ATV

Blog

  • Bashkimi-Sigal Prishtina ndeshja kryesore e xhiros së 18-të në Procredit Superligën e Kosovës në basketboll

    Bashkimi-Sigal Prishtina ndeshja kryesore e xhiros së 18-të në Procredit Superligën e Kosovës në basketboll

    Kjo fundjavë pritet të sjellë xhiron e 18-të në Procredit Superligën e Kosovës në basketboll.

    Ndeshja interesante pritet të zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi”në Prizren,ku Bashkimi e pret Sigal Prishtinën.

    Bashkimi synon fitore për të synuar pozitën e parë në renditjen tabelare,teksa në anën tjetër kryeqytetasit gjenden në krizë të rezultateve dhe synojnë me fitore të dalin nga kjo krizë.

    Ndeshja Bashkimi-Sigal Prishtina pritet të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 17:00.

    Të shtunën dhe të dielën pritet të zhvillohen edhe disa takime tejet interesante,ku GO+Peja e pret skuadrën e Rahovecit 029 kurse të dielën zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera ku Vëllaznimi e pret Bora teksa kampioni Trepça luan kundër Golden Eagle Yllit.

  • Rritje muaj për muaj, veç gjatë dhjetorit Aeroporti i Prishtinës regjistroi mbi 380 mijë udhëtarë

    Rritje muaj për muaj, veç gjatë dhjetorit Aeroporti i Prishtinës regjistroi mbi 380 mijë udhëtarë

    Secilin muaj të vitit 2025, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës e ka mbyllur me rritje të numrit të pasagjerëve dhe fluturimeve. Njëjtë ka qenë edhe gjatë dhjetorit, ku numri i udhëtarëve është rritur për mbi 20 mijë. Por, si kanë qenë shifrat që nga fillimi i vitit e deri në fund?

    Mbi 4.6 milionë udhëtarë kanë shkelur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, gjatë vitit të kaluar.

    Vetëm gjatë dhjetorit, në kohë të festave e vjet edhe zgjedhjeve, ky aeroport ka regjistruar mbi 380 mijë pasagjerë.

    Sipas statistikave që ka ofruar ANP’ja për Reporteri.net, numri i udhëtarëve gjatë muajit të fundit të vitit 2025, ka qenë 383 mijë e 827 apo mbi 20 mijë më shumë se në dhjetor 2024.

    Rritje ka shënuar edhe numri i fluturimeve, ku ka pasur 2 mijë e 502 fluturime.

    Me trend të tillë pozitiv, aeroporti ka operuar përgjatë gjithë vitit.

    Gjatë nëntorit, numri i udhëtarëve ka qenë 336 mijë e 964, një rritje prej 8.09% krahasuar me një vit më parë.

    Në tetor, numri ishte akoma më i lartë ku kishte arritur në 386 mijë e 957 pasagjerë.

    Por, muajt më të suksesshëm kanë qenë gushti dhe korriku, kur edhe është koha e pushimeve të mërgimtarëve.

    Gjatë gushtit, Aeroporti shënoi rekord historik, duke arritur shifrën e mbi 500 mijë udhëtarëve për një muaj.

    Ndërkohë, në korrik ka regjistruar 458 mijë e 348 udhëtarë dhe 3 mijë e 298 fluturime.

    Sukeset e kanë përcjellë aeroportin edhe në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, ku krahasuar me muajt e vitit 2024, rritja ka qenë çdo herë mbi 11%.

    Në qershor, numri i udhëtarëve ka qenë 392 mijë e 505, në maj 336 mijë e 850, në prill 399 mijë e 348, në mars 320 mijë e 183, në shkurt 307 mijë e 418 dhe në janar 2025, kanë qenë 343 mijë e 799 udhëtarë.

    Vjet janë bërë edhe një numër i madh investimesh në përmirësimin e shërbimeve për pasagjerët.

    Tash e një vit janë funksionale pajisjet e vetë-regjistrimit (self check-in), të cilat u mundësojnë udhëtarëve që procesin e regjistrimit për fluturim ta përfundojnë brenda pak minutave.

    Është shtuar edhe një parking i ri me sipërfaqe mbi 17 mijë e 200 metra katror, e që ka kapacitet për më shumë se 750 automjete.

    Tek bagazhet, është shtuar edhe një rrip i ri për të reduktuar kohën e pritjes së udhëtarëve pas mbërritjes, si dhe dyert e ndara për nisje dhe mbërritje, për më shumë efikasitet gjatë periudhave me fluks të lartë udhëtarësh.

    Ndryshe, numri i fluturimeve që realizohen nga ky aeroport shkon deri në 100 brenda një dite. Gjatë vitit të kaluar janë realizuar mbi 30 mijë fluturime.

  • Drejtori ekzekutiv i APK-së, Yll Buleshkaj, flet për korrupsionin në Kosovë

    Drejtori ekzekutiv i APK-së, Yll Buleshkaj, flet për korrupsionin në Kosovë

    Buleshkaj ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar, Agjencia ka përcjellë mbi 150 raste në prokurori, kryesisht të ndërlidhura me deklarimin e pasurisë, konfliktin e interesit dhe përfitimet financiare të zyrtarëve publikë. Ai theksoi se në rastet kur vërtetohet përfitim personal apo për të afërm, APK-ja është e obliguar ligjërisht të dorëzojë kallëzim penal.

  • Hidhet shorti për fazën e play-off-it të Europa League

    Hidhet shorti për fazën e play-off-it të Europa League

    Në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti për fazën e play-off-it në garën e dytë më të rëndësishme për klube Europa League.

    Shorti ka përcaktuar që të ketë ndeshje tejet interesante,ku ndeshja interesante pritet të jetë ndërmjet ekipit skocez Celtic dhe atij gjerman Stuttgart.

    Nottingham Forest pritet të udhëtoj drejt Stambollit ku do të takohet kundër  Fenerbahçes,teksa Celta Vigo do të luaj kundër PAOK-ut si dhe Bologna do të jetë mysafir i ekipit norvegjez Brann.

    Ndeshjet tjera që do të zhvillohen në fazën e play-off-it të Europa League janë këto:Lille-Crvena Zvezda,Panathinaikos-Viktoria Plzen,Dinamo Zagreb-Genk dhe Ludogorets-Ferencvaros.

  • Faton Peci intervistohet nga Prokurorinë Speciale për grantet e bujqësisë

    Faton Peci intervistohet nga Prokurorinë Speciale për grantet e bujqësisë

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, është duke u intervistuar në Prokurorinë Speciale në cilësinë e të pandehurit, njoftoi zëdhënësja e këtij institucioni, Arbnora Luta për Tëvë1.

    Sipas Lutës, Peci po merret në pyetje për ndarjen e granteve nga Ministria e Bujqësisë gjatë kohës kur ai udhëhiqte këtë dikaster qeveritar.

    “Ju njoftojmë se z. Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, deklaroi Luta.

    Hetimet për këtë çështje janë ende në zhvillim dhe Prokuroria Speciale nuk ka dhënë detaje të tjera mbi hetimin.

  • Manipulimet me vota në Obiliq, Prokuroria fillon hetimet

    Manipulimet me vota në Obiliq, Prokuroria fillon hetimet

    Prokuroria Themelore e Prishtinës, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se po e ndjek me vëmendje të shtuar procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

    Në këtë drejtim, prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim të verifikimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe përcaktimit nëse ka pasur shkelje të mundshme ligjore nga persona përgjegjës.

    “Prokuroria Themelore e Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se po ndjek me vëmendje të plotë procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

    Gjatë këtij procesi, ka dyshime se janë vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Obiliqit.

    Në këtë drejtim, Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve dhe përcaktimin nëse ka pasur shkelje të mundshme nga personat përgjegjës.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me synimin e ruajtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

  • Kurti në Bordin e Paqes: Kosova është e gatshme të marrë pjesë në çdo iniciativë paqeruajtëse

    Kurti në Bordin e Paqes: Kosova është e gatshme të marrë pjesë në çdo iniciativë paqeruajtëse

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot para gazetarëve është deklaruar lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes.

    Ai theksoi se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe kudo që të ketë nevojë.

    “Ne kemi filluar së pari me pjesëmarrjen tonë në Forcën ndërkombëtare stabilizuese për Gaza dhe aty unë e di që Kosova është përfaqësuar në konferencën në Doha në Katar nga gjenerallejtënant, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari. Pra, ne kemi shprehur si Republikë e Kosovës gatishmërinë tonë që të marrim pjesë në këtë Forcën stabilizuese ndërkombëtare, ku natyrisht FSK është e mirënjohur tashmë për kërkim-shpëtim dhe deminim, por jo vetëm…”, tha ai.

    Kurti tutje shtoi se meqenëse do të marrin pjesë në Forcën Stabilizuese ndërkombëtar, kanë qenë të interesuar që të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike për atë Forcë stabilizuese ndërkombëtare.

    ” Unë jam kryeministër në detyrë, unë ende nuk jam në mandatin tim të tretë, por kudo që ka nevojë për paqe në botë ne dëshirojmë të kontribuojmë sepse kemi qenë përfitues të paqes në vendin tonë nëpërmjet forcave ndërkombëtare, andaj tash duam që të marrim pjesë me forcat dhe kapacitetet tona edhe në paqe në vendet të ndryshme…”, u shpreh ai.

    Tutje, kryeministri në detyrë rikujtoi se për Gazën kanë ndarë gjysmë milioni euro si Qeveri dhe se ky proces do të vazhdojë edhe më tutje.

  • Refuzohet padia e KOSTT ndaj ZRRE-së, vërtetohet vendimi i Gjykatës Komerciale

    Refuzohet padia e KOSTT ndaj ZRRE-së, vërtetohet vendimi i Gjykatës Komerciale

    Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në seancën e kolegjit të mbajtur më 26 janar 2026, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të paraqitur nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës – KOSTT Sh.A., kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

    Kërkesa e KOSTT-it ishte parashtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Dytë, të datës 8 nëntor 2024, lidhur me anulimin e aktit administrativ V_1739_2023 të ZRRE-së, të datës 5 maj 2023.

    Gjykata Supreme vlerësoi se aktgjykimet e instancave më të ulëta janë marrë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore në fuqi, duke theksuar se arsyetimi i Gjykatës Komerciale ka qenë i qartë, i plotë dhe i bazuar në analizë të drejtë të fakteve dhe legjislacionit përkatës.

    Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme konstatoi se ZRRE ka ushtruar kompetencat e saj ligjore dhe rregullative në mënyrë të ligjshme, duke zhvilluar një proces të plotë monitorimi ndaj KOSTT-it, në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, Ligjin për Energjinë Elektrike, Rregullat e Tregut, Kodin e Balancit dhe aktet tjera nënligjore.

    Sipas gjykatës, nga provat e administruara rezulton se ZRRE ka vepruar brenda përgjegjësive të saj ligjore për të siguruar funksionimin efikas të tregut të energjisë elektrike, përfshirë zhvillimin e hetimeve lidhur me shkeljet e mundshme të kryera nga KOSTT në proceset e blerjes së energjisë elektrike, pagesave dhe nominimeve.

    Gjykata Supreme vlerësoi se me rastin e shqiptimit të gjobës ndaj KOSTT-it, në vlerë prej 439,405 euro, janë zbatuar drejtë dispozitat procedurale dhe materiale, andaj kërkesëpadia e paditësit u refuzua në tërësi si e pabazuar.

  • Apeli i GJKKO lë në fuqi arrestin me burg për Ilir Metën

    Apeli i GJKKO lë në fuqi arrestin me burg për Ilir Metën

    Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Ilir Metën.

    Gjykata vendosi mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri Ilir Meta, përmes mbrojtësit të tij, avokat Gylsen Zhllima, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, raporton Euronewsal, transmeton Klankosova.tv.

    “Me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, gjykata vendosi mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri Ilir Meta, përmes mbrojtësit të tij, avokat Gylsen Zhllima, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Ankimi kishte të bënte me kundërshtimin e vendimit nr. 40/863, datë 05.01.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” me një masë më të butë. Ndaj vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë”, thuhet në njoftimi ne Apelit të GJKKO.

    Ish-presidenti i Shqipërisë dhe kreu i PL u hetua nga SPAK për tre çështje: CEZ-DIA, lobimi i LSI-së në SHBA dhe hetimi pasuror. Dosja e tij është dërguar për gjykim, ndërsa Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

  • Paralajmërimi i shtrenjtimit të energjisë elektrike, Hoti: Fatura më të larta dhe standard më i ulët jetese

    Paralajmërimi i shtrenjtimit të energjisë elektrike, Hoti: Fatura më të larta dhe standard më i ulët jetese

    Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar në lidhje me paralajmërimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike në 23%.

    Hoti ka thënë se katër herë në katër vite është shtrajtuar energjia elektrike.

    Ai u shpreh se bilanci i qeverisjes është fatura më të larta, standard më të ulët të jeteses dhe zero llogaridhënie.

    “4 herë në 4 vite u shtrenjtua energjia elektrike. 2 projekte madhore për prodhim të energjisë u anuluan: Kosova e Re dhe projekti i gazit. Dhe tallja me qytetarët vazhdon – se nuk kanë ditur sa kanë paguar për energji, se po i mbajnë shtëpitë shumë të nxehta e kështu me radhë. Mijëra familje blejnë dru me çmim dyfish më të shtrenjtë, sepse nuk mund të instalojnë ngrohjen me energji elektrike. Bilanci i qeverisjes është ky: fatura më të larta, standard më i ulët jetese, zero llogaridhënie”, ka shkruar Hoti.