ATV

Category: Sport

  • Afrika e jugut dhe Kanadaja hapin fazën e eliminimit direkt në Botërorin 2026

    Afrika e jugut dhe Kanadaja hapin fazën e eliminimit direkt në Botërorin 2026

    Faza e eliminimit direkt në Kupën e Botës 2026 nis sonte në orën 21:00 në Los Anxhelos, ku Afrika e Jugut dhe Kanadaja do të përballen në një sfidë historike për të dyja kombëtaret, pasi asnjëra prej tyre nuk ka luajtur më parë në këtë fazë të turneut.

     

    Afrika e Jugut vjen pas një ecurie të jashtëzakonshme, e kurorëzuar me fitoren dramatike 1-0 ndaj Koresë së Jugut, duke i siguruar kualifikimin. Njëkohësisht, 74-vjeçari Hugo Broos është bërë trajneri më i vjetër që drejton një skuadër në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.

     

    Në anën tjetër, Kanadaja e drejtuar nga Jesse Marsch ka shkruar një tjetër faqe historie, duke u bërë vendi i parë mikpritës që zhvillon një ndeshje të Kupës së Botës jashtë kufijve të tij. Kjo ndodhi pasi përfundoi e dyta në grup pas humbjes ndaj Zvicrës.

     

    Pavarësisht këtij rezultati, kanadezët kanë shfaqur një futboll mjaft sulmues, duke shënuar tetë gola në fazën e grupeve. Në këtë përballje ata hyjnë si favoritë, me shpresën se Alphonso Davies dhe Stephen Eustáquio do të jenë të gatshëm për lojë.

  • Oleksandr Usyk heq dorë nga titujt botërorë, por jo nga boksi: “Kam ende vallëzimin tim të fundit”

    Oleksandr Usyk heq dorë nga titujt botërorë, por jo nga boksi: “Kam ende vallëzimin tim të fundit”

    Kampioni botëror i peshave të rënda, Oleksandr Usyk, ka njoftuar se do të heqë dorë nga titujt e kampionit që mban aktualisht, megjithëse do të vazhdojë karrierën në boksin profesionist.

    Boksieri ukrainas 39-vjeçar, i cili mbetet i pamposhtur, theksoi se nuk po mendon të tërhiqet nga sporti, por se vendimi për të liruar titujt është marrë me kujdes dhe synon të hapë mundësi të reja në fazën e fundit të karrierës së tij.

    Në një videomesazh të publikuar në platformën X, Usyk njoftoi se do të heqë dorë nga rripat e kampionit.

    “Është një ditë e mirë për të thënë se dua të heq dorë nga të gjithë rripat që mbaj aktualisht. Dua t’i vë ato në dispozicion, në mënyrë që boksierët e tjerë të kenë mundësinë të luftojnë për ta. Miq, po heq dorë nga rripat, por jo nga sporti, sepse kam ende vallëzimin tim të fundit”, tha Usyk.

    Së bashku me njoftimin, ukrainasi theksoi se beson se ky vendim do t’i hapë një kapitull të ri në karrierën e tij.

    “Ky është një vendim i menduar mirë, për të cilin jam i bindur se do të më hapë mundësi të reja. Ky nuk është fundi i historisë. Vazhdimi është përpara nesh”, u shpreh ai.

    Lëvizja e Usyk mund të krijojë mundësi për përballje të reja të mëdha në divizionin e peshave të rënda dhe t’u hapë rrugë boksierëve të tjerë për të luftuar për titujt botërorë. Ndërkohë, vetë Usyk synon që pjesën e fundit të karrierës ta zhvillojë në Shtetet e Bashkuara, ku dëshiron ta mbyllë historinë e tij në boks.

    Gjatë karrierës së tij, Usyk dominoi fillimisht divizionin cruiserweight, ku u bë kampion bote dhe më pas kampion i padiskutueshëm, përpara se të kalonte në peshat e rënda. Edhe në këtë kategori ai vazhdoi sukseset, duke u ngjitur në majën e boksit botëror dhe duke u konfirmuar si një nga boksierët më të mirë të brezit të tij.

  • Ousmane Dembélé pranë një rekordi të paprecedentë, mund të hyjë në histori si i pari që e arrin dy herë “trilogjinë e artë”

    Ousmane Dembélé pranë një rekordi të paprecedentë, mund të hyjë në histori si i pari që e arrin dy herë “trilogjinë e artë”

    Sulmuesi francez Ousmane Dembélé ka mundësinë të shkruajë historinë e futbollit botëror në vitet e ardhshme, duke synuar një arritje që askush nuk e ka realizuar më parë.

    Deri më sot, vetëm disa legjenda të futbollit kanë fituar tre trofetë më prestigjiozë të këtij sporti: Topin e Artë, Kupën e Botës dhe Ligën e Kampionëve. Në këtë grup bëjnë pjesë emra si Zinedine Zidane, Lionel Messi, Bobby Charlton, Ronaldinho, Kaká, Rivaldo, Gerd Müller, Franz Beckenbauer dhe Paolo Rossi.

    Dembélé tashmë është pjesë e këtij grupi elitar, por ai mund të vendosë një rekord unik. Nëse Franca fiton Kupën e Botës 2026 dhe ai shpallet sërish fitues i Topit të Artë pas një tjetër sezoni të jashtëzakonshëm, francezi do të bëhej futbollisti i parë në histori që e kompleton dy herë këtë “trilogji të artë”.

    Sulmuesi francez e ka fituar tashmë dy herë Ligën e Kampionëve dhe Franca konsiderohet një nga favoritët kryesorë për të triumfuar në Botërorin 2026. Ndërkohë, pas një sezoni të shkëlqyer në nivel klubesh, Dembélé renditet mes kandidatëve kryesorë për ta fituar edhe një herë Topin e Artë.

    Pozitat e tij u forcuan edhe më shumë pas paraqitjes spektakolare ndaj Norvegjisë, ku realizoi tre gola, duke rritur ndjeshëm shanset për të fituar çmimin individual më prestigjioz në futboll.

    Nëse arrin t’i realizojë këto objektiva, Ousmane Dembélé do të hyjë në histori si futbollisti i parë që fiton dy herë kombinimin unik të Ligës së Kampionëve, Kupës së Botës dhe Topit të Artë.

  • Mehdi Taremi shpërthen ndaj FIFA-së: Nëse duan të eliminohemi, le të eliminohemi

    Mehdi Taremi shpërthen ndaj FIFA-së: Nëse duan të eliminohemi, le të eliminohemi

    Kapiteni i Iranit, Mehdi Taremi, ka shprehur pakënaqësinë e tij për kushtet në të cilat përfaqësuesja iraniane po merr pjesë në Kupën e Botës 2026, duke vënë në pikëpyetje nëse skuadra e tij është vërtet e mirëpritur në turne.

    Irani barazoi 1:1 me Egjiptin në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve, ndërsa pika e fituar mund të rezultojë e mjaftueshme për kualifikimin në fazën me eliminim direkt. Taremi humbi një penallti në pjesën e parë dhe goditi traversën, ndërsa në fund të ndeshjes një gol i Iranit, që do t’i siguronte kualifikimin, u anulua për pozitë jashtë loje.

    Megjithatë, pas ndeshjes, sulmuesi iranian u ndal më shumë te problemet jashtë fushës. Ai kritikoi ashpër organizimin e turneut, duke e cilësuar situatën si një “katastrofë” logjistike.

    Sipas Taremit, kufizimet në udhëtim dhe fakti që skuadra është e vendosur në Meksikë, ndërsa të gjitha ndeshjet i zhvillon në Shtetet e Bashkuara, kanë krijuar vështirësi të mëdha për ekipin.

    “FIFA duhet t’i zgjidhë këto probleme. Fatkeqësisht, nuk ka arritur ta bëjë këtë që nga fillimi i turneut”, deklaroi Taremi.

    Ai zbuloi gjithashtu se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, kishte vizituar zhveshtoren e Iranit pas ndeshjes së parë dhe kishte premtuar se situata do të përmirësohej.

    “Na tha se ky ishte vetëm fillimi. Por tani faza e grupeve po përfundon dhe stafi ynë i logjistikës ende nuk është këtu. Pse duhet të udhëtojmë vazhdimisht drejt Tijuana? Ne i duam njerëzit e Meksikës dhe të Tijuanës, por si futbollistë profesionistë, në një kompeticion të këtij niveli, kjo nuk është e drejtë”, u shpreh kapiteni iranian.

    Në fund, Taremi la të kuptohej se ndihet sikur Irani nuk është i mirëpritur në këtë Kupë Bote.

    “Kush dëshiron të na ndihmojë? Kush? Nëse duan që ne të eliminohemi, në rregull, le të eliminohemi dhe të largohemi. Por kjo nuk është e drejtë”, përfundoi ai.

  • Goditje e rëndë për Spanjën, Yeremy Pino humbet pjesën e mbetur të Kupës së Botës

    Goditje e rëndë për Spanjën, Yeremy Pino humbet pjesën e mbetur të Kupës së Botës

    Mesfushori me tipare sulmuese i Spanjës, Yeremy Pino, ka pësuar një dëmtim të rëndë në ndeshjen ndaj Uruguait në raundin e tretë të fazës së grupeve, duke i dhënë fund, me shumë gjasa, aventurës së tij në Kupën e Botës 2026.

    Sipas gazetës Marca, Pino ka pësuar një frakturë të klavikulës gjatë fitores 1-0 të Spanjës ndaj Uruguait, një takim i karakterizuar nga duele të forta fizike. Anësori spanjoll u aktivizua si zëvendësues, por u dëmtua pas një rrëzimi të rëndë. Ai u pa gjithashtu duke u larguar nga stadiumi me krahun e imobilizuar.

    Problemet për përzgjedhësin Luis de la Fuente nuk mbarojnë me kaq. Edhe anësori Nico Williams raportohet se ka pësuar një dëmtim muskulor, i cili vë në pikëpyetje pjesëmarrjen e tij në pjesën e mbetur të turneut.

    Kjo situatë e lë Spanjën me mungesa të shumta në repartin ofensiv, pasi edhe Victor Muñoz vazhdon të vuajë nga probleme fizike, duke i kufizuar alternativat e Luis de la Fuente në krahun e majtë.

  • Marcelo Bielsa shpërthen ndaj gazetarit pas eliminimit të Uruguait: “Vazhdo me punë që tani!”

    Marcelo Bielsa shpërthen ndaj gazetarit pas eliminimit të Uruguait: “Vazhdo me punë që tani!”

    Trajneri i Uruguait, Marcelo Bielsa, reagoi me nervozizëm pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës, rezultat që vulosi eliminimin e skuadrës së tij nga Kupa e Botës.

    Uruguai e mbylli fazën e grupeve në vendin e tretë me vetëm dy pikë, duke mos arritur të sigurojë kualifikimin për në fazën tjetër të turneut.

    Para nisjes së intervistës për DAZN, gazetari vonoi duke formuluar pyetjen e parë, gjë që e acaroi Bielsën. Duke humbur durimin, strategu argjentinas iu drejtua atij me fjalët: “Vazhdo me punë që tani!”

    Edhe gjatë intervistës, Bielsa u shfaq i tensionuar dhe iu përgjigj shkurt pyetjeve të gazetarit, ndërsa në fund e mbylli bisedën me një “S’ka problem” të thënë me ironi.

    Momenti u transmetua drejtpërdrejt nga DAZN dhe tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut. Duke komentuar situatën në studio, prezantuesja pranoi se nuk do të dëshironte të ishte në vendin e gazetarit, i cili u përball me zemërimin e trajnerit argjentinas pas eliminimit të Uruguait.

  • Laura Fazliu rrëmben medaljen e bronztë në Grand Prix të xhudos në Kinë

    Laura Fazliu rrëmben medaljen e bronztë në Grand Prix të xhudos në Kinë

    Xhudistja Laura Fazliu ka arritur që të siguroj medaljen e bronztë në Grand Prix e xhudos e cila po mbahet në Qingdao të Kinës.

    Në garën deri në 63 kg Fazliu mposhti bjellorusen Yana Makretskaya,dhe atë duke fituar me ëazari.

    Deri tek medalja e bronztë Fazliu në luftën e parë mposhti gjermanen Sara Joy Bauer,teksa në luftën e dytë fitoi me Ippon ndaj turkes Ozlem Yildiz.

    Në cerekfinale Fazliu pati një luftë të fortë ndaj japonezes Narumi Tanioka,ku në fund xhudistja humbi me Yuko pas 7 minuta e 44 sekondash luftë.

    Më pas Laura në repesazh arriti të mposhtë italianen Thauany Capanni Dias,e më pas arriti të fitoj ndaj bjelloruses Makretskaya.

    Kjo ishte medalja e dytë e fituar këtë vit pas asaj në Grand Prix që u mbajt në Austri ku fitoi të argjendtën,teksa fiti pikët e para olimpike për Lojërat Olimpike në Los Angeles në vitin 2028.

  • Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Qingdao Grand Prix

    Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Qingdao Grand Prix

    Xhudistja kosovare Laura Fazliu ka fituar medaljen e bronztë në turneun prestigjioz Qingdao Grand Prix 2026, të zhvilluar në Kinë, duke zhvilluar një paraqitje mbresëlënëse gjatë gjithë garës.

    Laura e nisi garën me fitore bindëse ndaj gjermanes Sara-Joy Bauer, të cilën e mposhti me tre Yuko. Në raundin e dytë, ajo vazhdoi formën e shkëlqyer duke triumfuar me Ippon ndaj turkes Ozlem Yildiz.

    Në gjysmëfinale, xhudistja kosovare u ndal nga japonezja Narumi Tanioka, e cila fitoi me Yuko, duke ia mohuar Fazliut mundësinë për të luftuar për medaljen e artë.

    Megjithatë, Laura reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Në repasazh, ajo mposhti italianen Thauany David Capanni Dias me Yuko, duke siguruar finalen për medaljen e bronztë.

    Në duelin vendimtar, Fazliu tregoi edhe një herë cilësinë e saj, duke triumfuar me Waza-ari ndaj bjelloruses Yana Makretskaya dhe duke e mbyllur turneun me medaljen e bronztë.

    Ky është një tjetër sukses i rëndësishëm për Laurën dhe xhudon kosovare në arenën ndërkombëtare, duke konfirmuar edhe një herë se Kosova vazhdon të jetë ndër fuqitë kryesore të këtij sporti.

  • Nga shitësi i produkteve të pastrimit te heroi i Ekuadorit-Historia frymëzuese e Sebastian Beccacece

    Nga shitësi i produkteve të pastrimit te heroi i Ekuadorit-Historia frymëzuese e Sebastian Beccacece

    Sebastian Beccacece është shndërruar në heroin e ri të Ekuadorit, pasi udhëhoqi kombëtaren drejt kualifikimit historik në fazën eliminatore të Kupës së Botës. Fitorja 2:1 ndaj Gjermanisë ndryshoi plotësisht atmosferën rreth trajnerit argjentinas, i cili vetëm pak ditë më parë ishte objekt kritikash të ashpra nga tifozët.

    Menjëherë pas golit të fitores, Beccacece u ngjit në tribunat e stadiumit për të festuar me bashkëshorten e tij, Patricia Persson. Pas përfundimit të ndeshjes, ai u rikthye sërish pranë saj, ku momentet e përqafimeve dhe emocioneve u bënë simbol i një suksesi të shumëpritur.

    Ky triumf vjen pas një periudhe të vështirë. Barazimi pa gola ndaj Kuraçaos dhe kritikat pas ndeshjeve të para kishin krijuar tension të madh rreth kombëtares. Madje, bashkëshortja e trajnerit kishte reaguar ndaj ofendimeve të tifozëve, duke u përballur me ta nga tribuna.

    “Më vjen keq që nuk kam arritur të hyj në zemrat e tifozëve ekuadorianë. Ndoshta nuk jemi lidhur, por e pranoj këtë”, kishte deklaruar Beccacece pas një prej ndeshjeve që shkaktoi pakënaqësi.

    Megjithatë, fitorja ndaj Gjermanisë ndryshoi gjithçka. Ekuadori siguroi kalimin në fazën tjetër, ndërsa trajneri fitoi besimin e tifozëve dhe respektin e opinionit sportiv.

    Historia personale e Beccacece është po aq frymëzuese sa edhe suksesi i tij në stol. Ai nuk arriti kurrë të bëhej futbollist profesionist dhe në moshën 17-vjeçare punonte duke shitur produkte pastrimi për të ndihmuar familjen. Në të njëjtën kohë nisi rrugëtimin si trajner, duke stërvitur fëmijë të vegjël.

    Licencën e trajnerit e përfundoi përmes studimeve në distancë, ndërsa shansin e parë të madh e mori falë Jorge Sampaolit. Për t’iu bashkuar stafit të tij në Peru, Beccacece udhëtoi plot tri ditë me autobus, pasi nuk kishte mundësi të paguante biletën e avionit.

    Për shumë vite ai ishte krahu i djathtë i Sampaolit, me të cilin fitoi Kupën e Amerikës me Kilin dhe mori pjesë në Kupën e Botës me Argjentinën. Gjatë asaj periudhe pati edhe një përplasje të njohur me Lionel Messin në një seancë stërvitore.

    Sot, Beccacece është një nga trajnerët më të vlerësuar të futbollit në Amerikën e Jugut. Nga një djalosh që ëndërronte futbollin, por nuk arriti ta luante në nivel profesional, ai është bërë njeriu që udhëhoqi Ekuadorin drejt një prej sukseseve më të rëndësishme në historinë e tij.

  • Kosova pa medalje në ditën e parë të Grand Prix-it të xhudos në Kinë

    Kosova pa medalje në ditën e parë të Grand Prix-it të xhudos në Kinë

    Ka nisur të premten në Qingdao të Kinës gara Grand Prix e xhudos, ku në ditën e parë u paraqitën tri garuese nga Kosova. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk arriti të sigurojë një vend në luftën për medalje.

    Në kategorinë deri në 48 kilogramë, Erza Muminoviq e nisi me fitore garën, pasi mposhti Su Yon Jon nga Koreja e Veriut. Megjithatë, ajo u eliminua në xhiron e dytë, pasi u mposht nga xhudistja vendase, Wenna Zhuang.

    Në kategorinë deri në 52 kilogramë, Fatjona Kasapi u ndal që në luftën e parë, duke u mposhtur nga gjermania Mascha Ballhaus, bartësja e parë e kategorisë.

    Ndërkohë, edhe Flaka Loxha u eliminua në paraqitjen e saj të parë në kategorinë deri në 57 kilogramë, pasi u mposht nga Maysa Pardayeva e Turkmenistanit.

    Garat për Kosovën vazhdojnë të shtunën, kur në tatami do të zbresin Laura Fazliu dhe Dardan Cena, me synimin për të siguruar rezultate pozitive në Grand Prix-in e Qingdaos.