ATV

Blog

  • Dokumentarët po marrin gjithnjë e më shumë hapësirë në platformat streaming

    Dokumentarët po marrin gjithnjë e më shumë hapësirë në platformat streaming

    Viti 2026 po shënon një rritje të dukshme të interesimit për filmat dokumentarë në platformat streaming. Prodhime që trajtojnë histori të vërteta, krime reale, figura publike apo tema sociale po rezultojnë ndër më të shikuarat në disa platforma ndërkombëtare, duke konkurruar madje edhe me serialet dramatike apo filmat artistikë me buxhet të lartë.

    Ekspertët e industrisë thonë se publiku po kërkon përmbajtje autentike dhe të bazuar në fakte, duke e kthyer dokumentarin në një nga zhanret më të fuqishme të momentit. Investimet në këtë kategori janë rritur ndjeshëm, ndërsa shumë regjisorë të njohur po i rikthehen këtij formati me projekte ambicioze që kombinojnë rrëfimin kinematografik me gazetarinë hulumtuese.

    Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë rritje është mënyra e re e realizimit të dokumentarëve, me produksion më cilësor, arkiva të pasura filmike dhe intervista ekskluzive që i japin dimension më të thellë historive të trajtuara. Platforma të ndryshme po investojnë në seri dokumentare me disa episode, duke krijuar një përvojë të ngjashme me serialet dramatike, por të bazuar në ngjarje reale.

    Ky trend tregon se shikuesi modern nuk kërkon vetëm argëtim, por edhe informacion, analizë dhe histori që lënë gjurmë. Dokumentari, nga një zhanër i konsideruar dikur dytësor, sot po shndërrohet në një nga shtyllat kryesore të industrisë së filmit dhe televizionit.

  • Ra në burg kur vajza e tij ishte veç 20-ditëshe, kur doli ajo ishte rritur – Selatin Novosella rrëfen takimin e parë me të bijën

    Ra në burg kur vajza e tij ishte veç 20-ditëshe, kur doli ajo ishte rritur – Selatin Novosella rrëfen takimin e parë me të bijën

    Veprimtari dhe publicisti i njohur, Selatin Novosella, ka ndarë një histori prekëse nga jeta e tij në emisionin “LIBERO” në ATV.

    Ai, i cili ishte i burgosur politik katër herë, ka rrëfyer takimin e parë me vajzën e tij, që e kishte lënë vetëm 20-ditëshe kur ai u arrestua.

    Në një intervistë të hapur dhe emocionuese, Novosella ka përshkruar se si, kur doli nga burgu pas një periudhe të gjatë, vajza e tij tashmë kishte ndryshuar.

    Për të, takimi me të pas kaq shumë vitesh ishte një moment i mbushur me emocione të thella, pasi ai kishte humbur shumë kohë me të.

    “Donika, vajza ime ishte veç 20 ditëshe kur unë u burgosa, ndërsa Valoni ishte 20-muajsh. Kur dola nga burgu, Valonin e gjeta në shkollë dhe Donikën e gjeta të rritur,” tha Novosella, ndërsa i referohej një fotografie të tyre të cilën e mbante në prapavijë.

    Në intervistën e tij, Novosella foli gjithashtu për përvojat e tij si i burgosur politik dhe ndikimin që ato kishin në jetën e tij personale dhe familjare, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes familjare gjatë periudhave të vështira.

  • Victor Osimhen:Nuk do të doja të luaj kundër Liverpool-it në 1/8 e finales

    Victor Osimhen:Nuk do të doja të luaj kundër Liverpool-it në 1/8 e finales

    Sulmuesi nigerian Victor Osimhen ka folur pas kuafikimit të Galatasaray-it në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve,ku ndihmoi gjigantin turk ta eliminonte gjigantin italian Juventus.

    Osimhen ka deklaruar për kundërshtarët potencialë të Galatës në këtë fazë,dhe nigeriani ka deklaruar se nuk do të dëshironte Liverpoolin si kundërshtar.

    “Dua të jem i sinqertë me ju, takimi me Liverpoolin tani do të jetë si një lloj hakmarrjeje. “Kushdo që takojmë tani… nuk do të thoja shumë, por do të doja të largohesha nga Liverpooli. Por nëse vijnë, po, do ta gërmojmë, edhe pse nuk do të jetë e lehtë”

    Përndryshe Osimhen shton në Ligën e Kampionëve nuk ka kundërshtarë të lehtë,ndërkohë për një ndeshje të mundshme me kampionët e Premierligës thotë se nuk do të jetë e lehtë,por shton se skuadra do ta përballojë atë sikurse në ndeshjen e zhvilluar në fazën e ligës.

    Kujtojmë që Galatasaray kaloi në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 7:5 ndaj Juventus-it,dhe Victor Osimhen shënoi gol në minutën e 105-të të ndeshjes.

  • Manuel Neuer pritet të vendos për të ardhmen e tij gjatë javëve të ardhshme

    Manuel Neuer pritet të vendos për të ardhmen e tij gjatë javëve të ardhshme

    Një ndër portierët më të mirë të dekadës së fundit Manuel Neuer ka hyrë në sezonin e tij të fundit tek Bayern Munich.

    Neuer ka kontratë deri në qershor të këtij viti,dhe se portieri gjerman nuk ka vendosur ende për të ardhmen e tij.

    Përndryshe gazeta gjermane Kicker bën të ditur se Neuer pritet të marrë një vendim lidhur të ardhmen në javët e ardhshme,ndërkohë mbetet të shihet se nëse 39 vjeçari do të qëndrojë edhe për një sezon në Allianz Arena apo do t’i jap fund karrierës.

    Kujtojmë që Manuel Neuer ka zhvilluar 28 ndeshje për Bayern Munichun këtë sezon,kurse në anën tjetër në 9 ndeshje e mbajti portën të paprekur.

  • Hoti: Gjatë këtij viti, ligji për statusin e veteranëve do t’i nënshtrohet vlerësimit

    Hoti: Gjatë këtij viti, ligji për statusin e veteranëve do t’i nënshtrohet vlerësimit

    Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka listuar projektligjet që do të procedohen këtë vit, bashkë me ligjet që parashikohet t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit.

    Përmes një njoftimi, Hoti u shpreh se këto ligje dhe projektligje prekin drejtpërdrejt kategoritë më të ndjeshme dhe shtyllat kryesore të drejtësisë sociale në vend.

    Në mesin e projektligjeve për procedim është ai për skemën e ndihmës sociale, për personat e zhdukur, për punën, sigurinë dhe shëndetin në punë.

    “Vlerësimi ex-post ka për qëllim të analizojë zbatimin praktik të ligjeve, efektet e tyre në terren, si dhe nevojën eventuale për ndryshime apo plotësime” deklaroi Hoti.

    Ai po ashtu bëri me dije se ligjet që gjatë këtij viti do t’i nënshtrohen vlerësimit janë: luigji për skemat pensionale, ligji për veteranët e luftës së UÇK-së, si dhe ai për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre./EO/

  • Për herë të parë, Belgjika ndriçon rrugët për muajin e Ramazanit

    Për herë të parë, Belgjika ndriçon rrugët për muajin e Ramazanit

    Për herë të parë, qyteti i Ghentit në Belgjikë ka ndriçuar dy nga rrugët e tij më të ngarkuara tregtare me drita festive të Ramazanit, duke hedhur një shkëlqim të ngrohtë mbi muajin e agjërimit.

    Iniciativa, e udhëhequr nga Shoqata e Xhamive të Ghentit (VGM) në bashkëpunim me shitësit vendas, ka transformuar Bevrijdingslaan-Phoenixstraat në lagjen Brugse Poort dhe Wondelgemstraat në lagjen Rabot në korridore ndriçuese që shënojnë Ramazanin.

    Të vendosura në ditët para muajit të shenjtë, dritat do të qëndrojnë në vend deri në festën e Fitër Bajramit që shënon fundin e Ramazanit.

    “Kjo është një iniciativë që është e para e këtij lloji në të gjithë Belgjikën, askund tjetër nuk janë varur dritat në Belgjikë”, tha Mohamed Abd El Motleb Omar, kryetar i VGM.

    Koncepti mori formë katër vjet më parë pasi dekorime të ngjashme të Ramazanit u shfaqën në Londër.

    Tregtarët vendas më vonë i dhanë mandat shoqatës që të merrej me aspektet procedurale dhe operacionale të sjelljes së dritave në Belgjikë, përfshirë sigurimin e lejeve.

    “Nuk u financua nga këshilli bashkiak. U financua 100 për qind nga tregtarët vendas”, theksoi Omar.

    VGM përfaqëson 23 xhami në të gjithë Ghentin dhe punon për të mbështetur komunitetin mysliman, duke nxitur bashkëpunimin midis kongregacioneve të ndryshme, përfshirë ato me origjinë turke, marokene, afgane dhe pakistaneze. /AA/

  • Arsim Bajrami vihet në dispozicion për President, u shkruan letër katër liderëve partiakë

    Arsim Bajrami vihet në dispozicion për President, u shkruan letër katër liderëve partiakë

    Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka shprehur gatishmëri për të qenë njëri nga kandidatët konsensual për president të vendit.

    Ai i ka publikuar në Facebook një letër të gjatë drejtuar liderëve të katër partive kryesore politike në vend.

    “Shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si njëri prej kandidatëve konsensual për President të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër tjerash në letrën publike të Bajramit.

    Profesori ka bërë thirrje për “unitet politik” për zgjedhjen e Presidentit.

    Ai ka përmendur momentin e rëndësishëm për stabilitet institucional, sfidat gjeopolitike, përvojën e tij, si arsye se i plotëson “kushtet profesionale, politike dhe morale” për këtë pozitë.

    Letra e plotë e Arsim Bajramit:

    Thirrje për unitet politik për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës

    I nderuar Z. Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje,

    I nderuar Z. Bedri Hamza, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës,

    I nderuar Z. Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës,

    I nderuar Z. Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,

    Në këtë moment të rëndësishëm për stabilitetin institucional dhe funksionimin kushtetues të Republikës së Kosovës, ju drejtohem me thirrjen që, përtej dallimeve politike dhe interesave partiake, të ndërtohet një unitet politik konsensual për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me qëllim të shmangies së krizave të panevojshme institucionale, rrezikut të shpërndarjes së Kuvendit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

    Duke pasur parasysh sfidat komplekse gjeopolitike dhe të sigurisë me të cilat përballet Republika e Kosovës, të cilat kërkojnë maturi shtetërore, unitet politik dhe përgjegjësi të lartë institucionale;

    Duke marrë në konsideratë nevojën imperative për përmbylljen e qëndrueshme të procesit të shtetndërtimit, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, parimin e sovranitetit shtetëror dhe orientimin euroatlantik të vendit;

    Duke çmuar rolin kushtetues të Presidentit të Republikës si figurë unifikuese, mbi-partiake dhe përfaqësuese e unitetit politik dhe qytetar të popullit të Kosovës;

    Duke u bazuar në përvojën time shumëvjeçare në të gjitha fazat kyçe të shtetndërtimit të Kosovës që nga viti 1990, përfshirë rezistencën institucionale, ndërtimin e rendit kushtetues dhe proceset vendimtare të tranzicionit politik;

    Duke qenë njëri ndër hartuesit e të gjitha akteve themelore kushtetuese të Kosovës, si dhe duke dhënë kontributin tim politik, juridik dhe institucional gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në funksion të realizimit të së drejtës së popullit të Kosovës për liri, vetëvendosje dhe shtet të pavarur;

    Duke pasur përvojë të drejtpërdrejtë në negociatat ndërkombëtare për lirinë e Kosovës në Rambuje dhe për pavarësinë e saj në procesin e bisedimeve të Vjenës;

    Duke njohur në mënyrë të thelluar sistemin kushtetues, juridik dhe institucional të Republikës së Kosovës, si dhe mekanizmat e funksionimit të institucioneve në plan vendor dhe ndërkombëtar;

    Duke ndërtuar ndër vite bashkëpunim institucional korrekt, dialog politik konstruktiv dhe respekt reciprok me të gjitha subjektet politike;

    Me bindje se i plotësoj kushtet profesionale, politike dhe morale për një kandidaturë konsensuale në funksion të unitetit politik dhe funksionimit kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës,

    Shpreh gatishmërinë time për të vënë veten në dispozicion të institucioneve dhe të spektrit politik dhe të qytetarëve të vendit si njëri prej kandidatëve konsensual për President të Republikës së Kosovës, me përkushtim të plotë ndaj unitetit kombëtar, forcimit të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe përmbylljes të procesit të shtetndërtimit, në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës.

    Njëkohësisht, vlerësoj lartë qëndrimin dinjitoz, parimor dhe shtetformues të kolegut dhe mikut tim të fakultetit,Prof.dr.Murat Jashari dhe të familjes Jashari, të cilët, në frymën e përgjegjësisë kombëtare dhe respektit për sakrificën historike të familjes heroike dëshmuan edhe njëherë vigjilencen e lartë kombëtare.

    Ju, shpreh gatishmërinë time për angazhim të vazhdueshëm institucional, akademik dhe publik në mbrojtje të karakterit çlirimtar dhe të drejtë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe, kundër çdo përpjekjeje për demonizimin e saj apo për rishikimin selektiv e diskriminues të historisë nga Dhomat e Specializuara, në kundërshtim me parimet themelore të drejtësisë dhe të së vërtetës historike.

    Me respekt të veçantë institucional,

    Prof. Dr. Arsim Bajrami

    Anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

    Anëtar i rregullt i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave

    Anëtar i rregullt i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve

  • Barku i fryrë? Ja shkaqet kryesore dhe zgjidhjet natyrale përmes ushqimit

    Barku i fryrë? Ja shkaqet kryesore dhe zgjidhjet natyrale përmes ushqimit

    Fryrja e barkut është një nga shqetësimet më të zakonshme të sistemit tretës. Ajo shoqërohet me ndjesi tensioni, gazra dhe parehati, shpesh pas vakteve. Edhe pse zakonisht nuk është problem serioz, fryrja e shpeshtë mund të sinjalizojë çrregullime në mënyrën e ushqyerjes ose në funksionimin e zorrëve.

    Sipas ekspertëve të Mayo Clinic, fryrja lidhet më së shumti me grumbullimin e gazrave në traktin tretës, intolerancat ushqimore ose kapsllëkun.

    Çfarë e shkakton fryrjen?

    Ngrënia e shpejtë – Gëlltitja e ajrit gjatë ngrënies rrit formimin e gazrave.
    Ushqime të caktuara – Fasulet, lakra, pijet e gazuara dhe ushqimet shumë të yndyrshme.
    Intoleranca ndaj laktozës ose glutenit – Organizmi ka vështirësi në tretjen e tyre.
    Stresi – Ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit tretës.
    Kapsllëku – Ngadalëson lëvizjen e zorrëve dhe rrit ndjesinë e fryrjes.

    Si ta luftoni natyrshëm përmes ushqimit?

    1. Shtoni fibra gradualisht
    Perimet, frutat dhe drithërat integrale ndihmojnë tretjen, por duhet të shtohen me kujdes për të shmangur gazrat.

    2. Konsumoni probiotikë
    Kos natyral, kefir apo ushqime të fermentuara ndihmojnë balancën e florës së zorrëve.

    3. Pini më shumë ujë
    Hidratimi ndihmon lëvizjen e rregullt të zorrëve dhe parandalon kapsllëkun.

    4. Zgjidhni çajra bimorë
    Çaji i kamomilit, mentes ose xhenxhefilit mund të qetësojë sistemin tretës.

    5. Hani ngadalë dhe përtypni mirë
    Kjo ul sasinë e ajrit të gëlltitur dhe përmirëson tretjen.

    Nëse fryrja shoqërohet me dhimbje të forta, humbje peshe apo ndryshime të theksuara në jashtëqitje, këshillohet konsultë mjekësore për të përjashtuar probleme më serioze.

    Një ushqyerje e balancuar, ritëm i rregullt vaktesh dhe kujdes ndaj sinjaleve të trupit janë çelësi për një bark të qetë dhe një tretje më të shëndetshme.

  • Kurti: 26 shkurti, ditë kujtese për Demaçin dhe Deharin

    Kurti: 26 shkurti, ditë kujtese për Demaçin dhe Deharin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar figurat e Adem Demaçin dhe Astrit Deharin, të cilët po të ishin gjallë do të festonin ditëlindjen më 26 shkurt.

    Përmes një mesazhi publik, ai theksoi rolin dhe kontributin e tyre në rrugëtimin për liri, drejtësi dhe Republikën e Kosovës.

    Duke vlerësuar figurën e Adem Demaçit, kryeministri e cilësoi atë si emrin më të shquar të përpjekjes së gjatë të popullit shqiptar për organizim të gjerë në funksion të lirisë dhe bashkimit kombëtar, për drejtësi dhe për Kosovën Republikë.

    “Adem Demaçi është emri më i shquar i përpjekjes së gjatë të popullit shqiptar rreth organizimit të gjerë për liri e bashkim kombëtar, për drejtësi dhe Kosovën Republikë. Astrit Dehari është emri më i dalluar ndër aktivistët e rinj të vazhdimit të së njëjtës përpjekje për Republikën e Kosovës, për emancipim e shqiptari, për barazi e përkujdesje për të gjithë. Ditëlindja e tyre nuk është veç një numër kalendarik (26 shkurt), por shifër domethëniesh të thella që vijojnë të na frymëzojnë dhe tregojnë me bindje rrugën tonë përpara”, ka shkruar kreu i qeverisë.

  • Harmonia e rreme: Pse shmangia e konflikteve mund të dëmtojë marrëdhënien tuaj

    Harmonia e rreme: Pse shmangia e konflikteve mund të dëmtojë marrëdhënien tuaj

    Në shumë çifte ekziston bindja se “sa më pak debate, aq më e fortë marrëdhënia”. Por psikologët paralajmërojnë se shmangia e konflikteve nuk është domosdoshmërisht shenjë harmonie – shpesh është tregues i frikës, pasigurisë ose mungesës së komunikimit të sinqertë.

    Sipas studimeve mbi dinamikat në çift, përfshirë kërkimet e kryera nga John Gottman, mënyra si menaxhohen konfliktet është shumë më e rëndësishme sesa vetë ekzistenca e tyre. Çiftet që i adresojnë problemet hapur dhe me respekt kanë më shumë gjasa të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata dhe të qëndrueshme.

    Çfarë ndodh kur konfliktet shmangen?

    Grumbullim emocionesh të papërpunuara
    Pakënaqësitë e vogla, kur nuk diskutohen, kthehen në frustrim të madh me kalimin e kohës.

    Humbje e intimitetit emocional
    Kur partnerët nuk ndihen të lirë të shprehin mendimet apo pakënaqësitë, krijohet distancë emocionale.

    Komunikim sipërfaqësor
    Marrëdhënia mund të duket e qetë në sipërfaqe, por mungon thellësia dhe ndershmëria.

    Shpërthime të papritura
    Çështjet e pazgjidhura shpesh shpërthejnë në momente të papërshtatshme dhe në mënyrë disproporcionale.

    Ekspertët theksojnë se konflikti i shëndetshëm nuk nënkupton britma apo fyerje. Përkundrazi, ai përfshin dëgjim aktiv, respekt dhe gatishmëri për kompromis. Të shprehësh një shqetësim nuk do të thotë të rrezikosh marrëdhënien – përkundrazi, është një mënyrë për ta forcuar atë.

    Në fund, një marrëdhënie e fortë nuk është ajo pa konflikte, por ajo ku të dy partnerët ndihen të sigurt për të folur hapur, për të mos rënë dakord dhe për të gjetur zgjidhje së bashku.