ATV

Blog

  • Rezultatet e dobëta i kushtojnë shtrenjtë Alban Dragushës

    Rezultatet e dobëta i kushtojnë shtrenjtë Alban Dragushës

    Rezultatet e dobëta të Ferizajt në Ligën e Parë të Kosovës i kanë kushtuar shtrenjtë trajnerit Alban Dragusha.

    FC Ferizaj ka njoftuar se ka përfunduar bashkëpunimin me Dragushën, pas një marrëveshjeje të përbashkët mes palëve.

    Pas tetë javësh kampionat, Ferizaj renditet në vendin e nëntë me 10 pikë të grumbulluara, një start që nuk i ka përmbushur pritshmëritë e klubit.

    “FC Ferizaj njofton se ka përfunduar bashkëpunimin me trajnerin Alban Dragusha.

    Pas një mirëkuptimi të ndërsjellë, palët kanë vendosur që bashkëpunimi të përfundojë në këtë fazë.

    Klubi e falënderon trajnerin Dragusha për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë periudhës së tij në klub.

    I urojmë shumë suksese në vazhdim të karrierës dhe e sigurojmë se do të ketë gjithmonë respektin e FC Ferizajt”, thuhet në njoftimin e klubit.

  • Real Madridi rikthehet për Kenan Yildizin, Juventusi kërkon 100 milionë euro

    Real Madridi rikthehet për Kenan Yildizin, Juventusi kërkon 100 milionë euro

    Real Madridi ka rikthyer interesimin për Kenan Yildizin, ndërsa Juventusi e vlerëson talentin turk rreth 100 milionë euro.

    Sipas “Corriere dello Sport”, 21-vjeçari është rikthyer në listën e dëshirave të klubit madrilen për afatin kalimtar të verës së vitit 2027. Yildiz shihet si një prej opsioneve për përforcimin e repartit ofensiv.

    Interesimi i Real Madridit për sulmuesin nuk është i ri, pasi klubi spanjoll kishte kërkuar informacione për të edhe në vitin 2025. Megjithatë, për momentin nuk ka ofertë zyrtare apo negociata mes dy klubeve.

    Juventusi është në një pozitë të fortë, pasi Yildiz ka kontratë deri në vitin 2030. Klubi italian nuk pritet të pranojë një ofertë nën 100 milionë euro dhe mund të kërkojë edhe më shumë.

    Për shërbimet e turkut interesohen gjithashtu Arsenali dhe Bayern Munichu, duke e bërë garën për të edhe më të fortë.

    Yildiz është një prej lojtarëve kryesorë të projektit të Juventusit. Ai mban fanellën me numrin 10 dhe sezonin e kaluar regjistroi 45 paraqitje, 11 gola dhe 10 asistime në të gjitha garat.

    Për momentin, Real Madridi vetëm po monitoron situatën, ndërsa një vendim për të ardhmen e Yildizit pritet të merret gjatë verës së vitit 2027.

  • Roma rikthehet fuqishëm në garën për Endrickun

    Roma rikthehet fuqishëm në garën për Endrickun

    Roma po rikthehet fuqishëm në garën për Endrickun, me klubin italian që synon ta transferojë sulmuesin e Real Madridit në formë huazimi gjatë afatit kalimtar të janarit.

    Sipas raportimeve të “Corriere dello Sport”, Roma e ka vendosur 20-vjeçarin ndër objektivat kryesorë për repartin ofensiv, ndërsa vetë Endrick është i hapur për një transferim në Serie A, pasi kërkon më shumë minuta në dispozicion.

    Braziliani po e ka të vështirë të gjejë hapësirë te Real Madridi këtë sezon. Deri tani, ai ka regjistruar vetëm katër minuta lojë në La Liga, ndërsa konkurrenca e madhe në repartin ofensiv e ka lënë kryesisht në stol.

    Roma kishte tentuar ta transferonte Endrickun edhe gjatë verës, por atëherë lëvizja nuk u realizua. Tani, situata mund të ndryshojë në janar, me sulmuesin brazilian që po e shqyrton seriozisht mundësinë e një huazimi.

    Një eksperiencë e tillë mund t’i shërbejë Endrickut për të fituar më shumë minuta, ritëm dhe besim, ndërsa Real Madridi nuk raportohet se dëshiron ta shesë përfundimisht talentin brazilian.

    Për këtë arsye, një huazim në janar mund të jetë zgjidhja ideale për të gjitha palët. Roma, në anën tjetër, është e gatshme ta rihapë bisedën me “Los Blancos” për transferimin e sulmuesit.

  • Akil Gjakova përballet me kampionin olimpik-Kosova mëson kundërshtarët në Botërorin e xhudos

    Akil Gjakova përballet me kampionin olimpik-Kosova mëson kundërshtarët në Botërorin e xhudos

    Kampionati Botëror i xhudos ka nisur të dielën në Baku të Azerbajxhanit,teksa  xhudistët kosovarë tashmë kanë mësuar kundërshtarët e tyre.

    Vëmendja kryesore të martën do të jetë te Akil Gjakova dhe Dardan Cena, të cilët do të garojnë në kategorinë deri në 73 kilogramë,kurse garën ndaj një kundërshtari tejet të fortë, pasi përballë do ta ketë Hidayat Heydarov.

    Azerbajxhanasi është kampion olimpik në fuqi, ndërsa në vitin 2024 fitoi edhe titullin e botës,ku ka arritur të fitoj katër tituj evropianë.

    Në xhiron e parë do të garojë edhe Dardan Cena ku do të përballet me irlandezin Joshua Green,dhe në rast të fitores, Cena në raundin e dytë do të takohet me gjeorgjianin Lasha Shavdatuashvili, një tjetër emër i madh i xhudos botërore.

    Ndërkohë, Distria Krasniqi nuk do të garojë në kategorinë deri në 52 kilogramë,teksa Krasniqi ishte bartësja e parë dhe një prej pretendenteve për medalje, por po rikuperohet nga një lëndim.

    Të mërkurën në tatami do të zbresë Laura Fazliu, në kategorinë deri në 63 kilogramë,ku ajo do ta nisë garën nga xhiroja e dytë dhe është një prej pretendenteve për medalje. Fazliu ka fituar medaljen e bronztë botërore në dy edicionet e fundit.

    Të premten do të garojë Shpati Zekaj, në kategorinë deri në 100 kilogramë,ku për kundërshtar i tij në xhiron e parë do të jetë moldavi Vadim Ghimbovschi.

    Në Botërorin e Bakusë po marrin pjesë 622 xhudistë nga 93 shtete,kuse Kosova synon rezultate të larta në këtë garë, me xhudistët e saj të udhëhequr nga kryemjeshtri Driton Kuka.

  • Marc Marquez triumfon në Japoni, fiton edhe garën e Sprintit dhe ngushton diferencën në MotoGP

    Marc Marquez triumfon në Japoni, fiton edhe garën e Sprintit dhe ngushton diferencën në MotoGP

    Marc Marquez ka fituar Çmimin e Madh të Japonisë në MotoGP, në garën e zhvilluar të dielën në pistën e Motegit, duke kompletuar një fundjavë perfekte.

    Piloti spanjoll i Ducati-t ishte i pandalshëm gjatë gjithë fundjavës, pasi një ditë më parë kishte triumfuar edhe në garën Sprint.

    Në mesin e garës, Marquez arriti të parakalojë bashkëkombësin e tij Jorge Martin, i cili garon me Aprilia, dhe më pas e kontrolloi kryesimin deri në vijën e finishit.

    Martin u desh të kënaqej me vendin e dytë, por rezultati i mundësoi të ruajë kreun e renditjes së përgjithshme në MotoGP. Diferenca mes dy pilotëve tashmë është vetëm dy pikë, duke e bërë garën për titull edhe më interesante.

    Në podium u ngjit edhe italiani Marco Bezzecchi me Aprilia, i cili e mbylli garën në vendin e tretë.

    Pas tij u renditën Enea Bastianini me KTM, Fernandez dhe Ogura me Trackhouse, si dhe Pedro Acosta me KTM. Gjatë gjithë garës, këta pilotë zhvilluan beteja të forta për pozicionet.

    Me këtë triumf në Motegi, Marquez vazhdon të jetë në ndjekje të kreut, ndërsa lufta për titullin e MotoGP-së po bëhet gjithnjë e më emocionuese.

  • Kroacia turpërohet 0-7 nga Anglia, mediat vendase në alarm: “Jemi bërë San Marino!”

    Kroacia turpërohet 0-7 nga Anglia, mediat vendase në alarm: “Jemi bërë San Marino!”

    Kombëtarja e Kroacisë ka pësuar humbjen më të thellë në historinë e saj 0-7 ndaj Anglisë në Ligën e Kombeve. Rezultati ka shkaktuar reagime të ashpra në mediat kroate, të cilat e kanë cilësuar paraqitjen si një katastrofë të vërtetë.

    E përditshmja “Jutarnji List” e përshkroi humbjen si një “katastrofë të panatyrshme dhe të papranueshme”, duke shtuar me tone të forta: “Jo vetëm që nuk i përkasim elitës, por jemi bërë San Marino!”

    Gazeta shkroi gjithashtu se ëndrrat për një vend në çerekfinale janë shuar dhe se realiteti pas kësaj humbjeje është edhe më i dhimbshëm.

    Edhe mediat e tjera kroate nuk kursyen kritikat.

    “Index Sport” shkroi se Kroacia “pësoi humbjen më të thellë në historinë e saj”, ndërsa “24Sata” e cilësoi rezultatin si një “turp të madh”. Në të njëjtën linjë ishte edhe “telegram.hr”, që e përshkroi paraqitjen si një kolaps të paprecedentë.

    Në anën tjetër, mediat angleze e përjetuan mbrëmjen krejt ndryshe.

    “Daily Mail” shkroi: “Anglia në qiellin e shtatë. Burra kundër djemve”, ndërsa “The Sun” e cilësoi paraqitjen e skuadrës së Thomas Tuchelit si një nga ndeshjet më të mëdha të Anglisë në transfertë.

    Në Rijekë, Anglia dominoi ndeshjen nga fillimi deri në fund. Edhe pse stadiumi ishte i mbyllur për tifozët për shkak të masave disiplinore të UEFA-s, në tribuna ishin rreth 6 mijë fëmijë dhe të rinj, të cilët u lejuan të ndiqnin takimin.

    Anglia ishte e pamëshirshme para portës. Harry Kane dhe Bukayo Saka shënuan nga dy gola, ndërsa Jude Bellingham, Anthony Gordon dhe Morgan Rogers realizuan nga një gol.

    Humbja ishte aq e rëndë saqë trajneri i Kroacisë, Slaven Bilić, kërkoi falje publikisht pas ndeshjes.

    “Më vjen keq. Jemi të zhgënjyer. Më vjen keq për tifozët, për fëmijët në tribuna dhe për të gjithë tifozët kroatë. Kurrë nuk do ta kishim pritur këtë”, deklaroi ai.

    Pas tri ndeshjeve, Kroacia mbetet me tri pikë në Grupin 3 të Ligës A. Spanja kryeson me nëntë pikë, Anglia ka gjashtë, ndërsa Çekia është e fundit pa pikë.

    0-7 ndaj Anglisë tashmë është regjistruar si nata më e zezë në historinë e futbollit kroat.

  • Kosovë–Austri, sonte luftohet për kreun e grupit! “Dardanët” kërkojnë fitoren në “Fadil Vokrri”

    Kosovë–Austri, sonte luftohet për kreun e grupit! “Dardanët” kërkojnë fitoren në “Fadil Vokrri”

    Prishtina sonte bëhet epiqendra e futbollit, teksa Kosova pret Austrinë në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij cikli në Ligën e Kombeve.

    Përballja në stadiumin “Fadil Vokrri” nis në orën 18:00, ndërsa pritet që tribunat të jenë të mbushura me tifozë kosovarë, të cilët do të kërkojnë ta shtyjnë skuadrën drejt një rezultati pozitiv.

    Kosova vjen në këtë sfidë pas barazimit pa gola ndaj Izraelit. Më herët, “Dardanët” e nisën ciklin me fitore 1-0 ndaj Irlandës, ndërsa pësuan humbje 3-1 në udhëtim ndaj Austrisë.

    Me katër pikë, Kosova synon të afrohet me kreun e grupit, ku aktualisht gjendet Austria me shtatë pikë. Një fitore sonte do t’i jepte skuadrës së Franco Fodës një shtysë të madhe në garën për pozitën e parë.

    Në anën tjetër, Austria e drejtuar nga Ralf Rangnick vjen në Prishtinë me synimin për të vazhduar ecurinë pozitive dhe për të marrë një tjetër rezultat të rëndësishëm në grup.

    Për Kosovën, kjo është edhe një mundësi për të reaguar pas humbjes në Vjenë. Faktori vendas dhe mbështetja e tifozëve pritet të jenë ndër armët kryesore të “Dardanëve” në këtë duel.

  • Shqipëria bie në Finlandë, kartoni i kuq i Berishës ndryshoi ndeshjen

    Shqipëria bie në Finlandë, kartoni i kuq i Berishës ndryshoi ndeshjen

    Shqipëria ka pësuar humbje 2-1 në transfertë ndaj Finlandës, në ndeshjen e Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme, por kartoni i kuq i Etrit Berishës ndryshoi rrjedhën e takimit.

    Shqipëria kaloi në avantazh që në minutën e katërt. Rey Manaj shënoi me kokë pas një harkimi të saktë të Kristjan Asllanit nga këndorja, duke i dhënë skuadrës shqiptare një nisje perfekte.

    Por në minutën e 22-të, Berisha u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje jashtë zonës. Kuqezinjtë mbetën me dhjetë lojtarë dhe kjo i dha Finlandës mundësinë të merrte kontrollin e takimit.

    Vetëm pak minuta më vonë, Leo Walta barazoi rezultatin me goditje dënimi, duke mposhtur Alen Sherrin, i cili u aktivizua në vend të Arbër Hoxhës.

    Pavarësisht inferioritetit numerik, Shqipëria rezistoi deri në fund të pjesës së parë, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me rezultatin 1-1.

    Në pjesën e dytë, Finlanda rriti presionin dhe në minutën e 71-të Walta shënoi sërish nga goditja e dënimit, duke përmbysur rezultatin në 2-1.

    Kuqezinjtë tentuan të reagojnë në minutat e fundit, por nuk arritën të gjenin golin e barazimit dhe u larguan nga Finlanda pa pikë.

    Pas kësaj humbjeje, Shqipëria mbetet në vendin e dytë me gjashtë pikë, ndërsa Finlanda ngjitet në krye të grupit me shtatë pikë.

  • Kosova e gatshme për ndeshjen kundër Austrisë

    Kosova e gatshme për ndeshjen kundër Austrisë

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës Franco Foda ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes me Austrinë,takim ky i vlefshëm në kuadër të Ligës së Kombeve.

    Foda foli për ndeshjen e parë kundër austriakëve konkretisht për problemet që patën gjatë ndeshjes së parë,dhe thotë se ekipi ka bërë përmirësime në aspektin defanziv në ndeshjen ndaj Izraelit.

    “I kemi pas ndaj Austrisë disa probleme kemi pas probleme në mbrojtje mirëpo tani kemi treguar ndaj Izraelit që kemi ditur të përmirësohemi tani kemi analizuar lojën mirë”

    Tutje tekniku gjerman ka deklaruar se “Dardanët”janë të gatshëm për ndeshjen ndaj Austrisë,si dhe vuri në theks të vecantë e intensiteti i ndeshjes dhe fazat e tranzicionit të lojës.

    “Jemi të përgatitur për Austrinë. E dimë që na pret ndeshje intensive duhet kemi kujdes në fazat e tranzicionit nga sulmi në mbrojtje dhe anasjelltas dhe këtu duhet të kemi kujdes në gjitha fazat e lojës. Tani e dimë që jemi vendas dhe kemi publikun mbrapa. Kjo na shërben me na jep energji tjetër”.

    Sa i përket formacionit për ndeshjen e nesërme Foda ka thënë se endimet merren pas analizave të çdo ndeshjeje,dhe poashtu përmendi edhe problemet me lëndimet e lojtarëve.

    “Pas çdo ndeshje e analizojmë ndeshjen dhe marrim vendime. Pas analizave në Izrael kemi treguar që mundemi mu stabilizuar në mbrojtje. Disa lojtar kanë pasur lëndime për këtë arsye ndaj Izraelit është dashur t’i bëjmë disa ndryshime dhe tani prapë ndaj Austrisë duhet të kemi energji më shumë, me shumë pasion dhe ndoshta detyrohemi të kemi disa ndryshime”

     

    Foda bëri një reagim lidhur me deklaratën e trajnerit të Austrisë për fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”,ku përzgjedhësi i “Dardanëve”dha këtë përgjigjje.

    “Fusha nuk është në gjendje shumë të mirë, për shkak se gjatë verës shumë ekipe kanë luajtur këtu. Ne e dimë që kjo gjendje e fushës vlen për të dyja ekipet. E kuptoj kritikën e Rangnickut”

    Në konferencë për shtyp foli edhe kapiteni Vedat Muriqi i cili u rikthye nga lëndimi,ku ka thënë se është i gatshëm për ndeshjen kundër Austrisë të dielën.

    Kujtojmë që ndeshja Kosovë-Austri pritet të zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”në Prishtinë me fillim nga ora 18:00.

  • Ralf Rangnick i qartë para Kosovës: Duam tri pikët në Prishtinë

    Ralf Rangnick i qartë para Kosovës: Duam tri pikët në Prishtinë

    Trajneri i Austrisë, Ralf Rangnick, ka bërë të qartë objektivin e skuadrës së tij para përballjes me Kosovën në Ligën e Kombeve: fitoren dhe tri pikët.

    Austria udhëton në Prishtinë për ndeshjen e katërt të grupit, e cila zhvillohet të dielën nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. Rangnick ka kërkuar nga futbollistët e tij durim dhe përqendrim maksimal gjatë gjithë takimit.

    “Duhet të jemi të durueshëm. Edhe nëse deri në fund rezultati është baras, durimi duhet të jetë maksimal. Duhet ta shohim edhe një herë ndeshjen e parë dhe pastaj të nxjerrim përfundimet”, deklaroi Rangnick.

    Trajneri austriak theksoi se skuadra e tij nuk dëshiron të largohet nga Prishtina pa pikë, ndërsa objektivi mbetet i njëjtë si në përballjen ndaj Irlandës.

    “Natyrisht, nuk duam të humbim në Prishtinë. Por duam t’i marrim tri pikët, ashtu siç donim në Irlandë. Atje, në pjesën e dytë luajtëm me të gjitha forcat dhe morëm një pikë”, u shpreh ai.

    Rangnick konfirmoi gjithashtu se ka në dispozicion pothuajse të gjithë lojtarët për këtë sfidë. I vetmi në dyshim mbetet Carney Chukwuemeka.

    Austria kërkon fitoren në Prishtinë për të vazhduar objektivin në grup, ndërsa Kosova do të synojë të shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve për t’u rikthyer te tri pikët.