ATV

Blog

  • Lushaku-Sadriu tregon arsyen pse nuk e votuan Rezolutën për Hagën

    Lushaku-Sadriu tregon arsyen pse nuk e votuan Rezolutën për Hagën

    Jehona Lushaku-Sadriu, shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së, ka folur për mediat pas përfundimit të seancës ku u votua Rezoluta për Hagën.

    Ajo tha se arsyeja pse LDK-ja nuk votoi për të, ishte fakti se nuk u përfshi amandamentimi i tyre në tekstin e Rezolutës.

    “Kemi mbajtur një mbledhje të Kryesisë ku jemi dakorduar për rendin e ditës, dhe si parti politike dhe grup parlamentar nuk kemi qenë të njoftuar për përmbajtjen e kësaj rezolute, dhe për këtë ne kemi miratuar për të mos ndërprerë procedurën, jemi pajtuar të hyjmë në seancë, por kemi kërkuar tekstin. Dhe kemi ardh në seancë duke mos qenë të përfshirë në grupin konsultativ në lidhje me këtë rezolutë”.

    “Në seancë kemi bërë një propozim të një amandamentimi, të cilin keni pasur mundësinë ta dëgjoni edhe përmbajtjen e tij, dhe meqë kryetarja nuk e vuri në votim këtë amandament, ne jemi rezervuar nga votimi”, deklaroi Lushaku-Sadriu.

    Ajo tha se LDK-ja e ka shprehur mbështetjen për Rezolutën në fjalë, por tha se “jemi rezervuar nga votimi për shkak se nuk është hedhur në votim paragrafi ose amandamentimi që ne kemi dashur ta bëjmë”.

    “Ky është një mocion dhe është dashur të hedhej në votim”, u shpreh shefja e GP të LDK-së.

    Gjatë seancës, Lushaku-Sadriu kërkoi që në rezolutë të futet një pjesë që flet për vrasjet gjatë dhe pas luftës.

    “Kjo rezolutë kërkon nga të gjitha institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë, si dhe inkurajon mbështetjen ndërkombëtare për intensifikimin e përpjekjeve drejt zbardhjes të vrasjeve të pazbuluara, gjatë dhe pas periudhës së luftës në Kosovë, që të sigurohet drejtësia për të gjitha viktimat, të zbardhet e vërteta dhe të fuqizohet shteti i së drejtës”, ishte pika që e lexoi Lushaku.

    Megjithatë, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se duhet të vazhdohet me propozimin e PDK-së.

  • Miratohet përbërja e 16 komisioneve parlamentare në Kuvend

    Miratohet përbërja e 16 komisioneve parlamentare në Kuvend

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar përbërjen e 16 komisioneve parlamentare, duke i hapur rrugë funksionalizimit të punës së tyre në legjislaturën e re.

    100 deputetë votuan për, 1 kundër dhe asnjë abstenim.

    Nëntë komisione do t’i takojnë LVV-së, tri PDK-së, dy LDK-së, një Listës Serbe dhe një Grupit Parlamentar Multietnik.

    “Kuvendi miratoi përbërjen e 16 komisioneve parlamentare për legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës”, tha Haxhiu, teksa mbylli punimet e kësaj seance./EO

  • Kjo është ‘Rezoluta e Hagës’ e miratuar nga Kuvendi i Kosovës

    Kjo është ‘Rezoluta e Hagës’ e miratuar nga Kuvendi i Kosovës

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota për ‘Rezolutën e Hagës’ përmes së cilës ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që të ushtrojë proces gjyqësor të drejtë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    R E Z O L U T Ë

    Duke rikonfirmuar përkushtimin e plotë të Kuvendit për respektimin e rendit kushtetues, përfshirë Amendamentin Nr. 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar;

    Duke rikujtuar qëllimin e këtij amendamenti dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për të adresuar dhe demantuar akuzat e pabazuara që burojnë nga Raporti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës [Dokumenti 12462] i 7 janarit 2011, të cilat as pas një dekade hetimesh ndërkombëtare nuk kanë përbërë bazë për t’u përfshirë në aktakuzat e ngritura kundër udhëheqësve dhe luftëtarëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës;

    Duke shprehur besimin e plotë në vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pjesë sublime e historisë sonë të lavdishme, mbi të cilën qëndron Republika jonë dhe duke nderuar sakrificat e burrave dhe grave të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e saj, siç nënvizohet edhe në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës;

    Duke theksuar përkushtimin tonë të plotë për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, ndarjes së pushteteve dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të saktësuara në Kushtetutën e Republikës sonë dhe në aktet e standardet ndërkombëtare;

    Duke theksuar përkushtimin tonë të plotë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë dhe me instrumente ndërkombëtare, si Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

    Duke e vlerësuar të domosdoshme që të ritheksohen detyrimet që rëndojnë mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ashtu si edhe mbi çdo institucion tjetër të Republikës së Kosovës, lidhur me zbatimin e standardeve dhe parimeve kushtetuese e ndërkombëtare për administrimin e duhur të drejtësisë;

    Kuvendi i Republikës së Kosovës

    KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, që përmban standardet më të mira ndërkombëtare, lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.KËRKON nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara, përgjegjësia ekskluzive e të cilit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë në ushtrimin e këtij funksioni, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe aktet e standardeve ndërkombëtare lidhur me këtë funksion.KËRKON nga shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë që ta respektojnë marrëveshjen me Republikën e Kosovës, që gjykata të operojë në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, e cila në brendi i ka të gjitha standardet më të mira ndërkombëtare. Shtetet financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të marrrin përgjegjësi, nëse shkelen këto të drejta.INKURAJON të gjitha shtetet demokratike të bashkohen në thirrjen tonë për respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm – standarde këto që burojnë nga tradita kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike dhe akteve e rekomandimeve të miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë, por pa u kufizuar, nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.INKURAJON mekanizmat monitorues për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, për monitorim të shtuar të pajtueshmërisë së funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në procese gjyqësore dhe raportimin e shkeljeve të evidentuara.KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin për sigurimin e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, në mbështetje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin e plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

  • 1 votë kundër rezolutës në mbrojtje të ish krerëve të UÇK-së ishte e deputetit të VV-së Fatos Geci

    1 votë kundër rezolutës në mbrojtje të ish krerëve të UÇK-së ishte e deputetit të VV-së Fatos Geci

    Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    Derisa LDK nuk mori pjesë, rezoluta kaloi me 90 vota për, një kundër nga deputeti i LVV-së, Fatos Geci dhe asnjë abstenim.

  • Bedri Hamza: Dy kuvende, një qëndrim – në mbrojtje të çlirimtarëve në Hagë

    Bedri Hamza: Dy kuvende, një qëndrim – në mbrojtje të çlirimtarëve në Hagë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas votimit të një Deklarate dhe një Rezolute në Kuvendin e Kosovës dhe në Kuvendin e Shqipërisë.

    Hamza tha se në momente të rëndësishme kombëtare kërkohet unitet i plotë institucional.

    “Dy kuvende, një qëndrim. Në emër të popullit, në mbrojtje të së vërtetës, historisë dhe sakrificës sonë,” ka shkruar Hamza, duke nënvizuar mbështetjen për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Ai theksoi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të gjithë çlirimtarët në Hagë “nuk janë vetëm”, duke falënderuar deputetët e Kosovës dhe Shqipërisë që, sipas tij, folën zëshëm në mbrojtje të dinjitetit, krenarisë dhe vlerave të luftës së UÇK-së.

    Hamza e cilësoi këtë si një moment reflektimi dhe bashkimi kombëtar në mbrojtje të së vërtetës historike dhe sakrificës mbi të cilën është ndërtuar liria.

  • Edhe “Liria ka Emër” përshëndet miratimin e Rezolutës në mbrojtje të çlirimtarëve

    Edhe “Liria ka Emër” përshëndet miratimin e Rezolutës në mbrojtje të çlirimtarëve

    Platforma “Liria ka Emër” ka përshëndetur miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Rezolutës në mbrojtje të çlirimtarëve që po gjykohen në Hagë.

    Përmes një reagimi, kjo platformë tha se ky është një mesazh i rëndësishëm solidariteti dhe kujtese për sakrificën mbi të cilën është ndërtuar liria.

    “Në momente të tilla, uniteti dhe zëri i përbashkët janë thelbësorë. “Liria ka Emër” do të vazhdojë angazhimin qytetar me qetësi dhe dinjitet, në mbrojtje të së vërtetës dhe vlerave të luftës çlirimtare”, thuhet në njoftim.

  • Kuvendi miraton rezolutën në mbrojtje të krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë

    Kuvendi miraton rezolutën në mbrojtje të krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë

    Kuvendi i Kosovës ka votuar rezolutën mbrojtjen e krerëve të UÇK-së.

    90 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim, ka kaluar kjo reoluztë.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ishte pro rezolutën, por kërkoi që të futet edhe pika për drejtësi për vrasjet politike.

    Ndërsa, Përparim Gruda tha se teksti është hartuar nga një grup ekspertesh, duke thënë se nuk mund të ndryshohet.

  • Deputetët e Listës Serbe lëshojnë sallën kur po lexohej “Rezoluta për Hagën”

    Deputetët e Listës Serbe lëshojnë sallën kur po lexohej “Rezoluta për Hagën”

    Në seancën e jashtëzakonshme plenare të Kuvendit të Kosovës, pikë e parë e rendit të ditës është caktuar votimi i Rezolutës për Hagën, e cila shpreh shqetësimin për procesin që po konsiderohet si i padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    Përparim Gruda i PDK-së, doli para foltores për të lexuar tekstin e rezolutës.

    E në të njëjtën kohë, deputetët e Listës Serbe lëshuan sallën.

  • Presidentja Osmani dekoron mjekun australian me Medaljen “Shën Tereza”

    Presidentja Osmani dekoron mjekun australian me Medaljen “Shën Tereza”

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë Medaljen Presidenciale “Shën Tereza” Dr. Patrick “Paddy” Dewan, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ofrimin e ndihmës profesionale mjekësore për trajtimin e sëmundjeve të rralla tek fëmijët në Kosovë.

    Gjatë ceremonisë, Osmani theksoi se Dr.Dewan, ndër vite, ka punuar ngushtë me mjekët vendorë në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike, duke dhënë kontribut të çmuar në trajtimin e rasteve komplekse dhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale në këtë fushë.

    Ajo vlerësoi lart përkushtimin e tij të vazhdueshëm, si dhe angazhimin për sigurimin e pajisjeve të nevojshme për ndërhyrje kirurgjike, me mbështetjen e komunitetit shqiptar në Australi, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për fëmijët në vend.

    Sipas njoftimit, Medalja Presidenciale “Shën Tereza” i ^shtë ndarë Dr. Dewan në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, “për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe përkushtimin shumëvjeçar në trajnimin e kuadrit mjekësor nga Kosova, si dhe për shërbimin e tij në të mirë të fëmijëve të Kosovës”.

  • Zgjedhjet brenda AAK-së, mësohet data e Kuvendit të Përgjithshëm

    Zgjedhjet brenda AAK-së, mësohet data e Kuvendit të Përgjithshëm

    Kuvendi i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të mbahet më 7 qershor të këtij viti, ku do të zgjidhet kryetari i ri i partisë.

    Kështu u bë e ditur në njoftimin zyrtar të subjektit politik, ku po ashtu u theksua se kuvendet e nëndegëve do mbahen nga 20 shkurti deri më 31 mars 2026.

    “Në përputhje të plotë me Statutin e partisë, fillimisht anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm votuan në mënyrë unanime për formimin e Komisionit për Përzgjedhjen e Kandidatëve dhe Nominime, Komisionit Statutar, Komisionit të Etikës, si dhe për plotësim-ndryshimin e Rregullores për Zgjedhjet në AAK. Në vijim të takimit u votua edhe për formimin e Komisionit për Organizimin dhe Koordinimin e Zgjedhjeve të Brendshme, duke i hapur rrugë shpalljes zyrtare të procesit zgjedhor brenda Aleancës”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, kryetari Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij, bëri të ditur se nuk do të kandidojë për një mandat tjetër në krye të partisë.

    Ai falënderoi të gjitha strukturat e Aleancës në të gjitha nivelet për angazhimin dhe përkushtimin e deritanishëm, duke shprehur bindjen se pas përfundimit të zgjedhjeve të brendshme, AAK do të dalë edhe më e fortë dhe më e përgatitur në sfidat që e presin.

    Ndërkaq, nënkryetari aktual i partisë, Ardian Gjini, ka bërë të ditur kandidaturën e tij për kryetar të Aleancës, duke mirëpritur njëkohësisht edhe kandidaturat e tjera.