ATV

Blog

  • Zhdukja e ish-politikanes amerikane në Arizona, FBI-ja rrit në 100 mijë dollarë shpërblimin për informacion që çon në gjetjen e 84-vjeçares

    Zhdukja e ish-politikanes amerikane në Arizona, FBI-ja rrit në 100 mijë dollarë shpërblimin për informacion që çon në gjetjen e 84-vjeçares

    Dymbëdhjetë ditë pas zhdukjes së ish-politikanes amerikane, Nancy Guthrie nga Tucson, Arizona, FBI njoftoi një rritje të shpërblimit në 100 mijë dollarë për informacion që çon në vendndodhjen e saj ose arrestimin e personave të përfshirë, ndërsa publikoi gjithashtu një përshkrim të ri të të dyshuarit të regjistruar nga kamera e ziles së derës së shtëpisë së saj.

    Zyra e FBI-së në Phoenix ka publikuar një përshkrim të burrit të kapur nga kamera e ziles së derës së Nancy Guthrie. Autoritetet thonë se ai është rreth 1.75 deri në 1.80 i gjatë, me një trup mesatar dhe mbante veshur një çantë shpine të zezë për Hiking.

    “Shpresojmë që ky përshkrim i përditësuar do të ndihmojë në përqendrimin e informacionit që marrim nga publiku”, tha FBI në një deklaratë. Që nga 1 shkurti, më shumë se 13 mijë informacione janë paraqitur në agjencinë federale, ndërsa Zyra e Sherifit të Qarkut Pima ka marrë gati 18 mijë telefonata.

    FBI njoftoi se shpërblimi po rritet nga 50 mijë dollarë në 100 mijë dollarë për informacionin që çon drejt 84-vjeçares ose në arrestimin e atyre që janë përfshirë në zhdukjen e saj.

    Sipas një burimi të njohur me hetimin, publikimi i detajeve shtesë rreth personit të kapur në video synon gjithashtu të zvogëlojë informacionin që konsiderohet i parëndësishëm për rastin dhe që vjen nga pjesë të ndryshme të vendit.

    Megjithatë, autoritetet theksojnë se vazhdojnë t’i bëjnë thirrje publikut të raportojë çdo gjë që mund të lidhet me rastin, edhe nëse informacioni duket i parëndësishëm.

    Fqinjëve të 84-vjeçares në Tucson u është kërkuar të dorëzojnë çdo pamje filmike nga zilja e derës ose kamerat e sigurisë që kapin automjete dhe njerëz, madje edhe deri në katër javë para zhdukjes së saj. Prezantuesja e emisionit “Today” të NBC, Savannah Guthrie, vajza e të zhdukurës, ndau publikisht një video familjare të nënës së saj, duke thënë “ne nuk do të ndalemi kurrë ta kërkojmë atë”.

  • UP shënon 56-vjetorin e themelimit, Hajrullahu: Ky universitet asnjëherë nuk u thye

    UP shënon 56-vjetorin e themelimit, Hajrullahu: Ky universitet asnjëherë nuk u thye

    Universiteti i Prishtinës ka shënuar 56-vjetorin e themelimit me një ceremoni solemne, ku u theksua roli historik dhe aktual i këtij institucioni në zhvillimin arsimor, shkencor dhe shoqëror të vendit, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë ceremoni u vlerësua kontributi i universitetit ndër vite, si dhe orientimi i tij drejt zhvillimit dhe të ardhmes së arsimit të lartë në Kosovë.

    Gjatë aktivitetit, përfaqësues institucionalë dhe akademikë theksuan rëndësinë e Universitetit të Prishtinës si shtyllë e dijes dhe formimit profesional, duke nënvizuar edhe reformat dhe mbështetjen institucionale për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.

    Rektori i Universiteti i Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se UP-ja është krenaria dhe e ardhmja e vendit, duke shtuar se institucioni është i orientuar drejt kohës dhe drejt së ardhmes.

    “Përvjetorët si ky i 56 janë momente solemne që kalohen me dinjitet, me krenari dhe me reflektim për të kaluarën dhe synimet që kemi për të ardhmen. Që nga themelimi i tij, Universiteti i Prishtinës nuk ishte asgjë e thjeshtë dhe asgjë nuk mund të merrej si e mirëqenë. Ky universitet i krijuar nga fuqia e popullit që e projektoi, arriti të mbijetojë periudha tepër të vështira: diskriminimin e vazhdueshëm të popullit shumicë, aparteidin dhe dëbimin nga objektet universitare gjatë viteve të 90-ta, rezistencën civile dhe të armatosur. Universiteti i Prishtinës asnjëherë nuk u thye, asnjëherë nuk u ndal, gjithmonë vazhdoi rrugën përpara si një flakadan krah për krah me fatin dhe synimet e njerëzve të kësaj toke për një të ardhme më të zhvilluar, më të rritur e më paqësore”, tha ai.

    Zëvendësministri në Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademi, tha se përvjetori i Kuvendit Themelues të Universitetit të Prishtinës përkujton krijimin e institucionit të parë të arsimit të lartë në Kosovë, i cili sipas tij ishte jo vetëm pishtar i dijes, por edhe faktor i rëndësishëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

    “Kemi sot këtu për të parë këtë ekspozitë të përgatitur për të kujtuar 56 vjetorin e Kuvendit Themelues të Universitetit të Prishtinës, i cili për herë të parë në Kosovë krijoi një institucion të lartë arsimor i cili ishte i vetmi atëherë dhe i cili përveç se ishte pishtar i dijes, ai ishte edhe një pishtar i rrugës tonë, i ngritjes dhe i vetëdijes tonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e vendit, e cila normalisht që u kurorëzua edhe me çlirimin e vendit dhe me arritjen e pavarësisë.

    Roli i këtij institucioni të vetëm arsimor të lartë atëherë, ishte i jashtëzakonshëm edhe për ne është nder që pikërisht sot kujtojmë këtë themelim të këtij universiteti. Unë jam i vetëdijshëm për rolin që ka pasur ndër vite ky universitet, i cili më vonë pas viteve të 90-ta është shoqëruar me universitete të tjera, qoftë publike apo private, por atë botë normalisht ishte i pazëvendësueshëm dhe kishte një rol të jashtëzakonshëm”, tha ai.

    Ai shtoi se ministria ka ndërmarrë hapa për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë përmes reformave legjislative dhe rregullative, investimeve në infrastrukturë akademike dhe mbështetjes për studentët përmes arsimit falas dhe bursave të ndryshme, përfshirë ato për fusha STEM dhe kategori të veçanta.

    “Andaj si Ministri e Arsimit, të vetëdijshëm për rolin e arsimit të lartë në Kosovë, kemi marrë disa hapa dhe është një punë e vazhdueshme që po bëhet dhe do të vazhdojë sigurisht edhe me kabinetin e ri qeveritar për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë. Janë bërë reforma të ndryshme, qoftë në aspektin legjislativ dhe rregullativ të universitetit, por edhe mbështetje qoftë direkte për ngritjen e infrastrukturës brenda njësive akademike, brenda fakulteteve, por sigurisht edhe mbështetje direkte për studentët duke siguruar arsimin e lartë falas për të gjitha nivelet e arsimit të lartë, por edhe duke u shoqëruar me bursa të ndryshme, qoftë bursa elitare apo bursa të tjera për fusha STEM, për kategori të veçanta ashtu siç janë personat me nevoja të veçanta, për komunitetet rom, ashkali, egjiptian”, tha ai.

    Nënkryetari i Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Fejzullah Krasniqi, tha se që nga themelimi, Universiteti i Prishtinës ka qenë shtylla kryesore e dijes, kërkimit shkencor dhe zhvillimit intelektual në vend.

    Ai theksoi se universiteti ka shërbyer si vatër e përgatitjes së kuadrove që kanë kontribuar në të gjitha fushat e jetës shoqërore, shkencore, ekonomike dhe kulturore, duke shtuar se ky institucion ka qenë pikë referimi për brezat e rinj nga të gjitha trojet shqiptare dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e identitetit dhe aspiratave për zhvillim të qëndrueshëm.

    “Që nga themelimi, Universiteti i Prishtinës ka qenë shtylla kryesore e dijes, kërkimit shkencor, zhvillimit intelektual dhe formimit profesional në vendin tonë. Për dekada me radhë, ai ka shërbyer si vatër e përgatitjes së kuadrove, të cilat kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e jetës shoqërore, shkencore, ekonomike dhe kulturore. Ky institucion i shenjtë i dijes ka qenë qendër për arsimin, por edhe një pikë referimi për brezat e rinj nga të gjitha trojet me popullatë shqiptare, duke kontribuar jo vetëm në ngritjen e tyre në aspektin profesional e shkencor, por edhe në forcimin e identitetit dhe vetëdijes kombëtare dhe aspiratave për liri dhe zhvillim të qëndrueshëm. Përmes përkushtimit të pa lëkundur të stafit akademik dhe administrativ, si dhe përmes punës së palodhshme dhe ambicies së studentëve, Universiteti i Prishtinës ka dëshmuar vazhdimisht misionin e tij në avancimin e arsimit të lartë”, tha ai.

  • Referendum në Zvicër për ta kufizuar popullsinë në 10 milionë banorë

    Referendum në Zvicër për ta kufizuar popullsinë në 10 milionë banorë

    Zvicra do të votojë më 10 qershor për nismën “Jo për një Zvicër me 10 milionë banorë” të Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), e cila synon ta kufizojë popullsinë e Zvicra në 10 milionë.

    Nisma, e kundërshtuar nga parlamenti dhe bizneset, kërkon ndalimin e hyrjes së njerëzve të rinj nëse popullsia vendore kalon 9.5 milionë, ndërsa në 10 milionë do të aktivizoheshin kufizime të reja, përfshirë tërheqjen nga marrëveshja e lëvizjes së lirë me BE, raporton “Guardian”.

    SVP argumenton se rritja e shpejtë demografike po e ngarkon vendin. “Shpërthimi i popullsisë po rrit qiratë dhe po e dërgon infrastrukturën në pikën e thyerjes”, thotë partia, duke theksuar se rreth 27% e banorëve nuk janë shtetas.

    Kritikët paralajmërojnë dëme të rënda ekonomike. Kompani si Roche, UBS dhe Nestle thonë se nisma rrezikon marrëveshjet dypalëshe me BE-në. “Kjo është një nismë e kaosit”, ka paralajmëruar organizata e biznesit “Economiesuisse”, duke theksuar se shumë kompani varen nga punëtorët evropianë.

    Sondazhet e fundit tregojnë mbështetje të ndarë mes votuesve, me 48% që e kanë përkrahur idenë në një sondazh të dhjetorit.

  • Finalja e Kupës së Kosovës Trepça-Bashkimi do të luhet në Rahovec

    Finalja e Kupës së Kosovës Trepça-Bashkimi do të luhet në Rahovec

    Federata e Basketbollit e Kosovës ka marrë vendim për vendin se ku do të mbahet finalja e Kupës së Kosovës ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit.

    Finalja pritet të zhvillohet në palestrën e qytetit në Rahovec,dhe kjo u bë pas shqyrtimit të kërkesave dhe sigurimin e standardeve të caktuara për oragnizimin e ndeshjeve të mëdha,në myënyrë që finalja e Kupës të zhvillohet pa më të voglin incident.

    Përndryshe bordi i FBK-së miratoi edhe fillimin e shitjes së biletave online për ndeshjet e play-off-it të Procredit Superligës së Kosovës,teksa bëri edhe emërimet e stafeve teknike për ekipet e Kosovës në të gjitha grupmoshat.

    Kujtojmë që ndeshja finale e Kupës së Kosovës Trepça-Bashkimi prite të zhvillohet më 18 shkurt.

  • Vrasja e Triumf Rizës, shtyhet gjykimi ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut

    Vrasja e Triumf Rizës, shtyhet gjykimi ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut

    Në mungesë të prokurores speciale, Arbresha Shala, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku Ilir dhe Rrahim Abdullahu akuzohen se, në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Enver Sekiraqën, vranë ish-policin Triumf Riza.

    “Nuk prezanton prokurorja speciale, Arbresha Shala, e cila ka qenë e njoftuar për seancën e sotme përmes emailit. Ka njoftuar se, përkundër përpjekjeve të shumta për të gjetur zëvendësim për seancën e sotme, ka kërkuar shtyrje të seancës pasi që gjendet jashtë shtetit dhe nuk ka mundur të gjejë zëvendësim”, tha gjykatësi i rastit, Avni Syla.

    Lidhur me mungesën në këtë seancë, gjykatësi Syla tha se prokurorja Shala ka njoftuar përmes emailit kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

    Ndryshe, mbrojtja kishte kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Avni Syla me arsyetimin se gjykatësi e kishte axhë pronarin e lokalit ku ndodhi shpërthimi. Por, më 1 tetor 2025, këtë propozim të mbrojtjes, Gjykata Themelore e ka refuzuar.

    Ndryshe, kjo lëndë gjykohej nga gjykatësi Valon Kurtaj, por me avancimin e tij lënda i kishte kaluar për gjykim te gjykatësi Avni Syla.

    Në seancën e 21 shkurtit 2025, kryetari i trupit gjykues, gjyqtarit Valon Kurtaj, njoftoi se është bërë bashkimi i procedurës së Rrahim Abdullahut me atë të Ilir Abdullahut, me arsyetimin e ekonomizimit të procedurës. Në atë seancë, i akuzuari Rrahim u deklarua i pafajshëm.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Abdullahu i njohur me nofkën “Liza”.

    Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, si dhe të pandehurin Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza, për arsye se tani i ndjeri, më 24 dhjetor 2005 në lokalin “Sëiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur tani të dënuarin Sekiraqa, ku ky i fundit kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit me Adelina Ismailin, i njëjti nuk ka lejuar që t’i japë reket- të holla si më parë.

    Më tej, thuhet se për arrestimin dhe rrahjen e tij në Ferizaj më 22 maj 2006 nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së, Sekiraqa kishte akuzuar tani të ndjerin Triumf Riza se janë të shtyrë nga ana e tij, andaj janë marrë vesh që tani të ndjerin ta privojnë nga jeta.

    Në aktakuzë thuhet se një kohë kanë përcjellë me vetura lëvizjet e Rizës dhe më 30 gusht 2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa”, tani i dënuari Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Abdullahu me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin Grand.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe i pandehuri Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.

    Më pas, thuhet se i pandehuri Rrahim Abdullahu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “rri qatu hin mrena se mir je, ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.

    Në aktakuzë thuhet se në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Riza nuk ka pritur kurrfarë sulmi, me shpinë të kthyer nga ai, nga një distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafale të shkurtra, duke e goditur me 2 plumba në shpinë, ku plumbat, për shkak të veprimit dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një plumb është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.

    Me këtë veprim, i akuzuari Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë’, nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 dhe 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

    Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

    Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.

  • Komisioni për Integrime Europiane miraton marrëveshjen me BE-në

    Komisioni për Integrime Europiane miraton marrëveshjen me BE-në

    Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati,e ka prezantuar para deputetëve të këtij Komisioni ku tha se nga instrumenti për reformat dhe rritjen, parashihet që Kosova të përfitojë gjithsej 882.16 milionë euro.

    “Kam kënaqësinë që sot të prezantoj para jush, parimisht Komisionit për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, njërin nga dy instrumentet, pra marrëveshjen që realisht kjo është marrëveshja për agjendën e reformave, pra pjesës së reformave. Sepse njëri instrument është ky që miratohet sot, domethënë paketa e reformave, ndërkaq instrumenti tjetër është ai i financimit, pra pjesa e kredisë, i cili do të miratohet pas kësaj edhe në Komisionin për Buxhet dhe është marrëveshje veç e veç që duhet të ratifikohet. Pra, kjo është marrëveshja e instrumentit për reforma të Planit të Rritjes:.

    “E mira e kësaj është, siç e tha edhe Kryetarja, që përveç shpërblimit financiar, ose si mund ta quajmë ashtu, kjo në vetvete kjo marrëveshje përmban pra edhe miratimin e reformave të ndryshme që janë dakorduar me Bashkimin Evropian, e për më tepër pra synimi është që përmes këtyre reformave të arrihet edhe më tej përshpejtimi i konvergjencës pra drejt standartit të Bashkimit Evropian. Si vlerë financiare, Kosova është përfituesja më e madhe në raport me bruto produktin vendor, pra është rreth 10% e bruto produktit vendor vlera financiare e pakos mbështetëse të Planit të Rritjes, por kjo normalisht përmban siç e thashë edhe këtë marrëveshjen e reformave. Nga instrumenti për reformat dhe rritjen, parashihet pra të përfitohen gjithsej 882.16 milionë euro. Prej të cilave 253.3 milionë janë grante, pra 1/3-ta është grant, ndërkaq pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro do të jetë kredi, që do të ratifikohet me një marrëveshje të veçantë”, tha ai.

    Murati në fjalën e tij tha se Kosova ka qenë ndër shtetet e para që ka finalizuar agjendën e reformave dhe kjo është arritur brenda afatit fillestar të vendosur nga Komisioni Evropian, gjersa formalisht ishte miratuar në tetor të vitit 2024.

    “Qëllimi i marrëveshjes kornizë, pra teksti i së cilës është standard për të gjitha shtetet përfituese, është që të krijohet baza e përgjithshme kontraktuale që mundëson që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian të ofruara në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje. Kurse qëllimi i marrëveshjes për kredinë, është që të rregullojë kushtet të ndërlidhura specifikisht për marrjen e pjesës së fondeve të BE-së të ofruara si kredi dhe mënyrën e menaxhimit të tyre, por kjo është pra një marrëveshje e veçantë. Si qeveri, pra gjatë mandatit të kaluar ne i kemi dhënë rëndësi dhe prioritet këtij instrumenti, ashtu që të respektoheshin të gjitha afatet e vendosura nga ana e Komisionit Evropian. Rrjedhimisht pra Kosova ka qenë ndër shtetet e para, në mos të parët pra që ka finalizuar agjendën e reformave dhe kjo është arritur brenda afatit fillestar të vendosur nga Komisioni Evropian, gjersa formalisht e kemi miratuar pra qysh në tetor të vitit 2024. Megjithatë, përkundër tendencës për të përshpejtuar, ka pasur faktorë të tjerë që kanë ndikuar që procesi të vonohet paksa, duke marrë parasysh që ishte edhe një instrument i krijuar për herë të parë edhe nga vetë Bashkimi Evropian”.

    Murati tha se pjesërisht ka pasur vonesa në finalizimin e agjendës së reformave nga disa shtete tjera përfituese, pjesërisht ka pasur edhe punë paralele që është zhvilluar nga vetë Komisioni Europian”.

    “Pra, për rregulloren e nevojshme për themelimin e këtij instrumenti të ri, dhe kësisoj pra ka pasur disa ngecje apo vonesa të cilat pastaj neve na zunë në një proces pa Kuvend funksional dhe kësisoj pra është shtyrë apo është vonuar deri më tani edhe ratifikimi i këtij instrumenti”, tha ai./EO/

  • Fjetja vonë rrit me 79% rrezikun për sëmundjet e zemrës

    Fjetja vonë rrit me 79% rrezikun për sëmundjet e zemrës

    Një studim i realizuar me rreth 322 mijë persona ka zbuluar se fjetja vonë lidhet me një rritje deri në 79% të rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës.

    Sipas të dhënave, personat që flenë rregullisht pas mesnate ose kanë ritëm të çrregullt gjumi, përballen me rrezik më të lartë për probleme kardiovaskulare krahasuar me ata që mbajnë një orar të qëndrueshëm të gjumit.

    Ekspertët theksojnë se ora biologjike e trupit (ritmi cirkadian) luan rol kyç në funksionimin e sistemit kardiovaskular. Çrregullimi i këtij ritmi mund të ndikojë në:

    • Rritjen e tensionit të gjakut

    • Çrregullime të metabolizmit

    • Inflamacion kronik

    • Rritje të nivelit të stresit hormonal

    Studiuesit rekomandojnë që ora ideale për të fjetur të jetë para mesnatës dhe të sigurohen 7–8 orë gjumë cilësor çdo natë. Gjithashtu, shmangia e pajisjeve elektronike para gjumit dhe krijimi i një rutine të rregullt ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së pushimit.

    Ekspertët paralajmërojnë se kujdesi ndaj gjumit duhet të konsiderohet po aq i rëndësishëm sa ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik në parandalimin e sëmundjeve të zemrës.

  • “Selimi duhet të shpallet i pafajshëm, kërkesa për 45 vjet burgim është dënim me jetë”, thotë mbrojtja e Selimit

    “Selimi duhet të shpallet i pafajshëm, kërkesa për 45 vjet burgim është dënim me jetë”, thotë mbrojtja e Selimit

    Fortuna Sheremeti e cila është pjesë e ekipit mbrojtës të Rexhep Selimit tha se klienti i saj duhet të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Megjithatë shtoi se kërkesa e Prokurorisë për 45 vjet burgim është dënim me jetë.

    “Nuk ka prova që të mbishtesën fajësinë për asnjërën prej pikave të akuzës për z.Selimi. duhet të shpallet pafajësia dhe nuk mund të flitet për masë dënimi. Megjithatë, nëse trupi gjykues arrinë në masën e dënimit, mbrojtja do të flas për kërkesën e pazakonshme të Prokurorisë”, tha ajo.

    Ajo tha se Prokuroria ka kërkuar këtë lartësi të dënimit duke u thirrur në një rregull por që kjo kërkesë është e paprecedent, transmeton Betimi për drejtësi.

    “Ajo kërkon 45 vite për secilin prej të akuzave duke u bazuar në rregullën 163 (4) dhe me një masë dënimi të përbashkët duk trajtuar totalitetin e pretenduar të sjelljes si një justifikim….Kërkesa e Prokurorisë është shproporcionale dhe e paprecedent në rrethana të kësaj çështje që nuk është provuar”, tha ajo.

    Rrjedhimisht, ai tha se një dënim prej 45 vjet është dënim joproporcional dhe është dënim me jetë.

    “Një dënim 45 vjeçar është një dënim me jetë. Ky nuk është proporcional”, tha ajo.

    Fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly Ëest, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laës.

    Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e cila e vazhdoji edhe më 12 shkurt e që pas përfudimit të tyre, filloi ajo e Rexhep Selimit.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Operacion antidrogë në Korçë, arrestohen tre persona

    Operacion antidrogë në Korçë, arrestohen tre persona

    Korçë, 13 shkurt 2026 – Policia e Korçës finalizoi operacionin e koduar “Zëmblaku”, duke arrestuar në flagrancë 36-vjeçarin A. C., bashkë me dy të dyshuarit e tjerë A. H., 44 vjeç, dhe P. Gj., 34 vjeç.

    Gjatë kontrolleve në një lokal në fshatin Zëmblak dhe në automjete, u sekuestruan lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa, një armë gjahu pa leje, dy automjete, tre celularë, një DVR dhe një shumë monetare.

    Sipas policisë, A. C. dyshohet për shitjen, A. H. për transportin dhe P. Gj. për porositjen e drogës. Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.

  • “Sy” artificial për robotët, teknologjia e re për automjetet autonome

    “Sy” artificial për robotët, teknologjia e re për automjetet autonome

    Një grup kërkimor ka zhvilluar një sistem të ri shikimi artificial për robotët dhe automjetet autonome, i cili rezulton të jetë më i shpejtë dhe më efikas se syri i njeriut.

    Sipas studiuesve, teknologjia e re është deri në katër herë më e shpejtë se sistemet aktuale operative, duke përpunuar informacionin vizual me saktësi të lartë dhe në kohë reale.

    Sistemi imiton mënyrën se si funksionon shikimi njerëzor: ai identifikon ndryshimet në dritë për të zbuluar zonat ku ka lëvizje, ndërsa shmang përpunimin e panevojshëm të objekteve statike. Kjo qasje kursen fuqi llogaritëse dhe energji, duke e bërë teknologjinë më të qëndrueshme dhe më efikase për përdorim praktik.

    Gjatë testeve laboratorike, sistemi ka treguar saktësi të lartë në regjistrimin e lëvizjeve dhe reagim më të shpejtë se perceptimi vizual i njeriut.

    Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten verifikime dhe testime të mëtejshme përpara se teknologjia të implementohet gjerësisht, veçanërisht në sistemet e drejtimit të automjeteve autonome dhe në robotët humanoidë.

    Studimi është publikuar në revistën shkencore Nature Communications.