ATV

Blog

  • BE-ja riafirmon mbështetjen për dialogun Kosovë – Serbi, bën thirrje për zbatim të marrëveshjeve

    BE-ja riafirmon mbështetjen për dialogun Kosovë – Serbi, bën thirrje për zbatim të marrëveshjeve

    Pas takimit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Bruksel është publikuar në mbrëmje një deklaratë 20 pikëshe. 

    Në deklaratë është përmendur edhe riafirmimi i plotë për dialogun Kosovë – Serbi. 

    Në pikën gjashtë të deklaratës thuhet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës. 

    BE-ja ka inkurajuar palët që të shfrytëzojnë momentin politik për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të bëhet progres konkret pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. 

    “Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun Beograd–Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë dhe mbështetet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së. Ne i inkurajojmë të dy partnerët që të shfrytëzojnë momentumin aktual politik për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në Dialog dhe për të bërë progres konkret, pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve, i shoqëruar me përparim të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në deklaratë. 

    Në deklaratë është theksuar nevoja për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Është përsëritur angazhimi i plotë dhe i qartë ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ndërsa është riafirmuar rëndësia e zgjerimit si një investim gjeostragjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin evropian. 

    “Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të besueshme, veçanërisht në fushën e themeloreve, si dhe të përmbushin angazhimet e nevojshme për të përparuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ne mirëpresim dinamizmin dhe progresin e arritur nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE që nga Samiti i fundit. Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, bazuar në reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave të veta, është në interesin tonë të përbashkët. Paralelisht, dhe në përputhje me Deklaratën e Granadës, BE-ja duhet të vazhdojë me përgatitjet dhe reformat e veta për një Bashkim Evropian më të zgjeruar”, thuhet në deklaratë. 

    Është përsëritur rëndësia e angazhimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’i mbështetur vlerat dhe parimet evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Është thënë se çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohim i gjenocidit apo revizionizëm bien ndesh me vlerat themelore evropiane. 

    “Liria e shprehjes, media e pavarur dhe pluraliste, barazia gjinore dhe roli i fuqishëm i shoqërisë civile janë vendimtarë për të garantuar funksionimin e demokracisë. Ne ripërsërisim thirrjen tonë drejtuar partnerëve për të garantuar të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave. Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane. Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të nxisin një kulturë respekti dhe solidariteti ndaj të gjitha viktimave dhe të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendase në lidhje me krimet e luftës”, thuhet në deklaratë. 

    Është theksuar rëndësia e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal, pajtimit dhe marrëdhënies së fqinjësisë së mirë. 

  • Haxhiu: Kosova sot është më larg se kurrë anëtarësimit në BE

    Haxhiu: Kosova sot është më larg se kurrë anëtarësimit në BE

    Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka thënë se Kosova është më larg se kurrë miqve ndërkombëtarë dhe anëtarësimit në BE.

    Këto komente ajo i bëri në emisionin Compass me Ilir Berishën, duke folur për samitin BE-Ballkani Perëndimor.

    Haxhiu theksoi se Aleanca e mbështet procesin e integrimit por që s’mund ta bëjë punën e qeverisë.

  • Haliti flet për vrasjet e pasluftës, përmend Besian Mustafën: Pak a shumë e di kush ia ka vrarë babanë

    Haliti flet për vrasjet e pasluftës, përmend Besian Mustafën: Pak a shumë e di kush ia ka vrarë babanë

    Çështja e vrasjeve politike të pasluftës në Kosovë është rikthyer sërish në fokus të diskutimeve publike, pas deklaratave të fundit të Xhavit Halitit, i cili ka folur lidhur me ndjeshmërinë e këtyre rasteve dhe nevojën për qartësimin e tyre.

    Haliti ka deklaruar se për zhvillimet e asaj kohe ekzistojnë dokumente dhe dëshmi të mjaftueshme, duke vlerësuar se është e domosdoshme që këto çështje të sqarohen përfundimisht, në mënyrë që të shmangen thashethemet dhe dyshimet në opinion.

    “Gjithçka ka ndodhur, ka letra, ka dosje, gjithkush ka dëshmuar ose ka folur. Për me e spastru, mos me fol vesh më vesh me njëri-tjetrin, më mirë është të mbyllen gjërat. Siç janë mbyllur”, ka thënë ai gjatë një interviste në ATV me Leart Hoxhën.

    Duke komentuar perceptimet e krijuara në publik, Haliti është shprehur se po krijohet përshtypja e etiketimit të figurave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, çka sipas tij e bën edhe më të ndjeshme trajtimin e kësaj teme.

    Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe deputetin e LDK-së, Besian Mustafa, djalin e veprimtarit të vrarë Xhemajl Mustafa, duke deklaruar se ai mund të ketë njohuri rreth rrethanave të vrasjes së të atit ose është në kërkim të ndihmës për zbardhjen e plotë të rastit.

    “Aty ka deputetë si zoti Mustafa që ia kanë vrarë babanë. Ai pak a shumë e di kush ia ka vrarë babanë. Kanë qarkulluar lloj-lloj të dhënash, ose nuk e di, por kërkon ndihmë për ta zbuluar”, ka deklaruar Haliti.

    Vrasjet e pasluftës mbeten një nga temat më të ndjeshme në Kosovë, ndërsa familjarët e viktimave dhe opinioni publik vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe ndriçim të plotë të këtyre rasteve.

  • Rama: Me mua kryeministër, Kosova si Singapori

    Rama: Me mua kryeministër, Kosova si Singapori

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nisur të japë premtime për punët që do t’i kryente po që se bëhet kryeministër.

    Në inaugurimin e një pjese të Rrugës A të mërkurën, Rama në një deklaratë për mediat ka thënë se “si kryeministër synon që Kosova të jetë si Singapori”.

    Ai ka kritikuar Qeverinë Kurti se e ka bllokuar dhe sabotuar në punën e deritashme.

    “Do të ishte më e lehtë nëse s’do të na bllokonin e sabotonin. E me na ndihmu paramendojeni se çka do të bënim. Do të bënim vend fenomenal. Vetëm duhet një qeveri bashkëpunuese e jo sabotuese. Si kryeministër, synojmë që Kosova të jetë si Singapori apo si vendet e zhvilluara sepse kemi rini të mrekullueshme, potencial të mrekullueshëm të zhvillimit. Mundemi ta bëjmë, vetëm duhet mendësi zhvillimi e jo që të merremi me të kaluarën e t’ia lëmë fajin tjetërkujt. Për kryeministër, çka them e bëj”, ka deklaruar ai.

    Rama në vazhdimësi ka akuzuar Qeverinë për pengesa.

  • BE publikon pamje nga samiti me liderët e rajonit, Kurti në takimin e parë me Marta Kos pas këngës nacionaliste

    BE publikon pamje nga samiti me liderët e rajonit, Kurti në takimin e parë me Marta Kos pas këngës nacionaliste

    Bashkimi Evropian ka publikuar pamje nga takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti aty shihet  duke biseduar  me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

    Takimi mes tyre  vjen në një kohë kur marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit janë përcjellë me reagime që u shkaktuan nga  interpretimi i këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë koncertit hapës të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, më 15 nëntor.

    Kënga, e cila përmban pretendime nacionaliste serbe mbi Kosovën, u interpretua nga grupi slloven “Marko Hatlak & Kapobanda”.

     Zyrtarë të nstitucioneve të Kosovës e cilësuan incidentin si skandaloz dhe të papranueshëm, ndërsa ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, kërkoi sqarime nga Komisioni Evropian.

    Vetë Marta Kos shprehu keqardhje për interpretimin e këngës, duke theksuar se ajo nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian dhe as qëndrimin e saj ndaj Kosovës.

    Ajo konfirmoi gjithashtu se kishte kontaktuar Kurtin për t’i shprehur keqardhjen për atë që kishte ndodhur, duke thënë se një situatë e tillë nuk është dashur të ndodhte.

  • Kurti në Bruksel: Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat në BE, procesi është vonuar prej kohësh

    Kurti në Bruksel: Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat në BE, procesi është vonuar prej kohësh

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kosovës t’i jepet sa më parë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. gjatë mbërritjes së tij në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Kurti theksoi se Kosova ka pritur prej kohësh për këtë hap dhe se avancimi i saj drejt integrimit evropian bazohet në meritë dhe në progresin e arritur në disa fusha.

    Deklarata e plotë:

    “Jam shumë i lumtur që jam në Bruksel. Presim një shkëmbim konstruktiv idesh dhe mendimesh për rrugën përpara. Presim statusin e vendit kandidat për vendin tonë. Është vonuar prej kohësh. Kemi dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE dhe jemi i vetmi vend pa statusin e kandidatit. Nuk po kërkojmë favore, por njohjen e përparimit të Kosovës, të zhvillimit demokratik, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe luftës kundër korrupsionit. Statusi i vendit kandidat jo vetëm që është shumë i rëndësishëm, por është edhe çështje urgjente. Çdo muaj ka zgjedhje në kontinentin tonë dhe çdo gjë ka rëndësi. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për zgjerimin me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për t’i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat mbi bazën e meritës, sepse e meritojmë”, tha Kurti.

  • Hakerët dyshohet se sulmuan sistemin e analizës së CIA-s

    Hakerët dyshohet se sulmuan sistemin e analizës së CIA-s

    Sulmues të panjohur kibernetikë dyshohet se kanë depërtuar në një sistem të analizës së inteligjencës me burime të hapura (OSINT) të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA), sipas raportimeve që citojnë një burim të njohur me incidentin.

    Sipas raportimit të The New York Times, sulmi është realizuar duke përdorur framework-un ARTEX, një mjet të bazuar në inteligjencën artificiale për testimin e sigurisë dhe penetrimin e sistemeve. Incidenti dyshohet se ka prekur gjithashtu Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) dhe Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës Gjeohapësinore (NGA).

    Megjithatë, sipas burimit të cituar, sulmi nuk ka përfshirë rrjete të klasifikuara apo informacione sekrete të nivelit të lartë.

    “Sulmi nuk përfshiu rrjetet tona të klasifikuara apo informacionin e klasifikuar dhe asnjë sistem tjetër nuk është aktualisht në rrezik”, thuhet në deklaratën e burimit të cituar në raportim.

    CIA dhe ODNI nuk kanë dhënë ende një përgjigje të detajuar publike lidhur me incidentin.

    Edhe FinCEN po heton një incident kibernetik

    Vetëm disa orë pas raportimit për incidentin në CIA, edhe Financial Crimes Enforcement Network (FinCEN), një agjenci e Departamentit amerikan të Thesarit, bëri të ditur se po heton një incident kibernetik që përfshinte qasje të paautorizuar në një pjesë të kufizuar të sistemeve të saj.

    Pas zbulimit të incidentit, agjencia ndërmori masa parandaluese dhe çaktivizoi përkohësisht disa sisteme. Institucionet bankare u udhëzuan të përdorin linjën telefonike Financial Institutions Hotline për raportimin e rasteve, pasi disa shërbime mund të mos jenë të disponueshme.

    FinCEN shërben si njësia zyrtare e inteligjencës financiare të SHBA-së dhe luan rol në mbrojtjen e sistemit financiar nga aktivitetet ilegale, përmes analizimit dhe shpërndarjes së informacionit financiar te institucionet e zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit.

    Probleme të tjera të raportuara në agjencitë amerikane

    Incidenti i raportuar në CIA vjen pas një serie sulmesh dhe ndërprerjesh të sistemeve që kanë prekur institucione të ndryshme federale amerikane.

    Një javë më parë, rrjeti i klasifikuar i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA) përjetoi një ndërprerje që zgjati disa ditë. NSA e atribuoi atë mirëmbajtjes së planifikuar rutinore dhe deklaroi se kapacitetet kritike për misionin mbetën funksionale.

    Në vitet e fundit, edhe institucione të tjera të Departamentit të Thesarit kanë qenë objektiv i sulmeve kibernetike. Grupi i hakerëve Silk Typhoon, i lidhur nga autoritetet me aktivitetet kibernetike të mbështetura nga shteti kinez, dyshohet se ka depërtuar në sistemet e disa zyrave, përfshirë Office of Foreign Assets Control (OFAC), Office of Financial Research dhe Committee on Foreign Investment in the United States (CFIUS).

    Këto institucione kanë role të rëndësishme në administrimin e sanksioneve ekonomike, analizimin financiar dhe shqyrtimin e investimeve të huaja që mund të paraqesin rreziqe për sigurinë kombëtare.

    Edhe FBI përballet me raportime për sulme kibernetike

    Raportimi për incidentin në CIA vjen gjithashtu në një kohë kur FBI është përballur me pretendime për incidente të tjera kibernetike.

    Së fundmi, është raportuar se hakerët kanë depërtuar në National Crime Information Center (NCIC), databazën kombëtare të FBI-së që përdoret nga institucionet e zbatimit të ligjit. Megjithatë, ende nuk është bërë e qartë se si është realizuar qasja, kur ka ndodhur incidenti apo nëse janë vjedhur të dhëna.

    Një tjetër incident lidhet me grupin e hakerëve ShinyHunters, i cili pretendoi se kishte depërtuar në faqen e rekrutimit të FBI-së, FBIJobs.gov. Incidenti çoi në një hetim nga FBI, ndërsa autoritetet kanë arrestuar disa persona të dyshuar për lidhje me grupin dhe sulmin e raportuar.

    Sipas raportimeve, këto incidente po shtojnë shqetësimet për sigurinë kibernetike të institucioneve federale amerikane, veçanërisht atyre që menaxhojnë informacione sensitive, të dhëna financiare dhe sisteme të rëndësishme për sigurinë kombëtare.

  • Mourinho shkruan histori te Real Madridi, vendos rekord të ri në shekullin XXI

    Mourinho shkruan histori te Real Madridi, vendos rekord të ri në shekullin XXI

    Real Madridi vazhdon të jetë në formë mbresëlënëse nën drejtimin e Jose Mourinhos, i cili ka arritur të vendosë një rekord të ri në historinë e klubit madrilen.

    Fitorja e fundit ndaj PSV Eindhoven me rezultat të thellë 5-1, në kuadër të xhiros së pestë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, ishte një tjetër dëshmi e formës së skuadrës së drejtuar nga trajneri portugez.

    Edhe pse madrilenët e mbyllën pjesën e parë në disavantazh 0-1, në vazhdim reaguan fuqishëm duke realizuar pesë gola dhe duke siguruar fitoren e dhjetë radhazi në të gjitha garat.

    Me këtë sukses, Mourinho ka regjistruar 16 fitore në 18 ndeshjet e para zyrtare që nga rikthimi në stolin e Real Madridit, duke pësuar vetëm dy humbje.

    Sipas statistikave të publikuara nga Tribuna.com, portugezi ka arritur një përqindje prej 88.9 për qind të pikëve të mundshme në 18 ndeshjet e para të mandatit të tij, rekord ky për një trajner të Real Madridit në shekullin XXI.

    Mourinho ka lënë kështu pas edhe rekordin e tij të mëparshëm prej 85.2 për qind, të vendosur gjatë sezonit 2010/11, ndërsa në këtë aspekt kishte qenë i barabartë edhe me startin e Xabi Alonsos në sezonin paraprak.

    Kështu, trajneri portugez vazhdon të shkruajë histori në krye të gjigantit spanjoll.

  • 33 gra të vrara që nga viti 2019, protestë në Prishtinë – kërkohet njohja dhe kriminalizimi i femicidit në Kodin Penal

    33 gra të vrara që nga viti 2019, protestë në Prishtinë – kërkohet njohja dhe kriminalizimi i femicidit në Kodin Penal

    Sot në Prishtinë, në sheshin “Zahir Pajaziti” mbahet protestë kundër vrasjes së grave.

    Protesta organizohet nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ku ndër kërkesat kryesore është njohja dhe kriminalizimi i femicidit në Kodin Penal

    “Asnjë grua nuk duhet të humbasë jetën për shkak të dhunës që mund të parandalohej. Nuk mjaftojnë premtimet pas çdo vrasjeje. Nevojiten veprime konkrete dhe përgjegjësi institucionale”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, sot në kuadër të fushatës “16 ditët në kuadër të fushatës globale”, u bë e ditur se nga viti 2019 deri në tetor të vitit 2026, në Kosovë janë regjistruar 19 mijë e 916 raste të dhunës në familje, ndërkaq në këtë periudhë janë vrarë 33 gra. /Telegrafi/

  • Kanosi prindërit pas një mosmarrëveshjeje, arrestohet i dyshuari në Mitrovicë

    Kanosi prindërit pas një mosmarrëveshjeje, arrestohet i dyshuari në Mitrovicë

    Një rast i dhunës në familje është raportuar në Mitrovicë, ku një person dyshohet se ka kanosur dy prindërit e tij pas një mosmarrëveshjeje.

    Sipas raportit të Policisë, rasti ka ndodhur më 24 nëntor, rreth orës 23:00, ndërsa i dyshuari, mashkull kosovar, është arrestuar nga njësitet policore.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.