ATV

Blog

  • Netflix sjell filmin “Ad Astra” me Brad Pitt, një kryevepër “e nënvlerësuar”

    Netflix sjell filmin “Ad Astra” me Brad Pitt, një kryevepër “e nënvlerësuar”

    Netflix ka shtuar në platformën e saj filmin “Ad Astra”, një produksion i vitit 2019 i regjisorit James Gray, i cilësuar si i nënvlerësuar.

    Me Brad Pitt në rol kryesor dhe një muzikë thuajse perfekte, filmi fantastiko-shkencor ka fituar vlerësime të larta nga kritikët, duke marrë 83% në Tomatometer të Rotten Tomatoes.

    Sipas përmbledhjes së Rotten Tomatoes, filmi tregon historinë e Clifford McBride, i cili tridhjetë vjet më parë udhëhoqi një ekspeditë në hapësirë dhe u zhduk së bashku me ekuipazhin, shkruan DailyMail.

    Djali i tij, Roy McBride (Brad Pitt), një astronaut i patrembur, nis një mision në Neptun për të zbuluar të vërtetën rreth babait të tij dhe një rritjeje misterioze të energjisë që kërcënon stabilitetin e universit.

    Ad Astra përfshin gjithashtu yje si Tommy Lee Jones, Ruth Negga, Liv Tyler dhe Donald Sutherland. Publiku dhe kritikët kanë shprehur entuziazëm për filmin, duke e quajtur një kryevepër të shtypur, një reflektim mbi humbjen, mashkullorësinë dhe udhëtimin emocional të individit në hapësirë.

    Një kritik shkruan: “Ky është një film i shkëlqyer! Një histori që meriton të shihet disa herë për të kapur detajet e vogla. Psikologjikisht tërheqës dhe vizualisht magjepsës”.

    Performanca e Brad Pitt si Roy McBride dhe ajo e Tommy Lee Jones si babai i tij, H. Clifford McBride, janë veçanërisht të vlerësuara, ndërsa rol tjetër mbresëlënës ka Ruth Negga si Helen Lantos, Liv Tyler si Eve McBride, Donald Sutherland si Kolonel Thomas Pruitt dhe John Ortiz si Gjeneral Lejtnant Rivas.

    Tani, fansat mund ta rishikojnë këtë film të veçantë në Netflix dhe të përjetojnë sërish një nga aventurat më të spikatura hapësinore të viteve të fundit.

  • Mos i bëni këto gjëra sapo të zgjoheni

    Mos i bëni këto gjëra sapo të zgjoheni

    Zgjimi herët në mëngjes për punë apo shkollë nuk është gjithmonë i lehtë. Dalja nga shtrati i ngrohtë dhe përballja me ritmin e ditës mund të jetë stresuese. Megjithatë, disa zakone të vogla që bëjmë sapo hapim sytë mund ta përkeqësojnë këtë moment – madje edhe të ndikojnë në shëndet. Ja çfarë duhet të shmangni:

    1. Mos u ngrini menjëherë nga shtrati

    Të çoheni menjëherë në këmbë sapo bie zilja e alarmit mund të dëmtojë muskujt dhe shpinën. Jepini trupit disa minuta që të zgjohet gradualisht. Shtrihuni lehtë, lëvizni krahët dhe këmbët dhe pastaj ngrihuni me kujdes.

    2. Mos u vishni në errësirë

    Nëse zgjoheni para pjesëtarëve të tjerë të familjes, mund të tundoheni të përgatiteni në errësirë. Kjo rrit rrezikun e rrëzimit dhe ndikon në ritmin biologjik. Zgjidhja më e mirë është të përgatisni rrobat që në mbrëmje.

    3. Mos e shtyni vazhdimisht zilen e alarmit

    Aktivizimi i “snooze” disa herë krijon stres fizik dhe mendor. Trupi fillon e ndalon procesin e zgjimit disa herë radhazi, gjë që e bën më të vështirë nisjen e ditës me energji.

    4. Mos bëni ushtrime të rënda menjëherë

    Menjëherë pas zgjimit, trupi është ende i “mpirë”. Ushtrimet intensive mund të shkaktojnë tendosje. Prisni të paktën 30 minuta dhe në fillim zgjidhni aktivitete të lehta si joga apo pilates.

    5. Mos hani menjëherë sapo të zgjoheni

    Rekomandohet që fillimisht të pini një gotë ujë në temperaturë ambienti. Për të aktivizuar sistemin tretës, mund të pini ujë të ngrohtë me pak lëng limoni. Më pas mund të konsumoni mëngjesin normal.

    Ndryshime të vogla në rutinën e mëngjesit mund ta bëjnë fillimin e ditës më të lehtë, më të shëndetshëm dhe më energjik.

  • Rinovohet Palestra e Sportit “Bashkim Selishta”, investim 2.7 milionë euro nga MKRS dhe Komuna e Gjilanit

    Rinovohet Palestra e Sportit “Bashkim Selishta”, investim 2.7 milionë euro nga MKRS dhe Komuna e Gjilanit

    Në Gjilan po vazhdojnë punimet për rinovimin e plotë të Palestrës së Sportit “Bashkim Selishta”, projekt që pritet të krijojë kushte moderne dhe funksionale për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

    Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se investimi kap vlerën prej 2.7 milionë euro dhe po realizohet përmes bashkëfinancimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Gjilanit.

    “Ky projekt do të krijojë kushte moderne dhe funksionale për të rejat dhe të rinjtë e komunës tonë, duke u ofruar hapësira të përshtatshme për aktivitet sportiv, gara dhe zhvillimin e potencialit të tyre” ka deklaruar Hyseni.

    Ai ka theksuar se investimet në sport mbeten ndër prioritetet kryesore të komunës edhe gjatë këtij mandati, duke shtuar se infrastruktura sportive është e rëndësishme për zhvillimin e rinisë dhe promovimin e aktiviteteve rekreative dhe profesionale.

  • Haradinaj e tregon arsyen e tërheqjes nga i pari i AAK-së

    Haradinaj e tregon arsyen e tërheqjes nga i pari i AAK-së

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka treguar arsyen e tërheqjes së tij nga posti i të udhëheqësit të kësaj partie.

    Haradinaj renditi tri arsyet kryesore pse mori këtë vendim, që s’ishte hiç i lehtë.

    “Kemi mbajtur Këshillin e Përgjithshëm, i kemi dakorduar trupat zgjedhore për me u mbajt zgjedhjet e brendshme, e kemi votuar edhe rregulloren e brendshme për kandidaturat dhe e kemi marrë vendimin për shpalljen e zgjedhjeve, prej nëndegëve e deri te kryetari i partisë”, tha ai. Kësaj here do ta shfrytëzoj të drejtën të mos kandidoj. Pra nuk do kandidoj më për kryetar të Aleancës, e kam kryer kandidaturën për kryetar. Kam pasur nderin ta udhëheq Aleancën që nga themelimi dhe të jem themelues. E kam pasur nderin të udhëheq njerëz shumë të zotë të Kosovës, të iu prij atyre. Ata i kanë shërbyer Kosovës, atdheut e demokracisë nën udhëheqjen time. Do ta kem nderin që të iu shërbej atyre”, u shpreh Haradinaj.

    “Janë disa arsye pse kam vlerësuar kështu. E para është jetëgjatësia. E dyta është rezultati jo i mirë zgjedhor. Ajo që është më kryesorja është se dua t’i shërbej demokracisë, dhe për faktin se në Aleancë ka njerëz të zotë shumë, shpresa dhe besimi im është që ata do të ngrisin Aleancën në parti fituese”, u shpreh Haradinaj në Klan Kosova.

  • IKSHPK: Në Kosovë dominon gripi A/H3N2

    IKSHPK: Në Kosovë dominon gripi A/H3N2

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka analizuar gjenetikisht virusin e Gripit A në 22 mostra për të identifikuar nënllojet që po qarkullojnë në vend, duke bërë të ditur se shumica e rasteve i përkasin nënllojit H3N2.

    “Sekuencimi i gjenomit të plotë të virusit të Gripit A është kryer përmes teknologjisë së sekuencimit të gjeneratës së re (Next Generation Sequencing – NGS) në platformën GridION të Oxford Nanopore Technologies (ONT)”, thuhet në njoftim.

    IKSHPK bën të ditur se sekuencimi është realizuar në 22 mostra të cilat paraprakisht ishin detektuar me virusin e Gripit A me metodën RT-PCR gjatë periudhës 18.12.2025 – 14.01.2026.

    Nga këto mostra, “pjesa dërrmuese (82%) ishin virus të Gripit A/H3N2, ndërsa pjesa tjetër (18%) i takonin virusit të Gripit A/H1N1”. Sipas institutit, për subtipin dominues H3N2, “të gjitha sekuencat e analizuara i përkasin ‘clade K’ të virusit”, i cili tashmë është identifikuar në të gjitha kontinentet dhe përbën rreth gjysmën e sekuencave të depozituara në bazën globale GISAID për Evropën.

    IKSHPK thekson se të dhënat ekzistuese tregojnë “një divergjencë të konsiderueshme gjenetike të këtij virusi në qarkullim krahasuar me shtamin në vaksinën e gripit të subtipit A(H3N2) të përdorur në hemisferën veriore”.

    Megjithatë, sipas ECDC-së, të dhënat preliminare nga studimi VEBIS tregojnë se “vaksinat sezonale që janë në dispozicion në BE ofrojnë mbrojtje kundër infeksionit me gripin A(H3N2), me efektivitet vaksine që sillet nga 52% në 57%”.

    IKSHPK nënvizon se këto vlerësime “mbështesin përpjekjet aktuale për të ofruar vaksinim sezonal kundër Gripit për popullatat kyçe në kohën më të shkurtër të mundshme, për të zbutur ndikimin e infeksioneve me Gripin”.

    Sipas institutit, rezultatet e sekuencimit janë në përputhje me mbikëqyrjen rajonale dhe globale dhe theksojnë rëndësinë e përdorimit të teknologjisë NGS në mbikëqyrjen gjenomike të Gripit, duke kontribuar në monitorimin e qarkullimit të nënllojeve dhe në vlerësimin e nevojës për përditësim të rregullt të përbërjes së vaksinës kundër Gripit.

  • Parlamenti i Argjentinës miraton uljen e moshës së përgjegjësisë penale në 14 vjeç

    Parlamenti i Argjentinës miraton uljen e moshës së përgjegjësisë penale në 14 vjeç

    Dhoma e Deputetëve (dhoma e ulët) e parlamentit argjentinas ka miratuar një projektligj që do të ulë moshën e përgjegjësisë penale nga 16 në 14 vjeç.

    Projektligji u mbështet nga 149 deputetë, ndërsa 100 votuan kundër tij. Dokumenti tani do t’i dërgohet Senatit.

    Qeveria, e cila ia paraqiti iniciativën Kongresit, i mirëpriti rezultatet e votimit.

    “Argjentina nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga normat e konceptuara për një vend që nuk ekziston më. Ky projektligj eliminon këtë mospërputhje dhe vendos një parim themelor për çdo shoqëri me rend: autori i krimit duhet të përballet me drejtësinë, pavarësisht nga mosha”, thuhet në një deklaratë nga zyra e Presidentit Argjentinas Javier Miel.

    Sipas autoriteteve argjentinase, në vitin 2023, gati 2,200 krime u kryen nga persona nën moshën 18 vjeç.

  • KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rrymës sot

    KEDS tregon ku do të ketë ndërprerje të rrymës sot

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të premten, më 13.02.2026, do të kryhen punime për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat i kësaj, në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

    Ky është orari sipas rajoneve:

    Peja

    Punime në projekte investive

    1.

    Nga TS 110/10kV Deçani do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Strellci (kodi: 53000004) prej orës 08:00 deri në ora 17:00

    Vendet: Isniq, Lebushë, Strellc i Epërm dhe Strellc i Ulët.

    Arsyeja: Projekte investive, shtrirja e kabllos bistek 10kV në linjën egzistuese.

    Prizren

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 110/10 kV Theranda do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Reshtani (kodi: 32000017) prej orës 12:00 deri në ora 13:30

    Vendet: Reshtan, Therande (një pjesë), Lagjja Bajraktari, Reshtani 1 dhe Reshtani 3.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, ri-balancimi i daljeve, kontrollimi i rrjetit.

    2.

    Nga NS 110/10kV Theranda do të ndërprehet:

    Dalja 10kV J17 Zona Industriale-Solidi (kodi: 32000025) 12:00 deri në ora 13:00.

    Vendet: Bizneset në Zonën Industriale.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, ri-balancimi i daljeve, kontrollimi i rrjetit.

    3.

    Nga TS 35/10[kV] Dragash do të ndërprehet:

    Dalja 10kV J02 Restelica (kodi: 30036002) nga ora 09:00 deri 11:00

    Vendet: Lubovishtë, Kukjan, Vranishtë, Restelicë, Mlikë, Glloboqicë, Krushevë, Zlipotok dhe Orqushë

    Arsyeja: Riparim i ndarësit linjor.

    Ferizaj

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 35/10kV Ferizaj III do të ndërprehet:

    Dalja 10 kV Nikadin (kodi: 40042007) prej ores 09:00 deri 11:00.

    Vendet: rrugët: Agim Prodani (një pjesë), Ali Hadri, Beq Heta (një pjesë), Besim Rexhepi (një pjesë), Dëshmorët e Kombit, Elhami Hasani (një pjesë), Enver Maloku (një pjesë), Faik Rexha (një pjesë), Gramozi (një pjesë), Gursel e Bajram Sylejmani, Hajdin Matoshi (një pjesë), Imri Halili, Lagja e Qiraxhive, Liman Reka, Luigj Gurakuqi (një pjesë), Mujo Ulqinaku (një pjesë), Nekadin (një pjesë), Rexhë Berisha (një pjesë), Riza Matoshi (një pjesë), Rrezak Shala, Sylejman Pitarka (një pjesë), Vezir Jashari, Viktor Hygo (një pjesë), Xhyli Semaja (një pjesë) .

    Arsyeja: Ndërprerje për shkaqe sigurie – ndërrimi i izolatorit në NS Ferizaj III.

    Gjakova

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 35/10[kV] Gjakova I do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] IMN (kodi: 80080027) nga ora 10:00 deri 11:00.

    Vendet: IMN, Mithat Frashëri.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, testimi i mbrojtjes rele.

    2.

    Nga TS 35/10[kV] Gjakova I do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Kompresori- Medicina punës (kodi: 80080031) nga ora 11:00 deri 12:00.

    Vendet: Kompresori.-Medicina punës, Nënë Tereza.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, testimi i mbrojtjes rele.

    3.

    Nga NS 35/10[kV] Malisheva do të ndërprehet:

    LP 10kV J05 Carralluka (kodi: 82082001) nga ora 13:00 deri 14:00

    Vendet: rrugët: 603 Adem Jashari (një pjesë), 605 Rilindja Kombëtare (1 konsumator), 606 Pavarësia (1 konsumator), 610 Hisni Mazreku (1 konsumator); fshatrat: Carallukë, Dragobil, Drenoc, Panorc, Shkarashnikë, Tërpezë e Poshtme, Vërmicë dhe Vërmicë e Malishevës.

    Arsyeja: Ndërprerje për shkaqe sigurie, vendosja e shkarkuesve te mbitensionit në Tërpezë e Ulët.

    Gjilan

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 35/10[kV] Artanë do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Slivovë (kodi: 60024003) nga ora 10:00 deri 14:00

    Vendet: Bostoni, Turiqevc, Vllasali, Izvor, Koznicë, Svarqak, Prekoc, Manishincë, Zebincë, Vuqak, Llabjan, Llajshevc, Dragovc, Kukavicë dhe Gulmivodë.

    Arsyeja: Pastrim traseje në rrjetin e tensionit të mesëm, kontrollimi i TS 10/0.4kV për vaj transformatorik.

    * * *

    Punime nga palët e treta

    1.

    TS 35/10kV Gjilani II do të ndërprehet:

    Dalja 10 kV KFOR-i (kodi: 60061009) nga ora 10:00 deri 16:00

    Vendet: rrugët: 28 Nëntori, Adem Jashari (një pjesë), Afrim Zhitija (një pjesë), Ali Hadri (një pjesë), Avdullah Presheva, Isa Kastrati, Isuf Kiki (një pjesë), Kadri Halimi (një pjesë), 15 Qershori, Abdullah Presheva, Rexhep Dajkoci (një pjesë), Dardania, Fatos Limani (një pjesë), Haki Myderizi (një pjesë), Halim Orana (një pjesë), Haqif Tetova, Kadri Halimi (një Ramiz Sadiku (një pjesë), Rexhep Dajkovci (një pjesë), Sadik Sadiku, Sadullah Brestovci (një pjesë), Vëllezërit Baftiu (një pjesë) dhe Zija Shemsiu.

    Arsyeja: Energjizimi i sistemit hyrje-dalje sipas pëlqimit elektro-energjetik.

  • Këto janë vendimet që u morën në seancën e parë të Kuvendit të ri

    Këto janë vendimet që u morën në seancën e parë të Kuvendit të ri

    Kuvendi i Kosovës miratoi në një seancë të jashtëzakonshme plenare të enjten Rezolutën për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, duke kërkuar zbatim me përpikëri të Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare për proces të drejtë dhe të paanshëm.

    Rezoluta, e paraqitur nga deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, u miratua me 90 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, pasi paraprakisht u votua shmangia nga rendi i ditës për ta trajtuar si pikë të parë.

    Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, pasi një kërkesë e tyre për të shtuar një pikë në përmbajtje nuk u pranua.

    Dokumenti kërkon nga institucionet e drejtësisë në Hagë që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të garantojnë respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë edhe standardet e përcaktuara nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rastet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve.

    Po ashtu Rezoluta kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që të sigurojnë zbatimin me përpikëri të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, si dhe standardeve ndërkombëtare për një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm.

    Gjatë debatit, kryetarja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, propozoi shtimin e një pike në tekstin e rezolutës, por propozimi nuk mori mbështetjen e nevojshme as që të dal në votim.

    Përparim Gruda i PDK-së tha se teksti është i një grupi profesorësh, rreth 300 anëtarë, që janë deponuar si peticion në Kuvendin e Kosovës dhe nuk është një tekst i hartuar nga partitë, dhe tha se vetëm ka pasur dakordim.

    Megjithatë, Lushaku insistoi që pika e propozuar nga ta, të përfshihet në rezolutë.

    Për pasojë, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim. Pas seancës, shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka treguar arsyet e përmbajtjes nga votimi për rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Ajo pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme, tha se mos përfshirja e amendamentit të tyre për zbardhjen e vrasjeve politike në rezolutë ka bërë që të mos marrin pjesë në votim.

    Fatos Geci i partisë Guxo së ishte deputeti i vetëm që votoi kundër Rezolutës për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai më pas u shpreh se është krenar me veprimin që e ka bërë.

    Seanca e mbrëmshme vijoi me miratimin e Propozim-vendimit të Qeverisë për zgjatjen e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal edhe për muajin mars 2026, me qëllim të shmangies së pengesave në procesin e pagesave deri në miratimin e buxhetit të ri.

    Në fund, Kuvendi miratoi përbërjen e 16 komisioneve parlamentare për legjislaturën e dhjetë, me anëtarët e propozuar nga grupet parlamentare, sipas ndarjes së dakorduar në Kryesinë e Kuvendit.

  • Sot fjala përfundimtare e mbrojtjes së Rexhep Selimit, vijon ajo e Jakup Krasniqit

    Sot fjala përfundimtare e mbrojtjes së Rexhep Selimit, vijon ajo e Jakup Krasniqit

    Mbrojtja e Rexhep Selimit do të vazhdojë deklaratën përmbyllëse edhe gjatë ditës së sotme.

    Avokati Geoffrey Roberts dje tha se klienti i tij është i pafajshëm për të gjitha pikat në aktakuzë.

    Ai tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ofruar asnjë dëshmi se Selimi ka shkruar komunikata dhe nuk ka as bazë për t’ia atribuuar këto përgjegjësi të akuzuarve, raporton Kp.

    Derisa foli për pretendimet e Prokurorisë për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, avokati tha se nuk ka ekzistuar një gjë e tillë.

    Ai gjatë deklaratës përmbyllëse, të cilën e filloi ditën e djeshme tha se “nëse e pyet Prokurorinë se a ka qenë Adem Jashari pjesë e NPK-së nuk mund të përgjigjet”.

    Paraqitja e deklaratave përmbyllëse nga ana e ekipit mbrojtës të Rexhep Selimit do të vazhdojë edhe sot, pastaj radha është e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.

    Edhe ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të kenë mundësi të mërkurën që për herë të fundit t’i drejtohen trupit gjykues.

    Sot është dita e pestë prej kur kanë nisur deklaratat përmbyllëse të palëve.

    Kjo fazë ka nisur me parashtrimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ku kryeprokurorja Kimberly West ka kërkuar dënim me burgim nga 45 vjet për katërshen e UÇK-së.

    Në Kuvendin e Kosovës mbrëmë është miratuar një rezolutë për gjykim të drejtë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.

    Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës, prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

  • Vranët e me reshje shiu sot, ulje e lehtë e temperaturave

    Vranët e me reshje shiu sot, ulje e lehtë e temperaturave

    Mot kryesisht me vransira dhe të reshura shiu kohëpaskohe parashihet për ditën e premtë, ndërkaq zonave malore reshjet do jenë kryesisht në formë dëbore.

    Temperaturat minimale zbresin në 5C e 7C, ndërsa ato maksimale pësojnë një rënie të lehtë në 7C e 10C. Frynë erë e lehtë dhe mesatare veriore 4-7m/s.

    Ditën e shtunë, fillimisht pritet të ketë intervale me diell. Më pas vransirat shtohen, e pasdite reshje shiu përfshinë vendin, që vende-vende do të jenë më intenzive orëve të mbrëmjes dhe natën me kalimin në ditën e diel.

    Temperaturat shënojnë një rritje deri në 11C e 13C. Të dielen mot i ndryshueshëm, sa me intervale me diell e vransira, ndërsa orëve të pasdites parashihen rrebeshe shiu, madje të shoqëruara me ndonjë bubullimë. Të hënën me rënie të temperaturës deri në -2C, priten reshje dëbore, që mund të formojnë shtresë dëbore edhe përgjatë pjesëve të ulëta.

    Të martën mbetet mot i ftohtë, kryesisht me vransira. Temperaturat luhaten ndërmjet -2C në mëngjes dhe 5C gjatë ditës. Të shtunën frynë erë juglindore me hove deri në 15m/s, ndërkohë që nga dita e diel ndryshon drejtimin në veriore e verilindore dhe frynë me hove prej 10m/s, njofton Mendimi për Motin.