ATV

Blog

  • Vjosa Osmani ishte bërë më e votuara ndonjëherë në vitin 2021, Glauk Konjufca e tejkaloi tash

    Vjosa Osmani ishte bërë më e votuara ndonjëherë në vitin 2021, Glauk Konjufca e tejkaloi tash

    Vjosa Osmani u bë njeriu më i votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë që prej kur ato organizohen me lista të hapura, kur në vitin 2021 mori 300 mijë e 756 vota.

    Tani, pesë vjet pas, Glauk Konjufca, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka tejkaluar atë numër votash, ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ka numëruar ende të gjitha votat me postë dhe ato me kusht.

    Konjufca aktualisht ka 300 mijë e 912 vota.

    Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, është larg njeriu më i votuar [383,718 vota], duke e thyer rekordin paraprak të vendosur prej tij.

    Osmani, e cila kishte ardhur në pozitën e presidentes në vitin 2021 në saje të një bashkëpunimi me Kurtin, i cili e mori drejtimin e qeverisë, tani kërkon qe t’i vazhdojnë “punët e mira bashkërisht” me kryetarin e LVV-së, partisë e cila mori rreth 50% të votave në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

    Fitorja bindëse e LVV-së prej 50.28% të votave në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, Osmani theksonte se ishte “rezultat i përbashkët”.

    “Kur patëm kandidu ndaras, unë i pata marrë diku 200 mijë vota, 225 mijë, por kur u bashkuam pastaj i bëmë 440 mijë vota. Pra, ajo çka po them unë është që ajo ka qenë forcë e përbashkët, rezultat i përbashkët. Rrjedhimisht edhe ne të dy kemi qenë në krye të fushatës, kandidatë për president dhe kryeministër. Pra, e kemi përkrahë njëri-tjetrin. Sepse kur po përkthehet ‘jo ty të ka përkrahë Vetëvendosja’.. po kadale se reciproke ka qenë kjo gjë. Reciproke ka qenë kjo gjë”, thoshte Osmani në një intervistë në “Kallxo Përnime” në vitin 2024.

  • Gjobitet një person në Prishtinë për hedhje të mbeturinave nga vetura

    Gjobitet një person në Prishtinë për hedhje të mbeturinave nga vetura

    Njësiti i Trafikut në Prishtinë ka shqiptuar gjobë ndaj një personi, pasi është kapur duke hedhur mbeturina nga vetura në vend publik.

    Policia njofton se, pas identifikimit të personit, ndaj tij janë ndërmarrë të gjitha masat ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Autoritetet apelojnë te qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë dhe mjedisit, duke shmangur veprime të tilla që cenojnë higjienën publike dhe sigurinë në rrugë.

  • Vuçiq përsëri paranojak – përmend sërish “aleancën ushtarake midis Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë”

    Vuçiq përsëri paranojak – përmend sërish “aleancën ushtarake midis Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar të hënën Kroacinë se po punon së bashku me Kosovën dhe Shqipërinë për ta “shkatërruar” atë dhe për të përfaqësuar një kërcënim ushtarak, prandaj njoftoi se qeveria, të cilën ai e kontrollon, do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj ushtarake.

    Sipas mediave kroate, përcjell Telegrafi, Vuçiq e tha këtë në Trebinje në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku udhëtoi për të marrë pjesë në hapjen e një spitali të ri, por në fjalimin që mbajti me atë rast foli më pak për kujdesin shëndetësor.

    Sipas Index.hr, ai u përqendrua në analizat gjeostrategjike, duke parashikuar ardhjen e “kohërave të vështira”, duke përfshirë rreziqet e reja të luftës në juglindje të Evropës.

    Po sipas mediumit kroat, ai konfirmoi shprehimisht se shqetësimi i tij i veçantë është Kroacia, domethënë bashkëpunimi i saj në mbrojtje me Kosovën dhe Shqipërinë.

    Ai thotë se duhet të jetë e qartë për të gjithë se kjo “nuk është një aleancë kundër Austrisë”, kështu që “ai ka një detyrim t’ua shpjegojë këtë serbëve”.

    “Në Beograd, ne e kuptojmë shumë mirë aleancën e re ushtarake të krijuar midis Zagrebit, Prishtines dhe Tiranës. Ajo nuk u krijua kundër askujt tjetër, por kundër popullit serb”, citohet të ketë thënë Vuçiq para turmës.

    Ai tha gjithashtu se një forcim i ndjeshëm i forcës ushtarake të Serbisë është duke u zhvilluar tani.

    “Ne jemi të dytët në botë për sa i përket përparimit të kapaciteteve tona ushtarake dhe brenda dy vjetësh do t’i dyfishojmë kapacitetet tona ushtarake”, ka njoftuar Vuçiq.

    Ai gjithashtu akuzoi Kroacinë se po përpiqet të ndikojë në proceset në Mal të Zi – në atë që Vuçiq e sheh si një komplot kundër Serbisë dhe serbëve.

    “Përpjekja e Zagrebit për ta vënë Podgoricën nën kontrollin e tij dhe për të përfshirë të gjithë në politikën anti-serbe është e qartë dhe e dukshme për ne”, tha ai.

    Ai gjithashtu i lidhi teoritë e tij të konspiracionit me protestat që zgjatën në Serbi gjatë gjithë vitit të kaluar.

    “Ata që mendojnë se ne jemi naivë dhe do të jemi në gjendje të bëjmë gjëra si në vitin 1941 dhe shumë herë në histori, le ta dinë: ju bëtë gjithçka vitin e kaluar për të më rrëzuar nga pushteti, me një miliard euro të investuara, dhe dështuat… Unë nuk jam Slobodan Millosheviqi, as naiv dhe as budalla që t’ju besoj”, ka thënë ndër tjerash presidenti serb.

  • Bora shkakton probleme në Bosnjë e Hercegovinë, një person humb jetën në Sarajevë

    Bora shkakton probleme në Bosnjë e Hercegovinë, një person humb jetën në Sarajevë

    Reshjet e dendura të borës që kanë përfshirë Bosnjë e Hercegovinën gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar probleme të mëdha në mbarë vendin ndërsa është shënuar edhe një aksident me pasojë vdekjeprurëse në Sarajevë.

    Në lagjen Gërbavica të Sarajevës, një pishë më e lartë se dhjetë metra ka rënë mbi një grua, e cila për shkak të plagëve të rënda ka ndërruar jetë në Klinikën e Mjekësisë Urgjente (KUM).

    Bora ka shkaktuar probleme serioze në qarkullim, ku është regjistruar një numër i madh aksidentesh rrugore, si dhe ndërprerje dhe reduktime të transportit publik.

    Qytetarët janë ankuar për rrugë dhe trotuare të papastruara dhe të pakalueshme, për shkak të të cilave shumë prej tyre janë detyruar të lëvizin në rrugë, duke rrezikuar edhe më tej sigurinë e këmbësorëve.

    Nga ndërmarrja komunale “Rad”, e cila vepron në territorin e katër komunave urbane të Sarajevës, u bë e ditur se në terren janë angazhuar 33 automjete të shërbimit dimëror dhe rreth 80 punëtorë për pastrimin manual të rrugëve dhe sipërfaqeve për këmbësorë.

    Megjithatë, një numër i madh rrugësh dytësore dhe hyrjesh vazhdojnë të mbeten nën borë.

    Edhe pse bora gjatë natës ka pushuar së rëni në Sarajevë, orët e mëngjesit kanë sjellë vështirësi shtesë për shkak të akullit.

    Arteria kryesore e qytetit është pastruar, por rrugët përreth dhe kalimet kanë mbetur të mbuluara me borë. Drejtuesve të mjeteve u bëhet thirrje për kujdes maksimal.

    Instituti Federal Hidrometeorologjik ka paralajmëruar për sot mot me vranësira dhe shi në Hercegovinë, ndërsa në Bosnjë pritet shi dhe borë.

    Në ditët në vijim parashikohen reshje të dendura, veçanërisht në Hercegovinë dhe Bosnjën jugperëndimore, me mundësi rritjeje të nivelit të lumenjve dhe rrezik për përmbytje lokale.

    Nga BIHAMK-u kujtohet se pajisjet dimërore janë të detyrueshme për të gjitha automjetet në Bosnjë e Hercegovinë.

    Probleme janë shënuar edhe në disa akse rrugore, përfshirë Bradinën dhe rrugën Jabllanicë-Blidinjë ndërsa kolona dhe pritje të gjata janë evidentuar edhe në shumë pika kufitare.

    Shërbimet dhe institucionet kompetente u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, ndjekje të parashikimeve të motit dhe respektim të rekomandimeve, duke pasur parasysh reshjet e reja të paralajmëruara dhe mundësinë e komplikimeve të mëtejshme. AA

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e personit të dyshuar për vjedhje të rëndë

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e personit të dyshuar për vjedhje të rëndë

    Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor të Fushë Kosovës, me autorizim të prokurorisë kompetente, ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për të ndihmuar në identifikimin e vendodhjes së një personi të dyshuar për vjedhje të rëndë.

    Sipas njoftimit të Policisë, personi i dyshuar është: Kushtrim Beqiraj, i cili kërkohet për përfshirje në veprën penale të vjedhjes së rëndë.

    Policia bën thirrje: “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin dhe gjetjen e tij, ju lutemi kontaktoni Policinë e Kosovës në numrin 192 ose në adresën [email protected]”.

    Autoritetet vlerësojnë çdo informacion të dhënë dhe sigurojnë konfidencialitet për personat që ofrojnë ndihmë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit qytetar në parandalimin e krimeve dhe sigurimin e rendit publik.

  • KQZ: Rezultatet përfundimtare mund të shpallen shumë më herët se më 19 janar

    KQZ: Rezultatet përfundimtare mund të shpallen shumë më herët se më 19 janar

    Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë se rezultatet përfundimtare mund të shpallen më herët sesa që ishte planifikuar (më 19 janar).

    “Nga kjo mund të përfundojmë se edhe rezultatet përfundimtare të planifikuara për t’u shpallur më së largu deri më 19 janar, mund të shpallen shumë më herët.”

    Ai shtoi se në planifikimet e KQZ-së, përfundimi i aktiviteteve në QKN është paraparë të bëhet deri më 7 janar, por sipas dinamikës së punës kjo është arritur në mesditën e 3 janarit.

    “Numërimi i votave nga votimi në përfaqësitë diplomatike dhe nga votimi me postë ishte planifikuar të bëhet nga data 7 janar, por ka përfunduar më 3 janar. Gjithashtu, edhe numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta ishte planifikuar të fillonte më 16 janar, por sipas planifikimeve kjo mund të fillojë gjatë ditës së sotme.”

  • Thaçi ankohet në Gjykatë Kushtetuese për shkeljen e të drejtave të njeriut: Bisedat private u incizuan fshehtas

    Thaçi ankohet në Gjykatë Kushtetuese për shkeljen e të drejtave të njeriut: Bisedat private u incizuan fshehtas

    Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka dërguar ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Hagës.

    Në parashtresën e tyre, mbrojtja thekson se Hashim Thaçit i janë shkelur të drejtat elementare të njeriut, në rastin e dytë për pengim të drejtësisë.

    Për këtë arsye, kryetarja e Gjykatës Speciale, ka caktuar panelin e gjyqtarëve të Kushtetueses, që do ta trajtojnë ankesën.

    Në ankesë, thuhet se Thaçi është viktimë e shumë shkeljeve në rastin e pengimit të drejtësisë.

    “Z. Thaçi është një individ të cilit i janë dhënë të drejta sipas Kushtetutës. Ai është viktimë e shkeljeve të përcaktuara në këto parashtresa, në lidhje me caktimin e paligjshëm si të Gjyqtarit të Vetëm ashtu edhe të Gjyqtarëve të Procedurës Paraprake. Të dy Gjyqtarët e Vetëm dhe të dy Gjyqtarët e Procedurës Paraprake kanë lëshuar vendime në lidhje me z. Thaçi si pjesë e procedurave penale të ngritura kundër tij nga Prokuroria Speciale në Rastin 12, pavarësisht se nuk janë caktuar në përputhje me ligjin. Ndër të tjera, vendimet kanë autorizuar regjistrimin e fshehtë të vizitave dhe telefonatave të z. Thaçi në qendrën e paraburgimit; sekuestrimin dhe kontrollin e kompjuterit të tij; ndalimin e tij të përsëritur dhe vazhdimin e paraburgimit; kufizimet për vizitorët e tij personalë gjatë këtij paraburgimi; dhe aktakuzën e tij në Rastin 12”, thuhet në këtë parashtresë, raporton Nacionale.

    Në këtë parashtresë, avokatët theksojnë se këto shkelje, njollosin procesin që është përcjellur me veprime jo të ligjshme.

    “Shkeljet e veçanta të Nenit 31 të ngritura nga kjo kërkesë nuk janë çështje që mund të korrigjohen në një fazë të mëvonshme të çështjes. Nuk ka asnjë hap që Gjyqtari i Vetëm i Gjykimit mund të ndërmarrë që do të korrigjojë parregullsinë që njollos këto procedura. Çështja është ndërtuar kryesisht mbi prova të cilat janë marrë në një mënyrë që nuk është në përputhje me Ligjin e Gjykatës Speciale të KSK-së, pasi ato janë autorizuar nga gjyqtarë që nuk janë caktuar siç duhet dhe në mënyrë të rregullt sipas Rregullës. Më e rëndësishmja, Aktakuza nuk është lëshuar në përputhje me Ligjin, dhe kjo pavlefshmëri nuk mund të korrigjohet përveçse me një vendim të ri konfirmimi nga një Gjyqtar i Procedurës Paraprake i caktuar siç duhet”, thuhet më tutje në parashtrim.

    Avokatët kanë përmendur të drejtat që ka Thaçi për privatësi, dhe faktin se me vendimet e gjyqtarëve, atij i janë incizuar fshehtas bisedat, dhe i janë marrë pajisjet personale.

    “Më qartë, si Gjyqtar i Vetëm dhe Gjyqtar i Procedurës Paraprake, si Gjyqtarja Masselot ashtu edhe Gjyqtari Guillou dhanë urdhra që mundësonin regjistrimin e fshehtë të bisedave private të Z. Thaçi dhe aksesin në këto biseda nga ZPS-ja dhe të tjerët. Ata gjithashtu nxorën urdhra që mundësonin sekuestrimin dhe kontrollin e kompjuterit të Z. Thaçi, si dhe nxjerrjen e të dhënave prej tij, të cilat përfshinin korrespondencën dhe shkrimet e tij personale”, thuhet më tutje.

    Andaj, mbrojtja e Thaçit ka kërkuar që të konstatohet shkelja e të drejtave të njeriut, të theksohet se urdhrat për incizimin e bisedave dhe sekuestrimin e pajisjeve kanë cenuar privatësinë e Thaçit, dhe se aktakuza është e cenuar me këto shkelje.

  • “Golat janë në gjakun e tij”, Solomon prezantohet te Liria

    “Golat janë në gjakun e tij”, Solomon prezantohet te Liria

    FC Liria ka zyrtarizuar përforcimin më të ri gjatë afatit kalimtar dimëror. Bëhet fjalë për sulmuesin Theophilus Solomon, i cili do të mbajë fanellën me numrin 45 te skuadra prizrenase.

    Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi, që garon në Ligën e Parë të futbollit të Kosovës, duke e prezantuar lojtarin me përshkrimin se “golat janë në gjakun e tij”.

    Për 29-vjeçarin, Liria është klubi i pestë në futbollin kosovar, pasi më herët ka qenë pjesë e Ballkanit, Gjilanit, Dukagjinit dhe Vushtrrisë.

    Në Ligën e Kosovës, sulmuesi nigerian ka regjistruar gjithsej 63 paraqitje, duke shënuar 13 gola dhe një asist.

    Aktualisht, “Arpagjikt’ renditen në vendin e pestë në tabelë me 36 pikë, katër më pak se lideri Vushtrria, që kryeson me 40 pikë. /ATVLIVE.TV

  • Glasner kandidaturë serioze për stolin e Manchester United

    Glasner kandidaturë serioze për stolin e Manchester United

    Manchester United ka përfshirë trajnerin e Crystal Palace, Oliver Glasner, në listën e ngushtë të kandidatëve për stolin e skuadrës, ndërsa klubi ka nisur zyrtarisht kërkimet për një trajner të ri pas largimit të Ruben Amorim.

    Drejtuesit e “Djajve të Kuq” vlerësojnë lart punën e teknikut austriak në Selhurst Park, veçanërisht qartësinë taktike dhe aftësinë e tij për të menaxhuar grupin. Një faktor shtesë që e bën Glasner një opsion tërheqës është edhe fakti se kontrata e tij skadon gjatë verës.

    Preferenca e tij për një skemë me tre mbrojtës nuk shihet si pengesë, pasi Manchester United synon të bashkëpunojë me trajnerë dhe lojtarë fleksibil, të aftë për t’u përshtatur.

    Megjithëse ende nuk ka pasur një qasje formale, diskutimet e brendshme për emrin e pasuesit të ardhshëm janë intensifikuar ndjeshëm. /ATVLIVE.TV

  • Vlera astronomike, futbollistët që nuk kanë rival në vlerën e tregut

    Vlera astronomike, futbollistët që nuk kanë rival në vlerën e tregut

    Në përfundim të vitit 2025, futbolli botëror ka vetëm tre lojtarë që kapin shifrën e 200 milionë eurove në treg, sipas të dhënave të Transfermarkt. Ata janë Lamine Yamal, Erling Haaland dhe Kylian Mbappé, duke konfirmuar statusin e tyre si futbollistët më të vlefshëm në botë.

    Lamine Yamal, talenti i ri i FC Barcelona, ka arritur kulmin e karrierës së tij deri më tani, me vlerën 200 milionë euro, duke u bërë një nga lojtarët më të rinj që e arrijnë këtë shifër historike. Performancat e jashtëzakonshme në La Liga dhe Ligën e Kampionëve kanë ngritur ndjeshëm vlerën e tij në treg.

    Nga ana tjetër, Erling Haaland vazhdon të jetë një makinë golash për Manchester City, duke u vlerësuar gjithashtu me 200 milionë euro, ndërsa francezi Kylian Mbappé, tashmë në Real Madrid, e mbyll këtë treshen elitare me të njëjtën vlerë.

    Përveç këtyre treve, lojtarë të tjerë si Jude Bellingham, Vinicius Jr. dhe Pedri ndodhen afër kufirit të 200 milionë eurove, duke treguar një rritje të vazhdueshme të vlerës së futbollistëve të rinj dhe yjeve të mëdhenj. /ATVLIVE.TV