ATV

Blog

  • Mbahet sot seanca gjyqësore për sulmin në Banjskë

    Mbahet sot seanca gjyqësore për sulmin në Banjskë

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet sot seanca gjyqësore për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

    Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq do të paraqiten para gjykatores, të cilët përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë.

    Seanca gjyqësore do të nisë nga ora 09:30.

  • Sot paraqiten deklaratat përmbyllëse, katërshja e UÇK-së thotë sot fjalët përfundimtare

    Sot paraqiten deklaratat përmbyllëse, katërshja e UÇK-së thotë sot fjalët përfundimtare

    Sot para Dhomave të Specializuara në Hagë do të paraqiten deklaratat përmbyllëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po hyn në fazën vendimtare, ndërkaq sot do të dëgjohen fjalët përfundimtare nga përfaqësuesi i viktimave, replikat e mbrojtjes dhe në fund edhe deklarimet përmbyllëse të katërshes së UÇK-së.

    Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat sipas Prokurorisë së Specializuar, lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, 1998–1999.

    Ata akuzohen se kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

    Katërshja e UÇK-së i ka mohuar vazhdimisht, ndërsa janë deklaruar të pafajshëm.

    Ndryshe, të martën në Kosovë, u organizua një marsh në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Marshi u organizua nga platforma “Liria ka emër”.

    Sipas organizatorëve, mbi 130 mijë qytetarë morën pjesë në marsh, duke mbushur sheshet e kryeqytetit dhe duke dërguar mesazhin për drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të dinjitetit të luftës çlirimtare.

  • Edi Rama nis mëngjesin me foto në mbështetje të UÇK-së

    Edi Rama nis mëngjesin me foto në mbështetje të UÇK-së

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka nisur ditën me një foto gjithëkombëtare.

    Ai ka shpërndarë fotografinë e tre të rinjve të mbështjellë me flamurin e Shqipërisë, Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Pos tjerash, ai shkroi shkurt: “Mirëmëngjesi”.

  • Bashkësia Islame e publikon vaktin e Ramazanit, në këtë orë është iftari i parë

    Bashkësia Islame e publikon vaktin e Ramazanit, në këtë orë është iftari i parë

    Bashkësia Islame e Kosovës e ka publikuar vaktin e Ramazanit për këtë vit.

    Muaji i shenjtë do të filloj me datën 19 shkurt, kjo do të jetë dita e parë e agjërimit.

    Iftari i parë është në ora 17:21, kurse syfyri i parë në ora 04:49 të mëngjesit.

    Dita e parë e Fitër Bajramit është me 20 mars dhe Namazi i Fitër Bajramit do të falet në ora 06:18 në mëngjes.

    Muaji i shenjtë përfundon me datën 19 mars, ku iftari i fundit shënohet në ora 17:55.

  • Mot i vranët dhe intervale me diell

    Mot i vranët dhe intervale me diell

    Reshjet e borës pritet të vazhdojnë orëve të hershme të mëngjesit të ditës së mërkurë, kryesisht përreth viseve kodrinoro-malore.

    Ditën vransirat fillojnë të shpërndahen, që hapin qiellin për më shumë intervale me diell megjithëse mbetet mot i ftohtë.

    Temperaturat minimale zbresin në -1C e 1C, derisa maksimalet shkojnë deri në 5C dhe 8C. Frynë erë e ftohtë veriore e veriperëndimore, mesatare dhe mesatarisht e fuqishme 7-12m/s, me hove deri në 15m/s.

    Ditën e enjtë vransirat shtohen, megjithëse nuk mungojnë intervale me diell. Minimalet në mëngjes zbresin në -2C, derisa gjatë ditës maksimalet shënojnë rriten deri në 10C e 11C. Frynë erë juglindore, mesatare 4-10m/s, me hove deri në 15m/s, me kalimin në ditën e premtë.

    Të premtën sërish reshjet e shiut përfshinë vendin. Më vonë gjatë mbrëmjes shndërrohen në reshje dëbore, që pushojnë mëngjesin e ditës së shtunë.

    Temperaturat maksimale zbresin në 2C, e ato minimale në -3C. Vransirat shpërndahen, e priten intervale me diell. Vransirat mbulojnë vendin sërish ditën e diel, lokalisht të shoqëruara me riga shiu, njofton Mendimi për Motin.

  • 11 të vrarë në 3 sulme ajrore amerikane ndaj anijeve të narkotrafikimit në Paqësor dhe Karaibe

    11 të vrarë në 3 sulme ajrore amerikane ndaj anijeve të narkotrafikimit në Paqësor dhe Karaibe

    Forcat amerikane kanë vrarë 11 persona në tre sulme që synonin anijet në Paqësorin Lindor dhe Karaibe, njoftoi të martën Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM).

    “Task Forca e Përbashkët Southern Spear kreu tre sulme kinetike vdekjeprurëse ndaj tre anijeve të operuara nga organizata të caktuara terroriste”, tha SOUTHCOM të hënën në llogarinë e saj në X, duke theksuar se operacionet u drejtuan nga komandanti i SOUTHCOM, gjenerali Francis Donovan.

    Sipas komandës, inteligjenca konfirmoi se anijet po udhëtonin përgjatë “rrugëve të njohura të trafikut të drogës dhe ishin të përfshira në operacione të trafikut të drogës”.

    Katër persona u vranë në secilën nga dy anijet e para në Paqësorin Lindor, ndërsa tre të tjerë u vranë në një anije të tretë në Karaibe.

    Asnjë personel amerikan nuk u lëndua gjatë këtyre operacioneve, sipas deklaratës së SOUTHCOM.

  • Mbi 130 mijë qytetarë morën pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Mbi 130 mijë qytetarë morën pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”

    Platforma “Liria Ka Emër” ka njoftuar se mbi 130 mijë qytetarë kanë marrë pjesë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-katërshes së UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    Sipas kësaj platforme, kjo shifër vjen nga vlerësimet e bëra në terren, duke e bërë marshin mobilizimin më të madh në historinë e Kosovës së lirë.

    “Sheshi dhe rrugët kryesore të Prishtinës u mbushën me qytetarë nga të gjitha komunat, nga rajoni dhe diaspora. Pavarësisht motit të pafavorshëm dhe vështirësive në trafik, pjesëmarrja masive dëshmoi për përmasat e mobilizimit dhe mesazhin e qartë për drejtësi”, thuhet në njoftim.

    Në njoftim gjithashtu falënderohen të gjithë qytetarët për kontributin në këtë marsh, i cili u cilësua si moment historik i solidaritetit dhe qëndresës qytetare.

  • Presidenti kroat uron Kosovën për përvjetorin e Pavarsisë: Thekson mbështetjen për integrim në BE e NATO

    Presidenti kroat uron Kosovën për përvjetorin e Pavarsisë: Thekson mbështetjen për integrim në BE e NATO

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Në mesazhin e tij, Milanoviq thekson marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi do të vazhdojë të forcohet në të mirë të qytetarëve të të dy vendeve.

    Ai po ashtu ka riafirmuar mbështetjen e Kroacisë për integrimin e Kosovës në Bashkimi Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

  • Nata evropiane në “Fadil Vokrri”, Drita përballë Celjes, anglezët ndajnë drejtësinë

    Nata evropiane në “Fadil Vokrri”, Drita përballë Celjes, anglezët ndajnë drejtësinë

    Europa troket sërish për FC Drita, që këtë të enjte mbrëma do të zbresë në fushën e stadiumit Fadil Vokrri për sfidën e madhe ndaj skuadrës sllovene NK Celje, në kuadër të Play-Off-it të UEFA Europa Conference League.

    Gjilanasit kanë shkruar histori këtë sezon, duke u renditur mes 24 skuadrave më të mira në fazën e ligës dhe duke siguruar një vend në fazën me eliminim direkt. Tani, synimi është i qartë: të hedhin një hap tjetër drejt kualifikimit dhe të mbajnë gjallë ëndrrën evropiane.

    Atmosfera në kryeqytet pritet të jetë elektrizuese, me tifozët që do të mbështesin ekipin e tyre në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë do të ishte një kapital i madh për përballjen e kthimit në Slloveni.

    Dueli do të gjykohet nga një treshe angleze, me Chris Kavanagh si arbitër kryesor, i asistuar nga Simon Bennett dhe Neil Davies.

    40-vjeçari Kavanagh konsiderohet një nga gjyqtarët më të vlerësuar në Angli. Vetëm këtë sezon ai ka drejtuar 19 ndeshje në Premier League, si dhe katër përballje në UEFA Champions League, përfshirë takime të nivelit të lartë si Inter – Slavia Prague dhe Slavia Prague – Barcelona.

    Prania e tij garanton një standard të lartë arbitrazhi në një mbrëmje ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.

    Drita e di se përballë ka një kundërshtar të fortë dhe me eksperiencë evropiane, por besimi në kampin bardhekaltër është i madh. Një paraqitje solide dhe një rezultat pozitiv do ta vendosnin skuadrën kosovare në pozicion të favorshëm për ndeshjen e kthimit.

    Të enjten mbrëma, sytë e futbollit kosovar do të jenë te “Fadil Vokrri”. Europa pret, dhe Drita është gati për sfidën.

  • José Mourinho: Do të jem Madridista përgjithmonë

    José Mourinho: Do të jem Madridista përgjithmonë

    Trajneri i njohur, José Mourinho, ka rikujtuar lidhjen e tij të veçantë me Real Madrid, duke deklaruar se gjithmonë do të mbetet pjesë e historisë së klubit spanjoll.

    Në një intervistë të fundit, Mourinho tha:

    “Kam dhënë gjithçka nga vetja për Real Madrid. Prandaj njerëzit më respektojnë. Do të jem Madridista PËRGJITHMONË. Kjo lidhje kurrë nuk do të përfundojë.”

    Fjalët e tij vijnë pas periudhës së suksesshme si trajner i “Los Blancos”, ku arriti të fitonte trofe të rëndësishëm dhe të vendoste emrin e tij mes figurave më të respektuara të klubit.

    Mourinho ka treguar gjithmonë një respekt të veçantë për historinë dhe kulturën e Real Madrid, duke nënvizuar se përkushtimi dhe pasioni i tij për klubin nuk do të shuhet kurrë, pavarësisht se tashmë ndodhet larg “Santiago Bernabéu”.

    Komentet e tij kanë rikthyer kujtimet e tifozëve për kohën kur Mourinho drejtoi skuadrën spanjolle, duke fituar La Liga, Copa del Rey dhe duke sfiduar me sukses në Champions League.

    Ky deklarim i Mourinho-s rikujton se lidhja mes një trajneri dhe një klubi të madh nuk është thjesht e punës, por edhe e zemrës dhe historisë.