ATV

Category: Sport

  • Haaland po shkruan historinë me Norvegjinë, rekordet duken më pranë se kurrë

    Haaland po shkruan historinë me Norvegjinë, rekordet duken më pranë se kurrë

    Erling Haaland po vazhdon të lërë gjurmë me fanellën e Norvegjisë, duke konfirmuar statusin e tij si lideri i padiskutueshëm i kombëtares.

    Sulmuesi ishte vendimtar në fitoren 2-1 ndaj Bregut të Fildishtë në fazën e 1/16-tës së Kupës së Botës 2026, teksa realizoi golin që i siguroi Norvegjisë një kualifikim historik në çerekfinale për herë të parë.

    Me këtë gol, Haaland ka arritur shifrën e 60 realizimeve në vetëm 53 ndeshje me kombëtaren, ndërsa në Botërorin e këtij viti numëron pesë gola në tri paraqitje, duke u renditur mes golashënuesve më të mirë të turneut.

    Edhe pse ndaj Bregut të Fildishtë nuk pati shumë kontakte me topin, sulmuesi tregoi edhe një herë instinktin e tij para portës, duke vendosur fatin e ndeshjes me një rast të vetëm.

    Legjenda angleze Wayne Rooney e vlerësoi paraqitjen e Haalandit, duke theksuar se ai është lojtari që bën diferencën dhe se ka dëshmuar se i përket nivelit më të lartë të futbollit botëror.

    Me ritmin që po mban, Haaland po afrohet gjithnjë e më shumë me rekordet historike dhe, nëse vazhdon me të njëjtën formë edhe në vitet e ardhshme, mund të sfidojë seriozisht Cristiano Ronaldon për vendin e parë në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e kombëtareve.

  • Ronald Koeman largohet nga drejtimi i Holandës pas eliminimit nga Kupa e Botës

    Ronald Koeman largohet nga drejtimi i Holandës pas eliminimit nga Kupa e Botës

    Ronald Koeman ka dhënë dorëheqjen nga posti i përzgjedhësit të kombëtares së Holandës, vetëm pak kohë pasi “Tulipanët” i dhanë fund aventurës së tyre në Kupën e Botës.

    Holanda u eliminua në fazën e 1/16-tës nga Maroku, pasi ndeshja përfundoi 1-1 në kohën e rregullt dhe shtesë, ndërsa afrikanët triumfuan në serinë e penalltive.

    Lajmin për largimin e tij e bëri të ditur vetë Koeman përmes një postimi në rrjetet sociale.

    “Pas ndeshjes së mbrëmshme mora vendimin për t’i dhënë fund detyrës sime si trajner i kombëtares së Holandës. Më dhemb që rrugëtimi im me Portokallinjtë përfundon në këtë mënyrë. Të gjithë ëndërronim të bënim histori në këtë Kupë Bote, por nuk ia dolëm. Askush nuk është më i zhgënjyer se unë”, shkroi ai.

    Tekniku holandez theksoi se e merr përsipër plotësisht përgjegjësinë për rezultatin.

    “Si trajner, përgjegjësia bie mbi mua. Kështu e kam ndjerë gjithmonë dhe kështu do të vazhdoj ta ndiej”, u shpreh Koeman.

    Holanda e mbylli fazën e grupeve në vendin e parë me shtatë pikë të grumbulluara në tri ndeshje, por nuk arriti të kalonte pengesën e parë në fazën me eliminim direkt, duke u ndalur nga Maroku pas ekzekutimit të penalltive.

  • Hamilton i zhgënjyer me Ferrarin: Jemi ende larg Mercedesit

    Hamilton i zhgënjyer me Ferrarin: Jemi ende larg Mercedesit

    Lewis Hamilton nuk e fshehu zhgënjimin pas Çmimit të Madh të Austrisë, ku e mbylli garën vetëm në vendin e pestë. Piloti britanik pranoi se Ferrari nuk ishte në nivelin e rivalëve dhe se skuadra ka ende shumë punë për të bërë.

    Sipas Hamiltonit, problemi kryesor i Ferrarit mbetet mungesa e shpejtësisë në vijat e drejta. Ai tha se Mercedes kishte një avantazh të madh, ndërsa Ferrari humbiste shumë kohë në këtë aspekt.

    “Makina ishte e mirë në kthesa, por në vijat e drejta humbnim shumë. Përveç kësaj, patëm probleme edhe me mbinxehjen dhe ishte e vështirë të gjenim ekuilibrin gjatë garës”, u shpreh shtatë herë kampioni i botës.

    Hamilton shtoi se konsumimi i madh i gomave e bëri edhe më të vështirë garën, pasi u detyrua të shtynte më shumë për të kompensuar mungesën e shpejtësisë.

    Piloti britanik pranoi se diferenca me Mercedesin nuk mund të eliminohet shpejt dhe se Ferrarit do t’i duhet kohë për të zhvilluar makinën. Ai u shpreh gjithashtu i shqetësuar edhe për garën e radhës në Silverstone, duke theksuar se pista angleze ka shumë vija të gjata të drejta, pikërisht aty ku Ferrari po has më së shumti vështirësi.

    “Nuk do të jetë një fundjavë e lehtë. Shpresojmë të përmirësohemi, por e dimë se kemi ende shumë punë për të bërë”, përfundoi Hamilton.

  • BILD zbulon prapaskenat e eliminimit të Gjermanisë, Goretzka kritikohet për refuzimin e penalltisë vendimtare

    BILD zbulon prapaskenat e eliminimit të Gjermanisë, Goretzka kritikohet për refuzimin e penalltisë vendimtare

    Eliminimi i Gjermanisë nga Paraguai në Kupën e Botës 2026 vazhdon të shkaktojë debat në mediat gjermane. Gazeta prestigjioze BILD ka publikuar detaje nga seria e penalltive, duke kritikuar mesfushorin Leon Goretzka për refuzimin e ekzekutimit të goditjes së gjashtë.

    Sipas raportimit, kapiteni Joshua Kimmich i kërkoi dy herë Goretzkas të merrte përgjegjësinë, por mesfushori nuk pranoi. Si pasojë, penalltinë vendimtare e ekzekutoi mbrojtësi Jonathan Tah, i cili gaboi nga pika e bardhë. BILD thekson se kjo ishte penalltia e parë që Tah kishte marrë ndonjëherë në karrierën e tij profesionale.

    Pavarësisht paraqitjes së shkëlqyer të Manuel Neuer, i cili arriti të presë dy penallti radhazi, Gjermania nuk përfitoi nga avantazhi dhe u eliminua pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt dhe vazhdime.

    Pas këtij dështimi të rëndë, pikëpyetje të mëdha janë ngritur edhe për të ardhmen e përzgjedhësit Julian Nagelsmann, ndërsa kritikat ndaj kombëtares gjermane vazhdojnë të shtohen.

  • Interi mbyll një epokë, katër veteranë largohen nga “San Siro”

    Interi mbyll një epokë, katër veteranë largohen nga “San Siro”

    Interi i ka dhënë fund bashkëpunimit me katër prej futbollistëve më me përvojë të skuadrës. Me skadimin e kontratave, Yann Sommer, Francesco Acerbi, Stefan de Vrij dhe Matteo Darmian nuk do të jenë më pjesë e zikaltërve.

    Portieri zviceran Yann Sommer largohet pas tri sezonesh të suksesshme, gjatë të cilave ishte titullar i padiskutueshëm dhe fitoi dy tituj të Serie A, një Kupë të Italisë, një Superkupë të Italisë, si dhe luajti në finalen e Ligës së Kampionëve.

    Edhe Francesco Acerbi i jep fund aventurës së tij me Interin pas katër sezonesh të mbushura me trofe, ndërsa Matteo Darmian mbyll një kapitull gjashtëvjeçar në “San Siro”, ku ishte një nga lojtarët më të besueshëm të skuadrës dhe kontribuoi në fitimin e tre titujve kampionë.

    Ndërkohë, Stefan de Vrij ka vendosur të mos rinovojë kontratën dhe do ta vazhdojë karrierën në Greqi, ku pritet t’i bashkohet Panathinaikosit.

    Përmes një njoftimi zyrtar, Interi falënderoi të katër futbollistët për kontributin dhe profesionalizmin e treguar ndër vite, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm në historinë e klubit.

  • Laporta ndez spekulimet për Julian Alvarez: Shumica e futbollistëve ëndërrojnë të luajnë te Barcelona

    Laporta ndez spekulimet për Julian Alvarez: Shumica e futbollistëve ëndërrojnë të luajnë te Barcelona

    Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka komentuar zërat që e lidhin sulmuesin argjentinas Julian Alvarez me një transferim në “Camp Nou”, duke lënë të kuptohet se dera e klubit katalunas mbetet e hapur për lojtarët që dëshirojnë të veshin fanellën blaugrana.

    Laporta theksoi se Barcelona vazhdon të jetë një destinacion i ëndrrave për shumë futbollistë, duke deklaruar se me punë dhe përkushtim, ëndrrat mund të bëhen realitet.

    Ndërkohë, mediat spanjolle raportojnë se Barcelona nuk ka hequr dorë nga interesimi për sulmuesin e Atletico Madridit, pavarësisht se klubi madrilen ka refuzuar deri më tani të gjitha përpjekjet për ta transferuar.

    Drejtuesit katalunas besojnë se dëshira e vetë Alvarezit për të bërë hapin drejt Barcelonës mund të ndikojë në qëndrimin e Atletico Madridit gjatë merkatos. Megjithatë, madrilenët nuk kanë ndërmend të heqin dorë lehtë nga ylli i tyre dhe raportohet se kanë refuzuar tashmë një ofertë prej 100 milionë eurosh, duke e vlerësuar kartonin e argjentinasit edhe më lart

  • Lëndohet Vedat Muriqi, sulmuesi kosovar pritet të mungojë rreth një muaj

    Lëndohet Vedat Muriqi, sulmuesi kosovar pritet të mungojë rreth një muaj

    Fenerbahçe ka marrë një goditje të rëndësishme gjatë përgatitjeve për sezonin e ri, pasi sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka pësuar një lëndim në stërvitje.

    32-vjeçari ndjeu dhimbje muskulore gjatë një seance në kampin stërvitor në Topuk Yaylasi dhe u detyrua të largohej nga fusha para përfundimit të stërvitjes.

    Pas kontrolleve mjekësore dhe rezonancës magnetike, klubi turk konfirmoi se Muriqi ka pësuar një çarje të pjesshme në muskulin e pjesës së poshtme të këmbës së djathtë. Fenerbahçe njoftoi se futbollisti ka nisur menjëherë procesin e rehabilitimit nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor.

    Sipas mediave turke, reprezentuesi i Kosovës pritet të jetë jashtë fushave për rreth katër javë. Si pasojë, ai me shumë gjasa do të mungojë në të dy ndeshjet e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Gornik Zabrzes, duke i shkaktuar një mungesë të rëndësishme Fenerbahçes në nisje të sezonit të ri.

  • Jurgen Klopp, kandidati kryesor për stolin e Gjermanisë pas eliminimit nga Botërori

    Jurgen Klopp, kandidati kryesor për stolin e Gjermanisë pas eliminimit nga Botërori

    Eliminimi i befasishëm i Gjermanisë nga Paraguai në fazën e 1/16-ës së finales së Kupës së Botës 2026 ka tronditur futbollin gjerman dhe ka vënë seriozisht në dyshim të ardhmen e Julian Nagelsmannit si përzgjedhës i “Mannschaft”.

    Gjermanët u eliminuan pas ekzekutimit të penalltive, në një ndeshje ku nuk arritën të justifikonin rolin e favoritit. Humbja ka shkaktuar reagime të shumta në Gjermani, me kritika të forta ndaj paraqitjes së ekipit dhe punës së stafit teknik.

    Ndërkohë, mediat gjermane raportojnë se emri i Jurgen Klopp po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kombëtares. Ish-trajneri i Liverpoolit, i njohur për sukseset dhe stilin e tij të lojës, aktualisht mban një rol drejtues në grupin Red Bull, por nuk përjashtohet mundësia e rikthimit në pankinë për të udhëhequr vendin e tij.

    Federata Gjermane ende nuk ka bërë asnjë lëvizje zyrtare, megjithatë e ardhmja e Nagelsmannit mbetet e pasigurt. Nëse vendoset për një ndryshim, Klopp shihet si njeriu që mund të nisë një kapitull të ri dhe të rikthejë Gjermaninë mes pretendenteve kryesore në arenën ndërkombëtare.

  • Faza eliminatore e Botërorit vazhdon sot me dy superndeshje

    Faza eliminatore e Botërorit vazhdon sot me dy superndeshje

    Faza eliminatore e Kampionatit Botëror 2026 vazhdon edhe sot me duele shumë interesante, ndërsa njëra prej tyre tashmë ka nisur.

    Që nga ora 17:00, në stadiumin e Dallasit është duke u zhvilluar përballja mes Bregut të Fildishtë dhe Norvegjisë. Të dyja kombëtaret synojnë një vend në mesin e 16 skuadrave më të mira të Botërorit, në një duel ku favorit i lehtë konsiderohet formacioni norvegjez, i udhëhequr nga sulmuesi Erling Haaland. Megjithatë, Bregu i Fildishtë ka treguar paraqitje shumë të mira gjatë fazës së grupeve dhe pritet t’i bëjë rezistencë të fortë kundërshtarit.

    Më vonë, nga ora 21:00, vëmendja do të jetë e përqendruar në superduelin mes Francës dhe Suedisë. Francezët vijnë në këtë takim pas një faze të grupeve të shkëlqyer, ku siguruan vendin e parë në grup, ndërsa Suedia arriti të kualifikohej në fazën eliminatore si njëra prej kombëtareve më të mira të renditura në vendin e tretë. Franca hyn në këtë sfidë si favorite, por në ndeshjet me eliminim direkt çdo gabim mund të jetë vendimtar.

    Deri më tani, një biletë për në fazën e 1/8 së finales e kanë siguruar Kanadaja, Brazili, Paraguai dhe Maroku. Kanadaja eliminoi Afrikën e Jugut pas vazhdimeve, Brazili mposhti Japoninë, Paraguai befasoi Gjermaninë pas penalltive, ndërsa Maroku triumfoi ndaj Holandës, gjithashtu pas goditjeve nga pika e bardhë.

  • Zyrtare: Enzo Maresca merr drejtimin e Manchester Cityt

    Zyrtare: Enzo Maresca merr drejtimin e Manchester Cityt

    Manchester City ka zyrtarizuar emërimin e Enzo Marescës si trajnerin e ri të skuadrës, duke i besuar italianit drejtimin e ekipit pas largimit të Pep Guardiolës.

    Maresca rikthehet në “Etihad”, aty ku më parë kishte qenë pjesë e stafit teknik të Guardiolës, ndërsa së fundmi drejtonte Chelsean. Klubi anglez ka bërë të ditur se ai ka firmosur një kontratë trevjeçare, e vlefshme deri në verën e vitit 2029.

    “Manchester City ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e Enzo Marescës si trajner të ekipit të parë. Ai ka nënshkruar një kontratë trevjeçare, e cila do ta mbajë në klub deri në verën e vitit 2029”, thuhet në njoftimin zyrtar të kampionëve të Anglisë.

    Pas zyrtarizimit, Maresca shprehu emocionet për rikthimin në klubin që e konsideron si shtëpinë e tij futbollistike.

    “Manchester City është një klub që e njoh shumë mirë dhe drejtimi i kësaj skuadre është një nder dhe një mundësi e jashtëzakonshme për mua. Kjo është aventura ime e tretë këtu. I njoh standardet, ambiciet dhe kulturën e këtij klubi. Dua të falënderoj drejtuesit për besimin që kanë treguar ndaj meje. Jam i motivuar të nis këtë kapitull të ri dhe të punoj për të arritur suksese të tjera me ekipin”, u shpreh trajneri italian.