ATV

Blog

  • Gjykata Themelore në Prishtinë me kryetar të ri: Ngadhnjim Arrni

    Gjykata Themelore në Prishtinë me kryetar të ri: Ngadhnjim Arrni

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e tij të 357-të, miratoi raportin e Panelit për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Anëtarët e KGJK-së, pas zhvillimit të procesit të votimit, me shumicë votash dhe një abstenim zgjodhën Ngadhnjim Arrnin kryetar të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Mandati i kryetarit, është pesëvjeçar dhe do të filloj nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

  • Mbi 100 aksidente brenda 24-të orëve të fundit

    Mbi 100 aksidente brenda 24-të orëve të fundit

    Numër i madh i aksidenteve është shënuar në 24-të orët e fundit në vendin tonë.

    Sipas raportit policor nga 104 aksidente rrugore, 1 është me fatalitet, 36 më të lënduar dhe 67 me dëme materiale.

    Po ashtu gjatë këtij intervali kohor janë shqiptuar 2492 gjoba trafiku për shkelësit e rregullave të trafikut rrugor.

    10 persona janë arrestuar, 7 janë dërguar në mbajte dhe 1 në vuajte të dënimit.

  • Zelensky tregon detaje nga takimi me përfaqësuesit e Trumpit

    Zelensky tregon detaje nga takimi me përfaqësuesit e Trumpit

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim të gjatë dhe konstruktiv me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konkretisht me Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Sipas tij, takimi ka pasur një atmosferë pozitive dhe është përqendruar në çështje thelbësore që lidhen me përpjekjet për arritjen e paqes.

    Gjatë bisedimeve janë shkëmbyer “ide të mira” dhe janë trajtuar “shumë detaje”, përfshirë edhe propozime të reja nga pala ukrainase lidhur me procesin e paqes.

    Këto propozime përfshijnë formatet e mundshme të negociatave, organizimin e takimeve të ardhshme dhe përcaktimin e afateve kohore për hapat e mëtejshëm diplomatikë.

    Zelensky theksoi se dokumentet paraprake janë pothuajse të përfunduara, megjithatë disa “çështje të ndjeshme” ende kërkojnë diskutime dhe punë të mëtejshme.

    Ai shtoi se periudha në vijim pritet të jetë shumë intensive në aspektin diplomatik, me angazhime të shumta dhe përpjekje të shtuara për të çuar përpara procesin e paqes.

  • Gjendja me energjinë elektrike, ZRrE-ja u bën thirrje qytetarëve për kursim

    Gjendja me energjinë elektrike, ZRrE-ja u bën thirrje qytetarëve për kursim

    Gjendja me energjinë elektrike në Kosovë vazhdon të mbetet shqetësuese, me çmime të larta dhe reduktime të shpeshta të energjisë, që po ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve dhe bizneset.

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka bërë thirrje të vazhdueshme për kursim të energjisë. Në një njoftim të dërguar për mediat, ZRRE u ka kërkuar qytetarëve dhe bizneseve që të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike për të ndihmuar në përballimin e situatës.

    Sipas njoftimit, ZRRE ka organizuar një takim koordinues me kompanitë e licencuara në sektorin e energjisë, përfshirë përfaqësues të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), si dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).

    Në këtë takim, palët kanë diskutuar për situatën aktuale dhe masat që duhet të merren për të siguruar furnizimin me energji elektrike, si dhe për të menaxhuar me efikasitet burimet e energjisë. ZRRE-ja ka theksuar nevojën e vazhdueshme për kursim dhe përdorim të mençur të energjisë, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi të përbashkët për të përballuar sfidat që po hasen në sektorin e energjisë.

    Me këto thirrje, ZRRE synon të lehtësojë ndikimin e reduktimeve dhe të ruajë stabilitetin e furnizimit me energji në muajt e ardhshëm.

    Njoftimi i plotë:

    Më 24.12.2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur një takim koordinues me kompanitë e licencuara në sektorin e energjisë, përkatësisht me përfaqësuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesit me Shërbim Universal (KESCO).

    Qëllimi i takimit ishte vlerësimi i sigurisë së furnizimit me energji elektrike gjatë periudhës së fundvitit, një periudhë që tradicionalisht karakterizohet nga rritje e ndjeshme e konsumit të energjisë elektrike.

    Gjatë takimit u diskutuan sfidat kryesore me të cilat zakonisht përballet rrjeti energjetik në periudha festive, përfshirë ndikimin e kushteve klimatike dimërore në stabilitetin e prodhimit dhe transmetimit; kufizimet teknike të rrjetit dhe nevoja për balancim të vazhdueshëm ndërmjet prodhimit, importit dhe konsumit; përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe funksionimin e sigurt të sistemit rajonal të energjisë; si dhe organizimin institucional gjatë periudhës së pushimeve dhe zgjedhjeve qendrore.

    Përfaqësuesit e ndërmarrjeve të licencuara prezantuan kapacitetet teknike dhe operative për përballimin e ngarkesave të shtuara, si dhe masat parandaluese që janë ndërmarrë për të garantuar stabilitetin e furnizimit. ZRRE ka kërkuar nga operatorët përgjegjës hartimin dhe përditësimin e planeve të menaxhimit të gjendjes, përfshirë skenarë të mundshëm dhe planifikim paraprak të masave, në rast të situatave të paparashikuara.

    ZRRE u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që gjatë kësaj periudhe të tregohen të kujdesshëm dhe racionalë në përdorimin e energjisë elektrike. Kursimi i energjisë, veçanërisht në orët e kërkesës maksimale (pikut), kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin e sistemit dhe në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm për të gjithë konsumatorët.

    Zyra e Rregullatorit për Energji do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë operatorët e sektorit për të garantuar furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji elektrike.

  • Zgjedhjet e parakohshme, KQZ-ja sot mban mbledhjen për përgatitjet për 28 dhjetor

    Zgjedhjet e parakohshme, KQZ-ja sot mban mbledhjen për përgatitjet për 28 dhjetor

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë sot, nga ora 13:30, mbledhjen e radhës për të diskutuar përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilat do të zhvillohen më 28 dhjetor 2025.

    Në rendin e ditës, sipas njoftimit zyrtar, është shqyrtimi i raportit të Sekretariatit të KQZ-së, lidhur me procesin zgjedhor dhe hapat e nevojshëm për organizimin e zgjedhjeve.

    Kjo mbledhje është e rëndësishme për përgatitjen e të gjitha aspekteve të procesit zgjedhor, që përfshin logjistikën, administratën dhe sigurimin e një procesi zgjedhor të ndershëm dhe të organizuar.

  • 50 Cent kundër Beyoncé, përballje në lidhje me dokumentarin e Sean “Diddy” Combs

    50 Cent kundër Beyoncé, përballje në lidhje me dokumentarin e Sean “Diddy” Combs

    Një debat i papritur mes 50 Cent dhe Beyoncé ka ndezur rrjetet sociale ditët e fundit, duke hapur diskutime të gjera mbi etikën, artin dhe përgjegjësinë publike në industrinë e muzikës.

    Përplasja nisi pasi Beyoncé publikoi një mesazh që u interpretua gjerësisht si një kritikë e tërthortë ndaj projektit dokumentar të 50 Cent për Sean “Diddy” Combs. Në postimin e saj, ajo shkroi se ekziston një dallim mes “tregimit të historive” dhe “shndërrimit të dhimbjes në argëtim”, duke shtuar se “kultura duhet mbrojtur, jo shfrytëzuar për klikime dhe fitim”. Mesazhi i saj theksonte nevojën për kujdes dhe përgjegjësi kur trajtohen tema të ndjeshme.

    50 Cent reagoi shpejt në X (ish-Twitter), duke mbrojtur drejtpërdrejt qasjen e tij. Në një nga postimet e tij, ai shkroi: “Unë bëj dokumentarë, jo ninulla”, duke shtuar se “e vërteta nuk ka për detyrë të të bëjë të ndihesh rehat”. Në një tjetër reagim, ai la të kuptohej se fshehja e historive të vështira është më e dëmshme sesa përballja me to edhe kur kjo sjell polemika.

    Reagimet në rrjete sociale ishin të ndara. Mbështetësit e Beyoncé-s e panë deklaratën e saj si një qëndrim të matur dhe mbrojtës ndaj kulturës, ndërsa fansat e 50 Cent-it e vlerësuan sinqeritetin dhe refuzimin e tij për të zbutur realitetin. Hashtagë si #ProtectTheCulture dhe #50VsBey u përhapën shpejt, duke reflektuar polarizimin e opinionit publik.

    Edhe pse asnjëri prej artistëve nuk e sulmoi tjetrin drejtpërdrejt me emër, mesazhet e ndërsjella e bënë të qartë përplasjen. Më shumë sesa një grindje personale, debati pasqyron një konflikt më të gjerë mbi kufirin mes informimit, artit dhe shfrytëzimit në industrinë e argëtimit.

  • BQK: Asetet e bankave në Kosovë arritën në 9.22 miliardë euro

    BQK: Asetet e bankave në Kosovë arritën në 9.22 miliardë euro

    Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka publikuar statistikat e bankave komerciale për muajin nëntor 2025, ku njofton se asetet e bankave komerciale, në fund të muajit nëntor 2025 kanë arritur vlerën në 9.22 miliardë euro, duke shënuar rënie për 1.23% krahasuar me muajin paraprak.

    ‘’Kreditë bruto – në fund të muajit nëntor 2025 kanë arritur vlerën në 6.55 miliardë euro, duke shënuar rritje prej rreth 54.49 milionë euro ose 0.84% krahasuar me muajin paraprak, kurse vlera e kredive të reja – në muajin nëntor 2025 ishte 203.75 milionë euro’’, njofton BQK.

    Sipas BQK-s, norma mesatare e interesit në kredi të reja, në muajin nëntor 2025 ishte 6.69%.

    ‘’Depozitat e klientëve – në nëntor 2025 kanë arritur vlerën prej 7.39 miliardë euro, duke shënuar rritje prej rreth 33.00 milionë euro, ose një rritje prej 0.45% krahasuar me muajin paraprak, kurse vlera e depozitave të reja – në muajin nëntor 2025 ishte 79.62 milionë euro’’, thuhet aty.

    Norma mesatare e interesit në depozita të reja – në muajin nëntor 2025 ishte 3.08%, kurse margjina e normës së interesit – në kredi dhe depozita në muajin nëntor 2025 ishte 3.61%, ndërsa raporti kredi-depozita – në muajin nëntor 2025 ishte në nivelin 88.71%.

    ‘’Gjithsej kapitali i bankave komerciale – në fund të muajit nëntor 2025 arriti vlerën në 1.12 miliardë euro. Ndërsa, provizionet për kredi kanë shënuar rritje prej rreth 1.60% krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën 153.69 milionë euro’’, njofton Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.

  • Vetëm 3 deri në 10 minuta pritje, qarkullim normal në pikat kufitare të Kosovës

    Vetëm 3 deri në 10 minuta pritje, qarkullim normal në pikat kufitare të Kosovës

    Pikat e kalimit kufitar të Kosovës po karakterizohen nga qarkullimi normal, pa ndodhur pritje të gjata për të hyrë apo dalë nga vendi.

    Sipas të dhënave më të fundit, qytetarët që kalojnë nëpër kufi nuk janë përballur me kolona të gjata, ndërsa pritjet për hyrje dhe dalje të automjeteve janë mes 3 deri në 10 minuta.

    Përveç automjeteve, edhe për kamionët ka pasur qarkullim pa probleme të dukshme.

    Autoritetet kufitare i bëjnë thirrje qytetarëve të mbeten të informuar për situatën e kufirit, veçanërisht gjatë orëve të pikut dhe festave, për të shmangur çdo pasiguri në udhëtimet e tyre.

  • VV premton zgjerim të rrjetit të laboratorëve publikë për të gjitha analizat

    VV premton zgjerim të rrjetit të laboratorëve publikë për të gjitha analizat

    Në ditën e nëntë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, kryetari i VV-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Albin Kurti mbajti tubim në Gjilan nga ku ka nënvizuar rritjen e dukshme të bizneseve dhe dyfishimin e eksporteve, duke theksuar se sundimi i ligjit, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit kanë krijuar një ambient të favorshëm për zhvillimin ekonomik.

    Kryeministri në detyrë premtoi projekte të reja infrastrukturore në sektorin e shëndetësisë.

    Kurti përfundoi fjalimin duke I’u bërë qytetarëve që ta votojnë VV-në këtë të diel.

  • PDK premton fondin shtetëror të bursave me 30 milionë euro në vitin e parë

    PDK premton fondin shtetëror të bursave me 30 milionë euro në vitin e parë

    Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar shënuar ditën e nëntë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare me tubime në Han të Elezit, Kaçanik dhe Ferizaj.

    Kryetari i PDK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza në Han të Elezit tha:

    “Hani i Elezit është urëlidhje që gjithmonë bashkon. Së bashku, me sy nga e ardhmja, besojmë dhe punojmë për Kosovën.”

    Ndërsa në Kaçanik, Hamza u ndal te historia e rezistencës dhe besnikërisë së qytetarëve:

    “Në Kaçanikun e rezistencës, mikpritjes dhe krenarisë. Një bastion i pathyeshëm dhe besnik i PDK-së, ku çdo rrugë, çdo lagje dhe çdo hap na bashkon. “

    Kurse në Ferizaj, kandidati për Kryeministër prezantoi një pjesë të rëndësishme të programit qeverisës të PDK-së. Hamza tha se Kosova nuk ka dështuar, por është keqqeverisur.

    Hamza premtoi themelimin e Fondit për Papunësi, Gjykatën e Punës, barna falas për personat me sëmundjet kronike dhe ndërtimin e një spitali të ri modern në Ferizaj.

    Ai përmendi edhe vizitën e tij në Hagë te ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, duke thënë se mesazhi i tyre ishte uniteti dhe puna deri në fitore.