ATV

Category: Sport

  • Real Madridi vonon zyrtarizimin e transferimit të Denzel Dumfries

    Real Madridi vonon zyrtarizimin e transferimit të Denzel Dumfries

    Transferimi i Denzel Dumfries nga Interi te Real Madridi është praktikisht i përfunduar, ndërsa mbetet vetëm njoftimi zyrtar nga klubi spanjoll.

    Sipas raportimeve, marrëveshja mes dy klubeve është arritur prej javësh dhe kap vlerën e 20 milionë eurove. Megjithatë, Real Madridi ende nuk e ka bërë zyrtar transferimin e mbrojtësit holandez.

    Sipas mediumit spanjoll OK Diario, arsyeja e kësaj vonese lidhet me aspektin financiar. Real Madridi synon ta shtyjë zyrtarizimin deri më 1 korrik, në mënyrë që transferimi të regjistrohet në vitin financiar 2026/27 dhe jo në 2025/26.

    Në këtë mënyrë, drejtuesit e klubit synojnë të mbajnë të paprekur bilancin aktual financiar dhe të kenë më shumë fleksibilitet sa i përket limitit të kostos së skuadrës, sipas rregullave të La Ligës për sezonin e ardhshëm.

    Dumfries, i cili pritet t’i bashkohet “Los Blancos”, ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë në “Santiago Bernabéu” deri në verën e vitit 2030.

  • Fabrizio Romano: Elliot Anderson arrin marrëveshje me Manchester City-in

    Fabrizio Romano: Elliot Anderson arrin marrëveshje me Manchester City-in

    Gazetari i njohur i merkatos, Fabrizio Romano, ka raportuar se Manchester City ka arritur marrëveshje të plotë me Nottingham Forest për transferimin e Elliot Anderson.

    Mesfushori 23-vjeçar ndodhet aktualisht me kombëtaren e Anglisë në Kupën e Botës, ku është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga Thomas Tuchel.

     

    Anderson tërhoqi vëmendjen me paraqitjet e tij të shkëlqyera te Nottingham Forest gjatë sezonit të kaluar, çka i siguroi edhe një vend në ekipin kombëtar. Tashmë, ai duket se është gati të bëjë hapin më të madh të karrierës.

     

    Sipas Romanos, Manchester City do t’i paguajë Nottingham Forestit 135 milionë euro, ndërsa me bonuset marrëveshja mund të arrijë deri në 150 milionë euro. Testet mjekësore pritet të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

     

    Nëse transferimi finalizohet me këto shifra, City do të vendosë një rekord të ri për blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit, duke kaluar shumën prej 117.5 milionë eurosh të paguar për Jack Grealish nga Aston Villa.

     

    Gjithashtu, marrëveshja pritet të vendosë edhe një rekord të ri në Ligën Premier, duke tejkaluar transferimin e Alexander Isak.

     

    Anderson është produkt i akademisë së Newcastle United dhe iu bashkua Nottingham Forestit në vitin 2024 për 41 milionë euro. Që atëherë, ai ka zhvilluar paraqitje mbresëlënëse, ndërsa deri më tani numëron 11 ndeshje me kombëtaren e Anglisë.

  • Vincenzo Montella krenar me Turqinë pas fitores ndaj SHBA-së: Kthehemi në shtëpi me kokën lart

    Vincenzo Montella krenar me Turqinë pas fitores ndaj SHBA-së: Kthehemi në shtëpi me kokën lart

    Përzgjedhësi i Turqisë, Vincenzo Montella, ka shprehur krenarinë për paraqitjen e skuadrës së tij në Kupën e Botës, duke theksuar se ekipi largohet nga turneu me kokën lart, pavarësisht eliminimit.

    Turqia mposhti Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rezultat 3:2 në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, por fitorja nuk mjaftoi për të siguruar kualifikimin, pasi humbjet në dy takimet e para kishin shuar shpresat për avancim.

    “Mund të kthehemi në shtëpi me kokën lart. Futbolli dhemb, por në fund të ndeshjes u emocionova. Kjo ndeshje vlen më shumë se një mijë fitore”, deklaroi tekniku italian.

    Montella theksoi se Turqia krijoi shumë raste gjatë Kampionatit Botëror, por nuk arriti t’i konkretizonte ato në momentet vendimtare.

    Ai refuzoi të fajësojë lojtarë të veçantë për rastet e humbura, duke shtuar se skuadrës së tij i mungoi edhe fati në dy ndeshjet e para të fazës së grupeve.

    Pjesëmarrja në këtë Botëror kishte një rëndësi të veçantë për Turqinë, e cila u rikthye në skenën më të madhe të futbollit pas 24 vjetësh. Kualifikimin e siguroi në Prishtinë, pasi mposhti Kosovën në finalen e plejofit.

  • Sonte vëmendja tek ndeshja Norvegji-Francë dhe Uruguaj-Spanjë

    Sonte vëmendja tek ndeshja Norvegji-Francë dhe Uruguaj-Spanjë

    Faza e grupeve në botëror po hyn në fazën e fundit,ku sonte dhe nesër përcaktohen edhe skuadrat tjera që do të kalojnë në raundin e 32-të.

    Vëmendja kryesore pritet të jetë në grupin I,ku Norvegjia dhe Franca të cilat e siguruan kualifikimin më tutje do të takohen në ndeshjen e cila pritet të përcaktoj liderin në grupin I,teksa ndeshja tjetër pritet të jetë ajo ndërmjet Senegalit dhe Irakut ku senegalezët synojnë fitore të thellë për të siguruar kalimin tutje në mesin 8 skuadrave më të mira nga vendet e treta.

    Të dyja ndeshjet pritet të nisin nga ora 21:00.

    Në anën tjetër ndeshje tjetër interesante pritet të zhvillohet në grupin H ndërmjet Uruguajit dhe Spanjës,ku të dyja skuadrat do të tentojnë që të marrin 3 pikë për të siguruar kalimin në raundin e 32-të sidomos Uruguaji e cila pas 2 ndeshjeve ka vetëm 2 pikë dhe fitorja është e vetmja mundësi për dy herë kampionët e botës.

    Në anën tjetër befasia e këtij botërori Kepi i Gjelbër do të tentoj që me një fitore kundër Arabisë Saudite të siguroj kualifikimin në raundin tjetër,dhe atë qysh në pjesëmarrjen e parë.

    Të dyja ndeshjet pritet të zhvillohen në ora 2 pasmesnate.

    Në orët e para të mëngjesit të së shtunës konkretisht në 4 të mëngjesit do të zhvillohen edhe takimet e fundit të grupit G,ku Belgjika do të tentoj fitoren për të siguruar kalimin në fazën e eliminimit direkt,teksa ndeshje e fortë pritet të jetë edhe ajo ndërmjet Egjiptit dhe Iranit ku poashtu do të vendoset për njërën skuadrër sa i përket cështjes së kualifikimit.

  • Pedro Neto: Portugalia nuk varet nga Cristiano Ronaldo

    Pedro Neto: Portugalia nuk varet nga Cristiano Ronaldo

    Sulmuesi anësor i Portugalisë, Pedro Neto, ka hedhur poshtë pretendimet se kombëtarja portugeze varet tërësisht nga Cristiano Ronaldo, duke theksuar se skuadra ka një identitet të qartë loje dhe krijon raste për të gjithë futbollistët.

    Ronaldo iu përgjigj kritikave me dy gola në fitoren bindëse 5-0 ndaj Uzbekistanit në fazën e grupeve të Kupës së Botës, pasi në ndeshjen hapëse kundër Republikës Demokratike të Kongos nuk arriti të shënonte apo të regjistronte asist, në barazimin 1-1.

    Paraqitja e tij në ndeshjen e parë nxiti diskutime nëse Portugalia është tepër e varur nga ylli i Al Nassr, por Neto nuk ndan të njëjtin mendim.

    “Cristiano është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, por mendoj se fjala ‘varësi’ është e tepruar. E dimë se nëse topi mbërrin te ai brenda zonës së penalltisë, ka shumë gjasa që ai të shënojë. Megjithatë, ne punojmë për të krijuar raste për çdo lojtar në fushë”, deklaroi Neto.

    Ai shtoi se Portugalia ka filozofinë dhe taktikat e saj të lojës, ndërsa besimi te Ronaldo mbetet i plotë.

    “Nuk mendoj se varemi nga Cristiano. Ne kemi stilin tonë të lojës, por sigurisht që kemi besim të madh tek ai”, përfundoi sulmuesi portugez.

  • Konfirmohen katër duelet e para të fazës eliminatore në Kupën e Botës 2026

    Konfirmohen katër duelet e para të fazës eliminatore në Kupën e Botës 2026

    Me përfundimin e një pjese të ndeshjeve të fazës së grupeve në Kupa e Botës 2026, kanë nisur të marrin formë përballjet e raundit të 32-shave, ndërsa katër duelet e para janë tashmë zyrtarisht të konfirmuara.

    Një nga sfidat më tërheqëse të kësaj faze pritet të jetë përballja mes Brazilit dhe Japonisë, ndërsa Holanda do të ketë përballë Marokun në një duel që premton shumë rivalitet.

    Po ashtu, Afrika e Jugut do të sfidojë Kanadanë, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndeshen me Bosnjën dhe Hercegovinën.

    Ndërkohë, tetë ndeshjet e fundit të fazës së grupeve do të përcaktojnë edhe 12 çiftet e tjera të fazës eliminatore, ku disa prej kombëtareve favorite ende nuk e dinë kundërshtarin e tyre.

    Faza me eliminim direkt pritet të sjellë emocione edhe më të mëdha, pasi çdo ndeshje do të jetë vendimtare në garën për trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.

    Katër përballjet e konfirmuara deri më tani janë:

    Afrika e Jugut – Kanada

    Holanda – Maroku

    Shtetet e Bashkuara – Bosnja dhe Hercegovina

    Brazili – Japonia

  • “Fake news” pushtojnë Kupën e Botës – Më shumë lajme, foto dhe video të rreme se kurrë më parë

    “Fake news” pushtojnë Kupën e Botës – Më shumë lajme, foto dhe video të rreme se kurrë më parë

    Spektakli, rekordet, magjitë e Messit dhe yjeve të tjerë të futbollit ka shtuar entuziazmin e tifozëve për “Botërorin 2026”.

    Por bashkë me të ekspertët e sigurisë kibernetike dhe monitoruesit e agjencive qeveritare po vëzhgojnë një fenomen shqetësues. Bëhet fjalë për “falsifikimet” që rrethojnë këtë Kupë Bote dhe ushqejnë tifozët në mbarë botën me lajme, foto dhe video të rreme.

    Sigurisht, shkaku kryesor për këtë është përdorimi në masë i inteligjencës artificiale. Viktima të saj nuk janë bërë vetëm tifozët në rrjetet sociale, por edhe ata që kanë vendosur të ndjekin në ndeshjet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

    Gjatë Botërorit të katër viteve më parë në Katar, mashtrimi u kufizua kryesisht faqet e internetit të rreme dhe biletat e falsifikuara. Por ekspertët e sigurisë kibernetike kanë zbuluar se ky fenomen është zgjeruar gjatë kësaj Kupe Bote, pasi janë krijuar portale mashtrues, të njëjtë me ata zyrtarë për shitjen e biletave.

    Por ashtu, po qarkullojnë një numër shumë i madh fotosh dhe videosh të krijuara me “AI” ku shfaqen futbollistët më të famshëm, por edhe tifozë, viktima të imazheve të falsifikuara.

    Rastet që kanë bërë më shumë bujë janë ato të një tifozi gjerman, I kthyer në një sozi të Hitlerit, apo të një influencere nga Miami, e cila shfaqej në tribunë, duke detyruar tifozët e tjerë të harronin ndeshjen. Specialistët këshillojnë të gjithë tifozët se duhet të jenë vigjilentë dhe të dallojnë faktin nga trillimi në mënyrë që të mos mashtrohen.

  • Çfarë i duhet çdo skuadre për të arritur në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026?

    Çfarë i duhet çdo skuadre për të arritur në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026?

    Me raundin e fundit të ndeshjeve në fazën e grupeve tashmë në zhvillim, panorama e fazës nokaut të Kupës së Botës 2026 po bëhet gjithnjë e më e qartë.

    Megjithatë, me 48 skuadra pjesëmarrëse dhe 32 vende të disponueshme në fazën eliminatore, llogaritë mbeten të ndërlikuara.

    Përveç dy vendeve të para në secilin grup, në fazën tjetër do të avancojnë edhe tetë kombëtaret më të mira që e mbyllin grupin në vendin e tretë.

    Aktualisht, disa skuadra kanë siguruar tashmë kualifikimin, ndërsa të tjera do të vendosin gjithçka në ndeshjet e fundit.

    Si funksionon kualifikimi?

    Dy skuadrat e para nga secili prej 12 grupeve kalojnë automatikisht në fazën e 1/32-ave.

    Tetë vendet e mbetura plotësohen nga tetë ekipet më të mira të renditura të tretat.

    Në rast barazimi me pikë, kriteri i parë është përballja direkte.

    Më pas llogariten diferenca e golave, golat e shënuar, rekordi disiplinor dhe në fund renditja e FIFA-s.

    Grupi A

    Meksika ka siguruar vendin e parë me tri fitore në po aq ndeshje.

    Afrika e Jugut mposhti Korenë e Jugut dhe siguroi vendin e dytë, duke arritur për herë të parë në fazën nokaut.

    Koreja e Jugut e mbylli grupin e treta me tri pikë dhe pret rezultatet e grupeve të tjera.

    Çekia eliminohet si e fundit.

    Grupi B

    Zvicra fitoi grupin me shtatë pikë.

    Kanadaja u rendit e dyta dhe siguroi kualifikimin.

    Bosnja dhe Hercegovina përfundoi e treta me katër pikë dhe tashmë ka siguruar kalimin si një nga vendet e treta më të mira.

    Katari eliminohet.

    Grupi C

    Brazili kryeson grupin falë fitores 3-0 ndaj Skocisë.

    Maroku siguroi vendin e dytë pas triumfit 4-2 ndaj Haitit.

    Skocia mbetet në pritje me tri pikë dhe golavarazh -3.

    Sipas parashikimeve të Opta-s, shanset e saj për kualifikim janë rreth 38%.

    Haiti eliminohet pa asnjë pikë.

    Grupi D

    Shtetet e Bashkuara kanë siguruar vendin e parë.

    Australia dhe Paraguai përballen direkt për vendin e dytë.

    Australianëve u mjafton një barazim, ndërsa Paraguait i duhet fitore.

    Turqia është eliminuar.

    Gjermania ka fituar grupin.

    Bregu i Fildishtë kualifikohet me një barazim ndaj Curacaos.

    Ekuadori duhet të mposhtë Gjermaninë dhe të shpresojë në humbjen e Bregut të Fildishtë.

    Curaçao mund të kalojë nëse fiton dhe Ekuadori nuk fiton.

    Grupi F

    Holanda ka siguruar minimalisht vendin e dytë.

    Japonisë i duhet një pikë ndaj Suedisë për të kaluar automatikisht.

    Suedia duhet të fitojë për të siguruar një nga dy vendet e para.

    Tunizia është eliminuar.

    Grupi G

    Egjipti kualifikohet nëse nuk humbet ndaj Iranit.

    Irani siguron kalimin me fitore.

    Belgjika kalon nëse mposht Zelandën e Re.

    Zelanda e Re duhet të fitojë dhe të shpresojë në një rezultat të favorshëm nga ndeshja Egjipt-Iran.

    Grupi H

    Spanja siguron kualifikimin me një barazim ndaj Uruguait.

    Uruguai kalon nëse fiton.

    Kepi i Gjelbër hyn në dy vendet e para nëse mposht Arabinë Saudite.

    Arabia Saudite duhet të fitojë dhe të shpresojë që Spanja të mos humbasë.

    Grupi I

    Franca dhe Norvegjia kanë siguruar tashmë kualifikimin dhe do të luftojnë vetëm për vendin e parë.

    Senegali dhe Iraku mund të shpresojnë vetëm te një vend si të tretët më të mirë.

    Grupi J

    Argjentina ka fituar grupin.

    Austria dhe Algjeria përballen direkt për vendin e dytë.

    Austrisë i mjafton barazimi, ndërsa Algjerisë i duhet fitore.

    Jordania eliminohet.

    Grupi K

    Kolumbia ka siguruar një vend në fazën nokaut.

    Portugalia ka nevojë për fitore ndaj Kolumbisë për të marrë kreun e grupit.

    RD Kongo mund të arrijë vendin e dytë vetëm me fitore të thellë dhe kombinim rezultatesh.

    Uzbekistani mund të përfundojë vetëm i treti.

    Grupi L

    Anglia kryeson grupin dhe përballet me Panamanë.

    Gana siguron një vend në dyshen e parë nëse fiton ose barazon ndaj Kroacisë.

    Kroacia duhet të fitojë për të siguruar kualifikimin direkt.

    Panamaja është eliminuar.

    Si kualifikohen skuadrat e vendeve të treta?

    Tetë ekipet më të mira të renditura në vendin e tretë do të avancojnë në fazën e 1/32-ave.

    Renditja përcaktohet sipas:

    Pikëve të fituara.

    Diferencës së golave.

    Golave të shënuar.

    Rekordit disiplinor.

    Renditjes së FIFA-s.

    Ndërsa ndeshjet e fundit po afrohen, shumë kombëtare ende nuk e kanë të sigurt fatin e tyre.

    Disa kërkojnë vetëm një pikë për të vazhduar rrugëtimin, ndërsa të tjera janë të detyruara të fitojnë për të mbajtur gjallë ëndrrën e Kupës së Botës 2026.

  • Ronaldinho rikthehet në futboll, legjenda braziliane nis aventurën e re te Ravenna

    Ronaldinho rikthehet në futboll, legjenda braziliane nis aventurën e re te Ravenna

    Një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit botëror është sërish në qendër të vëmendjes. Ronaldinho ka befasuar opinionin sportiv duke firmosur me klubin italian Ravenna FC, në atë që konsiderohet një nga lëvizjet më të papritura të kësaj vere.

    Fillimisht, ardhja e legjendës braziliane u interpretua si një marrëveshje me karakter promovues dhe marketingu, me synimin për të rritur imazhin dhe popullaritetin e klubit italian. Megjithatë, ditët e fundit janë shtuar spekulimet se ish-fituesi i Topit të Artë mund të mos kufizohet vetëm jashtë fushës.

    Zëvendëspresidenti i Ravennës, Ariedo Braida, kishte deklaruar fillimisht se mosha e Ronaldinhos nuk e lejonte të luante në Serie C. Por më pas ai ndryshoi tonin, duke lënë të hapur mundësinë e një rikthimi surprizë në fushën e lojës.

    “Ronaldinho është një kampion i përjetshëm. Nëse do ta shohim në fushë? Për momentin nuk mund të themi asgjë me siguri, por nuk përjashtohet”, u shpreh Braida.

    Edhe vetë braziliani nuk e fshehu emocionin për këtë kapitull të ri në karrierën e tij, duke treguar se pasioni për futbollin vazhdon të jetë po aq i fortë sa dikur.

    “Ngjyra të reja, por e njëjta buzëqeshje. Jam i lumtur për këtë sfidë dhe mezi pres të rikthehem pranë topit. Futbolli më ka dhuruar gjithmonë gëzim dhe dua të ndaj të njëjtën energji me familjen e Ravennës”, deklaroi Ronaldinho.

    Megjithëse ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse 46-vjeçari do të aktivizohet në ndeshje zyrtare, vetëm prania e tij në klub ka krijuar një atmosferë entuziazmi të jashtëzakonshëm. Tifozët e Ravennës tashmë po ëndërrojnë të shohin edhe një herë magjinë e Ronaldinhos në fushën e blertë, qoftë edhe për disa minuta.

    Nëse kjo ndodh, futbolli italian mund të bëhet sërish skenë e një prej figurave më karizmatike dhe spektakolare që ka njohur ndonjëherë ky sport.

  • PSG futet në garë për Thuram, Juventusi i hap derën largimit të mesfushorit francez

    PSG futet në garë për Thuram, Juventusi i hap derën largimit të mesfushorit francez

    Paris Saint-Germain po monitoron nga afër situatën e Khephren Thuram dhe mund të bëjë një lëvizje konkrete për mesfushorin e Juventusit gjatë merkatos së verës.

    Sipas raportimeve nga Italia, drejtuesit e kampionëve francezë kanë shfaqur interes serioz për 24-vjeçarin, emri i të cilit është përmendur edhe gjatë negociatave mes PSG-së dhe Juventusit për të ardhmen e sulmuesit Randal Kolo Muani.

    Juventusi nuk e konsideron të paprekshëm Thuram dhe është i gatshëm të shqyrtojë oferta të rëndësishme për kartonin e tij. Klubi torinez synon të krijojë hapësira financiare dhe të sigurojë të ardhura shtesë për të financuar objektivat e merkatos në muajt e ardhshëm.

    Pavarësisht interesimit që vjen nga disa skuadra të Ligës Premier, burimet pranë lojtarit bëjnë të ditur se Thuram e sheh me prioritet një rikthim në futbollin francez. PSG-ja konsiderohet si destinacioni më tërheqës për vazhdimin e karrierës së tij dhe një mundësi ideale për të luftuar për trofetë më të rëndësishëm në Evropë.

    Megjithatë, nëse transferimi materializohet, francezi do të përballet me konkurrencë të fortë në mesfushën e skuadrës pariziene. Aktualisht, Luis Enrique ka në dispozicion emra të rëndësishëm si Vitinha, Joao Neves, Fabian Ruiz, Desire Doue dhe Warren Zaire-Emery, duke e bërë luftën për një vend titullari jashtëzakonisht të fortë.

    Thuram iu bashkua Juventusit nga Nice dhe në një kohë të shkurtër është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të bardhezinjve. Performancat e tij të qëndrueshme kanë tërhequr vëmendjen e klubeve elitare evropiane, ndërsa vera e këtij viti mund të sjellë një kapitull të ri në karrierën e talentit francez.