Siç bëhet e ditur nga gazetari i njohur, Fabrizio Romano, Liverpooli dhe Al Ittihad janë shumë afër që ta mbyllin marrëveshjen për Fabinhon.
Marrëveshja mes dy klubeve është shumë afër që të kompletohet, ndërsa Liverpooli është ende i kujdesshëm pasi që dokumentet duhet të kontrollohen para se të nënshkruhen, raporton KosovaPress.
Fabinho do t’iu nënshtrohet testeve mjekësore së shpejti nëse gjithçka shkon sipas planit.
Al Ittihad ka rënë dakord me Fabinhon në kushtet personale për një marrëveshje tre vjeçare.
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti beson se ekipi i tij ka një skuadër të kompletuar edhe pa superyllin francez, Kylian Mbappe.
Reali e mposhti Manchester Unitedin 2:0 në miqësoren në Houston të Teksasit të martën, raporton KosovaPress.
Jude Bellingham, i cili i kushtoi Reali plot 103 milionë euro, shënoi golin e parë për Realin, ndërsa Joselu, i cili iu bashkua klubit në huazim nga Espanyoli, shënoi golin e dytë.
“Skuadra është mirë. Ne nuk do të kemi probleme me skuadrën. Do të ishte problem nëse do të kisha një skuadër pa kualitet. Skuadra është mirë. Jemi të kompletuar”, tha Ancelotti.
Duke lënë anash Bellingham dhe Joselun, Reali gjithashtu transferoi Arda Guler dhe Fran Garcia gjatë kësaj merkatoje. Ndërkohë, klubi pa disa lojtarë të largohen, duke përfshirë këtu Karim Benzeman dhe Marco Asension.
Drama e Mbappes po vazhdon pasi që ai refuzoi bisedimet me Al Hilal, i cili ishte i gatshëm t’i paguajë PSG-së plot 300 milionë euro dhe t’i jep Mbappes një pagë prej 700 milionë eurosh në vit, vetëm që ylli francez t’i bashkohej Ligës Profesionale Saudite.
Ky është ljam i mirë për Realin, i cili ende shpreson që ta transferojë Mbappen.
Ancelotti refuzoi të fliste për këtë temë dhe u përgjigj “pyetja e radhës” dhe vazhdoi duke lavdëruar lojtarët që i ka te Reali.
Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka reaguar ndaj koreografisë nacionaliste të tifozëve serbë të futbollit, ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’.
Ndaj kësaj, Mandl ka etiketuar Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrelin, të dërguarin për dialog, Miroslav Lajçakun, dhe komisionerin për zgjerim, Oliver Varhelyi, se a janë në dijeni për atë se çka ka ndodhur.
“Ju ende dëshironi të sanksiononi cilin vend? Kosovën? Josep Borrell, Oliver Varhelyi, Miroslav Lajçak. A mund ta shihni se çka po ndodh? Le të qetësohemi. Le të kontribuojmë në shtensionimin e situatës, pajtimin dhe paqen. Të gjithë. Të gjithë ne”, shkroi Mandl në rrjetin social Twitter.
Reagime të shumta pati edhe nga Kosova, ku Federata e Futbollit e Kosovës, bëri të ditur se ka paraqitur ankesë në UEFA për këtë çështje.
Lojtarja ukrainase e skermës, Olga Kharlan, është diskualifikuar pasi nuk pranoi t’ia zgjaste dorën kundërshtares së vet ruse, Anna Smirnova, në Kampionatin Botëror të Skermës, në Milano, të enjten.
Kharlan, katër herë fituese e medaljes olimpike dhe kampione botërore, e fitoi ndeshjen individuale 15:7 dhe pastaj nuk i shtrëngoi duart me kundërshtaren e vet, por deshi ta përshëndesë atë me cakërrim të shpatave.
Ukrainasaj Olha Kharlan duke e festuar fitoren kundër ruses Anna Smirnova (e cila nuk shihet në fotografi), gjatë Botërorit të Skermës, në Milano, më 27 korrik 2023.
Smirnova mbeti në skenë për rreth gjysmë ore pas incidentit, duke biseduar me një numër zyrtarësh para se të largohej.
Atletët ukrainas në sportet e tjera – përfshirë tenistet Elina Svitolina dhe Marta Kostyuk – kanë refuzuar po ashtu t’i shtrëngojnë duart me kundërshtarët rusë dhe bjellorusë, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Bjellorusia është përkrahëse e pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.
Në rregullat e sportit të skermës, përshëndetja mes kundërshtarëve dorë për dorë është detyrim dhe refuzimi për ta bërë një gjë të tillë ka për pasojë “kartonin e zi”.
“Kartoni i zi” nënkupton përjashtim nga garat.
“Ne e mbështesim Olga Kharlan plotësisht në këtë situatë. Jemi duke e përgatitur një protestë”, tha Mzkhailo Illiashev, presidenti i Federatës së Skermës së Ukrainës.
“Ne do të ankohemi ndaj këtij vendimi, sepse gjyqtari i asaj përballje nuk dha karton të zi direkt, e as nuk e diskualifikoi atë. Ky diskualifikim erdhi më vonë nga lojëra të fshehta pasi ishte caktuar kundërshtarja e radhës, dhe pasi ishte caktuar gjyqtari për ndeshjen e radhës”, shtoi ai.
Ministri i Sportit i Ukrainës, Vadym Huttsait, e ka përshkruar këtë incident si “një provokim i qartë nga pala ruse”.
Kharlan po e përfaqësonte Ukrainën në këtë turne, pasi ministri i Sportit i Ukrainës vendosi të mërkurën t’i lejojë ekipet ukrainase të marrin pjesë në gara olimpike, jo-olimpike dhe paraolimpike në të cilat ka edhe garues nga Rusia dhe Bjellorusia.
Smirnova po garonte si atlete neutrale.
Federata Botërore e Skermës nuk i është përgjigjur Reuters-it për koment në lidhje me këtë incident. /REL
Uta Ibrahimi e njohur ndryshe si heroina jonë e maleve e ka ngjitur edhe K2 me lartës 8,661 metra.
K2 është maja e 11 në listën e Utës që ajo e ka ngjitur, dhe ajo vazhdon të jetë gruaja e parë në Ballkan që ka ngritur flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë në to.
Lajmin e konfirmoi “Utalaya”, faqja e cila shpërndanë lajmet për ngjitjet e Ibrahimit nëpër botë.
“Jemi krenarë dhe të lumtur të japim lajmin se Uta, heroina jonë e maleve, tashmë ka ngjitur edhe K2 me lartësi 8,611 m, dhe e ka renditur “Malin e egër” në vendin e 11 në listën e saj të projektit 14/8000. Kjo arritje e madhe është një moment historik ndër të tjera, që i ka dhënë një frymëzim të fuqishëm komunitetit alpinist shqiptar”, shkruante në postimin e “Utalayas”.
“Përkushtimi dhe vendosmëria e Uta Ibrahimit tregojnë se ajo është një udhëheqëse e vërtetë dhe një shembull frymëzues për të gjithë ne që kërkojmë të kalojmë kufijtë dhe të bëjmë ëndrrat tona realitet”, shkruante më tej.
Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës ishte akti më i fundit që Serbia, përkatësisht tifozët serb e bënë gjatë ndeshjes mes Crvena zvezdas dhe Fiorentinës.
Ndeshja mes “Yllit të Kuq” dhe Fiorentinas u zhvillua në Beograd, ku në stadium u shfaq një koreografi me paraqitjen e një tanku, dhe me shkrimi nën të “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”, raporton KosovaPress.
Tani, për këtë gjë ka reaguar edhe ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili tha se Serbia po mobilizon tifozëri për mesazhe lufte ndaj Kosovës.
“Serbia mobilizon tifozëri për mesazhe lufte! Koreografia e organizuar në ndeshjen miqësore të futbollit të zhvilluar dje ndërmjet ‘Yllit të kuq dhe Fiorentinës në Beograd, tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë. Grupi i tifozerisë ‘Delije’ mbrëmë ka shfaqur një koreografi ku shihet një tank i madh me sfondin e flamurit serb dhe me shkrimin nën të ‘Kur të kthehet ushtria në Kosovë’”, shkroi Çeku në “Facebook”
Më tej, Çeku tha se Serbia nuk po e kursen as sportin për promovimin e politikës luftënxitëse, ndërsa kërkoi që komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të hesht.
“Serbia edhe një herë tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse. Kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese. Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje”, shkroi Çeku.
Edhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka kërkuar nga UEFA dhe FIFA që të marrin masa më të ashpra kundër Serbisë për shkeljen e parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit.
Federata e Futbollit të Kosovës e ka dënon ashpër dhe njëherësh ka shprehur zemërimin dhe shqetësimin e saj lidhur me koreografinë skandaloze, luftënxitëse të tifozëve të klubit serb, Crvena Zvezda, në ndeshjen e futbollit kundër Fiorentinës në Beograd.
Paraqitja e një tanku si koreografi në tribuna me simbolikën kundër Kosovës është një akt i papranueshëm dhe i pashoq për sportin, por edhe për harmoninë e paqen ndërmjet vendeve dhe popujve në rajonin tonë, e sidomos në periudhën e tensioneve mes dy vendeve.
Ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës.
Federata e Futbollit të Kosovës ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe parimet e UEFA-së, duke paraqitur ankesë zyrtare për këtë çështje. Ne kemi kërkuar nga organet e UEFA-së që ta hetojnë me urgjencë këtë rast dhe të marrin masa të ashpra ndaj klubit dhe tifozëve të Crvena Zvezdës, në mënyrë që veprimet e tilla shoviniste dhe provokimet e ngjashme të parandalohen në të ardhmen.
Futbolli është sport që përveç argëtimit duhet t’i afrojë njerëzit dhe të shërbejë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit. Koreografitë dhe sloganet e tilla që synojnë të shkaktojnë konflikte dhe urrejtje ndërmjet vendeve dhe popujve nuk duhet të tolerohen.
Ky rast na bën të kuptojmë se duhet urgjentisht organet e UEFA dhe FIFA të marrin masa më të ashpra kundër shkeljes së parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit. Shpresojmë dhe besojmë që ankesa e reagimi jonë do të merret seriozisht dhe ata që nxisin urrejtje nëpërmjet futbollit do të ndëshkohen.
FFK do të vazhdojë të promovojë vlerat e vërteta të futbollit, pasi është e vetëdijshme se një mjedis i sigurt dhe i respektueshëm në stadiume është thelbësor për të përjetuar emocionin e futbollit në mënyrë pozitive.
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka pranuar se ishte i befasuar nga “intensiteti” i treguar nga Arsenali gjatë ndeshjes së tyre parasezonale në Los Angeles.
“Topçinjtë” fituan me rezultat 5-3 në miqësore falë golave të Bukayo Saka, Kai Havertz, Fabio Vieira dhe një dygolësh nga Leandro Trossard. Por ishte një miqësore që mori internsitet të lartë për shkak të 34 faulleve të mëdha, 22 prej të cilave ishin nga lojtarët e Arsenalit.
Duke folur pas ndeshjes, Xavi, i cili udhëhoqi Barçën drejt titullit të La Ligës sezonin e kaluar, tregoi pakënaqësinë e tij për mënyrën se si Arsenali i Mikel Arteta-s iu qas ndeshjes, përcjellë KosovaPress.
“I thashë Artetas në fund të lojës, ishte si një ndeshje e Ligës së Kampionëve me intensitetin që ata dhanë. Nuk ishte normale për një miqësore, por e kuptoj që të gjithë duan të fitojnë. Për ne, ishte miqësorja jonë e parë.”, tha Xavi.
Kur u pyet nëse intensiteti i lojës e befasoi Xavi-n, ai u përgjigj: “Jo i yni, por i Arsenalit, po. Nuk është normale të luash me kaq intensitet, duke bërë faulle taktike.”.
Sot është dita e fundit e Kampionatit Evropian, Divizioni C U16 për meshkuj në Prishtinë.
Nga 19 korriku janë zhvilluar shumë ndeshje interesante, ndërsa përmbyllet sonte mbrëma. Gjithsej garuan nëntë shtete.
Dardanët do të garojnë për vendin e tretë, ku do të përballen me Andorrën. Kosova-Andorra ishin përballur edhe në ndeshjen e fundit në grupe, ku basketbollistët e Kosovës kishin triumfuar 97:90.
Basketbollistët e Kosovës kanë nevojë për përkrahje nga publiku për të përfunduar këtë Evropian me fitore.
Ndërkohë, finalja do të zhvillohet ndërmjet Qipros dhe Azerbajxhanit, ku të dy kombëtaret duan trofeun e më të mirit dhe të depërtojnë në Divizionin B.
Pas finales do të zhvillohet edhe ceremonia përmbyllëse, ku përveç titullit do të jepet edhe çmimi MVP dhe Top 5.
Për vendet 5-9 do të ndeshen Armenia-Gjibraltari dhe Malta-Shqipëria.