ATV

Blog

  • Papa u kërkon priftërinjve të mos përdorin inteligjencën artificiale për përgatitjen e ligjëratës fetare

    Papa u kërkon priftërinjve të mos përdorin inteligjencën artificiale për përgatitjen e ligjëratës fetare

    Papa Leo i XIV ka bërë thirrje që priftërinjtë të mos mbështeten te inteligjenca artificiale (AI) për të përgatitur ligjëratën fetare, duke theksuar se AI nuk mund të ndajë besimin dhe nuk zëvendëson përvojën personale dhe reflekimin shpirtëror të predikuesit.

    Gjatë një takimi me klerin e Dioqezës së Romës, Papa i paralajmëroi priftërinjtë për “tendencën për të përgatitur predikimet me AI” dhe i inkurajoi ata që të përdorin mendjen dhe reflektimin e tyre personal.

    Ai tha se truri duhet të përdoret, ashtu si çdo muskul i trupit – nëse nuk punohet me të, dobësohet.

    Papa gjithashtu nënvizoi se një ligjëratë fetare e vërtetë është ndarja e besimit, dhe se asnjë “chatbot” nuk mund ta bëjë këtë, pasi AI nuk mund të ndajë besimin e thellë personal që vjen nga meditimi, lutja dhe përvoja e jetuar shpirtërore.

    Ai nuk e hodhi poshtë teknologjinë në përgjithësi, por kërkoi vigjilencë dhe dallim në përdorimin e saj, duke theksuar se shërbimet fetare duhet të vijojnë të reflektojnë besimin dhe përvojën personale të priftërinjve për komunitetet që shërbejnë.

    Papa gjithashtu paralajmëroi për rrezikun e iluzioneve të botës digjitale, siç janë ndjekësit dhe pëlqimet në rrjetet sociale, duke kujtuar se predikimet shpirtërore nuk duhet të ngatërrohen me famën online.

  • Konjufca takon ambasadorin Guerot: Diskutohet forcimi i marrëdhënieve dypalëshe

    Konjufca takon ambasadorin Guerot: Diskutohet forcimi i marrëdhënieve dypalëshe

    Gjatë së enjtes, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufca mbajti takim me ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë Sh.T. Olivier Guerot në kuadër të takimeve të para pas formimit të qeverisë.

    Në këtë takim ambasadori Guérot e uroi zëvendëskryeministrin Konjufca për detyrën dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Francës për vazhdimin e partneritetit me Republikën e Kosovës.

    Gjatë takimit, sipas MPJD-së u diskutua forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe për thëllimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
    “Theks i veçantë iu kushtua mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe nxitjen e investimeve, si dhe forcimit të lidhjeve kulturore dhe akademike ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

    Ndërkaq, ministri Konjufca në takim theksoi rëndësinë e koordinimit me Francën për realizimin e objektivave ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë avancimin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

  • Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë

    Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit (IKN) në Kosovë ka shënuar rritje për 0,5 për qind në tremujorin e katërt (TM4) 2025, krahasuar me tremujorin e tretë (TM3) 2025, raporton KP.

    Sipas ASK-së, në këtë periudhë rritje është vërejtur te transporti (3,5%); pagat (1,2%); kostot e tjera (1,2%); materialet (0,3%) dhe energjia (0,2%). Ndërkohë, rënie është shënuar te makineritë (-0,1%).

    Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, përkatësisht TM4 2025 me TM4 2024, Indeksi i Kostos së Ndërtimit ka shënuar rritje për 3,5 për qind (sipas të dhënave detajuese 3,6%).

    Rritje më e theksuar në këtë krahasim vjetor është regjistruar te energjia (9,8%); pagat (8,1%); kostot e tjera (5,3%); transporti (4,4%) dhe materialet (2,6%). Ndërsa, rënie është evidentuar te makineritë (-0,4%).

  • Vdes boksieri Ruben Castillo pas betejës me kancerin

    Vdes boksieri Ruben Castillo pas betejës me kancerin

    Ylli i boksit, Ruben Castillo, i njohur si “Pushtuesi” dhe i cili luftoi në katër ndeshje për kampionatin botëror, ka ndërruar jetë në moshën 68-vjeçare pas një beteje me kancer.

    Castillo vdiq të mërkurën në Beaumont, Kaliforni, i rrethuar nga të afërmit e tij.

    Homazhet dhe mesazhet për nder të tij përfshinë një mesazh video nga Presidenti i World Boxing Council, Mauricio Sulaiman, i cili shprehu trishtimin për humbjen e legjendës së peshave të lehta.

  • Tragjike në Shkodër: 49-vjeçari humb jetën pasi bie nga çatia e banesës

    Tragjike në Shkodër: 49-vjeçari humb jetën pasi bie nga çatia e banesës

    Një 49-vjeçar me inicialet K.GJ ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga çatia e banesës së tij në fshatin Grudë e Re, në Shkodër.

    Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, ndërsa familjarët e kanë dërguar me urgjencë në Spitali Rajonal Shkodër. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.

    Sipas të dhënave paraprake, rënia dyshohet të ketë qenë aksidentale, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

  • Sa shpesh duhet të lani xhinset? Këshilla për t’i ruajtur si të reja

    Sa shpesh duhet të lani xhinset? Këshilla për t’i ruajtur si të reja

    Xhinset janë një pjesë thelbësore e garderobës, por shpesh lind dilema: sa shpesh duhet t’i lani? Ndërsa disa rroba kërkojnë larje të shpeshtë, xhinset mund të përdoren disa herë para se të futen në shportën e rrobave.

    Sipas një sondazhi në Instagram me 6,575 pjesëmarrës, 57% i lajnë xhinset pas çdo dy ose tre veshjesh, 29% vetëm kur është e nevojshme, 13% pas çdo veshjeje dhe 2% nuk i lajnë kurrë.

    Ekspertët rekomandojnë që xhinset të lahen rreth çdo 10 përdorimesh. Patric Richardson, themelues i The Laundry Evangelist, shpjegon: “Larja e shpeshtë i dëmton fibrat dhe shkakton zbehje ngjyre.”

    Disa situata kërkojnë larje më të shpeshtë, si punët e rënda, moti i nxehtë dhe njollat e dukshme. Për xhinset e papërpunuara (raw denim), ekspertët këshillojnë larje vetëm kur është e domosdoshme, duke lejuar që materiali të përshtatet me trupin dhe të zhvillojë një patinë natyrale.

    Megjithëse disa sugjerojnë ngrirjen e xhinseve për të eleminuar bakteret, kjo metodë nuk është efektive dhe nuk është higjienike.

    Për të zgjeruar jetën e xhinseve, përdorni këshillat e mëposhtme:

    • Lajini çdo 10 përdorime ose sipas nevojës;

    • Shmangni ujin e nxehtë për të ruajtur ngjyrën dhe formën;

    • Mbyllni zinxhirët dhe kopsat para larjes;

    • Lajini nga ana e brendshme;

    • Ndiqni udhëzimet e etiketës.

    Duke ndjekur këto këshilla, xhinset tuaja do të ruajnë pamjen dhe cilësinë për më gjatë, duke ju shoqëruar në stilin tuaj të përditshëm.

  • Bebe Rexha fiton sfidën në rrugët e Londrës dhe dhuron paratë për dikë në nevojë

    Bebe Rexha fiton sfidën në rrugët e Londrës dhe dhuron paratë për dikë në nevojë

    Këngëtarja me famë botërore, Bebe Rexha, u ndal së fundmi në rrugët e Londrës nga influencuesi i njohur i TikTok-ut, Shan Rizwan, i cili organizon sfida spontane për kalimtarët mbi njohuritë muzikore.

    Teksa po shëtiste së bashku me vëllanë e saj, Florentin, dhe kunatën Dorina, Rexha pranoi sfidën: të identifikonte tri këngë të Lauryn Hill, një prej artistëve të saj të preferuar. Sfida ishte e vështirë, pasi Rizwan zgjodhi tri këngë më pak të njohura: “That Thing”, “Ready Or Not” dhe “To Zion”.

    Bebe tregoi njohuritë e saj të thella muzikore dhe përfundoi sfidën me sukses, duke fituar 100 dollarë. Por në një gjest bujar, ajo vendosi të mos mbante paratë për vete. Ia dorëzoi shumën influencuesit dhe i kërkoi që t’i dhuronte personit të parë që do të takonte në rrugë.

    Video e këtij momenti u bë virale në TikTok, duke treguar një herë tjetër anën e thjeshtë dhe bujare të këngëtares, e cila, pavarësisht suksesit ndërkombëtar, vazhdon të mbetet e afërt me fansat dhe e gatshme për momente spontane në rrugë.

    https://www.instagram.com/reel/DVMg7JWkW57/?utm_source=ig_embed&ig_rid=131ce16c-9dbb-4391-b322-7b0f75509a11

     

  • Premiera e “Nemesis” sjell reflektim mbi pushtetin në Teatrin Kombëtar të Kosovës

    Premiera e “Nemesis” sjell reflektim mbi pushtetin në Teatrin Kombëtar të Kosovës

    Shfaqja “Nemesis”, me regji të Florent Mehmetit, do të ngjitet në skenë me premierë më 3 mars 2026 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

    Produksion i Teatrit ODA, drama është shkruar nga Lirak Çelaj dhe Florent Mehmeti, duke ofruar një trajtim artistik mbi rrugëtimet dhe fatet e pushtetit dhe forcës, si parakushte të suksesit, por edhe si faktorë që mund të çojnë në degradimin e personalitetit.

    “Nemesis” ndërthur referenca historike me elemente nga neurokimi, duke eksploruar mënyrën se si sjellja dhe mendja e njeriut ngurtësohen ose sforcohen, dhe si këto procese ndikojnë në vendimmarrje dhe etikë personale.

    Reprizat e shfaqjes do të jepen më 4 dhe 7 mars 2026, duke i dhënë publikut mundësi të shumta për të përjetuar këtë produksion që premton të nxisë reflektim mbi natyrën e pushtetit dhe pasojat e tij në jetën e individëve dhe shoqërisë.

  • Takimi Osmani-Prattipati, Presidenca del me njoftim të gjatë, përmenden takimet me Trump e Rubio

    Takimi Osmani-Prattipati, Presidenca del me njoftim të gjatë, përmenden takimet me Trump e Rubio

    Presidenca ka reaguar pas takimit që presidentja Vjosa Osmani, ka pasur ditën e sotme me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati. Në komunikatën për media, thuhet se gjatë takimi është diskutuar vizita e Osmanit në SHBA, dhe se, presidentja ka shprehur mirënjohje për ftesën që Kosova të jetë bashkëthemeluese e Bordit të Paqes.

    Në njoftim shtohet edhe se, në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, ku theksi është vendosur mbi rëndësinë e përmbylljes së ‘’ proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional’’.

    Po ashtu, bëhet e ditur se, Osmani ka veçuar edhe çështjet e diskutuara në takimin me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar diskutimet e fokusuara në avancimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, me theks në sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen.

    ‘‘Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani vuri në pah edhe përmirësimet e dukshme në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në veri të vendit, të reflektuara në raportet e fundit të Policisë së Kosovës për rendin dhe ligjin gjatë vitit 2025. Sipas këtyre të dhënave, konfirmohet një situatë dukshëm më e qetë dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët në atë pjesë të vendit’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

    Postimi i plotë:

    Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati, me të cilën diskutoi për vizitën e saj të fundit në SHBA dhe takimet me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, zhvillimet e fundit në vend, si dhe çështje të ndryshme me interes të përbashkët.

    Presidentja Osmani shprehu edhe njëherë mirënjohje për ftesën e Presidentit amerikan, Donald Trump, që Kosova të jetë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes, si dhe për garancat e dhëna për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për angazhim dhe kontribut të vazhdueshëm.

    Ajo veçoi po ashtu çështjet e diskutuara në takimin me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar diskutimet e fokusuara në avancimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, me theks në sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen. Presidentja ritheksoi rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO-s si faktor kyç për stabilitetin, si dhe theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë.

    Me këtë rast, Presidentja Osmani nënvizoi sërish rëndësinë e vijimit të dialogut strategjik bilateral, duke theksuar se partneriteti me SHBA-të është interes jetik dhe ekzistencial për Republikën e Kosovës.

    Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve.

    Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani vuri në pah edhe përmirësimet e dukshme në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në veri të vendit, të reflektuara në raportet e fundit të Policisë së Kosovës për rendin dhe ligjin gjatë vitit 2025. Sipas këtyre të dhënave, konfirmohet një situatë dukshëm më e qetë dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët në atë pjesë të vendit.

  • Kinematë në rajon raportojnë rritje të numrit të shikuesve në fillim të 2026

    Kinematë në rajon raportojnë rritje të numrit të shikuesve në fillim të 2026

    Pas disa viteve sfiduese për industrinë e kinemasë, fillimi i vitit 2026 ka sjellë shenja pozitive për sallat e filmit në rajon. Sipas të dhënave paraprake nga distributorët, numri i shikuesve ka shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke dhënë sinjale të qarta për një rikthim të qëndrueshëm të publikut në kinema.

    Kjo rritje lidhet me premierat e disa filmave të shumëpritur, por edhe me ndryshimin e qasjes së operatorëve të kinemave, të cilët kanë investuar në teknologji më moderne, sisteme të avancuara të zërit dhe komoditet më të madh për shikuesit. Përvoja e ekranit të madh po rikthehet si një formë argëtimi që nuk mund të zëvendësohet plotësisht nga platformat streaming.

    Përfaqësues të industrisë theksojnë se publiku po kërkon përvoja kolektive, emocione të përbashkëta dhe ndjesinë unike që ofron salla e errët e kinemasë. Eventet speciale, premierat me tapet të kuq dhe shfaqjet ekskluzive po ndikojnë gjithashtu në rritjen e interesimit.

    Ekspertët parashikojnë se nëse ky trend vazhdon edhe në muajt në vijim, viti 2026 mund të konsiderohet si një nga periudhat e rikuperimit më të suksesshëm për industrinë e kinemasë në rajon, duke forcuar edhe më tej pozitën e saj në tregun e argëtimit.