier.

    Ndeshja mes tyre zhvillohet nesër nga ora 21:00, në një nga stadiumet më ikonike siç është ‘Teatri i ëndrrave’.

    Pas 17 xhirosh në Ligën Angleze Skuadra e Ruben Amorim është në vendin e shtatë me 26 pikë, ndërsa skuadra e Eddie Howe mban vendin e njëmbëdhjetë me 23 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Si ta shpëtoni bredhin e Vitit të Ri nga macja: 2 truke të thjeshta që funksionojnë vërtet

    Si ta shpëtoni bredhin e Vitit të Ri nga macja: 2 truke të thjeshta që funksionojnë vërtet

    Pa stres, pa produkte kimike dhe pa shpenzime – gjithçka ju nevojitet e keni tashmë në kuzhinë

    Nëse keni mace, me shumë gjasë e mendoni paraprakisht se si do të sillet ajo pranë bredhit të Vitit të Ri. Papritur, në hapësirën ku ajo jeton shfaqet një “pemë” e madhe, plot drita që vezullojnë, topa që lëkunden dhe zbukurime që duken si lodra perfekte. Për macen, bredhi nuk është dekor festiv, por një objekt i ri, intriguese dhe sfidues për t’u ngjitur, për t’u kapur dhe, ndonjëherë, për t’u rrëzuar.

    Për fat të mirë, ka disa mënyra të thjeshta dhe të sigurta për ta mbajtur macen larg bredhit, pa stres, pa ndëshkime dhe pa produkte kimike. Dy truket kryesore vijnë drejtpërdrejt nga kuzhina juaj.

    Citruset – aroma që macet e shmangin instinktivisht

    Macet kanë nuhatje shumë të ndjeshme dhe shumica e tyre nuk e durojnë aromën e agrumeve. Limoni, portokalli, mandarina apo grejpfruti mund të përdoren si “barrierë natyrale” rreth bredhit. Mund të vendosni lëvore të freskëta ose të thata pranë trungut, në vazon e bredhit ose edhe të varura si dekor i padukshëm mes degëve të poshtme. Aroma e agrumeve për macen është e pakëndshme dhe e mban instinktivisht larg, ndërsa për njerëzit mbetet e freskët dhe festive.

    Disa pronarë përdorin edhe spërkatje të lehta me ujë ku janë shtrydhur disa pika limoni, por pa e tepruar që të mos dëmtohen zbukurimet, transmeton Telegrafi.

    Letra e aluminit – teksturë që macet nuk e pëlqejnë

    Nëse macja juaj tenton të ngjitet ose ta rrëzojë bredhin, zakonisht fillon nga trungu. Mbështjellja e trungut me letër alumini është një zgjidhje shumë efektive, sepse macet nuk e pëlqejnë aspak ndjesinë dhe zhurmën që ajo krijon nën putra. Kontakti i parë zakonisht mjafton që macja të humbasë interesin. Letra e aluminit është e padëmshme, e lirë dhe hiqet lehtë pas festave.

    Këshilla shtesë për një bredh “miqësor me macet”

    – Vendosni zbukurimet më të brishta dhe dritat më lart, larg arritjes së maces.
    – Shmangni dekorimet që duken si lodra (pupla, fjongo të gjata, topa shumë të vegjël).
    – Sigurojeni bredhin mirë në bazë, në mënyrë që të mos rrëzohet edhe nëse macja tenton ta prekë.
    – Jepini maces një alternativë: lodra të reja ose një vend të lartë ku mund të ngjitet, që të mos e shohë bredhin si të vetmen “sfidë” interesante.
    – Mos e ndëshkoni macen – kureshtja është pjesë e natyrës së saj dhe ndëshkimi vetëm rrit stresin.

    Me pak kreativitet dhe këto truke të thjeshta, është e mundur që bredhi të mbetet i paprekur, ndërsa macja e qetë dhe e sigurt. Festat mund të jenë të bukura edhe për ju, edhe për mikun tuaj me katër putra. /Telegrafi/