ATV

Blog

  • ‘‘Targeti i vetëm i uniformave të UÇK’së ishte policia dhe ushtria serbe’’, çka deklaroi Konjufca para Speciales

    ‘‘Targeti i vetëm i uniformave të UÇK’së ishte policia dhe ushtria serbe’’, çka deklaroi Konjufca para Speciales

    Kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca nga Haga, ku shkoi për ta ndjekur ditën e fundit të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka deklaruar se lufta ishte e pastër dhe e drejtë.

    Ai ka thënë edhe se procesi ka zgjatur aq shumë saqë janë shkelur të drejtat elementare të njeriut.

    ‘’Këtyre njerëzve, tashmë ata e kanë marrë një ndëshkim të padrejtë sepse procesi zgjati aq shumë saqë unë pretendoj dhe gjithë pretendojmë që u shkel e drejta elementare e njeriut, e cila mbrohet me konventën e kombeve të bashkuara edhe me atë evropiane’’, ka thënë ai.

    Tutje, ai ka shtuar edhe se targeti i vetëm i uniformave të UÇK’së ishte policia dhe ushtria serbe.

    Unë jam këtu për të konfirmuar edhe njëherë që lufta jonë, e popullit të Kosovës ishte luftë e drejtë, luftë e pastër, mbrojtëse, nuk ka qenë qëllimi i kësaj lufte sulmi i asnjë populli tjetër, targeti i vetëm i uniformave të UÇK’së ishte policia dhe ushtria serbe, njerëzit e uniformuar okupatore, që bën gjenocidin në Kosovës, që vranë fëmijë, gra e pleq’’, ka thënë ai.

  • Ftesa e Trump, Edi Rama niset drejt Washingtonit

    Ftesa e Trump, Edi Rama niset drejt Washingtonit

    Kryeministri Edi Rama është nisur sot drejt Washingtonit, në përgjigje të ftesës së Presidentit të SHBA-ve Donald Trump për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes.

    Kryeministria në një njoftim në lidhje me aktivitetin bën me dije se:

    “Pak ditë më parë, kur njoftoi pjesëmarrjen në këtë ngjarje, Kryeministri Rama u shpreh se “Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes.

    Bordi i Paqes i iniciuar nga Presidenti i SHBA-ve Trump synon forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrjes së një qasje të re të guximshme për zgjidhjen e Konfliktit Global”.

  • Senegali uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Senegali uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

    Në mesazhin e tij, Faye ka përcjellë urimet më të përzemërta për Osmanin dhe qytetarët e Kosovës, duke shprehur gjithashtu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

  • Rikthim shokues! – Randa “Rowdy” Rousey kthehet në kafaz pas një dekade dorëheqje!

    Rikthim shokues! – Randa “Rowdy” Rousey kthehet në kafaz pas një dekade dorëheqje!

    Në një nga historitë më të mëdha të sporteve luftarake këtë vit, kampionia e mëparshme e UFC-së, Ronda Rousey, po kthehet zyrtarisht në “Artet e përziera marciale” (MMA) pas gati dhjetë vitesh jashtë kafazit dhe fansat e luftës nuk po e besojnë! 

    Pas ndeshjes së fundit në MMA në 2016, Rousey ka kaluar dekadën e fundit duke u fokusuar në aktrim, mundje profesionale dhe jetën familjare, por tani ajo është gati të tregojë se ende ka fuqinë e duhur.


    Rousey do të kryesojë një ndeshje të madhe më 16 maj 2026, duke u përballur me pionieren tjetër të MMA-së, Gina Carano, në “Intuit Dome” në Los Angeles, California. Ndeshja e promovuar nga “Most Valuable Promotions” e Jake Paul, do të transmetohet live në Netflix dhe do të zhvillohet brenda një kafazi heksagonal nën rregullat standarde të MMA-së.

    Të dyja gratë konsiderohen pioniere në MMA-në e femrave, Carano ndihmoi që ndeshjet e grave të hynin në qendër të vëmendjes në vitet 2000, ndërsa Rousey u bë kampionia e parë femër në “bantamweight” të UFC-së dhe u fut në “UFC Hall of Fame”.

    Fansat dhe analistët janë në ankth, kritikët theksojnë se të dyja luftëtaret kanë qenë larg konkurrencës për vite, por mbështetësit thonë se kjo ndeshje nderon ndikimin e tyre në sport.

    Rousey ka zbuluar se ajo ka kërkuar aktivisht këtë përballje, duke kontaktuar Caranon dhe madje duke përfshirë UFC-në për një moment para se ndeshja të finalizohej jashtë organizatës.

    Ky kthim shënon ndeshjen e parë zyrtare të MMA-së për Rousey-n pas pothuajse një dekade, dhe tashmë po quhet një nga super-ndeshjet më të pritura në historinë e sporteve luftarake.


    33-vjeçarja Rousey nuk është vetëm një luftëtare ajo është edhe një olimpike në xhudo, ish-yll i WWE-së dhe emër i njohur i filmave blockbuster. Përballja me Caranon, 43 vjeçare, bashkon gjenerata të grave që shkelën barrierat në një sport që dikur nuk u jepte hapësirë.

  • Osmani pret mbështetje nga të gjithë deputetët e Kuvendit për t’u bërë presidente

    Osmani pret mbështetje nga të gjithë deputetët e Kuvendit për t’u bërë presidente

    Vjosa Osmani ka deklaruar se pret mbështetjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit për t’ia vazhduar edhe një mandat si presidente.

    Ajo ka deklaruar se përveç të zgjedhurve të popullit pret që të njëjtën gjë do ta bëjën edhe liderët e partive politike.

    “Pres mbështetje nga të gjithë deputetët e Republikës së Kosovës dhe të gjitha partitë politike që ia duan të mirën Kosovës, pa dallim. Kur po flas për deputetët po i përfshij edhe liderët e atyre deputetëve”, ka deklaruar ajo.

    Ndërkaq raportet me kryeministrin Albin Kurti ajo i ka cilësuar si të mira.

    “Kemi raport të mirë, institucional, bashkëpunojmë për çështje që janë në interes të Kosovës dhe kështu do të jetë edhe tash e tutje”, ka thënë presidentja.

  • Rama akuzon Qeverinë për përdorim politik të buxhetit ndaj qytetarëve të Prishtinës

    Rama akuzon Qeverinë për përdorim politik të buxhetit ndaj qytetarëve të Prishtinës

    Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar ashpër për mospërfshirjen e Buxhetit të Kryeqytetit në Buxhetin e vitit 2026, duke e cilësuar këtë si një vendim politik dhe jo thjesht një vonesë administrative.

    “Buxheti i Kryeqytetit është miratuar në Asamblenë e Kryeqytetit, me të gjitha specifikat teknike dhe ligjore, dhe është dorëzuar sipas procedurave. Çdo justifikim për mospërfshirje bie poshtë kur dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me ligjin”, ka deklaruar Rama në postimin e tij në Facebook.

    Ai ka ngritur pyetje për motivet e Qeverisë, duke thënë: “Pse nuk po përfshihet në Buxhetin e vitit 2026? A është kjo hakmarrje politike? A është tentativë për ta bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit? A po përdoret buxheti si mjet presioni ndaj qytetarëve të Prishtinës?”.

    Rama ka theksuar se Qeveria ka “obligim kushtetues dhe ligjor të trajtojë buxhetin e Kryeqytetit pa diskriminim politik. Çdo veprim ndryshe është shkelje e parimit të barazisë institucionale dhe goditje direkte ndaj qytetarëve”.

    “Prishtina nuk është pronë e askujt. Është Kryeqyteti i Republikës dhe meriton trajtim institucional, jo kalkulime partiake. Nëse Qeveria zgjedh ta mbajë peng buxhetin e 2026-tës, atëherë le ta thotë hapur: Po i ndëshkojmë qytetarët sepse nuk kanë votuar neve! Qytetarët e Prishtinës meritojnë përgjigje”, përfundon Rama.

  • “Gjenerata e Facebookut” më depresive

    “Gjenerata e Facebookut” më depresive

    Adoleshentët sot pinë më pak, marrin më pak droga dhe kanë më pak gjasa të jenë vandalë ose të dhunshëm sesa pleqtë e tyre vetëm një dekadë më parë, tregoi një studim i ri i gjerë.

    Megjithatë, ata kanë më shumë gjasa të vuajnë nga depresioni ose obeziteti, të flenë keq ose të vetë-dëmtohen. Zhvendosja e sjelljes midis dy gjeneratave të 14-vjeçarëve vetëm dhjetë vjet larg sugjeron ndikimin e mediave sociale – një faktor madhor në jetën e këtij grupi të lindur në vitin 2000 dhe 2001.

    Njohur si “Gjenerata e Facebook”, këta adoleshentë kanë nivele shumë më të ulëta të pirjes, pirjes së duhanit, marrjes së drogës ose shtatzënisë në adoleshencë krahasuar me paraardhësit e tyre. Megjithatë, disa studime sugjerojnë se ata janë bërë grupi më i vetmuar i moshës, me më shumë gjasa të ndihen të izoluar dhe të vetëm sesa të moshuarit dhe pensionistët.

  • Avokati Roberts: Edhe vet Prokurorisë i vjen turp për argumentet që ka paraqitur për Rexhep Selimin

    Avokati Roberts: Edhe vet Prokurorisë i vjen turp për argumentet që ka paraqitur për Rexhep Selimin

    Mbrojtësi i Selimit, Geoffrey Roberts, ka marrë fjalën në seancën e sotme, të fundit të deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

    Roberts në fjalën e tij tha se edhe vet ZPS-së i “vjen turp” për argumentet që ka paraqitur ndaj klientit të tij.

    Ai tha se “paaftësia e Prokurorisë për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave është po aq shqetësuese në këtë fazë të procesit, sa edhe befasuese”.

    “Ta themi troç, Prokurorisë vet i vjen turp për argumentet e veta kundër zotit Selimi. Nuk mund të dilet në asnjë përfundim tjetër si nga parashtrimet e së hënës, apo dosja e tyre me shkrim. Nëse vet Prokuroria nuk është e bindur për argumentet e veta kundër zotit Selimi, si mund të ju bindë ju?

    Paaftësia e Prokurorisë për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave është po aq shqetësuese në këtë fazë të procesit, sa edhe befasuese”, tha Roberts.

  • YouTube tregon arsyen se pse nuk punoi aplikacioni gjatë ditës

    YouTube tregon arsyen se pse nuk punoi aplikacioni gjatë ditës

    Platforma YouTube zyrtarisht konfirmoi se problemet teknike që gjatë mëngjesit e kanë pamundësuar qasjen në platformë në të gjithë botën janë zgjidhur.

    Përdoruesit në mbarë botën përballeshin me një problem të pazakontë: kur hapnin aplikacionin ose faqen e YouTube, në vend të përmbajtjes shfaqeshin ekrane bosh, mesazhe gabimi si “Something went wrong” ose ngarkim i pafund.

    Ekipi i YouTube, përmes llogarisë zyrtare “TeamYouTube”, njoftoi se shkaku i problemit ishte një defekt në sistemin e rekomandimeve (recommendation system).

    Ky defekt teknologjik pengoi shfaqjen e videove në mënyrë të duhur në pjesë të ndryshme të platformës, përfshirë faqen kryesore, aplikacionin për celularë, YouTube Music, YouTube Kids dhe YouTube TV – ku disa përdorues hasën edhe vështirësi në hyrje.

    Pas disa orësh pasigurie, YouTube konfirmoi përditësimin e fundit duke thënë se problemi është riparuar dhe të gjitha platformat tani funksionojnë normalisht.

    Gjatë ndërprerjes, shumë përdorues u drejtuan te rrjeti social X (ish-Twitter) për të kuptuar se çfarë po ndodhte, dhe disa vunë re se videot mund të shikoheshin ende përmes lidhjeve të drejtpërdrejta ose listave të njoftimeve, edhe pse faqja kryesore ishte jashtë funksionit.

    Tani të gjitha shërbimet janë rikthyer në kapacitet të plotë, dhe përdoruesve u rekomandohet të rifreskojnë aplikacionet ose faqet nëse ende shfaqen mesazhe të vjetra gabimi.

  • Dëshmitari Tanevski për sulmin në Banjskë: Ende kam trauma, nuk do të vij më në Kosovë

    Dëshmitari Tanevski për sulmin në Banjskë: Ende kam trauma, nuk do të vij më në Kosovë

    Turisti nga Maqedonia e Veriut, Goran Tanevski, i cili ka përjetuar sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ka përjetuar traumë të rëndë psikologjike.

    Tanevski dëshmoi të mërkurën në seancën gjyqësore për rastin e sulmit në Banjskë ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

    Prokurori special, Naim Abazi, pyeti dëshmitarin nëse kishte tejkaluar ankthin e përjetuar gjatë sulmit në Banjskë, ndërsa Tanevski tha se ende përballet me probleme psikologjike.

    “ Edhe më tej kam probleme të tilla”, tha ai.

    Prokurori Abazi pyeti dëshmitarin se gjatë vizitës së tij me familje në Banjskë, a ka vërejtur persona të tjerë që nuk dukeshin si turistë.

    Tanevski tha se në mëngjesin e ditës së sulmit nuk kishte parë persona që dukeshin si turistë, ndërsa në momentin e sulmit dëgjoheshin të shtëna armësh dhe më pas kishte parë persona të uniformuar rreth hotelit, dy prej të cilëvë jashtë objektit dhe një brenda hotelit, të tre të armatosur.

    “ Deri në ditën e ndodhjes, në atë mëngjes nuk kam parë persona që janë dukur turistë. Në ditën që ndodhi kjo dëgjoheshin gjuajtje. Ne nuk mund të shihnim asnjë, por në atë mëngjes pamë persona të uniformuar rreth hotelit dhe kishte një në hotel. Njerëzit që i pamë jashtë hotelit, pamë dy veta në uniformë, pa shenja dhe me armë ushtarake. Atij që ishte në hotel mund t’ia shihnim vetëm pushkën, kurse uniformën jo, sepse ne ishim poshtë shkallëve dhe ai po kërkonte batanije apo diçka të tillë. Nën dritaren, në të cilën ishim të vendosur ne, nga dritarja për personin që po flas, mund të kishte municion, kishte bombë”, shtoi ai.

    Dëshmitari duke kujtuar ditën kritike, tha se njëri nga personat e uniformuar kishte kërkuar çarçaf dhe e shoqja i kishte dhënë batanije, ndërsa më pas mysafirëve u ishte kërkuar të qëndronin në dhoma dhe të mos dilnin jashtë hotelit.

    “Na kërkoi një çarçaf. Kur ai kërkoi, unë isha në pjesën tjetër të hapësirës, ndërsa gruaja i ka dhënë një batanije. Sa i përket pyetjes së kufizimit në dhoma, nuk kishte diçka të tillë. Kishte një thirrje që të qëndronim në dhomë, sepse dikush dëshironte të dilte. Ne u nisëm për të dalë, por na u tha të ktheheshim në hotel. Dikush na tha prej katit të hotelit. Unë doja të dilja që të shoh automjetin tim, por dikush na tha që të kthehemi. Mendoj se ishte një nga personat e uniformuar, sepse ai person kishte edhe armë me vete”, tha ai.

    Sipas dëshmisë së tij, ata u fshehën në bodrum disa orë për shkak të të shtënave dhe eksplodimeve jashtë hotelit. Në momentin që kishin përfunduar të shtënat, mysafirët janë kthyer në dhomë.

    “Vështirësitë ishin fillimisht si rezultat i gjuajtjeve dhe eksplodimeve që ishin jashtë hotelit. Pastaj, kur zbardhi dita të nesërmen, kur i pamë këta persona të uniformuar, vendosëm që të fshiheshim në bodrum. Dhe aty qëndruam 2-3 orë, pastaj u ndalën gjuajtjet një kohë dhe u kthyem në dhomë”, tha ai.

    Tanevski tha se ngjarja ka lënë pasoja të rënda psikologjike tek ai dhe familja e tij, duke theksuar se pas asaj dite kishte vendosur të mos vizitojë më Kosovën.

    Ai nuk mund ta harrojë tmerrin që kishte përjetuar më 24 shtator të 2023, pasi që u ndie përgjegjës për atë që përjetoi familja e tij, duke u frikësuar se mos po i qëllon ndonjë plumb.

    E frika tij më e madhe ishte fëmija i tij me autizëm.

    Tanevski shtoi se familja u largua të hënën nën sigurinë e Policisë së Kosovës.

    “ Unë prej asaj dite vendosa që të mos vij asnjëherë në Kosovë. Ajo që ndodhi atë ditë asnjëherë nuk mund ta harroj. Unë i dërgova ata atje që të pushonim, unë u ndieva përgjegjës për atë që ata përjetuan. Edhe sot e kësaj dite, kur më kujtohet për atë që ndodhi, ndiej stres, pasiguri dhe frikë. Në orën 15:00 dëgjuam gjuajtje dhe eksplodime. Kjo ndodhi derisa nuk zgjati dita. Kishim frikë se mos na qëllonte ndonjë plumb. Pastaj, kur zbardhi dita, pamë ushtarë jashtë me armë, kishte edhe më tej gjuajtje. Kur u ndalën gjuajtjet, unë komunikova me Ministrinë e Jashtme dhe m’u tha se nuk mund të shkoja se nuk është e sigurt. Gjithë ditën ishte dilema se a të shkonim a jo. Ne shkuam të hënën, do të thotë paradite dhe shkuam duke na siguruar Policia e Kosovës. Gjithë ajo kohë paraqet stres dhe frikë. Unë kam një fëmijë me autizëm që ka qenë aty, nuk e di a e dini çfarë do të thotë kjo”, tha ai.

    Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

    Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç‘rast ka mbetur i vrarë rreshterii Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. /KP/