ATV

Blog

  • Fabrizio Corona akuzon Alessandro Bastonin e Interit për baste në ndeshjet e tij

    Fabrizio Corona akuzon Alessandro Bastonin e Interit për baste në ndeshjet e tij

    Personaliteti italian i medias, Fabrizio Corona, ka hedhur akuza të forta ndaj mbrojtësit të Inter, Alessandro Bastoni, duke pretenduar se lojtari ka vendosur baste në ndeshjet ku ai vetë ka luajtur. Corona tha se posedon biseda dhe prova që mbështesin akuzat e tij.

    Gjatë intervistës në emisionin Peppi Night në Canale 21, Corona deklaroi se ka zhvilluar një hetim mbi aktivitetin e dyshuar të basteve në futbollin italian, të cilin e cilësoi të injoruar nga mediat dhe autoritetet sportive. Ai kritikoi ashpër sanksionet e mëparshme, duke thënë se ishin shumë të lehta.

    “I kam bisedat, i kam provat. Në fund u gjobitën me 250 mijë euro. Çfarë vendi është ky? Bastoni, po e them, ai po luante. Jua kam thënë dhe i kam provat,” tha Corona.

    Ai shtoi se lojtarët po vinin baste madje edhe për situata të vogla gjatë lojës, si rivënie anësore, dhe se kjo është e neveritshme, duke shtuar:

    “Kur sheh djem milionerë që vënë baste dhe manipulojnë një lojë për të cilën miliona njerëz investojnë shpirtin e tyre, është e neveritshme.”

    Kjo është një deklaratë publike e Fabrizio Corona, por asnjë hetim zyrtar ndaj Bastonit nuk është konfirmuar nga autoritetet sportive ose nga Inter.

    Mbrojtësi italian vazhdon të jetë një nga figurat kryesore të ekipit në Serie A dhe Champions League.

    Në të kaluarën, disa lojtarë të përmendur nga Corona kanë reaguar ligjërisht për shpifje dhe dëmtim reputacioni.

    Për momentin, mbetet të shihet nëse Federata Italiane e Futbollit ose organet hetimore do të ndërmarrin masa të mëtejshme.

  • Prattipati mori pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë, ambasada del me njoftim

    Prattipati mori pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë, ambasada del me njoftim

    E ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, mori pjesë në festimet për 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

    Për pjesëmarrjen e saj njoftoi ambasada amerikane, duke uruar Ditën e Pavarësisë.

    “E ngarkuara me punë Anu Prattipati iu bashkua liderëve të Kosovës në festimin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Urimë Dita e Pavarësisë Kosovë!”, shkroi ambasada.

    Më herët, ambasada shpërndau edhe urimin e Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.

  • Rama ndan foto me djalin e Thaçit: Të bashkuar për drejtësi, shtet e për kombin tonë

    Rama ndan foto me djalin e Thaçit: Të bashkuar për drejtësi, shtet e për kombin tonë

    Në marshin për drejtësi në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë bëri bashkë shqiptarinë.

    Qytetarë, ushtarë, politikanë nga vendi e rajoni, u mblodhën në sheshin kryesor të Prishtinës.

    Nga kjo protestë ka ndarë foto kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ishte sot krah djalit të ish-presidentit.

    ‘’Të bashkuar si NJË, për drejtësi, për shtet për kombin tonë ’’, ka shkruar ai.

  • 12 gabimet e zakonshme që ju pengojnë të humbni peshë

    12 gabimet e zakonshme që ju pengojnë të humbni peshë

    Kur bëhet fjalë për humbjen e peshës, shumë njerëz fokusohen vetëm te dieta, por ekspertët theksojnë se faktorë si gjumi, stresi, orari i vakteve dhe mënyra e të menduarit luajnë rol po aq të rëndësishëm. Ja gabimet më të zakonshme që mund të pengojnë rezultatet:

    1. Dietat e shpejta dhe shumë kufizuese

    Sipas Anna Groom nga Shoqata Britanike e Dietologjisë, dietat drastike japin rezultate afatshkurtra, por shpesh çojnë në frustrim dhe rikthim të peshës.

    2. Konsumimi shumë i ulët i kalorive

    Dr. Abby Hyams nga Medicspot shpjegon se kur hani shumë pak, trupi ngadalëson metabolizmin dhe rrit oreksin për t’u mbrojtur nga “uria e perceptuar”.

    3. Mungesa e proteinave

    Proteinat rrisin ndjesinë e ngopjes dhe ndihmojnë në ruajtjen e masës muskulore. Një vakt pa proteina mund t’ju lërë të uritur shumë shpejt.

    4. Mosmarrja e mjaftueshme e fibrave

    Dr. Emily Leeming rekomandon konsumimin e drithërave të plota, bishtajoreve, frutave dhe perimeve për të shmangur urinë mes vakteve.

    5. Ngrënia e pavetëdijshme

    Të hash para televizorit apo të marrësh “pak nga pak” gjatë ditës shton kalori pa e kuptuar.

    6. Kaloritë e fshehura në pije

    Lëngjet e frutave, pijet e gazuara, kafe me qumësht apo çokollata e nxehtë mund të shtojnë qindra kalori në javë.

    7. Fokusimi vetëm te kardio

    Kardio është i dobishëm, por ndërtimi i muskujve përmes ushtrimeve me pesha ndihmon në rritjen e metabolizmit dhe menaxhimin afatgjatë të peshës.

    8. “Pushimi” nga dieta në fundjavë

    Teprimet në fundjavë mund të anulojnë përpjekjet e gjithë javës.

    9. Orari i gabuar i vakteve

    Studime të publikuara në JAMA Internal Medicine tregojnë se ngrënia më herët gjatë ditës (p.sh. 7:00–15:00) mund të jetë më efektive për humbje peshe sesa shpërndarja e vakteve në 12+ orë.

    10. Porcionet e mëdha

    Edhe ushqimet e shëndetshme, në sasi të tepërt (sidomos drithërat dhe makaronat), mund të pengojnë rënien në peshë.

    11. Mungesa e gjumit

    Më pak se gjashtë orë gjumë në natë ndikon në hormonet e urisë, rrit kortizolin dhe dëshirën për ushqime me shumë kalori.

    12. Besimi se mjafton vetëm vullneti

    Sandra Roycroft-Davis, autore e librit The Weight’s Over – Take Back Control, thekson se deri në 90% e zgjedhjeve ushqimore drejtohen nga nënndërgjegjia. Sipas saj, ndryshimi i zakoneve kërkon “ritrajnim” të mendjes, jo vetëm disiplinë të përkohshme.

  • Ilir Shaqiri me djalin e nipin këndojnë në Marshin për ish-krerët e UÇK-së

    Ilir Shaqiri me djalin e nipin këndojnë në Marshin për ish-krerët e UÇK-së

    Këngëtari i mirënjohur shqiptar, Ilir Shaqiri, së bashku me djalin Korabin dhe nipin e tij, u kënduan ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Interpretimi i tyre ngjalli emocione të forta te qytetarët që iu bashkuan Marshit “Drejtësi, jo politikë”.

    Tre breza në skenë që morën gjithë vëmendjen dhe prekën me interpretimin e tyre.

    Në Prishtinë ndërkohë u mbajt protesta “Drejtësi, jo politikë”, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.

    Ky Marsh u organizua nga platforma “Liria ka emër”, ku mblodhën mijëra qytetarë në sheshet e Prishtinës.

  • Google kritikohet për mungesë paralajmërimesh në këshillat mjekësore të AI

    Google kritikohet për mungesë paralajmërimesh në këshillat mjekësore të AI

    Kompania Google po përballet me kritika lidhur me mënyrën si paraqet paralajmërimet për saktësinë e informacionit mjekësor në funksionin “AI Overviews”.

    Sipas një hetimi të publikuar nga The Guardian, paralajmërimet që theksojnë se informacioni mund të jetë i pasaktë nuk shfaqen menjëherë kur përdoruesi sheh përmbledhjen shëndetësore. Ato paraqiten vetëm pasi klikohet opsioni “Show more” dhe vendosen në fund të tekstit, me font më të vogël.

    Paralajmërimi përfshin mesazhin se informacioni është vetëm për qëllime informuese dhe se përdoruesit duhet të konsultohen me profesionistë shëndetësorë, duke pranuar se përgjigjet e AI mund të përmbajnë gabime. Google ka deklaruar se funksioni i inkurajon përdoruesit të kërkojnë këshilla mjekësore profesionale dhe se paralajmërimet shpesh përfshihen brenda përmbajtjes.

    Ekspertë të fushës kanë ngritur shqetësime. Pat Pataranutaporn nga Massachusetts Institute of Technology theksoi se mungesa e paralajmërimeve të dukshme krijon “rreziqe kritike”, pasi edhe modelet më të avancuara të AI mund të prodhojnë pasaktësi. Ndërsa Gina Neff nga Queen Mary University of London e cilësoi problemin si çështje dizajni, duke argumentuar se përmbledhjet janë optimizuar për shpejtësi dhe jo domosdoshmërisht për saktësi.

    Në janar, The Guardian raportoi se disa përmbledhje përmbanin informacione të rreme mbi çështje shëndetësore, çka çoi në heqjen e funksionit për disa kërkime mjekësore. Sonali Sharma nga Stanford University paralajmëroi se vendosja e përmbledhjeve në krye të faqes krijon ndjenjë sigurie tek përdoruesit, duke dekurajuar verifikimin e mëtejshëm të informacionit.

    Ndërkohë, Tom Bishop nga organizata bamirëse Anthony Nolan kërkoi që paralajmërimet të vendosen në mënyrë më të dukshme, me të njëjtën madhësi shkrimi si pjesa tjetër e tekstit, duke theksuar se dezinformimi në çështje shëndetësore mund të ketë pasoja serioze.

  • Studimi: Truri ndihmon në rigjenerimin e zemrës pas infarktit

    Studimi: Truri ndihmon në rigjenerimin e zemrës pas infarktit

    Një studim i realizuar nga University of California San Diego dhe i publikuar në revistën shkencore Cell ka zbuluar se truri aktivizon mekanizma specifikë për të ndihmuar rigjenerimin e zemrës pas një infarkti.

    Sipas studiuesve, zemra dhe truri nuk funksionojnë të izoluar, por janë të lidhur përmes një sistemi kompleks komunikimi. Ky bashkëpunim është thelbësor për procese si rregullimi i presionit të gjakut dhe reagimet ndaj gjendjeve të fikëta.

    Si funksionon komunikimi?

    Organet komunikojnë përmes neuroneve sensoriale, të cilat perceptojnë edhe ndryshimet më të vogla në funksionimin e zemrës. Gjatë eksperimenteve, shkencëtarët identifikuan një grup të panjohur më parë neuronesh që burojnë nga një nerv i madh që lidh trurin me zemrën, sistemin tretës dhe mushkëritë.

    Kur zemra pëson dëmtim, si në rastin e një ataku kardiak, u vu re një rritje e ndjeshme e fibrave nervore rreth saj një reagim që duket se ndihmon në procesin e shërimit.

    Pse është i rëndësishëm ky zbulim?

    Ky mekanizëm mund të hapë rrugën për zhvillimin e terapive të reja për pacientët që kanë pësuar infarkt, duke synuar jo vetëm zemrën, por edhe rrugët nervore që lidhen me të.

    Studimi forcon idenë se zemra dhe truri janë të lidhur përmes një “aksi” biologjik thelbësor për shëndetin kardiovaskular.

  • Yll Limani i pranishëm në Marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Yll Limani i pranishëm në Marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Po mbahet në Prishtinë Marshi me moton “Drejtësi, jo politikë”, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.

    Marshi, i organizuar nga platforma “Liria ka emër”, ka mbushur sheshet e Prishtinës me mijëra qytetarë. Drejtësi, jo politikë, po kërkohet për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

    Në përkrahje të tyre i pranishëm është edhe këngëtari i njohur shqiptar, Yll Limani. Në disa pamje që qarkulluan në rrjete sociale, ai shfaqet krah djalit të ish-presidentit, Hashim Thaçi, Endritit.

  • Përmbytje në disa zona, Franca lëshon alarm të kuq

    Përmbytje në disa zona, Franca lëshon alarm të kuq

    Franca ka shpallur alarm të kuq për përmbytje, ndërsa pasojat e stuhisë Nils kanë shkaktuar kaos në disa zona të vendit. Shtëpi janë përmbytur dhe fshatra të tëra kanë mbetur të izoluara pasi lumi Garonne doli nga shtrati.

    Zyrtarët paralajmërojnë për përmbytje të mëdha të martën pasdite në lumin Maine, përfshirë qytetin e Angers, si dhe gjatë natës në lumin Loire në zonën Ponts-de-Cé. Sipas autoriteteve, nivelet e ujit pritet të vazhdojnë të rriten edhe gjatë së mërkurës.

    Situata në Francë vjen pas një serie stuhish që kanë goditur gjithashtu Portugalia dhe Spanja, ku të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

    Ndërkohë, shkencëtarët i kanë bërë thirrje Evropës të përgatitet për një botë deri në 3 gradë Celsius më të nxehtë deri në fund të shekullit si dhe të testojë skenarë edhe më ekstremë.

  • Dafina Dauti publikon “Përvjetori i Thyer”, dedikim për Pavarësinë e Kosovës

    Dafina Dauti publikon “Përvjetori i Thyer”, dedikim për Pavarësinë e Kosovës

    Këngëtarja shqiptare Dafina Dauti ka sjellë një tjetër projekt me mesazh të fuqishëm patriotik. Artistja ka publikuar këngën e saj më të re, “Përvjetori i Thyer”, një dedikim i veçantë për përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, për lirinë dhe sakrificën e popullit tonë.

    Përmes këtij projekti, Dafina Dauti vjen me një mesazh të ndjerë dhe domethënës, duke theksuar rëndësinë e kujtesës historike dhe respektit për ata që kontribuuan në rrugën drejt lirisë. Kënga pritet të prekë zemrat e publikut dhe të marrë vëmendje të veçantë në këtë periudhë përkujtimore.

    “Përvjetori i Thyer” tashmë është publikuar dhe po komentohet gjerësisht nga ndjekësit e artistes, të cilët kanë vlerësuar iniciativën dhe mesazhin e saj.