ATV

Blog

  • Rodrygo dënohet me dy ndeshje, mungon ndaj Benficës

    Rodrygo dënohet me dy ndeshje, mungon ndaj Benficës

    Rodrygo është dënuar me dy ndeshje pezullim nga UEFA dhe nuk do të luajë për Real Madridin në play-off-in e Ligës së Kampionëve kundër Benficës.

    Sulmuesi brazilian u ndëshkua pas kartonit të kuq në ndeshjen e fundit, vendim që sipas The Athletic është konfirmuar nga komisioni disiplinor i UEFA-s.

    Mungesa e tij përbën një goditje të rëndë për Real Madridin dhe trajnerin Carlo Ancelotti, në prag të dy përballjeve vendimtare për kualifikimin në fazën tjetër.

  • Osmani thotë se do ta nominonte Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen

    Osmani thotë se do ta nominonte Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen

    Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se presidenti amerikan Donald Trump e meriton Çmimin Nobel për Paqe.

    Në një intervistë për “Newsweek”, e pyetur nëse do ta nominonte Trumpin për këtë çmim prestigjioz, Osmani u shpreh: “Sigurisht, nëse jam presidente (kurdo që këto gjëra të ndodhin)”.

    Vetëm persona të caktuar kanë të drejtë të propozojnë kandidatë për Çmimin Nobel për Paqe, ndër ta edhe krerët e shteteve. Afati për nominime përfundon në fund të janarit, ndërsa fituesi shpallet në muajin tetor.

    Trumpi ka shprehur prej kohësh publikisht dëshirën për të fituar Çmimin Nobel për Paqe. Ai ka deklaruar se ka ndërmjetësuar marrëveshje që kanë ndalur konflikte në pjesë të ndryshme të botës, megjithëse këto pretendime janë vënë në diskutim nga vëzhgues të ndryshëm.

    Deklarata e Osmanit u bë nga Samiti Botëror i Qeverive në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe. Ajo e përshkroi popullin e Kosovës si “popullin më pro-amerikan në Tokë” dhe shprehu mirënjohje për çdo administratë të SHBA-së.

    Osmani tutje ka theksuar se ka pasur katër biseda të shkurtra, por domethënëse me Trumpin dhe se ai ka dhënë “kontribut të jashtëzakonshëm” për paqen në Ballkanin Perëndimor.

    “Nuk ka asnjë dyshim se ai e meriton (Çmimin Nobel për Paqe)”, deklaroi ajo.

    Çmimi Nobel për Paqe jepet çdo vit nga Komiteti Norvegjez i Nobelit. Muajin e kaluar, një medalje Nobel iu dorëzua Trumpit nga Maria Corina Machado e Venezuelës, veprim që u prit me reagime në Oslo.

    Pas kësaj, Trumpi deklaroi se nuk ndihej më i detyruar të “mendonte vetëm për paqen”, duke iu referuar faktit se, sipas tij, Norvegjia nuk ia kishte dhënë çmimin për ndalimin e disa luftërave.

  • Detaje të reja nga tragjedia në Itali: Gabimi në adresë i kushtuan jetën familjes shqiptare

    Detaje të reja nga tragjedia në Itali: Gabimi në adresë i kushtuan jetën familjes shqiptare

    Dalje të reja janë zbuluar lidhur me tragjedinë e rëndë që goditi familjen shqiptare Kola në Porcari të Italisë, ku katër anëtarë humbën jetën nga helmimi me monoksid karboni.

    Sipas mediave italiane, një rrjedhje e padukshme gazi nga kaldaja e banesës ishte shkaku kryesor i ngjarjes fatale.

    Detaj kyç në hetime është telefonata e emergjencës në 112, e bërë nga 22-vjeçari Hajdar Kola, i cili kërkoi ndihmë duke thënë se motra e tij kishte humbur ndjenjat. Nën efektin e gazit helmues, ai dha një adresë të gabuar, çka bëri që ambulanca të humbiste kohë të çmuar duke kërkuar banesën. Forcat e rendit arritën të hyjnë në apartament gati dy orë më vonë, por familja ishte tashmë pa shenja jete.

    Prokuroria e Luccës ka sekuestruar banesën dhe po heton nëse defekti lidhet me instalimin apo mirëmbajtjen e kaldajës, ndërsa disa nga personat që hynë për ndihmë përfunduan në spital për shkak të asfiksisë. Ngjarja ka tronditur thellë komunitetin lokal dhe atë shqiptar në zonë.

  • Konflikt i ri në Egje – rriten tensionet mes Greqisë dhe Turqisë

    Konflikt i ri në Egje – rriten tensionet mes Greqisë dhe Turqisë

    Me sa duket Greqia dhe Turqia duan të bisedojnë përsëri – në nivelin më të lartë. Duke filluar nga e hëna (09.02.26) në Ankara do të mblidhet “Këshilli Suprem i Bashkëpunimit Greqi-Turqi”.

    Nëse gjithçka shkon sipas planit në tryezë do të jenë të pranishëm edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. Ekziston edhe mundësia e një takimi posaçëm midis dy udhëheqësve në një ditë tjetër.

    Pas një periudhe të vështirë dhe plot konflikte në Mesdheun Lindor, në vitin 2010 u krijua Këshilli i Lartë i Bashkëpunimit, raporton dw.

    Ndonjë sukses të madh ai ende nuk ka arritur. Megjithatë Këshilli përpiqet të promovojë një agjendë pozitive mes dy partnerëve të NATO-s, veçanërisht në fushat e ekonomisë dhe të turizmit. Por ai është mbledhur vetëm pesë herë deri tani, takimi i fundit u bë në Athinë në dhjetor 2023.

    “Turqia bën kërkesa dhe pretendime territoriale të njëanshme, që nuk kanë bazë ligjore dhe nuk mund të jenë temë serioze debati”, shpjegonte në atë kohë Konstantinos Filis, drejtor i kërkimeve në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Athinës në intervistë me DW.

    “Greqia pret që Turqia të përmbushë gjithmonë kërkesat e saj dhe të bëjë lëshime”, kundërshtonte Fuat Aksu, shkencëtar politik në Universitetin Teknik Yildiz në Stamboll.

    Që atëherë nuk ka ndryshuar shumë në Detin Egje. Tensioneve u shtohet një pikë tjetër debati: Të enjten e kaluar Turqia përdori sistemin navigacionit detar “Navtex” për të paralajmëruar për rreziqet e sigurisë dhe aktivitetet ushtarake greke. Paralajmërime të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën.

    Në fund të fundit bëhet fjalë për autoritet në Egje: Kush ka të drejtë të deklarohet përgjegjës për çështjet e sigurisë? Athina flet për një përpjekje të paligjshme të fqinjit të saj për të zgjeruar ujërat e tij territoriale. Një “provokim të ri turk” e konsideron këtë gazeta e njohur javore greke “To Vima”.

    Nga këndvështrimi turk kjo është thjesht një çështje rutine, që përputhet me legjislacionin aktual. Por mund të jetë më shumë se kaq: sipas gazetës proqeveritare Türkiye: “Navtex ka shkaktuar panik në Greqi dhe ka ndryshuar status quonë në Egje”.

    Për kryeministrin grek Mitsotakis mosmarrëveshja për Navtex do të thotë edhe më shumë presion nga e djathta. “Turqia po rrëmben gjysmën e Egjeut, por qeveria jonë nuk sheh asnjë arsye për shqetësim”, ankohet Kyriakos Velopoulos, kryetar i partisë së djathtë populiste “Zgjidhja Greke” (EL), e cila sipas sondazheve ka arritur vendin e tretë, përsa i përket mbështetjes së votuesve.

    Prej dekadash Greqia dhe Turqia grinden për shelfin kontinental para bregdetit turk, shfrytëzimin e lëndëve të para dhe për një zgjerim të mundshëm të ujërave territoriale në Egje. Në kuadër të doktrinës së saj ushtarake aktuale “Atdheu Blu” Turqia pretendon edhe territore detare prej më shumë se 450.000 kilometra katrorë para bregdetit të saj.

    Si busull ligjore në raste të tilla shërben Konventa e Kombeve të Bashkuara e vitit 1982 mbi të Drejtën e Detit, megjithëse Turqia nuk e ka nënshkruar atë. Por ajo mund të zbatohej: sipas mendimit mbizotërues të juristëve ky traktat pasqyron të drejtën ndërkombëtare zakonore ekzistuese – dhe për këtë arsye është i detyrueshëm edhe për ata, që nuk e kanë nënshkruar.

    Sipas Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit çdo shtet mund të përcaktojë në parim ujërat territoriale, që shtrihen deri në 12 milje detare. Por ekziston një përjashtim i rëndësishëm: Në rastet e kufijve të paqartë ose mbivendosjeve, palët e përfshira duhet të arrijnë një marrëveshje dypalëshe. Por marrëveshja midis Greqisë dhe Turqisë është ende në pritje.

    Që në vitin 1995 parlamenti turk e pati shpallur zgjerimin e ujërave territoriale greke në Detin Egje “shkak për luftë”. Sepse në një rast të tillë Egjeu do të bëhej një lloj deti i brendshëm grek.

    Në vitin 2021 qeveria e Athinës i zgjeroi ujërat e saj territoriale në 12 milje detare në Detin Jon drejt Italisë. Sot Greqia rezervon në mënyrë të qartë të drejtën për të zgjeruar ujërat e saj territoriale edhe në Detin Egje, tha së fundmi ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias për stacionin televiziv të Athinës “Open”.

    Si instancë e fundit në të gjitha çështjet e së drejtës ndërkombëtare konsiderohet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë. Por ky organ i Kombeve të Bashkuara nuk vepron me iniciativën e vet. Si Greqia ashtu edhe Turqia do të duhet të paraqesin një kërkesë të përbashkët, për të autorizuar gjykatën që të ndërmjetësojë. Për këtë debatohet që nga viti 1976. Deri tani pa sukses.

  • Musk i ndërpret Starlinkun ushtrisë ruse, ngecin në frontin e luftës

    Musk i ndërpret Starlinkun ushtrisë ruse, ngecin në frontin e luftës

    Për shkak të ndërprerjes së shërbimeve të internetit nga Starlink, pushtuesit rusë përballen me një katastrofë – fronti është bllokuar dhe ushtarët e tyre nuk po avancojnë.

    Komanda ushtarake po has në probleme ndërsa operacionet sulmuese janë ndalur në shumë zona.

    Lëshueset nuk do të jenë më në gjendje të dërgojnë dronët e tyre në Ukrainë.

    Forcat e Armatosura të Ukrainës vazhdojnë të përdorin Starlink. Musk shkroi në X se për funksionim të duhur, terminalet duhet të regjistrohen në Ukrainë.

    Tani që Musk ka ndërprerë qasjen e ushtrisë ruse tek Starlink-et e paligjshme që përdoreshin më parë për sulme me dronë, disa rusë po kërkojnë që presidenti rus, Vladimir Putin të kërkojë ndihmë nga homologu bjellorus, Alexander Lukashenko.

    Bjellorusia pretendon se shkencëtarët e saj kanë zhvilluar një sistem të brendshëm të ngjashëm me Starlink.

  • Kryeministri Kurti takoi ish-Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq

    Kryeministri Kurti takoi ish-Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti të enjten në takim ish-Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

    Gjukanoviq i uroi Kryeministrit fitoren në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e proceseve demokratike dhe për mbështetjen e qytetarëve ndaj vizionit qeverisës.

    Në njoftim thuhet se u diskutua për zhvillimet aktuale rajonale dhe globale, me fokus në situatën e sigurisë dhe dinamikat që ndikojnë në Ballkanin Perëndimor.

    Kryeministri theksoi angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, për paqe të qëndrueshme dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal, në funksion të paqes dhe sigurisë dhe perspektivës evropiane të rajonit.

    Tutje u tha se Qeveria e re do të vazhdojë ta ketë synim të palëkundur integrimin euro-atlantik dhe prioritet zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe sigurinë e tyre, pa dallim.

  • Trafik droge në det: ShBA intensifikon operacionet ndaj anijeve të dyshuara

    Trafik droge në det: ShBA intensifikon operacionet ndaj anijeve të dyshuara

    Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka intensifikuar sulmet ndaj anijeve të dyshuara për transportimin e drogës, ndërsa në sulmin më të fundit në Oqeanin Paqësor lindor, janë raportuar dy viktima.

    Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM), që drejton operacionet ushtarake amerikane në Amerikën Latine, njoftoi të enjten se “dy narko-terroristë u vranë gjatë këtij operacioni”.

    Megjithatë, SOUTHCOM nuk ka ofruar prova që mbështesin akuzat se anija dhe dy viktimat ishin të përfshira në aktivitetet e trafikut të drogës.

    Sipas të dhënave të grupit monitorues Airwars, në sulmet amerikane ndaj anijeve në Paqësor dhe Karaibe janë vrarë 126 persona në të paktën 34 sulme që nga incidenti i parë i regjistruar në shtator të vitit 2025.

    Vrasjet e fundit do ta çojnë numrin e të vrarëve në të paktën 128, raportojnë mediat.

    Administrata e Trumpit i ka mbrojtur sulmet duke e krahasuar tregtinë e drogës me një sulm të armatosur ndaj SHBA-së dhe duke i cilësuar shumë nga grupet kriminale të përfshira në trafik droge si organizata “terroriste”.

    Ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, aktivistë për të drejtat e njeriut dhe liderë rajonalë i kanë hedhur poshtë pretendimet e SHBA-së, duke paralajmëruar se sulmet përbëjnë vrasje jashtëgjyqësore dhe se nuk ekziston një gjendje konflikti të armatosur që do t’i justifikonte këto operacione.

    “Nuk ekziston asnjë autorizim në të drejtën ndërkombëtare për përdorimin e forcës ushtarake në det të hapur për të vrarë trafikantë të dyshuar droge apo banda narkotike”, ka deklaruar më herët Ben Saul, raportues special i Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e të drejtave në luftën kundër terrorizmit.

  • Rënie e madhe e bitcoin, çka po ndodh me tregun e kriptovalutave

    Rënie e madhe e bitcoin, çka po ndodh me tregun e kriptovalutave

    Kriptomonedha më e famshme në botë ka humbur rreth gjysmën e vlerës së saj që nga kulmi i saj në tetor dhe ra nën 63,000 dollarë të enjten për herë të parë në 16 muaj, raporton CNN .

    Rënia në vetvete nuk është asgjë e pazakontë. Kriptovalutat njihen për paqëndrueshmërinë e tyre të lartë dhe tashmë kanë përjetuar rënie të shumta, dhe dukshëm më të mëdha.

    Ajo që është e pazakontë është koha: rënia katërmujore ndodh në një kohë kur, të paktën në teori, bitcoin kishte çdo arsye për t’u rritur.

    Mbështetësit e kriptomonedhave kanë argumentuar prej vitesh se bitcoin është “ari dixhital” – një strehë e sigurt ku kapitali rrjedh në kohë të pasigurta. Sipas kësaj logjike, tani do të ishte koha ideale që ai të përhapej me shpejtësi.

    Tensionet gjeopolitike janë përshkallëzuar këtë vit: Presidenti Donald Trump kërcënon të sulmojë Iranin pas largimit të udhëheqësit të Venezuelës, përplaset me aleatët evropianë dhe Kanadanë për shkak të Grenlandës dhe njofton tarifa më të larta për Korenë e Jugut.

    Në të njëjtën kohë, përparimet e mëdha në inteligjencën artificiale po shkaktojnë trazira në tregun e aksioneve. Claude i Anthropic tani punon për firma ligjore, gjë që ka tronditur aksionet e softuerëve.

    Kjo frikë ka nxitur një rritje rekord të çmimeve të arit, të cilat kanë tejkaluar 5,500 dollarë për ons. Ari është një strehë klasike e sigurt: e rrallë, e prekshme dhe një ruajtës afatgjatë i vlerës.

    Megjithatë, Bitcoin nuk po e ndjek këtë trend. Ai ka rënë me rreth 20% që nga fillimi i vitit. Michael Burry madje argumenton se një pjesë e paqëndrueshmërisë së arit dhe argjendit buron nga investitorët e bitcoin që shesin metale të çmuara për të mbuluar humbjet në kriptovaluta.

    Rënia e Bitcoin fshiu gjithashtu të ashtuquajturin “efekt Trump”. Pas fitores së Trump në nëntor 2024, tregu i kriptovalutave u rrit ndjeshëm ndërsa ai premtoi të derregullonte një sektor që e kishte kritikuar më parë.

    Bitcoin është i përfshirë në një gjendje të përgjithshme “përjashtimi nga rreziku”: investitorët po shesin asete të rrezikshme nga frika. Hendeku në rritje midis arit (rritje 24% që nga tetori) dhe bitcoin (rënie 50%) e ka përforcuar më tej këtë ndjenjë.

    Deklaratat e Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, nuk ndihmuan aspak – ai i tha Kongresit se Departamenti i Thesarit nuk ka autoritetin për të stabilizuar tregjet e kriptovalutave.

    ETF-të e Bitcoin gjithashtu nuk kanë arritur të përmbushin pritjet e larta, dhe vëllimet e investimeve dhe tregtimit institucional po bien, duke nxitur reagimet në panik të investitorëve me pakicë.

    Megjithatë, ka një shkëndijë shprese. Ky nuk është rrëzimi i parë i kriptomonedhave.

    Në vitin 2014, tregu u shemb pas hakimit të Mt. Gox, në vitin 2018 bitcoin ra me 74% dhe rënie të mëtejshme pasuan në vitet 2021 dhe 2022 për shkak të rregulloreve dhe skandalit FTX.

    Çdo herë, bitcoin u rikuperua – brenda rreth një viti e gjysmë.

  • Manipulim në numërimin e votave në Deçan – arrestohet 26-vjeçari, i caktohet ndalim 48 orësh

    Manipulim në numërimin e votave në Deçan – arrestohet 26-vjeçari, i caktohet ndalim 48 orësh

    Krimet zgjedhore po vazhdojnë të dalin në pah edhe pas përfundimit të procesit të votimit.

    Sinjali mëson se dje është intervistuar dhe më pas ndaluar për 48 orë Lirim Cacaj rreth 27 vjeç, nën dyshimin për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”.

    Rasti lidhet me procesin zgjedhor të zhvilluar më 28.12.2025 në Shkollën Teknike “Tafil Kasumaj” në Deçan.

    Pas autorizimit të Prokurorit të Shtetit dhe analizimit të materialit zgjedhor të pranuar nga KQZ-ja, janë identifikuar elemente konkrete të manipulimit gjatë procesit të numërimit të votave, për të cilat dyshohet se është përgjegjës i dyshuari.

    Pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për caktimin e masës së ndalimit prej 48 orësh ndaj Cacajt, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht përmasat e ndërhyrjes në procesin zgjedhor dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë.

    Rasti është duke u trajtuar nga njësitë kompetente dhe priten zhvillime të reja.

  • Gjoba e papaguar prej 500 eurosh çon në burg 60-vjeçarin

    Gjoba e papaguar prej 500 eurosh çon në burg 60-vjeçarin

    Njësitë patrulluese në Leposaviq kanë realizuar një urdhëresë gjyqësore ndaj një 60-vjeçari, i cili ishte në kërkim nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për veprat penale “Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi, posedim ose kontroll të paautorizuar të armës”.

    Arrestimi u bë më 05.02.2026 rreth orës 14:50, në banesën e të dyshuarit, ku ai u takua dhe u shoqërua menjëherë nga policia. I dënuari ishte sanksionuar me gjobë prej 500 eurosh, ose alternativisht me 25 ditë burgim, por deklaroi se nuk kishte mundësi ta paguajë gjobën.

    Në bazë të urdhëresës gjyqësore, ai është dërguar për vuajtje dënimi në Burgun e Mitrovicës së Veriut.