ATV

Blog

  • Avokatja: Asnjë dëshmitar nuk e akuzon Krasniqin për rrahje apo keqtrajtim

    Avokatja: Asnjë dëshmitar nuk e akuzon Krasniqin për rrahje apo keqtrajtim

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokatja e mbrojtjes, Venkateswari Alagendra, ka vijuar me fjalën përfundimtare në rastin ndaj Jakup Krasniqi, duke kërkuar nga trupi gjykues që ta shpallë atë të pafajshëm.

    Gjatë paraqitjes së saj, Alagendra deklaroi se në dokumentacionin e prokurorisë nuk ekziston asnjë dëshmitar i vetëm që pretendon se Krasniqi ka rrahur, keqtrajtuar apo torturuar ndonjë person, qoftë civil apo tjetër.

    “Në dokumentacion nuk ka qoftë edhe një dëshmitar të vetëm që pretendon se Jakup Krasniqi ka rrahur, keqtrajtuar apo torturuar ndonjë person, qoftë ky civil apo person tjetër. Nuk ekziston as edhe një viktimë e vetme, as një person i vetëm nga qindra dëshmitarë të intervistuar nga prokuroria për shumë e shumë vite, që pretendon apo akuzon Krasniqin se i ka rrahur, abuzuar apo se ka qenë i pranishëm kur ata janë keqtrajtuar në çfarëdo trajte apo forme”, tha avokatja.

  • Çdo dhimbje koke sinjalizon një problem shëndetësor, çfarë duhet të dini

    Çdo dhimbje koke sinjalizon një problem shëndetësor, çfarë duhet të dini

    Dehidratimi, pozicionimi i keq i trupit dhe lodhja e syve janë disa prej shkaktarëve të dhimbjeve të kokës.

    Në shumë raste, dhimbjet e kokës rrëfejnë mesazhe të fshehura të organizmit.

    Ato mund të paralajmërojnë edhe praninë e një sëmundjeje serioze, thonë ekspertët.

    Mjekët shpjegojnë se dhimbja e kokës mund të jetë simptomë e një çrregullimi organik por edhe shenjë e një problemi më të komplikuar.

    Dy llojet e dhimbjeve të kokës

    Ekspertët shpjegojnë se njerëzit mund të vuajnë nga një ose dy lloje të dhimbjeve të kokës.

    Bëhet fjalë për dhimbjet si pasojë e tensionit të gjakut në të dyja rastet, i ulët apo i lartë, ose ato si pasojë e enjtjes së enëve të gjakut përreth kokës.

    Ndonjëherë, këto dhimbje tregojnë se një aspekt i përditshmërisë suaj po shkakton stres ose lëndim të organizmit.

    Ushqyerja e pamjaftueshme, dehidratimi, pozicionimi i keq i trupit dhe lodhja e syve janë disa prej shkaktarëve të dhimbjeve të kokës.

    Ekspertët thonë se nëse njeriu përballet me dhimbje të shpeshta të kokës duhet të frenohet nga dëshira për të marrë ilaç dhe të hetojë arsyet e dhimbjeve.

    Studentët për shembull përballen shpesh me dhimbje të vazhdueshme të kokës sepse nuk janë të rregullt me ushqimin.

    Migrena është një dhimbje e ndryshme

    Dhimbjet e migrenës ndryshojnë nga dhimbjet e zakonshme të kokës.

    Njerëzit që vuajnë nga migrena shprehen se ndihen sikur kanë një çekan në kokë që godet në mënyrë të përsëritur.

    Dhimbjet e migrenës zakonisht janë në një anë të kokës dhe shoqërohen me të përziera.

    Si të dalloni nëse vuani nga migrena

    Shenjat paralajmëruese të migrenës janë të shumta dhe zakonisht përfshijnë:

    Turbullim të shikimit,

    Vështirësi në artikulim,

    Aromë të paqenë portokallesh,

    Konfuzion,

    Të përziera,

    Mungesë oreksi,

    Ndjeshmëri e lartë ndaj dritës së fortë dhe zhurmave.

    Nxitësit e dhimbjeve të migrenës nga ana tjetër ndryshojnë në varësi të individit, por më të përhapurat janë:

    Ushqime të caktuara,

    Aroma të forta,

    Depresioni, ankthi dhe probleme me humorin,

    Shmangia e marrjes së ilaçeve në kohë,

    Niveli i ulët i sheqerit në gjak,

    Ndryshimet e papritura të motit,

    Dritat e forta,

    Ndryshimet hormonale.

    Nëse përjetoni 3 ose 4 dhimbje koke në javë dhe merrni doza të larta ilaçesh kundër dhimbjes, duhet të shkoni tek mjeku sa më parë.

  • Dieta që po shkakton diabet

    Dieta që po shkakton diabet

    Nga gjithë llojet e dietave, më të rrezikshmet janë ato në të cilat hapësira mes vakteve është tepër e gjatë.  Të rrish për orë të tëra pa konusmuar asgjë, shkakton efekte anësore të rrezikshme.

    Ekspertët kanë paralajmëruar se të tilla dieta ndonëse mund të të ndihmojnë për të humbur peshë, mund të përkeqësojnë nivelet e insulinës duke shkaktuar kështu diabet.

    Përpara se të ndjekin një regjim të tillë ushqimor, njerëzit duhet të dinë se çfarë pasojash po marrin përsipër.

    Pavarësisht humbjes së peshës, dietat e “agjerimit” dëmtojnë pankreasin, shkaktojnë diabet dhe probleme të tjera shumë serioze për shëndetin.

    Njerëzit mbipeshë, zakonisht zgjedhin të tilla dieta (ku iu duhet të qëndrojnë shumë kohë pa ngrënë), për tu dobësuar shpejt, por duhet të marrin parasysh se pasojat janë potencialisht shumë serioze.

  • Fillon ridizajnimi i NEWBORN-it me motive nga lufta çlirimtare

    Fillon ridizajnimi i NEWBORN-it me motive nga lufta çlirimtare

    Puna ka filluar, në ndryshimin e pamjes së NEWBORN-it.

    Përderisa artistët po ngjyrosin, përpara e kanë edhe fletën që tregon si do të duket në fund.

    Ridizajnimi i monumentit të pavarësisë ndodh çdo vit, në prag të 17 shkurtit.

    Sipas ideatorit Fisnik Ismaili, motivet kësaj here lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe me një prej aleatëve më të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sivjet shënojnë një çerek-mileniumi shtet.

    “Po du me cek që ka të bëj me tetëmbëdjetë vjetorin tonë, me vlerat nëpër cilat na si popull kemi kapërcy për me mrri deri qitu e ato vlera kanë të bëjnë shumë me luftën clirimtare sepse është një moment i ndjeshëm për atë pjesë… edhe njëkohësisht edhe SH.B.A sivjet kan me festu 250 vjetorin dhe NEWBORNI i kushtohet edhe vlerave të përbashkëta që i kemi me aleatin tonë më të fortë.” tha Ismaili.

    Qytetarët thonë se dizajnimi i Newbornit e hijeshon këtë pjesë të kryeqytetit, por edhe përçon mesazh të fortë.

    NEWBORN është shpalosur për herë të parë më 17 shkurt 2008, në mbrëmjen pasi ishte shpallur pavarësia./ATVLIVE.TV/

     

  • Arrestohet i mituri i kërkuar dhe i dënuar për dhunim, ai është i dënuar me 3 vjet masë institucionale edukative

    Arrestohet i mituri i kërkuar dhe i dënuar për dhunim, ai është i dënuar me 3 vjet masë institucionale edukative

    Polica ka arrestuar një person që po kërkohej për dhunim.

    I kërkuari është i mitur i dënuar me 3 vjet masë institucionale edukative.

    Pas arrestimit është dërguar në qendrën korrektuese për të mitur.

  • ​Avokatja e Jakup Krasniqit: Ekziston vetëm një opsion që ai të shpallet i pafajshëm

    ​Avokatja e Jakup Krasniqit: Ekziston vetëm një opsion që ai të shpallet i pafajshëm

    Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra ka nisur paraqitjen e deklaratës përmbyllëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Ajo tha se klienti po privohet padrejtësisht nga liria tash e pesë vjet.

    “Ekziston vetëm një opsion, që ju të merrni vendim për pafajësi dhe që të kthehet në familjen e tij. Në të gjitha këto 34 muaj gjykim, nuk ka asnjë dëshmitar që tregon se ai e ka rrahur, torturuar apo keqtrajtuar ndonjë person. Kjo prokurori kryesisht mbështetet në spekulime dhe pretendime të pabaza”, tha ajo.

    Më tej, ajo tha se Prokuroria i ka anashkaluar provat shfajësuese. Po ashtu, theksoi se ZPS nuk ka thirrur një numër vendimtar të dëshmitarëve, të cilët do të kishin dhënë informacione për hierarkinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në hyrje të parashtrimeve përfundimtare, mbrojtja e Krasniqit tha se prokuroria ka dështuar edhe të argumentojë lidhjen mes klientit të saj dhe krimeve të pretenduara.

    “Kjo akuzë nuk do të duhej të ishte ngritur fare. Prokuroria do të duhej të tërhiqte aktakuzën në fazë më të hershme por këtë nuk e bëri”, shtoi ajo.

    Mbrojtja e Jakup Krasniqit do të vonojë me paraqitjen e deklaratës përmbyllëse gjatë tërë ditës. /kp/

  • Vetëm 5 gra në kabinetin e ri qeveritar të Albin Kurtit, monitoruesit e procesit thonë se ky numër është dëshpërues

    Vetëm 5 gra në kabinetin e ri qeveritar të Albin Kurtit, monitoruesit e procesit thonë se ky numër është dëshpërues

    Prej 19 ministrive të kabinetit të ri qeveritar të Albin Kurtit, të votuar mbrëmjen e së mërkurës, vetëm pesë gra kanë marrë drejtimin e këtyre institucioneve.

    Donika Gërvalla do të vazhdojë të jetë zëvendëskryeministre e dytë. Edhe këtë mandat ajo do të jetë ministre, veçse kësaj here jo e Diasporës, por e Drejtësisë.

    Ministrinë e Kulturës, tash do ta drejtojë Saranda Bogujevci. Ndërsa Fitore Pacolli në Qeverinë Kurti 3 do të jetë ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

    Në krye të Ministrisë së Ekonomisë edhe për katër vite do të vazhdojë të qëndrojë Artane Rizvanolli.

    Ndërsa në vend të Rozeta Hajdarit, në krye të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është emëruar Mimoza Kusari.

    Ky numër i ulët i ministreve gra sipas Violeta Haxhollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, ndodh për arsye të shumë faktorëve.

    “Ishte pak dëshpëruese që në kabinetin e propozuar nga partia në pushtet ka një numër të vogël të grave që janë emëruar si ministre. Ky është një trend që po e ndjek edhe këtë qeveri. Kjo është për arsye të shumë faktorëve; konkretisht lidhet me bazat brenda partive politike, ku nuk ka një investim më të madh në përfaqësimin e grave, në mënyrë që gratë të fuqizohen që në degët e partive politike.”, tha Haxholli.
    Por sipas Haxhollit, edhe gratë duhet të jenë më të zëshme për të kërkuar hapësirën që u takon.

    “Gratë, po ashtu, duhet të jenë më të zëshme për të kërkuar hapësirën që u takon, pra që sfidat të cilat i kanë t’i adresojnë brenda partive dhe të kërkojnë mbështetje, qoftë financiare. Ne e dimë që çdo parti ka buxhetin e vet të ndarë nga KQZ-ja dhe normalisht që çdo parti ka të drejtë t’i qaset këtij buxheti.”, shtoi tutje ajo.

    Edhe në Qeverinë Kurti 2, nga gjithsej 15 ministri, vetëm 5 ministra ishin gra./atvlive.tv.

     

  • Bill Gates: Brenda 10 vjetëve do të ketë vetëm 2 ditë punë në javë

    Bill Gates: Brenda 10 vjetëve do të ketë vetëm 2 ditë punë në javë

    Bill Gates parashikon një të ardhme të ndryshuar për botën e punës. Sipas tij, brenda dhjetë vjetëve, Inteligjenca Artificiale do të ketë një ndikim të tillë sa që shumica e punëve do t’i përfundojnë robotët dhe AI-ja, duke e bërë të mundur që njerëzit të punojnë vetëm dy ditë në javë, ndërsa pjesa tjetër të jetë kohë për relaks dhe aktivitete të tjera.

    Gates thekson se kjo mund të sjellë një periudhë të re, ku shoqëria duhet të rishikojë mënyrën si do të shpenzohet kjo kohë e lirë. Ai sugjeron se AI-ja mund të mbushë boshllëqet në fusha si mjekësia dhe arsimi, duke ofruar shërbime më të besueshme dhe duke eliminuar problemet me mungesën e stafit. Për Gatesin, inteligjenca artificiale përfaqëson një revolucion pozitiv që mund të çojë në trajtime të reja për sëmundje vdekjeprurëse, zgjidhje për krizën klimatike dhe arsim cilësor për të gjithë, duke transformuar rrënjësisht jetën njerëzore në dekadën që vjen.

    Me një pasuri prej rreth 125 miliardë dollarësh, Bill Gates mbetet një nga figurat më të njohura në botën e biznesit dhe teknologjisë. Por sipas tij, rruga drejt suksesit nuk ka qenë aspak e lehtë, një nga sfidat më të mëdha personale ka qenë prokrastinimi. Ish-CEO i Microsoft, ka deklaruar gjithashtu së fundmi se “njerëzit nuk kanë lindur për të punuar”, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi të ardhmen e punës në një botë gjithnjë e më të automatizuar. Gjatë një interviste në podcastin Express Adda, Gates theksoi se puna nuk është një qëllim në vetvete, por një nevojë që lind nga mungesa e burimeve dhe domosdoshmëria për të prodhuar të mira për mbijetesë.

  • Dayot Upamecano firmos me Bayern Munich deri më 2030

    Dayot Upamecano firmos me Bayern Munich deri më 2030

    Qendërmbrojtësi francez Dayot Upamecano do të mbetet tek gjiganti gjerman Bayern Munich edhe në sezonet e ardhshme.

    Upamecano ka nënshkruar më në fund kontratën e re me bavarezët,dhe francezi do të mbetet në Allianz Arena deri më 2030.

    Përndryshe Upamecano u shpreh mjaft i lumtur për arritjen e marrëveshjes së re me Bayernin,dhe thotë se synon të fitoj trofe me bavarezët.

    “Jam shumë i lumtur që qëndroj te Bayern Munich dhe që vazhdoj të luaj në këtë skuadër. Kemi një ekip të shkëlqyer dhe një trajner shumë të mirë, ndërsa së bashku kemi objektiva të mëdha”.

    “Në jetë gjithçka lidhet me mentalitetin, unë jap maksimumin për shokët e skuadrës në çdo seancë stërvitore, dua të mbaj portën e paprekur në çdo ndeshje dhe të fitoj sa më shumë trofe me Bayernin”

    Kujtojmë që Dayot Upamecano është pjesë e gjigantit gjerman Bayern Munich që nga viti 2021,duke bërë 180 paraqitje për bavarezët ku shënoi 6 gola e bëri 11 asistime.

  • Avokati: Nxënësi e kishte kanosur me vrasje drejtorin e shkollës “Pavarësia”

    Avokati: Nxënësi e kishte kanosur me vrasje drejtorin e shkollës “Pavarësia”

    Avokati i drejtorit të shkollës “Pavarësia”, Rinor Bajrami, ka thënë se klienti i tij ditë më parë ka paraqitur kallëzim penal ndaj nxënësit, i cili ishte përfshirë në një konflikt fizik me një mësimdhënës. Sipas avokatit, nxënësi ka kanosur me vrasje dhe ka fyer rëndë drejtorin dhe familjen e tij.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë të enjten njoftoi se ka zgjeruar hetimet edhe ndaj drejtorit të shkollës, pasi ky u pa në një video duke e goditur nxënësin e njëjtë të përfshirë në rastin me mësimdhënësin.

    Avokati Bajrami ka thënë se përveç se me 5 shkurt, nxënësi e ka kanosur drejtorin edhe më 9 shkurt, kur ka dalë videoja që drejtori e godet nxënësin, dhe se ky veprim i drejtorit ka ardhur pikërisht për shkak të këtyre rrethanave.

    “Klienti im më 5 shkurt 2026 ka paraqitur kallëzim penal ndaj nxënësit A.O. për kanosje me vrasje, sharje dhe fyerje të rënda ndaj tij dhe familjes së tij. Pra, organet e rendit kanë qenë të njoftuara për situatën disa ditë para incidentit të publikuar. Më 9 shkurt 2026, ai është përballur sërish me sharje ndaj familjes së tij, me fyerje të rëndë të vajzës së tij 2 vjet e gjysmë dhe me kanosje të drejtpërdrejtë për jetën nga i njëjti person. Reagimi i tij ka ndodhur në ato rrethana konkrete, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të kanosjes. Menjëherë pas momentit kritik, ai vetë ka ftuar policinë dhe ka raportuar ngjarjen”, thuhet në sqarimin e avokatit.

    Bajrami ka shtuar se përgjegjësia penale e drejtorit të shkollës duhet të analizohet në kontekstin e plotë faktik dhe juridik, “e jo në mënyrë të shkëputur nga rrethanat që i kanë paraprirë dhe e kanë shoqëruar ngjarjen”.