ATV

Blog

  • Kosova në elitën botërore të CS2 – renditet e dyta për Level 10 për kokë banori

    Kosova në elitën botërore të CS2 – renditet e dyta për Level 10 për kokë banori

    Statistikat e fundit të FACEIT e vendosin Kosovën mes superfuqive globale të Counter-Strike, përkrah vendeve nordike dhe baltike.

    Statistikat e publikuara nga FACEIT për Top 10 shtetet me më së shumti lojtarë Level 10 për 100 mijë banorë kanë nxjerrë në pah një renditje befasuese, ku Kosova zë vendin e dytë në botë me 195 lojtarë Level 10, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një nga vendet më të forta në skenën globale të Counter-Strike.

    Në krye të listës ndodhet Estonia me 221 lojtarë Level 10 për frymë, duke udhëhequr renditjen falë një komuniteti shumë të konsoliduar në ‘e-sports’.

    Pas saj vjen Kosova, e cila lë pas vende me traditë të gjatë në ‘gaming’ dhe ‘e-sports’, duke treguar një rritje të jashtëzakonshme të cilësisë dhe konkurrencës në CS2.

    Vendin e tretë e mban Finlanda me 176, e ndjekur nga Danimarka me 160, një superfuqi e njohur botërore e Counter-Strike. Letonia renditet e pesta me 143, ndërsa Suedia pozicionohet e gjashta me 97, përpara Lituanisë që ka 96 lojtarë Level 10 për 100 mijë banorë.

    Në pjesën e poshtme të listës janë Mongolia me 91 lojtarë, Shqipëria me 83 lojtarë, duke dëshmuar gjithashtu progres të vazhdueshëm në CS2, si dhe Norvegjia në vendin e dhjetë me 73 lojtarë.

    Fokusi i veçantë mbetet te Kosova, e cila me një popullsi të vogël ka arritur të krijojë një densitet elitar lojtarësh në FACEIT. Ky rezultat nuk është rastësi, por produkt i një komuniteti shumë aktiv, orëve të panumërta të punës dhe një kulture konkurruese që po e kthen Kosovën në një fuqi reale të Counter-Strike në nivel botëror.

  • Shkencëtarët e habitur nga një vrimë e zezë që prodhon energji 100 trilion herë më shumë se Death Star

    Shkencëtarët e habitur nga një vrimë e zezë që prodhon energji 100 trilion herë më shumë se Death Star

    Një vrimë e zezë supermasive po “puq” mbetjet e një ylli të shpërndarë për katër vite, duke nxjerrë energji të jashtëzakonshme në formë vale radioje, kanë zbuluar ekspertët.

    Astronomët thonë se strumeni i valeve radio që del nga vrima e zezë mund të jetë një nga fenomenet më të ndritshme dhe më energjike të zbuluara ndonjëherë në universit. Llogaritjet tregojnë se energjia e saj aktuale është deri në 100 trilion herë më e madhe se ajo e famshme e Death Star, superarmës së Star Wars.

    Përhapja e energjisë nga vrima e zezë është jashtëzakonisht e pazakontë, pasi zakonisht yjet që afrohen shumë pranë vrimave të zeza shkatërrohen nga graviteti i tyre, por nuk emitojnë kaq shumë energji për vite me radhë. Astronomët parashikojnë se shpejtësia e këtij “puqjeje kozmik” do të rritet edhe më shumë, duke arritur kulmin vitin e ardhshëm.

    Fenomeni filloi në vitin 2018, kur një yll i vogël u shpërnda pas afrohet pranë vrimës së zezë në një galaksi 665 milion vite dritë larg Tokës. Ky ngjarje, e quajtur “tidal disruption event” ose TDE, prodhoi atë që astronomët e quajnë “spaghettification” – shtrirje vertikale dhe shtrëngim horizontal i yllit në formë të hollë.

    Tre vjet pas kësaj masakre, vrima e zezë filloi të ndriçojë qiellin, duke lëshuar sasi të mëdha energjie në vale radioje. Sipas studimit të fundit, energjia e emetuar është 50 herë më e madhe se kur u zbulua fillimisht. Ky fenomen quhet zyrtarisht AT2018hyz, por ekipi e ka pagëzuar “Jetty McJetface”.

    Astronomët kanë llogaritur se vrima e zezë po emeton energji të barabartë me shpërthimin e rrezeve gamma dhe potencialisht është një nga ngjarjet më të fuqishme të zbuluara ndonjëherë në univers. Në gjuhën e sci-fi, kjo është një energji të paktën një trilion – ndoshta deri në 100 trilion – herë më e madhe se ajo që do të nxirrte Death Star.

    Vrimat e zeza janë aq të dendura dhe graviteti i tyre aq i fuqishëm sa as drita nuk mund të shpëtojë. Ato thithin pluhurin dhe gazin përreth, dhe konsiderohen burime të jashtëzakonshme gravitacioni në galaksi. Si formohen akoma nuk është plotësisht e kuptuar, por besohet se mund të lindin nga kollapsi i reave të mëdha të gazit ose nga vdekja e yjeve gjigandë që shpërthejnë si supernova.

    Ky zbulim u botua së fundmi në Astrophysical Journal dhe vazhdon të habisë komunitetin shkencor për energjinë jashtëzakonisht të madhe të prodhuar nga një vrimë e zezë që ende “tret” mbetjet e një ylli.

  • 27 vjet nga konferenca e Rambujesë

    27 vjet nga konferenca e Rambujesë

    Para 27 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

    Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-të, Boris Maiorsky, Rusi dhe Wolfgang Petritsch nga BE.

    Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

    Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

    As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare

    Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

    Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak.

    Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

  • Pjesëtarja e FSK-së fiton rastin në Gjykatë për mospagesën e orëve shtesë

    Pjesëtarja e FSK-së fiton rastin në Gjykatë për mospagesën e orëve shtesë

    Vitin e kaluar një pjesëtare e FSK-së, fitoi rastin në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. Këta të fundit nuk ia kishin paguar orët shtesë, çka e shtyri t’i ndjek rrugët ligjore. Tëvë1 ka siguruar aktgjykimin.

    Është aktgjykim i vitit 2025.

    Përmes tij, Gjykata Themelore e Prishtinës, i dha të drejtë një pjesëtare të FSK-së ndaj Ministrinë e Mbrojtjes.

    Behët fjalë për kompensimin e orëve shtesë, të cilat duhej t’i paguheshin një ushtarakeje.

    Fillimisht, sipas aktgjykimit, paditësi përmes eprorit të tij, i është drejtuar me kërkesë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Mbrojtjes.

    Por, kjo kërkesë i ishte refuzuar.

    Kjo shtyri që të drejtën e saj, kjo pjesëtare ta kërkonte përmes rrugëve ligjore.

    “E paditura përkundër faktit se ka pranuar kërkesën verbale të paditësi nuk i është përgjigjur në kërkesës e paditësit dhe nuk ka kryer obligim e saj të dalura nga Rregulloja (QRK) me nr 02/2020. Paditësi për punë e kryer tek e paditura kompensohet ne shumë prej 875.19 euro e cila shumë nuk është në përputhje me shumën e cila i takon sipas gradës së paditësit dhe dispozitave nga rregulloja (QRK) nr 02/2020”, thuhet në aktgjykim.

    Pas gjithë kësaj, erdhi edhe vendimi i gjykatës.

    “Detyrohet e paditura Ministria e Mbrojtjes së Kosovës- Forca e Sigurisë së Kosovës, që paditëses në emër të kompensimit të diferencës në pagë t’iu a paguaj shtesën dhe orët e mbajtura të kujdestarisë, të gjitha këto me kamatë ligjore prej 8% që nga dita e paraqitjes së kësaj padie e deri në pagesën përfundimtare si dhe të kompensoj të gjitha shpenzime e procedurës gjyqësore..”, thuhet tutje në aktgjykim.

    E këtë rrugë, së fundmi, e ndoqën edhe një numër tjetër i pjesëtarëve të FSK-së.

    Edhe këta, paditën Ministrinë e Mbrojtjes, për mos-kompensimin e orëve shtesë e kujdestarinë, ndonëse një gjë të tillë e parasheh rregullorja për pagat.

    E këtë gjendje po e quan shqetësuese, edhe ish-komandanti i FSK-së Kadri Kastrati.

    “Paguajnë shtesa për fëmijë që jetojnë jashtë, punojnë jashtë dhe marrin ato shtesa në shtetet ku ata jetojnë, kemi prapë një dukuri shumë negative marrin pensione njerëzit që marrin pensione edhe nga jashtë Kosovës dhe nuk kanë për më iu dhënë pjesëtarëve të vet është me të vërtetë për keqardhje dhe kjo i demotivon ata njerëz dhe kemi dukuri shume negative që në disa vitet e fundit një numër jashtëzakonisht i madh e kanë braktisur ushtrinë pikërisht për nevoja ekonomike”, shprehet ish- komandanti i FSK-së.

    Tëvë 1, sërish të enjten ka insistuar për një përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes.

    Por këta të fundit, nuk kanë kthyer përgjigje.

  • Ngjarje e rëndë në Deçan: Djali sulmon babanë me sëpatë, arrestohet

    Ngjarje e rëndë në Deçan: Djali sulmon babanë me sëpatë, arrestohet

    Një ngjarje e rëndë familjare ka përfunduar me arrestim në orët e hershme të mëngjesit, pasi Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të shpejtë për kapjen e të dyshuarit K. Sh., i cili dyshohet se ka sulmuar babain e tij me një mjet të mprehtë(sëpatë)

    Sipas gazetës Sinjali, K. Sh. është arrestuar në shtëpinë e tij gjatë një intervenimi policor të planifikuar, pas grumbullimit të informacioneve operative nga njësitë përkatëse.

    Incidenti dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti verbal, i cili ka eskaluar në dhunë fizike. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tij raportohet stabile.

    I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe tashmë po i nënshtrohet procedurave hetimore. Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, nën dyshimin për veprat penale “Lëndim trupor” dhe “Dhunë në familje”.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës ka bërë të ditur se viktima është duke u trajtuar dhe se ka pësuar lëndime serioze.

    “Policia ka dalë në vendin e ngjarjes për sigurim. Pas trajtimit në QMF, viktima është udhëzuar për në Pejë. Prokurorja e shtetit ka kontaktuar viktimën dhe është njoftuar me lëndimet. Është urdhëruar që rasti të trajtohet nga sektori i hetimeve rajonale – krime serioze”, ka deklaruar ai.

    Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të rrethanave.

  • Mblidhet Kuvendi i Prishtinës për miratimin e buxhetit për vitin 2026

    Mblidhet Kuvendi i Prishtinës për miratimin e buxhetit për vitin 2026

    Kuvendi Komunal i Prishtinës ka paralajmëruar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, në të cilën do të diskutohet dhe votohet buxheti për vitin 2026.

    Seanca do të mbahet sot, me iniciativë të kryesuesit të Kuvendit, Fehmi Kupina.

    Ndërkohë, kjo mbledhje po zhvillohet në një kohë kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ende nuk ka bërë publik përbërjen zyrtare të kabinetit të tij qeverisës.

  • Libani akuzon Izraelin për dëmtim të qëllimshëm të tokave bujqësore

    Libani akuzon Izraelin për dëmtim të qëllimshëm të tokave bujqësore

    Izraeli akuzohet se ka përdorur një herbicid kancerogjen mbi tokat bujqësore në jug të Libanit.

    Libani ka ngritur akuza kundër Izraelit për spërkatjen e një herbicidi të lidhur me kancerin mbi ferma në jug, duke e cilësuar këtë si një “krim ndaj mjedisit dhe shëndetit” që kërcënon sigurinë ushqimore dhe jetesën e fermerëve.

    Presidenti libanez, Joseph Aoun, e dënoi këtë akt si shkelje të sovranitetit të Libanit dhe premtoi se do të ndërmerren masa ligjore dhe diplomatike për të reaguar ndaj kësaj agresioni.

    Akuzat thellohen në pretendimet se aeroplanë të lehtë ushtarakë spërkatën substancën nga ajri dhe se ekzistojnë pamje video të kësaj veprimtarie, raporton The Guardian.

    UNIFIL, misioni paqeruajtës i OKB-së, tha se u paralajmërua të fshihej gjatë operacionit. Analizat laboratorike gjetën se substanca e spërkatur përmbante glyphosate, një herbicid shumë i përdorur që në 2015 u klasifikua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si “ndoshta kancerogjen për njerëzit”.

    Autoritetet libaneze thanë se disa mostra treguan se përqendrimet e glyphosate ishin “20 deri në 30 herë më të larta se përdorimi normal”, çka ngre shqetësime serioze për dëmtimin e kulturave, pjellorinë e tokës dhe ekosistemin e përgjithshëm.

    Ministritë e bujqësisë dhe mjedisit të Libanit thanë se spërkatja e këtyre kimikateve nga aeroplanët ushtarakë mbi territorin libanez përbën një akt të rëndë agresioni që kërcënon sigurinë ushqimore, dëmton burimet natyrore dhe minon jetesën e fermerëve, përveç rreziqeve të mundshme shëndetësore dhe mjedisore për ujin, tokën dhe zinxhirin ushqimor. 

  • Horoskopi ditor: Kjo është shenja më me fat sot

    Horoskopi ditor: Kjo është shenja më me fat sot

    Dashi

    Sot ndjeni një energji të re që ju shtyn të përballeni me vendosmëri me çështje që kanë mbetur pezull. Marrëdhëniet personale përmirësohen falë hapjes suaj, por përpiquni të dëgjoni edhe të tjerët: nxitimi mund të sjellë keqkuptime. Në punë, përqendrohuni te detyrat më të vështira, sepse përpjekja e sotme do të japë rezultate konkrete në vazhdim.

    Demi

    Mund të ndiheni pak më të tërhequr në vetvete se zakonisht, por kjo është dita e duhur për të organizuar dhe planifikuar. Kujdes me çështjet financiare: detajet e vogla bëjnë diferencën. Në dashuri, stabiliteti shpërblehet, ndërsa beqarët mund të kenë takime interesante në situata të papritura.

    Binjakët

    Të dashur Binjakë, marrëdhëniet janë në qendër të vëmendjes sot: miqësia, dashuria dhe puna kërkojnë fleksibilitet. Kurioziteti dhe sharmi ju ndihmojnë të krijoni kontakte stimuluese. Në punë mund të lindin ide të reja; merrni kohën e duhur për t’i zhvilluar pa u nxituar. Fati ju buzëqesh sidomos përmes bisedave dhe takimeve rastësore.

    Gaforrja

    Të dashur Gaforre, dita sjell emocione të forta: dikush afër jush mund t’ju surprizojë me një gjest të papritur. Në punë, mos u nxitoni të mbyllni çështje të rëndësishme; analizoni çdo detaj me kujdes. Në dashuri, ndjeshmëria është pika juaj e fortë: shprehni hapur ndjenjat. Fati shoqëron vendimet e menduara mirë dhe momentet e reflektimit.

    Luani

    Të dashur Luanë, sot sharmi juaj është i lartë dhe ju bën protagonistë në marrëdhëniet personale. Kujdes nga impulsiviteti: dëgjimi i të tjerëve do t’ju ndihmojë të shmangni përplasjet. Në punë, kreativiteti ka hapësirë, por duhet kombinuar me strategji. Edhe gjestet e vogla sot mund të forcojnë lidhje dhe bashkëpunime.

    Virgjëresha

    Të dashur Virgjëresha, dita është ideale për të sistemuar dhe për të rregulluar çështje të mbetura pezull. Saktësia dhe përkushtimi ju shpërblejnë si në punë, ashtu edhe në marrëdhënie. Shmangni kritikën e tepërt ndaj të tjerëve: pak fleksibilitet do ta bëjë ditën më të lehtë. Fati është i qetë, por i pranishëm, sidomos në punët praktike.

    Peshorja

    Të dashur Peshore, aftësia juaj për të ndërmjetësuar është shumë e dobishme sot: dikush mund të ketë nevojë për ekuilibrin tuaj. Marrëdhëniet sentimentale ose profesionale kërkojnë delikatesë, por sharmi ju ndihmon të zgjidhni tensionet. Fati ju shoqëron në takime dhe situata shoqërore: hapuni ndaj mundësive të reja.

    Akrepi

    Të dashur Akrepë, dita është intensive dhe plot pasion. Emocionet janë të forta dhe vendosmëria ju shtyn drejt hapave të rëndësishëm. Kujdes të mos tregoheni tepër të ashpër në marrëdhënie; përdorni intuitën për të kuptuar të tjerët. Në punë, energjia dhe përqendrimi ju ndihmojnë të përballoni sfida të ndërlikuara. Fati shpërblen guximin e shoqëruar me maturi.

    Shigjetari

    Të dashur Shigjetarë, sot ndiheni të lirë dhe kuriozë: ide dhe impulse të reja ju nxisin të eksploroni. Marrëdhëniet kërkojnë ekuilibër mes nevojës për pavarësi dhe vëmendjes ndaj partnerit. Në punë, kreativiteti është i lartë; mos kini frikë të propozoni zgjidhje ndryshe. Fati favorizon iniciativat personale dhe daljen nga rutina.

    Bricjapi

    Të dashur Bricjapë, dita ju fton drejt konkretësisë dhe përgjegjësisë. Në punë, aftësitë organizative dalin në pah dhe është moment i mirë për të planifikuar projekte afatgjata. Në dashuri, maturia shpërblehet, por mos harroni gjestet e vogla ndaj atyre që doni. Fati është i përmbajtur, por forcohet me këmbëngulje dhe punë të vazhdueshme.

    Ujori

    Të dashur Ujorë, mendja juaj është aktive dhe plot ide. Marrëdhëniet shoqërore sjellin stimuj dhe kontakte të vlefshme. Në punë, iniciativat novatore mund të kenë sukses nëse menaxhohen me qartësi. Në dashuri, dita është pozitive për surpriza dhe emocione të bukura. Fati është në anën tuaj, veçanërisht nëse veproni me guxim dhe hapje.

    Peshqit

    Të dashur Peshq, dita është e ndjeshme dhe reflektuese. Dëgjoni emocionet dhe ndiqni intuitën, sepse do t’ju udhëheqë drejt zgjedhjeve të duhura. Në punë, kushtojini vëmendje detajeve dhe komunikimit. Në dashuri, momentet e ëmbla dhe mirëkuptimi forcojnë lidhjet. Fati shoqëron ata që dinë të balancojnë zemrën me arsyen dhe t’u kushtojnë kohë projekteve krijuese.

  • “Rryma nuk është luks”: Sot protestohet në Prishtinë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    “Rryma nuk është luks”: Sot protestohet në Prishtinë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Në Prishtinë pritet të mbahet sot një protestë kundër paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

    Protesta është thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”.

    Sipas njoftimit të organizatorëve, protesta do të nisë në ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it, ndërsa më pas pritet të vazhdojë me marshim drejt Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku edhe do të përfundojë.

    Organizatorët kanë theksuar se përmes kësaj proteste synojnë të kundërshtojnë çdo vendim që do të çonte në rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke vlerësuar se një rritje e tillë do të kishte pasoja të rënda për qytetarët, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta.

    Në njoftimin e tyre për media, organizatorët kritikojnë rritjet e vazhdueshme të faturave të energjisë elektrike që nga viti 2022, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe të dëmshme për qytetarët.

    Sipas tyre, KEDS-i ka kërkuar rritje të vazhdueshme të çmimeve, të cilat janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), në kurriz të mirëqenies së qytetarëve.

    “Qytetarët e Kosovës sot nuk paguajnë vetëm koston reale të rrymës, por edhe humbjet, keqmenaxhimin dhe gabimet e KEDS-it, vetëm për të garantuar fitime gjithnjë e më të mëdha për këtë kompani”, thuhet në deklaratë.

    Organizatat përmendin gjithashtu ndërprerjet e shpeshta të energjisë, mungesën e ngrohjes gjatë dimrit dhe rritjen e kostos së jetesës si pasoja direkte të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Ato rikujtojnë rritjen prej 16.1% të miratuar vitin e kaluar dhe paralajmërimin për një tjetër rritje rreth 20% këtë vit, të cilën e konsiderojnë “zhvatje të hapur ndaj qytetarëve”.

  • Moti sot kryesisht i vranët, priten edhe ca riga shiu

    Moti sot kryesisht i vranët, priten edhe ca riga shiu

    Sot në Kosovë pritet të ketë mot kryesisht të vranët dhe herë pas here edhe reshje shiu, të cilat lokalisht pritet të jenë në formë të rrebesheve.

    Reshjet më intensive priten në Rrafshin e Dukagjinit, sidomos në zonën juglindore, ku mund të shoqërohen edhe me disa shkarkesa rrufesh.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 10-30 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të luhaten prej 2 deri në 5°C dhe ato maksimale prej 7 deri në 9°C.