ATV

Blog

  • LA Lakers dhe Oklahoma City Thunder vazhdojnë me fitore

    LA Lakers dhe Oklahoma City Thunder vazhdojnë me fitore

    Janë zhvilluar ndeshje tejet interesante në ligën më të fortë të basketbollit në botë NBA.

    Los Angeles Lakers ka mposhtur në shtëpi skuadrën e Brooklyn Nets 116:99,ku Luka Doncic me 41 pikë e 8 kërcime ishte më i miri në këtë ndeshje,teksa kontribut në fitoren e Lakers dha dhe Austin Reaves me 26 pikë e 8 kërcime.

    Tek Nets ishte Josh Minoot me 18 pikë,teksa Ziare Ëilliams dhe Nic Claxton shënuan 16 pikë secili kurse ky i fundit kontribuoi me 7 kërcime në këtë ndeshje.

    Oklahoma City Thunder shënoi fitore kundër Chicago Bulls me rezultat 131:113.

    Shai Gilgeuos Alexander me 25 pikë dhe Cason Wallace me 21 të tjera ishin më efikasët për Thunder në parket,kurse Isaiah Hartenstein dha kontribut me 16 kërcime,kurse tek Bulls Tre Jones me 21 pikë,7 kërcime e 9 asistime dhe Isaac Okoro me 20 të tjera ishin më efikassët në parket.

  • Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për të dyshuarin, sekuestrohen mbi 500 kg narkotikë dhe armë

    Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për të dyshuarin, sekuestrohen mbi 500 kg narkotikë dhe armë

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se i dyshuari F.N., 46-vjeçar nga fshati Maqitevë i Komunës së Suharekës, i cili ishte në kërkim nga organet e rendit, është dorëzuar në Policinë e Kosovës.

    Sipas njoftimit, rasti lidhet me një aksion të zhvilluar më 16 shtator 2025 nga Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë të cilit në një objekt në fshatin Maqitevë është zbuluar dhe sekuestruar një sasi e madhe e substancës narkotike marihuanë (kanabis sativa), mbi 500 kilogramë, saktësisht 512 kilogramë, në faza të ndryshme të përpunimit dhe tharjes.

    Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe një granatëhedhës (mortajë), një raketë krahu, një pushkë gjuetie, fishekë, një traktor me rimorkio, pajisje dhe vegla pune për kultivim dhe përpunim, dy telefona celularë si dhe prova të tjera materiale.

    Po ashtu, prokuroria ka bërë të ditur se është lëshuar urdhër i përkohshëm për sekuestrimin dhe ngrirjen e dy parcelave me sipërfaqe prej 1963 m² dhe 1438 m² në fshatin Maqitevë.

    Sipas dyshimeve të ngritura, i pandehuri në një periudhë të pacaktuar kohore deri më 16 shtator 2025, në pjesën malore të këtij fshati, ka kultivuar pa autorizim bimën kanabis sativa me qëllim prodhimin dhe përgatitjen për shitje dhe shpërndarjen e saj në treg.

    Me këto veprime, ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    I pandehuri aktualisht ndodhet në ndalim 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

    Prokuroria Themelore në Prizren thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

  • Kurti shkruan për Masakrën e Podujevës: Për krimet e Serbisë ka dëshmi e dëshmitarë, ato duhet shndërrohen në aktakuza e dënime

    Kurti shkruan për Masakrën e Podujevës: Për krimet e Serbisë ka dëshmi e dëshmitarë, ato duhet shndërrohen në aktakuza e dënime

    Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LVV, Albin Kurti, ka shkruar për 21 vjetorin e masakrës së Podujevës ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu.

    Kurti ka shkruar se kjo masakër është kryer nga njësiti famëkeq “Shkorpionët”, që ishin përfshirë edhe në masakra në Bosnje e Hercegovinë.

    “Krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë kanë dëshmi dhe dëshmitarë. Ato duhet të shndërrohen në aktakuza konkrete dhe dënime të merituara. Institucionet tona kanë për obligim që këto dëshmi të bëhen themel i drejtësisë së mohuar për dekada”, ka shkruar Kurti.

  • Berisha paralajmëron protestë më 17 prill: Rama ka vetëm një rrugë – dorëheqjen

    Berisha paralajmëron protestë më 17 prill: Rama ka vetëm një rrugë – dorëheqjen

    Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha ka bërë të ditur se protesta e radhës e opozitës do të mbahet më 17 prill në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

    Në deklaratën e tij, Berisha ka akuzuar Ramën se po përpiqet të bindë qytetarët përmes sulmeve ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se zgjidhja e vetme është largimi i tij nga pushteti.

    “Edi Rama mendon se do bindë shqiptarët duke sulmuar partnerët tanë. Edi Rama ke vetëm një rrugë, dorëheqjen sa më parë. Me datën 17 prill, Shqipëria në Tiranë për dorëheqjen e Edi Ramës.”

    Ai shtoi se opozita do të vazhdojë qëndresën, duke paralajmëruar mungesë stabiliteti për qeverinë aktuale.

    “Mos mendo se nuk do gjesh paqe kurrë, nuk do ketë stabilitet kurrë për ty, për organizatën tënde kriminelë dhe kartelet e drogës në Shqipëri. Opozita qëndron më e fuqishme se kurrë, më e vendosur se kurrë në misionin e saj”, u shpreh Berisha.

  • Masakra në Izbicë nga forcat serbe, Osmani: Kujtesë që s’guxon të zbehet – drejtësia të mos vonojë

    Masakra në Izbicë nga forcat serbe, Osmani: Kujtesë që s’guxon të zbehet – drejtësia të mos vonojë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrën e Izbicës në 27-vjetorin e saj, duke nderuar viktimat dhe duke bërë thirrje për drejtësi.

    Në mesazhin e saj, ajo rikujtoi krimin e kryer 27 vjet më parë, kur, sipas saj, 147 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht nga forcat gjenocidale të Serbisë.

    “27 vjet më parë, 147 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht nga forcat gjenocidale të Serbisë, në mesin e tyre edhe një foshnje 6-muajshe, Dafina Qelaj. Një jetë që sapo kishte filluar, u shua barbarisht, bashkë me shumë të tjera, brenda shtëpive të tyre, vetëm pse ishin shqiptarë”.

    Osmani theksoi se masakra e Izbicës mbetet një dëshmi e dhimbjes dhe e çmimit të lirisë, por edhe një kujtesë që nuk duhet të zbehet.

    “Izbica nuk është vetëm dëshmi e dhimbjes dhe e çmimit të lirisë. Është poashtu kujtesë që nuk guxon të zbehet dhe thirrje që drejtësia të mos vonojë. Krimet e Serbisë, të cilat u kryen me qëllim të shfarosjes së popullit tone, duhet të përballen me drejtësinë.Kujtimi për të rënët është obligim, ndërsa drejtësia për ta mbetet amanet. Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët e dëshmorët!”, tha Osmani.

  • Kimi Antonelli dominon në Suzuka, Mercedes pushton vijën e parë të nisjes

    Kimi Antonelli dominon në Suzuka, Mercedes pushton vijën e parë të nisjes

    Në pistën e Suzukës, Kimi Antonelli ishte më i shpejti, duke e përshkuar atë me kohën 1 minutë, 28 sekonda e 778 të mijtat. Ai la pas shokun e tij të skuadrës, George Russell, me 298 të mijtat më shumë. Kjo do të thotë se edhe këtë herë, vija e parë e startit të garës do të jetë e gjitha Mercedes.

     

    Kohën e tretë më të mirë në kualifikuese e shënoi Oscar Piastri me McLaren, me kohën 1 minutë, 29 sekonda e 132 të mijtat, i ndjekur nga Charles Leclerc në vendin e katërt. Piloti nga Montekarlo ishte më i shpejti në dy sesionet e para, Q1 dhe Q2.

     

    Vija e tretë e startit të garës plotësohet nga kampioni në fuqi i botës, Lando Norris, dhe Lewis Hamilton me Ferrari, të pozicionuar në vendin e pestë dhe të gjashtë.

     

    Megjithatë, surprizën më të madhe e shkaktoi Max Verstappen me Red Bull, pasi holandezi do të niset nga vendi i 11-të në garën e së dielës.

     

    Dhjetëshen e pilotëve më të mirë në provat kualifikuese e plotësojnë Pierre Gasly, Isack Hadjar, Gabriel Bortoleto dhe Arvid Lindblad.

  • Biletat për tifozët mysafirë në ndeshjen Kosovë – Turqi dalin në shitje

    Biletat për tifozët mysafirë në ndeshjen Kosovë – Turqi dalin në shitje

    Kanë nisur shitjet për një numër të kufizuar biletash të dedikuara për tifozët mysafirë në ndeshjen finale të “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

    Njoftimi është bërë nga Federata Turke e Futbollit në prag të kësaj përballjeje të rëndësishme, e cila do të zhvillohet të martën, më 31 mars, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45 (21:45 sipas kohës turke).

    Sipas këtij institucioni, tifozët që dëshirojnë ta ndjekin ndeshjen nga sektori i mysafirëve mund të sigurojnë biletat përmes platformës online “eu.ebileta.al”. Për të përfunduar blerjen, është e nevojshme regjistrimi në faqe dhe përdorimi i kodit të qasjes të shpërndarë nga Federata e Futbollit të Kosovës.

    Kodi për blerjen e biletave për tifozët mysafirë është: KSTRJ1.

  • Lumbardh Dellova i gatshëm ndaj Turqisë, s’ka pezullim nga kartonët

    Lumbardh Dellova i gatshëm ndaj Turqisë, s’ka pezullim nga kartonët

    Mbrojtësi Lumbardh Dellova pritet të jetë në dispozicion për ndeshjen ndaj Turqisë, pas një keqkuptimi që ndodhi të enjten mbrëma.

    Pas ndeshjes, ai deklaroi se do të mungonte për shkak të kartonëve të verdhë, por kjo rezultoi të ishte një keqinterpretim i rregullave.

    Sipas rregullave të UEFA-s, kartonët e verdhë të marrë gjatë fazës së grupeve fshihen para fazës play-off. Kjo nënkupton se Dellova, edhe pse u ndëshkua në fitoren ndaj Sllovakisë, nuk është i suspenduar për sfidën vendimtare.

    Ndeshja ndaj Turqisë zhvillohet të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku mbrojtësi i CSKA Sofias pritet të jetë i gatshëm për lojë.

    Vetëm në rast të ndonjë vendimi të trajnerit Franco Foda apo ndonjë lëndimi të mundshëm, Dellova mund të mbetet jashtë formacionit.

    Kosova pritet të mos ketë mungesa në këtë përballje historike, ku një fitore do të siguronte kualifikimin në Kupën e Botës.

  • Rusia godit masivisht qytetin e Odesës, humbin jetën tre persona

    Rusia godit masivisht qytetin e Odesës, humbin jetën tre persona

    Lufta në Ukrainë vazhdon të marrë përmasa tragjike me sulme të koordinuara nga Rusia ndaj qyteteve dhe infrastrukturës kritike.

    Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë natës që lamë pas, rusët goditën masivisht qytetin e Odessës, duke përdorur mbi 60 dronë.

    “Ky sulm nuk kishte asnjë kuptim ushtarak, ishte thjesht terror ndaj jetës civile,” tha Zelensky përmes një postimi në Telegram.

    Nga sulmet e natës, një person humbi jetën dhe 11 të tjerë u plagosën, mes të cilëve edhe një fëmijë.

    Objektivat e goditura përfshinë një maternitet, ndërtesa banimi, biznese dhe infrastrukturë portuale. “Shërbimet tona po punojnë për të ndihmuar aty ku është e nevojshme,” shtoi presidenti ukrainas.

    Ndërkohë në veri, në qytetin Kryvyi Rig, dy burra humbën jetën nga sulmet ruse, ndërsa Kievi është kundërpërgjigjur duke goditur një rafineri të madhe nafte në Yaroslavl, në veri të Moskës. Rafineria Slavneft-Yanos, një nga pesë më të mëdhatë në Rusi, ka kapacitet prodhimi mbi 15 milion ton naftë në vit.

  • Ekspozita për masakrat, OVL-UÇK: Faji rëndon mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp

    Ekspozita për masakrat, OVL-UÇK: Faji rëndon mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp

    OVL e UÇK-së kundërshton fuqishëm ekspozitën në qendër të Prishtinës, e cila sipas tyre shtrembëron luftën çlirimtare dhe fyen gjakun e derdhur për liri, raporton Gazeta Sinjali.

    Në një komunikatë për media, OVL thekson se paraqitja e viktimave civile si “persona të armatosur”, pikërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, përbën një akt të poshtër moral dhe është e papranueshme.

    Organizata kërkon distancim të menjëhershëm zyrtar nga përmbajtja e ekspozitës dhe llogaridhënie institucionale, duke theksuar se askush nuk guxon të njollosë UÇK-në apo sakrificën e popullit shqiptar.

    Postimi i plotë:

    REAGIM

    Kundërshtojmë me forcë ekspozitën e vendosur në qendër të Prishtinës.

    Nën maskën e kujtesës, ky instalacion shtrembëron të vërtetën e Luftës Çlirimtare duke fyer gjakun e derdhur për liri. Paraqitja e viktimave civile si “persona të armatosur”, pikërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, përbën një akt të poshtër moral. Një qasje e tillë është e papranueshme.

    Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi autorët e këtij shtrembërimi dhe mbështetësit e tyre politikë. Sidoqoftë, faji rëndon edhe mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp. Financimi i kësaj përmbajtjeje nga Kuvendi i Kosovës përbën skandal të pafalshëm. Përmes tij goditet e vërteta historike dhe poshtërohet dinjiteti i luftës sonë.

    Për këto arsye, kërkojmë distancim zyrtar të menjëhershëm nga përmbajtja e asaj ‘ekspozite’, si dhe llogaridhënie institucionale.