ATV

Blog

  • Arrestohet 18-vjeçari në Kaçanik, kërkohej me urdhër të gjykatës

    Arrestohet 18-vjeçari në Kaçanik, kërkohej me urdhër të gjykatës

    Një 18-vjeçar është arrestuar në Kaçanik, pasi ishte i kërkuar me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Ferizajt.

    Sipas komunikatës së Policisë, rasti ka ndodhur më 24 nëntor, rreth orës 23:30, në rrugën “Arbëria”, ku njësiti policor kishte ndaluar një veturë të tipit “Opel Corsa”.

    Gjatë verifikimit të 18-vjeçarit me inicialet E.B., është konstatuar se ndaj tij ishte lëshuar urdhëresë gjyqësore për vuajtjen e dënimit prej një viti burgim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

    I riu kishte tentuar të largohej, por pas ndjekjes nga policia në një distancë prej rreth dy kilometrash, është arrestuar.

    Pas përfundimit të procedurave policore, ai është dërguar për vuajtjen e dënimit.

  • Sulmohet me thikë një person në Pejë, dërgohet për trajtim në QKUK

    Sulmohet me thikë një person në Pejë, dërgohet për trajtim në QKUK

    Një burrë ka mbetur i lënduar pasi është sulmuar me thikë nga një person i panjohur në Pejë.

    Sipas raportit të Policisë, viktima, mashkull kosovar, ka deklaruar se i dyshuari kishte dalë nga vetura dhe e kishte sulmuar fizikisht me thikë, për t’u larguar më pas në drejtim të panjohur.

    Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është duke u trajtuar në repartin e kirurgjisë në QKUK.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.

  • Kurti udhëton drejt Brukselit, merr pjesë në Samitin BE – Ballkani Perëndimor

    Kurti udhëton drejt Brukselit, merr pjesë në Samitin BE – Ballkani Perëndimor

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në Samitin Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor.

    Lajmi është bërë i ditur nga Qeveria e Kosovës, përmes një njoftimi zyrtar, ku është konfirmuar pjesëmarrja e Kurtit në këtë takim.

    Samiti mbledh përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa në fokus të diskutimeve pritet të jenë integrimi evropian, bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimet politike e ekonomike në rajon.

    Sipas programit të publikuar nga Këshilli Evropian, aktivitetet do të nisin në orën 17:00 me arritjen e pjesëmarrësve, ndërsa në orën 17:40 është paraparë pritja zyrtare.

    Seanca plenare do të mbahet në orën 18:00, e pasuar nga fotografia familjare në orën 19:05.

    Në përfundim të seancës plenare, rreth orës 19:15, është paraparë konferenca për media, ndërsa samiti do të përmbyllet me një darkë pune në orën 20:00.

    Samiti synon të shërbejë si mundësi për diskutimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

  • IKShPK me apel për qytetarët: Mos përdorni antibiotikë për grip e ftohje

    IKShPK me apel për qytetarët: Mos përdorni antibiotikë për grip e ftohje

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për përdorim të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm të antibiotikëve, duke rikujtuar se këto barna nuk janë zgjidhje për çdo infeksion.

    Në kuadër të Javës Botërore të Ndërgjegjësimit për Rezistencën Antimikrobike, IKShPK ka këshilluar qytetarët që të mos përdorin antibiotikë për ftohje, grip apo dhimbje fyti me origjinë virale.

    Instituti ka apeluar gjithashtu që antibiotikët të mos ndahen me persona të tjerë dhe barnat e mbetura të mos ruhen për përdorim të mëvonshëm.

    Sipas IKShPK-së, antibiotikët duhet të përdoren vetëm me këshillën e profesionistëve shëndetësorë.

    “Përdorimi i përgjegjshëm i antibiotikëve sot, mbron shëndetin e të gjithëve nesër!”, thuhet në apelin e institutit.

  • Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 në pikëpyetje, KOK-u thirret në takim në Athinë

    Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 në pikëpyetje, KOK-u thirret në takim në Athinë

    Organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 po përballet me ngecje, ndërsa shqetësimet për ecurinë e përgatitjeve pritet të diskutohen në nivel ndërkombëtar.

    Komiteti Olimpik i Kosovës ka konfirmuar se është ftuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare në një takim që do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor në Athinë të Greqisë.

    Në këtë takim pritet të shqyrtohen problemet dhe vonesat në procesin e organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive, e cila është planifikuar të mbahet në Kosovë në vitin 2030.

    Pas takimit, përfaqësuesit e KOK-ut do të raportojnë para Komitetit Organizativ për diskutimet e zhvilluara dhe hapat që duhet të ndërmerren në vazhdim.

    Megjithatë, Komiteti Olimpik i Kosovës ka ritheksuar përkushtimin që Lojërat Mesdhetare të mbahen në vend, duke theksuar se realizimi i këtij projekti kërkon angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve përgjegjëse.

    Takimi në Athinë shihet si një moment i rëndësishëm për të vlerësuar gjendjen aktuale të përgatitjeve dhe për të përcaktuar se si do të vazhdojë organizimi i Prishtina 2030.

  • Bebe Rexha nderohet nga Billboard me çmimin “Global Hitmaker Award”, flet për rrënjët shqiptare dhe ëndrrën e saj

    Bebe Rexha nderohet nga Billboard me çmimin “Global Hitmaker Award”, flet për rrënjët shqiptare dhe ëndrrën e saj

    Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha është nderuar me çmimin “Global Hitmaker Award” në ceremoninë “Billboard Canada Women in Music 2026”, në vlerësim të kontributit dhe suksesit të saj në industrinë ndërkombëtare të muzikës.

    Në dedikimin për artisten, “Billboard Canada” ka rikujtuar ëndrrën e saj të fëmijërisë për të parë një ditë emrin e vet në listat prestigjioze muzikore.

    “Përpara se Bebe Rexha të bëhej një krijuese e hiteve që arrijnë majat e shumë listave të Billboard-it, ajo ishte një vajzë e vogël që çdo javë shfletonte revistat e shtypura Billboard, duke shpresuar se një ditë do ta shihte emrin e saj të botuar në to. Në ceremoninë ‘Billboard Canada Women in Music 2026’, kjo ëndërr e fëmijërisë u bë realitet, teksa ajo pranoi çmimin ‘Global Hitmaker Award’”, shkroi Billboard Canada.

    Gjatë pranimit të çmimit, Rexha mbajti një fjalim emocional, ku rrëfeu për fillimet e saj, ëndrrat muzikore dhe prejardhjen shqiptare.

    Ajo kujtoi se si, kur ishte e vogël, shkonte me nënën në dyqan dhe kërkonte revistat “Billboard”, duke shpresuar që një ditë të bëhej pjesë e listës “Hot 100”.

    “Kur isha më e vogël, shkoja me nënën time në dyqan dhe drejtohesha menjëherë te sektori i revistave. Në atë kohë blinim revistën ‘Billboard’. Shikoja të gjitha këngët në listën ‘Hot 100’ dhe mendoja: ‘O Zot, ndoshta një ditë do të arrij të shkruaj një këngë hit që do të jetë pjesë e kësaj liste’”, rrëfeu këngëtarja.

    Artistja foli edhe për kulturën shqiptare dhe pritshmëritë tradicionale që, sipas saj, ekzistojnë në disa familje shqiptare ndaj vajzave, veçanërisht për martesën në moshë të re.

    “Dua të falënderoj kulturën time, sepse të qenit shqiptare është një pjesë shumë e madhe e asaj që jam. Nëse je shqiptar, e njeh mentalitetin tradicional: martesa në moshë të re, dikush vjen të kërkojë dorën tënde dhe duhet të bëhesh nënë në moshën 24 apo 25-vjeçare. Unë thashë: ‘Në asnjë mënyrë!’”, u shpreh ajo me humor.

    Rexha tregoi se ishte zhvendosur në Los Angeles në moshën 19-vjeçare për të ndjekur ëndrrën e saj muzikore. Ajo kujtoi edhe kohën kur shkruante këngë në shtëpinë e prindërve në New York, duke treguar me humor se nëna e saj vendoste plastikë mbi mobiliet për t’i mbrojtur.

    “Ne jemi shqiptarë dhe nëna ime vendoste plastikë mbi mobiliet, sepse nuk donte që t’i ndotnim. Por unë aty shkruaja këngët e mia. Pikërisht aty përfundova duke shkruar një nga hitet e mia të para”, tregoi artistja.

    Gjatë karrierës së saj, Bebe Rexha ka bashkëpunuar me emra të njohur të muzikës botërore, përfshirë Eminem, Rihanna, Nicki Minaj, David Guetta dhe Selena Gomez.

    Në fund të fjalimit, ajo iu drejtua simbolikisht vetes së vogël, duke thënë se do të dëshironte t’i tregonte të mos shqetësohej aq shumë për të ardhmen, pasi ëndrrat e saj do të realizoheshin.

    “Do të doja t’i thosha asaj vajze të vogël: Qetësohu, nuk është çështje jete a vdekjeje. Gjithçka do të rregullohet”, përfundoi Rexha, duke shkaktuar të qeshura te të pranishmit.

  • Merz paralajmëron: Rusia kërkon më shumë se Ukrainën

    Merz paralajmëron: Rusia kërkon më shumë se Ukrainën

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar se ambiciet e Rusisë shkojnë përtej Ukrainës, duke theksuar se Moska po përshkallëzon tensionet në disa rajone dhe po paraqet kërcënim edhe për vendet evropiane.

    Gjatë fjalimit të tij për buxhetin në Bundestag, të mërkurën, Merz ka folur për nevojën që Gjermania të trajtojë urgjentisht çështjet që, sipas tij, janë neglizhuar për një kohë të gjatë, përfshirë mbrojtjen, infrastrukturën, ndryshimet demografike dhe ekonominë.

    Megjithatë, pjesën më të ashpër të fjalimit e ka përqendruar te situata e sigurisë në Evropë dhe kërcënimi që paraqet Rusia, duke argumentuar se për këtë arsye nevojiten vendime të rëndësishme, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.

    “Rusia e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe Rusia kërkon më shumë se Ukrainën”, ka paralajmëruar Merz.

    Ai ka kritikuar edhe ata që, sipas tij, nuk e kuptojnë natyrën e kërcënimit rus.

    “Kushdo që nuk arrin ta kuptojë këtë, ose nuk e kupton botën ashtu siç është, ose po ndjek një agjendë krejtësisht tjetër, një agjendë që bie ndesh me lirinë, hapjen dhe vlerat liberale të vendit tonë”, ka shtuar ai.

    Merz ka theksuar se Rusia po shton tensionet në disa pjesë të Evropës dhe më gjerë.

    “Rusia po përshkallëzon tensionet në rajonin e Baltikut, në Poloni, në Detin e Zi dhe madje edhe në hapësirën e jashtme”, është shprehur kancelari gjerman.

    Ai ka paralajmëruar se veprimet e Moskës po shtrihen edhe brenda kufijve të vendeve evropiane, duke përmendur edhe humbjen e jetëve njerëzore.

    “Ajo po e përshkallëzon situatën në shkallë masive, përfshirë edhe këtu, brenda kufijve tanë, madje edhe duke shkaktuar humbje jetësh njerëzore. Kjo është situata, zonja dhe zotërinj. Dhe kjo është arsyeja pse ne, si evropianë, duhet dhe do ta bëjmë, t’i vendosim Rusisë kufij të qartë”, ka deklaruar Merz.

  • Ambasada amerikane reagon për rrënimin e shtëpive në Ujman: Zbatimi selektiv i rregullave nuk kontribuon në stabilitet

    Ambasada amerikane reagon për rrënimin e shtëpive në Ujman: Zbatimi selektiv i rregullave nuk kontribuon në stabilitet

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar lidhur me vazhdimin e rrënimit të shtëpive të ndërtuara në zonën e Liqenit të Ujmanit, duke vlerësuar se zbatimi selektiv i rregulloreve dhe shpërfillja e procesit të rregullt ligjor nuk kontribuojnë në stabilitet.

    Në një deklaratë për mediumin Kosovo Online, Ambasada amerikane u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të veprojnë në mënyrë transparente dhe të drejtë.

    “Zbatimi selektiv i rregulloreve ose shpërfillja e procesit të rregullt ligjor nuk kontribuon në stabilitet. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër zhvillimet dhe u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës të veprojnë në mënyrë transparente dhe të drejtë”, kanë thënë nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

  • Liga e Kampionëve rikthehet me nëntë përballje, në program disa duele spektakolare

    Liga e Kampionëve rikthehet me nëntë përballje, në program disa duele spektakolare

    Liga e Kampionëve sjell të mërkurën një tjetër mbrëmje të mbushur me futboll të nivelit të lartë, ku në kuadër të fazës së ligës do të zhvillohen nëntë ndeshje, me skuadra të mëdha evropiane që synojnë pikë të rëndësishme në garën për vazhdimësinë e kompeticionit.

    Një nga sfidat më interesante të mbrëmjes pritet të jetë ajo ndërmjet Club Brugge dhe Liverpoolit. Skuadra angleze udhëton me synimin për të marrë një rezultat pozitiv, por përballë do të ketë një kundërshtar që kërkon të shfrytëzojë faktorin fushë.

    Vëmendje të veçantë do të marrë edhe dueli Lille – Bayern Munich, ku bavarezët do të synojnë të tregojnë superioritetin e tyre edhe në këtë transfertë.

    Në ndeshjet e tjera, Barcelona do të kërkojë fitoren në udhëtim ndaj Sabahut, ndërsa Interi do të masë forcat me Stuttgartin. Në Paris, PSG-ja do të përballet me Romën në një takim që premton rivalitet dhe emocione.

    Një sfidë interesante pritet edhe në Portugali, ku Manchester Unitedi do të jetë mysafir i Sporting Lisbonës. Ndërkohë, Shakhtar Donetsk do të përballet me Fenerbahçen, në një duel ku të dyja skuadrat synojnë të sigurojnë pikë të vlefshme.

    Programi plotësohet me përballjen Slavia Praha – Villarreal, si dhe atë ndërmjet Atletico Madridit dhe Vikingut.

    Ndeshjet e para të mbrëmjes, Sabah – Barcelona dhe Slavia Praha – Villarreal, nisin në orën 18:45, ndërsa shtatë takimet e tjera do të zhvillohen nga ora 21:00.

    Me emra të mëdhenj dhe përballje interesante, e mërkura pritet të jetë një tjetër mbrëmje që do t’i mbajë tifozët e futbollit të mbërthyer para ekranit.

  • Hoxha: Nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare apo të përfolur deri tani për kryetar të PDK-së

    Hoxha: Nuk ka asnjë kandidaturë zyrtare apo të përfolur deri tani për kryetar të PDK-së

    Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka konfirmuar se deri më tani nuk ka ende ndonjë kandidaturë zyrtare apo të përfolur për kryetar të partisë.

    Ajo në emisionin Compass me Ilir Berishën, tha se nuk është siç po duket nga jashtë dhe emrat që përmenden.

    Po ashtu, Hoxha hodhi poshtë pretendimet se Ligji për Specialen është përdorur për zgjedhjet e brendshme partiake.