ATV

Blog

  • OKB-ja në rrezik të ”kolapsit financiar”, paralajmëron Guterres

    OKB-ja në rrezik të ”kolapsit financiar”, paralajmëron Guterres

    Shefi i Kombeve të Bashkuara u ka thënë shteteve anëtare se organizata po përballet me rrezikun e një “kolapsi të menjëhershëm financiar”, duke përmendur pagesat e papaguara dhe një rregull buxhetor që e detyron OKB-në të kthejë mjetet e pashpenzuara.

    Kështu thuhet në një letër që Reuters ka parë të premten.

    Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka folur shpesh për përkeqësimin e krizës së likuiditetit, por ky është paralajmërimi i tij më i ashpër deri tani, në një kohë kur kontribuesi kryesor – ShBA-ja – është tërhequr nga multilateralizmi në disa fronte.

    “Kriza po thellohet, duke rrezikuar zbatimin e programeve dhe duke kërcënuar me kolaps financiar. Dhe situata do të përkeqësohet edhe më tej në të ardhmen e afërt”, shkruan Guterres në letrën drejtuar ambasadorëve, të datës 28 janar.

    ShBA-ja ka shkurtuar financimin vullnetar për agjencitë e OKB-së dhe ka refuzuar të kryejë pagesat e detyrueshme për buxhetin e rregullt dhe atë të paqeruajtjes. Presidenti amerikan Donald Trump e ka përshkruar OKB-në si një organizatë me “potencial të madh”, por që sipas tij nuk po e përmbush atë, ndërsa ka nisur një nismë të quajtur “Board of Peace”, e cila, sipas kritikëve, mund të minojë strukturat ekzistuese ndërkombëtare.

    OKB-ja, e themeluar në vitin 1945, ka 193 shtete anëtare dhe punon për ruajtjen e paqes e sigurisë ndërkombëtare, promovimin e të drejtave të njeriut, zhvillimin social e ekonomik dhe koordinimin e ndihmave humanitare.

    Në letrën e tij, Guterres shkruan se “vendimet për të mos respektuar kontributet e vlerësuara që financojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të rregullt tani janë shpallur zyrtarisht”. Ai nuk ka treguar se cilat shtete ka pasur parasysh, ndërsa zëdhënësi i OKB-së nuk ishte i disponueshëm për koment.

    Sipas rregullave të OKB-së, kontributet përcaktohen sipas madhësisë së ekonomisë së secilit shtet anëtar. ShBA-ja mbulon 22% të buxhetit kryesor, e ndjekur nga Kina me 20%.

    Por në fund të vitit 2025, Guterres thotë se ka pasur 1.57 miliardë dollarë borxhe të papaguara, pa i përmendur shtetet përkatëse.

    “O të gjitha shtetet anëtare i respektojnë detyrimet dhe paguajnë plotësisht e me kohë, ose shtetet duhet të rishikojnë në mënyrë thelbësore rregullat tona financiare për të shmangur një kolaps të afërt financiar”, thekson ai.

    Guterres vitin e kaluar nisi një grup reformash, të njohur si UN80, që synon uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit. Në këtë kuadër, shtetet u dakorduan të ulin buxhetin e vitit 2026 me rreth 7%, duke e çuar atë në 3.45 miliardë dollarë.

    Megjithatë, Guterres paralajmëron se organizata mund të mbetet pa para deri në korrik.

    Një nga problemet kryesore është një rregull që sot konsiderohet i vjetëruar, sipas të cilit OKB-ja duhet t’u kthejë shteteve qindra miliona dollarë fonde të pashpenzuara çdo vit.

     

  • Drejtori sportiv i Barcelonës Deco shpjegon arsyen pse Vitor Roque dështoi tek katalunasit

    Drejtori sportiv i Barcelonës Deco shpjegon arsyen pse Vitor Roque dështoi tek katalunasit

    Sulmuesi brazilian Vitor Roque ishte transferuar para dy viteve tek gjiganti katalunas,dhe atë me bujë shumë të madhe duke u konsideruar si një prej sulmuesve të së ardhmes në futbollin botëror.

    Megjithatë Roque nuk arriti që të ambientohet me ekipin katalunas,duke bërë që të huazohet tek Real Betis por as aty nuk arriti që të bënte diçka.

    Përndryshe për situatën e 20 vjeçarit ka folur edhe drejtori sportiv i Barcelonës Deco,i cili tregoi arsyet pse Roque dështoi tek blaugranasit.

    “Nga pikëpamja e cilësisë, nuk mendoj se kemi bërë një gabim. Plani ynë ishte të nënshkruanim me një pasardhës të ardhshëm të Robert Lewandoëskit. Vitor Roque ishte zgjedhja perfekte, por u detyruam ta sillnim në janar, shumë më herët sesa ishte planifikuar fillimisht”.

    Kujtojmë që Vitor Roque është rikthyer në Brazil tek Palmeiras,ku në 4 ndeshje ka shënuar vetëm 1 gol.

  • Giorgio Chiellini paralajmëron Juven pas shortit të hedhur në Champions

    Giorgio Chiellini paralajmëron Juven pas shortit të hedhur në Champions

    Drejtori i Juventusit Giorgio Chiellini ka dhënë një paralajmërim të fortë për bianocerët pas hedhjes së shortit të fazës së play-off-it në Ligën e Kampionëve.

    Chiellini thotë se Galatasaray është një kundërshtar tejet i fortë,por thotë se Juve do të mundohet të luaj lojën e vet dhe të siguroj kalimin tutje.

    “Është një skuadër e fortë, me individë të shkëlqyer, lojtarë vërtet shumë të mirë. Ndeshjen e dytë do ta luajmë në shtëpi, kështu që gjithçka nuk përfundon në Stamboll.Por duhet të shkojmë në atë stadium dhe të luajmë lojën tonë, të nxjerrim në pah dobësitë e tyre që i kanë, por njëkohësisht të kufizojmë potencialin e madh dhe cilësinë individuale që ata kanë, jo vetëm në sulm”

    Tutje Chiellin shton se sulmuesi i ekipit turk Victor Osimhen është një futbollist i kualitetit të lartë,dhe se vetë si mbrojtës nuk do të mund ta markonte aq lehtë nigerianin.

    Kujtojmë që ndeshja e parë mes Galatasaray-it dhe Juventusit në fazën e play-off-it të Champions zhvillohet më 17 shkurt në RAMS Park,teksa ajo e kthimit më 24 shkurt në Allianz Stadium.

  • Madrid: Dritë jeshile për qëndrimin ligjor të emigrantëve pa dokumente

    Madrid: Dritë jeshile për qëndrimin ligjor të emigrantëve pa dokumente

    Qeveria spanjolle ka hedhur një hap të rrallë me nisjen e një procedure të jashtëzakonshme që u mundëson shumë emigrantëve, të cilët deri tani kanë jetuar ilegalisht në vend, të fitojnë status legjitim qëndrimi.

    Vendimi u bë i ditur nga Ministrja e Migracionit, Elma Saiz, pas miratimit nga kabineti qeveritar. Saiz sqaroi se nisma synon forcimin e një modeli emigracioni të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut, duke u ofruar emigrantëve siguri ligjore, mundësi integrimi dhe të drejta të barabarta. Ajo theksoi gjithashtu ndikimin pozitiv që migrimi ka në shoqëri dhe ekonomi.

    Kryeministri socialist Pedro Sánchez e justifikoi këtë politikë pro-emigrimit me mungesën e fuqisë punëtore dhe plakjen e popullsisë, faktorë që rrezikojnë funksionimin e shtetit social dhe sistemin e pensioneve në Spanjë.

    Nga kjo procedurë përfitojnë të gjithë emigrantët që kanë hyrë në Spanjë para 31 dhjetorit 2025, me kusht që të mos kenë precedentë penalë dhe të kenë qëndruar në vend të paktën pesë muaj. Prania e tyre mund të vërtetohet përmes dokumenteve si certifikata mjekësore, kontrata qiraje, transferta bankare apo edhe bileta udhëtimi.

    Aplikimet për legalizim do të pranohen deri më 30 qershor dhe masa do të zbatohet përmes një dekreti mbretëror, pa pasur nevojë për miratim parlamentar, pasi koalicioni qeverisës nuk ka shumicën në kuvend.

    Ndryshe nga disa vende të tjera perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ku politikat ndaj emigrantëve janë ashpërsuar, Spanja duket se ka zgjedhur një qasje më përfshirëse.

    Ekspertët konsiderojnë se në një kohë kur shumica e vendeve të Bashkimit Evropian kanë zgjedhur shtrëngimin e rregullave të migrimit, Madridi po pozicionohet si kundërmodel. Së bashku me Italinë dhe Greqinë, Spanja është një nga pikat kryesore të mbërritjes së emigrantëve në Evropë.

    Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (INE), në vitin 2025 në Spanjë jetonin rreth 9.8 milionë persona të lindur jashtë vendit, gati 20 për qind e popullsisë totale.

  • Ushtarët gjermanë të KFOR-it vazhdojnë patrullimet në veri të Kosovës

    Ushtarët gjermanë të KFOR-it vazhdojnë patrullimet në veri të Kosovës

    Ushtarët gjermanë nga Komanda Rajonale Lindje (RC-E) e KFOR, po vazhdojnë patrullimet e rregullta në disa komuna në veriun e Kosovës, në kuadër të zonës së tyre të përgjegjësisë.

    Përmes këtyre aktiviteteve, personeli i KFOR-it ruan vetëdijen situacionale dhe kontribuon në stabilitetin e përgjithshëm në rajon, duke reflektuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    KFOR vazhdon zbatimin e mandatit të saj, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.

    Në ushtrimin e detyrave të saj, KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në përputhje me rolin e tij si reagues i sigurisë./Telegrafi/

  • Policia e Kosovës viziton kufirin SHBA–Meksikë, njihet me praktikat moderne të sigurisë

    Policia e Kosovës viziton kufirin SHBA–Meksikë, njihet me praktikat moderne të sigurisë

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga udhëheqës të lartë të Policisë së Kosovës, ka realizuar vizitën e parë zyrtare të PK-së në kufirin ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës, raporton KosovaPress.

    Vizita u zhvillua më 23 janar, ku delegacioni kosovar pati mundësinë të vëzhgojë nga afër operacionet e sigurisë kufitare në kohë reale në Portin e Hyrjes Laredo, një nga pikat më të ngarkuara kufitare të SHBA-së. Aktivitetet u zhvilluan në bashkëpunim me Doganat dhe Mbrojtjen Kufitare të Shteteve të Bashkuara, si dhe me zyrtarë të tjerë kufitarë amerikanë.

    Kjo vizitë u organizua me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, përmes programit DOJ-ICITAP. Gjatë qëndrimit, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës u njohën me praktikat e avancuara të menaxhimit kufitar, si dhe me përdorimin e teknologjive moderne në parandalimin dhe zbulimin e krimeve ndërkufitare.

    Vizita synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e sigurisë kufitare.

  • Disa nga vetitë e lajthive që ndikojnë në shëndetin tonë

    Disa nga vetitë e lajthive që ndikojnë në shëndetin tonë

    Lajthitë janë shumë të pasura me proteina dhe kripëra minerale të cilat bëjnë të mundur ruajtjen e zemrës si dhe të enëve të gjakut.

    Gjithashtu këto fruta të thata janë të ushqyeshme si dhe mund të konsumohen kur janë të freskëta dhe gjithashtu kur të janë të përpunuara në ëmbëlsira.

    Disa veti të tjera mjaft të mira të lajthive janë:

    1. Janë të pasura me yndyra të shëndetshme dhe mbajnë kolesterolin e “keq” nën kontroll
    2. Përmbajnë proteina të lehta dhe fibra
    3. Janë plot me minerale dhe vitamina
  • Zvicra kryeson listën e vendeve më të shtrenjta për darkë në Europë

    Zvicra kryeson listën e vendeve më të shtrenjta për darkë në Europë

    Një studim i fundit mbi çmimet e restoranteve në Evropë ka konfirmuar atë që shumë turistë e dinë tashmë, Zvicra është vendi më i shtrenjtë në kontinent për të ngrënë jashtë, shkruan albinfo.ch.

    Sipas analizës së portalit të udhëtimeve Ferrygogo, një darkë tre-kursesh për dy persona kushton mesatarisht rreth 113 euro, duke e vendosur vendin alpin në krye të renditjes europiane.

    Mesatarja evropiane për një vakt të tillë është rreth 56 euro, çka do të thotë se darka në Zvicër është më shumë se dyfish më e shtrenjtë.

    Diferenca bëhet edhe më e dukshme në nivel qytetesh. Cyrihu dhe Gjeneva janë renditur ndër destinacionet më të shtrenjta në Evropë për restorante, me një kosto mesatare prej rreth 123 euro për dy persona për një menu tre-kursesh.

    Në Lugano, një darkë tre-kursesh për dy kushton mesatarisht rreth 135 franga dhe mund të arrijë deri në 181.

    • Në Zug, çmimi mund të shkojë deri në rreth 226 franga për dy persona në restorante më të mira.

    • Numbeo jep një mesatare rreth 150 CHF për dy në Lugano.

    Sa kushton realisht një darkë?

    Të dhënat nga platforma Numbeo tregojnë se një vakt tre-kursesh për dy persona në një restorant mesatar në Zvicër kushton mbi 100 franga zvicerane.

    Edhe statistika të tjera e konfirmojnë trendin:

    • Një meny për dy në një restorant të kategorisë mesatare arrin mesatarisht 123 euro, me raste që mund të shkojnë deri në 189 euro.

    • Çmimi tipik për një darkë më cilësore për dy llogaritet rreth 111 CHF.

    Ndërkohë, një vakt i thjeshtë për një person kushton rreth 25 franga, duke reflektuar nivelin e lartë të kostos së jetesës në vend.

    Pse është kaq e shtrenjtë?

    Ekspertët e lidhin këtë me standardin e lartë të jetesës, pagat më të larta dhe kostot e përgjithshme të shërbimeve, etj.

    Ndërkohë msatarja evropiane për një vakt të tillë është rreth 56 euro, çka do të thotë

     

  • Komuna e Prishtinës njofton se janë shtyrë afatet për pagesën e tatimit në pronë

    Komuna e Prishtinës njofton se janë shtyrë afatet për pagesën e tatimit në pronë

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar e Ministria e Financave ka vendosur për të shtyrë afatet e pagesës së tatimit në pronë për vitin 2026.

    Afati për lëshimin e faturave është shtyrë deri me datë 31 mars 2026 derisa afati për pagesën e këstit të parë deri më 30 qershor.

    “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka vendosur të shtyjë afatet për tatimin në pronë për vitin 2026: Afati për lëshimin e faturave: deri më 31 mars 2026, Afati për pagesën e këstit të parë: deri më 30 qershor 2026.

    Ky vendim siguron më shumë kohë për përmbushjen e detyrimeve tatimore dhe zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë”, thuhet në njoftim.

  • Ndalohet importi i deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut

    Ndalohet importi i deleve dhe dhive nga Maqedonia e Veriut

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka ndaluar importin e deleve dhe dhive në Kosovë nga Maqedonia e Veriut.

    Në një njoftim, AUV thekson se deri te vendimi erdhi pas raporteve zyrtare të ADIS dhe Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), se në Maqedoni të Veriut është konfirmuar prania e sëmundjes Lija e dhenve dhe dhive në zonën MKD – Lipkovo.

    “Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë Nr. 2004/21, ndalohet importi i kafshëve të gjalla të llojit të deleve dhe dhive, si dhe i nënprodukteve të tyre (lëkura dhe leshi), përfshirë edhe produktet me origjinë nga këto kafshë që nuk janë të trajtuara termikisht ose që kanë origjinë nga Republika e Maqedonisë së Veriut.

    Kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në një vlerësim të mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare, si dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës.

    Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual”, thuhet në vendim.