ATV

Category: ZGJEDHJET

  • Salihu: Prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik i Obiliqit

    Salihu: Prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik i Obiliqit

    Kandidati i Nismës Socialdemokrate, Shefki Salihu, ka prezantuar prioritetet e tij për komunën e Obiliqit.

    Në fokus të programit të tij do të jetë zhvillimi ekonomik.

    “Në këtë drejtim, do të krijojmë një zonë industriale për të tërhequr investitorë të huaj, dhe pse jo, edhe diasporën. Me një infrastrukturë të rregulluar do t’i mbështesim bizneset e reja përmes programeve ‘Start-Up’, si dhe do t’i subvencionojmë edhe ato ekzistuese,” deklaroi Salihu.

    Bujqësia do të jetë një tjetër prioritet për kandidatin e Nismës.

    “Për bujqësinë do të angazhohemi veçanërisht në zonat rurale ku është e zhvilluar kjo veprimtari, si në Breznicë dhe Lajthishtë. Aty do të krijojmë dy qendra ‘One Top Shop’ për grumbullimin e produkteve bujqësore dhe për një marketing më efektiv, në mënyrë që t’u mundësojmë fermerëve plasimin e produkteve të tyre në treg,” shtoi Salihu.

    Për më shumë detaje, klikoni videon më poshtë!

  • Krasniqi: Do të ndërtojmë një muri izolues përgjatë vijës hekurudhore

    Krasniqi: Do të ndërtojmë një muri izolues përgjatë vijës hekurudhore

    Ndërtimin e një muri izolues përgjatë vijës hekurudhore në pjesën urbane të qytetit e premtoi Ali Krasniqi, kandidati për kryetar të Obiliqit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Do të ndërtojmë murin izolues përgjatë vijës hekurudhore, në të dy anët e saj, në zonën urbane të qytetit,” deklaroi Krasniqi.

    Ai u zotua gjithashtu për projekte të tjera infrastrukturore në Obiliq.

    “Në infrastrukturë kemi paraparë bashkimin e qytetit përmes ndërtimit të një mbi-kalimi hekurudhor. Po ashtu, do të zgjerojmë dhe ndriçojmë rrugën që lidh katër komunat: Stanciq, Breznicë, Barilevë dhe Ranidoll,” shtoi ai.

    Një tjetër prioritet i AAK-së, në rast se fiton udhëheqjen e komunës, do të jetë arsimi.

    “Ndërtimi i një shkolle në qendër të Obiliqit dhe ndërtimi i çerdheve të reja në Breznicë, Krushevc dhe Obiliq janë pjesë e planit tonë. Po ashtu, do të fillojmë me një pilot-projekt për mësimin gjithëditor në shkollat e komunës,” tha Krasniqi.

    Për më shumë detaje, klikoni videon më poshtë!

  • Thaçi: Platforma jonë është e fokusuar te kërkesat dhe nevojat e qytetarëve

    Thaçi: Platforma jonë është e fokusuar te kërkesat dhe nevojat e qytetarëve

    Kandidati për të parin e Obiliqit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, prezantoi platformën e tij për qeverisjen e komunës.

    “Platforma jonë është e fokusuar te kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, jo te interesat e operatorëve ekonomikë që vazhdimisht privilegjohen,” tha Thaçi.

    Sipas tij, prioritet urgjent do të jetë përfundimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq.

    “Banorët e dinë mirë me çfarë problemesh përballen çdo ditë. Përveç një QKMF-je moderne, qytetarëve do t’u ofrojmë shërbime shëndetësore 100% falas dhe mbulim të kostos së barnave për pensionistët,” deklaroi kandidati i LVV-së.

    Thaçi premtoi gjithashtu funksionalizimin e sistemit të ngrohjes qendrore dhe sigurimin e ujit të pijshëm për të gjithë qytetarët e komunës.

    Për më shumë detaje, klikoni videon më poshtë!

  • Kelmendi:Do t’i pajisim të gjitha shkollat me ngrohje

    Kelmendi:Do t’i pajisim të gjitha shkollat me ngrohje

    Pajisja e të gjitha shkollave me ngrohje në komunën e Obiliqit është një nga premtimet e kandidatit nga Partia Demokratike e Kosovës, Nysret Kelmendi
    .
    “Nuk ka kuptim që, 26 vite pas luftës, të flitet për tabela digjitale ndërkohë që shkollat ende ngrohen me dru dhe stufa,” deklaroi Kelmendi.

    Rishikimin e planit zhvillimor urban e premtoi po ashtu kandidati për kryetar të Obiliqit, pasi sipas tij, plani aktual i qeverisjes është i dëmshëm dhe i gabuar.

    “Po ashtu, ne do ta rishikojmë planin zhvillimor urban dhe hartat zonale të punuara nga udhëheqësia e tanishme, sepse mendojmë se janë të dëmshme dhe të pasakta, pasi kanë mundësuar ndërtim apo dhënie të lejeve në zona ku ndërtimi ndalohet, duke u bazuar në Ligjin për KEK-un,” tha kandidati i PDK-së.

    Kelmendi u zotua gjithashtu për mbështetje ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme, si dhe përkrahje për gratë sipërmarrëse.

    Për më shumë detaje, klikoni videon më poshtë!

  • KQZ-ja synon që rezultatet për zgjedhjet e 12 tetorit t’i publikojë brenda pak orëve

    KQZ-ja synon që rezultatet për zgjedhjet e 12 tetorit t’i publikojë brenda pak orëve

    Nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve të Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale, do të të transmetohen brenda pak orëve.

    KQZ-ja po synon që në ditën e zgjedhjeve lokale, më 12 tetor, të prezantojë dy lloje të rezultateve preliminare, ato për kryetar të komunave si dhe ato për kuvende komunale.

    Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 9 shkurt, KQZ-ja pati dështuar të transmetonte rezultatet preliminare të subjekteve politike për shkak të problemeve të paraqitura me platformën elektronike të rezultateve.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se gjatë përgatitjeve të zgjedhjeve lokale janë trajtuar edhe sfidat me të cilat është ballafaquar ky institucion në zgjedhjet e fundit parlamentare.

    “Në përgjigje ndaj sfidave të paraqitura në zgjedhjet e fundit, të cilat ndërlidhen me procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe evidentimit të tyre përmes softuerit, për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, KQZ ndërmarrë veprimet e nevojshme për zhvillimin e softuerit të ri për rezultate preliminare nga vendvotimet, rezultate nga Qendrat Komunale të Numërimit dhe nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve”, ka theksuar Elezi.

    I pyetur se çfarë të dhënash do të publikojë KQZ-ja në ditën e zgjedhjeve, Elezi tha se përveç rezultateve preliminare, në orare të caktuara publiku do të njoftohet edhe për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.

    “Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe të subjekteve politike duhet të bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit. Prandaj, KQZ po bën përgatitjet që më 12 tetor të publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Gjithashtu, gjatë zhvillimit të ditës së votimit, në orare të caktuara do të publikohen edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje, për secilën komunë, të detajuar për çdo Qendër Votimi dhe Vendvotim”, ka deklaruar Elezi.

    Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale nuk bëhet në vendvotime, por në Qendrat Komunale të Numërimit. KQZ ka caktuar nga një qendër të tillë për çdo komunë dhe do të jenë të vendosura kryesisht në palestra sportive. /

  • Kronika zgjedhore: Dita 17 e fushatës zgjedhore

    Kronika zgjedhore: Dita 17 e fushatës zgjedhore

    Në ditën e shatëmbëdhjetë të fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë zhvilluar aktivitetet e tyre politike.
    Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të aktiviteteve kryesore.

  • Kandidatët e NISMËS Socialdemokrate premtojnë shëndetësi e urbanizëm

    Kandidatët e NISMËS Socialdemokrate premtojnë shëndetësi e urbanizëm

    Halimaj, ka premtuar shërbime të zgjeruara mjekësore për banorët e komunës.

    E, Kandidati i Nismës për Podujevën, premtoi se do të angazhohet për urbanizëm të kontrolluar.

    “Në një kohë kur shumë qytete në Kosovë po përballen me pasojat e ndërtimeve të pakontrolluara, Podujeva duhet të jetë më e kujdesshme. Zhvillimi urban nuk duhet të jetë sinonim i kaosit, por i një vizioni të qartë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”, tha ai.

    Ndërkaq, Kandidat i NISMAs për Malishevën, Ekrem Kastrati, i cili po kërkon edhe një mandat të dytë bashkë me kreun e Partisë, Fatmir Limaj mbajti tubim elektoral në Carallugë.

    Kastrati thotë se mbështetja nga qytetarët po ia konfirmon fitoren më 12 tetor.

    Xhevahire Izmaku, që po garon për kryetarë të Vushtrrisë, në ditën e 17 të fushatës zgjedhore bëri homazhe në nderim të 26-vjetorit të rënies së dëshmorit Ferki Aliu.

    Ndërsa të dielën mbrëma ajo takoi familjen e një asamblisti.

  • “Prishtina në dorën tënde”, Krasniqi me fokus tek arsimi

    “Prishtina në dorën tënde”, Krasniqi me fokus tek arsimi

    Kandidati për kryetar të Prishtinës, Agim Krasniqi nga iniciativa qytetare “Prishtina në dorën tënde”, takimin elektoral e ka zhvilluar në Kodrën e Trimave. Krasniqi fushatën e tij elektorale po e zhvillon kryesisht duke takuar qytetarë në çdo lagje të Kryeqytetit.

    Duke thënë se kryeqytetit është i të gjithëve, Krasniqi ka premtuar se do të punojë për të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim.

    Sipas Krasniqit, qeverisjet e kaluara nuk i kanë dhënë vëmendje siç duhet kryeqytetit, e sipas tij kjo është e papranueshme

    Në këtë takim me qytetarët, ai u ndal veçanërisht tek arsimi, duke theksuar se kriza e arsimit nuk është e ndërtesave—është e sistemit: pa meritë, pa llogari, pa disiplinë.

    Derisa prezantoi platformën e tij për depolitizimin e shkollave, sipas tij kjo problematikë do të ndryshohet brenda 90 ditëve.

  • Dita e 17-të, kandidatët e PDK-së premtojnë progres për komunat

    Dita e 17-të, kandidatët e PDK-së premtojnë progres për komunat

    Aktivitetin e tij elektoral, kandidati për Prishtinën nga PArtia Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili e ka nis me shpërndarjen e gazetës “Koha për Prishtinën”.

    Pos kësaj, Ismaili ka shpërndarë edhe një video nga një takim me banorët e Barilevës, ku mes tjerash tha se premtimet e tij janë të realizueshme dhe prekin interesat e banorëve.

    Votë për kandidatin për Mitrovicën, kërkoi edhe vetë lideri i PDK-së, në ditën e 17 – Memli Krasniqi.

    Bashkpartiaku Ferit Idizi i cili po synon mandatin e dytë në krye të Vushtrrisë, ka vizituar banorë të fshatrave të ndryshëm si dhe afaristë. Ai u premtoi mbështetje edhe për 4 vjetët e ardhshme.

    Dedikim të plotë për Drenasit, premtoi Petrit Hajdari. Në takimet e tij elektorale, Hajdari thotë se po bindet se do ta qeverisë këtë komunë.

    Mbështetje bizneseve që hapin vende të reja të punës premtoi kandidati për Gjakovën, Ervin Shabani.

    E transformim urban në akset kryesore me shtigje për biçikleta, trotuare të gjëra dhe hapësira për qytetarë, po premton Arta Nallbani, kandidate për kryetare të PEjës.

    Për plus 4 vjet qeverisje i ka hyrë garës Shaqir Totaj për Prizrenin. Në takim me përfaqësues të shoqatave dhe banorë të fshatrave, Totaj thotë se do të vazhdojë të punojë për progres të Prizrenit.

    Tubime elektorale ka zhvilluar edhe kandidati i PDK-së për Vitinë, Bekim Azizi.

  • Kandidatët e AAK-së për kryetar, shpalosin idetë për investime kapitale

    Kandidatët e AAK-së për kryetar, shpalosin idetë për investime kapitale

    Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, tregoi se ka një plan për procesin e legalizimit, duke kërkuar besimin qytetar.

    Berisha publikoi edhe shtatë projekte kapitale të programit të tij, për disa sektorë.

    Ardian Gjini, i cili edhe një herë garon për Gjakovën zhvilloi takim me gratë dhe vajzat gjakovare. Gjini tha se edhe në mandatin e ardhshëm do të ketë përkrahje për to.

    Ai takoi edhe një çift të moshuar që vazhdon ta punojë tokën, e që mes tjerash foli për vizionin për Gjakovën.

    Nazim Gagica i AAK-së që garon në Gjilan, publikoi projektet që synon t’i realizojë për bujqësinë në Gjilan.

    Kandidati i AAK-së për Suharekën, promovoi një projekt komunal në Reqan.

    Bali Muharremaj vizitoi edhe një fermë, gjatë ditës.

    Ndërsa Smajl Latifi që përsëri synon të bëhet kryetar i Rahovecit, do t’ua tregoj në sy banorëve të Dobidolit dhe Denjit, programin e tij për to të hënën në mbrëmje.