ATV

Blog

  • Stuhia e fortë në Kaliforni shkakton gjendje të jashtëzakonshme, evakuohen qindra banorë

    Stuhia e fortë në Kaliforni shkakton gjendje të jashtëzakonshme, evakuohen qindra banorë

    Një stuhi e fuqishme ka përfshirë Kaliforninë, duke shkaktuar përmbytje kërcënuese për jetën dhe duke detyruar qindra persona të evakuohen në mes të festës së Krishtlindjeve.

    Shërbimi Kombëtar i Motit i Shteteve të Bashkuara ka paralajmëruar se stuhitë pritet të vazhdojnë gjatë gjithë Krishtlindjeve, duke lëshuar edhe një paralajmërim të rrallë për një “rrezik të lartë të reshjeve të tepërta”.

    Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në gjashtë qarqe, për të mundësuar, siç u shpreh ai, “shërbime emergjente dhe burime të parapozicionuara për të mbajtur komunitetet e sigurta”.

    Ndërkohë, autoritetet e Qarkut të Los Angeles kanë lëshuar rreth 130 urdhra evakuimi për banorët e shtëpive që konsiderohen të rrezikuara nga përmbytjet.

    Shumë nga këto shtëpi ndodhen në zona që u goditën rëndë nga zjarret masive në fillim të këtij viti, çka e shton edhe më shumë rrezikun nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet.

    Kalifornia njihet për prirjen ndaj motit ekstrem, ndërsa situata bëhet edhe më e ndërlikuar nga ciklet e shpeshta të motit, ku periudha shumë të lagështa alternohen me thatësira të papritura dhe të zgjatura.

    Vitet e fundit, shteti është përballur me një sërë fatkeqësish natyrore, përfshirë thatësira, zjarre shkatërruese, tërmete dhe përmbytje.

     

  • Futbolli skocez në zi – Vdes John Robertson, “Pikaso i lojës”

    Futbolli skocez në zi – Vdes John Robertson, “Pikaso i lojës”

    John Robertson, anësori legjendar i Nottingham Forest dhe i ekipit kombëtar skocez, i cili dikur u përshkrua nga trajneri Brian Clough si “Pikaso i lojës sonë”, ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare.

    Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur botën e futbollit dhe ish-klubi i tij ka dhënë një homazh të ndjerë:

    “Me zemra të thyera njoftojmë vdekjen e legjendës dhe mikut të dashur të Nottingham Forest, John Robertson. Talent i pakrahasueshëm, përulës dhe besnik ndaj klubit, dy herë fitues i Kupës së Evropës, John do të mbetet gjithmonë në kujtimet tona. Pusho në paqe, Robbo.”

    Ish-lojtari i Celtic, Alan Thompson, për të cilin Robertson ishte mentor, gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij:

    “Sapo dëgjova lajmin e trishtueshëm për humbjen e ish-ndihmës trajnerit tim te Celtic. Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjen e tij të mrekullueshme.”

  • Ukraina dhe Rusia kryejnë sulme në territorin e njëra-tjetrës

    Ukraina dhe Rusia kryejnë sulme në territorin e njëra-tjetrës

    Një mori dronësh rusë e kanë goditur qytetin port rus Temrijuk në rajonin Krasnodar në mesnatë duke ua vënë flakën rezervuarve të mëdhenj të naftës dhe duke dëmtuar objekte industriale, sipas autoriteteve rajonale dhe raportimeve të mediave ruse më 25 dhjetor.

    Sulmet kanë ndodhur teksa forcat ruse kanë nisur një valë masive të sulmeve me dronë nëpër Ukrainë, duke goditur infrastrukturën e energjisë dhe zonat e banimit në disa rajone, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas.

    Sipas selisë për operacione rajonale të Krasnodarit, dy rezervuarë të naftës kanë marrë flakë pas sulmit në qytetin port në Detin Azov në jug të Rusisë.

    Flakët janë përhapur në rreth 2.000 metra katrorë, ndërsa në raportimet preliminare nuk janë përmendur viktima. Në pamjet e publikuara nga disa media janë parë flakë duke dalë prej një rafinerie nafte në afërsi.

    Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, një zyrtar i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, ia ka atribuuar zjarrin një sulmi ukrainas me dronë, ndonëse Kievi nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Zyrtarët kanë raportuar për sulme edhe në qendra të prodhimit dhe pajisje bujqësore në disa fshatra të afërta.

    Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar më 25 dhjetor se i ka rrëzuar mes 141 deri në 170 dronë përgjatë natës, përfshirë shtatë në rajonin e Krasnodarit, ndërsa tjerët në rajonet e Moskës dhe Brajanskut.

    Forcat ukrainase kanë kryer në muajt e fundit disa operacione me dronë duke shënjestruar infrastrukturën e energjisë dhe transportit në Rusi.

    Për dëme është raportuar edhe nga sulmet ruse në Ukrainë.

    Në rajonin e Odesës është raportuar se një dron rus e ka vrarë një person dhe i ka plagosur dy të tjerë. Ndërsa në Harkiv, sulmi rus e ka vrarë një 51-vjeçar, sipas disa shërbimeve ukrainase.

    “Rusia nuk i ka ndalur bombardimet brutale të civilëve në Ukrainë edhe në natën e shenjtë të Krishtlindjes”, ka thënë ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha më 25 dhjetor.

    “Rusia me qëllim po shkatërron infrastrukturën e energjisë dhe atë civile, duke i lënë njerëzit pa rrymë, ujë dhe ngrohje në temperatura të ulëta”, ka shtuar ai.

    Forca ajrore e Ukrainës ka raportuar për 131 sulme me dronë, ndërsa 106 besohet të jenë rrëzuar nga forcat mbrojtëse.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel

  • “Kishte probleme shëndetësore”, fqinjët flasin për 71 vjeçaren nga Kosova që u vra në Zvicër

    “Kishte probleme shëndetësore”, fqinjët flasin për 71 vjeçaren nga Kosova që u vra në Zvicër

    Një ngjarje tragjike tronditi Zvicrën më 24 dhjetor. Një grua 71 vjeçare nga Kosova u gjet e vdekur në Buchs.

    Ajo dyshohet se u vra dhe lidhur me rastin janë arrestuar tre persona të dyshuar të moshës 27, 48 dhe 51 vjeç.

    Autoritetet tashmë kanë nisur hetimet për rastin e rëndë.

    Gazeta e njohur zvicerane “Blick” sjell rrëfimet e banorëve të lagjes ku dyshohet se ndodhi krimi.

    Ata deklaruan se ishin të shokuar nga krimi i rëndë.

    “Pashë automjete të panumërta policie këtë mëngjes”, tha dje një banor i kompleksit të banesave të familjes.

    “Jam e tronditur nga ajo që ka ndodhur këtu, në lagjen tonë të qetë. Fatkeqësisht, policia nuk mundi të na qetësonte apo të na tregonte se çfarë kishte ndodhur”, deklaroi një banore e lagjes për gazetën zvicerane.

    Ajo theksoi se familja që jetonte në shtëpinë ku ndodhi ngjarja e trishtë nuk ishte shumë e njohur në këtë lagje.

    “Gruaja e ndjerë vuante nga probleme shëndetësore”, theksoi ajo.

  • Ambasadori francez: Kosovës i duhet qeveri me të cilën mund të punojmë

    Ambasadori francez: Kosovës i duhet qeveri me të cilën mund të punojmë

    Na duhet një qeveri me kompetenca të plota, ka deklaruar ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

    Tri ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ai ka theksuar se ndërkombëtarëve iu duhet një partner në Kosovë, për të punuar për Planin e Rritjes së BE-së, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për zhvillimin e Kosovës.

    Diplomati francez mirëpret largimin e 50 për qind të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa është më i rezervuar në pyetjet se a do të hiqen të njëjtat në tërësi në fillim të vitit të ardhshëm.

    “Mesazhi është se na duhet një partner. Ne së bashku jemi mbështetësit tuaj të huaj, miqtë tuaj të huaj. Na duhet një qeveri, një qeveri e plotë, me të cilën do të mund të punonim për Planin e Rritjes, natyrisht, por edhe për shumë çështje të tjera, qoftë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por edhe për zhvillimin e Kosovës, legjislacionin e Kosovës”, thekson ai për Kosova Press.

    Kosova nuk arriti të formojë institucionet e reja pas zgjedhjeve të kaluara të 9 shkurtit.

    Duke folur për krizën politike dhe mosformimin e institucioneve, diplomati francez thotë se një vit pa një qeveri me mandat të plotë ka qenë i vështirë për Kosovën.

    “Ky vit pa një qeveri të plotë ka qenë pak i vështirë, duhet ta them. Jo se nuk kemi qenë në gjendje të punonim, siç thashë, në projektin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza. Ne kemi mundur të punojmë në nivel teknik. Kishte edhe iniciativa të tjera që mund t’i bënim në nivel teknik, por Kosova është një demokraci. Si demokraci, është nevoja për një qeveri të përgjegjshme para parlamentit”, thekson ai.

    Bashkimi Evropian ditë më parë vendosi të heqë 50 për qind të masave, derisa u zotua për heqjen e të gjitha masave ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit janar 2026.

    Ky zhvillim, sipas ambasadorit Guérot, është lajm i mirë për Kosovën, pasi do të ecin përpara shumë projekte të rëndësishme për vendin, të cilat ishin bllokuar vitet e fundit.

    “Kemi një projekt shumë të rëndësishëm, që është ngadalësuar nga masat, për ndërtimin e një impianti të trajtimit të ujërave të zeza, i cili do të mbulonte Prishtinën, Obiliqin, Fushë Kosovën dhe Graçanicën. Ky është një projekt i përbashkët me Gjermaninë, në fakt. Pra, po pres me padurim që të përshpejtojmë këtë projekt, për të cilin nuk jemi ndalur së punuari kurrë në nivelin teknik. Është vetëm një nga projektet që kemi. Kemi projekte të zhvillimit me Agjencinë Franceze të Zhvillimit, sidomos për të ndihmuar Kosovën me Lojërat Mesdhetare 2030 dhe gjithashtu për ta ndihmuar atë në tranzicionin drejt një energjie më të pastër. Në Prishtinë këtu po shohim mjegullën, që është bërë si shkak i një energjie të papastër dhe agjencia po punon”, shton ai.

    Sa i përket zotimit se deri në janar të vitit 2026 do të hiqen masat, ambasadori francez thotë për KosovaPress se vendimi politik tashmë është marrë nga Këshilli Evropian dhe se tani i takon Komisionit Evropian ta zbatojë.

    “Detajet nuk i di. Nuk mund t’jua tregoj. Vendimi politik është marrë nga Këshilli i Ministrave dhe nga Këshilli Evropian dhe tani Komisioni do ta zbatojë atë. Prandaj nuk mund të hyj në detaje”, thotë ai.

    Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në vitin 2023, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë, nisën detyrën e tyre në komunat në veri

  • Cristian Chivu shpallet trajneri më i mirë rumun i vitit 2025, pas një sezoni të jashtëzakonshëm te Interi

    Cristian Chivu shpallet trajneri më i mirë rumun i vitit 2025, pas një sezoni të jashtëzakonshëm te Interi

    Cristian Chivu bën bilancin e vitit 2025, një vit që ka qenë vendimtar për karrierën e tij si trajner dhe për afirmimin e tij në Serie A.

    Trajneri i Interit u vlerësua me çmimin e trajnerit më të mirë rumun të vitit, duke konfirmuar jo vetëm karrierën e tij të spikatur si lojtar, por edhe aftësinë për t’u afirmuar në një rol krejtësisht tjetër, atë të drejtimit të një prej klubeve më të mëdha italiane.

    Chivu filloi karrierën e tij si trajner te Parma, ku mori një skuadër në vështirësi dhe arriti ta shpëtojë rënien nga Serie A, duke treguar aftësi të shkëlqyera taktike dhe udhëheqëse. Pas kësaj, u emërua në krye të Interit, pas finales së Champions League me PSG, duke marrë përsipër një sfidë krejt tjetër dhe më të madhe.

    Vera e tij nuk ishte aspak e qetë. Pas shpëtimit të Parmës, Chivu pritej të rinovonte kontratën, por thirrja e Interit ndryshoi gjithçka:

    “Do të kisha qëndruar te Parma, isha në negociata për rinovimin. Por Interi më kërkoi, sepse Inzaghi u largua dhe pata fatin të bëhesha trajner këtu,” ka thënë ai.

    Në pak ditë, jeta e tij ndryshoi plotësisht, duke u rikthyer në një ambient që e njihte si lojtar, por tash nën një presion krejt tjetër si trajner: “Asnjëherë nuk ke paqe, je gjithmonë nën presion për rezultatet. Luan çdo tri ditë dhe nuk ke kohë as për stërvitje. Kam pasur një përvojë të ngjashme si lojtar, tani si trajner.”

    Chivu ka treguar se aftësitë e tij taktike dhe karakteri i fortë janë të njëjta si në kohën e futbollistit, duke e bërë një nga trajnerët më premtues dhe më të respektuar të brezit të tij.

    Shumë e shohin vitin 2025 si një pikë kthese në karrierën e tij drejt niveleve më të larta të futbollit europian. /ATVLIVE.TV

  • Modrić kishte pranuar edhe ulje page, por Real Madridi i mbylli derën legjendës kroate

    Modrić kishte pranuar edhe ulje page, por Real Madridi i mbylli derën legjendës kroate

    Luka Modrić ishte i gatshëm të bënte gjithçka për të vazhduar aventurën e tij te Real Madridi, madje edhe të pranonte një ulje page, vetëm për të qëndruar edhe një sezon tjetër në “Santiago Bernabéu”.

    Sipas raportimeve të “Mundo Deportivo”, mesfushori kroat shprehu hapur dëshirën për të rinovuar kontratën, ndërsa edhe trajneri Xabi Alonso ishte i hapur për ta pasur në skuadër, duke e vlerësuar rolin e tij si lider, përvojën dhe ndikimin në dhomat e zhveshjes.

    Megjithatë, vendimi përfundimtar erdhi nga drejtuesit e klubit, të cilët zgjodhën të mos vazhdojnë bashkëpunimin me 38-vjeçarin, duke mbyllur kështu një kapitull të artë në historinë e Real Madridit.

    Largimi i Modrićit dhemb jo vetëm për tifozët, por edhe për vetë futbollin, pasi bëhet fjalë për një nga mesfushorët më elegantë dhe më besnikë të epokës moderne. Një lojtar që dha gjithçka për fanellën e bardhë, fitoi gjithçka që mund të fitohej dhe u shndërrua në simbol të suksesit dhe profesionalizmit.

    Jo çdo legjendë largohet siç e meriton, por trashëgimia e Luka Modrićit te Real Madridi do të mbetet e pashlyeshme. /
    ATVLIVE.TV

  • Hapi i madh i AS Romës, dorëzohet projekti i stadiumit të ri, synim Euro 2032

    Hapi i madh i AS Romës, dorëzohet projekti i stadiumit të ri, synim Euro 2032

    Ekipi, AS Roma ka hedhur një hap të madh drejt realizimit të stadiumit të saj të ri, duke dorëzuar zyrtarisht projektin që parashikon ndërtimin e impiantit në zonën e Pietralatës, në pjesën lindore të kryeqytetit italian.

    Sipas klubit verdhekuq, stadiumi do të karakterizohet nga një Curva Sud monumentale, e cila synon të jetë më e madhja në Europë, si dhe nga një arkitekturë unike që ndërthur traditën romake me elemente moderne, duke ruajtur një lidhje të fortë me identitetin dhe territorin lokal.

    Impianti i ri është konceptuar si një hapësirë multifunksionale, që do t’u shërbejë tifozëve dhe qytetit jo vetëm gjatë ditëve të ndeshjeve, por edhe për aktivitete të tjera gjatë gjithë vitit.

    Projekti përfshin gjithashtu përmirësime të ndjeshme në infrastrukturë, mobilitet urban, shërbime publike dhe qëndrueshmëri mjedisore.

    Dorëzimi i projektit përfundimtar konsiderohet një moment kyç në procesin e nisjes së punimeve dhe tregon qartë ambicien e AS Romës për të ndërtuar një stadium modern, të qëndrueshëm dhe ekonomikisht funksional, që pritet të kthehet në një simbol krenarie për tifozët dhe qytetin e Romës.

    Klubi ka falënderuar kryetarin e Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, si dhe institucionet dhe palët e përfshira për bashkëpunimin e vazhdueshëm. Stadiumi i Pietralatës është përfshirë gjithashtu në listën e impianteve potenciale për organizimin e ndeshjeve të Euro 2032.

    “E ardhmja e shtëpisë sonë po afrohet gjithnjë e më shumë. Forza Roma”, përfundon njoftimi zyrtar i klubit. /ATVLIVE.TV

  • Derbi i Katalonjës nën tension, shkak Joan Garcia

    Derbi i Katalonjës nën tension, shkak Joan Garcia

    Espanyoli duket se ka lënë pas vitet e errëta dhe këtë sezon është rikthyer si një rival serioz, duke synuar kualifikimin në garat evropiane. Ky rikthim i ka dhënë edhe më shumë peshë derbit të
    Katalonjës ndaj Barcelonës, një ndeshje që tradicionalisht shoqërohet me emocione të forta dhe tension të lartë.

    Megjithatë, këtë herë vëmendja nuk është vetëm te rivaliteti sportiv. Në qendër të polemikave ndodhet portieri, Joan Garcia, që gjatë verës u largua nga Espanyoli për t’iu bashkuar Barcelonës – një vendim që ka zemëruar tifozët bardhekaltër.

    Përkrahësit e Espanyolit e shohin këtë lëvizje si një tradhti, çka ka shtuar frikën për incidente gjatë ndeshjes. Si pasojë, klubi ka vendosur të rrisë masat e sigurisë në stadium, duke shtuar numrin e stjuardëve për të garantuar rend dhe qetësi.

    Derbi do të luhet më 3 janar dhe do të shënojë ndeshjen e parë të vitit 2026 për të dyja skuadrat, në një përballje që pritet të jetë jo vetëm futbollistike, por edhe emocionale. /ATVLIVE.TV

  • Kryetari i Fenerbahçes, Sadettin Saran, lirohet nën kontroll gjyqësor pas akuzave për drogë

    Kryetari i Fenerbahçes, Sadettin Saran, lirohet nën kontroll gjyqësor pas akuzave për drogë

    Kryetari i Fenerbahçes, Sadettin Saran, u lirua më 25 dhjetor nën kontrolle gjyqësor, pas ndalimit që iu bë pasi në test droge rezultoi pozitiv.

    Rasti është pjesë e një hetimi të gjerë që ka tronditur Turqinë javët e fundit, ku janë ndaluar prezantues televizivë, gazetarë, këngëtarë, aktorë dhe influencerë, nën akuza për prodhim dhe trafikim të narkotikëve.

    Saran u mor fillimisht në pyetje më 20 dhjetor dhe iu nënshtrua testeve toksikologjike. Ai u ndalua më 24 dhjetor, pasi ekspertët mjeko-ligjorë gjetën gjurmë kokainë në mostrat e flokëve të tij, ndërsa testet e gjakut, urinës dhe thonjve rezultuan negative.

    Deklarata e tij para autoriteteve më 25 dhjetor zgjati rreth dy orë. Nën kontrolle gjyqësor, Saran është i detyruar të paraqitet dy herë në javë pranë autoriteteve.

    Anëtari i bordit të Fenerbahçes, Ertan Torunoğulları, së bashku me tifozë, shprehën solidaritet për Saranin para Gjykatës Çağlayan në Stamboll, ndërsa bordi ekzekutiv i klubit zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme për të rishikuar situatën.

    Klubi publikoi një deklaratë duke shprehur mbështetje të plotë për Saranin dhe duke garantuar tifozët se aktivitetet e Fenerbahçes do të vazhdojnë pa ndërprerje. /ATVLIVE.TV