ATV

Blog

  • Dogana sekuestron 1000 litra etanol në Prizren, shmangie e taksave mbi 6 mijë euro

    Dogana sekuestron 1000 litra etanol në Prizren, shmangie e taksave mbi 6 mijë euro

    Dogana e Kosovës ka zbuluar dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme të etanolit (alkool i koncentruar 96%) në rajonin e Prizrenit, në dy operacione të ndara, duke parandaluar një shmangie nga taksat doganore dhe akciza në vlerë rreth 6,260 euro.

    Sipas njoftimit zyrtar të Doganës, gjatë kontrollit në terren, njësitet antikontrabandë ndaluan një automjet transportues ku u gjetën 500 litra etanol pa dokumentacion përkatës. “Personat e përfshirë nuk kanë poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën e rregullt të mallit, importin legal apo pagesën e taksave doganore,” thuhet në njoftim.

    Pas ndalimit të automjetit, u kryen kontrolle shtesë në lokacione të dyshuara, duke çuar në zbardhjen e një sasi tjetër prej 500 litrash etanol të fshehur në garazhin e një shtëpie në të njëjtin rajon. Sasia totale e sekuestruar arrin 1,000 litra etanol, e cila dyshohet se ka origjinë nga Serbia dhe nuk shoqërohej me asnjë dokumentacion ligjor.

    Dogana thekson se kjo sasi përfaqëson shmangie nga pagesa e akcizës, taksave doganore dhe TVSH-së, duke shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe krijuar konkurrencë të padrejtë në treg.

    “Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt hetimore në koordinim me institucionet kompetente dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore ndaj personave të përfshirë, në përputhje me legjislacionin në fuqi,” thuhet në njoftim.

  • Nëntë ushtarë izraelitë u plagosën në jug të Libanit

    Nëntë ushtarë izraelitë u plagosën në jug të Libanit

    Ushtria izraelite ka njoftuar se në dy ditët e fundit në jug të Libanit janë plagosur nëntë ushtarë.

    Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se një oficer u plagos rëndë, ndërsa një tjetër u plagos pas sulmit me raketë anti-tank dje.

    Gjatë natës, u raportua se një tjetër oficer u plagos rëndë dhe gjashtë ushtarë të tjerë u plagosën pas sulmeve me raketa.

    Ushtarët janë evakuuar në spital dhe familjet e tyre janë njoftuar.

  • Kombëtarja e Kosovës zhvillon stërvitjen e radhës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’

    Kombëtarja e Kosovës zhvillon stërvitjen e radhës në stadiumin ‘Fadil Vokrri’

    Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë stërvitjen e radhës sot në orën 11:15 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    Ky është një hap tjetër përgatitor për sfidën e ardhshme ndaj Turqisë.

    Kombëtarja e Kosovës zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Sllovakisë, duke arritur fitoren dhe siguruar finalen e fazës Play‑Off, ku do të përballet me Turqinë.

    Finalja e madhe do të zhvillohet të martën me fillim nga ora 20:45 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

  • Hasani për ekspozitën në shesh: Tregohen mashtrime të Serbisë dhe të agjentëve serbë

    Hasani për ekspozitën në shesh: Tregohen mashtrime të Serbisë dhe të agjentëve serbë

    I mbijetuari i masakrës së Dubravës dhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës së vendosur në sheshin e Prishtinës për masakrat e ndodhura në Kosovës, ekspozitë e organizuar nga Shkëlzen Gashi dhe organizatat Admovere dhe Integra.

    Hasani ka thënë se “për këtë krim të qëllimshëm nga autori i këtij shkrimi e ekspozite, kërkoj nga institucionet e drejtësisë gjykim e dënim për këtë krim monstruoz”.

    “24 vjet kujtesë e dhembje nga ai krim që u bë mbi të burgosurit shqiptar në këtë burg nga gardianet, nga serbët e burgosur, nga policët serbë, nga ushtarët serbë, pra nga institucionet e shtetit të Serbisë. Dhe po sot në sheshin e Prishtinës ekspozita për krimet e luftës dhe fotoja masakra në burgun e Dubravës me tmerron me këto mashtrime, gënjeshtra dhe të pavërteta për këtë krim e gjenocid të shtetit të Serbisë kundër të burgosurve shqiptarë. Aty nuk tregohet e vërteta, aty tregohen rrenat e mashtrimet serbe dhe të agjenteve të Serbisë.

    Reagimi i plotë:

    Sot u bënë 24 vjet nga dalja nga burgu i kazamatave serbe dhe burgu i Dubravës.

    24 vjet kujtesë e dhembje nga ai krim që u bë mbi të burgosurit shqiptar në këtë burg nga gardianet, nga serbët e burgosur, nga policët serbë, nga ushtarët serbë, pra nga institucionet e shtetit të Serbisë. Dhe po sot në sheshin e Prishtinës ekspozita për krimet e luftës dhe fotoja masakra në burgun e Dubravës me tmerron me këto mashtrime, gënjeshtra dhe të pavërteta për këtë krim e gjenocid të shtetit të Serbisë kundër të burgosurve shqiptarë. Aty nuk tregohet e vërteta, aty tregohen rrenat e mashtrimet serbe dhe të agjenteve të Serbisë.

    Aty nuk ka pasur të burgosur të armatosur, aty nuk ka pasur civilë shqiptarë, aty ka pasur të burgosur shqiptar dhe si shqiptarë janë vrarë 118 të burgosur dhe janë plagosur mbi 400 të tjerë.

    Aty janë vrarë pleq mbi 60 vjeç dhe fëmijë nën 18 vjeç nga shteti serb.

    Dhe kjo ekspozite e financuar nga Kuvendi i Kosovës me këso të pavërteta e mashtrime, ku në këtë Kuvend të Kosovës kemi mbajtur fjalime e nxjerrë rezolutë për Masakrën në Burgun e Dubravës, e të lejohet e financohet në emër të Kuvendit kjo ekspozitë është krim duke vrarë bashkë me autorin dhe njëherë të burgosurit e burgut të Dubravës dhe shkelur gjakun e të vrarëve në këtë burg nga institucionet e shtetit të Serbisë.

    Për këtë krim të qëllimshëm nga autori i këtij shkrimi e ekspozite, kërkoj nga institucionet e drejtësisë gjykim e dënim për këtë krim monstruoz.

  • 27 aksidente me të lënduar dhe mbi 2 mijë tiketa trafiku brenda 24 orëve në Kosovë

    27 aksidente me të lënduar dhe mbi 2 mijë tiketa trafiku brenda 24 orëve në Kosovë

    Raporti 24-orësh i Policia e Kosovës tregon për një numër të konsiderueshëm aksidentesh dhe shkeljesh në komunikacion gjatë ditës së fundit.

    Sipas të dhënave zyrtare, janë regjistruar gjithsej 60 aksidente trafiku, prej të cilave 27 me persona të lënduar dhe 33 vetëm me dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk është raportuar asnjë aksident me fatalitet.

    Gjatë së njëjtës periudhë, policia ka shqiptuar 2132 tiketa trafiku për shkelje të rregullave në komunikacion, duke reflektuar një nivel të lartë të kundërvajtjeve nga drejtuesit e automjeteve.

    Po ashtu, janë arrestuar 16 persona, ndërsa 11 prej tyre janë dërguar në mbajtje. Nuk është raportuar asnjë rast i ndalimit policor, ndërsa 3 persona janë evidentuar në vuajtje të dënimit.

    Autoritetet vazhdojnë të bëjnë thirrje për respektim të rregullave të trafikut, me qëllim të rritjes së sigurisë në rrugë dhe parandalimit të aksidenteve.

  • Ngjyra e thonjve mund të tregojë mungesë oksigjeni dhe probleme serioze shëndetësore

    Ngjyra e thonjve mund të tregojë mungesë oksigjeni dhe probleme serioze shëndetësore

    Ndryshimi i ngjyrës së thonjve mund të zbulojë probleme me mushkëritë, zemrën dhe gjakun

    Nëse vëreni se thonjtë ju janë bërë blu pa u goditur apo pa dëmtuar gishtat, mos e injoroni këtë sinjal që jep trupi. Ndryshimi i ngjyrës së thonjve shpesh tregon se gjaku nuk po transporton mjaftueshëm oksigjen në inde.

    Në mjekësi, kjo gjendje quhet cianozë dhe mund të jetë shenjë e hershme e çrregullimeve më serioze në organizëm.

    Mjekët i kushtojnë vëmendje të veçantë ngjyrës së thonjve, sepse ajo mund të zbulojë shpejt ndryshime në oksigjenimin e gjakut. Pikërisht për këtë arsye, gjatë pranimit në spital kërkohet që nga thonjtë të hiqet llaku, në mënyrë që stafi shëndetësor të vërejë menjëherë çdo ndryshim të mundshëm.

    Çfarë do të thotë kur thonjtë bëhen blu?
    Ngjyra blu e thonjve shfaqet kur në pjesët periferike të trupit, si majat e gishtave, nuk ka mjaftueshëm oksigjen. Nëse ndryshimi shfaqet vetëm në një thua, shkaku më i shpeshtë është një dëmtim lokal dhe grumbullim gjaku nën thua. Megjithatë, kur të gjithë thonjtë janë blu, zakonisht kjo tregon për një problem sistemik.

    Ndryshimi i përkohshëm mund të shfaqet edhe në të ftohtë, sepse enët e gjakut ngushtohen për të ruajtur nxehtësinë. Në këtë rast, ngjyra normalizohet pasi duart të ngrohen. Nëse kjo nuk ndodh, nevojiten ekzaminime shtesë, transmeton Telegrafi.

    Shkaqet më të shpeshta të thonjve blu
    Thonjtë blu mund të jenë pasojë e gjendjeve të ndryshme shëndetësore, sidomos atyre që prekin mushkëritë, zemrën dhe gjakun.

    Problemet me mushkëritë

    Sëmundjet që pengojnë shkëmbimin e oksigjenit shpesh çojnë në cianozë. Ndër to janë:

    • sëmundjet kronike të mushkërive si COPD
    • astma dhe krizat akute të frymëmarrjes
    • pneumonia
    • embolia pulmonare, që është gjendje urgjente

    Sëmundjet e zemrës

    Kur zemra nuk pompon gjakun në mënyrë efikase, oksigjeni nuk arrin në inde në sasi të mjaftueshme. Kjo ndodh te defektet e lindura të zemrës, insuficienca kardiake ose sindroma të rralla që ndikojnë në qarkullimin e gjakut ndërmjet zemrës dhe mushkërive.

    Çrregullimet e gjakut dhe enëve të gjakut

    Disa gjendje ndikojnë drejtpërdrejt në aftësinë e gjakut për të transportuar oksigjen ose në qarkullimin e tij. Të tilla janë çrregullimet e hemoglobinës, helmimi me monoksid karboni, sëmundjet e gjakut si policitemia vera ose fenomeni Raynaud (Rejno), ku ndodh spazmë e enëve të gjakut.

    Si vendoset diagnoza dhe nga çfarë varet trajtimi
    Kur dyshohet për cianozë, mjeku vlerëson nivelin e oksigjenit në gjak. Kjo mund të bëhet me analizë të gjakut arterial ose në mënyrë jo invazive, me pulsoksimetër që vendoset në gisht. Diagnostika e mëtejshme varet nga shkaku i dyshuar.

    Nuk trajtohen thonjtë blu si simptomë, por gjendja që i shkakton. Terapia mund të përfshijë oksigjenoterapi, barna për përmirësimin e qarkullimit, trajtimin e sëmundjeve të mushkërive ose zemrës, si dhe në raste të caktuara ndërhyrje kirurgjikale.

    Kur është e nevojshme të reagoni menjëherë?
    Nëse vëreni se thonjtë janë blu dhe ngjyra nuk rikthehet edhe pas ngrohjes, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun. Veçanërisht urgjente është nëse shfaqen edhe:

    • dhimbje në gjoks
    • vështirësi në frymëmarrje
    • djersitje e shtuar
    • marramendje

    Këto simptoma mund të tregojnë një çrregullim serioz në furnizimin e organizmit me oksigjen dhe kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor. /Telegrafi/

  • Sa detergjent duhet vërtet për larjen e rrobave? Shumica gabon çdo ditë

    Sa detergjent duhet vërtet për larjen e rrobave? Shumica gabon çdo ditë

    Shumë detergjent nuk i bën më të pastra – përkundrazi, lë gjurmë dhe erëra të pakëndshme

    Detergjentin për larjen e rrobave e përdorim pothuajse çdo ditë, por rrallëherë pyesim veten nëse e dozëzojmë si duhet. Edhe pse shumëkush beson se sasia më e madhe jep rezultat më të mirë, ekspertët paralajmërojnë se kjo zakonisht sjell efektin e kundërt – rroba që nuk pastrohen plotësisht, erëra të pakëndshme dhe madje probleme me makinën.

    Ku është kufiri mes mjaftueshëm dhe tepër, dhe si ta dalloni në praktikë?

    Shpesh, më pak është më shumë

    Ekspertët theksojnë se teprimi me detergjentin jo vetëm që nuk e përmirëson larjen, por mund të ketë pasoja negative. Shkuma e tepërt e vështirëson shpëlarjen, ndaj detergjenti mbetet në fijet e tekstilit. Rezultati? Rroba që në prekje duken “të rënda”, ndonjëherë edhe ngjitëse, me gjurmë të lehta që vërehen pasi thahen.

    Në afatgjatë, ky tepricë mund të grumbullohet edhe në vetë makinën, duke ulur efikasitetin dhe duke shkaktuar erëra të pakëndshme.

    Sa është në të vërtetë e mjaftueshme?

    Sasia ideale e detergjentit varet nga disa faktorë:

    • sasia e rrobave në kazan
    • shkalla e ndotjes
    • fortësia e ujit në shtëpinë tuaj

    Për një larje mesatare (rreth 4–5 kg rroba), në shumicën e rasteve mjafton:

    • 50 deri në 80 ml detergjent i lëngshëm, ose
    • doza përkatëse e pluhurit (sipas udhëzimit të prodhuesit)

    Nëse rrobat janë pak të përdorura, mund ta zvogëloni sasinë. Në rast të ndotjes më të madhe ose ujit të fortë, mund ta rrisni pak, por pa e tepruar, transmeton Telegrafi.

    Gabimi më i shpeshtë që bëjmë

    Një nga zakonet më të përhapura është hedhja e detergjentit “me sy”. Pa matje, pa menduar dhe pothuajse gjithmonë më shumë se sa duhet. Pikërisht këtu lind problemi.

    Detergjentet moderne janë krijuar për të qenë efikasë në sasi më të vogla, ndaj teprimi nuk sjell përfitim – vetëm probleme shtesë.

    Si ta kuptoni që po përdorni shumë?

    Kushtojini vëmendje këtyre shenjave:

    • shkuma mbetet e dukshme pas ciklit të larjes
    • rrobat nuk kanë ndjesi “të freskët”, edhe pse janë larë
    • shfaqen njolla të bardha ose gri në rrobat e errëta
    • makina ka erë të pakëndshme

    Nëse vëreni ndonjë nga këto, është koha të ulni dozën.

    Një truk i vogël për rezultat më të mirë

    Nëse doni efikasitet maksimal pa rritur sasinë e detergjentit, zgjidhja është e thjeshtë: mos e mbingarkoni makinën. Detergjenti ka më shumë hapësirë për të vepruar, uji qarkullon më mirë dhe rezultati është rroba më e pastër – pa shtuar sasi.

    Në fund, mbani mend: te larja e rrobave, saktësia është më e rëndësishme se sasia. Herën tjetër kur të përdorni detergjentin, ndaluni një moment dhe hidhni pak më pak se zakonisht. Rrobat (dhe makina) do t’ju falënderojnë. /Telegrafi/

  • Çmimi i PlayStation 5 në Evropë mund të rritet

    Çmimi i PlayStation 5 në Evropë mund të rritet

    Çmimi i PlayStation 5 në Evropë pritet të rritet ndjeshëm në periudhën e ardhshme.

    Sipas Gamerant dhe disa mediave të specializuara në “gaming”, burime anonime thonë se PS5 Slim mund të shkojë në 650 euro, ndërsa PS5 Pro mund të arrijë 900 euro. PS5 Pro fillimisht kushtonte 800 euro, ndërsa modeli PS5 Portal mund të arrijë 250 euro (rreth 290 dollarë).

    Shkaku i këtyre rritjeve janë mungesa e RAM-it, tarifat doganore dhe rritja e çmimit të naftës, që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot e prodhimit dhe logjistikës.

    Në të kaluarën, çmimet e konzolave zakonisht u ulën me kalimin e kohës, ndërsa ata që prisnin shpesh përfitonin nga hardueri më i lirë dhe video-lojërat me zbritje. Por vitet e fundit kjo nuk ka ndodhur, për shkak të konkurrencës së fortë për burime midis prodhuesve të lojërave.

    Microsoft ka rritur disa herë çmimin e Xbox Series X, që tani kushton rreth 150 dollarë më shumë se në vitin 2020. Sony, ndërkohë, ende nuk ka konfirmuar informacionet për rritje çmimesh, por tregu i lojërave sugjeron se këto rritje janë të mundshme.

    Nëse PS5 rritet në Evropë, nuk dihet nëse do të ndodhë e njëjta gjë në Amerikën e Veriut. Me lojëra të njohura si Grand Theft Auto 6 dhe Marvel’s Wolverine që po vijnë këtë vit, disa lojtarë mund të duhet të shpenzojnë më shumë për të blerë konzolën.

    Shumë të tjerë mund të vendosin të vazhdojnë të luajnë në sistemet që kanë aktualisht, si modeli bazë i PS5 apo PS4. Kjo rritje çmimesh e bën më të vështirë justifikimin e blerjes dhe mund të ulë interesin për këtë hobi. /Telegrafi/

  • Teherani u përball me bombardime të rënda gjatë natës

    Teherani u përball me bombardime të rënda gjatë natës

    Teherani u sulmua rëndë gjatë natës, synoheshin objektiva ushtarake dhe universitete.

    Sipas raportimeve të mediave, kryeqyteti iranian, Teheran, u përball me bombardime intensive gjatë natës.

    Informacionet paraprake tregojnë se ndër objektivat e sulmeve ishin kazermat ushtarake, objektet e shërbimeve detare dhe “Iran University of Science and Technology”, një nga institucionet më të njohura arsimore të vendit.

    Deri më tani nuk ka raportime të detajuara mbi dëmet materiale ose viktimat, por autoritetet lokale janë në gatishmëri për të kontrolluar situatën dhe për të evakuuar zonat e prekura.

    Ky sulm vjen ndërsa tensionet në rajon po thellohen dhe është pjesë e një serie incidentesh që kanë prekur qytete të ndryshme iraniane gjatë javëve të fundit.

    Analistët e sigurisë paralajmërojnë se goditjet ndaj infrastrukturës ushtarake dhe akademike mund të kenë pasoja serioze për stabilitetin në rajon, duke rritur frikën për një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit. /Telegrafi/

  • Podujevë: Sulmoi fizikisht motrën e tij, arrestohet i dyshuari për dhunë në familje

    Podujevë: Sulmoi fizikisht motrën e tij, arrestohet i dyshuari për dhunë në familje

    Një person është arrestuar në Podujevë nën dyshimin për dhunë në familje.

    Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, rasti ka ndodhur të premten rreth orës 14:00, ku i dyshuari, mashkull kosovar, dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij.

    Policia njoftoi se viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.