ATV

Blog

  • Shaqir Totaj në mbështetje të Marshit “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Shaqir Totaj në mbështetje të Marshit “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

    Përfaqësuesja e platformës Liria ka Emër, Eliza Hoxha ka vizituar sot Komunën e Prizrenit, ku është pritur nga kryetari Shaqir Totaj dhe administrata komunale, të cilët shprehën mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.

    Gjatë takimit, Hoxha shprehu mirënjohje për përkrahjen e ofruar nga Komuna e Prizrenit.

    “Mbështetja që po marrim nga komunat dhe kryetarët e tyre dëshmon se kjo kauzë i tejkalon dallimet dhe buron nga vetë ndërgjegjja qytetare”, theksoi Hoxha.

    Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj u zotua për angazhim në mobilizimin e bashkëqytetarëve të tij, për pjesëmarrje sa më masive në Marsh.

    “Kjo është një thirrje që meriton mbështetje të gjerë qytetare. U kam bërë dhe u bëj thirrje qytetarëve të Prizrenit dhe të gjithë Kosovës që më 17 shkurt të bashkohen në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët”, deklaroi Totaj.

    Platforma “Liria ka Emër” falënderon të gjitha kategoritë e shoqërisë që po mbështesin Marshin “Drejtësi, jo politikë”, duke e shndërruar atë në një kauzë gjithëpërfshirëse qytetare në mbrojtje të drejtësisë dhe së vërtetës historike të luftës së popullit të Kosovës për liri.

  • Mimoza Kusari e pranon detyrën nga Rozeta Hajdari: Pas 15 viteve rikthehem në krye të Ministrisë së Tregtisë

    Mimoza Kusari e pranon detyrën nga Rozeta Hajdari: Pas 15 viteve rikthehem në krye të Ministrisë së Tregtisë

    Ministrja e re e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila ka pranuar sot zyrtarisht detyrën nga ish-Ministrja Rozeta Hajdari.

    Kusari-Lila është zotuar për politika mbështetëse për sektorin privat, start-up-et, fuqizimin ekonomik të grave, forcimin dhe brendimin e produkteve “Made in Kosova”, si dhe ngritjen e eksportit dhe rritjen e produktivitetit të prodhimit kosovar.

    “Incentivizimi i bizneseve për të punuar me politka miqësore mjedisore, duke promovuar ekonominë qarkore, do të kenë fokusin tim të veçantë”, ka shkruar Kusari-Lila.

  • Murati: Çështja e presidentes pas përfundimit të tre hapave emergjentë

    Murati: Çështja e presidentes pas përfundimit të tre hapave emergjentë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka ritheksuar se çështja e presidentes do të trajtohet vetëm pasi të përmbyllen tre hapat emergjentë të përcaktuar nga Qeveria.

    Duke folur para mediave të premten, Murati theksoi se kryeministri tashmë ka sqaruar qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.

    Sipas tij, fillimisht duhet të përmbyllen tre prioritetet emergjente, ndër të cilat aktualisht në fokus është miratimi i buxhetit dhe i marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë afat skadence.

    “Çështjes së presidentit, kryeministri gjatë ditës së djeshme e sqaroi që pasi të përmbyllen tre hapat emergjent, njërin ndër ta jemi pikërisht tani, miratimi i buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë afat skadence. Ai është i gatshëm që të ulet me subjektet tjera politike që përfaqësohen në kuvend dhe të diskutojë se si të gjendet zgjedhja për të ecur tutje. Nga dje deri më sot nuk është se ka ndryshuar diçka, qëndrimi vazhdon të jetë i njëjtë”, ka deklaruar Murati.

    Ai shtoi se fokusi aktual i Qeverisë mbetet procedimi sa më i shpejtë në Kuvend i marrëveshjeve ndërkombëtare, në mënyrë që ato të vihen në dispozicion të Republika e Kosovës.

    Sipas Muratit, zbatimi i reformave të dakorduara me Bashkimin Evropian përbën një nga përfitimet më të mëdha në raport me bruto produktin vendor, duke theksuar se Kosova është ndër përfituese kryesore nga këto marrëveshje.

  • SpaceX dhe NASA dërgojnë katër astronautë në hapësirë

    SpaceX dhe NASA dërgojnë katër astronautë në hapësirë

    Një anije e SpaceX me katër astronautë është nisur në rrugën e saj drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, duke filluar një udhëtim që do ta rikthejë laboratorin në orbitë me staf të plotë pas një muaji operimi me një ekuipazh minimal.

    Misioni, i quajtur Crew-12, u nis nga Stacioni i Forcave Hapësinore Cape Canaveral në Florida.

    Anija kozmike pritet të ankorohet me ISS-në të shtunën pasdite.

    NASA, e cila ka kontraktuar SpaceX për transportin e astronautëve për në dhe nga stacioni hapësinor, ishte përpjekur të përshpejtonte lëshimin e Crew-12 për shkak të mungesës së personelit.

    Por agjencia duhej të hiqte dorë nga dy lëshime të mundshme për shkak të motit të pafavorshëm përgjatë rrugës së fluturimit të raketës.

    Bëhet e ditur se Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor ka funksionuar me tre persona në bord — shumë më pak se stafi prej shtatë personash që dëshiron agjencia hapësinore — që nga mesi i janarit.

    Lansimi i ri vjen pasi një mision i mëparshëm i stafit të SpaceX, Crew-11, u detyrua të bënte një kthim të parakohshëm në Tokë për shkak të një problemi mjekësor.

    “NASA ishte gati. Ekipi reagoi shpejt dhe profesionalisht, ashtu si edhe ekipet në të gjithë agjencinë, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët tanë komercialë dhe duke ekzekutuar një kthim shumë të sigurt”, tha administratori i NASA-s, Jared Isaacman, gjatë një konference për shtyp në janar, duke shtuar se astronauti ishte në gjendje të qëndrueshme.

    “Pikërisht për këtë arsye ne stërvitemi dhe kjo është NASA në formën e saj më të mirë”, shtoi ai.

    Largimi i parakohshëm i astronautëve të Crew-11 la stacionin hapësinor me madhësinë e një fushe futbolli me tre anëtarë të mbetur të stafit: dy kozmonautë rusë, Sergey Kud-Sverchkov dhe Sergei Mikayev, si dhe astronautin e NASA-s Chris Williams, i cili udhëtoi për në laboratorin orbital si pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e udhëtimit me Roscosmos, homologun rus të NASA-s.

    Situata nuk është ideale.

    NASA ka treguar rregullisht se një prani e fortë ekuipazhi në stacionin hapësinor është thelbësore për maksimizimin e vlerës dhe produktivitetit në bordin e laboratorit në orbitë – i cili kushton rreth 3 miliardë dollarë në vit për t’u operuar dhe mirëmbajtur.

  • Christian Pulisic në radarin e klubeve të Premierligës angleze

    Christian Pulisic në radarin e klubeve të Premierligës angleze

    Sulmuesi amerikan Christian Pulisic mund të largohet nga gjiganti italian Milan në fund të sezonit.

    Pulisic është vënë në radarin e shumë klubeve në Evropë,ku vlen të theksohet interesimi nga gjigantët e njohur nga Premierliga angleze.

    Përndryshe mediumi anglez TeamTALK bën të ditur se Tottenham, Liverpool, Arsenal dhe Manchester United kanë hyrë në garë për shërbimet e amerikanit,teksa në anë tjetër tek rossonerët nuk e përjashtojnë mundësinë që Pulisic të largohet nga San Siro,megjithatë Milan do ta lejonte vetëm në rast se do të vinte një ofertë që të kompensojë me fitim investimin prej mbi 20 milionë eurosh të bërë për transferimin e tij.

    Kujtojmë që Christian Pulisic në 20 ndeshje të zhvilluara për Milanin në të gjitha garat ka realizuar 10 gola e bëri 2 asistime.

  • Mitrovica nis aksion humanitar për familjet në nevojë në prag të Ramazanit

    Mitrovica nis aksion humanitar për familjet në nevojë në prag të Ramazanit

    Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës ka nisur aksionet humanitare në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, me qëllim mbështetjen e familjeve me gjendje të rënduar ekonomike.

    Drejtori i Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, Ramadan Beshiri, ka njoftuar se në bashkëpunim me donatorët janë shpërndarë 50 pako ushqimore për familjet në nevojë.

    Sipas tij, ky aktivitet synon lehtësimin e barrës sociale dhe ofrimin e mbështetjes konkrete për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.

    Nga Komuna e Mitrovicës kanë bërë të ditur se aksionet humanitare do të vazhdojnë edhe gjatë muajit të Ramazanit, në funksion të solidaritetit dhe përkrahjes sociale për qytetarët që përballen me vështirësi ekonomike.

  • Vesa Luma ‘thumbon’ Taynën për 250 eurot e të drejtave autoriale, e etiketon si ‘artiste të momentit’

    Vesa Luma ‘thumbon’ Taynën për 250 eurot e të drejtave autoriale, e etiketon si ‘artiste të momentit’

    Artistja e njohur shqiptare, Vesa Luma, ka reaguar së fundmi pas raportimeve që sugjeronin se kënga “Valle Kosovare”, e interpretuar nga Shpat Kasapi, është vjedhur nga një këngëtar bullgar.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vesa nuk u ndal vetëm tek kjo situatë, por kritikoi edhe reperen Tayna, duke theksuar rëndësinë e të drejtës autoriale dhe respektit për punën e artistëve.

    “Prandaj kolege e kolegë, është tepër e rëndësishme e drejta autoriale (se çka s’keni thënë kur i kam mbrojtë ‘me dhëmbë’, krijimet e mia)… sepse një ditë kur nuk jemi më, përfitojnë të tjerët nga mundi e djersa jote, në vend se të përfitojnë fëmijët ose familja! Ose kur plakemi, ndonjë artist i momentit blehet me 250 euro”, shkroi Luma në reagimin e saj, duke u shprehur hapur për padrejtësitë që shpesh ndodhin në industrinë muzikore.

    Kujtojmë se më parë këngëtarja Alida Hisku kishte folur për rikthimin e zërit të saj në këngën “Thana” të Tayna-s, e cila fillon me refrenin e këngës së saj “Vajzat e fshatit tim”.

    Pas diskutimeve, Tayna e kishte kontaktuar Alidën për bashkëpunim dhe i kishte propozuar përdorimin e zërit të saj. Megjithatë, menaxhmenti i Tayna-s i kishte dhënë Alidës një pagesë simbolike prej 250 eurosh, gjë që kishte nxitur reagime dhe debat mes artistëve dhe fansave.

    Ky incident riktheu në vëmendje sfidat dhe mosmarrëveshjet rreth të drejtave autoriale në muzikën shqiptare, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të punës dhe krijimtarisë së secilit artist.

  • Zyrtare: Ismet Lushaku nënshkruan me klubin suedez Vasteras SK

    Zyrtare: Ismet Lushaku nënshkruan me klubin suedez Vasteras SK

    Vasteras SK ka zyrtarizuar nënshkrimin e mesfushorit kosovar Ismet Lushaku, i cili do t’i bashkohet klubit si një përforcim i rëndësishëm për mesfushën.

    Lushaku ka firmosur një kontratë që do të zgjasë deri në sezonin 2027.

    Mesfushori vjen nga kampionati suedez, ku ka luajtur dy sezonet e fundit me Norrkopingun.

    Përpara kësaj periudhe, ai ka përfaqësuar edhe skuadrën e Varbergs BoIS për dy sezone në elitën suedeze, ku ka grumbulluar gjithsej 96 paraqitje.

    Drejtori sportiv i klubit, Billy Magnusson, ka shprehur entuziazmin për këtë transferim.

    “ Ismeti është një mesfushor qendror me shumë dëshirë për t’u rikthyer fuqishëm pas rënies nga kategoria me Norrkopingun”.

    “Ai vjen me përvojën e nevojshme nga Allsvenskan dhe e di saktësisht çfarë kërkohet në këtë nivel”.

    “Faktori që është nga Eskilstuna është gjithashtu shumë pozitiv për ne, sepse duam të ndërtojmë një ekip me rrënjë të forta lokale dhe lojtarë që kanë lidhje me rajonin”.

    “Me Ismetin në skuadër, po rrisim konkurrencën në mesfushë dhe po sjellim cilësi dhe eksperiencë shtesë”, ka deklaruar Magnusson.

  • Kuvendi mblidhet në orën 15:00 për marrëveshjet ndërkombëtare

    Kuvendi mblidhet në orën 15:00 për marrëveshjet ndërkombëtare

    Deputetët do të mblidhen të premten nga ora 15:00 në seancë në kuvend për të shqyrtuar dhe ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare

    Janë pesë marrëveshje ndërkombëtare që presin ratifikim, ndërsa edhe buxheti për vitin 2026 do të mund të shqyrtohet në parim.

    Nga ato është edhe Marrëveshja e financimit për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrushmërinë dhe rritjen e gjelbër” mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore). Sot. 13 shkurt, është dita e fundit kur Kuvendi i Kosovës ka kohë të ratifikojë këtë marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë prej 90.3 milionë eurosh.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se marrëveshja ka vlerë totale prek 90.3 milionë euro.

    Në rend janë Projektligji për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje; Projektligjit nr.10/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim; Projektligji nr.10/L-005 për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim për projektin “kompas” – qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë; Projektligji nr.10/L-006 për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e financave, punës dhe transfereve dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim (anzh) për projektin “edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”; Projektligji nr.10/L-004 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “instrumentin për reforma dhe rritje për ballkanin perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si huadhënës dhe Kosovës si huamarrës dhe Bankës Qendrore të Kosovës si agjent i huamarrësit.

  • Aksion i madh në Pejë, cak argjendaritë

    Aksion i madh në Pejë, cak argjendaritë

    Një operacion i gjerë është zhvilluar të premten në qytetin e Pejës, ku autoritetet kanë ndërmarrë veprime në kuadër të një aksioni të koordinuar institucional.

    Sipas burimeve të Klankosova.tv, ky aksion është ndërmarrë nga Prokuroria Themelore në Pejë, Krimet Ekonomike, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, Dogana e Kosovës e ATK-ja.

    Ekipet kanë zbarkuar në zonën e njohur si Çarshia e Gjatë, ku në fokus të kontrollit kanë qenë disa argjendari.