ATV

Blog

  • Rrëzohet një helikopter në malin e Kilimanxharos, pesë të vdekur

    Rrëzohet një helikopter në malin e Kilimanxharos, pesë të vdekur

    Pesë persona kanë humbur jetën pas një rrëzimi të helikopterit në malin më të lartë të Afrikës, Malin Kilimanxharo, në Tanzani.

    Aksidenti ndodhi të mërkurën në mbrëmje në një nga rrugët më të njohura për ngjitjen turistike, në atë që policia e përshkroi si një mision shpëtimi për të marrë pacientë në mal.

    Mes të vdekurve ishin dy të huaj, të cilët, sipas policisë, ishin nisur për evakuim mjekësor. Po ashtu, në aksident humbën jetën një mjek lokal, një udhërrëfyes turistik dhe piloti, raporton abcnews, transmeton Sinjali.

    Rrëzimi ndodhi midis Kampit Barafu dhe Majës Kibo në mal, në një lartësi mbi 4,000 metra (13,100 këmbë).

    Komandanti i policisë rajonale të Kilimanxharos, Simon Maigwa, tha për gazetarët se aeronavi i përkiste kompanisë Kilimanjaro Aviation, e cila ofron, ndër të tjera, shërbime evakuimi mjekësor. Kompania ende nuk ka bërë komente për aksidentin.

    Policia njoftoi se informacion i mëtejshëm do të jepet më vonë.

    Autoriteti i Aviacionit Civil të Tanzanisë tha të enjten se hetimet kanë filluar në përputhje me rregulloret ndërkombëtare të sigurisë, “për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e mundshëm të aksidentit”.

    Aksidentet ajrore në Malin Kilimanxharo janë të rralla, me incidentin e fundit të regjistruar në nëntor 2008, kur humbën jetën katër persona.

  • Tentim vrasja në Prishtinë – arrestohet pas nëntë muajsh i dyshuari

    Tentim vrasja në Prishtinë – arrestohet pas nëntë muajsh i dyshuari

    Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me një rast të vrasjes në tentativë në bashkëkryerje, Policia ka arrestuar një person të dyshuar mashkull kosovar në Prishtinë.

    Sipas njoftimit, rasti kishte ndodhur më 2 mars 2025, rreth orës 22:00, në rrugën “Fatime Sokoli”. Pas veprimeve hetimore, më 25 dhjetor 2025 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari.

    Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar tri qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë totale 4.3 gramë, si dhe gjashtë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 66.58 gramë.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./Telegrafi/

  • Ishin në kërkim, dy persona ndalohen në Aeroportin e Prishtinës për raste të vjedhjes

    Ishin në kërkim, dy persona ndalohen në Aeroportin e Prishtinës për raste të vjedhjes

    Dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në dy raste të ndara që lidhen me vepra penale të vjedhjes.

    Në rastin e parë, është arrestuar një mashkull kosovar, i cili ishte në kërkim policor lidhur me një rast të vjedhjes së veturës, i ndodhur më 8 gusht 2025 në Gjermani.

    Pas arrestimit, vetura e vjedhur është sekuestruar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Në rastin e dytë, është ndaluar një femër kosovare, e cila ishte në kërkim policor për një rast vjedhjeje të ndodhur më 21 dhjetor 2025, rreth orës 09:30.

    Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

    Hetimet lidhur me të dy rastet janë duke vazhduar nga autoritetet kompetente. /Telegrafi/

  • “Krishtlindje të lumtura”, ambasada e SHBA-së uron Kosovën dhe botën

    “Krishtlindje të lumtura”, ambasada e SHBA-së uron Kosovën dhe botën

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, i ka dërguar urimet e saj të ngrohta të Krishtlindjeve të gjithë atyre që po festojnë në mbarë botën.

    Në një postim në rrjetet sociale, ambasada ka uruar Krishtlindje të lumtura.

    “Për të gjithë ata që po festojnë në Kosovë dhe në mbarë botën, u urojmë Krishtlindje shumë të lumtura!”, thuhet në urim.

    Krishtlindja festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit dhe mbetet simbol i besimit, shpresës dhe bashkimit ndër njerëz. /Telegrafi/

  • Talenti i Barcelonës hap shtëpinë e tij për publikun – Ja pse nuk mund të kem të dashur

    Talenti i Barcelonës hap shtëpinë e tij për publikun – Ja pse nuk mund të kem të dashur

    Futbollisti, Lamine Yamal, diamanti i Barcelonës dhe i Spanjës, po tërheq vëmendje edhe jashtë fushës. Gjatë pushimeve të Krishtlindjes, ai hapi kanalin e tij në YouTube, ku videoja e parë është një tur në shtëpinë që së shpejti do ta lërë.

    Në më pak se 10 minuta, shfaqen dhoma të mbushura me rroba, kapele, aksesorë, kujtime dhe trofe që dëshmojnë karrierën e tij të jashtëzakonshme. Në rafte duken trofe individuale nga FIFA dhe UEFA, si dhe trofe me Barcelonën dhe Spanjën.

    Objekti më i çmuar për Yamal është topi i golit të tij ndaj Francës: “Është gjëja më e çmuar që kam në shtëpi,” thotë ai duke buzëqeshur.

    Momenti më i komentuar i videos është kur rrëfen me humor: “Kam një problem, zgjohem natën për të ngrënë biskota. Më pëlqejnë shumë. Ja pse nuk kam të dashur – ngaqë zgjohem natën për të ngrënë biskota.”

    Lidhja e fundit ishte me këngëtaren argjentinase Nicki Nicole, por ajo zgjati pak. Lamine tregon se do të besojë sërish në dashuri vetëm nëse partnerja e ardhshme ndan pasionin e tij për biskotat. /ATVLIVE.TV

  • Vdes babai i Salih Mustafës, Specialja nuk i dha leje për ta vizituar sa ishte në gjendje të rëndë shëndetësore

    Vdes babai i Salih Mustafës, Specialja nuk i dha leje për ta vizituar sa ishte në gjendje të rëndë shëndetësore

    Babai i Salih Mustafës, Jahja Mustafa, ka ndërruar jetë.

    Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët për Paparacin.

    Jahja Mustafa kishte qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Pavarësisht kësaj, Gjykata Speciale nuk e lejoi të vinte në Kosovë për ta vizituar.

    Madje, Organizata e Veteranëve të Luftës doli me reagim, duke theksuar se Calit iu refuzua kërkesa për vizitë.

    Megjithatë, nga Gjykata Speciale nuk kanë dhënë asnjë konfirmim.

    Në një përgjigje për Nacionalen, Specialja ka theksuar se Ligji ia lejon Mustafës të bëjë kërkesë, por deri më tash nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar.

    “Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u lejon të paraburgosurve të kërkojnë një vizitë në Kosovë për arsye bindëse humanitare. Deri më tani nuk ka asnjë dosje publike që trajton pyetjen tuaj nëse është bërë një kërkesë”, thuhet në përgjigje.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte njoftuar se Salih Mustafës, i dënuar nga Gjykata Speciale me 15 vite burgim, i është refuzuar kërkesa që ta vizitojë babanë që raportohet të jetë në gjendje kritike shëndetësore.

    “Refuzimi i kësaj kërkese është i pakuptimtë, johuman dhe në kundërshtim me parimet themelore të të drejtave të njeriut”, tha OVL-UÇK në reagimin e saj.

    Sipas kësaj organizate, Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për pasojë, nuk ekziston asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në proces gjyqësor.

    “Ju njoftojmë se OVL UÇK këtë shqetësim do ta ngrejë tek të gjitha institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë organizatat për të drejtat e njeriut, duke kërkuar reagim dhe përgjegjësi për këto shkelje të rënda”, u tha më tutje.

    “Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi”, u tha në reagimin e OVL-UÇK.

    Për këtë, reagoi edhe Vlora Çitaku nga PDK-ja.

    “Gjykata Speciale ia ka refuzuar kërkesën Calit për ta vizituar babanë e tij, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Kjo nuk është drejtësi. Kjo është padrejtësi speciale. Edhe më e rëndë është heshtja e institucioneve tona. Një heshtje e turpshme. Cali është i fortë. Ai e përballon. Nuk thyhet. Por ju që mbani pozita drejtuese në institucione, e që nuk veproni, do t’ju mbulojë turpi. Indiferenca juaj është bashkëfajësi. Të mjerë”, shkroi ajo.

    Gjykata Speciale ia kishte refuzuar edhe Hashim Thaçit kërkesën disa herë për të ardhur në Kosovë, që ta vizitojë babanë e sëmurë.

    Kurse, ish-eprorët e tjerë të UÇK-së nuk u lejuan të marrin pjesë në ceremoni mortore, por vetëm pasi mbyllej e pamja. Kjo ishte kritikuar ashpër në Kosovë.

  • Pas një dekade te Gjilani, Aridon Bllaca gati të hap një kapitull të ri

    Pas një dekade te Gjilani, Aridon Bllaca gati të hap një kapitull të ri

    Portieri Aridon Bllaca ka konfirmuar largimin nga FC Gjilani, duke i dhënë fund një kapitulli të gjatë në karrierën e tij që zgjati pothuajse një dekadë.

    Gardiani bëri të ditur vendimin përmes një postimi emocional në rrjetet sociale, duke theksuar se ky hap është pjesë e një procesi të rëndësishëm për vazhdimin e karrierës së tij.

    Bllaca iu bashkua Gjilanit që në moshë të re dhe u largua si një nga figurat më të qëndrueshme të klubit. Në mesazhin e tij, ai falënderoi drejtuesit, trajnerët, bashkëlojtarët, stafin dhe tifozët e “Skifterave”, të cilët i konsideroi si mbështetje të palëkundur që nga dita e parë.

    Portieri gjithashtu shtoi se do të mbajë me vete momentet më të bukura me fanellën kuqebardhë dhe nuk përjashtoi mundësinë që rrugët me Gjilanin të kryqëzohen sërish në të ardhmen. /ATVLIVE.TV

  • Arrestohet burri që dyshohet se dhunoi një burrë në Podujevë

    Arrestohet burri që dyshohet se dhunoi një burrë në Podujevë

    Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Podujevë, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të dhunimit ndaj një viktimës kosovar.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 19 dhjetor, rreth orës 18:00.

    I dyshuari është ndaluar nga njësitë policore dhe më pas është intervistuar nga hetuesit.

    Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet nga organet e drejtësisë.

  • Kurti uron Krishtlindjen

    Kurti uron Krishtlindjen

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka uruar Krishtlindjen duke thënë se kjo festë është kremtim dhe reflektim, urim dhe mirënjohje, besim dhe shpresë.

    “Krishtlindja është kremtim dhe reflektim, urim dhe mirënjohje, besim dhe shpresë. Të dashur besimtarë të krishterë, urime këtë datë të shënuar dhe paçi një ditë të gëzuar e të begatë me më të dashurit tuaj. Uroj që mirësia e Zotit t’ju përcjellë gjithmonë dhe dashuria për tjetrin t’ju shtohet përherë”, ka shkruar Kurti në urimin e tij.

  • Emërllahu kaloi në Ukrainë, Ballkani përfiton financiarisht nga transferimi

    Emërllahu kaloi në Ukrainë, Ballkani përfiton financiarisht nga transferimi

    Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Lindon Emërllahu, ka gjetur skuadrën e re para fillimit të afatit të dimrit, duke u transferuar te ekipi ukrainas, FC Polissya Zhytomyr nga Cluji.

    Skuadra ukrainase do të paguajë 2 milionë euro te CFR Cluj për transferimin e lojtarit. Nga kjo marrëveshje do të përfitojë edhe klubi kosovar, Ballkani, që ka 15% të kartonit të Emërllahut, duke siguruar rreth 300 mijë euro nga shitja e tij. /ATVLIVE.TV