ATV

Category: Sport

  • Botërori i luksit: 27 fluturime private për 24 ndeshje nga Infantino

    Botërori i luksit: 27 fluturime private për 24 ndeshje nga Infantino

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka marrë pjesë në 24 ndeshje brenda pak më shumë se dy javësh gjatë Kupës së Botës 2026 në Amerikën e Veriut, duke udhëtuar në qytete të ndryshme në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

    Turneu i këtij viti është i shpërndarë në tre shtete dhe 16 qytete pritëse, ndërsa numri i ndeshjeve është rritur për shkak të formatit të zgjeruar të fazës së grupeve.

    Në strategjinë e FIFA-s për qëndrueshmëri dhe të drejtat e njeriut për Botërorin 2026, presidenti kishte deklaruar se organizata është e përkushtuar të kontribuojë në çështje si klima, shëndeti, të drejtat e njeriut dhe përfshirja sociale.

    Megjithatë, hetimet e BBC Verify dhe BBC Sport kanë ndjekur një avion privat të lidhur me FIFA-n dhe Infantinon, i cili ka realizuar 27 fluturime gjatë turneut drejt qyteteve ku presidenti është parë në ndeshje.

    Sipas analizave, ndikimi i këtij avioni në mjedis gjatë dy javëve të para të turneut vlerësohet përafërsisht sa emetimet vjetore të 78 personave mesatarë.

    Infantino ka ndjekur shpesh deri në dy ndeshje në ditë, në qytete të ndryshme të ndara me qindra milje, ndërsa në disa raste ka realizuar deri në tre fluturime brenda një dite.

    Raportimet tregojnë se ai ka përdorur një avion privat tip Gulfstream G650ER, ndërsa në raste të mëparshme është lidhur edhe me avionë të Qatar Airways Executive.

    BBC kërkoi konfirmim nga FIFA për këto udhëtime, por nuk mori përgjigje. Megjithatë, të dhënat e fluturimeve dhe fotografitë publike të Infantinos në stadiume përputhen me itineraret e avionit të gjurmuar.

    Udhëtimi më i gjatë i tij në dy javët e para ka qenë rreth 2,800 milje (4,507 km), nga Vancouver në Miami, pas ndeshjes Australi – Turqi.

    Në një ditë tjetër, më 15 qershor, ai udhëtoi mbi 2,700 milje (rreth 4,000 km) nga Miami në Seattle për të ndjekur Belgjikë – Egjipt, para se të vazhdonte më pas drejt Los Anxhelosit për ndeshjen Iran – Zelandë e Re.

    Një tjetër ditë e ngjeshur ishte 26 qershori, kur avioni u nis nga Miami, bëri një ndalesë të shkurtër në Dallas dhe vazhdoi në Seattle, përpara se të kthehej sërish në Miami pas ndeshjes Egjipt – Iran.

    Sipas analizës së BBC, avioni ka përshkuar të paktën 31,144 milje (50,122 km) dhe ka kaluar më shumë se 66 orë në ajër gjatë periudhës së analizuar.

    Në Botërorin e Katarit 2022, Infantino kishte ndjekur të gjitha 64 ndeshjet, ku distancat mes stadiumeve ishin shumë më të shkurtra, në kontrast me turneun aktual të shpërndarë në një kontinent të tërë.

  • Sunderland refuzoi 8 milionë euro, Chelsea gati ofertën e radhës për Granit Xhakën

    Sunderland refuzoi 8 milionë euro, Chelsea gati ofertën e radhës për Granit Xhakën

    Chelsea nuk ka hequr dorë nga transferimi i Granit Xhakës gjatë kësaj vere, sipas raportimeve të gazetarit Florian Plettenberg.

    Blutë pritet të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh me Sunderlandin të hënën, pasi oferta e parë prej 8 milionë eurosh u refuzua menjëherë nga klubi anglez.

    Sunderland ka bërë të qartë si publikisht ashtu edhe privatisht se kapiteni i tyre nuk është në shitje dhe se nuk kanë ndërmend të shqyrtojnë oferta të tjera për mesfushorin shqiptar.

    Megjithatë, Xhaka mbetet i interesuar për një transferim në “Stamford Bridge”, pasi dëshiron të ribashkohet me Xabi Alonson, me të cilin punoi me sukses te Bayer Leverkuseni.

    “Transferimi mbetet i vështirë, por në këtë fazë nuk ka dështuar”, ka shkruar Plettenberg në rrjetet sociale, duke lënë të hapur mundësinë që Chelsea të vazhdojë përpjekjet për të bindur Sunderlandin.

    Ndërkohë, Xhaka mbetet i fokusuar në Kampionatin Botëror 2026, ku me Zvicrën ka arritur fazën e eliminimit direkt, aty ku ka punë me Algjerinë.

  • Chelsea shumë afër marrëveshjes me Granit Xhakën

    Chelsea shumë afër marrëveshjes me Granit Xhakën

    Chelsea ka arritur marrëveshje të plotë verbale me Granit Xhakën për kushtet personale, duke e bërë transferimin një hap larg finalizimit.

    Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i “Sky Sport Germany”, Florian Plettenberg, i cili raporton se klubi londinez tashmë ka nisur bisedimet zyrtare me Sunderland për të arritur marrëveshjen përfundimtare mes klubeve.

    Sipas burimeve pranë negociatave, interesimi i Chelseat për mesfushorin zviceran tregon një ndryshim të qartë të strategjisë në “Stamford Bridge”. Klubi londinez po synon të afrojë lojtarë me eksperiencë të madhe në nivele të larta, duke u larguar pjesërisht nga politika e mëparshme e fokusuar kryesisht te talentet e reja me potencial rishitjeje.

    Granit Xhaka, kapiten i Sunderlandit dhe i kombëtares së Zvicrës, shihet si një profil ideal për të sjellë stabilitet, lidership dhe përvojë në mesin e fushës së Chelseat.

    Edhe pse Xabi Alonso raportohet se po shtyn për transferimin e tij, Chelsea aktualisht mbetet në avantazh dhe marrëveshja konsiderohet shumë pranë finalizimit, nëse klubet arrijnë akordin përfundimtar mbi kushtet e transferimit.

  • Manchester City përgatit ofertën për yllin italian Sandro Tonalin

    Manchester City përgatit ofertën për yllin italian Sandro Tonalin

    Manchester City ka nisur lëvizjet konkrete në afatin kalimtar të verës, me objektivin kryesor për të përforcuar repartin e mesfushës. Në krye të listës së City-it është mesfushori italian i Newcastle United, Sandro Tonali.

    Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, City është gati të paraqesë një ofertë prej rreth 70 milionë eurosh, plus bonuse, për të siguruar shërbimet e 25-vjeçarit. Tonali konsiderohet si një nga objektivat kryesorë të trajnerit Enzo Maresca, i cili dëshiron të ndërtojë një mesfushë më dinamike dhe më agresive për sezonin e ri.

    Drejtuesit e klubit anglez janë në kërkim të një lojtari me intensitet të lartë, personalitet të fortë dhe përvojë në Ligën Premier – cilësi që Tonali i ka dëshmuar me fanellën e Newcastle. Italiani shihet si futbollisti ideal për të sjellë ekuilibër mes fazës mbrojtëse dhe organizimit të aksioneve sulmuese.

    Megjithatë, Newcastle United nuk është i gatshëm të heqë dorë lehtësisht nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës. Pavarësisht kësaj, një ofertë që i afrohet 70 milionë eurove, e shoqëruar me bonuse, mund t’i detyrojë drejtuesit e klubit të shqyrtojnë mundësinë e shitjes.

    Interesim për Tonalin ka shfaqur edhe Tottenham Hotspur, i cili synon të përfitojë nga situata për të realizuar një marrëveshje. Megjithatë, Manchester City mbetet favorit falë projektit sportiv, garancisë për të luftuar për trofe dhe mundësisë për të qenë pjesë e një skuadre që synon sukses në çdo kompeticion.

    Nga ana e tij, Sandro Tonali raportohet se e sheh me interes një transferim në “Etihad Stadium”, duke vlerësuar stilin e lojës së Cityt dhe mundësinë për të bërë një tjetër hap të madh në karrierë.

    Nëse bisedimet mes klubeve përparojnë në javët e ardhshme, transferimi i Tonalit mund të shndërrohet në një nga marrëveshjet më të bujshme të kësaj vere në Premierligë.

  • Cristiano Ronaldo hyn në histori, bëhet futbollisti i dytë me më së shumti pozicione jashtë loje në Botërorët e shekullit 21

    Cristiano Ronaldo hyn në histori, bëhet futbollisti i dytë me më së shumti pozicione jashtë loje në Botërorët e shekullit 21

    Cristiano Ronaldo ka shtuar edhe një rekord në karrierën e tij të jashtëzakonshme, këtë herë në një statistikë jo fort të dëshirueshme. Kapiteni i Portugalisë është ngjitur në vendin e dytë në listën e futbollistëve me më së shumti pozicione jashtë loje në historinë e Kupës së Botës gjatë shekullit XXI.

    Në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Botërorit 2026, ku Portugalia barazoi 0-0 me Kolumbinë, Ronaldo u sinjalizua dy herë në pozicion jashtë loje. Me këto dy raste, 41-vjeçari ka shkuar në total në 23 pozicione jashtë loje në paraqitjet e tij në Kupat e Botës.

    Më shumë se Ronaldo ka regjistruar vetëm ish-sulmuesi i Holandës, Robin van Persie, me 25 raste, ndërsa pas portugezit renditet legjenda franceze Thierry Henry me 22.

    Edhe pse kjo nuk është një statistikë për t’u krenuar, ajo dëshmon rolin që Ronaldo ka pasur për më shumë se dy dekada si pika kryesore e repartit ofensiv të Portugalisë. Prania e tij e vazhdueshme në vijën e fundit të mbrojtjes kundërshtare dhe kërkimi i vazhdueshëm i hapësirave kanë bërë që ai të jetë shpesh në kufirin e pozicionit jashtë loje, duke hyrë kështu edhe në historinë e Botërorëve për këtë tregues.

  • Lionel Messi zgjeron rekordin historik në Botëror, shënon ndaj kombëtares së 13-të të ndryshme

    Lionel Messi zgjeron rekordin historik në Botëror, shënon ndaj kombëtares së 13-të të ndryshme

    Lionel Messi ka zgjeruar rekordin e tij si futbollisti që ka shënuar ndaj numrit më të madh të kombëtareve të ndryshme në historinë e Kupës së Botës, pasi gjeti rrugën e rrjetës ndaj Algjerisë dhe Jordanisë gjatë ndeshjeve të Argjentinës në Grupin J.

    Kapiteni i Argjentinës tashmë ka realizuar gola ndaj 13 kombëtareve të ndryshme në historinë e Botërorit. Pas tij renditen legjenda si Jurgen Klinsmann, Ronaldo Nazário dhe Miroslav Klose, të cilët kanë shënuar secili ndaj 10 kombëtareve të ndryshme.

    Lista e “viktimave” të Messit në Kupën e Botës përfshin kundërshtarë nga disa kontinente dhe shtrihet përgjatë gjashtë edicioneve të turneut. Ai ka shënuar ndaj kombëtareve evropiane si Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Holanda, Kroacia dhe Franca; ndaj përfaqësueseve afrikane si Nigeria dhe Algjeria; ndaj kombëtareve aziatike si Irani, Arabia Saudite, Australia dhe Jordania; si dhe ndaj Meksikës nga Amerika e Veriut.

    Ky rekord i ri i shtohet një karriere tashmë historike në Kupën e Botës, ku Messi mban edhe rekordin si golashënuesi më i mirë në historinë e turneut, me 19 gola të shënuar.

  • Steve Clarke jep dorëheqjen pas eliminimit të Skocisë nga Botërori 2026

    Steve Clarke jep dorëheqjen pas eliminimit të Skocisë nga Botërori 2026

    Steve Clarke ka dhënë dorëheqjen nga posti i përzgjedhësit të Kombëtares së Skocisë, menjëherë pas eliminimit të skuadrës nga Kupa e Botës 2026.

    Skocezët i mbajtën gjallë shpresat për kualifikim deri në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, por fitorja e Kroacisë ndaj Ganës ua mbylli përfundimisht rrugën drejt fazës me eliminim direkt.

    Skocia kishte nevojë për një kombinim rezultatesh, përfshirë një humbje të thellë të Ganës dhe rezultate të favorshme në ndeshjet e tjera, por skenari i dëshiruar nuk u realizua.

    Menjëherë pas konfirmimit të eliminimit, Clarke njoftoi largimin e tij, duke i dhënë fund një periudhe shtatëvjeçare në krye të përfaqësueses skoceze.

    “Faleminderit që më besuat këtë detyrë. Ka qenë një nder i madh të drejtoj Skocinë. I uroj shumë sukses pasardhësit tim dhe shpresoj që ekipi të vazhdojë të ecë përpara”, deklaroi Clarke pas dorëheqjes.

    Clarke mori drejtimin e Skocisë në vitin 2019 dhe gjatë mandatit të tij arriti disa nga sukseset më të mëdha të futbollit skocez në dekadat e fundit.

    Nën drejtimin e tij, Skocia u kualifikua dy herë radhazi në Kampionatin Evropian, duke e rikthyer kombëtaren në skenën e madhe ndërkombëtare pas një mungese të gjatë.

    Kulmi i punës së tij erdhi me kualifikimin në Kupën e Botës 2026, pjesëmarrjen e parë të Skocisë në një Botëror pas plot 28 vitesh.

  • Amarildo Bakaj nokauton serbin Aleksandar Ivanoviq

    Amarildo Bakaj nokauton serbin Aleksandar Ivanoviq

    Boksieri shqiptar Amarildo Bakaj ka treguar edhe një herë cilësitë e tij në ring, duke e mposhtur me nokaut serbin Aleksandar Ivanoviq në një mbrëmje të zhvilluar në MHP Arena të Ludwigsburgut.

    Bakaj dominoi që në rundin e parë, ndërsa në të dytin vulosi gjithçka. Me një seri goditjesh të fuqishme, ai e nokautoi kundërshtarin, duke ndezur atmosferën mes tifozëve shqiptarë të pranishëm në sallë.

    Në mesin e të pranishmëve ishte edhe legjenda e boksit shqiptar, Luan Krasniqi, i cili ndoqi nga afër triumfin e bashkëkombësit.

    Ivanoviq, boksier serb me prejardhje nga Bosnja dhe Hercegovina, nuk arriti t’i bëjë ballë Bakajt, i cili u shfaq superior në çdo aspekt të duelit.

    Me këtë fitore, Amarildo Bakaj vazhdon të mbetet i pamposhtur në karrierën e tij profesionale, duke regjistruar fitoren e 15-të radhazi. Në anën tjetër, Aleksandar Ivanoviq mbetet me bilancin prej nëntë fitoresh dhe katër humbjesh.

  • Afrika e jugut dhe Kanadaja hapin fazën e eliminimit direkt në Botërorin 2026

    Afrika e jugut dhe Kanadaja hapin fazën e eliminimit direkt në Botërorin 2026

    Faza e eliminimit direkt në Kupën e Botës 2026 nis sonte në orën 21:00 në Los Anxhelos, ku Afrika e Jugut dhe Kanadaja do të përballen në një sfidë historike për të dyja kombëtaret, pasi asnjëra prej tyre nuk ka luajtur më parë në këtë fazë të turneut.

     

    Afrika e Jugut vjen pas një ecurie të jashtëzakonshme, e kurorëzuar me fitoren dramatike 1-0 ndaj Koresë së Jugut, duke i siguruar kualifikimin. Njëkohësisht, 74-vjeçari Hugo Broos është bërë trajneri më i vjetër që drejton një skuadër në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.

     

    Në anën tjetër, Kanadaja e drejtuar nga Jesse Marsch ka shkruar një tjetër faqe historie, duke u bërë vendi i parë mikpritës që zhvillon një ndeshje të Kupës së Botës jashtë kufijve të tij. Kjo ndodhi pasi përfundoi e dyta në grup pas humbjes ndaj Zvicrës.

     

    Pavarësisht këtij rezultati, kanadezët kanë shfaqur një futboll mjaft sulmues, duke shënuar tetë gola në fazën e grupeve. Në këtë përballje ata hyjnë si favoritë, me shpresën se Alphonso Davies dhe Stephen Eustáquio do të jenë të gatshëm për lojë.

  • Oleksandr Usyk heq dorë nga titujt botërorë, por jo nga boksi: “Kam ende vallëzimin tim të fundit”

    Oleksandr Usyk heq dorë nga titujt botërorë, por jo nga boksi: “Kam ende vallëzimin tim të fundit”

    Kampioni botëror i peshave të rënda, Oleksandr Usyk, ka njoftuar se do të heqë dorë nga titujt e kampionit që mban aktualisht, megjithëse do të vazhdojë karrierën në boksin profesionist.

    Boksieri ukrainas 39-vjeçar, i cili mbetet i pamposhtur, theksoi se nuk po mendon të tërhiqet nga sporti, por se vendimi për të liruar titujt është marrë me kujdes dhe synon të hapë mundësi të reja në fazën e fundit të karrierës së tij.

    Në një videomesazh të publikuar në platformën X, Usyk njoftoi se do të heqë dorë nga rripat e kampionit.

    “Është një ditë e mirë për të thënë se dua të heq dorë nga të gjithë rripat që mbaj aktualisht. Dua t’i vë ato në dispozicion, në mënyrë që boksierët e tjerë të kenë mundësinë të luftojnë për ta. Miq, po heq dorë nga rripat, por jo nga sporti, sepse kam ende vallëzimin tim të fundit”, tha Usyk.

    Së bashku me njoftimin, ukrainasi theksoi se beson se ky vendim do t’i hapë një kapitull të ri në karrierën e tij.

    “Ky është një vendim i menduar mirë, për të cilin jam i bindur se do të më hapë mundësi të reja. Ky nuk është fundi i historisë. Vazhdimi është përpara nesh”, u shpreh ai.

    Lëvizja e Usyk mund të krijojë mundësi për përballje të reja të mëdha në divizionin e peshave të rënda dhe t’u hapë rrugë boksierëve të tjerë për të luftuar për titujt botërorë. Ndërkohë, vetë Usyk synon që pjesën e fundit të karrierës ta zhvillojë në Shtetet e Bashkuara, ku dëshiron ta mbyllë historinë e tij në boks.

    Gjatë karrierës së tij, Usyk dominoi fillimisht divizionin cruiserweight, ku u bë kampion bote dhe më pas kampion i padiskutueshëm, përpara se të kalonte në peshat e rënda. Edhe në këtë kategori ai vazhdoi sukseset, duke u ngjitur në majën e boksit botëror dhe duke u konfirmuar si një nga boksierët më të mirë të brezit të tij.