ATV

Category: ZGJEDHJET

  • Fushata e raundit të dytë, kandidatët e LVV-së: Të dielën voto për të ardhmen e komunës

    Fushata e raundit të dytë, kandidatët e LVV-së: Të dielën voto për të ardhmen e komunës

    Në ditën e katërt të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari i komunë së Gjilanit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për mandat të dytë, Alban Hyseni gjatë një tubimi madhështor ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, theksoi punët e kryera gjatë mandatit të parë dhe nënvizoi rëndësinë e votës së qytetarëve më 9 nëntor. “Gjilani është me zemër me Lëvizjen Vetëvendosje! Të dielën do ta vulosim fitoren,” tha Hyseni.

    Në Viti, kandidati Arsim Ademi, gjatë një tubimi ku mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, u drejtua te qytetarët duke kërkuar mbështetjen e tyre. Ai premtoi një qeverisje efikase, të drejtë dhe transparente, me derën e hapur për çdo qytetar që ka ide për të ardhmen e komunës.

    Në kryeqytet, kandidati Hajrulla Çeku nëse arrin të bëhet kryetar synon lehtësimin e trafikut dhe zgjerimin e parkingjeve publike.

    Ai gjatë ditës vlerësoi arritjet e nxënësve të Shkollës së Muzikës “Amadeus” në garat ndërkombëtare, duke e parë si frymëzim për të rinjtë e Prishtinës.

    Kandidati Ardian Gola në Gjakovë, premtoi rikthimin në funksion të Parkut “Ali Podrimja”, themelimin e festivalit ndërkombëtar të poezisë dhe ndërtimin e një teatri modern për artistët lokal.

    Në Prizren, kandidati i LVV-së, Artan Abrashi, mori pjesë në disa takime me qytetarët së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ku u pritën me mbështetje të jashtëzakonshme nga qytetarët.

    Abrashi nënvizioi energjinë dhe vendosmërinë e banorëve të Korishës dhe Kurillës për ndryshim dhe u bëri thirrje qytetarëve që të dielën më 9 nëntor të votojnë për ndryshimin që Prizreni e meriton.

    Në Pejë, kandidati Taulant Kelmendi premtoi vëmendje për fshatrat dhe lagjet, dhe se qytetarët nuk duhet të jenë viktimë e premtimeve të rreme.

    Valon Prebreza kandidat për kryetar në Fushë Kosovë inkurajoi qytetarët që të votojnë numrin 105.

    Në Mitrovicë, kandidati i Vetëvendosjes Faton Peci prezantoi planet për rehabilitimin e Kodrës së Cërnushës dhe krijimin e ekipeve vullnetare për parandalimin e zjarreve pyjore.

    Ndërsa në Vushtrri, Sylejman Meholli premtoi se dëmet nga vërshimet e vitit 2023 do të kompensohen për fermerët dhe ekonomitë familjare.

    Në Obiliq, kandidati Halil Thaçi premtoi kthimin nën menaxhim të komunës të një objekti shkollor që ka qenë peng i uzurpatorëve për shumë vite.

  • PDK intensifikon fushatën në ditën e katërt para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale

    PDK intensifikon fushatën në ditën e katërt para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale

    Shaqir Totaj, kryetari aktual i Prizrenit, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës edhe për një mandat, në ditën e katërt të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ndau një video të titulluar “4 vite në 40 sekonda”, ku paraqiten investimet dhe projektet e realizuara në të gjitha lagjet dhe fshatrat e qytetit.

    Totaj falenderoi bashkatdhetarët për mesazhet dhe mbështetjen e tyre. Ai u bërë thirrje qytetarëve që të votojnë të dielën në mënyrë të organizuar.

    Në Dragash, kandidati i PDK-së Shaban Shabani apeloi qytetarët për mbështetje në raundin e dytë të zgjedhjeve.

    Nga Kaçaniku, kryetari aktual Sabedin Vishi, kandidat edhe për një mandat, ditën e katërt të fushatës e fokusoi në fuqizimin e pozitës së grave dhe vajzave të reja me premtimin për fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri.

    Në Mitrovicë, kandidati i PDK-së Arian Tahiri gjatë takimit në “Birlik” premtoi një qeverisje të bashkuar dhe gjithëpërfshirëse në raundin e dytë të zgjedhjeve që zhvillohet të dielën, më 9 nëntor.

    Tahiri shpërndau edhe një video-mesazh, ku shprehet se qytetarët janë prioriteti i tij: “I përulem vullnetit qytetar. Jetojmë dhe punojmë për Mitrovicën.”

    Ferit Idrizi, kryetari aktual, kandidat edhe për një mandat në Vushtrri, ishte pranë qytetarëve në rrugë, tregje e biznese për të promovuar vizionin e tij për një të ardhme më të mirë.

    Ndërsa në Klinë, kandidati Sokol Bashota premtoi infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik.

  • Dita e katërt e fushatës në Mamushë, garë mes premtimeve dhe kritikave

    Dita e katërt e fushatës në Mamushë, garë mes premtimeve dhe kritikave

    Në ditën e katërt të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Mamushës, kryetari aktual dhe kandidati i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Abdulhadi Krasniq ka ndarë pamje të një nga projektet që e quan “realizimin e një ëndrre të kahmotshme” për qytetarët e Mamushës, furnizimin me ujë të pijshëm nga sistemi i Radoniçit.

    Ai tha se testimi i linjave të ujësjellësit tashmë ka përfunduar dhe se shumë shpejt banorët e Mamushës do të kenë ujë të pastër dhe cilësor në çdo shtëpi.
    “Që nga sot, uji i pijshëm Radoniç është lidhur me linjën e shpërndarjes së Mamushës. Ky është fillimi i një epoke të re për komunën tonë, ku mungesa e ujit do të mbetet vetëm kujtim i së kaluarës,” deklaroi Krasniq.

    Ai gjithashtu u bëri thirrje bashkatdhetarëve nga diaspora, veçanërisht atyre që jetojnë në Turqi, të marrin pjesë në zgjedhje, duke njoftuar për transport të organizuar nga qyteti i Bursës drejt Kosovës.

    Ndërkaq, kandidati i Mamusha Halk Hareketi, Fikret Morina, vazhdoi fushatën me kritika ndaj kundërshtarit të tij, duke e akuzuar për, siç tha ai, “përdorim të institucioneve për fushatë dhe mashtrime me lajme të rreme për mbështetje të fermerëve”.

    Morina rikujtoi premtimin e dhënë më 23 shtator për “grante ndaj fermerëve, tregtarëve dhe artizanëve”, duke thënë se deri më tani asnjë nga këto mbështetje nuk është realizuar.

    “Fermerët dhe tregtarët u mbushën me shpresë, por grantet nuk ekzistojnë. Këto janë vetëm premtime të bëra për vota. Banorët e Mamushës nuk do të bien më në të njëjtën grackë,” – deklaroi Morina.

    Ai theksoi se nëse zgjedhet kryetar, prioritet i tij do të jetë mbështetja reale për bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik vendor, pa ndasi partiake apo etnike.

  • Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, kandidatët e LDK-së prezantojnë projekte inovative

    Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, kandidatët e LDK-së prezantojnë projekte inovative

    Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, ka ndarë një video nga projektet e realizuara në lagjen Dardania dhe aktivitetet e tij me mësimdhënesit, duke nënvizuar angazhimin e tij për një Prishtinë që respekton mësuesit, fuqizon shkollat dhe investon në të ardhmen e nxënësve.

    Besnik Osmani, kandidati për kryetar të Fushë Kosoves ka vizituar banorët e Lismirit të cilët i dhanë një përkrahje të madhe.

    Osmani po ashtu gjatë ditës ka prezantuar projektin ideor për rinovimin e lagjes “Kolonia” dhe ndërtesave të reja në Bresje.

    Kurse kandidati i LDK-së për kryetar të Suharekës, Ardian Shala ka zhvilluar takime me banorët e fshatrave Nëperbisht dhe Samadraxhë, duke dëgjuar nevojat e tyre dhe duke premtuar investime që do të dërgojnë Suharekën në një epoke të re zhvillimi dhe permirësimi të jetesës.

    Kandidati për Gjilan, Arbër Ismajli premton punësim për mjekët e sapodiplomuar, për të garantuar që do qytetarë të ketë mjekun e vet, pajisje moderne dhe efikasitet në menaxhimin e shërbimeve shëndetësore.

    Kryetari aktual dhe kandidat për një mandat të dytë në Viti, Sokol Haliti ka zhvillar takime me Forumin e Gruas, aty ai premtoi angazhimin e tij për një të ardhme më të drejtë dhe me dinjitoze për qytetarët.

    Xhafer Gashi, kryetari aktual i Obiliqit, kandidat edhe për një mandat 4-vjecar ka publikuar video mbi punën e ndermarrjes komunale ne fushën e mjedisit, duke përmirësuar hapësirat e gjelbra, parkun dhe kënde atraktive për qytetarët.

  • Dita e tretë e fushatës, kandidatët e AAK-së me mesazhin “174 zgjedhja e duhur”

    Dita e tretë e fushatës, kandidatët e AAK-së me mesazhin “174 zgjedhja e duhur”

    Në ditën e tretë të fushatës gjashtëditore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të dytë në Klinë, Zenun Elezaj, mbajti një tubim madhështor në shtëpinë e kulturës “Jehona e Dukagjinit”, ku morën pjesë kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, Pal Lekaj, si dhe deputetët Lahi Brahimaj e Time Kadrijaj.

    Elezaj u zotua për vazhdimin e projekteve zhvillimore dhe përkushtim ndaj çdo fshati e lagjeje të Klinës dhe se “fitorja e 9 nëntorit do të jetë fitore e punës, ndershmërisë dhe e besimit të qytetarëve”.

    Në Gjakovë, kryetari dhe kandidati i AAK-së, Ardian Gjini zhvilloi takim me përfaqësues të një organizate austriake me të cilën komuna bashkëpunon në projekte sociale dhe për mbrojtjen e fëmijëve. Ai tha se vizioni i tij për mandatin e ardhshëm përfshin një Gjakovë me zhvillim të qëndrueshëm, partneritet ndërkombëtar dhe kujdes të veçantë për shtresat në nevojë.

    Gjini gjithashtu përcolli mesazh urimi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Rome, duke nënvizuar mbështetjen e komunës për komunitetet dhe diversitetin kulturor.

    Në Suharekë, kryetari Bali Muharremaj inspektoi punimet infrastrukturore në Sallagrazhdë dhe Nëpërbisht, duke deklaruar se projektet për përmirësimin e rrugëve dhe pastrimin e lumenjve janë dëshmi e përkushtimit për një Suharekë më të zhvilluar.

    Ai mbajti edhe një tubim me qytetarë në Duhël, ku kërkoi mbështetjen për mandatin e ri me numrin 174.

    Në Junik, kandidati i AAK-së Agron Kuçi u shpreh mirënjohës ndaj mërgatës për mbështetjen e vazhdueshme dhe u zotua se mandati i tij do të jetë “mandat i bashkimit të Junikasve të vërtetë dhe zhvillimit të komunës”, duke u distancuar nga, siç tha ai, “propagandat që synojnë të devijojnë vullnetin e qytetarëve”.

    Ndërsa në Rahovec, kryetari Smajl Latifi u fokusua në përfshirjen e grave në vendimmarrje, duke thënë se mandati i ardhshëm do të karakterizohet nga “mbështetje e veçantë për gratë në sektorin publik dhe privat”. Në një takim me gra të komunës, Latifi tha se zhvillimi i Rahovecit nuk mund të arrihet pa kontributin e barabartë të grave dhe burrave në çdo fushë.

  • Dita e tretë e fushatës në Mamushë, kandidatët shpalosin vizionet e tyre për komunën

    Dita e tretë e fushatës në Mamushë, kandidatët shpalosin vizionet e tyre për komunën

    Në ditën e tretë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Mamushës kandidati Abdulhadi Krasniq nga Partia Demokratike Turke e Kosovës tha se prioritet I tij mbetet kujdesi shëndetësor.

    Ai rikujtoi se gjatë mandatit të tij, komuna ka përjetuar një transformim të rëndësishëm në këtë fushë nga rritja e furnizimit me ilaçe e pajisje mjekësore, deri tek zgjerimi i shërbimeve 24-orëshe për qytetarët.

    “Ne e kemi nxjerrë nga hija Qendrën e Shëndetit Familjar dhe e kemi kthyer në model të shërbimit publik. Kemi forcuar stafin shëndetësor me 150 për qind, kemi shtuar dy ambulanca të reja dhe kemi krijuar ekipin mobil që shkon tek pacientët në shtëpitë e tyre” deklaroi Krasniq, duke premtuar vazhdimësi të projekteve nëse fiton një mandat të ri.

    Ndërkohë, kandidati i Mamusha Halk Hareketi, Fikret Morina, e përqendroi mesazhin e tij tek bashkimi qytetar dhe vizioni për një Mamushë më të fortë e më të bashkuar. Ai njoftoi për organizimin e aktiviteteve dhe udhëtimeve të bashkëqytetarëve nga diaspora drejt Mamushës në kuadër të raundit të dytë të zgjedhjeve, që mbahen të dielën më 9 nëntor.

    “Kjo rrugë nuk është vetëm një udhëtim, por rrugë e unitetit, e besnikërisë dhe dashurisë për atdheun tonë. Le të qëndrojmë së bashku për të mbrojtur të ardhmen e Mamushës,” u shpreh Morina në një komunikatë përkrahësve të tij.

  • Dita e tretë e fushatës, VV kërkon mbështetje për ndryshim dhe përmirësim të jetës së qytetarëve

    Dita e tretë e fushatës, VV kërkon mbështetje për ndryshim dhe përmirësim të jetës së qytetarëve

    Në ditën e tretë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kandidatit i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjakovës, Ardian Gola organizoi tubim madhështor me pjesëmarrjen e kryetarit të VV-së, Albin Kurti.

    Gola falenderoi qytetarët për mbështetjen e deritanishme dhe kritikoi kryetarin aktual për keqqeverisje. Ai premtoi qeverisje të drejtë, transparente dhe të pakorruptuar, duke i ftuar të gjithë të dalin për të votuar më 9 nëntor për një Gjakovë më të mirë.

    Në Prishtinë, kandidati i VV-së Hajrulla Çeku vizitoi tregun e shitjes me shumicë dhe premtoi përmirësim të infrastrukturës dhe kushteve të tregtisë si mënyrë për të rritur standardin e jetesës dhe për të ulur papunësinë.

    Në Pejë, Taulant Kelmendi bëri thirrje për ndryshim dhe hapjen e një kapitulli të ri për qytetin, duke u fokusuar tek qeverisja e përgjegjshme.

    Valon Prebreza, kandidat për kryetar të Fushë Kosovës zhvilloi takim me gratë e komunës, duke diskutuar për mbështetjen e grave në biznes, nënat e reja, çerdhet publike dhe menaxhimin më të mirë të infrastrukturës urbane. Ai premtoi përfshirje të drejtë dhe mundësi më të shumta për komunitetin.

    Kurse Faton Peci, kandidat për kryetar në Mitrovicë, riafirmoi zotimet për ndriçim publik, trotuare, transport publik falas dhe trajtim të barabartë për të gjitha lagjet. Ai gjithashtu falenderoi mërgatën për përgatitjet për votim me postë.

    Ali Dula, kandidati i VV-së për Rahovec, ftoi qytetarët të marrin pjesë në tubimin më 7 nëntor, ku do të jetë I pranishëm edhe lideri i partisë, Albin Kurti.

    Kryetari aktual dhe kandidat për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, vizitoi fshatin Cërnicë, ku u prit me krahëhapur nga banorët. Hyseni u zotua se projektet e nisura do të vazhdojnë dhe i ftoi qytetarët të dalin më 9 nëntor për të votuar për një fitore të madhe.

    Në Viti, kandidati Arsim Ademi premtoi qeverisje të drejtë dhe transparente, duke marrë shembullin e ndryshimeve të suksesshme në Shtime dhe duke u zotuar për zhvillim të ngjashëm për qytetarët e Vitisë më 9 nëntor.

  • PDK në ditën e tretë të fushatës, takime me qytetarë e biznese në komunat që garojnë në raundin e dytë

    PDK në ditën e tretë të fushatës, takime me qytetarë e biznese në komunat që garojnë në raundin e dytë

    Në ditën e tretë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së për një mandat të dytë në Prizren, Shaqir Totaj, ka vizituar një numër biznesesh nga Muzeu “Nënë Tereza” deri te Spitali i qytetit.

    Ai tha se mbështetja për bizneset vendore do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij të ardhshme dhe se zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës janë ndër synimet kryesore, duke shtuar se bashkëpunimi me sektorin privat do të jetë çelësi për një Prizren më të fortë ekonomikisht.

    Në Dragash, kandidati i PDK-së Shaban Shabani zhvilloi takim me banorët e fshatit Brrut, ku tha se mbështetja që po merr çdo ditë është tregues i besimit për ndryshime konkrete në komunë.

    Nga Kaçaniku, kryetari aktual dhe kandidati, Sabedin Vishi, njoftoi përgatitjet për tubimin përmbyllës të fushatës, ku pritet të prezantohet programi I tij për katër vitet e ardhshme.

    Në Mitrovicë, kandidati për kryetar Arian Tahiri ka vazhduar takimet me qytetarë e biznese.

    Ai poashtu mori pjesë edhe në një panair artizanal të grave të Mitrovicës, ku tha se mbështetja për gratë dhe fuqizimi i tyre ekonomik do të jenë shtylla të zhvillimit lokal.

    Ndërkohë, në Vushtrri, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të ri, Ferit Idrizi, takoi banorët e Studimes së Poshtme. Idrizi u zotua për vazhdimësinë e projekteve të nisura dhe për përmirësimin e infrastrukturës lokale teksa tha se banorët po e mbështesin punën e mirëfilltë e të përkushtuar që ka nisur gjatë mandatit të pare.

    Në Klinë, kandidati Sokol Bashota ka paralajmëruar tubimin përmbyllës të fushatës që do të mbahet më 6 nëntor në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

  • LDK në balotazh, premtimet e kandidatëve për zhvillim, arsim dhe infrastrukturë

    LDK në balotazh, premtimet e kandidatëve për zhvillim, arsim dhe infrastrukturë

    Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama ka vizituar lagjen Tasligje, ku ka prezantuar një nga projektet kryesore për katër vitet e ardhshme.

    Kryetari në detyrë i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka hapur fushatën e balotazhit me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, duke thënë se qytetarët e Pejës vazhdojnë të zgjedhin për zhvillim, punë dhe të ardhmen e qytetit.

    Arbër Ismajli, kandidat për kryetar të Gjilanit ka premtuar investime në arsim, përfshirë ndërtimin e tre shkollave të reja, modernizimin e laboratorëve dhe kabineteve, si dhe digjitalizimin e institucioneve arsimore.

    Kurse Besnik Osmani, kandidat për kryetar të Fushë-Kosovës, ka bërë të ditur se programit të tij qeverisës i është bashkuar edhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB).

    Osmani njoftoi gjithashtu fillimin e ndërtimit të një çerdheje moderne me kapacitet për 60 fëmijë, duke siguruar hapësira edukative dhe të sigurta për brezin e ri.

    Kryetari aktual i Obiliqit, Xhafer Gashi, ka fokusuar fushatën e tij tek rinia, sporti dhe kultura, duke premtuar vazhdimin e projekteve në këto fusha në bashkëpunim me sportistët, artistët dhe organizatat joqeveritare.

    Kandidati për një mandat të ri në Viti, Sokol Haliti, ka ndarë pamje nga tubimi i mbajtur në Lubishtë, ku qytetarët u mblodhën në një atmosferë entuziaste dhe mbështetje të madhe.

    Kandidat i LDK-së për kryetar të Suharekës, Ardian Shala ka zhvilluar takime në Duhël dhe Studençan. Ai premtoi se zëri i secilit banor do të dëgjohet dhe respektohet në vizionin e tij për një Suharekë më të zhvilluar dhe gjithëpërfshirëse.

    E ditën e dytë të fushatës, kryetari aktual i Junikut dhe kandidat për një mandat të ri, Ruzhdi Shehu, ka shpërndarë 145 bursa për studentët.

  • Fushata e AAK-së për zgjedhjet e 9 nëntorit intensifikohet me mbështetjen e Haradinajt

    Fushata e AAK-së për zgjedhjet e 9 nëntorit intensifikohet me mbështetjen e Haradinajt

    Për zgjedhjet e 9 nëntorit, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi një vizitë në Gjakovë për të mbështetur kandidatin e partisë në balotazh, Ardian Gjini. Haradinaj theksoi se Gjakova ka nevojë të zgjedhë më të mirin teksa riafirmoi mbështetjen për Gjinin, duke e vlerësuar punën e tij të deritanishme dhe projektet zhvillimore që kanë përmirësuar imazhin dhe ekonominë e qytetit.

    Gjini, kryetar aktual i komunës dhe kandidat për një mandat të ri, gjatë ditës së martë ndau pamje nga punimet infrastrukturore, të cilat po vazhdojnë me intensitet të shtuar, konkretisht në Pikën e Zezë dhe Bardhaniq.

    Në Suharekë, Bali Muharremaj që kërkon vote për mandat të ri prezantoi projektet që planifikon të realizojë në katër vitet e ardhshme.

    Muharremaj po ashtu ndau pamje nga mbështetje e qytetarëve te Studençanit.

    Kurse kandidati i AAK-së për Rahovec, Smajl Latifi, konfirmoi përkrahjen e palëkundur në Dejnë e Dobidol për konceptin e tij. Ai u shpreh I bindur se më 9 nëntor do të nisë puna për projektet e reja që shtrihen anekënd Rahovecit dhe falenderoi qytetarët për mbështetjen e tyre.

    Në Junik, kandidati i AAK-së Agron Kuçi në ditën e dytë të fushatës denoncoi manipulime të mundshme me listën e votuesve teksa premtoi rikthimin e dinjitetit dhe punën e ndershme në krye të komunës.

    Në Kline, Zenun Elezaj, kryetar aktual dhe kandidat për një mandat të ri, njoftoi një tubim qendror me qytetarët ku do të prezantohet programi i tij politik dhe vizioni për katër vitet e ardhshme, në prani të Ramush Haradinajt.