ATV

Blog

  • Federata e Futbollit e Kosovës publikon video ekskluzive “Behind the Scenes” nga fitorja historike ndaj Sllovakisë

    Federata e Futbollit e Kosovës publikon video ekskluzive “Behind the Scenes” nga fitorja historike ndaj Sllovakisë

    Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka publikuar një video të veçantë “Behind the Scenes”, duke u sjellë tifozëve një pasqyrë të plotë të rrugëtimit të Kosovës drejt fitores dramatike ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e “play-off”-it për Kupën e Botës 2026.

    Videoja, e cila zgjat mbi nëntë minuta, përmbledh çdo moment kyç – nga nisja e ekipit në Prishtinë, përgatitjet dhe atmosfera brenda skuadrës, deri te emocionet e forta në stadium dhe festimi pas triumfit të madh 4-3.

    Në fokus nuk janë vetëm aksionet në fushë, por edhe momentet njerëzore të “Dardanëve”, që tregojnë unitetin, sakrificën dhe përkushtimin e grupit gjatë këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm. Ky publikim vjen si një rikujtim i një nate historike për Kosovën, duke e afruar edhe më shumë skuadrën me tifozët dhe duke forcuar besimin për hapin e radhës drejt realizimit të ëndrrës për Kupën e Botës.

    Postimi i plotë i FFK-së:

    “Behind the Scenes” nga një rrugëtim i paharrueshëm!

    Nga nisja në Prishtinë, përgatitjet dhe momentet e përbashkëta gjatë udhëtimit, te emocionet në stadium dhe deri te kthimi në shtëpi – çdo detaj i fitores së madhe 3-4 ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e “play-off”-it për Kupën e Botës.

    Një histori e plotë e Dardanëve, brenda dhe jashtë fushës – me pasion, sakrificë dhe krenari.

    Një hap më afër ëndrrës!

    https://www.facebook.com/share/v/18bjtd8iPC/

  • Vedat Muriqi për mediat turke:Ndeshja ndaj Turqisë do të jetë me emocione

    Vedat Muriqi për mediat turke:Ndeshja ndaj Turqisë do të jetë me emocione

    Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Vedat Muriqi ka folur për ndeshjen e fazës së play-off-it për Kupën e Botës kundër Turqisë.

    Një një intervistë për mediumin turk HT Spor Muriqi  është shprehur se fitorja kundër Sllovakisë ishte tejet e madhe,dhe se dardanët kanë shfaqur karakter dhe shpirt luftarak.

    Muriqi u ndal tek ndeshja me kombëtaren turke,ku e vlerëson lartë ekipin e trajnerit Vincenzo Montella dhe thotë se edhe përkundër që Turqia është favorite Kosova mund të bëjë befasi përmes lojës kolektive si dhe foli edhe për përvojën që ka kaluar në Superligën Turke.

    “Shorti kundër Turqisë më ngjall ndjenja të përziera personalisht. Gjatë karrierës sime futbollistike, u bëra Vedat në Turqi. Tetë vjet, sigurisht… Giresunspor, Genclerbirligi, Rizespor, Fenerbahçe… Këto klube më bënë Vedat. Për familjen time, Turqia zë një vend shumë të veçantë. Po përjetoj emocione komplekse.Kam pasur nderin të luaj kundër disa prej këtyre lojtarëve, si kundërshtar dhe madje në të njëjtën skuadër me disa prej tyre. Pra, po përjetoj vërtet ndjenja të mrekullueshme dhe interesante. Por duke pasur parasysh që Turqia nuk është kualifikuar për Kupën e Botës për 24 vjet, mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe konkurruese”

    “Që nga dita e parë që u largova nga Turqia, tifozët turq më kanë mbështetur gjithmonë. Tani është shumë e natyrshme që do të përballemi me Turqinë. Thënë troç, ne jemi rivalë; pra për një ndeshje, jemi rivalë për 90 ose 120 minuta. Kam respekt të madh për Turqinë. U rrita atje si futbollist, fillova të fitoja jetesën atje. Sigurisht, ka një anë emocionale, dhe unë flas turqisht si një folës amtar. Do të japim gjithçka që mundemi për ta bërë ëndrrën tonë realitet”

    Kujtojmë që Vedat Muriqi ka luajtur për shumë klube në Turqi ku së fundmi ishte pjesë e gjigantit turk Fenerbahce,përpara se të kalonte tek Lazio në Itali e më pas tek Mallora në La Ligën spanjolle.

  • Kolumbia heq vizat për pasaportat diplomatike të Kosovës

    Kolumbia heq vizat për pasaportat diplomatike të Kosovës

    Kosova dhe Kolumbia kanë nënshkruar tri marrëveshje, ndër të cilat përfshihet edhe heqja e vizave për pasaportat diplomatike dhe zyrtare.

    Ky vendim është marrë gjatë një takimi mes zëvëndësministrit të MPJD, Kreshnik Ahmetit, dhe homulogut nga Kolombia, Pauna Andrea Ceron Arboleda.

    Përpos kësaj ujdie, të dyja vendet u dakorduan edhe për konsultime politike ndërmjet dy ministrive të punëve të jashtme si dhe nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive diplomatike.

    “Këto marrëveshje përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit institucional dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet dy vendeve”.

    “Gjatë takimit u diskutua edhe mundësia e heqjes së vizave për mbajtësit e pasaportave të rregullta, me ç’rast palës kolumbiane iu dorëzua drafti fillestar për këtë çështje, si një hap konkret drejt lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe afrimit të mëtejmë ndërmjet dy shteteve”, njofton Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    Gjithashtu u njoftua se palët u pajtuan që në një afat të afërt të mbahet raundi i parë i konsultimeve politike në Prishtinë, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar, me synim konkretizimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

  • Rebelët Houthi marrin përgjegjësinë për sulmin me raketa ndaj Izraelit, i pari që nga fillimi i luftës

    Rebelët Houthi marrin përgjegjësinë për sulmin me raketa ndaj Izraelit, i pari që nga fillimi i luftës

    Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani kanë marrë përgjegjësinë për sulmin e tyre të parë me raketa ndaj Izraelit që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme. Sulmi vjen disa orë pasi rebelët paralajmëruan se do të bashkoheshin me luftën që ka tronditur rajonin dhe ekonominë globale.

    Ushtria izraelite ka njoftuar se ka rrëzuar raketën e qëlluar nga rebelët Houthi.

    Zëdhënësi ushtarak i Houthit, gjenerali i Brigadës Yahya Saree, në një deklaratë të transmetuar të shtunën në mëngjes nga krahu mediatik Ansar Allah, tha se ata qëlluan një breshëri raketash balistike që synonin atë që ai e përshkroi si “vendndodhje të ndjeshme ushtarake izraelite” në jug të Izraelit.

    Hyrja e Houthëve në konflikt gjithashtu ngre pikëpyetje për sigurinë e anijeve tregtare që kalojnë përmes korridorit të Detit të Kuq, duke rrezikuar edhe më tej transportin global. Që nga nëntori i vitit 2023 deri në janar 2025, rebelët Houthi kanë sulmuar mbi 100 anije tregtare me raketa dhe dronë, duke fundosur dy anije dhe duke vrarë katër marinarë.

    Kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, nga ku dikur kalonte një e pesta e të gjithë naftës dhe gazit natyror, ka vështirësuar edhe më tej transportin detar global, dhe sulmet e Houthi-ve mund të shkaktojnë kaos të mëtejshëm.

  • Arrestohet një person për armëmbajtje pa leje në Gjakovë

    Arrestohet një person për armëmbajtje pa leje në Gjakovë

    Një person është arrestuar në Gjakovë, pasi gjatë një bastisjeje në rrugën “Fehmi Agani” i janë gjetur armë dhe mjete të tjera të ndaluara.

    Rasti ka ndodhur të premten në mbrëmje, ndërsa i dyshuari është shoqëruar menjëherë për procedura të mëtejshme.

    Sipas raportit policor, në çantën e të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar një armë me pesë fishekë, si dhe një thikë.

    Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Arrestohet një person për kultivim narkotikësh në Suharekë

    Arrestohet një person për kultivim narkotikësh në Suharekë

    Një person është arrestuar në Suharekë lidhur me një rast të kultivimit të bimës narkotike, i cili ishte raportuar më herët në fshatin Maqitevë.

    Sipas raportit policor, arrestimi i të dyshuarit është bërë të premten, rreth gjashtë muaj pas datës kur rasti ishte evidentuar fillimisht.

    Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Arrestohet i dyshuari për një seri vjedhjesh në Fushë Kosovë, u shkaktoi bizneseve dëme mbi 100 mijë euro

    Arrestohet i dyshuari për një seri vjedhjesh në Fushë Kosovë, u shkaktoi bizneseve dëme mbi 100 mijë euro

    Policia ka arrestuar një person në Fushë Kosovë, i dyshuar për një seri vjedhjesh që kanë prekur disa biznese dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.

    Sipas të dhënave fillestare, i arrestuari është A.H., 29 vjeç, i cili dyshohet se lidhet me dhjetë raste të raportuara.

    Sipas hetimeve, ngjarja e parë është raportuar më 24 janar në rrugën “Meshari”, ku është depërtuar me forcë në një biznes dhe janë marrë kabllo e materiale të tjera.

    Më tej, hetuesit kanë identifikuar edhe nëntë raste të tjera, prej tyre shtatë vjedhje të rënda.

    Pas analizimit të provave dhe incizimeve të kamerave të sigurisë, Policia ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin.

    Pas intervistimit në prani të avokatit, raportohet se ai ka pranuar veprat, ndërsa me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

  • Hiqen nga sheshi tabelat me të dhëna të pasakta për masakrat gjatë luftës në Kosovë

    Hiqen nga sheshi tabelat me të dhëna të pasakta për masakrat gjatë luftës në Kosovë

    Janë larguar nga sheshi kryesor i Prishtinës tabelat që përmbanin informacione të pasakta mbi masakrat që ndodhën në Kosovë gjatë luftës.

    Komuna e Prishtinës, një ditë pas pezullimit të lejes për ekspozitën, ka ndërmarrë veprimin për të hequr tabelat në mëngjes, duke ndjekur reagimet publike dhe vlerësimin për pasaktësitë që ishin evidentuar.

    Ekspozita, me autor Shkëlzen Gashi, kishte nxitur reagime të shumta pasi u identifikuan gabime të konsiderueshme në përmbajtjen e saj.

  • Rubio: Presim që ta përfundojmë fushatën ndaj Iranit brenda javësh

    Rubio: Presim që ta përfundojmë fushatën ndaj Iranit brenda javësh

    Shtetet e Bashkuara presin që ta përmbyllin operacionin e tyre ushtarak në Iran “brenda javësh, jo muajsh”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pasi u takua me ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) në Francë në kohën kur lufta SHBA-Izrael kundër Iranit po i afrohet javës së pestë.

    Duke folur para se të nisej drejt SHBA-së më 27 mars, Rubio po ashtu tha se Uashingtoni mund t’i arrijë qëllimet e tij në Iran pa trupa tokësore dhe se Irani mund të synojë të vendosë një sistem pagese për kalimin përmes Ngushticës së Hormuzit.

    “Jemi para afatit të planifikuar… presim që ta përmbyllim… është çështje javësh, jo muajsh”, tha ai për fushatën ushtarake.

    “Ne do ta shkatërrojmë marinën e tyre… forcën ajrore… aftësinë e tyre për të prodhuar raketa dhe dronë… dhe do t’i zvogëlojmë ndjeshëm lëshuesit e raketave”, tha Rubio, duke shtuar: “Ne mund t’i arrijmë të gjitha objektivat tona pa asnjë ushtar në terren… ky nuk do të jetë një konflikt i zgjatur”.

    Duke iu referuar trupave amerikane të dislokuara në rajon, ai tha se dislokimet kanë për qëllim “t’i japin presidentit fleksibilitet maksimal dhe mundësi maksimale për të përshtatur skenarët e mundshëm, nëse ato shfaqen”.

    Komentet e Rubios vijnë në kohën kur Irani paralajmëroi për sulme të reja në të gjithë Lindjen e Mesme dhe u bëri thirrje civilëve të shmangin zonat pranë forcave amerikane, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, zgjati afatin për Teheranin për të hapur Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyç për transportin e naftës dhe gazit nga Gjiri Persik drejt tregjeve globale, deri më 6 prill.

    Në një deklaratë, ministrat e Jashtëm të G7-ës dhe përfaqësuesja e lartë Bashkimit Evropian kërkuan ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj infrastrukturës civile në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit.

    “Nuk mund të ketë asnjë justifikim për shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve në situata të konfliktit të armatosur, si dhe për sulmet ndaj objekteve diplomatike”, thanë ministrat.

    G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.

    Irani nuk bëri asnjë lëvizje për të hapur Ngushticën e Hormuzit. Në një deklaratë më 27 mars, Garda Revolucionare Islamike tha se do ta mbajnë të mbyllur këtë rrugë ujore dhe se çdo përpjekje e mundshme për kalim që përfshin Shtetet e Bashkuara, Izraelin apo aleatët e tyre do të përballet me “masa të ashpra”.

    Pas paralajmërimit të Gardës, mediat raportuan se më 27 mars tre anije të shteteve të ndryshme u kthyen mbrapsht nga Ngushtica e Hormuzit.

    Ngushtica e Hormuzit përbën rreth një të pestën e dërgesave globale të naftës dhe mbyllja efektive e saj nga forcat iraniane është kthyer në çështjen qendrore të konfliktit, që nisi me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt.

    Rubio tha se Irani mund të vendosë një sistem tarife për kalimin në këtë ngushticë, duke e quajtur këtë “të papranueshme” dhe duke theksuar se vendet evropiane dhe aziatike që përfitojnë nga tregtia përmes kësaj rruge ujore duhet të ndihmojnë për të siguruar kalimin e lirë pasi të përfundojë konflikti.

    “Ne nuk po i kërkojmë askujt t’i bashkohet luftës”, tha Rubio, duke shtuar se “vendet që preken më së shumti [nga mbyllja e ngushticës]… duhet të jenë të gatshme të bëjnë diçka për këtë”.

    Një ditë më herët, Trump për herë të dytë shtyu afatin për hapjen e Hormuzit, teksa ka paralajmëruar se do të kryejë sulme ndaj centraleve energjetike iraniane nëse Teherani nuk e hap këtë rrugë ujore. Ai vendosi që afati i ri për Teheranin të jetë deri më 6 prill.

    Fundjavën e kaluar, Trump tha se Shtetet e Bashkuara do t’i “shkatërrojnë plotësisht” centralet energjetike të Iranit nëse Teherani vazhdon të bllokojë Ngushticën e Hormuzit pas 48 orësh. Ai më pas e zgjati afatin deri më 27 mars.

    Më 26 mars, Trump deklaroi se bisedimet me Iranin “janë duke vazhduar” dhe “po shkojnë shumë mirë”.

    Zyrtarë të lartë iranianë kanë mohuar se Teherani është në negociata me Uashingtonin, por Irani tha më 25 mars se po e shqyrton një propozim amerikan me 15 pika dhe paraqiti pesë kushte, që sipas tij, duhet plotësuar për të përfunduar konflikti.

    Plani amerikan, sipas raportimeve, përsërit kërkesat e Uashingtonit që Irani të çmontojë objektet e tij bërthamore, të kufizojë kapacitetet e tij raketore dhe të ndalë mbështetjen për forcat aleate në rajon.

    Rubio tha më 27 mars se SHBA-ja ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga Irani dhe sugjeroi se kontaktet ishin të tërthorta.

    “Kemi pasur një shkëmbim mesazhesh dhe sinjale nga sistemi iranian, çfarëdo që ka mbetur prej tij, për një gatishmëri për të biseduar për disa çështje”, u shpreh ai. “Po presim sqarime të mëtejshme për… me kë do të bisedojmë, për çfarë do të bisedojmë dhe kur do të bisedojmë”.

    Jozyrtarisht, Teherani i është përgjigjur ashpër planit me 15 pika të Uashingtonit, duke thënë se kushtet e SHBA-së janë të tepruara dhe se do t’i japë fund luftës kur të vendosë vetë dhe nëse plotësohen kushtet e tij, duke këmbëngulur se ka të drejtë të zhvillojë programin e tij të raketave balistike. /Radio Evropa e Lirë

  • Horoskopi sot – Çfarë parashikojnë yjet për ju?

    Horoskopi sot – Çfarë parashikojnë yjet për ju?

    Dashi

    Sot do ndjesh një dëshirë të fortë për të nisur diçka të re. Energjia pozitive të mbështet në iniciativa kreative dhe në vendime që kërkojnë guxim. Bëj veprime me vetëbesim, por dëgjo edhe këshillat e njerëzve të besuar.

    Demi

    Fokusi është te financat dhe çështjet materiale. Mund të shfaqen mundësi për përmirësime konkrete, por kërkohet durim dhe vëmendje ndaj detajeve. Mos nxitoni me shpenzime të mëdha pa plan.

    Binjakët

    Komunikimi sot është në qendër të vëmendjes. Bisedat e rëndësishme mund të sjellin ide të reja dhe zgjidhje për gjërat që ke shtyrë. Qëndro i hapur ndaj pikëpamjeve të reja.

    Gaforrja

    Sot mund të ndiesh më fort se zakonisht nevojën për mbështetje emocionale. Bëj hapin drejt atyre që të kuptojnë dhe të vlerësojnë. Mos i mbyll emocionet brenda, sinqeriteti sjell qetësi.

    Luani

    Vetëbesimi yt rritet dhe njerëzit të vënë re energjinë pozitive. Është një ditë e mirë për të kryer prezantime, projekte bashkëpunimi apo për të marrë rolin udhëheqës falë karizmës që keni.

    Virgjëresha

    Përqendrohu te detajet dhe organizimi i punëve të përditshme. Është një ditë e mirë për të vendosur rregull në plane afatgjata dhe për të përmirësuar rutinën. Puna e qetë sjell rezultate të prekshme.

    Peshorja

    Balanca midis punës dhe jetës personale kërkon vëmendje. Sot mund të ndihesh i ndarë mes përgjegjësive, por zgjidhja është gjetja e një ekuilibri që të sjell paqe dhe produktivitet.

    Akrepi

    Intensiteti emocional dhe intuita janë të forta sot. Ndiq ndjenjat e brendshme për të marrë vendime të rëndësishme. Mos ki frikë të shohësh thellë, aftësia për të lexuar situatat të ndihmon shumë.

    Shigjetari

    Kërshëria dhe dëshira për të mësuar gjëra të reja sot janë të theksuara. Mund të kesh biseda frymëzuese ose të marrësh një ftesë që të çon drejt eksperiencave të reja. Jeto momentin!

    Bricjapi

    Përgjegjësitë dhe detyrimet marrin përparësi. Sot mund të arrish rezultate konkrete në projekte që ke nisur më parë. Disiplina dhe planifikimi i kujdesshëm të ndihmojnë të ecësh përpara.

    Ujori

    Idetë kreative dhe jo-konvencionale do të vijnë natyrshëm. Sot është koha për të ndarë mendimet e tua unike dhe për të kërkuar bashkëpunime të frytshme. Mos u ndaloni para ideve të mëdha!

    Peshqit

    Sot intuita dhe ndjeshmëria janë në kulm. Eksploro ndjenjat dhe dëshirat e brendshme, ato do të të ndihmojnë të bësh zgjedhje të dobishme për marrëdhëniet dhe projektet personale.