ATV

Blog

  • Shenjat që tregojnë se edukimi juaj po formon me sukses karakterin e fëmijës

    Shenjat që tregojnë se edukimi juaj po formon me sukses karakterin e fëmijës

    Prindërimi nuk jep rezultate të menjëhershme. Shpesh, ndikimi i edukimit shfaqet në mënyra të vogla, por domethënëse, në sjelljen dhe qëndrimet e përditshme të fëmijëve. Psikologët theksojnë se vlerat dhe modeli i prindërve lënë gjurmë të thella në zhvillimin emocional dhe social të tyre.

    Sipas rekomandimeve të American Academy of Pediatrics, edukimi i bazuar në komunikim të hapur, kufij të qartë dhe mbështetje emocionale ndihmon në rritjen e fëmijëve të sigurt dhe të përgjegjshëm.

    Ja disa shenja që tregojnë se edukimi juaj po jep fryte:

    1. Fëmija tregon empati
    Kur ai/ajo kupton ndjenjat e të tjerëve dhe përpiqet të ndihmojë, kjo reflekton modelin që ka parë në shtëpi.

    2. Merr përgjegjësi për veprimet
    Pranimi i gabimeve dhe përpjekja për t’i korrigjuar ato është një tregues i fortë i një edukimi të shëndetshëm.

    3. Ka vetëkontroll emocional
    Menaxhimi i zemërimit apo zhgënjimit pa reagime ekstreme tregon zhvillim të mirë emocional.

    4. Respekton rregullat edhe kur nuk jeni pranë
    Kjo është një nga provat më të qarta që vlerat janë internalizuar dhe nuk bazohen vetëm në frikë nga ndëshkimi.

    5. Komunikon hapur me ju
    Një fëmijë që ndan mendimet, shqetësimet dhe emocionet e tij ndjehet i sigurt dhe i dëgjuar.

    Ekspertët theksojnë se edukimi nuk ka të bëjë me perfeksionin, por me konsistencën. Gabimet janë pjesë e procesit, si për prindërit ashtu edhe për fëmijët. Ajo që ka më shumë rëndësi është prania, shembulli personal dhe dashuria e pakushtëzuar.

    Në fund, gjurmët e edukimit nuk maten vetëm me suksesin akademik, por me karakterin, vlerat dhe mënyrën se si fëmija ndërton marrëdhënie me botën përreth.

  • Kendall Jenner zyrtarizon bashkëpunimin me Adidas – Supermodelja bëhet imazhi i ri i markës sportive

    Kendall Jenner zyrtarizon bashkëpunimin me Adidas – Supermodelja bëhet imazhi i ri i markës sportive

    Kendall Jenner ka nisur një kapitull të ri në karrierën e saj, duke zyrtarizuar bashkëpunimin me gjigantin e veshjeve sportive Adidas. Supermodelja është shpallur imazhi i ri i markës, duke u bërë pjesë e fushatave globale që promovojnë linjat ikonike të atleteve dhe veshjeve sportive.

    Lajmi është konfirmuar përmes postimeve në rrjetet sociale, ku Kendall shfaqet me modele klasike të Adidas, duke përforcuar stilin e saj minimalist dhe sportiv që e ka karakterizuar ndër vite. Bashkëpunimi vjen si pjesë e strategjisë së markës për të afruar figura me ndikim global dhe për të forcuar lidhjen me gjeneratat e reja.

    Kendall, e njohur për prezencën e saj në pasarela dhe për bashkëpunimet me marka luksoze, duket se po zgjeron portofolin e saj edhe në segmentin sportiv. Ekspertët e modës e konsiderojnë këtë një lëvizje strategjike, duke qenë se stili “athleisure” vazhdon të dominojë trendet ndërkombëtare.

    Adidas, një nga kompanitë më të mëdha të industrisë sportive në botë, ka bashkëpunuar ndër vite me artistë, sportistë dhe figura të njohura të showbiz-it, duke krijuar koleksione që shpesh kthehen në fenomene globale.

    Me këtë marrëveshje të re, Kendall Jenner forcon pozicionin e saj si një nga figurat më me ndikim në modë dhe kulturën pop, ndërsa fansat presin me interes projektet dhe koleksionet që pritet të vijnë në vijim.

  • Ndarja që tronditi fansat: Çfarë fshihet pas fundit të lidhjes së Cardi B?

    Ndarja që tronditi fansat: Çfarë fshihet pas fundit të lidhjes së Cardi B?

    Cardi B i ka dhënë fund marrëdhënies me ish-partnerin e saj, Offset, duke rikthyer në vëmendje një histori të trazuar që ka qenë shpesh në qendër të mediave rozë.

    Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, arsyeja kryesore e ndarjes lidhet me probleme të përsëritura besimi dhe tensione të vazhdueshme në çift. Burime pranë artistes kanë bërë të ditur se marrëdhënia kishte kohë që përballej me kriza, ndërsa përpjekjet për pajtim nuk arritën të stabilizonin situatën.

    Cardi B dhe Offset kanë pasur një histori të ndërlikuar, me ndarje dhe ribashkime të bujshme ndër vite. Edhe pse të dy janë përpjekur ta mbajnë jetën private larg syrit të publikut, deklaratat dhe postimet në rrjetet sociale shpesh kanë lënë të kuptohet se marrëdhënia ka qenë e mbushur me ulje-ngritje.

    Reperja ka lënë të kuptohet se vendimi për t’u ndarë ishte i vështirë, por i domosdoshëm për qetësinë dhe mirëqenien e saj personale. Ajo ka theksuar se prioritet mbeten fëmijët dhe karriera e saj muzikore.

    Lajmi i ndarjes ka shkaktuar reagime të shumta nga fansat, të cilët prej kohësh kanë ndjekur historinë e çiftit. Ndërsa asnjë deklaratë zyrtare e detajuar nuk ka zbuluar çdo prapaskenë, burimet sugjerojnë se bëhet fjalë për një vendim të menduar gjatë dhe jo për një impuls të momentit.

    Mbetet për t’u parë nëse kjo ndarje do të jetë përfundimtare apo nëse dyshja do të surprizojë sërish publikun me një kapitull të ri në të ardhmen.

  • Lupita Nyong’o rrëfen betejën 10-vjeçare me fibromat e mitrës: “Kam heshtur nga turpi”

    Lupita Nyong’o rrëfen betejën 10-vjeçare me fibromat e mitrës: “Kam heshtur nga turpi”

    Lupita Nyong’o ka folur hapur për një betejë personale që e ka shoqëruar për më shumë se një dekadë – përballjen me fibromat e mitrës. Aktorja fituese e çmimit Oscar ka treguar se për vite me radhë ka vuajtur në heshtje, duke e konsideruar këtë problem shëndetësor si diçka për të cilën ndjente turp të fliste publikisht.

    Sipas saj, simptomat kanë qenë të dhimbshme dhe të vazhdueshme, duke ndikuar jo vetëm në shëndetin fizik, por edhe në mirëqenien emocionale. “Ndihesha e vetme dhe e turpëruar. Nuk flisja për këtë, sepse mendoja se ishte diçka që duhej ta mbaja private,” është shprehur ajo.

    Fibromat e mitrës janë masa jo kanceroze që zhvillohen në mitër dhe prekin një përqindje të lartë grash në moshë riprodhuese. Ato mund të shkaktojnë gjakderdhje të shumtë, dhimbje të forta, fryrje abdominale dhe probleme me fertilitetin. Megjithatë, shumë gra hezitojnë të kërkojnë ndihmë për shkak të stigmës apo mungesës së informacionit.

    Lupita ka theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe të kontrollit të rregullt gjinekologjik, duke inkurajuar gratë të mos e injorojnë dhimbjen dhe të kërkojnë mbështetje mjekësore. Ajo shtoi se të folurit hapur për përvojën e saj ishte një hap çlirues dhe një mënyrë për të ndihmuar gra të tjera që përballen me të njëjtin problem.

    Rrëfimi i saj ka nxitur reagime të shumta pozitive në rrjetet sociale, me shumë gra që kanë ndarë historitë e tyre personale. Aktorja thekson se shëndeti riprodhues duhet të trajtohet pa turp dhe me më shumë mbështetje nga shoqëria dhe sistemi shëndetësor.

    Me këtë rrëfim të sinqertë, Lupita Nyong’o jo vetëm që ndan një kapitull të vështirë të jetës së saj, por edhe i jep zë një çështjeje që prek miliona gra në mbarë botën.

  • Marcus Thuram mund të largohet nga Inter në fund të sezonit

    Marcus Thuram mund të largohet nga Inter në fund të sezonit

    Marcus Thuram mund të largohet nga gjiganti italian Inter gjatë afatit kalimtar të verës.

    Burimet e brendshme të klubit bëjnë të ditur se sulmuesi nuk është më i paprekshëm në planet e Interit.

     

    Thuram u transferua te Nerazzurrët në korrik 2023 dhe ka një kontratë që zgjat deri më 30 qershor 2028 dhe vlerësohet rreth 60 milionë euro. Ky sezon, ai ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë 5 asiste në 32 ndeshje me Interin.

     

    Megjithatë, largimi i Thuram nuk pritet të ndikojë shumë në thellësinë e sulmit të Interit, për shka edhe të  konkurrencës me Lautaro Martinez, Francesco Esposito dhe Ange-Yoan Bonny.

     

    Sulmuesi francez ka tërhequr gjithashtu interesin e Barcelonës, dhe ky është një faktor që mund të shtyjë Interin të shqyrtojë çdo ofertë serioze për një nga lojtarët më të vlerësuar sulmues të tij.

  • Emri për president nga familja Jashari, Molliqaj: Shantazh ndaj Vjosa Osmanit

    Emri për president nga familja Jashari, Molliqaj: Shantazh ndaj Vjosa Osmanit

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka deklaruar se përfshirja e familjes Jashari në diskutimet për emrin e presidentit ka qenë, sipas tij, shantazh i Lëvizja Vetëvendosje ndaj presidentes aktuale Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.

    Molliqaj ka bërë thirrje që, siç u shpreh ai, të mos ndiqet agjenda e Qeverisë së Kosovës nga partitë që nuk pajtohen me të.

    Ai shtoi se opozita nuk duhet të bjerë, sipas tij, në skenarët që i përcakton pushteti.

    “Unë bëj thirrje që kontributin më të madh që mundem me e bë për Kosovën – kushdo që ndan bindje përafërsisht të njëjta ose s’pajtohet me qeverinë aktuale – është mos me e ndjekë agjendën e Qeverisë së Kosovës. Përndryshe, vazhdimisht ju e dini, një “Kosovë u çu” tha “nuk e voton Lista Serbe Albin Kurtin”, “po don me shku në zgjedhje”. I shtyni me i votu krejt. Prej tute, këta që s’e votuan Albinin, këta u bënë bashkë me i votu në pako. Tash, jo familja Jashari, hajde le t’i respektojmë secilin veç e veç, mos t’ua përfolim emrat atyre të cilët nuk po duan. Ky ka qenë shantazh ndaj Vjosa Osmanit, ky ka qenë me i afru partitë politike si LDK-ja e PDK-ja, që sot kur duan mos me e zgjedh tash presidentin, tash këta janë fajtorë. Pse i shkove në takim pa e ditë askush kush osht kandidat, as çfarë kriteresh ke? “Po shkoj po të veta”. PDK-ja del thotë “s’kam kandidat”, LDK-ja thotë “s’kam kandidat”, e çka ke lyp aty? Po prit t’ia qet kandidatin e mbaje mendimin pastaj. Prandaj nuk guxojmë ne me hy në atë që ata po duan. Ajo çka ata po duan është me e drejtu diskursin publik drejt tyre. Dhe mos harroni, opozitarët po dëmtohen më së shumti, sepse po thonë deklarata naive: një natë “s’e votojmë Listën Serbe”, nesër “e votojmë”; një natë “familja Jashari”, tjetrën “jo familja Jashari”. Kjo është për me i shërby hegjemonistit”, tha ai.

  • Houston Rockets dhe Denver Nuggets shënojnë fitore të rëndësishme në NBA

    Houston Rockets dhe Denver Nuggets shënojnë fitore të rëndësishme në NBA

    Janë zhvilluar ndeshje tejet interesante në ligën më të fortë të basketbollit në botë NBA.

    Houston Rockets ka mundur në shtëpi skuadrën e Sacramento Kings,dhe atë me rezultat 128:97.

    Reed Sheppard me 28 pikë dhe Alperen Sengun me 26 pikë ,13 kërcime e 11 asistime ishin basketbollistët më efikas tek Rockets,ndërkohë në anën tjetër Russel Ëestbrook me 22 pikë të realizuara ishte basketbollisti më efikas tek Kings.

    Në anën tjetër Denver Nuggets poashtu shënoi fitore në shtëpi,duke e mundur Boston Celtics me rezultat 103:84.

    Nikola Jokic me 30 pikë e 12 kërcime ishte basketbollisti më efikas tek Nuggets,teksa në anë tjetër për Celtics basketbollistët më të mirë ishin Jaylen Broën me 23 pikë e 11 kërcime si dhe Derrick White me 20 pikë të tjera.

  • Rama publikon nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët për Projektin e Varrezave të Kryeqytetit

    Rama publikon nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët për Projektin e Varrezave të Kryeqytetit

    Kryetari i Prishtina, Përparim Rama, ka bërë publik nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët për Projektin e Varrezave të Kryeqytetit, duke e cilësuar atë si një hap historik drejt rregullimit institucional dhe të barabartë të shërbimeve të varrimit në kryeqytet.

    Sipas njoftimit, prej disa muajsh Kryeqyteti ka zhvilluar një proces të strukturuar pune dhe koordinimi me përfaqësuesit e komuniteteve fetare, me qëllim inicimin e projektit për rregullimin dhe zhvillimin e Varrezave të Kryeqytetit si hapësirë e përbashkët qytetare.

    Deklarata është nënshkruar nga Hetem Sopjani, Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Agim Qerkini, Famullitar në Famullinë e Prishtinës, si dhe Pastor Driton Krasniqi nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës.

    Sipas Ramës, kjo marrëveshje përfaqëson pajtimin dhe vullnetin e përbashkët për ndërtimin e një modeli që:

    • garanton funksionimin e varrezave si hapësirë publike në shërbim të të gjithë banorëve dhe rezidentëve, pa dallim;

    • siguron respektimin e riteve dhe praktikave fetare sipas traditave përkatëse;

    • garanton administrim profesional, institucional dhe në përputhje me standardet e dinjitetit dhe respektit publik.

    Kryetari Rama theksoi se procesi është karakterizuar nga dialog i hapur, bashkëpunim konstruktiv dhe mirëkuptim ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe komuniteteve fetare, duke reflektuar frymën e bashkëjetesës dhe respektit që e karakterizon kryeqytetin.

    Ky projekt pritet të hapë rrugë për një organizim më të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës të shërbimeve të varrimit në Prishtinë.

  • Për 24 orë, rreth 15 mijë nënshkrime në peticionin e OVL UÇK-së për ish krerët e luftës

    Për 24 orë, rreth 15 mijë nënshkrime në peticionin e OVL UÇK-së për ish krerët e luftës

    Rreth 15 mijë nënshkrime janë mbledhur në peticionin i cili është hapur para 24 orëve nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për ish krerët e saj që po mbahen në Hagë nga Gjykata Speciale.

    Aktualisht janë 14,800 persona që kanë nënshkruar peticionin, përmes të cilit kërkohet që vendimi i cili pritet të merret, duhet të bazohet ekskluzivisht në prova dhe fakte të administruara në gjykim, transmeton Zeri.

    “ Çdo ndikim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë politik, do të dëmtonte rëndë kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare, e cila presim të jetë e paanshme dhe pa standarde të dyfishta”, thuhet në peticion.

    Peticionin mund ta nënshkruani KETU

    Më poshtë gjeni pesë pikat e kërkesës së këtij peticioni:

    Respektim të plotë dhe të pakushtëzuar të të drejtave themelore të të akuzuarve, respektim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; që garantojnë proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm, në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë.

    Trajtim dinjitoz dhe njerëzor, në përputhje me konventat ndërkombëtare për të drejtat e të paraburgosurve, duke garantuar respekt të plotë për integritetin fizik dhe psikologjik të tyre; përfshirë këtu edhe heqjen e menjëhershme të masës së paraburgimit, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e jashtëzakonshme të procesit dhe parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm.

    Vlerësim rigoroz, profesional dhe plotësisht të paanshëm të provave, në përputhje me standardet ndërkombëtare të pranueshmërisë, duke përjashtuar çdo provë që nuk përmbush kriteret e besueshmërisë, autenticitetit dhe ligjshmërisë procedurale.

    Përjashtim të menjëhershëm dhe të plotë të çdo prove të siguruar apo të pranuar nga autoritetet e Serbisë, duke pasur parasysh se Serbia asokohe ishte palë në luftë dhe është dokumentuar ndërkombëtarisht përfshirja e forcave të saj në krime dhe masakra të kryera në Kosovë. Pranimi i provave të prodhuara nga ta, paraqet rrezik serioz për integritetin e procesit dhe bie ndesh me parimin e paanshmërisë dhe barazisë.

    Eliminim të aplikimit të zgjeruar të konceptit të “përgjegjësisë komanduese”, pasi që në kontekstin e luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është paraqitur si organizim i armatosur i lindur nga rrethanat e vetëmbrojtjes së popullsisë dhe jo si ushtri shtetërore me zinxhir formal dhe të institucionalizuar komandimi. Parimi i përgjegjësisë penale në të drejtën ndërkombëtare është individual dhe nuk mund të zgjerohet në mënyrë kolektive apo abstrakte pa prova konkrete të kontrollit efektiv dhe urdhërdhënies së drejtpërdrejtë.

  • Tërnava e falënderon Turqinë për ndihmat ndaj popullit të Kosovës

    Tërnava e falënderon Turqinë për ndihmat ndaj popullit të Kosovës

    Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu, Naim Tërnava, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili.

    Myftiu Tërnava e ka falënderuar ambasadorin për ndihmën që shtetit turk i ka dhënë popullit të Kosovës.

    “Myftiu Tërnava e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe për urimet e përcjella, duke shprehur mirënjohje të thellë për shtetin mik turk për ndihmat e vazhdueshme që ka dhënë për popullin e Kosovës, e në veçanti për përkrahjen dhe ndihmat e ofruara në fillim të muajit Ramazan”, thotë BIK-u.

    Bashkësia Islame e Kosovës thotë se gjatë takimit, u vlerësua lart bashkëpunimi i deritanishëm mes BIKU-t dhe institucioneve të Turqisë, duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, në shërbim të besimtarëve dhe të shoqërisë në përgjithësi.