ATV

Category: TOP ATV

  • Uji i Lubishtës, burim natyral nga zemra e Karadakut

    Uji i Lubishtës, burim natyral nga zemra e Karadakut

    Në një zonë malore të bukur të Anamoravës, pikërisht në fshatin Lubishtë të komunës së Vitisë, buron një nga ujërat më të pastër natyrorë në Kosovë, uji i Lubishtës.

    Ky ujë del nga thellësitë e tokës në një lartësi mbidetare prej 1200 metrash dhe mbart me vete një histori që lidhet ngushtë me natyrën, pastërtinë dhe potencialin e resurseve të brendshme të vendit.

    Përveç aspektit të cilësisë, Uji i Lubishtës është edhe simbol i përkushtimit komunitar. Në vendin ku buron uji, vizitorët mund të mbushin bidonët e tyre pa pagesë, ndërsa për ata që kanë mundësi financiare, çmimi është vetëm 1 cent për litër. Kjo praktikë reflekton frymën e solidaritetit dhe humanizmit që e karakterizon këtë nismë.

    Uji i Lubishtës është tashmë i njohur edhe jashtë kufijve vendorë, me ambicie që të pozicionohet si markë premium në tregun ndërkombëtar të ujit. Me cilësinë e tij të dëshmuar dhe historinë e fortë lokale pas vetes, ky burim natyror po kthehet në një prej simboleve më pozitive të Anamoravës.

  • Vendosja e semaforëve nëpër rrugë të Prishtinës

    Vendosja e semaforëve nëpër rrugë të Prishtinës

    Komuna e Prishtinës ka filluar vendosjen e semaforëve në rrugët e lagjeve të ndryshme të qytetit, një projekt ky që vjen si rezultat i kërkesave të shumta nga banorët dhe Këshilli Lokal i Qendrës. Kjo iniciativë synon të rrisë sigurinë në komunikacion, sidomos në zonat e frekuentuara nga këmbësorët dhe nxënësit shkollorë. Rrugët e brendshme të lagjeve, që shpeshherë ishin të pambrojtura nga ndonjë sistem kontrolli të trafikut, tashmë do të kenë një qasje më të rregulluar dhe të sigurt.

    Sadudin Hasani, përfaqësues nga Këshilli Lokal i Qendrës, ka theksuar rëndësinë që ka pasur ky projekt për komunitetin lokal. Sipas tij, semaforët ishin një kërkesë e kahmotshme e banorëve, veçanërisht në ato pjesë ku ndodhin shpesh aksidente apo ka lëvizje të dendur gjatë orëve të pikut.

    Ai gjithashtu ka nënvizuar se bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës ka qenë i frytshëm dhe efektiv, pasi kanë shprehur shqetësimet dhe propozimet e tyre.

    Sipas komunës së Prishtinës, vendosja e semaforëve po bëhet në disa pika kyçe të lagjeve, përfshirë afër shkollave, qendrave shëndetësore dhe rrugëve të ngarkuara me trafik. Ky projekt parashihet të përfshijë edhe vendosjen e shenjave sinjalizuese shtesë dhe përmirësimin e infrastrukturës për këmbësorët. Banorët kanë mirëpritur këtë hap dhe shpresojnë se do të ndikojë pozitivisht në uljen e aksidenteve dhe në krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë.

  • Ja si do të dukej Antarktida pa akull

    Ja si do të dukej Antarktida pa akull

    Nëse Antarktida do të mbetej pa akull, do të shfaqej një peizazh dramatik dhe të papritur për syrin e njeriut. Përkundër imazhit të zakonshëm të një kontinenti të ngrirë, do të shihnim një masë të madhe toke me male të larta, luginat e thella dhe kanione të fshehura.

    Antarktida pa akull do të ishte një kontinent i mbushur me male të larta, lugina dhe kanione të thella, duke ofruar një pamje të papritur dhe të jashtëzakonshme për syrin e njeriut. Ky skenar është i mundur vetëm nëse të gjithë akulli shkrihet, një proces që do të kishte pasoja të rënda për nivelin e deteve dhe ekosistemet globale.

    Antarktida, ndryshe nga Arktiku që përbëhet kryesisht nga akull detar, mbështetet mbi një masë të fortë shkëmbore kontinentale. Por për shkak të një shtrese akulli me një trashësi mesatare prej mbi 2,100 metrash, ajo ka mbetur e fshehur nga syri i njeriut deri tani. Kjo përpjekje kolosale është ndërtuar mbi më shumë se 82 milionë pika të dhënash, të mbledhura gjatë 60 viteve nga satelitë, avionë, anije dhe ekspedita tokësore – madje edhe nga sajat e qenve.

    ‘Bedmap3’ përmirëson ndjeshëm përpjekjet e mëparshme duke përdorur më shumë se dyfishin e të dhënave sesa versioni i mëparshëm. Për hartimin janë përdorur teknika të avancuara si radarë përmes akullit, matje të gravitetit dhe valë sizmike reflektuese.

    Rezultati? Një hartë 3D me një rezolucion mbresëlënës prej 500 metrash, që zbulon me saktësi forma të thella të relievit të kontinentit: male të mprehta, lugina të fshehura dhe struktura që nuk janë parë kurrë më parë.

    Antarktida Lindore, një nga rajonet më të panjohura të kontinentit për shkak të kushteve ekstreme dhe izolimit, është veçanërisht e detajuar në këtë hartë.

    Sipas studiuesve, Bedmap3 do të jetë thelbësore për të kuptuar se si do të reagojë shtresa e akullit ndaj ndryshimeve klimatike.

    “Ky është informacion kyç që mbështet modelet kompjuterike që përdorim për të studiuar rrjedhën e akullit ndërsa temperaturat rriten,”, shpjegon Dr. Hamish Pritchard, glaciolog në BAS dhe autor kryesor i studimit.

    Ai e krahasoi sjelljen e akullit me derdhjen e një shurupi mbi një tortë me reliev të pabarabartë, ku forma e sipërfaqes përcakton drejtimin dhe shpejtësinë e rrjedhjes.

    Ndërsa planeti vazhdon të ngrohet, rritja e nivelit të deteve dhe shkrirja e akullnajave janë ndër shqetësimet më të mëdha klimatike.

    Njohja e strukturës së terrenit nën Antarktidë është thelbësore për të parashikuar se ku dhe sa shpejt do të shkrijë akulli.

    ‘Bedmap3’ nuk është thjesht një arritje teknologjike, është një mjet jetik për të kuptuar të ardhmen e planetit tonë.

  • Era Istrefi dhe Ledri Vula zyrtarisht ambasadorë të IPKO-s

    Era Istrefi dhe Ledri Vula zyrtarisht ambasadorë të IPKO-s

    Dy nga emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare, Era Istrefi dhe Ledri Vula, janë zyrtarizuar si ambasadorët e rinj të IPKOs. Ceremonia u mbajt të hënën, më 2 qershor, në zyrën qendrore te IPKOs, ku u prezantua partneriteti që pritet të sjellë energji të re në komunikim dhe qasje kreative ndaj publikut.

    Ky bashkëpunim vjen në një periudhë ku IPKO po zgjerohet jo vetëm në fushën e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale, por edhe në afrimin me komunitetin përmes figurave frymëzuese të artit dhe kulturës bashkëkohore. Me praninë e dy artistëve të njohur, por edhe të përfaqësuesve të kompanisë, u shënua fillimi i një kapitulli të ri në identitetin publik të brendit.

    Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe menaxheri i dyshes, Faton Shoshi, i cili ka qenë pjesë kyçe e realizimit të këtij bashkëpunimi. Ai u shpreh i lumtur për mundësinë që Era dhe Ledri të jenë pjesë e një projekti që synon të ndikojë pozitivisht në mënyrën se si teknologjia dhe muzika mund të ndërthuren.

    Ky partneritet pritet të sjellë përfitime të shumta për publikun në muajt në vijim, duke kombinuar kreativitetin e artistëve me dinamizmin e një kompanie që është gjithnjë në zhvillim.

  • 28 maji – Dita botërore e higjienës menstruale

    28 maji – Dita botërore e higjienës menstruale

    Sot shënohet 28 Maji, Dita Botërore e Higjienës Menstruale, ndërsa Rrjeti i Grave të Kosovës bën të ditur se ka dërguar te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve rekomandimet përmes së cilave ka kërkuar heqjen e taksës prej 18 për qind në produktet menstruale.

    Higjiena menstruale përfshin të gjitha praktikat që ndihmojnë vajzat dhe gratë të kujdesen për trupin e tyre gjatë ciklit menstrual. Kjo përfshin përdorimin e produkteve të pastra dhe të sigurta si pecetat higjienike, tamponët ose kupat menstruale, ndërrimin e tyre me rregullsi, si dhe larjen e zonës intime me ujë të pastër dhe sapun të butë.

    RrGK ka përsëritur se kjo taksë është diskriminuese dhe barrë shtesë për vajzat dhe gratë në Kosovë dhe pengesë drejt realizimit të së drejtës së tyre për kujdes të përballueshëm shëndetësor.

    Aktualisht produktet e higjienës për ciklin menstrual tatohen në Kosovë për 18% të vlerës së tyre, njësoj siç tatohen edhe produktet e luksit.

    Megjithatë është e rëndësishme të dimë edhe anën shëndetësor se mungesa e higjienës menstruale mund të çojë në infeksione serioze, siklet fizik dhe emocional, si dhe në mungesa në shkollë apo punë për shumë vajza. Për më tepër, në shumë vende ende ekzistojnë tabu dhe turp i panevojshëm rreth kësaj teme, çka e bën edhe më të vështirë kujdesin e duhur.

    Në disa kultura, gratë ndalohen të hyjnë në kuzhinë ose në vende të shenjta gjatë menstruacioneve, për shkak të besimeve tradicionale. Megjithatë, këto besime nuk kanë bazë shkencore dhe shpesh çojnë në izolim të padrejtë të vajzave dhe grave.

    Sot ekzistojnë shumë alternativa për menaxhimin e menstruacioneve: nga pecetat njëpërdorimshe, tamponët, kupa menstruale e deri te pecetat e ripërdorshme me materiale natyrale. Kupa menstruale është një zgjedhje ekologjike dhe ekonomike, pasi mund të përdoret për disa vite.

    Shumë vajza ndihen të turpëruara ose të frikësuara kur përjetojnë menstruacionet për herë të parë, shpesh nga mungesa e informacionit. Edukimi në familje dhe në shkolla është jetik për t’u dhënë vajzave vetëbesim dhe njohuritë e duhura për të kujdesur për veten.

    Gjatë gjithë jetës, një grua mesatarisht kalon rreth 7 vite në menstruacione në total. Kjo tregon sa e rëndësishme është që shëndeti dhe mirëqenia gjatë kësaj periudhe të merren seriozisht dhe të mos trajtohen si temë tabu.

  • Aksion vullnetar për dhurimin e gjakut në Drenas nga qendra për edukim dhe zhvillim të mjedisit, CEDE

    Aksion vullnetar për dhurimin e gjakut në Drenas nga qendra për edukim dhe zhvillim të mjedisit, CEDE

    Më 27 maj, në Drenas u zhvillua për herë të tretë me radhë aksioni vullnetar për dhurimin e gjakut, i organizuar nga Qendra për Edukim dhe Zhvillim të Mjedisit – CEDE. Aty u vërejt interesim shumë I madh nga qytetarët që iu bashkuan kësaj nisme humane, duke dëshmuar një solidaritet të thellë dhe dëshirë për të ndihmuar të tjerët.

    Drejtori i CEDE-së, Arben Nika, shpjegoi se data e 27 majit është zgjedhur me qëllim për nder të babait të tij, i cili është vrarë në këtë datë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky aksion është një mënyrë për të dhënë kontribut në shoqëri dhe për të kujtuar të kaluarën.

    Në këtë aksion mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, i cili theksoi rëndësinë e dhurimit të gjakut si një akt jetik solidariteti dhe mbështetjeje.

    Një dozim gjaku mund të shpëtojë jetë dhe të bëjë ndryshimin për dikë që ka nevojë.

    Dhurimi i gjakut është një akt human dhe përgjegjësi qytetare që secili prej nesh duhet ta marrë seriozisht për të ndihmuar komunitetin dhe për të ndërtuar një shoqëri më të fortë dhe më të bashkuar.

  • Edicioni i gjashtë i festivalit “Prishtina Arts and Architecture Festival”

    Edicioni i gjashtë i festivalit “Prishtina Arts and Architecture Festival”

    Prej 26 deri më 28 maj, Kolegji AAB në Prishtinë është kthyer në një laborator të hapur për ide, forma dhe ngjyra.

    Edicioni i gjashtë i Prishtina Arts and Architecture Festival këtë vit mban temën “Një me të Ardhmen”, duke ftuar studentë, pedagogë, profesionistë dhe artdashës për të menduar bashkë: si duket arti kur përpiqet t’i flasë asaj që ende s’ka ndodhur?

    Nëpër korridore, ekspozita, punëtori dhe skena të improvizuara, një energji e re qarkullon, e pastër, studentore dhe eksperimentale. Në këtë atmosferë, një ndër format më autentike të bashkëpunimit ishte kolonia artistike, e cila bashkoi studentë të Kolegjit AAB, të Universitetit të Prishtinës dhe maturantë të Shkollës së Mesme të Artit Pamor në Gjilan. Në vend që secili të punojë veçmas, ata u mblodhën për të krijuar bashkë. Rezultati? Punë që flasin në shumë gjuhë, por që kuptohen menjëherë nga syri i ndjeshëm.

    Ky lloj festivali nuk është vetëm platformë ekspozimi, është si një stacion ku arti ndalon, merr frymë, shkëmben përvoja dhe nis prapë rrugën. Disa studentë këtu kanë ekspozuar për herë të parë. Disa po eksperimentojnë me teknologji. Disa thjesht po luajnë me idenë e të qenit “një me të ardhmen”, pa garë, pa stres, veç me kurreshtje.

    Në një vend ku shpesh arti mbyllet në mure të ftohta ose mbulohet nga heshtja institucionale, Prishtina Arts and Architecture Festival vjen si një thirrje e zëshme: arti është gjallë, rinia po e shtyn përpara dhe ndoshta e ardhmja s’është kaq larg sa mendojmë.

  • Pritja për marrjen e shërbimeve mjekësore ende sfidë në sektorin publik

    Pritja për marrjen e shërbimeve mjekësore ende sfidë në sektorin publik

    Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë është një ndër institucionet më të rëndësishme të kujdesit parësor shëndetësor në kryeqytet. Ndër vite ofrimi i shërbimeve të ndryshme mjekësore për qytetarët, përfshirë vizitat rutinore, konsultat mjekësore, shërbimet laboratorike dhe vaksinimet.

    Por viteve të fundit, pacientët shpeshherë kanë kritikuar institucionet për atë se duhet të presin gjatë për një shërbim shëndetësor, konsultë e të tjera.
    Si qendër publike, do duhej që të sigurojë akses të barabartë dhe cilësi për të gjithë banorët e Prishtinës.

    Qytetarët të cilët po marrin trajtime mjekësore në kujdesin primar pohojnë se cilësia e shërbimeve është e qëndrueshme megjithatë fakti se duhet ndonjëherë të presin gjatë ose edhe t’i blejnë barërat nga xhepi i tyre po u kushton shtrenjtë. Këtë më së shumti e vuajnë pensionistët

    Pavarësisht kritikave të qytetarëve të cilët i drejtohen qendrave të mjekësive si pacientë, menaxhmenti drejtues në QKMF kanë pohuar se ka fluks të madh të pacientëve andaj kërkohet mirëkuptim, pasi që rastet emergjente kanë prioritet.

    Në anën tjetër, pajisjet mjekësore dhe infrastruktura në disa njësi të QKMF-së kanë nevojë për modernizim. Investimet në teknologji, sistem të digjitalizuar të menaxhimit të pacientëve dhe shtim të stafit do të përmirësonin dukshëm efikasitetin e shërbimeve dhe do të ulnin kohën e pritjes.

    Sidoqoftë, Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Shëndetësisë janë duke punuar për të përmirësuar infrastrukturën shëndetësore, duke investuar në rritjen e stafit, digjitalizimin e shërbimeve dhe përmirësimin e qasjes për pacientët.

    Në përgjithësi, QKMF në Prishtinë është një shtyllë e rëndësishme e sistemit shëndetësor publik.

    Pavarësisht sfidave që ka, si pritjet e gjata apo nevoja për pajisje më moderne, shërbimet që ofron janë të domosdoshme dhe shpeshherë efikase.

    Me më shumë mbështetje institucionale dhe investime, ajo mund të arrijë një standard edhe më të lartë të kujdesit shëndetësor.

  • Estetika moderne, kufiri mes përmirësimit dhe ekzagjerimit

    Estetika moderne, kufiri mes përmirësimit dhe ekzagjerimit

    Në një kohë kur estetika është bërë pjesë e përditshme e jetës moderne dhe standardet e bukurisë shpesh i nënshtrohen filtrave dhe trendëve kalimtare, është e nevojshme të dimë për kufirin mes përmirësimit dhe ekzagjerimit, sidomos mbi përdorimin e botox-it, filler-ëve dhe metodave të tjera.

    Të gjitha këto do t’i kuptoni përmes një interviste të realizuar me Dr. Rexh Sahatçiu.

    Për më shumë klikoni materialin e përgatitur nga ATV:

     

  • Dizajneri nga Prizreni që po thyen kufijtë e modës dhe stereotipeve

    Dizajneri nga Prizreni që po thyen kufijtë e modës dhe stereotipeve

    Në një botë ku moda shpesh ndjek rryma të paracaktuara, Ardit Krasniqi nga Prizreni vjen me një stil krejtësisht të veçantë që e dallon në çdo krijim të tij.

    Me një vizion artistik që kapërcen kufijtë klasikë të dizajnit, Arditi ka ndërtuar emrin e tij si një ndër talentet më premtues në industrinë e modës shqiptare.

    Por rruga drejt suksesit nuk ka qenë e lehtë  zgjedhja e një profesioni të cilësuar shpesh si “jo tradicional” për meshkujt, solli me vete paragjykime dhe sfida të shumta.

    Për më shumë klikoni materialin e përgatitur nga ATV: