ATV

Blog

  • “Zeppetta”, arma sekrete që po e bën Zhegrovën unik në futbollin italian

    “Zeppetta”, arma sekrete që po e bën Zhegrovën unik në futbollin italian

    Deri më tani, askush nuk ka arritur ta përkufizojë plotësisht stilin e lojës që e bën Edon Zhegrovën kaq të veçantë në botën e futbollit.

    Sipas prestigjiozes italiane La Gazzetta dello Sport, dallimi kryesor i yllit kosovar qëndron te mënyra se si ai e prek topin – një detaj i vogël në pamje të parë, por vendimtar në efekt, që e veçon nga lojtarët e tjerë.

    Zhegrova shquhet për teknikën e tij jashtëzakonisht të rafinuar, kontrollin e topit në hapësira të ngushta dhe aftësinë për ta mposhtur kundërshtarin me një veprim të vetëm. Pikërisht ky stil unik ka bërë që trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, t’i vendosë një nofkë të veçantë, të lidhur drejtpërdrejt me mënyrën e tij të lojës.

    “Kam lindur me këtë aftësi,” ka deklaruar Zhegrova pas ndeshjes ndaj Pisan. “Trajneri më quajti ‘Zeppetta’. E falënderoj që më dha këtë emër.”

    Termi “Zeppetta” nuk është i zakonshëm në fjalorin futbollistik italian, por përshkruan në mënyrë perfekte driblimet karakteristike të Zhegrovës, lëvizjet e shpejta dhe të paparashikueshme që thyejnë linjat mbrojtëse dhe krijojnë epërsi numerike për skuadrën.

    Spalletti e ka vlerësuar vazhdimisht Zhegrovën si një lojtar vendimtar, të aftë për ta ndryshuar rrjedhën e ndeshjes me një prekje të vetme.

    Dhe pikërisht “Zeppetta”, kjo mënyrë e veçantë e trajtimit të topit, është ajo që po e shndërron Edon Zhegrovën në një nga emrat më interesantë dhe më të respektuar në futbollin italian. /ATVLIVE.TV

  • Pushim i veçantë për Korenicën, futbollisti fejohet

    Pushim i veçantë për Korenicën, futbollisti fejohet

    Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Meriton Korenica, e ka shfrytëzuar në mënyrën më të bukur pushimin dimëror.

    Mesfushori rahovecas ka gjetur partneren e jetës dhe është fejuar.

    Këtë e ka konfirmuar vetë Korenica duke e bërë publike lidhjen e tij dhe duke zbuluar se e fejuara e tij quhet Fjolla Haska.

    Aktualisht, Korenica është pjesë e skuadrës së Clujit në Rumani, ndërsa afati kalimtar i janarit mund të sjellë zhvillime të reja rreth së ardhmes së tij sportive. /ATVLIVE.TV

  • Palladino mbron Gjimshitin pas humbjes ndaj Interit: “Janë gabime që ndodhin”

    Palladino mbron Gjimshitin pas humbjes ndaj Interit: “Janë gabime që ndodhin”

    Berat Gjimshiti ishte protagonist negativ në ndeshjen ndaj Interit, duke gabuar në aksionin që i dha kundërshtarëve golin e fitores. Goli i vetëm i takimit që u shënua në minutën e 65-të, kur Lautaro Martinez përfitoi nga një kundërsulm i shpejtë.

    Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i Atalantës, Raffaele Palladino, doli në mbrojtje të mbrojtësit shqiptar, duke theksuar se bëhet fjalë për një episod të izoluar.

    “Në fund të ndeshjes e përqafova Gjimshitin, sepse ai zakonisht nuk bën gabime të tilla. Janë situata që ndodhin në futboll dhe nuk mund ta fajësoj për këtë,” deklaroi trajneri.

    Tekniku i Atalantës pranoi gjithashtu se skuadra e tij nuk ishte mjaftueshëm e saktë në fazën përfundimtare. “Kemi gabuar në zgjedhjet tona në momentet vendimtare. Patëm disa raste, si ai i Samardziçit, por kundër skuadrave si Interi duhet t’i shfrytëzosh, sepse nuk të japin shumë mundësi,” përfundoi trajneri.

    Golin e vetëm të këtij dueli e shënoi Lautaro Martinez, falë një aksioni që “lindi” prej gabimit të Berat Gjimshitit. Ndërkohë që mbrojtësi shqiptar ka reaguar sot në rrjetet sociale, duke kërkuar falje.

    “U kërkoj falje të gjithë shokëve të ekipit dhe tifozëve për gabimin që ndryshoi lojën. Përpara Atalanta në çdo situatë”, shkruan Berat Gjimshiti në rrjetet sociale. /ATVLIVE.TV

  • Cluj synon Etnik Brrutin, Malisheva vendos çmimin

    Cluj synon Etnik Brrutin, Malisheva vendos çmimin

    Klubi rumun Cluj ka shprehur interes konkret për transferimin e mesfushorit Etnik Brruti, të cilin e sheh si pasues të Lindon Emërllahut, i transferuar ditë më parë te ekipi Polissya në Ukrainë për shumën prej 2 milionë eurosh.

    Megjithatë, Malisheva nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë talentin 21-vjeçar. Klubi kosovar kërkon të paktën 800 mijë euro për kartonin e Brrutit, ndërsa synon të mbajë edhe 15 për qind të përfitimit nga një rishitje e mundshme në të ardhmen.

    Kontrata e mesfushorit me Malishevën është e vlefshme deri në qershor të vitit 2026, çka e detyron klubin të negociojë me kujdes për të mos rrezikuar largimin e tij pa kompensim financiar.

    Brruti ka qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes në arenën ndërkombëtare, pasi disa muaj më parë vendosi të përfaqësojë Shqipërinë, duke u ndarë nga Kosova U21, me të cilën ishte aktiv më herët.

    Në këtë sezon, 21-vjeçari është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të Malishevës, duke realizuar katër gola dhe duke asistuar në tre të tjerë në 17 paraqitje zyrtare. /ATVLIVE.TV

  • Edinson Cavani i thotë lamtumirë futbollit

    Edinson Cavani i thotë lamtumirë futbollit

    Futbollisti legjendar uruguaian Edinson Cavani ka vendosur të mbyllë kapitullin e karrierës së tij të pasur, duke u tërhequr nga futbolli aktiv në moshën 38-vjeçare.

    Vendimi u bë publik gjatë pushimit të kampionatit argjentinas, që zhvillohet nga 7 dhjetori deri në fund të janarit, periudhë në të cilën Cavani ndau edhe mesazhin e tij prekës të lamtumirës.

    “Nëpërmjet futbollit u formova si njeri. Më sfidoi, më mësoi të ringrihem pas çdo rrëzimi dhe të vlerësoj çdo hap të rrugëtimit. Falë tij realizova ëndrra që dikur më dukeshin të paarritshme dhe njohja njerëz të jashtëzakonshëm,” shkroi Cavani.

    Ai falënderoi familjen, miqtë, shokët e skuadrës, trajnerët dhe tifozët, duke theksuar se dashuria e tyre do ta shoqërojë përgjithmonë. “Po largohem i qetë, i bindur se kam dhënë maksimumin në çdo ndeshje dhe në çdo stërvitje, gjithmonë me respekt për këtë profesion,” shtoi ai.

    I njohur me nofkën “El Matador”, Cavani, këto dy vite e gjysmë të fundit luajti me Boca Juniors, ndërsa kulmin e karrierës e arriti me klube si PSG, Napoli, Palermo dhe Manchester United.

    Me Paris Saint-Germain ai zhvilloi 301 ndeshje dhe realizoi 200 gola, ndërsa me Napolin shënoi 104 gola në 138 paraqitje. Me kombëtaren e Uruguait, Cavani numëron 136 ndeshje dhe 58 gola, duke u renditur mes figurave më të mëdha të historisë së futbollit uruguaian. /ATVLIVE.TV

  • Demantohet lajmi për arrestimin e Nexhmije Karaqit, reagon edhe Ministria e Drejtësisë

    Demantohet lajmi për arrestimin e Nexhmije Karaqit, reagon edhe Ministria e Drejtësisë

    Avokatja shtetërore Nexhmije Karaqi ka demantuar publikisht raportimet e publikuara më 18.12.2025, sipas të cilave ajo ishte përmendur në mesin e personave të arrestuar në një aksion policor për korrupsion.

    Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Karaqi ka sqaruar se nuk është arrestuar, nuk është intervistuar, nuk është e përfshirë në asnjë procedurë penale dhe nuk ka asnjë lidhje me rastin në fjalë. Ajo ka theksuar se bëhet fjalë për një identifikim të gabuar, të bazuar vetëm në iniciale të ngjashme, pa asnjë konfirmim zyrtar nga institucionet kompetente.

    Sipas saj, publikimi i emrit dhe fotografive të saj përbën informacion të pavërtetë dhe shpifës, cenon rëndë reputacionin dhe të drejtat e personalitetit, si dhe ka shkaktuar dëm serioz moral dhe presion psikologjik për të dhe familjen e saj. Karaqi ka paralajmëruar se është duke ndërmarrë veprime ligjore, përfshirë padi civile për shpifje dhe dëm moral, si dhe ka kërkuar fshirjen e përmbajtjes së pavërtetë dhe publikimin e një korrigjimi zyrtar.

    Lidhur me këtë çështje, reagim zyrtar ka pasur edhe Ministria e Drejtësisë, e cila në një sqarim publik ka bërë të ditur se avokatja shtetërore Nexhmije Karaqi nuk është arrestuar, nuk është intervistuar dhe nuk është subjekt i asnjë procedure nga organet e drejtësisë. Ministria ka theksuar se raportimet për arrestimin e saj janë plotësisht të pavërteta dhe të pabazuara, duke nënvizuar se kemi të bëjmë me një keqinformim mediatik.

    Ministria ka vlerësuar se publikimi i emrit dhe fotografive pa konfirmim zyrtar përbën cenim të reputacionit dhe shkelje të të drejtave të personalitetit, ndërsa raportimet e pasakta krijojnë konfuzion te publiku dhe dëmtojnë besimin në institucione. Po ashtu, ajo u ka bërë thirrje mediave që kanë publikuar këtë informacion të pasaktë të bëjnë korrigjimin e menjëhershëm, të publikojnë demantin zyrtar dhe të respektojnë standardet profesionale të informimit.

    Në lidhje me këtë rast, pas publikimit të lajmit në portalin e ATV-së, të marrë nga mediat tjera, redaksia sot ka pranuar një ankesë zyrtare nga familjarët e znj. Karaqi, në të cilën shprehen shqetësime lidhur me pasaktësinë e informacionit të publikuar dhe pasojat që ky publikim ka shkaktuar në reputacionin personal dhe familjar.

    Redaksia e ATV-së, ka ndërmarrë hapat konkretë duke e larguar lajmin e paverifikuar, dhe rithekson përkushtimin e saj për informim të saktë, të verifikuar dhe në përputhje me standardet profesionale dhe etike të gazetarisë duke shprehur keqardhje dhe duke i kërkuar ndjesë znj.Karaqi për çdo shqetësim të shkaktuar nga publikimi i këtij informacioni të pakonfirmuar.

  • Numërohen afër 90 për qind të votave, ky është rezultati

    Numërohen afër 90 për qind të votave, ky është rezultati

    Janë numëruar 87.5 për qind e votave sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

    Lëvizja Vetëvendosje deri tash ka 50,25%;

    Partia Demokratike e Kosovës ka 20,76%;

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka 14,04%!

     

  • Mbyllen vendvotimet për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë

    Mbyllen vendvotimet për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë

    Vendvotimet në të gjithë territorin e Kosovës janë mbyllur në orën 19:00, duke përfunduar procesin e votimit për zgjedhjet e parakohshme. Qytetarët patën mundësinë të ushtrojnë të drejtën e votës deri në orën e paraparë, ndërsa procesi u zhvillua nën mbikëqyrjen e institucioneve përkatëse dhe vëzhguesve.

    Rezultatet e para preliminare pritet të publikohen gjatë orëve në vijim.

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Deri në orën 17:00, rreth 760 mijë qytetarë shfrytëzuan të drejtën e votës

    Deri në orën 17:00, rreth 760 mijë qytetarë shfrytëzuan të drejtën e votës

    Saktësisht 759 mijë e 877 persona kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare deri në orën 17:00, sipas procesimit të 97.54 për qind të vendvotimeve në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

    Në përqindje kjo nënkupton se të drejtën e votës deri tash e kanë shfrytëzuar 38.01 për qind e atyre me të drejtë vote.

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Ali Sefaj kritikon procedurën e votimit me asistencë: “Raporti mjekësor, pengesë e panevojshme për qytetarët”

    Ali Sefaj kritikon procedurën e votimit me asistencë: “Raporti mjekësor, pengesë e panevojshme për qytetarët”

    Juristi Ali Sefaj ka reaguar lidhur me procedurat e votimit me asistencë, duke i cilësuar disa prej tyre si të pakuptueshme dhe të panevojshme. Sipas tij, kërkesa që qytetarët që votojnë me asistencë të pajisen me raport shëndetësor nga mjeku i mjekësisë familjare vetëm sa e komplikon procesin.

    “…Ajo që ishte e pakuptueshme, e paarsyeshme dhe e panevojshme ishte që për qytetarët që votojnë me asistencë të merret raport shëndetësor te mjeku i mjekësisë familjare. Kjo është vetëm një procedurë e panevojshme. Kush e ka menduar, e ka menduar mbrapsht dhe vetëm ka komplikuar punë…”, është shprehur Sefaj.

    Ai theksoi se procedura të tilla krijojnë barriera shtesë për qytetarët dhe mund të ndikojnë negativisht në ushtrimin e së drejtës së votës.

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, klikoni në linkun e mëposhtëm: