ATV

Category: Sport

  • Nagelsmann drejt largimit nga Gjermania? DFB i jep ultimatum pas eliminimit nga Botërori

    Nagelsmann drejt largimit nga Gjermania? DFB i jep ultimatum pas eliminimit nga Botërori

    Eliminimi i hershëm i Gjermanisë nga Kupa e Botës 2026 mund t’i kushtojë shtrenjtë Julian Nagelsmannit, i cili është shumë pranë largimit nga posti i përzgjedhësit të “Pancerëve”.

    Sipas asaj që raporton Bild, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) i ka kërkuar trajnerit 38-vjeçar të shqyrtojë mundësinë e dorëheqjes, edhe pse kontrata e tij është e vlefshme edhe për dy vite të tjera.

    Pas disfatës ndaj Paraguait në fazën e 1/8 së finales, krerët e DFB-së zhvilluan një takim maratonë që zgjati rreth tri orë me Nagelsmannin. Në takim morën pjesë presidenti Bernd Neuendorf, Hans-Joachim Watzke, Rudi Völler dhe Andreas Rettig, të cilët analizuan dështimin e kombëtares dhe diskutuan të ardhmen e bankinës gjermane.

    Raporti mes palëve duket se ka hyrë në një fazë vendimtare. Federata i ka lënë kohë trajnerit që të marrë një vendim për të ardhmen e tij, duke i hapur rrugën një largimi me marrëveshje.

    Në rast se Nagelsmann vendos të mos japë dorëheqjen, DFB ka në dispozicion mundësinë për të ndërprerë kontratën në mënyrë të njëanshme. Megjithatë, një vendim i tillë do t’i kushtonte federatës rreth 7 milionë euro, shumë që parashikohet si dëmshpërblim për prishjen e parakohshme të kontratës.

    Ndërkohë, në Gjermani kanë nisur tashmë spekulimet për pasuesin e mundshëm të Nagelsmannit. Emri që po përmendet më së shumti është ai i Jürgen Klopp, i cili konsiderohet kandidati ideal për të marrë drejtimin e kombëtares dhe për të nisur një epokë të re pas zhgënjimit në Botëror.

    Sipas mediave gjermane, vendimi përfundimtar mbi të ardhmen e Nagelsmannit pritet të merret në ditët e para të javës së ardhshme.

  • Albion Rrahmani drejt Serie A, sulmuesi kosovar shumë pranë transferimit te Venezia

    Albion Rrahmani drejt Serie A, sulmuesi kosovar shumë pranë transferimit te Venezia

    Albion Rrahmani është vetëm një hap larg aventurës së re në futbollin italian. Sulmuesi i Kosovës pritet të bëhet futbollisti më i ri i Venezias, duke i dhënë fund qëndrimit të tij te Sparta e Pragës.

    Sipas gazetarit të njohur italian Matteo Moretto, marrëveshja mes të gjitha palëve është arritur dhe transferimi tashmë konsiderohet i mbyllur. Kanë mbetur vetëm procedurat përfundimtare, me Rrahmanin që pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore, përpara se të firmosë kontratën me klubin italian.

    Ky transferim do t’i japë 25-vjeçarit mundësinë të provojë veten në Serie A, një nga kampionatet më prestigjioze në Evropë, pas eksperiencave të tij në Kosovë, Rumani dhe Republikën Çeke.

    Rrahmani e ndërtoi emrin e tij te Ballkani, ku shkëlqeu nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja, para se të transferohej te Rapidi i Bukureshtit. Performancat e mira në Rumani i siguruan më pas kalimin te Sparta e Pragës, ndërsa tani karriera e tij pritet të vazhdojë në elitën e futbollit italian.

    Gjatë karrierës, reprezentuesi i Kosovës ka veshur gjithashtu fanellat e Llapit, Bashkimit, Malishevës dhe Minatorit, duke ndërtuar gradualisht rrugën drejt një transferimi në një prej ligave më të forta në botë.

  • Kosova sonte përballet me Shqipërinë, publikohet lista e 12 basketbollistëve të ftuar

    Kosova sonte përballet me Shqipërinë, publikohet lista e 12 basketbollistëve të ftuar

    Kombëtarja e Kosovës në basketboll do të zbresë sonte në parket për sfidën ndaj Shqipërisë, e vlefshme për parakualifikimet e FIBA EuroBasket 2029.

    Takimi do të zhvillohet në Prizren, me fillim nga ora 19:00, ndërsa “Dardanët” synojnë ta nisin me fitore rrugëtimin në këtë cikël kualifikues.

    Përzgjedhësi i Kosovës ka publikuar tashmë listën zyrtare të 12 basketbollistëve që do të jenë në dispozicion për ndeshjen e sontme, pas përfundimit të përgatitjeve që kishin nisur më 17 qershor.

    Nga lista fillestare prej 15 lojtarëve janë përzgjedhur 12 emrat që do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë përballje, ndërsa ekipi do të paraqitet me disa mungesa të rëndësishme.

    Valon Bunjaku nuk do të jetë në dispozicion për shkak të një lëndimi, ndërsa jashtë skuadrës kanë mbetur edhe Gëzim Morina dhe Rron Ukaj, të cilët gjithashtu nuk kanë arritur të rikuperohen në kohë.

    Pavarësisht mungesave, te kampi i Kosovës mbretëron optimizëm se skuadra është e gatshme për të zhvilluar një paraqitje të mirë para tifozëve vendas dhe për ta nisur me rezultat pozitiv aventurën drejt EuroBasket 2029.

  • Gara për “Këpucën e Artë” në Kupën e Botës 2026 ndizet, katër superyje në luftë për fronin

    Gara për “Këpucën e Artë” në Kupën e Botës 2026 ndizet, katër superyje në luftë për fronin

    Lufta për “Këpucën e Artë” në Kupën e Botës 2026 po bëhet gjithnjë e më emocionuese, teksa katër prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror, Linoel Messi, Kylian Mbappe, Erling Haaland dhe Harry Kane, vazhdojnë të dominojnë listën e golashënuesve.

    Me turneun që ka hyrë në fazën eliminatore, secili prej tyre jo vetëm që synon ta udhëheqë kombëtaren drejt trofeut më të madh në futboll, por edhe të rrëmbejë çmimin individual për golashënuesin më të mirë të Botërorit.

    Në krye të renditjes qëndrojnë Lionel Messi dhe Kylian Mbappe, të cilët kanë realizuar nga gjashtë gola secili. Sulmuesi francez arriti këtë shifër pas dopietës ndaj Suedisë, duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si lideri i repartit ofensiv të Francës dhe një nga futbollistët më vendimtarë të këtij edicioni.

    Në anën tjetër, Messi po zhvillon një tjetër Botëror të jashtëzakonshëm. Kapiteni i Argjentinës ka gjetur rrugën e rrjetës në çdo ndeshje të kombëtares së tij deri më tani, përfshirë tregolëshin ndaj Algjerisë dhe dy golat kundër Austrisë, duke mbetur në krye të garës për “Këpucën e Artë”.

    Vetëm një gol më pak kanë Erling Haaland dhe Harry Kane, të cilët kanë realizuar nga pesë gola. Sulmuesi norvegjez ka impresionuar në debutimin e tij në Kupën e Botës, duke qenë figura kryesore e Norvegjisë në rrugëtimin drejt fazës eliminatore dhe duke dëshmuar edhe një herë instinktin e tij të jashtëzakonshëm për gol.

    Edhe kapiteni i Anglisë, Harry Kane, po vazhdon të jetë vendimtar për “Tre Luanët”. Me pesë realizime deri tani, ai ka udhëhequr anglezët drejt fazës së 1/8 së finales dhe mbetet një nga kandidatët më seriozë për ta fituar çmimin e golashënuesit më të mirë të turneut.

    Megjithatë, pavarësisht rivalitetit individual, protagonistët vazhdojnë të theksojnë se objektivi kryesor mbetet suksesi me kombëtaret e tyre. Mbappe e bëri të qartë këtë pas fitores së Francës ndaj Suedisë.

    “Qëllimi ynë është të shkojmë sa më larg dhe të arrijmë finalen. Jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës dhe te suksesi i skuadrës,” deklaroi ylli francez.

    Me fazën eliminatore që sapo ka nisur dhe ndeshjet që bëhen gjithnjë e më vendimtare, gara për “Këpucën e Artë” pritet të mbetet e hapur deri në fund të turneut. Çdo gol mund të ndryshojë renditjen, ndërsa Messi, Mbappe, Haaland dhe Kane vazhdojnë betejën e tyre për të shkruar emrin në historinë e Kupës së Botës 2026.

  • Sot në program tri superndeshje në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026

    Sot në program tri superndeshje në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026

    Kupa e Botës 2026 vazhdon sot me tri përballje mjaft interesante në kuadër të fazës eliminatore, ku kombëtaret do të synojnë të hedhin një tjetër hap drejt ëndrrës për titullin e kampionit të botës.

    Programin e ditës e hap sfida mes Spanjës dhe Austrisë, e cila nis në ora 19:00. Spanjollët konsiderohen favoritë për këtë takim, falë përvojës, cilësisë së lartë në përbërje dhe paraqitjeve bindëse gjatë turneut. Megjithatë, Austria ka dëshmuar se është një skuadër e organizuar dhe e rrezikshme në kundërsulme, ndaj nuk pritet ta ketë aspak të lehtë kombëtarja iberike.

    Nga ora 23:00, vëmendja do të jetë te supersfida mes Portugalisë dhe Kroacisë. Portugalia shihet si favorite e lehtë për të kaluar në çerekfinale, pasi ka zhvilluar një turne mjaft të mirë dhe disponon një ekip me shumë cilësi në të gjitha repartet. Në anën tjetër, Kroacia mbetet një kundërshtar i fortë dhe me përvojë në ndeshjet e mëdha, ndaj pritet një duel shumë i luftuar deri në minutën e fundit.

    Ndeshja e fundit e ditës zhvillohet pas mesnate, në ora 03:00, ku përballen Zvicra dhe Algjeria. Në letër, Zvicra konsiderohet favorite falë stabilitetit dhe eksperiencës në turne të mëdha, por Algjeria ka qenë një nga surprizat më të këndshme të këtij Botërori dhe ka treguar se mund të rivalizojë me çdo kundërshtar.

    Deri më tani, një vend në çerekfinale e kanë siguruar Kanadaja, Brazili, Paraguai, Maroku, Norvegjia, Franca, Meksika, Anglia, Belgjika dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

    Ndërkohë, garës i kanë dhënë fund Afrika e Jugut, Japonia, Gjermania, Holanda, Bregu i Fildishtë, Suedia, Ekuadori, Republika Demokratike e Kongos, Senegali dhe Bosnja e Hercegovina.

    Tri përballjet e sotme pritet të ofrojnë spektakël dhe emocione të shumta, pasi bëhet fjalë për ndeshje me sistem eliminimi direkt, ku çdo gabim mund t’i kushtojë një kombëtare eliminimin nga gara. Në fund të mbrëmjes do të mësohen edhe tre çerekfinalistët e rinj, ndërsa gara për trofeun e Kupës së Botës 2026 hyn gjithnjë e më shumë në fazën vendimtare.

  • Profecia e Maradonës: Ai parashikoi saktësisht se çfarë do të ndodhte në Kupën e Botës

    Profecia e Maradonës: Ai parashikoi saktësisht se çfarë do të ndodhte në Kupën e Botës

    Diego Maradona, një nga legjendat më të mëdha të futbollit, në vitin 2018, bëri një parashikim çuditërisht të saktë në lidhje me Kupën e Botës, që aktualisht po mbahet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.

    Legjenda argjentinase pretendoi në atë kohë se organizatorët do të donin të prezantonin katër pjesë për qëllime reklamimi. Tetë vjet më vonë, duket se ai kishte të drejtë.

    Maradona ishte skeptik në lidhje me Amerikën e Veriut që do të organizonte Kupën e Botës në vitin 2018, duke parashikuar se interesat komerciale do të mbizotëronin mbi frymën e sportit.

    “Nuk më pëlqen, nuk ka pasion. Kanadezët do të jenë skiatorë të mirë dhe amerikanët donin të fusnin katër çerekë 25-minutëshe për reklamim. Në fund, do të luajmë 100 minuta”, kishte thënë Maradona duke qeshur.

    Parashikimi i tij doli i saktë. Ndërsa formati i garës nuk u ndryshua fjalë për fjalë në katër pjesë, u futën pushime për t’u lejuar lojtarëve të hidratoheshin për shkak të temperaturave të larta.

    Këto rezultuan të ishin mundësi perfekte për reklama televizive. Përveç kësaj, ndeshjet me pagesa të mëdha për gjyqtarët tani zgjasin rregullisht të paktën 100 minuta, ashtu siç kishte njoftuar legjenda argjentinase.

    Maradona ende konsiderohet nga shumë njerëz si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Fituesi i Kupës së Botës në vitin 1986 me Argjentinën vdiq në vitin 2020 pasi pësoi një arrest kardiorespirator në shtëpinë e tij ku po shërohej nga një operacion i kohëve të fundit në tru për të hequr një mpiksje gjaku.

  • Kawhi Leonard rikthehet te Raptors, Toronto realizon transferimin e madh të verës

    Kawhi Leonard rikthehet te Raptors, Toronto realizon transferimin e madh të verës

    Kawhi Leonard do të veshë sërish fanellën e Toronto Raptors, shtatë vjet pasi u largua nga klubi për t’iu bashkuar Los Angeles Clippers.

    Sipas raportimeve të gazetarit të njohur Shams Charania, Raptors kanë arritur marrëveshje me Clippers për rikthimin e 35-vjeçarit. Në këmbim, drejt Los Angelesit do të transferohen Brandon Ingram, Gradey Dick, dy zgjedhje të raundit të parë në draft, një e drejtë shkëmbimi në raundin e parë dhe dy zgjedhje të raundit të dytë.

    Rikthimi i Leonardit ishte përfolur prej ditësh, pasi lojtari kishte shprehur gatishmërinë për të firmosur kontratë të re vetëm me Toronton. Tashmë palët pritet të nisin bisedimet për një marrëveshje afatgjatë.

    Leonard mbetet një figurë historike për Raptors, pasi në sezonin 2018/19 i udhëhoqi drejt titullit të parë kampion në historinë e klubit, duke u shpallur edhe MVP i finaleve të NBA-së.

    Edhe pse 35 vjeç, amerikani vjen pas një sezoni shumë të mirë me Clippers, ku regjistroi mesatarisht 27.9 pikë dhe 1.9 vjedhje topi për ndeshje.

    Me rikthimin e Leonardit dhe praninë e Scottie Barnes, Raptors synojnë të rikthehen mes skuadrave pretendente për titull në sezonin e ri të NBA-së.

  • Yamal i bën thirrje Alvarezit: Do të të presim me krahë hapur

    Yamal i bën thirrje Alvarezit: Do të të presim me krahë hapur

    Lamine Yamal nuk e ka fshehur dëshirën për ta parë Julian Alvarezin me fanellën e Barcelonës, duke e ftuar publikisht sulmuesin argjentinas t’i bashkohet katalanasve.

    Ylli i ri spanjoll tha se do ta mirëpriste me kënaqësi Alvarezin në “Camp Nou”, duke e cilësuar atë si një futbollist të nivelit të lartë.

    “Nuk mendoj shumë për këtë, por sigurisht që do të doja ta shihja këtu, sepse është një lojtar i madh. Nëse vjen, do ta presim me krahë hapur. Po të isha në vendin e tij, do ta bëja këtë hap. I them vetëm: eja”, deklaroi Yamal.

    Sipas raportimeve të fundit, Alvarez mbetet i vendosur të largohet nga Atletico Madridi dhe Barcelona vazhdon të jetë destinacioni i tij i preferuar.

    Megjithatë, realizimi i këtij transferimi nuk pritet të jetë i lehtë, pasi Atletico Madridi kërkon një shumë të konsiderueshme për të lënë të lirë sulmuesin argjentinas gjatë afatit kalimtar të verës.

  • Bielsa largohet nga Uruguai pas dështimit në Botëror: I zhgënjyem të gjithë

    Bielsa largohet nga Uruguai pas dështimit në Botëror: I zhgënjyem të gjithë

    Marcelo Bielsa ka konfirmuar largimin nga posti i trajnerit të Uruguait, pasi kombëtarja u eliminua që në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026.

    Në konferencën e tij të lamtumirës, tekniku argjentinas e cilësoi këtë fund si një nga momentet më të vështira të karrierës.

    “Është një lamtumirë shumë e dhimbshme. Kisha ëndrra të mëdha për këtë ekip, por nuk ia dolëm. I zhgënjyem tifozët dhe përgjegjësia bie mbi mua”, deklaroi Bielsa.

    Ai pranoi se nuk arriti të menaxhonte skuadrën në mënyrën më të mirë të mundshme, megjithëse theksoi se lojtarët dhe stafi dhanë maksimumin.

    Bielsa hodhi poshtë gjithashtu zërat për përçarje brenda ekipit, duke sqaruar se kishte pranuar disa kërkesa të futbollistëve për mënyrën e stërvitjes dhe takimeve taktike, me synimin për të ruajtur harmoninë në grup.

    Tekniku argjentinas shtoi se, pavarësisht eliminimit, beson se Uruguai kishte cilësinë për të kaluar fazën e grupeve, por nuk arriti të shfrytëzonte rastet e krijuara.

    Kështu, pas gati katër vitesh në krye të “La Celeste”, merr fund aventura e Marcelos Bielsas me kombëtaren uruguaiane.

  • Mbappe thyen rekorde në Kupën e Botës, vetëm Messi mbetet para tij

    Mbappe thyen rekorde në Kupën e Botës, vetëm Messi mbetet para tij

    Kylian Mbappe vazhdon të shkëlqejë në skenën më të madhe të futbollit botëror. Sulmuesi francez ishte protagonist në fitoren 3-0 të Francës ndaj Suedisë, duke realizuar dy gola dhe duke hyrë sërish në historinë e Kupës së Botës.

    Me golin e parë të mbrëmjes, Mbappe arriti në kuotën e nëntë golave në ndeshjet me eliminim direkt, duke u bërë futbollisti me më shumë realizime në këtë fazë të turneut. Ai la pas legjendat braziliane Leonidas dhe Ronaldo Nazario, të cilët kishin nga tetë gola secili.

    Francezi nuk u ndal me kaq, pasi realizoi edhe golin e dytë të ndeshjes, duke e çuar rekordin e tij në 10 gola në fazat eliminatore të Botërorit.

    Dygolëshi ndaj Suedisë e ngjiti gjithashtu Mbappen në vendin e dytë të golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës. Sulmuesi francez tani numëron 18 gola, duke kaluar legjendën gjermane Miroslav Klose.

    Në krye të renditjes mbetet vetëm Lionel Messi me 19 gola, por me formën që po kalon Mbappe, diferenca është minimale dhe rekordi i argjentinasit duket më i rrezikuar se kurrë.