ATV

Blog

  • KQZ e gatshme për shpalljen e rezultateve, pret përfundimin e ankesave

    KQZ e gatshme për shpalljen e rezultateve, pret përfundimin e ankesave

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është teknikisht i gatshëm për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, por ky hap do të ndërmerret vetëm pas përfundimit të plotë të procesit të të ankesave.

    Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Sipas Elezit, KQZ aktualisht është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave që kanë të bëjnë me administrimin e numërimit në Qendrat e Numërimit të Rezultateve (QNR), si dhe të plotfuqishmërisë së vendimeve dhe zbatimit të tyre.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave për administrimin e numërimit në QNR, të plotfuqishmërisë së vendimeve dhe të zbatimit të tyre, nëse këto vendime e detyrojnë ndonjë gjë KQZ-në. Vetëm pas kësaj, KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar”, ka deklaruar Elezi.

    Ai ka sqaruar po ashtu se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk nënkupton përmbylljen e plotë të procesit zgjedhor, pasi ligji u jep të drejtë subjekteve politike dhe kandidatëve që të parashtrojnë ankesa edhe ndaj vetë rezultatit.

    “Subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj rezultatit, fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e më pas çështja mund të procedohet deri në Gjykatën Supreme. KQZ është e obliguar të presë këto vendime, t’i zbatojë ato dhe vetëm pas kësaj të procedojë me certifikimin e rezultateve”, ka theksuar zëdhënësi i KQZ-së.

    Ndërkohë, Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar se aktualisht nuk ka asnjë ankesë të paraqitur në këtë institucion lidhur me zgjedhjet.

    “Lidhur me kërkesën tuaj, bazuar në informacionet nga Zyra për Menaxhimin e Lëndëve, aktualisht nuk ka ndonjë ankesë lidhur me Zgjedhjet, të paraqitur në Gjykatë Supreme”, ka deklaruar Antigona Uka-Lutfiu, udhëheqëse e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media.
    Megjithatë, Uka-Lutfiu ka theksuar se nga Gjykata Supreme gjatë këtij viti është shqyrtuar një ankesë lidhur me zgjedhjet, e cila është refuzuar si e pabazuar.

    Ndërsa deri në fund të vitit 2025, Gjykata Supreme ka pranuar gjithsej tri ankesa: dy prej tyre janë refuzuar si të pabazuara, ndërsa një ankesë është hedhur poshtë si e paraqitur jashtë afatit ligjor.

    Ndryshe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), aktualisht në shqyrtim janë katër ankesa.

    Procesi zgjedhor pritet të vazhdojë në përputhje me afatet ligjore, ndërsa KQZ ka theksuar se do të veprojë vetëm pasi të përmbyllen të gjitha procedurat ankimore dhe vendimet përkatëse të bëhen të plotfuqishme.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten më 9 janar, ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit./Telegrafi

  • Katër ankesa në shqyrtim nga PZAP-ja për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Katër ankesa në shqyrtim nga PZAP-ja për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të dielën më 9 janar, ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

    Lidhur me këto zgjedhje Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka konfirmuar se aktualisht janë katër ankesa në shqyrtim.

    Në një përgjigje për Telegrafin, PZAP-ja ka bërë të ditur se këto ankesa janë duke u trajtuar në përputhje me kompetencat ligjore të institucionit, ndërsa vendimet për to do të merren brenda afateve të përcaktuara me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme (LZP) dhe rregulloren e PZAP-së.

    Ndryshe, të premten vonë PZAP-ja e hodhi poshtë si të pa afatshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për shfuqizimin e rreth 20.000 votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata.

    PDK-ja kishte kërkuar nga PZAP-ja të enjten t’i shpallë të pavlefshme votat në fjalë, duke thënë se ato ishin dërguar me postë nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.

    Sipas rezultateve preliminare, këto zgjedhje i fitoi Lëvizja Vetëvendosje me 51.11 për qind të votave që i japin 57 ulëse në kuvend.

    Partia e dytë doli Partia Demokratike e Kosovës me 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse në kuvend.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 13.23 për qind të votave, që i sigurojnë asaj 15 ulëse në organin ligjvënës.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 5.50 për qind të votave dhe kjo parti do të ketë gjashtë deputetë.

    Në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën pjesë 45 për qind e trupit votues.

    Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ishin rezultat i mospajtimeve dhe përplasjeve ndërmjet partive politike, të cilat pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arritën ta konstituonin kuvendin deri më 10 tetor.

  • Ambasadori i Turqisë në Prishtinë uron Ramën për mandatin e dytë

    Ambasadori i Turqisë në Prishtinë uron Ramën për mandatin e dytë

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka pritur në një takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Tunç Angılı, për fillimin e mandatit të ri në udhëheqjen e kryeqytetit.

    Rama ka shkruar në facebook se bashkëpunimi me Republikën e Turqisë mbetet i rëndësishëm për zhvillimin dhe vizionin afatgjatë të kryeqytetit.

    “Diskutuam për vazhdimin e bashkëpunimit dhe për projektet e ardhshme me interes të përbashkët. Partneriteti ynë ndërtohet mbi miqësinë, respektin reciprok dhe angazhimin e përbashkët për rezultate konkrete për qytetarët”, vazhdon postimi.

  • Shokon Brooklyn Beckham, djali i David dhe Victoria Beckham, u dërgon letër ligjore prindërve…

    Shokon Brooklyn Beckham, djali i David dhe Victoria Beckham, u dërgon letër ligjore prindërve…

    Përçarja në familjen Beckham ka marrë një kthesë dramatike, me Brooklyn Beckham që raportohet se ka zbuluar arsyen tronditëse pse u dërgoi një letër ligjore prindërve të tij të famshëm, pavarësisht shpresave të David dhe Victoria se tensionet më në fund po zbuteshin.

    Burime pretendojnë se djali i madh i Beckhamëve u ndje “i futur në qoshe” dhe vendosi të ndërmarrë hapa formal pas muajsh tensionesh të fshehura pas skenave. Thuhet se ky veprim i ka zënë në befasi Davidin dhe Victorian, të cilët kishin shpresuar në heshtje se konflikti familjar mund të shkrihej pasi bashkëshortja e Brooklyn, Nicola Peltz, duket se kishte fshirë çdo gjurmë të tyre nga Instagrami i saj.

    Sipas burimeve të brendshme, letra ligjore nuk kishte të bënte me para, por me “vendosjen e kufijve”, ndërsa Brooklyn thuhet se është i vendosur të mbrojë martesën dhe pavarësinë e tij. “Brooklyn ndihet vazhdimisht i kapur në mes,” pretendon një burim. “Ai donte ta bënte të qartë qëndrimin e tij dhe të ndalonte që çështjet private familjare të ktheheshin në narrativa publike.”

    Nga ana tjetër, David dhe Victoria thuhet se janë “zemërthyer” nga përshkallëzimi i situatës. Miq të çiftit këmbëngulin se ata besonin se marrëdhëniet po përmirësoheshin dhe shpresonin që familja të ecte përpara në qetësi. “Ata e duan Brooklynin pafund dhe kurrë nuk e kishin imagjinuar se do të arrinte deri këtu,” tha një burim.

    Vendimi i Nicolës për të fshirë çdo gjurmë të vjehrrëve nga rrjetet sociale ngriti dyshime, por fillimisht u interpretua si një fillim i ri dhe jo si një shkëputje përfundimtare. Tani, megjithatë, duket se ai veprim ishte qetësia para stuhisë.

    Ata që janë pranë familjes thonë se përçarja është ushqyer nga keqkuptime të vazhdueshme, pritshmëri të ndryshme dhe presioni i madh i të jetuarit nën vëmendjen e vazhdueshme publike. Ndërsa të dyja palët po heshtin, letra ligjore ka bërë të qartë një gjë, kjo nuk është një mosmarrëveshje e zakonshme familjare.

    Nëse Beckhamët do të arrijnë ta shërojnë këtë ndarje mbetet për t’u parë, por për momentin, familja dikur e përsosur po përballet me kapitullin e saj më të dhimbshëm deri tani, i luajtur nën dritën e pamëshirshme të vëmendjes publike.

  • Rrezik nga ngricat, Policia apelon për kujdes të shtuar ndaj qytetarëve

    Rrezik nga ngricat, Policia apelon për kujdes të shtuar ndaj qytetarëve

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të ulëta, duke shmangur çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë në rrugë dhe në hapësira publike, si rrugët, trotuaret dhe hapësirat e tjera.

    Policia ka drejtuar një apel të veçantë edhe për pronarët e autolarjeve, duke i ftuar ata që të kenë kujdes të shtuar gjatë pastrimit të veturave, veçanërisht në derdhjen e ujërave në rrugë dhe trotuare, pasi kjo mund të shkaktojë krijimin e ngricave, shkruan IndeksOnline.

    Sipas Policisë, ngricat paraqesin rrezik serioz për sigurinë e trafikut rrugor, duke rritur mundësinë e aksidenteve dhe duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe këmbësorët.

    Në këtë drejtim, Policia e Pejës ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me organet kompetente komunale, do të ndërmarrë masa të shtuara kontrolli dhe do të zbatojë masa ligjore ndaj të gjithë atyre që shkelin këto rregulla.

    “Policia mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe apelon për bashkëpunim,” thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Çifti viral Kristy Sarah and Desmond Scott shkojnë në divorc, shkak spekulimet për tradhti… 

    Çifti viral Kristy Sarah and Desmond Scott shkojnë në divorc, shkak spekulimet për tradhti… 

    Fansat e tyre u erdhi papritur! Influencer-ët më të dashur të TikTok-ut dhe Instagram-it, Kristy dhe Desmond Scott, i njohur thjesht si “The Scotts”, që për vite me radhë na kishin magjepsur me videot e tyre familjare dhe pranks të ëmbla… janë ndarë zyrtarisht! Kristy ka dorëzuar kërkesën për divorc në gjykatë dhe shkaku kryesor thuhet të jetë tradhtia nga ana e Desmond-it

    Çifti, i cili nisi historinë e tyre të dashurisë që kur ishin adoleshentë, pra takuan njëri-tjetrin në moshën 14 vjeçare e u martuan në 2014 dhe bashkë kanë dy djem të mrekullueshëm, Vance dhe Westin, por tani imazhi i dashurisë perfekte që ata kishin krijuar, u shemb zhgënjyeshëm…

    Sipas dokumenteve të gjykatës që Kristy paraqiti në Harris County, Texas, ajo pretendon se tradhtia e Desmond shkatërroi çdo shans për të shpëtuar martesën e tyre dhe la gjithçka të pakthyeshme. Fansat janë tronditur totalisht, pasi ky çift ishte simbol i dashurisë dhe bashkëpunimit në rrjetet sociale, me mbi dhjetra miliona ndjekës në TikTok dhe Instagram!

    Dhe drama bëhet edhe më e madhe! Desmond vetë u shfaq në Instagram duke kërkuar falje publike, duke thënë se ka bërë “zgjedhje për të cilat ai nuk është krenar” gjatë kohës kur marrëdhënia po përkeqësohej, një koment që shumë ndjekës e interpretojnë si një pranim indirekt të tradhtisë!

    Fansat reaguan menjëherë në rrjete sociale nga zemërimi dhe mosbesimi te komente plot humor e thashetheme por një gjë është mëse e qartë, “The Scotts” nuk janë më çifti i ëndrrave që dikur të gjithë adhuronim!

  • Macaulay Culkin, djali pas “Home Alone” shokon Hollywood-in, rikthehet në skenë pas 35 vitesh

    Macaulay Culkin, djali pas “Home Alone” shokon Hollywood-in, rikthehet në skenë pas 35 vitesh

    Ylli i Home Alone, Macaulay Culkin, bëri një rikthim epik në skenë në “Golden Globe Awards 2026”, 35 vjet pasi u shfaq për herë të fundit në këtë event madhështor dhe publiku ishte në ekstazë! 

    Në moshën 45 vjeçare, aktori i dashur i fëmijërisë shkoi në skenë për të paraqitur çmimin për “Best Screenplay – Motion Picture” dhe u përshëndet me duartrokitje të zjarrta nga audienca sapo u shfaq në Beverly Hilton.

    Me humor tipik, Macaulay iu drejtua turmës duke thënë:
    “Wow, faleminderit, djem! Kanë kaluar 35 vite që kur kam qenë këtu… faleminderit që më mirëpritët sërish!”, duke i bërë të gjithë të qeshin dhe të ndihen nostalgjikë.

    Ai gjithashtu ironizoi mbi famën e tij si “djaloshi i Home Alone”:
    “E di që është e çuditshme të më shikoni jashtë sezonit të festave… por, habitshëm, ekzistoj edhe gjatë gjithë vitit, ju premtoj!”, duke ndezur entuziazëm dhe buzëqeshje në sallë.

    Atmosfera u bë edhe më emocionuese kur ai iu drejtua skenës me këngën nostalgjike “Return of the Mack” në sfond, një moment që i bëri fansat të ndjeheshin sikur koha ishte kthyer pas.

    Kjo shfaqje e Culkin nuk ishte vetëm një paraqitje, ishte një rikthim i madh nostalgjik për shumë adhurues të filmave të viteve ’90, që e panë aktorin e tyre të preferuar të ngjitej përsëri në një nga skenat më të mëdha të Hollywood-it!

  • 44 aksidente rrugore e mbi 1400 gjoba trafiku brenda 24-të orëve të fundit

    44 aksidente rrugore e mbi 1400 gjoba trafiku brenda 24-të orëve të fundit

    44 aksidente trafiku janë shkaktuar brenda 24-të orëve në vendin tonë. Nga 44 aksidente,

    16 janë me të lënduar dhe 28 me dëme materiale.

    Po ashtu është bërë e ditur se gjatë kësaj periudhe kohore janë shqiptuar 1407 gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut rrugor.

    15 persona janë arrestuar, 14 janë dërguar në mbajte.

  • Policia e Kosovës e kap me drogë në kufi të riun nga Shqipëria

    Policia e Kosovës e kap me drogë në kufi të riun nga Shqipëria

    Policia e Kosovës e ka kapur me substanca nartkoike një person në pikën kufitare në Vërmicë, ndaj të cilit tashmë është iniciuar hetimi për vepër penale.

    Sipas informacioneve të para, i dyshuari është shtetas i Shqipërisë, te i cili pas kontrollit, është gjetur një sasi e marihuanës.

    Droga është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar për t’u intervistuar lidhur me rastin.

    Nga PK kanë njoftuar se me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

    “PKK Vërmicë  11.01.2026 – 13:05. Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari shtetas i R. Shqipërisë pasi që, gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar rreth 4.13 gram marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • Trump thotë se Teherani ka propozuar bisedime, ndërsa raportohet për të paktën 544 të vrarë nga protestat në Iran

    Trump thotë se Teherani ka propozuar bisedime, ndërsa raportohet për të paktën 544 të vrarë nga protestat në Iran

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të dielën se Irani propozoi negociata pas kërcënimit të tij për të goditur Republikën Islamike për shkak të shtypjes së protestuesve, ndërsa aktivistët njoftuan se numri i të vdekurve ishte rritur në të paktën 544.

    Sipas një raporti nga Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA, mbi 10,600 persona janë arrestuar gjithashtu gjatë dy javëve të protestave, dhe 48 nga viktimat ishin personel sigurie, dhe 496 ishin demonstrues.

    Duke folur me gazetarët të dielën në mbrëmje në bordin e Air Force One, Trump tha: “Mendoj se janë të lodhur duke u goditur nga Shtetet e Bashkuara.” “Irani dëshiron të negociojë”.

    Ai shtoi: “Takimi po caktohet, por mund të na duhet të veprojmë për shkak të asaj që po ndodh para takimit. Por një takim po caktohet. Irani bëri thirrje; ata duan të negociojnë”.

    Komentet e Trump pasuan kërcënimet e tij të përsëritura për të ndërhyrë ushtarakisht nëse autoritetet iraniane vazhdojnë shtypjen e tyre vdekjeprurëse ndaj protestuesve.

    Nuk pati asnjë konfirmim të menjëhershëm nga Irani për ofertën për një takim, por Teherani javën e kaluar u zotua për hakmarrje nëse Uashingtoni ndërhyn ushtarakisht për shkak të protestave.

    Republika Islamike paralajmëroi se ushtria amerikane dhe Izraeli do të ishin “objektiva legjitime” nëse Amerika përdor forcën për të mbrojtur demonstruesit.

    I pyetur të dielën për kërcënimet e Iranit për hakmarrje, Trump tha: “Nëse e bëjnë këtë, ne do t’i godasim në nivele që nuk janë goditur kurrë më parë”.

    “Ushtria po e shqyrton këtë dhe po shqyrtojmë disa mundësi shumë të forta”, tha presidenti amerikan.

    Megjithatë, analistët besojnë se vendosja masive e vazhdueshme ushtarake amerikane në Karaibe është një faktor që Pentagoni dhe planifikuesit e sigurisë kombëtare të Trump duhet ta marrin në konsideratë nëse Uashingtoni vendos të ndërhyjë në Iran.

    Sipas Trump, administrata e tij ishte në bisedime për të caktuar një takim me Teheranin, por ai paralajmëroi se mund të duhet të veprojë i pari, ndërsa raportet për numrin e të vdekurve në Iran rriten dhe qeveria vazhdon të arrestojë protestuesit.

    Demonstratat filluan më 28 dhjetor për shkak të rënies së monedhës iraniane rial, e cila tregtohet me mbi 1.4 milion për 1 dollar, ndërsa ekonomia e vendit është goditur nga sanksionet ndërkombëtare, pjesërisht të vendosura për shkak të programit të saj bërthamor.

    Protestat u intensifikuan dhe u shndërruan në thirrje që sfidonin drejtpërdrejt teokracinë e Iranit.

    Me ndërprerjen e internetit në Iran dhe ndërprerjen e linjave telefonike, matja e demonstratave nga jashtë është bërë më e vështirë, dhe media ndërkombëtare nuk ka qenë në gjendje të vlerësojë në mënyrë të pavarur numrin e viktimave. Qeveria e Iranit nuk ka ofruar shifra të përgjithshme të viktimave.

    E ata jashtë vendit kanë frikë se ndërprerja e informacionit po i inkurajon ekstremistët brenda shërbimeve të sigurisë së Iranit për të nisur një goditje të përgjakshme.