ATV

Blog

  • Spiropali: Shqipëria angazhohet diplomatikisht për mbrojtjen e luftës së UÇK-së

    Spiropali: Shqipëria angazhohet diplomatikisht për mbrojtjen e luftës së UÇK-së

    Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali ka komentuar miratimin e deklaratës së Kuvendit të Shqipërisë në mbrojtje të liderëve të UÇK-së në Hagë.

    Përmes një postimi në Facebook, Spiropali tha se Kuvendi i Shqipërisë foli njëzëri për të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës dhe për dinjitetin e atyre që e mbajtën mbi supe atë barrë historike.

    “Ishte një zë që nuk vinte vetëm nga salla e parlamentit, por nga kujtesa e një kombi që e di çfarë do të thotë të luftosh për liri”, shkroi ajo.

    Ajo shtoi se Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e përshëndet këtë deklaratë dhe angazhohet plotësisht për zbatimin e saj në çdo forum ndërkombëtar, me dinjitet, me përkushtim dhe me respekt të palëkundur për të vërtetën historike.

    “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte një kapitull i errët, por një dritë në një kohë të errët për gjithë kombin shqiptar. Ajo ishte një luftë për mbijetesë, për dinjitet dhe për të drejtën themelore të një populli për të jetuar i lirë në tokën e vet. Kjo e vërtetë nuk është çështje interpretimi politik; është pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive”, theksoi tutje ajo.

    Po ashtu, ministrja shtoi se Shqipëria qëndron pranë Kosovës, me solidaritet të plotë dhe me besimin se drejtësia duhet të jetë e paanshme, e drejtë dhe në përputhje me të vërtetën historike.

    Sipas Spiropalit, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të ndërmarrë çdo hap diplomatik për të mbrojtur këtë të vërtetë, për të kundërshtuar çdo përpjekje për barazimin e viktimës me agresorin dhe për të siguruar që zëri i Shqipërisë dhe i Kosovës të dëgjohet qartë në çdo tryezë ndërkombëtare.

    “Sepse liria e Kosovës është një kapitull i përbashkët i historisë sonë, dhe dinjiteti i saj është dinjiteti i gjithë kombit shqiptar”.

  • Zyrtari gjerman viziton Kosovën, uron konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë

    Zyrtari gjerman viziton Kosovën, uron konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë

    Sekretari parlamentar i Shtetit i Ministrisë Federale Gjermane të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Frank Schwabe, është duke zhvilluar vizitë në Kosovë

    Ambasada gjermane në Kosovë, ka deklaruar se kjo vizitë vjen në një moment veçanërisht historik.

    “Vizita e tij përkon me konstituimin e parlamentit të ri dhe formimin e qeverisë – ngjarje që ai ishte në gjendje të dëshmonte nga dora e parë duke marrë pjesë në të dy seancat e kuvendit. Ai ka qenë edhe ndër të parët që ka uruar kryeministrin Albin Kurti për formimin e qeverisë së re”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

    Gjatë qëndrimit të tij, Schwabe është takuar me ministren e sapoemëruar të Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe Glauk Konjufcën, pak orë para emërimit të tij si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme.

    Sipas njoftimit, takimet u fokusuan në vlerësimin e gjendjes së marrëdhënieve dypalëshe dhe identifikimin e fushave të reja për bashkëpunim.

    “Ajo që ishte planifikuar si vizitë e rregullt, shpejt u shndërrua në një dinamikë veçanërisht dhe angazhuese, e formësuar nga zhvillimet politike të Kosovës që lëvizin shpejt”.

  • Avokati i Rexhep Selimit sfidon Prokurorinë: A ishte Adem Jashari pjesë e ndërmarrjes kriminale?

    Avokati i Rexhep Selimit sfidon Prokurorinë: A ishte Adem Jashari pjesë e ndërmarrjes kriminale?

    Avokati i Rexhep Selimit, Jeoffrey Roberts, ka sfiduar Prokurorinë e Hagës.

    Ai ka pyetur nëse Adem Jashari ishte pjesë e Ndërmarrjes Kriminale.

    “Një emër që përmendet është Adem Jashari, që ka qenë shumë i përmendur. Është përmendur në luftimet e Prekazit 1998, fillim të marsit, nga Prokuroria. E anashkalojnë masakrën e kësaj familje. Përmenden disa raste sikur janë takuar në 1992. Apo që është prezantuar me z.Selimi nga Sylejman Selimi më 1994. Përfundimi i logjikshëm që ka nxjerr ZPS-ja nga këto situata, është se këto lidhje mes të akuzuarve dhe z.Jashari janë relevante për argumentet e ZPS-së për NPK-në.

    Mendoj që këtë e bëjnë sepse sipas tyre edhe z.Jashari është anëtar i pretenduar i Ndërmarrjes Kriminale që nuk ia përmendin emrin. Nuk mund të diskutosh thelbin e NPK-së, dhe të pretendosh që çdo anëtar i lartë në UÇK paska qenë pjesë e NPK-së. Nëse e pyet Prokurorinë, a ka qenë z.Jashari pjesë e NPK-së, sepse nëse do të ishte kështu, do të duhej të vërtetonin. Shpresoj që ju një moment t’i bëni këto pyetje”, tha ai.

    Roberts ka thënë se klienti i tij është tërësisht i pafajshëm për të gjitha krimet pretenduara në aktakuzë.

    “Selimi është tërësisht i pafajshëm për secilën prej krimeve të pretenduara në aktakuzë”, tha ai.

    Roberts theksoi se Prokuroria nuk ka arritur që të vërtetojë asnjë prej pretendimeve të saj.

    “ZPS-ja thjesht nuk ka arritur që të përmbush detyrimin e saj për të vërtetuar asnjërën prej këtyre krimeve të pretenduara përtej dyshimit të arsyeshëm”, tha Roberts.

  • A ju mpihen duart dhe këmbët? Ja cilat janë arsyet

    A ju mpihen duart dhe këmbët? Ja cilat janë arsyet

    Mpirja e duarve apo këmbëve është një ndjesi e pakëndshme që pothuajse të gjithëve na ka ndodhur të paktën një herë. Në shumicën e rasteve, ajo shkaktohet nga presioni i përkohshëm mbi nerva dhe largohet sapo të ndryshoni pozicionin ose të rikthehet qarkullimi normal i gjakut.

    Kjo gjendje njihet si parestezi dhe zakonisht nuk përbën shqetësim serioz. Megjithatë, nëse përsëritet shpesh ose zgjat për një kohë të gjatë, mund të jetë shenjë e një problemi tjetër shëndetësor.

    Simptomat më të zakonshme:
    • Mpirje e duarve ose këmbëve

    • Ndjesi shpimi si me gjilpërë

    • Ndjesi nxehtësie në lëkurë

    • Kruajtje

    Shkaqet e mundshme:

    Mungesa e vitaminave – Sidomos vitaminat B1, B6, D dhe E, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në funksionimin e sistemit nervor.

    Infeksionet – Disa infeksione, si herpesi apo HIV-i, mund të shoqërohen me mpirje të vazhdueshme të gjymtyrëve.

    Lëndimet – Dëmtimet fizike mund të ndikojnë në nerva, duke shkaktuar mpirje edhe pas shërimit të plagës.

    Faktorë të tjerë – Konsumi i alkoolit, kimioterapia dhe disa antibiotikë mund të ndikojnë në funksionimin e nervave.

    Personat më të rrezikuar:
    • Gratë, për shkak të kanaleve më të ngushta nervore

    • Personat me probleme të gjëndrës tiroide

    • Personat obezë

    Si mund të parandalohet?
    • Ushtrime të rregullta fizike

    • Shmangia e lëndimeve gjatë aktivitetit fizik

    • Lëvizje e shpeshtë dhe shmangie e qëndrimit të gjatë në një pozicion

    Nëse mpirja është e shpeshtë, zgjat për një kohë të gjatë ose shoqërohet me dobësi muskulore apo dhimbje, rekomandohet konsultimi me mjekun për vlerësim të mëtejshëm.

  • Tahiri: Në orën 19:00 miratohet rezoluta për çlirimtarët që gjenden padrejtësisht në Hagë

    Tahiri: Në orën 19:00 miratohet rezoluta për çlirimtarët që gjenden padrejtësisht në Hagë

    Shefi i Grupit Parlmetar të AAK-së Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se sot do të mbahte seancë e Kuvendit të Kosovës në orën 19:00.

    Ai në një konferencë për media tha se do të diskutohet tri tema.

    “Do të këtë një seancë në orën 19:00, do të jenë tri tema. E para lidhet me ndarjen e komisioneve, që është një procedurë standarde. Tema e dytë është për ndarjet buxhetore, ndërsa tema më e rëndësishme lidhet me një rezolutë të cilën Kuvendi i Kosovës do ta miratojë në orën 19:00, sa i përket çlirimtarëve tonë të cilët gjenden padrejtësisht në Hagë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka një dakordim me tekstin e kësaj rezolute”, tha ai.

  • Një qen në Brazil jetoi pranë varrit të pronarit për 10 vjet, një ligj i ri u miratua për shkak të tij

    Një qen në Brazil jetoi pranë varrit të pronarit për 10 vjet, një ligj i ri u miratua për shkak të tij

    Një qen që kaloi 10 vjet duke jetuar në varrezat e São Paulo-s ku u varros pronari i tij, ka frymëzuar një ligj të ri që lejon varrimin e kafshëve shtëpiake me familjet e tyre në shtetin brazilian.

    Me nofkën Bob Coveiro – që do të thotë “varrmihës” në portugalisht – qeni besnik u solli ngushëllim të afërmve dhe u bë një pjesë e përhershme e varrezave deri në vdekjen e tij në vitin 2021, kur u varros së bashku me kujdestarin e tij.

    Ligji i emëruar sipas qenit hyri në fuqi të martën dhe njeh “lidhjen emocionale” midis kafshëve shtëpiake dhe familjeve të tyre njerëzore, tha qeveria, transmeton Telegrafi.

    Një nga autorët e tij, përfaqësuesi Eduardo Nóbrega, shkroi në mediat sociale: “Ajo që filloi si një histori dashurie dhe besnikërie është shndërruar në politikë publike”.

    Bob mori pjesë në funeralin e pronarit të tij në varrezat në Taboão da Serra dhe refuzoi të largohej më pas, raportuan mediat braziliane – madje u kthye kur anëtarët e familjes u përpoqën ta merrnin në shtëpi.

    Atij iu dha një shtëpi e gjelbër për qen për të jetuar dhe njihej për shoqërimin e procesioneve mortore në vend, ku u varros përfundimisht me pronarin e tij pasi u godit nga një automjet në vitin 2021.

    Organizata lokale bamirëse për mbrojtjen e kafshëve Patre, e cila udhëhoqi një mbledhje fondesh për një statujë në kujtim të tij, tha se Bob “fitoi zemrat e të gjithë atyre që e takuan”.

    “Njerëzit që u trishtuan nga varrimi i të dashurve të tyre do të buzëqeshnin kur qeni i vogël, i cili ishte i çmendur pas topave, përpiqej të luante”, thuhej në një deklaratë.

    Nóbrega tha për Ligjin Bob Coveiro të mërkurën: “Kushdo që ka humbur një kafshë shtëpiake e di: nuk është vetëm një kafshë. Është një familje. Dhe ky ligj e njeh këtë lidhje, duke sjellë më shumë respekt në momentin e lamtumirës. Dashuria nuk mbaron me lamtumirën”.

    Kjo do të thotë që macet dhe qentë tani mund të varrosen në varret familjare në shtetin juglindor – më i populluari i Brazilit – me kusht që të përmbushen standardet sanitare, me shërbimet lokale të varrimit për të përcaktuar rregullat për ta bërë këtë.

    Brazili ka popullsinë e tretë më të madhe të kafshëve shtëpiake në botë, me 160 milionë kafshë shoqëruese, sipas të dhënave nga Instituti Pet Brasil.

  • Seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, në rend dite edhe buxheti

    Seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, në rend dite edhe buxheti

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sonte në ora 19:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit.

    Vendimi është bërë i ditur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

    Në rendin e ditës të seancës së jashtëzakonshme do të jetë edhe shqyrtimi i buxhetit.

  • Rusia bllokon WhatsApp dhe Telegram, promovon aplikacionin shtetëror “Max”

    Rusia bllokon WhatsApp dhe Telegram, promovon aplikacionin shtetëror “Max”

    Autoritetet ruse kanë ndërmarrë hapa për të kufizuar përdorimin e aplikacioneve të njohura të komunikimit WhatsApp dhe Telegram, në përpjekje për të orientuar përdoruesit drejt një platforme të re mesazhesh të kontrolluar nga shteti.

    Sipas një deklarate të WhatsApp, në pronësi të Meta Platforms, qeveria ruse ka tentuar të bllokojë plotësisht funksionimin e aplikacionit në territorin rus. Kompania thekson se ky veprim synon të detyrojë qytetarët të kalojnë në një aplikacion komunikimi të kontrolluar nga autoritetet shtetërore.

    “Qeveria ruse u përpoq të bllokonte plotësisht WhatsApp për t’i shtyrë njerëzit drejt një aplikacioni mbikëqyrjeje në pronësi të shtetit”, thuhet në reagimin e kompanisë. Sipas saj, kufizimi i aksesit për mbi 100 milionë përdorues ndaj një mjeti privat komunikimi cenon sigurinë dhe lirinë digjitale të qytetarëve. WhatsApp ka bërë të ditur se po punon për të ruajtur lidhjen e përdoruesve me platformën.

    Ndërkohë, edhe Telegram është përballur me masa kufizuese nga autoritetet rregullatore ruse, të cilat e akuzojnë platformën për shkelje të ligjeve vendase dhe për mosmarrje të masave të mjaftueshme kundër përdorimit të aplikacionit për qëllime terroriste.

    Telegram, i themeluar nga sipërmarrësi rus Pavel Durov, mbetet një ndër aplikacionet më të përdorura në Rusi. Durov ka reaguar ndaj zhvillimeve, duke deklaruar se kufizimi i lirive nuk është zgjidhje dhe duke akuzuar Moskën se po përpiqet të imponojë një platformë shtetërore të dizajnuar për mbikëqyrje dhe censurë.

    Autoritetet ruse po promovojnë aplikacionin “Max”, në pronësi të kompanisë VK, i cili funksionon që nga viti 2025. Platforma prezantohet si një “super-aplikacion” që ofron mesazhe, shërbime qeveritare dhe tregti online. Megjithatë, deri më tani nuk ka arritur të fitojë popullaritet të gjerë.

    Kjo lëvizje vjen pas masave të mëhershme, përfshirë ndalimin e thirrjeve zanore përmes WhatsApp dhe Telegram gjatë verës së kaluar, duke sinjalizuar një kontroll gjithnjë e më të fortë mbi komunikimet digjitale në Rusi.

  • KRU “Bifurkacioni” vazhdon aksionin për shkyçjen e konsumatorëve me borxhe në Ferizaj, Kaçanik dhe Han të Elezit

    KRU “Bifurkacioni” vazhdon aksionin për shkyçjen e konsumatorëve me borxhe në Ferizaj, Kaçanik dhe Han të Elezit

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” ka bërë të ditur se po vazhdon aksioni për verifikimin dhe shkyçjen e konsumatorëve individualë dhe komercialë që kanë borxhe ndaj kompanisë së ujësjellësit.

    Sipas njoftimit, vetëm gjatë muajit janar janë zhvilluar takime me rreth 300 konsumatorë, të cilët janë verifikuar lidhur me detyrimet e tyre financiare, ndërsa një pjesë e tyre janë shkyçur nga rrjeti për shkak të mospagesës së borxheve.

    KRU “Bifurkacioni” paralajmëron se të gjithë konsumatorët në zonat e shërbimit në komunat e Ferizajt, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit do të përballen me shkyçje nga rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit nëse nuk e rregullojnë situatën e borxhit.

    Kompania ka apeluar që konsumatorët me borxhe të mos rikyçen ilegalisht në rrjet, por të kryejnë pagesat për të siguruar furnizim të rregullt me ujë dhe për të shmangur procedurat e përmbarimit.

    Po ashtu, “Bifurkacioni” ka bërë të ditur se ofron mundësi bashkëpunimi për shlyerjen e detyrimeve përmes riprogramimit të borxheve. Për amvisëritë, parashihet pagesë fillestare prej 10 për qind të borxhit total, ndërsa pjesa tjetër mund të paguhet në 12 deri në 36 këste. Ndërsa për bizneset, pagesa fillestare është 20 për qind e borxhit total, me mundësi riprogramimi në 12 deri në 36 këste për pjesën e mbetur.

    Kompania ka theksuar se aksioni do të vazhdojë në terren dhe se masat do të zbatohen në përputhje me rregulloret dhe procedurat në fuqi.

  • Shefi i NATO-s: Serbia të përmbushë zotimin për llogaridhënie për sulmin në Banjskë, dialogu Kosovë–Serbi thelbësor

    Shefi i NATO-s: Serbia të përmbushë zotimin për llogaridhënie për sulmin në Banjskë, dialogu Kosovë–Serbi thelbësor

    Shefi i NATO-s, Mark Rutte, pas takimit të ministrave të Mbrojtjes, në një konferencë për media foli për rëndësinë e takimit dhe për temat aktuale të sigurisë në Ukrainë, Moldavi dhe për të ardhmen e Aleancës.

    Ai komentoi edhe për rolin e NATO-s në Ballkan, për misionin e KFOR-it në Kosovë dhe misionin në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe për kontributin e Aleancës në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në rajon shkruan Telegrafi.

    Rutte ka ripërsëritur edhe sot se NATO pret nga Serbia përgjegjësi dhe llogaridhënie nga ata që kryen sulmin në shtator të vitit 2023 në Banjskë.

    “Mendoj se dialogu Prishtinë–Beograd është shumë i rëndësishëm. NATO e mbështet plotësisht këtë proces. Dhe, siç e theksova edhe dje, është po ashtu thelbësore që të ketë llogaridhënie për atë që ndodhi në vitin 2023 në Banjskë dhe për ngjarje të tjera. Presidenti i Serbisë ka premtuar se do ta sigurojë këtë llogaridhënie dhe ne presim që ai ta përmbushë këtë zotim së shpejti”, tha ai.

    Në konferencë, shefi i NATO-s u fokusua kryesisht në luftën në Ukrainë dhe në të ardhmen e buxhetit të Aleancës. Telegrafi po mbulon këtë takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s.