ATV

Category: SPORT

  • Zyrtare: Victor Roque, lojtar i Barcelonës (VIDEO)

    Zyrtare: Victor Roque, lojtar i Barcelonës (VIDEO)

    Përmes një komunikate në faqen zyrtare, Barcelona e ka konfirmuar marrëveshjen me Athletico Paranaense për transferimin e Victor Roques.

    Roque pritet t’i bashkohet Barcelonës në sezonin 2024/25, dhe jo për sezonin e ri 2023/24, raporton KosovaPress.

    Po ashtu, ylli brazilian do të nënshkruajë kontratë afatgjate me klubin, e cila do ta mbajë atë në “Camp Nou” deri në fund të sezonit 2030/31.

    Në kontratën e Roque, Barça ka përfshirë një klauzolë lirimi prej 500 milionë eurove.

    “Mbreti i tigrave ka mbërritur në Barcelonë”, ishte përshkrimi i Barçës në videon ku e bëri zyrtare transferimin e Roques.

     

  • Ballkani-Ludogorets, ja kur zhvillohet ndeshja e kthimit

    Ballkani-Ludogorets, ja kur zhvillohet ndeshja e kthimit

    Kampioni i Kosovës, Ballkani e nisi mbrëmë në mënyrën më të mirë aventurën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, duke e mposhtur me lehtësi skuadrën e Ludogoretsit.

    Ballkani e mposhti 2:0 kampionin bullgar, me ndihmën e golave të Meriton Korenicës dhe Qendrim Zybës, raporton KosovaPress.

    Futbollistët e Ilir Dajës përgjatë gjithë ndeshjes ishin superiorë ndaj Ludogoretsit, ku edhe treguan paraqitje tejet të mirë.

    Tani, Ballkanin e ndajnë vetëm 90 minuta nga kualifikimi në raundin e dytë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve.

    Kampioni kosovar ndeshjen e kthimit kundër Ludogorets do ta zhvillojë më datën 19 të këtij muaji, me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Huvepharma Arena” të Razgradit.

    19 korrik (e mërkure)

    20:00 Ludogorets – Ballkani (Stadiumi Huvepharma Arena)

  • Tifozët Ludogorets të mahnitur me lojën e Ballkanit

    Tifozët Ludogorets të mahnitur me lojën e Ballkanit

    Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka fituar me rezultat 2:0, ndeshjen e rrethit të parë në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.

    Të drejtuarit e trajnerit Ilir Daja, kanë shënuar fitore me dy golat e realizuara nga Meriton Korenica dhe Qëndrim Zyba.

    Paraqitja fantastike e lojtarëve të Ballkanit ka rënë shumë në sy edhe tek tifozët bullgarë, të cilët janë habitur nga cilësia që ka klubi nga Suhareka.

    “E pashë të gjithë ndeshjen dhe mund të them, një bravo e madhe për ekipin Ballkanit luajnë me zemër! Për Ludogorets, mund të them se loja e tyre ishte tragjike pothuajse gjatë gjithë ndeshjes! Ludogorets nuk tregoi kreativitet nuk meritoi asgjë”, shkruan një tifoz i quajtur Valentin Jankov, në faqen zyrtare të klubit.

    “Humbje plotësisht e pritshme duke pasur parasysh çfarë ka ndodhur në këtë merkato! Kjo skuadër me këta lojtarë kanë pasur me fat gjatë gjithë gjysmësezionit dhe playoff-it dhe tani është një arsye! Këta njerëz në menaxhim duhet të kuptojnë se nuk e kanë fajin trajnerët, por lojtarët që marrin paga të mëdha”, shkruan Kaloyan Kirilov.

    “Problemi është 67% e pasimeve ishin të dështuara. Numëroni sa pasime të paplota ose të gabuara bëri Ludogorets në këtë ndeshje dhe do të zbuloni pse u mposhtum. Përveç kësaj, disa futbollistë si Sergio Padt Nonato dhe të tjerë janë mbipeshë”, shkruan Tedor Angleov.

    Këto ishin vetëm disa nga komentet e tifozëve bullgar.

    Kujtojmë që edhe mediat kryesore në Bullgari e kanë vlerësuar jashtëzakonisht skuadrën Kampione të Kosovës. /atvlive.tv

  • “Dardanët” e rinj përballen sot me Ukrainën

    “Dardanët” e rinj përballen sot me Ukrainën

    Kosova U20 në konkurrencën e meshkujve do të vazhdojë sot garat në Kampionatin Evropian, Divizioni B në grupmoshat U20.

    “Dardanët” e rinj do të përballen sot me Ukrainën, me ndeshjen që do të zhvillohet nga ora 13:30, raporton KP.

    Kosova U20 i nisi garat në këtë Evropian me humbje ndaj Gjeorgjisë, ndërsa e vazhdoi në të njëjtën mënyrë edhe ndaj Suedisë, kurse fitoren e parë të kësaj gare e gjeti kundër Azerbajxhanit.

    Njëkohësisht, ndeshja ndaj Ukrainës do të jetë përballja e fundit e “Dardanëve” të rinj në fazën e grupeve të këtij Evropiani.

    13:30 Ukraina – Kosova

  • Ballkani shënon fitore të madhe ndaj Ludogorets

    Ballkani shënon fitore të madhe ndaj Ludogorets

    Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka shënuar fitore të madhe ndaj kampionëve të 12-fishtë bullgar Ludogorets me rezultat 2:0, në kuadër të raundit të parë të kualifikimeve për Ligë të Kampionëve, duke kryer gjysmën e punë për rrugëtimin tutje drejt garës më prestigjioze evropiane.

    Ballkani në fakt ishte skuadra më e mirë gjatë tërë takimit, duke u treguar e rrezikshme qysh në minutat e para, ndërsa skuadra e cila konsiderohej favorite, madje në pjesën e parë nuk rrezikoi asnjëherë portën e Enea Koliçit.

    Minuta e 20-të ishte kur gjithçka mori në dorë skuadra e Ilir Dajës, që me anë të një goditje të Nazmi Gripshit u rrezikua porta kundërshtare shumë seriozisht.

    Por goli i parë i takimit erdhi vetëm në fund të pjesës së parë. Zhvilloheshin minutat shtesë, kur pas një tollovie, topi shkoi te mesfushori nga Rahoveci, Meriton Korenica, që me një goditje të bukur kaloi Ballkanin në epërsi 1:0, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë e takimit.

    ‘Xhebrailat’ edhe në pjesën e dytë vazhduan me lojën ofensive, duke qenë dukshëm skuadra më kërkuese dhe kjo u shpërblye.

    Po zhvillohej minuta e 55-të, kur pas një ndërprerje, mbrojtësi anësor, Lorenc Trashi harkoi bukur në zonë, ku edhe më mirë reagoi mesfushori Qëndrim Zyba, i cili shënoi nga afërsia me kokë, për rezultatin 2:0.

    Deri në fund, dy skuadrat arritën të krijonin disa raste, por gola më në takim nuk pati dhe Ballkani doli fitues 2:0 ndaj Ludogorets.

    Ndeshja e kthimit dhe përcaktuese për skuadrën që kualifikohet në rrethin e dytë do të zhvillohet pas një jave në Bullgari.

  • Ballkani-Ludogorets, formacionet zyrtare

    Ballkani-Ludogorets, formacionet zyrtare

    Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani do ta nis sot rrugëtimin në garën më prestigjoze të UEFA-së në futboll për klube, Ligën e Kampionëve.

    Portokallinjtë do të ndeshen sonte me Ludogoretsin që është kampion i Bullgarisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim nga ora 20:45, raporton KP.

    Para ndeshjes, trajneri Ilir Daja, ka thënë se janë të gatshëm për këtë sfidë dhe se nuk do të luajnë në mbrojtje, por që do të kërkojnë rezultat pozitiv në fushë.

    Ai shtoi se Ballkani e përfaqëson gjithë futbollin e Kosovës në këtë garë dhe se për këtë arsye lojtarët duhet ta lënë edhe shpirtin në fushë.

    Ndërkaq, sa përket ndeshjes së sotme të dy trajnerët kanë publikuar formacionet zyrtare, dhe ato mund t’i gjeni më poshtë.

  • ​Fillojnë punimet në stadiumin e Gjakovës

    ​Fillojnë punimet në stadiumin e Gjakovës

    Kanë nisur punimet në vazhdimin e ndërtimit të Stadiumit të Qytetit në Gjakovë ku do të ndërtohet tribuna lindore dhe jugore e tij.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Ardian Gjini i cili ka thënë se për këtë projekt janë ndarë 2.5 milionë euro dhe se ai do t’u shërbejë shumë gjeneratave ndër vite, duke qenë një tempull i sportit dhe kulturës.

    Fillimin e këtyre punimeve, Gjini e ka quajtur si ditë të veçantë.

    Ky është postimi i plotë i Gjinit në Facebook:

    Sot, është një ditë shumë e veçantë!

    Kjo, sepse edhe zyrtarisht filluan punimet për vazhdimin e Stadiumit të Qytetit nga dy kompani serioze, konkretisht tribuna lindje dhe jug si dhe pjesa e fushës e cila do të shndërrohet në tërësi.

    Më entuziazmon fakti që ky projekt madhor, do t’iu shërbejë shumë gjeneratave ndër vite, duke qenë një tempull i sportit dhe kulturës.

    Për këto faza që i nisëm sot, Komuna e Gjakovës do të investojë rreth 2.5 milionë euro. Shpresojmë që pjesa e projektit, e nisur nga Ministria do të vazhdojë, në mënyrë që konstrukti të jetë i përfunduar e më pas të vazhdojë pjesa e mbulojës, ndriçimit dhe të gjitha pjesët që i takojnë një stadiumi të mirëfilltë.

    Stadiumi i Qytetit të Gjakovës, do të jetë aset i rëndësishëm për Gjakovën, por edhe gjithë Kosovën dhe kjo më bën jashtëzakonisht të lumtur dhe krenar.

  • ​Muriqi u rikthehet stërvitjeve me Majorkan

    ​Muriqi u rikthehet stërvitjeve me Majorkan

    Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka nisur përgatitjet parasezonale me skuadrën spanjolle Majorka.

    Ai ishte njëri nga më meritoret që kjo skuadër përfundoi në vendin e nëntë me 50 pikë të mbledhura, raporton KosovaPress.

    Në edicionin garues 2023/24, reprezentuesi kosovar realizoi 15 gola, duke u futur në top 5-shen e sulmuesve më të mirë të La Ligas.

    Rikthimin e tij në stërvitje e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Majorkas me mbishkrimin “Rikthimi i Muriqit. Është radha e tij”.

  • Zyrtare, Arlind Ajeti transferohet te Kluzhi

    Zyrtare, Arlind Ajeti transferohet te Kluzhi

    Skuadra romune, Kluzh ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me futbollistin shqiptar Arlind Ajeti.

    Mbrojtësi qendror në të kaluarën ka luajtur për skuadra si Torino, Frosinonne e Crotone në Itali, ndërkohë që nuk janë bërë të ditura detajet e kontratës së tij me klubin e ri.

    “Jemi të lumtur të ju njoftojmë se Arlind Ajeti është lojtari i ri i skuadrës sonë. Mbrojtësi qendror me origjinë shqiptare, i lindur në Zvicër, ka evoluar në Serie A për FC Torino, Frosinone Calcio ose Crotone. Mbrojtësi gjatë karrierës së tij luajti edhe në Zvicër për Grassoper, por edhe për FC Basel, skuadër me të cilën fitoi 4 herë titullin dhe u zhvillua në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.”, thuhet në njoftimin e Kluzhit, përcjellë KosovaPress.

    Te Kluzhi, Ajeto do të luajë më Ermal Krasniqin i cili sezonin e kaluar u transferua nga Ballkani.

  • Kosova fiton ndaj Britanisë së Madhe në Evropianin në Prishtinë

    Kosova fiton ndaj Britanisë së Madhe në Evropianin në Prishtinë

    Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore të rëndësishme në Kampionatin Evropian U19 për hendbolliste, që po mbahet në Prishtinë.

    Të hënën mbrëma, vajzat tona fituan ndaj Britanisë së Madhe me rezultat 28:21.

    Fitorja erdhi pas dy disfatave, ndërsa Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) vlerësoi se kjo fitore “do të shërbejë për të rritur besimin në Kombëtare për vazhdimin e Evropianit”.

    Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, ndërsa më pas Kombëtarja jonë nisi shkëputjen në rezultat. Pas pjesës së parë rezultati ishte 13:11 në të mirë të Kosovës.

    Në pjesën e dytë Kombëtarja jonë vazhdimisht ishte në epërsi. Britania e Madhe u afrua në 20:19, por pasoi shkëputje tjetër.

    Portierja Selvije Mullakadrija i bëri 11 pritje. Ariona Dushica e Arona Krasniqi i shënuan nga tetë gola, ndërsa katër i shënoi Elisa Mirdita.

    Të enjten, Kosova U19 do të përballet me Finlandën.