ATV

Blog

  • PDK premton fondin shtetëror të bursave me 30 milionë euro në vitin e parë

    PDK premton fondin shtetëror të bursave me 30 milionë euro në vitin e parë

    Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar shënuar ditën e nëntë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare me tubime në Han të Elezit, Kaçanik dhe Ferizaj.

    Kryetari i PDK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza në Han të Elezit tha:

    “Hani i Elezit është urëlidhje që gjithmonë bashkon. Së bashku, me sy nga e ardhmja, besojmë dhe punojmë për Kosovën.”

    Ndërsa në Kaçanik, Hamza u ndal te historia e rezistencës dhe besnikërisë së qytetarëve:

    “Në Kaçanikun e rezistencës, mikpritjes dhe krenarisë. Një bastion i pathyeshëm dhe besnik i PDK-së, ku çdo rrugë, çdo lagje dhe çdo hap na bashkon. “

    Kurse në Ferizaj, kandidati për Kryeministër prezantoi një pjesë të rëndësishme të programit qeverisës të PDK-së. Hamza tha se Kosova nuk ka dështuar, por është keqqeverisur.

    Hamza premtoi themelimin e Fondit për Papunësi, Gjykatën e Punës, barna falas për personat me sëmundjet kronike dhe ndërtimin e një spitali të ri modern në Ferizaj.

    Ai përmendi edhe vizitën e tij në Hagë te ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, duke thënë se mesazhi i tyre ishte uniteti dhe puna deri në fitore.

  • Dita e nëntë e fushatës, Alban Hoti prezanton vizionin e PBKDSH

    Dita e nëntë e fushatës, Alban Hoti prezanton vizionin e PBKDSH

    Në ditën e nëntë të fushatës elektorale, kryetari i partisë dhe njëherësh kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Alban Hoti nga Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar prezantoi platformën e PBKDSH.

    Në deklaratën e tij publike, Hoti theksoi se Kosova ka nevojë për Ballin Kombëtar si një forcë që e sheh politikën si mision kombëtar dhe jo si karrierë individuale.

    “Kosova nuk ka nevojë vetëm për pushtet, por për politikë kombëtare që mbron shtetin dhe sovranitetin, forcon identitetin kombëtar dhe i jep politikës dimension moral,” u shpreh ai.

    Sipas Hotit, ideologjia e PBKDSH mbështetet mbi tri shtylla themelore: Atdheun, familjen dhe përgjegjësinë shoqërore. Ai nënvizoi se familja është baza e identitetit kombëtar dhe se shteti duhet të garantojë rendin, ligjin dhe drejtësinë si parakushte të lirisë.

    Në aspektin ekonomik, Hoti prezantoi vizionin për një ekonomi kombëtare që i shërben qytetarit dhe zhvillimit, duke kundërshtuar oligarkitë dhe monopolin. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e një shteti të fortë dhe të drejtë, që garanton rend, ligj dhe drejtësi, duke u bazuar mbi vlerat morale dhe përgjegjësinë qytetare.

    Gjatë kësaj dite fushate, Hoti iu referua edhe rolit të Kosovës si faktor i bashkimit kombëtar, duke theksuar orientimin demokratik dhe euroatlantik të PBKDSH.

    Po në këtë ditë, Alban Hoti reagoi edhe për një ngjarje me rëndësi historike dhe shpirtërore në Prishtinë, duke e cilësuar si “Krishtlindje Historike”. Për herë të parë pas gati një shekulli, u kremtua Krishtlindja Ortodokse Shqiptare në ambientet e Mitropolisë së Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës (KOAK), nën bekimin e Kryepeshkopit Nikolla. Hoti e cilësoi këtë moment si rikthim të identitetit dhe drejtësi shpirtërore për besimtarët ortodoksë shqiptarë.

    “Kjo është Kosova që ringjallet me dinjitet,” u shpreh ai, duke uruar: “Gëzuar Krishtlindjen! Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.”

  • “Ta çajmë rrethimin më 28 dhjetor”, Limaj u drejtohet qytetarëve në Malishevë

    “Ta çajmë rrethimin më 28 dhjetor”, Limaj u drejtohet qytetarëve në Malishevë

    Në ditën e nëntë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, Nisma Socialdemokrate ka mbajtur tubim elektoral në Malishevë. Kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, u prit nga një numër i madh qytetarësh, përfshirë edhe mërgimtarë që po i kalojnë pushimet e fundvitit në vendlindje.

    Duke iu drejtuar të pranishmëve, Limaj bëri thirrje që, ashtu siç u “çarë rrethimi me NATO-n”, të “çahet rrethimi” edhe përmes votës së 28 dhjetorit.

    Ai rikujtoi periudhën e zgjedhjeve të vitit 2007, duke përmendur gjendjen e rëndë energjetike në të cilën ndodhej vendi dhe premtimin e dhënë atëherë për furnizim 24-orësh me energji elektrike.

    Në fund të tubimit, Limaj kujtoi se kanë mbetur edhe tri ditë deri në zgjedhje dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë më 28 dhjetor.

  • LDK premton 500 milionë euro për ndërtimin e spitalit të ri qendror, më modernin në ballkan

    LDK premton 500 milionë euro për ndërtimin e spitalit të ri qendror, më modernin në ballkan

    Kryetari i LDK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar sot aktivitetet elektorale në kuadër të ditës së nëntë të fushatës për zgjedhjet parlamentare, me tubime në Shtime, Lipjan dhe Prishtinë i cili paraqiti vizionin dhe zotimet programore të LDK-së për qeverisjen e ardhshme.

    Gjatë tubimit në Shtime, Abdixhiku foli gjendjen e vështirë energjetike në vend, duke përmendur faktin se jashtë sallës nuk kishte energji elektrike. Ai tha se kjo pasqyron realitetin e vitit 2026, ku qytete e qytetarë përballen ende me mungesë të energjisë. Megjithatë, sipas tij, brenda sallës kishte një energji tjetër, energjinë e shpresës dhe ndryshimit.

    Në Lipjan, kandidati I LDK-së për Kryeministër dha një pasqyrë të gjendjes socio-ekonomike në Kosovë, duke thënë se realiteti është më i rëndë sesa propaganda. Ai përmendi ikjen e të rinjve, rritjen e kostos së jetesës, pagat e ulëta, nënvlerësimin e punëtorëve, pensionet e pamjaftueshme dhe çmimin e lartë të energjisë elektrike teksa prezantoi zotimet kryesore të programit qeverisës të LDK-së.

    Në fund, Abdixhiku u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime dhe të mbështesin LDK-në dhe 110 kandidatët e saj për deputetë, duke i cilësuar ata si kuadro të përgatitur për qeverisje.

  • AAK premton pavarësi energjetike, paga me dinjitet dhe Kosovën drejt NATO-s

    AAK premton pavarësi energjetike, paga me dinjitet dhe Kosovën drejt NATO-s

    Në ditën e nëntë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vazhduar aktivitetet e saj me tubim elektorale në Rahovec, ku u prit me mbështetje dhe pjesëmarrje të madhe qytetare.

    Kryetari i AAK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj nga Rahoveci tha se në Rahovec mbajtëm një takim, i cili u bë një premtim mes njerëzve që besojnë se jeta në Kosovë mund të përmirësohet.

    Gjatë ditës, Haradinaj ndau edhe një videomesazh drejtuar qytetarëve, ku bëri thirrje për pjesëmarrje aktive në zgjedhje.

    Në një tjetër videoincizim, kandidati për kryeministër theksoi rëndësinë e prodhimit vendor të energjisë dhe pavarësisë energjetike të vendit. Ai kujtoi se projektet për prodhimin e energjisë në Kosovë ishin ndërprerë dhe se sot qytetarët dhe ekonomia varen nga tregu dhe çmimet e tregtarëve.

    Gjatë aktiviteteve të ditës, Haradinaj ndau edhe një mirënjohje për këngëtarin e mirënjohur Afrim Muqiqi, zërin e vargjeve të njohura kushtuar Komandant Zahir Pajazitit.
    “Aleanca krah artistëve!”, theksoi ai, duke vlerësuar kontributin e artistëve në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe identitetit kombëtar.

  • Barcelona synon rritjen e mëtejshme të Camp Nou-Pritet të jipet drita e gjelbër

    Barcelona synon rritjen e mëtejshme të Camp Nou-Pritet të jipet drita e gjelbër

    Gjiganti katalunas Barcelona po synon që të rris edhe më shumë kapacitetin e Spotify Camp Nou.

    Me projektin e paraqitur Camp Nou synon të presë 62.000 shikues në ndeshjet e Barcelonës,ku synohet që të përmirësohet ndjeshëm atmosfera dhe të ardhurat nga ndeshjet.

    Përndryshe pritet që në ditët në vijim të jipet edhe drita e gjelbër nga autoritetet për të nisur punimet,dhe tani drejtuesit e Barcelonës kanë derguar dokumentacionet për pajisje të lejes për nisjen e punimeve.

    Kujtojmë që Camp Nou u hap sërish për ndeshjet futbollistike,ku Barcelona luajti kundër Athletic Bilbaos në të cilën ekipi i Hansi Flick fitoi me rezultat 4:0.

  • Derrick Bonsu largohet nga kampioni aktual FC Drita

    Derrick Bonsu largohet nga kampioni aktual FC Drita

    Futbollisti Derrick Bonsu më nuk është pjesë e kampionit të Albi Mall Superligës së Kosovës Drita.

    Bonsu është larguar nga klubi gjilanas pas një periudhe 1 vjeçare,dhe atë në mënyrë vullnetare.

    Përndryshe Drita në një postim në rrjetet sociale ka konfirmuar largimin e Bonsus,duke e falenderuar për kontributin e dhënë

    Mbyllim bashkëpunimin me futbollistin tonë, Derrick Bonsu.

    Pas një periudhe 1 vjeqare bashkëpunimi, kemi vendosur të ndajnë rrugët në mënyrë miqësore me mesfushorin tonë Derrick Bonsu.

    Klubi ynë i uron Derrick shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tij.

    Thank you Bonsu.

  • Frank Leboeuf:Kylian Mbappe nuk mund të krahasohet me Zinedine Zidane

    Frank Leboeuf:Kylian Mbappe nuk mund të krahasohet me Zinedine Zidane

    Ish-futbollisti dhe kampioni i botës me Francën në vitin 1998 Frank Leboeuf ,ka dhënë një vlerësim lidhur me rëdësinë e Kylian Mbappes dhe Zinedine Zidane në futbollin francez.

    Lebouef thotë se Mbappe nuk mund të krahasohet me Zidane,dhe tregon arsyet për këtë.

    “Absolutisht jo. Ai nuk mund të krahasohet. Është e vështirë të krahasosh karrierat dhe kohët gjithashtu. Por ajo që Zizou është i aftë të bëjë, përveç të qenit një lojtar i shkëlqyer, mënyra se si u soll – edhe nëse kishte gabimet e vitit 2006 – njerëzit e duan atë”

    Përndryshe legjenda franceze shton se Mbappe është futbollist tejet cilësor,por thotë se polemikat për jetën private kanë ndikuar në reputacionin e tij.

    Në fund Leboef thotë se Mbappe ka aftësi të përfundojë aksionet,por duhet të jap kontribut edhe në repartin e mbrojtjes.

  • “Mallkimi i Krishtlindjes”, Arsenali ende pa titull në Premier League nga pozicioni lider

    “Mallkimi i Krishtlindjes”, Arsenali ende pa titull në Premier League nga pozicioni lider

    Skuadra e Arsenalit përfundoi Krishtlindjen në vendin e parë në Premier League, por tifozët e tyre kanë frikë nga një “mallkim” që ka ndjekur klubin londinez. Që nga fillimi i epokës së Ligës
    Premier në vitin 1992, 16 skuadra që kanë kryesuar tabelën në 25 dhjetor nuk kanë fituar më pas kampionatin.

    Arsenali është veçanërisht i prekur nga ky fenomen, duke humbur epërsinë katër herë në sezonet 2002/03, 2007/08, 2022/23 dhe 2023/24. Liverpooli mban rekordin me pesë raste kur ka humbur titullin pas udhëheqjes së Krishtlindjes.

    Në të kaluarën, skuadra të tjera që kryesuan tabelën në Krishtlindje dhe më pas nuk fituan titullin përfshijnë Norwich (1992/93), Newcastle (1995/96 dhe 2001/02), Manchester United (1997/98 dhe 2003/04), Aston Villa (1998/99), Leeds (1999/2000) dhe Liverpool (1996/97, 2008/09, 2013/14, 2018/19 dhe 2020/21).

    Me 21 xhiro të mbetura deri në fund të sezonit, Manchester City është vetëm dy pikë pas Arsenalit dhe do të bëjë gjithçka për t’ia hequr trofeun klubit londinez. Nga ana tjetër, lojtarët e Mikel Artetas do të luftojnë për të thyer këtë “mallkim” dhe për të siguruar titullin. Sezoni pritet të jetë shumë emocionues deri në fund. /ATVLIVE.TV

  • Seebass: Veprimet e njëanshme dhe bllokimet e Kurtit i kanë ofenduar partnerë tradicionalë të Kosovës

    Seebass: Veprimet e njëanshme dhe bllokimet e Kurtit i kanë ofenduar partnerë tradicionalë të Kosovës

    Kosova shkon për herë të dytë këtë vit në zgjedhje parlamentare.

    Ekspertja gjermane për Ballkanin, Frauke Seebass, vlerëson se mungesa e dialogut politik dhe qasja aktuale e qeverisë kanë ndikuar negativisht në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.

    Në një intervistë për DW, Seebass paralajmëron se nëse kryeministri Albin Kurti nuk arrin të angazhohet në dialog me partitë e tjera, ekziston rreziku i një bllokimi të mëtejshëm institucional edhe pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

    Ajo kritikon gjithashtu raportet e Kurtit me faktorët ndërkombëtarë, duke theksuar se afrimi me Bashkimin Evropian është bërë shumë i vështirë.

    “Për shkak të situatës politike në Serbi, afrimi me BE aktualisht është shumë vështirë, veçanërisht nën Kurtin, por Kosova mund të bëjë përparim të konsiderueshëm si në nivel vendas ashtu edhe në politikën e jashtme me zbatimin e Asociacionit”, shprehet Seebass.

    Duke folur për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe vendimin e Shteteve të Bashkuara për të pezulluar dialogun strategjik, ajo thekson se këto masa janë të drejtuara drejtpërdrejt kundër kryeministrit dhe politikave të tij.

    “Masat dhe bllokadat drejtohen kundër Kurtit dhe politikave të tij të njëanshme, veçanërisht mungesës së konsultimeve dhe përshkallëzimeve në komunat veriore”, tha Seebass.

    Sipas saj, qeveria e Kosovës duhet ta kuptojë se ndodhet në një pozicion defensiv në raport me BE-në.

    “Në vend që të denoncojë trajtimin e pabarabartë krahasuar me Serbinë, qeveria duhet të kuptojë se është në pozicion defensiv dhe se nuk ka konsensus brenda BE-së. Masat janë ligjërisht në një zonë gri, kërkohet unanimitet për shfuqizimin e tyre, por shumë vende duan të shohin që Kosova të bëjë lëshime e para. Mund të supozohet se partnerët ndërkombëtarë do të ishin më të hapur ndaj një qeverie nën dikë tjetër përveç Kurtit”, u shpreh ajo.

    Në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Seebass vlerëson se ai nuk përbën rrezik, veçanërisht pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    “Nuk e shoh më këtë rrezik pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe propozimeve aktuale sipas Marrëveshjes së Ohrit. Përkundrazi, besoj se Asociacioni i Komunave është një parakusht për integrimin e serbëve të Kosovës dhe demokratizimin e mëtejshëm”, thekson ajo, duke shtuar se ky mekanizëm nuk mund të bllokojë vendimmarrjen në nivel kombëtar.

    Ekspertja gjermane shprehet skeptike edhe për gatishmërinë e Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Kosovën.

    “Nuk shoh që Serbia do të zbatojë marrëveshjet në vitet e ardhshme”, tha Seebass, duke shtuar se BE-ja ka mjete për të ushtruar presion, por mungon uniteti politik.

    Duke iu referuar zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë, ajo kujton se Kurti kishte përfituar nga pakënaqësia qytetare në vitin 2018 për shkak të refuzimit të liberalizimit të vizave nga BE-ja, por thekson se veprimet e mëvonshme të njëanshme dhe bllokimi i fundit institucional kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    “Nga ana tjetër, veprimet e njëanshme të Kurtit dhe bllokimi i muajve të fundit kanë luajtur një rol të madh në atë që edhe partnerë tradicionalë të Kosovës ndihen të ofenduar, reputacioni ndërkombëtar i Kosovës ka pësuar dëme të konsiderueshme”, tha ajo.

    Sipas Seebass, këto zhvillime kanë bërë që edhe partnerë tradicionalë të Kosovës të ndihen të ofenduar, ndërsa reputacioni ndërkombëtar i vendit ka pësuar dëme të konsiderueshme.