ATV

Blog

  • Alex Honnold, legjenda e ngjitjes pa litar tregon se si ndihen fëmijët e tij, për sportin EKSTREM që bën!

    Alex Honnold, legjenda e ngjitjes pa litar tregon se si ndihen fëmijët e tij, për sportin EKSTREM që bën!

    Alex Honnold ka ndërtuar një karrierë duke sfiduar frikën, por në shtëpi, frika ka një emër tietër, “fëmijët e tij”.

    Alpinisti legjendar i “free solo”-s, i njohur për ngjitjet pa litar në shkëmbinj gjigantë, ka treguar së fundmi se atësia ia ka ndryshuar mënyrën se si e sheh rrezikun. Ndërsa bota mahnitet nga guximi i tij, fëmijët e shohin ndryshe, ata shohin rrezik.

    “E dinë që ajo që bëj është e frikshme,” pranoi Honnold, duke shtuar se pyetjet e tyre e kanë bërë të mendojë dy herë për çdo ngjitje.

    Edhe pse thotë se nuk ka hequr dorë nga sporti që e përkufizon, Honnold pranon se të qenit baba e ka detyruar të balancojë pasionin me përgjegjësinë. Njeriu më i guximshëm në mal tani përballet me sfidën më të madhe jashtë tij, duke treguar se edhe atletët më të patrembur mund të ndihen të brishtë kur familja i shikon…

  • Marrëveshja e tregtisë BE-Indi

    Marrëveshja e tregtisë BE-Indi

    AKADEMIK. PROF. DR ANASTAS ANGJELI

    Politika e jashtme amerikane, diplomacia ekonomike dhe politika e re e tarifave ka sjellë ndryshime të vrullshme jo vetëm gjeopolitike, por edhe gjeoekonomike.

    Grupime ekonomike dhe marrëveshje ekzistuese po shuhen dhe të reja po lindin. Në këtë kënd vështrimi shihet edhe marrëveshja e re e tregtisë midis BE-së dhe Indisë, vetëm pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes tregtare BEMERCOSUR. Por, marrëveshjet tregtare janë jo thjesht dokumente teknokratike, por edhe ngjarje politike që mund të nxisin debate identitare, të mobilizojnë protesta dhe të riformësojnë konkurrencën partiake në shumë vende europiane. Marrëveshja me Indinë lind pikërisht në këtë klimë politike të re dhe përpiqet t’i përgjigjet asaj.

    Kështu, marrëveshja me Mercosur konsiderohet si kthesa Atlantike e Europës, pra një mënyrë për të thelluar lidhjet me Brazilin, Argjentinën dhe fqinjët e tyre, duke i dhënë Europës qasje në lëndë të para kritike, por edhe eksporte bujqësore dhe tregje të reja. Gjithashtu, Mercosur, nga ana tjetër u shndërrua në një histori paralajmëruese. Ratifikimi u bllokua për vite të tëra mes politikës mjedisore dhe protestave të fermerëve dhe tani, vetëm disa ditë pas nënshkrimit kaloi përsëri në kalendat greke pas vendimit të Parlamentit Evropian për të kërkuar mendimin e Gjykatës Europiane në lidhje me aspektet ligjore të saj.

    Ndërkaq, Bashkimi Europian dhe India kanë arritur një marrëveshje historike të tregtisë së lirë, e cila ul ndjeshëm tarifat për shumicën e mallrave që tregtohen mes dy ekonomive, duke zhbllokuar pengesa që kishin paralizuar negociatat për pothuaj dy dekada. Ndryshe nga marrëveshja me Mercosur, ajo nuk rrotullohet rreth simbolikës shpërthyese të Amazonës apo frikës nga konkurrenca bujqësore masive. Përkundrazi, ajo është ndërtuar me më shumë kujdes. Bujqësia mbetet kryesisht e mbrojtur dhe përfitimet e marrëveshjes paraqiten në terma industrie, vende pune, investime dhe siguri të zinxhirëve të furnizimit. Në këtë kuptim, ajo është një marrëveshje e gjeneratës së re, e formësuar më pak nga ideologjia e tregtisë së lirë dhe më shumë nga logjika gjeopolitike e viteve 2020.

    Marrëveshja konsiderohet nga të dyja palët jo vetëm si një sukses ekonomik, por si një pikë kthese strategjike, si një dokument që e afron më shumë Europën me Indinë, një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë, në një kohë kur ekonomia globale po ridizenjohet nga rivalitetet, pasiguria dhe konkurrenca gjeopolitike.

    Për politikëbërësit europianë, kjo është më shumë se një marrëveshje tregtare. Është një mesazh. Brukseli kërkon të tregojë se ende mund të veprojë si aktor global. Një aktor global që mund të ndërtojë aleanca, të zgjerojë tregje dhe të sigurojë alternativa strategjike, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e konsideroi marrëveshjen si “marrëveshjamëmë e të gjitha marrëveshjeve”, një shprehje që nuk u zgjodh rastësisht. Në vitet e fundit BE-ja ka negociuar disa marrëveshje të rëndësishme tregtare, por ajo me Indinë bie në sy, sepse kombinon përmasën, simbolikën dhe rëndësinë strategjike.

    MARRËVESHJA BE-INDI, PSE TANI?

    Pyetja kryesore mbetet: Pse ky kompromis u bë i mundur tani, pas kaq shumë vitesh diskutimesh dhe dështimesh? Përgjigjja është se ekonomia botërore ka ndryshuar. Epoka kur tregtia ishte kryesisht çështje eficience dhe çmimesh për konsumatorët ka përfunduar. Sot tregtia lidhet me sigurinë, influencën dhe forcën.

    Për Europën, pandemia nxori në pah një realitet të dhimbshëm. Ekonomitë që dukeshin moderne dhe të diversifikuara vareshin nga zinxhirë furnizimi të brishtë për mallra thelbësorë. Lufta në Ukrainë e forcoi këtë fakt duke treguar se ndërvarësia mund të shndërrohet në armë, sidomos në energji dhe lëndë të para. Ndërkohë, rivaliteti në rritje SHBA-Kinë e ka kthyer ekonominë globale në një arenë konkurrence strategjike, ku sektorët kritikë duke nisur nga mikroçipet dhe bateritë te mineralet e rralla dhe deri te infrastruktura digjitale, trajtohen gjithnjë e më shumë si çështje sigurie kombëtare.

    Kjo e “zgjoi nga gjumi Brukselin” dhe ka sjellë një gjuhë të re strategjike. BE konsideron se nuk po shkëputet nga Kina, por po ul rrezikun, duke zvogëluar varësinë në sektorë kyç dhe duke krijuar alternativa. India përshtatet pothuajse në mënyrë perfekte me këtë strategji sepse është mjaft e madhe për të pasur peshë, e qëndrueshme për të qenë e parashikueshme dhe shumë dinamike për të tërhequr investime. Për më tepër, ajo i ofron Europës diçka thelbësore për periudhën që po kalojmë. Një partner potencial për riorganizimin e zinxhirëve globalë të furnizimit drejt asaj që shumë zyrtarë europianë i konsiderojnë si rrjete të besueshme.

    Edhe për Indinë, motivet janë po aq gjeopolitike. Nju Delhi e ka pozicionuar veten si fuqi globale që refuzon të bëhet pjesë e një blloku. India dëshiron investime dhe teknologji perëndimore, por pa u lidhur plotësisht me arkitekturën strategjike perëndimore. India mban marrëdhënie me Rusinë, angazhohet me Kinën dhe njëkohësisht, thellon lidhjet me Europën, SHBA-në dhe Japoninë. Marrëveshja tregtare me BE-në e forcon imazhin e Indisë si aktor kyç dhe i jep asaj një marrëdhënie ekonomike më të qëndrueshme e më të privilegjuar me një nga tregjet më të pasura në botë.

    Në këtë mënyrë, marrëveshja BE–Indi i ngjan asaj me Mercosur, jo sepse liberalizon të njëjtat mallra, por sepse simbolizon të njëjtën ambicie, pra përpjekjen e Europës për të mbetur një pol ekonomik global i aftë të negociojë marrëveshje strategjike të mëdha pa ndjekur thjesht Uashingtonin ose pa reaguar mekanikisht ndaj Pekinit.

    ÇFARË PËRMBAN DHE SJELL KJO MARRËVESHJE?

    Vetë marrëveshja ekonomike është e rëndësishme sepse pritet të eliminojë ose ulë tarifat për 96.6% të mallrave të tregtuara (sipas vlerës), ndërsa BE do të ulë tarifat për 99.5% të importeve nga India brenda shtatë viteve. Brukseli pret që kjo të kursejë rreth 4 miliardë euro në vit për kompanitë europiane në taksa doganore dhe në afat më të gjatë, të dyfishojë eksportet e BE-së drejt Indisë deri në vitin 2032.

    Zhbllokimi më dramatik lidhet me industrinë e makinave, sektori që më shumë se çdo tjetër simbolizonte vështirësinë e negociatave. India ka përdorur prej kohësh tarifa jashtëzakonisht të larta për të mbrojtur industrinë e saj automobilistike (sipas të dhënave, deri në 110%). Për prodhuesit europianë, kjo ishte jo vetëm pengesë, por edhe paradoks. India ishte një nga tregjet e fundit të mëdha në rritje, por industria kryesore e eksportit europian mbetej kryesisht e bllokuar. Sipas marrëveshjes, India do të ulë ndjeshëm tarifat për makinat europiane, duke arritur rreth 10% brenda pesë viteve, me kuota që synojnë të kufizojnë tronditjen dhe të zbusin reagimin politik të brendshëm.

    Për Europën dhe sidomos për Gjermaninë, kjo është një fitore industriale, pasi makinat janë jo vetëm të rëndësishme ekonomikisht, por edhe pjesë e identitetit politik. Për Indinë ndoshta është një rrezik i llogaritur, sepse ajo hap tregun ndaj konkurrencës dhe sinjalizon besim në forcën afatgjatë të prodhuesve vendës. Por rreziqet politike mbeten reale. Tregu reagoi menjëherë dhe aksionet e prodhuesve indianë ranë kur dolën detaje mbi uljen e tarifave.

    Sektori tjetër i rëndësishëm që përzien ekonominë me kulturën dhe moralin është alkooli. India ka vendosur prej kohësh tarifa shumë të larta për verërat dhe pijet e forta europiane, deri në rreth 150%, duke i bërë produktet europiane të shtrenjta dhe duke kufizuar hyrjen e tyre në një treg indian në rritje. Marrëveshja parashikon ulje graduale të këtyre tarifave duke i dhënë Europës avantazh në eksportin e mallrave konsumatore me vlerë të lartë. Përmbledhja e Komisionit Europian konfirmon ulje të ndjeshme tarifash për verë, pije të forta dhe birrë, edhe pse ky proces do të jetë i ngadalshëm. Politikisht është shumë më tepër se një çështje pijesh. Alkooli në Indi është sektor i ndjeshëm, sepse nga njëra anë sjell të ardhura, por nga ana tjetër prek debate fetare e kulturore dhe lidhet shpesh me politikë morale në nivel të shteteve federale. Prandaj ulja e tarifave këtu tregon se India është e gatshme të bëjë kompromise të pakëndshme politikisht, mjafton që të fitojë gjetkë.

    Dhe fitimet e Indisë janë të mëdha, veçanërisht në eksportet që lidhen me punësimin. Përfitimet kryesore përqendrohen në sektorë si tekstilet, produktet e lëkurës dhe bizhuteritë, industri që punësojnë miliona dhe që janë thelbësore për ambicien e Indisë për të fuqizuar prodhimin. BE-ja do të eliminojë tarifat për kategori kryesore eksportesh indiane si tekstile, lëkurë, metale bazë, produkte gome, kimikate dhe gurë të çmuar e bizhuteri.

    Megjithatë, si çdo marrëveshje, edhe kjo përmban rreziqe. Bujqësia mbetet vija e kuqe. Produkte të ndjeshme si soja, mishi i viçit, sheqeri, orizi dhe bulmeti janë përjashtuar. Kjo është shumë e ngjashme me rastin e Mercosur. Në Europë fermerët janë bërë një nga grupet më të mobilizuara politikisht të dekadës së fundit dhe çdo marrëveshje që perceptohet se dëmton bujqësinë europiane rrezikon protesta dhe probleme politike. Edhe në Indi, bujqësia është çështje me peshë politike. Prandaj të dyja palët e kuptuan se një marrëveshje plotësisht gjithëpërfshirëse ishte e pamundur dhe zgjodhën një model ku liberalizimi industrial dominon, ndërsa ndjeshmëritë bujqësore merren në konsideratë.

    Por, ndoshta pjesa më domethënëse dhe më polemike lidhet me klimën. Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) i BE-së, që vendos kosto shtesë për importet e produkteve me intensitet të lartë karboni si çeliku, çimentoja dhe plehrat kimike, mbetet i paprekur. India e ka kundërshtuar fort CBAM-in, duke e parë si të padrejtë dhe proteksionist. Ky nuk është detaj teknik. Është sinjal gjeopolitik. CBAM po kthehet në një instrument të ri fuqie për Europën. Për Europën është një zgjedhje strategjike, sepse synon të mbrojë axhendën klimatike, edhe nëse kjo sjell probleme diplomatike. Për Indinë nga ana tjetër kjo është një sfidë serioze.

    Brukseli ofroi edhe një kompensim të pjesshëm. BE do të japë 500 milionë euro për dy vite për të ndihmuar Indinë të ulë emetimet. Është logjika tipike europiane, pa përjashtime, por me mbështetje; pa tërheqje nga standardet, por me asistencë financiare për t’u përshtatur. Nëse India e sheh këtë si partneritet real apo thjesht si dritare politike, do ta përcaktojë marrëdhënien e ardhshme ekonomike mes dy palëve.

    Tani beteja mund të zhvendoset nga tryezat e negociatave te parlamentet. Marrëveshjet tregtare kërkojnë ratifikim dhe ky proces në Europë është bërë gjithnjë e më kompleks. Marrëveshja me Mercosur është shembulli që paralajmëron, por… Brukseli beson se gjeopolitika mund ta ndihmojë. Kjo mund të paraqitet si domosdoshmëri strategjike, pra si një mënyrë për të forcuar pozicionin e Europës në një botë rivaliteti ekonomik dhe fragmentimi politik. Në narrativën e BE, India nuk është thjesht partner tregtar, por një shtyllë stabiliteti në një botë të paqëndrueshme.

    * * *

    Marrëveshja BE–Indi përmbledh natyrën e re politike të tregtisë në vitet 2020. Nuk është thjesht një glorifikim i ideologjisë së tregut të lirë, por një kompromis i projektuar me kujdes, ku sektorët e ndjeshëm mbrohen, industritë strategjike hapen dhe standardet klimatike imponohen përmes fuqisë ekonomike. Ajo i përket epokës së re, ku marrëveshjet tregtare nuk janë më thjesht dokumente ekonomike, por edhe instrumente të konkurrencës gjeopolitike.

  • Mbreti Charles shmang pyetjet për dosjet Epstein gjatë vizitës në Essex

    Mbreti Charles shmang pyetjet për dosjet Epstein gjatë vizitës në Essex

    Mbretit Charles iu drejtuan pyetje lidhur me dosjet Epstein gjatë një vizite sot në fshatin Dedham, në Essex.

    Një person që dukej se ishte gazetar i bërtiti një pyetje për hetimin e Epstein-it Mbretit Charles, ndërsa ai po përshëndeste qytetarët në fshat

    Por Mbreti i injoroi thirrjet, raportonSky News.

    Para kësaj, Mbreti dhe Mbretëresha kishin marrë pjesë në aktivitete në fshat, përfshirë takime me banorët lokalë në një pub, përpara se të vazhdonin përgjatë rrugës kryesore të fshatit.

    Vëllai i Mbretit, Andrew Mountbatten-Windsor, është përmendur edhe një herë gjerësisht në publikimin më të fundit të dosjeve Epstein, siç e shpjeguam në postimin tonë në orën 11:42.

    Megjithatë, përfshirja në këtë publikim nuk përbën tregues të ndonjë shkeljeje apo fajësie.

    Andrew ka mohuar më parë me forcë të gjitha akuzat ndaj tij në lidhje me krimet e Epstein-it.

  • Avioni ushtarak special amerikan gjurmohet në Lindjen e Mesme

    Avioni ushtarak special amerikan gjurmohet në Lindjen e Mesme

    Shtetet e Bashkuara po intensifikojnë praninë ushtarake në Gjirin Persik, duke dërguar avionë të modifikuar për komunikim dhe koordinim të forcave në zona të gjera.

    Veprimet vijnë ndërsa tensionet me Iranin mbeten të larta për shkak të planeve bërthamore dhe shtypjes së protestave të janarit.

    Ekspertët e ndjekjes së avionëve njoftojnë se këta mjete janë më të avancuarit që janë parë së fundi në rajon.

  • Arrestohet në Serbi një tjetër qytetar i Kosovës, Koci: Po bëhet shqetësuese

    Arrestohet në Serbi një tjetër qytetar i Kosovës, Koci: Po bëhet shqetësuese

    Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se sot rreth orës 11:00, gjatë kalimit transit nëpër territorin e Serbisë, është ndaluar dhe arrestuar shtetasi i Kosovës, Mit’hat Lozhani.

    Sipas tij, ky nuk është një rast i izoluar, pasi raste të tilla po përsëriten dhe po krijojnë pasiguri për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi.

    “Arrestimet e shtetasve të Kosovës gjatë transitit nëpër Serbi po përsëriten dhe kjo po krijon pasiguri reale për këdo që udhëton përmes atij territori. Këto arrestime duhet të ndalen”, ka deklaruar Koci.

    Ai theksoi se institucionet e Kosovës kanë obligim që këtë situatë ta trajtojnë si çështje serioze të sigurisë së qytetarëve. Sipas tij, duhet kërkuar ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa diplomacia kosovare duhet të reagojë fuqishëm.

    Koci ka përmendur se nëse praktika e arrestimeve vazhdon, nuk duhet të përjashtohen masa konkrete politike, “përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit”.

    Në fund, avokati theksoi se ndonëse ai, në cilësinë e mbrojtësit, po bën maksimumin e mundshëm, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet në nivel individual. “Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, u shpreh Koci./Telegrafi/

  • Xhensila dhe Mc Kresha bashkojnë forcat, sjellin këngën ‘Emrin tim’

    Xhensila dhe Mc Kresha bashkojnë forcat, sjellin këngën ‘Emrin tim’

    Dy artistët e njohur, Xhensila Myrtezaj dhe Mc Kresha, kanë publikuar projektin e tyre më të ri muzikor. Kënga titullohet “Emrin tim”, dhe përveç audio-s, artistët kanë realizuar edhe videoklipin zyrtar.

    Për tekstin e këngës janë përkujdesur J Gashi, Engliversal dhe vetë Mc Kresha, duke sjellë një bashkëpunim të veçantë mes stilit vokal të Xhensilës dhe ritmeve të njohura të reperit.

  • Ish-presidenti malazez takon Kurtin, flasin për sigurinë e rajonit

    Ish-presidenti malazez takon Kurtin, flasin për sigurinë e rajonit

    Ish-Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka qëndruar në një vizitë në Prishtinë, ku ka takuar kryetarin e Vetëvendosjes dhe Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

    Gjukanoviq ka bërë të ditur vizitën përmes një postimi në “X”.

    “Gjatë vizitës sime në Prishtinë, u takova shkurtimisht me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe e urova për fitoren e tij të fundit zgjedhore. Në një bisedë miqësore, shkëmbyem pikëpamje mbi proceset aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe në nivel global, me fokus të veçantë në çështjet me rëndësi për sigurinë e rajonit”.

  • Ballkani transferon mesfushorin nga Bullgaria, Stanislav Petkov

    Ballkani transferon mesfushorin nga Bullgaria, Stanislav Petkov

    Skuadra e Ballkanit ka bërë të ditur për një transferim të ri në këtë afat kalimtar. Bëhet fjalë për mesfushorin nga Bullgaria, Stanislav Petkov, i cili do të përforcojë kampionin vjeshtor.

    Petkov vjen tek Ballkani nga ekipi Tabor Sezana dhe pritet të luajë si mesfushor defensiv, duke sjellë agresivitet dhe aftësi mbrojtëse në repartin e mesfushës së ekipit.

    “̈ ̈ ! FC Ballkani vazhdon të përforcohet në afatin kalimtar, tani duke transferuar mesfushorin bullgar Stanislav Petkov. 21 vjeçari, i cili vjen me një përvojë të rëndësishme nga kampionatet si ai bullgar dhe slloven, do të jetë një lojtar i ri i rëndësishëm në ekipin tonë.”, thuhet në njoftim.

  • Autobusi godet këmbësorët në Dublin, një i vdekur dhe tre të lënduar

    Autobusi godet këmbësorët në Dublin, një i vdekur dhe tre të lënduar

    Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të lënduar pas një aksidenti ku një autobus me dy kate u përplas me këmbësorët në qendër të Dublinit.

    Ministri i drejtësisë i Irlandës e konfirmoi lajmin gjatë një fjalimi në parlamentin irlandez, duke shtuar se të plagosurit po trajtohen në spital.

    Incidenti ka ndodhur në rrugën për këmbësorë North Earl Street dhe po trajtohet si një aksident rrugor, sipas mediave të huaja.

    Shërbimet e emergjencës u thirrën pak pas orës 12:30 në kryqëzimin e Talbot Street dhe Marlborough Street.

    Brigada e Zjarrfikësve të Dublinit ka deklaruar se “mori raportime për një aksident rrugor që përfshinte një autobus dhe këmbësorë”.

    Ngjarja ka shkaktuar panik në zonë dhe autoritetet po punojnë për të menaxhuar situatën dhe për të ofruar ndihmë të menjëhershme të plagosurve.

  • Vepra e Rembrandtit shitet për një shifër rekord në Nju Jork

    Vepra e Rembrandtit shitet për një shifër rekord në Nju Jork

    Një vepër e shekullit të 17-të e piktorit të famshëm holandez Rembrandt u shit në një ankand në Nju Jork për 18 milionë dollarë. Në ankand pritet të dalë sot edhe një skicë e Mikelanxhelos që lidhet me dekorimet e Kapelës Sistine.

    “Luani i vogël duke pushuar”, vepra e famshme e Rembrandtit e fillimit të shekullit të 17-të, u shit në ankandin e agjencisë së famshme njujorkeze Sotheby’s për gati 18 milionë dollarë.

    Ky çmim theu rekord për vlerat që kjo vepër ka arritur në të kaluarën dhe u 4-fishua krahasuar me shitjen e fundit para gati 26 vitesh. Ky është punimi më i rëndësishëm i mjeshtrit holandez që del në ankand në 25 vitet e fundit. Interesi ishte kolosal, pasi nga gjashtë pikturat me luanë që njihen sot nga dora e Rembrandtit, kjo ishte e vetmja që ndodhej ende në duar private.

    Vëmendja është zhvendosur edhe te kjo skicë e rrallë e Mikelanxhelos. “Kapela Sistine”, e fillimit të shekullit të 16-të, është një skicim paraprak i një pjese të dekorit që artisti i famshëm italian i ka bërë tavanit të një prej kishave më të rëndësishme të kompleksit të Vatikanit.

    Vepra do të dalë në ankandin e organizuar nga agjencia londineze Christie’s dhe parashikohet të kapë një vlerë prej të paktën 2 milionë dollarë.